-Ministrja kosovare e Drejtësisë, Dhurata Hoxha takoi Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropë dhe Azi, Hoyt Yee/
UASHINGTON, 27 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare në SHBA, ministrja kosovare e Drejtësisë, Dhurata Hoxha takoi Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropë dhe Azi, Hoyt Yee. Në këtë takim, ministrja Hoxha e njoftoi Yee për reformat e ndërmarra, punën dhe angazhimin e institucioneve të vendit për të fuqizuar sundimin e ligjit. Po ashtu, ministrja Hoxha ritheksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Qeverinë amerikane dhe falënderoi Yee për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Zëvendësndihmës sekretari i shtetit përgëzoi ministren Hoxha për punën dhe përkushtimin e ministrisë së Drejtësisë për reformat që po bëhen në sektorin e drejtësisë.
Yee, vlerësoi lart iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe po ashtu përshëndeti aprovimin e tij nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë reformë si sukses drejt fuqizimit të sundimit të ligjit./b.j/