Nga Faton Mehmetaj/*
Pas shembjes së komunizmit u deklasifikua edhe “lufta e ftohtë”. “Bota e tretë” e humbi kuptimin, vendet e painkuadruara pothuajse e pushuan aktivitetin politik. Rrëzimi i Murit të Berlinit e kapitalizoi mendimin e Gjermanisë për të qenë qendra e Europës dhe boshti i mendimit për Europën e Bashkuar.
Shkatërrimi i kullave binjake në ShBA nga Al-Qaida, rrëzimi i pushtetit diktatorial të Saddam Husseinit, përmbysja e Muammar Gaddafit nga pushteti, “Pranvera Arabe”, vendosja e bazave antiraketore në disa vende të Ballkanit, të Europës e të botës, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë dhe luftimet në Ukrainë, pretendimet e shteteve të fuqishme për të dominuar kontrollimin e linjave të gazit, luftërat në Afganistan dhe problemet tjera atje prodhuan efekte domino në shumë vende të Lindjes, të cilat e trazuan botën arabe. Siria u bë arenë luftimesh, ku fuqitë e mëdha po e testojnë forcën. Bota nuk ka qenë më e destabilizuar që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pa hyrë në detaje, Rusia, nëpërmjet bisedimeve të fshehta, kishte rënë në ujdi për bashkëpunim sekret me Iranin. Kishin bërë plane të fuqishme për t’iu kundërvënë ShBA-ve dhe për ta shtrirë dominimin në Ballkan dhe në Europë. Irani po mundohet të rikrijojë Perandorinë Perse, që të marrë kontrollin në Lindjen e Mesme.
Irani dhe Rusia nëpërmjet ndikimit politik dhe ekonomik që e kanë në Turqi, por edhe nëpërmjet shantazheve, siç është bërë e ditur më vonë, kishin arritur ta fusin në lojën e tyre edhe Presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan. Si pasojë e kësaj loje dhe humbjes së ekuilibrit, Turqia ka hyrë në një qorrsokak me shumë pak gjasa të arritjes së një stabiliteti të shpejtë. Mbreti i Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, e ka akuzuar Turqinë se ka eksportuar terroristë në Europë, dhe se sipas tij, Erdogani, beson se “Islami radikal është zgjidhje për rajonin”. Më tutje, në intervistën e tij të datës 11 janar 2016, dhënë Kongresit Amerikan, siç u bë publike në medie, Mbreti i Jordanisë, ka vënë në dukje se Turqia jo vetëm që i mbështetë grupet radikale në Siri, por ka mbështetur grupe të tilla edhe në Libi e Somali dhe se “radikalizmi është prodhuar në Turqi”.Në anën tjetër, një varg sulmesh terroriste janë kryer nga terroristët islamikë edhe në Turqi. Gjatë sulmeve terroriste që ndodhën në Turqi, më 10 tetor 2015, nga sulmet terroriste humbën jetën 103 persona; nga sulmi i 12 janarit 2016 humbën jetën 10 persona; nga sulmi i 18 shkurtit humbën jetën 29 persona; nga sulmi i 13 marsit humbën jetën 37 persona; nga sulmi i 19 marsit humbën jetën 5 persona. Gjithsejtë si pasojë e sulmeve terroriste të kryera kohëve të fundit në Turqi, kanë vdekur 184 persona, e qindra të tjerë janë plagosur. Kurse nga forcat e rendit në Turqi prej 7 qershorit të vitit 2015 deri më 5 janar 2016 janë vrarë 254 pjesëtarë të forcave të rendit. Ky është tregues i qartë se përgjegjësit e shërbimeve të inteligjencës së Erdoganit, në parim do të duhej të jepnin dorëheqje për shkak të dështimit të tyre. Por, gjithçka që ka ndodhur në Turqi kohëve të fundit, shkon përtej teorive konspirative, që është përpjekur t’i përdorë Erdogani.
Fanatikët fetarë vetëvrasës të dy organizatave më të mëdha, të “Al-Qaeda”-s dhe të “Shtetit Islamik”, po përpiqen që nëpërmjet akteve terroriste kundër Perëndimit, ta shtyjnë BE-në dhe ShBA-të të dorëzohen. Siç dihet, “Shteti Islamik” fillimisht është krijuar pas tërheqjes amerikane nga Iraku. Ka nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut. Pas fillimit të kryengritjes në Siri e ka shfrytëzuar gjendjen kaotike në këtë vend për të okupuar pjesë të mëdha të këtij vendi. Ka qenë aktiv gjatë muajve të fundit edhe në Libi. Tani ka për qëllim marshimin drejt Pakistanit, Tunizisë e vendeve të tjera të Afrikës, etj. Qëllimi i IS është krijimi i një kalifati. IS financohet në masë të madhe nga shitja e karburanteve, ndër tjera edhe në Turqi. Ata në të ardhmen e afërt do të provojnë të provokojnë forcat e të djathtës ekstreme prapa të cilave qëndrojnë klanet e rrevolucionarve dhe grupet e ish-bllokut komunist te cilët janë forcuar shumë këto vitet e fundit nënë aleancën e ekstremit të djathtë. Sigurisht përplasjet e tilla mund të ndodhin për ta zhvendosur luftën mes grupeve të ekstremit të djathtë dhe myslimanëve qe jetojnë ne botën perëndimore. Operacionet e “Al-Qaidës” dhe “Shtetit Islamik” (IS) po përpiqen që ta dështojnë Bashkimin Europian, si dhe segmentet e tjera në zhvillimet politike, nëpër të cilat po kalon Europa, Ballkani e më gjerë. Nëpërmjet provokimeve të vazhdueshme terroriste, po bëjnë përpjekje ta këpusin ndonjë hallkë të sigurisë, për të krijuar panik dhe pasiguri në rajon, duke krijuar rrugë e hapësira për nxitjen e ndryshimeve dramatike.
Kryeministri italian, Matteo Renzi, për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve propozoi formimin e një shërbimi sekret të BE-së, i cili do të luante rol të madh në parandalimin e veprimtarisë së këtyre grupeve terroriste, duke i koordinuar të gjitha shërbimet e shteteve të Ballkanit dhe të Europës rreth aktiviteteve të grupeve terroriste dhe përgatitjen e bazës së të dhënave të terroristëve potencialë. Po ashtu, ekspertët e sigurisë kanë vënë në dukje se shkëmbimi i informacioneve brenda Europës duhet të thellohet më tej që të ndajnë më shumë të dhëna me njëri-tjetrin për personat që dyshohet se janë islamikë radikalë, ngase aktet terroriste po ndodhin e bashkëpunimi më i mirë ndërkombëtar i shërbimeve të inteligjencës, sigurisht se do ta rriste efikasitetin dhe do ta gjente mënyrën më të mirë për shmangien nga aktet radikale të planifikuara nga organizatat terroriste.
Ballkani Perëndimor është shndërruar në një lloj “porte hyrëse” për luftëtarët islamikë. Rajoni cilësohet si shtegu i preferuar për luftëtarët xhihadistë, ndërkaq shihet edhe si “stacion” për islamikët radikalë nga Gjermania, Franca, Belgjika, Austria dhe Holanda, të cilët kanë për synim pjesëmarrjen në luftimet në Lindjen e Mesme. Në këto shtete, më shumë se 5 për qind e popullatës së përgjithshme janë të komunitetit mysliman. Vetëm në lagjen Molenbeek të Brukselit ka 22 xhami. Në këtë vend shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve është 40 për qind. Situata e papunësisë dhe varfëria u shfrytëzuan nga “Sharia4Belgium”, grup i formuar në vitin 2010, i cili merrej me promovimin e ligjeve islamike, por që më vonë i përqendroi energjitë e veta në rekrutimin e luftëtarëve islamikë për në Siri. Në disa raste, instruktorët e celulave të organizatave ekstremiste, me veprim në shtetet e Perëndimit, lansuan lajme të rreme se X personi ka rënë martir, pra ka vdekur. Rastet e tilla i kishin konfirmuar familjet, gazetat e portalet e ndryshme, që janë nën menaxhimin e këtyre grupeve. Mirëpo, hetuesit e ndryshëm, të cilët janë marrë me përcjelljen dhe survejimin e tyre, kanë konstatuar se raportimi për “rënien martir” të disa personave, ishte një mashtrim për inteligjencën perëndimore, në mënyrë që të mos pengohen rikthimi i tyre në Europë. (Sa për ilustrim përmendim rastin e Lavdrim Muhaxherit, për të cilin ishte proklamuar se ishte vrarë në Siri, por nuk doli e vërtetë).
Nëpërmes Ballkanit, “Shteti Islamik” po i afrohet Europës. Vështirësitë për parandalimin e akteve terroriste janë më të vështira për t’u identifikuar dhe për t’u parandaluar për shkak se sulmuesit nuk janë jashtë, por veprojnë edhe brenda shteteve të Ballkanit, Europës, ShBA-ve, etj. Planet sekrete të shteteve arabe, Iranit, Irakut e vendeve të tjera që e mbështetin “Shtetin Islamik”, para më shumë se dhjetë vitesh i kanë përgatitur celulat e veta terroriste, që operojnë në shumicën e shteteve të Ballkanit, të Europës e më gjerë. Këto celula po i përdorin për ta forcuar pozicionin e vet në shtetet e BE-së, duke i goditur këto shtete nëpërmjet akteve terroriste për t’i dekurajuar në projektin e Bashkimit Europian. Përveç tjerash, një prej synimeve të “Shtetit Islamik”, është edhe shpërbërja e projektit të Europës së Bashkuar (BE-së) për të depërtuar më lehtë, për të realizuar projektet e veta në hapësirat e disa shteteve të Ballkanit e të Europës.
Investimi i Emirateve të Bashkuara Arabe në disa projekte të mëdha në Ballkan për punësim, pastaj investimi i Iranit, i qarqeve të caktuara të Turqisë e shteteve të tjera të Lindjes në disa parti politike në Maqedoni, Kosovë, Sanxhak, Bosnjë etj., është tregues i qartë se edhe “Shteti Islamik”, pos akteve terroriste nëpërmjet të cilave po shkakton frikë e panik, po investon gradualisht edhe në fushën politike dhe ekonomike.
Si kundërpeshë e kësaj, bashkëpunimi i shërbimeve të inteligjencës të shteteve të rajonit duhet të jetë më i pranishëm edhe për t’iu kundërvënë të gjitha shërbimeve të kundërzbulimit, që i mbështesin organizatat terroriste me informacione e materiale të tjera, duke ua mundësuar që t’i kryejnë më lehtë sulmet e parapara nga organizata e “Al-Qaeda”-s dhe “Shtetit Islamik”. Instruktorët e organizatave terroriste islamike, nëpërmjet strukturave të veta të kundërzbulimit qëllimisht kanë përcjellë informacione të gabuara për t’i dezinformuar organet përkatëse të ndjekjes. Njësitet e shërbimeve sekrete të “Shtetit Islamik” në shtetet e Europës, por edhe në ato të Lindjes, mbajnë lidhje dhe kontakte me firma të ndryshme teknologjike, veprime këto të cilat i bëjnë këto organizata shumë dinake dhe të përgatitura në të gjitha dimensionet. Shërbimet e inteligjencës të shteteve të Perëndimit (amerikanë, gjermanë, francezë etj.), është thënë se kanë qenë të shqetësuara për faktin se atentatorët e Parisit ishin të ndikuar nga jashtë dhe se kanë qenë të lidhur me militantë të tjerë islamikë. P.sh.: disa individë të përfshirë në sulmet në Paris, në të cilat u vranë 130 persona, kanë luftuar edhe në Siri, por kanë qenë të lirë t’u shpëtojnë kontrolleve policore me t’u kthyer në atdhe. Kurse përgjegjësinë për sulmin e mëhershëm ndaj revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” e kishte marrë dega e “Al-Qaeda”-s në Jemen.
“Shteti Islamik” dhe “Al-Qaeda” në një kohë kanë pasë dallime ndërmjet veti, por me ndërhyrjen e ideologëve të këtyre dy organizatave më të mëdha terroriste gjatë historisë, ato dallime duket se janë mënjanuar. Drejtuesit e këtyre dy organizatave, që i kanë përmasat edhe të lëvizjes, e kanë brenda vetes sistemin e këshilltarëve dhe bordeve këshilluese nga njerëz shumë të spikatur të botës arabe. Këto organizata, “Shteti Islamik” dhe Al-“Qaeda” tërheqin pas vetes gjeneralë dhe ushtarakë të zotët të Saddam Husseinit, ish-struktura udhëheqëse të Libisë, Irakut, Sirisë, etj. Kanë pas vetes fise të mëdha të vendeve të botës arabe, e veçmas në Iran. Ata rekrutojnë luftëtarë nga grupet rivale, që kanë ndikim në botën arabe. Përmes fondeve të pafund që i kanë siguruar nga tregtia me naftë e ngjashëm, organizojnë financimin e operacioneve terroriste në shtetet perëndimore, por edhe në vende të tjera.
Siç është thënë nga ekspertët e kësaj fushe, “Shteti Islamik” i ka spastruar pothuajse të gjithë rivalët islamikë dhe sunitë. Shumë grupeve me ndikim në Irak, Iran, Siri, Libi e vende të tjera u shpallën luftë dhe i nënshtruan, duke ua dhënë një mundësi: të zgjedhin në mes të vdekjes dhe pendimit. Thirrja e prijësve të “Shtetit Islamik” dhe të “Al-Qaeda”-s në një xhihad të pamëshirshëm kundër “heretikëve shiitë, të krishterëve të kryqëzatës, tradhëtarëve hebraikë dhe ateistëve kurdë”, nuk është për t’u nënçmuar. Ata u bëjnë thirrje çdo ditë myslimanëve të Perëndimit që t’u bashkëngjiten atyre dhe ta mbështesin luftën e tyre të nisur kundër shteteve të Perëndimit. Siç është parë dhe siç është bërë e ditur publikisht, ata kanë jo pak grupe e celula në shumë vende të Ballkanit, Europës e shteteve të tjera të Perëndimit. “Shteti Islamik”, siç u përmend edhe më lartë ka marrë pushtet në disa shtete të botës arabe, por edhe më gjerë. Luftëtarëve të “Shtetit Islamik” u kanë shprehur përkrahje edhe grupet terroriste në Egjipt, Gazë, Jordani, Liban, Arabinë Saudite, Tunizi, Jemen dhe Libi. Përdorimi i taktikave strategjike për të arritur qëllimet, ka bërë që ideologët e organizatave xhihadiste ta ndërrojnë strategjinë e disa grupeve, të cilat historikisht i kanë përdorur bombat vetëvrasëse. Ato u janë kthyer sulmeve me armë zjarri, si një mjet i arsyeshëm i dhunës. Njerëzit e ngarkuar për sulme kamikaze, në shumicën e rasteve kanë trajnuar në kampet e “Al-Qaeda”-s e më vonë edhe të “ISIS”-it (Shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit). Ndryshimi i këtij koncepti, në rrafshin e sigurisë, paraqet rrezik të dyfishtë. Në disa raste është bërë thirrje dhe janë lëshuar dokumente nga “Shteti Islamik”, në të cilat japin edhe detaje dhe kërkohet haptazi që pakistanezët, afganët-talibanët, të bashkohen me ushtrinë e “ISIS”-it, duke përfshirë këtu edhe kërkesën drejtuar “Al-Qaeda”-s për ta ndihmuar dhe bashkuar me “ISIS”-in kur kërkohet nevoja. Me theks të veçantë, islamofobia është rritur pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në ShBA. Këtu duhet vënë në dukje edhe lidhjet e “Al-Qaeda”-s në Gadishullin Arabik (AQAP).
Disa prej anëtarëve të kësaj organizate, sipas hetuesve francezë, janë të dyshuar për pjesëmarrje në sulmet në Paris, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera terroriste. Në disa raste, siç përmendet në shtypin e përditshëm, rrjeti i Jemenit i ka stërvitur të rinjtë për të kryer akte terroriste në shtetet e Perëndimit. Për përgatitjen e terroristëve ka shërbyer edhe kampi për trajnimin e terroristëve në Afganistan. “Shteti Islamik” ka skica dhe projekte të detalizuara të funksionimit të tij prej udhëheqjes deri tek niveli lokal, duke përfshirë këtu deri në detaje edhe listën e përgjegjësive individuale.
Në bazë të studimit dhe hulumtimit të materialeve të publikuara, “Shteti Islamik” ka një mekanizëm shumë funksional të strukturës së inteligjencës, që i ngjet shumë ish-shërbimit sekret gjerman “Stasi”. Në shumë vende të Europës kanë ngritur Qendra misionare islamike, në të cilat rekrutohen njerëz të caktuar për spiunimin, të cilët bashkëpunojnë me shtete të fuqishme të cilat janë kundër ShBA-ve, me të cilat shkëmbejnë informacione, i përpunojnë ato dhe i përdorin më pastaj për qëllime të “Shtetit Islamik”, “Al-Qaeda”-s e organizatave të tjera që i luftojnë shtetet e BE-së, ShBA-ve e aleatëve të tyre. Tashmë Europa po kërcënohet seriozisht nga terrorizmi i radikalëve islamikë dhe, për këtë, duhet mobilizuar të gjitha forcat.
Në këtë mes, një gjë duhet sqaruar rrënjësisht: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia nuk paraqesin rrezik për Ballkanin, për Europën as për Perëndimin në përgjithësi sa i përket aspektit të radikalizmit islamik. Këto shtete me qindra vjet kanë bashkëjetuar me fetë e tjera dhe asnjëherë gjatë gjithë historisë nuk e kanë sulmuar askënd, por vetëm janë mbrojtur. Për më shumë se një shekull e gjysmë me radhë Serbia ka zhvilluar terror, gjenocid e shfarosje masive ndaj popullit shqiptar mbi baza fetare e nacionale, duke bërë përpjekje për ta asimiluar e dëbuar me dhunë nga trojet e veta etnike, për t’ia grabitur tokën e pasurinë. Populli shqiptar ka pesë fe të ndryshme, por kurrë nuk ka pasë problem as me vetveten as me të tjerët. Shquhet në botë, madje është shembull unikat në botë, për bashkëjetesë e tolerancë ndërfetare. Shqiptarët gjatë gjithë historisë i kanë respektuar edhe fetë e tjera të popujve joshqiptarë, të pakicave që jetojnë në hapësirat e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës e vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. Edhe pse, sipas medieve e gazetave të ndryshme, kryesisht të atyre prosllave, rreziku më i madh po buruaka nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Sanxhaku, një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Sa i përket kësaj dukurie, këto vende nuk dallojnë prej vendeve të tjera të Ballkanit dhe të Europës. Në këto qarje të mëdha fetare shpesh herë shoqëria jonë (edhe ajo mediale) nga mllefi dhe urrejtja ndaj “ISIS”-it, ka pasur mbireagime, të cilat kanë prodhuar efekte negative. Kohë pas kohe njerëz të caktuar kanë lansuar mendime të ndryshme, të cilat përveç faktit se janë false, janë edhe destruktive. Me këto veprime, mendojnë ta orientojnë Kosovën kah Lindja e Mesme.
Që të mposhtet terrorizmi, është e detyrueshme që t’i kuptojmë faktorët të cilët i motivojnë myslimanët europianë që të bashkëngjiten me luftëtarët e “Shtetit Islamik”. Secili qytetar i yni dhe i huaj e di se Kosova as tash as në të kaluarën nuk ka shkuar kah Lindja e Mesme por nga Europa. Kosova prej shekujsh ka qenë e orientuar drejt Europës dhe progresit botëror. Jo rrallë herë kemi reaguar në mënyrë naive ndaj paraqitjes së ekstremizmit islamik në hapësirat e ndryshme ballkanike e më gjerë. Konceptet nacionaliste nuk ndërtohen me elemente fetare, ato janë një pjesëz e vlerave tona të çmuara, por nuk është tërësia. Prapa nxitjes, financimit dhe rekrutimit të pjesëtarëve islamikë radikalë nga Kosova qëndron Serbia.
Nuk është e rastit se një nga portalet më të njohura që publikon lajme në gjuhën shqipe dhe bën thirrje për ekstremizëm islamik – portali botaislame.com, siç është bërë publike, ishte hapur në Suedi, në vitin 2007, nga pjesëtari i JSO-së famëkeqe, serbi Millutin Jovanoviq, ndërkaq më vonë informatat e uebsite-it janë fshehur me pagesë. Përkujtojmë se JSO-ja (Jedinica za Specijalne Operacije/Njësia për Operacione Speciale), ose siç është njohur ndryshe edhe me emërtimin “Beretat e Kuqe” (“Crvene Beretke”), ishte njësit ekzekutiv i Shërbimit Sekret Serb RDB (“Resor Državne Bezbednosti”), të cilët i kanë kryer krimet më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, por edhe në vet Serbinë. Madje, në vitin 2003, JSO e ekzekutoi edhe kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq.
Infiltrimi i shërbimeve serbe në organizatat fetare, synim të vetëm e kanë paraqitjen e shqiptarëve si popull me prirje ekstremiste fetare. Involvimi i shërbimeve sekrete serbe dhe ndikimi ruso-serb në përgjithësi në Kosovë dhe tek shqiptarët në përgjithësi, është i dukshëm dhe i qartë: paraqitja e shqiptarëve si ekstremistë radikalë fetarë në Ballkan dhe si potencial i mundshëm i akteve të terrorizmit. Në analizat e radhës do të flasim për ekstremizmin dhe terrorizmin ortodoks dhe konvertimin e disa prej tyre në ekstremistë islamikë. Edhe përkundër pjesëmarrjes së disa shqiptarëve në Siri, edhe përkundër faktit se disa shqiptarë janë vrarë në luftime të ndryshme në Siri, edhe përkundër sinjaleve që grupe të caktuara radikale po mbajnë mbledhje të fshehta, edhe përkundër faktit se shumë imamë të rinj lokalë e qendrorë janë trajnuar dhe indoktrinuar në seminare të ndryshme fundamentaliste të Arabisë Saudite e vende të tjera arabe, të cilët po i drejtojnë shumë xhami në të gjitha hapësirat e Shqipërisë natyrale, shqiptarët nuk përbëjnë rrezik për vendet perëndimore, sepse në natyrën e shqiptarit dhe në historinë e tij nuk ekziston terrorizmi. Populli shqiptar i përkrahë fuqishëm ShBA-të e Perëndimin, botën e qytetëruar. Shqiptarët janë bindshëm populli më proamerikan në Europë e më gjerë.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës, në shtator të vitit 2015, e ka aprovuar Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020. Në njërin prej paragrafëve të kësaj strategjie (Paragrafi 4.3.2.1) thuhet se “disa imamë me prirje radikale, qoftë në Kosovë apo në rajonin e Ballkanit, kanë luajtur një rol në inkurajimin apo në mënyrë aktive rekrutimin e kosovarëve për të shkuar dhe për të luftuar në Siri. Përveç kësaj, disa nga ta kanë ndikuar edhe në zhvillimin e një ideologjie ekstremiste fetare gjatë këtyre viteve të fundit”.
Kërcënimi nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm, në Kosovë, tani për tani është i ulët. Celulat e grupeve ekstremiste të “Al-Qaeda”-s, që veprojnë në shtetet e Perëndimit përdorin udhërrëfyes-udhëzues të kodit të sjelljes, me qëllim që t’i kontrollojnë veprimet e përditshme për të mos rënë në gracka të shërbimeve. Udhëzuesit e tillë kanë 12 kapituj me 64 faqe dhe më shumë shërbejnë për të ashtuquajturit “ujq të vetmuar”, por edhe për “celulat” e vogla islamike, se si mund të kryhen sulmet terroriste. Shpesh herë udhëzuesit e tillë janë publikuar nga militantët e “Shtetit Islamik”.
Kohëve të fundit, “Al-Qaeda” në Gadishullin Arab po bën presion tek grupet më të vogla, por edhe tek luftëtarët e “Shtetit Islamik” me qëllim që ta merr primatin e punëve në Europë e më gjerë. Ata po i përdorin taktikat e “ujqve të vetmuar” për të kryer operacione terroriste në botën perëndimore, për shkak se janë më pak të kontrollueshëm, nuk bien në sy të shërbimeve sekrete dhe janë lehtë të menaxhueshëm nga instruktorët e organizatës. Sipas analistëve ushtarakë që janë marrë me këto çështje, mjaft pak nga shërbimet sekrete janë të kontrollueshëm edhe rrjeti i prodhuesve të bombave dhe hallkat e instruktorëve që përgatisin amelitë – njerëzit vetëvrasës, të cilët sipas rregullit nuk guxojnë të dalin asnjëherë jashtë deri sa të hedhen në erë.
Filozofia e përgatitjes dhe e përhapjes së doktrinave të “Shtetit Islamik”, të “Al-Qaeda”-s dhe organizatave të tjera terroriste islamike për ta shtrirë ndikimin e tyre në shtetet e Arabisë dhe në shtetet e Europës dhe të Ballkanit është shumë komplekse. “Shteti Islamik” i ka trupat elite të njohura si “Inghemasiyoun”, që në gjuhën arabe do të thotë njerëz që e sakrifikojnë veten. Trupat elite të “Shtetit Islamik” janë një lloj njësiti i forcave speciale, që veprojnë potencialisht me forcat e rregullta.
Në disa raste, pjesëtarët e “Shtetit Islamik” kanë marrë të dhëna të papublikuara nga grupet e hakerëve, të cilët veten e quajnë “Divizioni i hakerëve të Shtetit Islamik”, të kontraktuar posaçërisht për gjurmimin dhe hulumtimin e të dhënave strategjike të shteteve perëndimore. Ky është një tregues i qartë se “Shteti Islamik” i përdorë të gjitha forcat dhe mjetet për të arritur qëllimet e veta, në mesin e tyre edhe imponimi i një rendi politik, i mbështetur nga disa shtete me ndikim.
Sipas analistëve të ndryshëm, Rusia po e minon sigurinë rajonale dhe si pasojë e kësaj, e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Qëllimet strategjike ruse, për të gjetur territor në hapësirën e BE-së, realizohen duke lëvizur kujdesshëm, rast pas rasti me shtetet e vogla që akoma nuk kanë arritur ta instalojnë demokracinë dhe të zhvillojnë ekonominë në standarde perëndimore. Për shumë arsye Rusia kohë më parë iu ka “afruar” këtyre vendeve përmes shërbimeve të fshehta, të cilat i kanë mbajtur nën kontroll këto vende si një element bazë strategjik për të aderuar në Ballkan dhe në Europë, që është synim i saj i vjetër, i përpjekjeve të saj strategjike për ta kthyer në skenë Perandorinë e Madhe Ruse (Le Grand Tsar), por në konceptet e një Rusie moderne. Në interes të kësaj strategjie, Rusia ka nisur krijimin e të ashtuquajturit “Bashkim Eurazian”, për të krijuar një kundërpeshë të Bashkimit Europian. Irani, siç vënë në dukje agjencitë e ndryshme të lajmeve dhe analistë ushtarakë, po përzihet dhunshëm në shtetet e tjera, duke i synuar edhe armët bërthamore, duke e rrezikuar sigurinë. Roli i Iranit në këtë mes është i veçantë, ai e ka mbështetur Sirinë prej vitit 2011. Ky vend ka dërguar mijëra ushtarë në brigadat mercenare.
I ngarkuari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, vlerëson se Irani brenda një viti jep rreth 6 miliardë dollarë amerikanë për të mbështetur regjimin e Assadit. Ekspertë të tjerë thonë se i jep 20 milionë dollarë në vit Hezbollahut. Milicia shiite nga Libani me një lidhje të ngushtë me financuesit nga Irani, lufton po ashtu në anën e Assadit dhe paraqet grupin e dytë më të madh të trupave të këtij regjimi. Rusia, po ashtu, është një partner tjetër i rëndësishëm i Damaskut. Këtu duhet përmendur edhe kurdët, të cilët janë një faktor i rëndësishëm në Siri dhe luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër “IS”. YPG – Njësitë e Mbrojtjes Popullore – krahu i armatosur i PYD – Partisë Demokratike Kurde të Sirisë, numërojnë 50 000 luftëtarë. PYD është një degë e kurdëve të Partisë Punëtore Kurde (PKK) me seli në Turqi. Edhe pse SHBA e ka mbështetur me mjete logjistike dhe municion YPG-në, Turqia i lufton kurdët. Rusia e mbështet hapur PYD-në. Në mesin e gjithë kësaj, Perëndimi i sheh kurdët si aleat kryesor për t’iu kundërvënë xhihadistëve.
Shërbimi sekret i Iranit në bashkëpunim me atë rus, të cilët janë shumë të pranishëm në Ballkan dhe në Europë, i kanë përgatitur grupet e më vonë rrjetet e ekstremistëve për t’i goditur caqet e dëshiruara në Ballkan, Europë e në botë. Shërbimi sekret i Iranit, fillimisht i ndërtoi rrjetet e “revolucionarëve islamikë” në shumicën e vendeve të Ballkanit dhe të Europës. Ata ishin të ngarkuar me detyra për të formuar celula aty ku kishin mundësi të lidhura me “Al-Qaeda-n” e organizata si kjo. Shërbimi sekret i Iranit – MOIS (Ministria për Shërbime Sekrete dhe Siguri), rrjetet e “revolucionarëve islamikë” i ka formuar duke u bazuar në mbështetjen e serbëve, me theks të veçantë të shërbimeve diplomatike dhe të atyre sekrete, të kombinuara edhe me shërbimet ruse. Për formimin e këtyre celulave, Irani, Rusia, Serbia e shtete të tjera të kyçura në këtë aleancë të fshehtë, derdhën fonde të mëdha. I ashtuquajturi Mision Humanitar i Rusisë në Nish, pa hezitim, është cilësuar nga Bashkimi Europian, si një qendër komanduese e shërbimit sekret rus për të destabilizuar Ballkanin. Pjesëtarë të këtyre njësive, në koordinim me drejtuesit e sigurisë në Maqedoni morën pjesë në aksionin në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ku në përleshje me këto forca dhe me forcat maqedonase u vranë 10 shqiptarë në rrethana të pasqaruara, për disa prej të cilëve dyshohet se janë ekzekutuar derisa gjendeshin në paraburgim. Mossqarimi i rrethanave dhe i tërë asaj që ndodhi në majin e vitit të kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, është vërejtje dhe dobësi e madhe edhe për mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, të cilët kanë heshtur para këtij agresioni, por njëkohësisht është kërcënim direkt edhe i sigurisë në rajon dhe tendencë për t’i sfiduar forcat e KFOR-it në Kosovë. Prandaj është e udhës që pa vonesë të ngritet një Komision Ndërmbëtar që do të hetonte ngjarjet e Kumanovës. Qendra Ruse e Emergjencave me seli në Nish, njëkohësisht punon edhe për tubimin e grupimeve ekstremiste, për ta rritur unifikimin e forcave nacionaliste në Serbi. Ka dhjetë vite që destabiliteti i Ballkanit po vjen nga Serbia, e mbështetur dhe e financuar nga Rusia. Që kur Mali i Zi e mori ftesën për anëtarësim në NATO, ndërmjet Podgoricës e Moskës kanë ndodhur një varg incidentesh, si presion i Rusisë ndaj Malit të Zi, pse Mali i Zi e ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Kryeministri i Malit të Zi, Mile Gjukanoviq, në një intervistë për një televizion të Moskës, e akuzoi publikisht qeverinë ruse se ajo i ka nxitur dhe i ka mbështetur trazirat kundër NATO-s në territorin e Malit të Zi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, në një konferencë, në fillim të majit 2014, në Bruksel, deklaroi se agresioni i Rusisë e ka sfiduar idenë themelore, që është e drejta e shteteve sovrane për të zgjedhur rrugën e tyre. Lidhur me këtë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se marrëdhëniet ndërmjet Moskës në njërën anë dhe të Bashkimit Europian e NATO-s në anën tjetër “kërkojnë një shqyrtim serioz” për shkak të krizës në Ukrainë.
Siç dihet, diplomacia e ka spiunazhin brenda. Në këtë rast, spiunazhi është arma kryesore. Rusia, Irani, e deri diku edhe Turqia i përdorën ambasadat e tyre në shtetet e Ballkanit e më gjerë dhe infrastrukturën e tyre për ta përhapur vijën e ekstremizmit islamik në hapësirat e këtyre shteteve, por edhe të shteteve të Perëndimit, me qëllim që ky instrument – ekstremizmi, të përdoret si levë për manipulime politike dhe presione në arenën ndërkombëtare.
Ata së bashku arritën të rekrutojnë në linjat e tyre njerëz të fuqishëm të dijes, intelektualë në zë, imamë me ndikim, grupe dhe individë me peshë, të cilët ishin bindur që të punojnë për përgatitjen e “Revolucionit Islamik” në Ballkan e më gjerë. Ekzistimi i këtyre celulave dhe aktiviteti i tyre u mor me skepticizëm dhe jo seriozisht nga ana e shërbimeve të ndryshme të shteteve të Europës e më gjerë, sepse kundërzbulimi serb, shërbimet ruse dhe ai i Iranit e mbulonin aktivitetin e tyre me shumë kujdes. Me kalimin e kohës celulat e vogla u bënë organizata dhe morën përmasa të mëdha, morën përmasa aq të mëdha saqë shpesh herë po e tronditin Ballkanin, Europën e shtetet tjera me ndikim, aq shpesh saqë janë bërë kërcënim real për to. Në këto vende diplomacia ruse është shumë aktive, sidomos në rajonin e Ballkanit, më parë Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi etj., duke iu ofruar ndihmë ekonomike. Pos kësaj, mbajtja peng prej kohësh e Serbisë nga rusët ka krijuar trazimin e Ballkanit. Ekspertët e fushës së sigurisë të rajonit por edhe ata perëndimorë, nuk kanë investuar sa duhet në identifikimin dhe plotësimin e dosjeve të instruktorëve të këtyre organizatave dhe akterëve me ndikim në këto organizata, të cilat u zhvilluan fuqishëm në Ballkan, në Europë e në botë.
Përgjegjësit e sektorëve operativë të shteteve të Europës dhe më gjerë në shumë raste janë mashtruar sepse kanë menduar se nëpërmjet njerëzve që kanë arritur t’i infiltrojnë dhe rekrutojnë nëpër këto celula e organizata ekstremiste, do ta mbajnë situatën nën kontroll dhe menaxhim të plotë. Mirëpo, shërbimet e kundërzbulimit të Iranit, Rusisë, Serbisë e shteteve të kësaj aleance të fshehtë, janë përkujdesur edhe për këtë, ata kanë përgatitur rrjete të tëra që janë marrë me dezinformacione e lansime të rrejshme, duke përgatitur edhe bashkëpunëtorë të specializuar për shërbimet perëndimore të Ballkanit e më gjerë.
Mirëpo, e gjithë kjo që ka ndodhur kohëve të fundit nga operacionet e “Shtetit Islamik”, është tregues i qartë se lufta e të gjitha këtyre formacioneve ushtarake e paraushtarake që ndërlidhen me “Shtetin Islamik” me “Al-Qaeda”-n e organizata të tjera të kësaj natyre, ka kaluar në një front të ri shumë më të unisuar kundër Perëdimit e vendeve të tjera që kanë lidhur aleanca për ta luftuar “ISIS”-in. Lidershipi i Rusisë dhe Iranit është i sinkronizuar në veprime kundër një varg shteteve të Europës e botës perëndimore në përgjithësi. Në vitin 2013, regjimi i Teheranit e paralajmëroi Shqipërinë që të mos i pranojë anëtarët e organizatës “Muxhahidinët e Popullit Iranian” sepse do të rrezikojnë sigurinë kombëtare të këtij vendi. Në anën tjetër, opozita iraniane, apo Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran (NCRI) kishte akuzuar regjimin e Teheranit se ka ngritur një stacion të shërbimit sekret në Shqipëri. Irani i kishte kërcënuar disa vende që të mos i pranojnë anëtarët e “Organizatës së Muxhahidinëve” dhe të “Kampit të Lirisë” si kundërshtarë të regjimit të Teheranit. Sipas opozitës iraniane, në dimrin e vitit 2013, regjimi i Teheranit dërgoi në Shqipëri, në petkun e diplomatit, një nga agjentët e tij, Fereydoun Zandi Aliabadi, i cili ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kreun e agjencisë MOIS në Iran me pseudonimin “Sajjad” dhe me agjentin e MOIS në Turqi, “Haj Ali Navidi” për të menaxhuar “Organizatën e Muxhahidinëve të Iranit” dhe të “Kampit të Lirisë”, që gjendet në Shqipëri. Për praninë e pjesëtarëve të shërbimit sekret iranian nëpërmjet aktiviteteve të diplomatëve ka qenë e dyshuar edhe Bosnja. Agjencia Kroate e Sigurisë ka vlerësuar se në Bosnjë-Hercegovinë aktualisht jetojnë rreth 4 000 ekstremistë të Shtetit Islamik. E të njëjtit mendim me atë të agjencisë kroate është edhe e përditshmja e Zagrebit “Globus”. Në maj të vitit 2013, me urdhër të Ministrisë për Siguri të Bosnjës, ishin dëbuar dy diplomatë iranianë, Hamzeh Dolab Ahmad dhe Jadidi Sohrab, për të cilët është vërtetuar se edhe pse në Ambasadën Iraniane në Sarajevë ishin evidencuar si sekretarë, ata faktikisht kishin punuar për Sigurinë Kombëtare të Iranit.
“ISIS”-i ka marrë armë në Irak, diku në vlerë prej 1 miliard dollarësh, që të gjitha moderne, të cilat ishin armë të ushtrisë irakiane që i kishte lënë ushtria amerikane. Gjithashtu në tregun e zi, “ISIS”-i i ka marrë armët nga Turqia, të sponsorizuara nga Arabia Saudite e Katari. Duhet vënë në dukje se prej këtyre shteteve kishin ardhur shumë organizata humanitare për ta ndihmuar Kosovën pas përfundimit të luftës, por më pas dolën të lidhura me rrjetet terroriste dhe sponsorizuese të shumë organizatave terroriste.
“Shteti Islamik” ka në gjirin e vet shumë pjesëtarë të shërbimit sekret të ish-regjimit të Saddam Husseinit, të Gadafit, Iranit, Afganistanit e vendeve të tjera, të cilët së bashku e bëjnë të fuqishëm vijën zinxhirore të “Shtetit Islamik”. Madje, njëra ndër figurat kyçe të “Shtetit Islamik”, numri 2 i “ISIS”-it, ishte Abu Muslim al-Turkmani, ish kolonel i inteligjencës ushtarake, që raportohet të jetë vrarë gjatë një bombardimi ajror amerikan në gusht të vitit 2015.
Në një shkrim të gazetës gjermane “Der Spiegel” (prill 2015), thuhet “Koloneli i forcave të inteligjencës së Saddam Husseinit, Samir Abu Muhamed al-Halifi i njohur edhe si Haji Bakr e kishte organizuar “Shtetin Islamik” dhe kishte planifikuar marrjen e një pjesë të madhe të shtetit të Sirisë dhe Irakut. Haji Bakr edhe pse ka qenë figurë kryesore në Haji në formimin e “Shtetit Islamik” kurrë nuk është ditur roli i tij i saktë. Sidoqoftë, hetuesit e ndryshëm, të cilët i kanë mbajtur nën vëzhgim xhihadistët me veprim në shtetet e Perëndimit sadopak e kanë amortizuar aktivitetin e këtyre organizatave.
Përkundër mijëra vullnetarëve të huaj, ideologët xhihadistë thonë se forcat e “IS”-it përbëhen 90 për qind nga irakianët dhe 70 për qind nga sirianët në dy epiqendrat kryesore të saj ku kanë rreth 40 000 luftëtarë dhe 60 000 mbështetës. Këtu duhet përmendur se një rol të veçantë e luajnë xhihadistët veteranë me përvojë në luftërat në Afganistan, Çeçeni, Somali e vende të tjera, të cilët kanë sjellë me vete njohuri të çmuara dhe mjaft strategjike për veprim dhe zhvillim te “Shteti Islamik” në përgjithësi.
Ky defekt, që është kuptuar tash së voni, ua kishte mundësuar atyre celulave të ngiten në organizata e organizatat në ushtri siç është “ISIS”-i etj., të cilat po e kërcënojnë botën. Për të mos u dukur, shërbimet e lartpërmendura kishin organizuar qindra organizata humanitare ndërkombëtare dhe vendore, të cilat kryesisht kishin lidhje me vendet e Lindjes, e në disa raste edhe me “Al-Qaeda”-n, për t’i financuar aktivitetet dhe infrastrukturën e këtyre organizatave. Në vijim po i përmendi disa nga këto organizata, që kanë qenë më të rëndësishme: “Shoqata Bamirëse e Kuvajtit” e dizajnuar për të përkrahur terrorizmin e rrjetit të “Al-Qaeda”-s, “RIHS” nga Kuvajti ka operuar edhe në Kosovë e Shqipëri, misioni i saj ka qenë financimi i terrorizmit, “Dora e Mirësisë”, “Thirrja për urtësi”, “Al-Haramain”, “Asambleja Botërore e Rinisë Myslimane (WAMY)”, “AlRasheed Trust”, “FAl-Haramain”, etj., e kanë mbështetur ekstremizmin islamik në Kosovë si dhe “Fondacionet Ndërkombëtare për Bamirësi (BIF)”, “Fondacioni Botëror për Ndihmë dhe Mirësi”, kanë qenë të lidhura me financimin e terrorizmit. Në veçanti “Komiteti i Përbashkët Saudit i Ndihmës për Kosovë dhe Çeçeni (SJRC ) përfshin IRO dhe Al-Haramain”. Komisioni i Përbashkët Saudit i Ndihmave për Kosovën dhe Çeçeninë (SJRC), kishte bartur 47 milionë dollarë për persona të përfshirë në terrorizëm. Pastaj, “Ndihmat Islamike në Mbarë Botën (IRW)”, siç është thënë edhe më lartë, është tregues i ndërsjelljes së lartë me botën e financimit të terrorizmit. Këto organizata në Kosovë kanë ndërtuar mbi 20 xhami dhe kanë investuar në grupe të caktuara që kanë asistuar me programe të veçanta, të cilat i ka mbikëqyrë Ministri i Brendshëm i Arabisë Saudite, princi Nazif bin Abdul Aziz. IRW-ja, SJRC dhe disa organizata të tjera në Kosovë, i kanë kanalizuar donacionet nëpërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Për këto organizata, të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në Kosovë, ka raportuar edhe Agjencia Federale e Zbulimit në Amerikë (FBI).
Në një raport zyrtar, i cili gjendet online në uebfaqen zyrtare të FBI-së, thuhet se organizata Fondi i Tokës së Shenjtë për Ndihmë dhe Zhvillim (HLF), ka financuar, sipas tyre, organizatën “Hamas”. Kjo organizatë cilësohet si terroriste në SHBA dhe Shtetet e Bashkimit Europian. Mbi 20 milionë dollarë kanë hyrë në Kosovë nga shtetet arabe gjatë vitit 2013. Zakonisht, fondacionet në Kosovë kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara Arabe, Algjeria, Egjipti, Kuvajti, Katari, Libani, Libia, Tunizia, Arabia Saudite, etj. Në Kosovë ka vepruar edhe organizata turke “Iniciativa Ndërkombëtare Humanitare (IHH)”.
Policia turke, në janar të vitit 2014, i kishte arrestuar 25 persona të kësaj organizate të dyshuar se rekrutonin shqiptarë për luftë në Siri. Financimin nga IHH të organizatës AKEA e kanë konfirmuar vetë drejtuesit e kësaj organizate, e cila ka qenë e dyshuar për lidhjet me “Al-Qaeda”-n.
Kthimi në retrospektivë dhe analizat e ngjarjeve që po ndodhin sot, tregojnë qartë se gjendja nëpër të cilën po kalojmë është mjaft komplekse. Turqia, Greqia, Maqedonia, Serbia, Bosnja e Kosova janë vende të përshtatshme, të mos themi ideale, përmes të cilave luftëtarët e “Shtetit Islamik” dhe organizatat tjera xhihadiste, që kanë programe të caktuara ndaj BE-së, e shteteve të Perëndimit, mund të kalojnë fare lehtë në shtetet e Europës.
Sipas disa statistikave të publikuara gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit rreth numrit të luftëtarëve të huaj, që iu kanë bashkangjitur grupit militant të “Shtetit Islamik” dhe grupeve të tjera salafiste në Siri dhe në Irak, sillet nga 27 000 deri në 31 000 persona, të cilët vijnë nga 86 vende të ndryshme të botës. Prej tyre, 875 thuhet se vijnë nga shtetet e Ballkanit, rreth 800 prej tyre nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, etj. Kjo do të thotë se luftëtarët e këtyre organizatave, që vijnë nga Ballkani, i njohin fare mirë rrugët dhe shtigjet nëpër vendet e lartpërmendura, sepse kanë lëvizur shpesh në këto hapësira. Si pasojë e veprimtarisë dhe aktiviteteve të dendura të pjesëtarëve të këtyre organizatave, vetëm në Kosovë janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë vrarë në luftime në Siri e në Irak mbi 46 prej tyre. Duke i parë këto zhvillime, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, vitin e kaluar kishte publikuar një hartë interaktive në të cilën paraqiteshin vendet me kërcënim të lartë për sulmet e mundshme terroriste. Ajo e ka cilësuar Kosovën, përveç Italisë, Gjermanisë, Greqisë e Bosnjës, si vend me kërcënueshmëri të lartë.
Janë disa faktorë që ndikojnë në shkallën e rrezikshmërisë nga mundësia e ndonjë akti terrorist në vendin tonë. Pos faktorëve të tjerë, ndër kryesorët e mundshëm është fakti i numrit të shtetasve të Kosovës në vatrat e luftës në Siri e Irak si pjesëtarë sektarë të “ISIS”-it. Pastaj, prania e ushtarëve të NATO-s në misionin e KFOR-it në Kosovë, si dhe fakti se Kosova është anëtare e Koalicionit Global për Luftimin e Terrorizmit, përkatësisht anti-ISIS, koalicion që udhëhiqet nga SHBA-të, mund ta bëjnë Kosovën cak të mundshëm të ndonjë sulmi terrorist. Radhitja e Kosovës në shkallën e lartë të kërcënimeve nga aktet terroriste, sipas Ministrisë së Jashtme të Britanisë dhe ekspertëve të tjerë të sigurisë vendore e ndërkombëtare e obligon Kosovën dhe mekanizmat e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare për ta ngritur nivelin e sigurisë në shkallën superiore në angazhimin maksimal të parandalimit të akteve të tilla në territorin e vendit tonë. Edhe pse Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është formuar para disa vitesh dhe nuk e ka përvojën e duhur në luftimin dhe në parandalimin e terrorizmit të këtyre përmasave, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë SHBA-të, NATO-n dhe BE-në e ngritin shkallën e sigurisë në nivel të duhur për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Edhe pse mendoj se Kosova është larg të qenit në rrezik permanent të përmasave dhe dimensioneve të mëdha të akteve terroriste, siç kanë ndodhur në Paris, Londër, Turqi, Bruksel e ngjashëm. Kosova nuk shfrytëzohet shumë si vend transit për luftëtarët e huaj, për terroristë apo ekstremistë.
Kosova, por edhe të gjitha trojet shqiptare para një kohe ishin përfshirë nga një ekspansion i shumë rrymave të radikalizmave fetarë, ku më së shumti prinë ai i ardhur nga Arabia. Si rezultat i pasyçelësisë së klasës politike, por edhe i shërbimeve të inteligjencës, për shumë vite organizatat terroriste në Kosovë, janë lënë të veprojnë lirshëm dhe askush nuk është marrë me to dhe me aktivitetin e tyre.
Kurse në rastet e organizatave që janë dënuar në vende të ndryshme të botës është ndryshe. Shumica e organizatave ekstremiste, akuzohen për bashkëpunim në aktivitetet e terrorizmit ndërkombëtar dhe bashkëpunim e bashkëveprim me luftëtarët e “Shtetit Islamik”. Organizatat ekstremiste, për të cilat po bëjmë fjalë, të cilat fshihen pas “Shtetit Islamik” dhe që veprojnë në shtetet e Ballkanit, Europës e më gjerë, janë organizata që kanë krijuar baza financiare të qëndrueshme e vende-vende shumë të fuqishme.
Pas përhapjes së luftës në Siri, këto organizata i thyen bankat atje dhe i plaçkitën shumë prej tyre, prandaj baza materiale e tyre, bazuar edhe në informacionet e qarqeve perëndimore dhe të shërbimeve inteligjente, numëron qarkullime ditore apo fitime ditore nga 200.000 deri në 1,5 milionë dollarë. E gjithë kjo vjen nga shitja e derivateve të naftës, e cila në tregun normal shitet 50 dollarë për fuçi, ndërsa “ISIS”-i e shet për 20 dollarë. Sipas analistit Oscar Williams-Grut, “ISIS”-i shumicën e fondeve i grumbullon sipas këtyre mënyrave: bankave mashtruese, shitjes së antikiteteve dhe artefakteve, haraçit, naftës, taksave, donacioneve, etj. Në këtë kohë “ISIS”-i tashmë është një tërësi shumë më e madhe sesa numri i luftëtarëvë të tij. Sigurimi i kësaj baze kaq të madhe financiare i krijon komoditet dhe epërsi në kryerjen e akteve terroriste karshi strukturave të shërbimeve të ndryshme sekrete, që merren me përcjelljen, hulumtimin dhe zbulimin e këtyre organizatave. Këto organizata kanë anëtarësuar në rrjetet e tyre me mijëra njerëz anekënd globit. Pos kësaj, mbështeten edhe nga njësitë elitare të ushtrive të një varg shteteve që i kundërshtojnë SHBA-të dhe nuk pajtohen me politikën e disa shteteve të Europës. Këshilltarët e këtyre organizatave, të cilët vijnë nga radhët e shërbimeve sekrete ushtarake, kanë lidhur aleanca me këto organizata dhe i përdorin si paravan për t’i arritur objektivat e veta, janë njerëz shumë me ndikim në shtetet e ndryshme të botës arabe, por edhe në Rusi dhe në bllokun ortodoks. Kërcënimet që vijnë nga këto organizata nuk janë kërcënime nga grupe të caktuara terroriste, por nga blloqe me ndikim që pretendojnë t’ia ndërrojnë formën rajonit. Një provë e tillë është loja me refugjatë, që është bërë në bashkëpunim me shërbimet sekrete ruse, ato të Iranit dhe me implikimin e Turqisë. Qeveria Turke ua ka hapë rrugën miliona refugjatëve nga Siria e vendet e tjera të botës arabe, të cilët i kanë mësyer masovikisht vendet e Europës e të botës perëndimore. Ekzistojnë të dhëna publike, në të cilat thuhet se Turqia në vitin 2013 i kishte lëshuar ta kalojnë kufirin e Turqisë mbi 4 mijë persona, të cilët figurojnë në listat e personave të ndaluar. Madje, Qeveria amerikane i ka kërkuar Qeverisë turke që të aplikojë politika më agresive në kufirin me Sirinë.
Sektorët e veçantë të “ISIS”-it, siç kanë deklaruar zyrtarët francezë për publikun, kanë krijuar një “industri” të tërë të krijimit të pasaportave të falsifikuara, të vjedhura në Irak, në Siri dhe në Libi. Të paktën dy nga ekstremistët e “ISIS”-it, që kanë kryer sulme të tmerrshme në Paris, në nëntor të vitit 2015, kanë përdorur rrënjët e imigrantëve përgjatë Europës, duke pretenduar se ishin refugjatë, derisa përdornin pasaporta siriane.
Lidhur me këtë, autoritetet e SHBA-ve kanë folur për shqetësimet e tyre, që “ISIS”-i mund të ketë siguruar një makinë për printimin e pasaportave në përpjekjet e tyre për ta infiltruar Perëndimin nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Këto lajme kanë ardhur pas publikimit të raportit prej 17 faqesh të Investigimeve të Sigurisë së Brendshme, ku paralajmërohej për përdorimin e pasaportave të falsifikuara.
Kontrabandistët që janë dorë e zgjatur e këtyre shteteve kanë fituar miliarda euro për t’i depërtuar mbi një milion refugjatë në vendet perëndimore. Sipas burimeve publike dhe atyre diplomatike del se luftëtarët e “Shtetit Islamik” janë duke u trafikuar në Europë nga bandat e Mesdheut. Këtë e ka deklaruar, pos tjerësh, edhe ambasadori i Egjiptit në Britaninë e Madhe, në maj të vitit 2015. Loja me refugjatë mes tri fuqive botërore me ndikim global, Iranit, Turqisë dhe Rusisë, ishte kërcënim i luftës speciale në shtetet e Ballkanit dhe të Europës. Mbase Turqia hyri në këto kombinime për t’iu hakmarrë shteteve të BE-së, të cilat nuk ia kishin dhënë vizën presidentit Taip Erdogan dhe e kishin penguar Turqinë për t’u bërë anëtare e BE-së. Tani problemi i Sirisë u bë edhe problem i Turqisë. Paqja dhe demokracia në një varg shtetesh të botës, po sulmohen në shumë drejtime dhe kanë marrë përmasat e një rreziku global.
Edhe pse feja islame në esencë nuk është fe radikale dhe e dhunshme, qarqe të caktuara janë përgatitur brenda shteteve islamike, për t’i bërë një varg sulmesh në shumë shtete të botës, duke i fshehur ato nën petkun fetar dhe keqinterpretimet dhe interpretimet e gabuara për interesa të larta të blloqeve me ndikim, të cilët fenë e shfrytëzojnë për t’i realizuar më lehtë këto projekte dhe programe të makinerive të mëdha ushtarako-politike të “Shtetit Islamik” dhe aleancave të shteteve të tjera, që iu kanë bashkuar këtij projekti për rindarjen e botës në blloqe të reja ushtarako-politike.
Organizatat ushtarako-politike, që e përbëjnë “Shtetin Islamik”, kanë arritur ta formojnë një rrjet të fuqishëm të kundërzbulimit, i cili funksionon në shumicën e vendeve të Ballkanit, Europës e botës perëndimore në përgjithësi. Qindra njerëz kanë infiltruar në rrjete të ndryshme, me detyra të caktuara për ta dezorientuar opinionin me qëllim të fshehjes së qëllimeve të vërteta për të operuar më lehtë. Ka shumë raste kur organet e hetuesisë kanë shkuar pas “mjekrave”, por kryesit e akteve kanë qenë të rruar, madje kanë bartur edhe kryqe në qafë. Me sa është parë deri më tani, disa shërbimeve sekrete u mungojnë ekspertët e mirëfilltë, të cilët e mbulojnë boshllëkun dhe vakuumin e krijuar brenda këtyre shërbimeve lidhur me funksionimin dhe operimin e këtyre organizatave, të cilat kanë marrë përmasa globale. Pjesëtarët dhe grupet e rrjetit të “Shtetit Islamik” janë të informuar mirë, nxjerrin gazeta të ndryshme në vendet e Ballkanit, kanë pavarësuar shumë xhami nga Bashkësitë Islame, kanë shtëpi botuese të fuqishme, shpërndajnë dhe shtypin literaturë, që është në përputhshmëri me konceptet indoktrinuese të qarqeve të caktuara, kanë në dispozicion radio dhe TV lokale, kanë stilin e veshjes së tyre, simbolet dhe rrjetin legal ekonomik me mjaft biznese gjigante. Proceset gjyqësore që janë ngritur kundër grupeve radikale në vendet e ndryshme të Ballkanit, Europës e botës, po i përdorin për t’i frymëzuar rekrutët e organizatave të tyre ekstreme, por edhe për legalizimin e veprimtarisë së tyre dhe për qëllime propaganduese, për të krijuar kulte ndaj luftëtarëve, që pretendojnë shtetin panislamik dhe rivendosjen e kalifatit. Burgjet dhe gjykatat për ekstremistët islamikë janë bërë një lloj inkubatori. Këtu veprojnë dy-tri grupe që merren me shpëlarjen e trurit të të rinjve, duke i bindur ata që pastaj të marrin pjesë në komplote terroriste, kur të dalin nga burgjet. Grupet e komplotistëve përbëjnë një hallkë të rëndësishme të shtrirjes së “Shtetit Islamik” në Europë. Ata veprojnë në hije dhe me ta maten sukseset e grupeve terroriste. Një pjesë prej tyre janë shkolluar në kolegjet katolike. Në Shqipëri janë dënuar dy-tri grupe që kanë qenë pjesë e celulave të “Al-Qaeda”-s dhe janë financuar nga fondacionet që po ashtu i kanë mbështetur financiarisht rrjetet e organizatave të “Al-Qaeda”-s që nga viti 1999 e këndej. Rekrutimi i të rinjve për të shkuar në vijat e frontit në Siri e gjetiu është bërë nëpërmjet hoxhallarëve të caktuar, pjesa dërmuese e të cilëve kanë vepruar legalisht e publikisht. Pasi që rekrutët kanë pranuar, eprorët e tyre i kanë transportuar drejt bazave të trajnimit. Bazuar në burime publike, shumica e shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës, trajnimet fillestare i kanë kryer në bazat ushtarake Reyhanli të Turqisë, në jug të provincës turke Hatay. Nga dosjet e prokurorisë dhe hetimet e bëra nga viti 1999, të cilat janë publikuar, del se të gjithë besimtarët myslimanë, të dërguar nga Shqipëria për të luftuar në Siri, nuk luftojnë në krah të të ashtuquajturve “Ushtarë të lirisë”, që janë pjesë e opozitës siriane kundër regjimit të Bashar Al-Assadit. Ata luftojnë në krah të grupit militant të lidhur me “Al-Qaeda”-n, që njihet me emrin “Al-Nustra”. Po supozojmë se organizata “IHH”, e cila operon nën ombrellën e aktiviteteve bamirëse, dhe e cila siç është bërë publike, vepronte në koordinim të plotë me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu (tash kryeministër i Turqisë), ka rekrutuar qindra shqiptarë për të shkuar në luftimet e Sirisë. Kjo organizatë del të jetë e lidhur edhe me grupet vehabiste të Arabisë Saudite. Qëllimi i shqiptarëve, të rekrutuar nga kjo organizatë dhe organizatat tjera, që kanë shkuar për të luftuar në Siri ka qenë përmbysja e qeverisë së Assadit dhe krijimi i një shteti panislamik në bazë të Sheriatit (kodi moral dhe ligji fetar i islamit) dhe rivendosja e Kalifatit.
Teologët e rrymës tekfiriste (Tekfirit) predikojnë parimet e islamit radikal dhe i kundërshtojnë të gjitha institucionet shtetërore, policinë, FSK-në, janë kundër votimit, kundër dhënies së dorës, mbajnë lidhje me imamë e struktura me pikëpamje radikale brenda vendit, në rajon, dhe me personat që aktualisht gjenden përkrah grupeve ekstremiste në Siri. Këtë ideologji e përfaqëson organizata terroriste e “ISIS”-it. Ajo në disa pjesë të vendeve të botës arabe e ka shpallur Kalifatin. Baza ideologjike e “takfirit” është në Egjipt. Djegia për së gjalli e njerëzve të pafajshëm, heqja e kokës së pengjeve dhe heqja e kokave në masë, vrasja e njerëzve të forcave të sigurisë, publikimi i videove trishtuese në portale e linka të tyre të posaçëm, është një lloj qasje për ta implementuar konceptin e kalifatit. Me këtë gjuhë pseudo-fetare dhe sektare, xhihadistët e “ISIS”-it e kanë nisur misionin e tyre të shenjtë për ta ringritur botën arabe në një unifikim të tërësishëm. Megjithatë, disa gjëra janë jashtë kontrollit të grupeve terroriste të xhihadistëve. Rekrutët shqiptarë në përgjithësi, nga të gjitha trojet shqiptare, kur arrijnë në destinacionet e caktuara (apo në kampin ku stërviten shqiptarët) i presin përgjegjësit apo komandantët e tyre disa prej të cilëve janë imamë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, etj., dhe mbajnë emra të tjerë, si: Ebu Muxhahidi, Ebu Belkisa, Zeyd Al Albani, Abdylmelik Kosova, etj. Sa për sqarim, këtu duhet përmendur kundërshtarët e Assadit, siç janë Armata e Lirisë Siriane (FSA), e cila është krijuar fillimisht nga forcat demokratike opozitare për ta mbrojtur popullatën civile, pastaj grupet e FSA-së të cilat e kontrollojnë zonën veriperëndimore dhe pjesë të mëdha të jugut. Kjo armatë nuk ka pasur gati asnjë mbështetje ndërkombëtare. Por, ka shumë financues islamikë, ndaj në këtë grup kanë kaluar shumë grupe islamike, të cilat tani luftojnë kundër regjimit të Daschaisch Al-Fatih, i cili ka një grup të madh. Ajo bashkon grupet më të moderuara dhe ekstremiste, ndër to edhe radikalët e Frontit Al-Nustra (një degë e “Al-Qaeda”-s), por edhe milicët islamikë të Ahrar al-Scham. Në këtë grup luftojnë prej vitesh grupe xhihadiste nga Jordania, Algjeria, Afganistani, Çeçenia dhe vende të tjera. Në këtë mes, Arabia Saudite e mbështetë grupin radikal Ahrar al-Scham, ndërsa Rusia disa grupe opozitare që mund të përafrohen me Damaskun. Shumica prej këtyre grupeve i kanë degët dhe mbështetësit e tyre edhe jashtë Sirisë e që paraqesin rrezik më vete për sigurinë. Para këtij rreziku të ri, shtetet e Ballkanit, të Europës e të Perëndimit, duhet të unifikohen me strategji të reja, duke i konfiguruar komplet vijat e sigurisë dhe të bëjnë ridizajnimin e vijave strategjike të ekonomisë, një pjesë të të cilës në vendet që kanë kaluar nëpër luftëra e kanë në dorë klanet e pakontrolluara dhe mbajtjen nën kontroll dhe menaxhim të plotë të informacioneve strategjike, të cilat nëse nuk menaxhohen dhe nuk mirëmbahen ashtu siç duhet, mund ta prishin balancin në rajon e në botë.
Bota është para një sfide të re, para të cilës po maten forcat e superfuqive botërore. “Shteti Islamik”, në aventurën e tij, në këtë kohë të përplasjeve të mëdha të rendit të ri botëror, i ndihmuar nga aleatët e përmendur më lartë, e përbën boshtin e një aventure tjetër të re, që paraqet rrezik me përmasa globale. Bota e qytetëruar ka pasur dhe ka fuqi për tejkalimin e rreziqeve të tilla dhe mbajtjen nën kontroll të rendit dhe të qetësisë, të promovimit të demokracisë, barazisë dhe vlerave të lirisë.
Burimet dhe literatura:
Shtypi ditor i Kosovës: “Epoka e Re”; “Zëri”; “Koha Ditore”; “Kosova Sot”; “Die Welt” – e përditshme gjermane; Jonathan S.Landay-Gazeta “Mcclathy”, Fars News, US Exekutive Order 13224 (f. 64); Prononcim i Denis Haxhoviqit, drejtor i Qendrës për Studime Strategjike, institut politikash në Sarajevë, për “Kohën Ditore”; Raportet e ndryshme të sigurisë (BE, DG, GB, SV, etj.); Revista të ndryshme ushtarake për siguri; shtypi ditor i Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Turqisë etj.; Intervistë e Alison Pargeter, analist për Libinë në Institutin Mbretëror Britanik të Shërbimeve; Intervistë e Skënder Hysenit-Ministër i Punëve të Brendshme, dhënë “Zëri”-t më 23.7.2015; Raporte të Qendrës Kosovare për Studime e Siguri (QKSS); Frank-Walter Steinmeier, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Të bashkuar në luftë kundër ISIS-it (analizë). Intervistë e Frank J. Grass, gjeneral amerikan në Botasot.Info; “Globus” e përditshme kroate, Vlerësim i publikuar i Akbar Ahmed, shef i Studimeve Islamike në Universitetin Amerikan, në Uashington; “Radio Kosova e Lirë”, “BBC”, “Zëri i Amerikës”, Dosjet e prokurorisë të organizatave ekstremiste qe janë dënuar në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri etj.
*Derguar per Diellin nga autori