• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERPARIM HYSI: M’u prish gjumi në mesnatë

July 24, 2014 by dgreca

M’u prish gjumi në mesnatë/
Përparim Hysi/

M’u prish gjumi në mesnatë, më s’u mbyll ky syri im
Dhe u nisa nëpër natë, rrugë të gjatë e në shtegtim
Shkoj në vënde ku kam shkelur, nëpër miq e nëpër shokë
Ca prej miqëve s’i kam gjetur dhe nga malli bie n jë lot.

Kaq mjaftoi që mos mbyll sy dhe më mbetën sytë kllap
Ah, ç’më gjeti, miqtë e mi! Mu në zëmër kam një plagë
Mëndja shkoi e bredh azat në gjithë vëndet ku kam shkelur
Ndaj mua sytë më mbetën haptë dhe nga malli krejt jam shkrehur.

Shpirti im
Shpirti im mbushur lirika seç mbuisi tepër vonë
Në se pak unë u mbollisa,qe një kohë, për mua,zezonë!
Sepse ikje kotë së koti, mu si qeni,- thonë,- në vreshtë
Dhe nuk isha Don Kishoti që atë kohë ta gjuaj me “heshtë””

Prandaj heshta… edhe heshta (të rrah gjoksin,është e kotë)
Nuk guxova të shkruaj vjersha (qe një kohë,aman, o Zot!)
Sepse shkrimi ish dëshmi,s’ka seç duhej dëshmitari
Shkurt e shkurt lexues të mi: drejt për drejt tek Haznedari *

Ky për ditë lëpinte kosën, nuk ish kosë, po qe hanxhar
As mos pyesni për Golgotën, më mirë vdekur se i gjallë
Ndaj buisa pak si vonë,siç buis dhe Agavita **
Më mirë kurrë a më mirë vonë? Edhe heshtjes i ra pika!

* Haznedari- një nga xhelatët e asaj kohe
** Agavita çel pas 25 vjetësh.

*** Kam filluar të shkruaj pasviteve ’90-të.

Imazhi

Para meje- fleta e bardhë
Dhe stilolapsi në dorë
Në mëndje- një kumt i bardhë
Si kredhur, i tëri, nën dëborë.

Mandej imazhi i bukur
Dhe sytë: eh,ç’sy,si qiellorë!
Tek shkruaj, jam krjet turbull
Tunduar nga një tis nervor.

Se aq imazhin ma ka ënda
Sa jam nën trysni e nervoz
M’i kënda ata sy m’i kënda
Imazhi vjen e më nakatos.

Sikur të kem pirë një ilaç
Ilaç që më rregullon midenë
Ah, imazh! I bukuri imazh
Gjumin ma prishe dhe e di dhe psenë?

Dhe vjen një kohë

Dhe vjen një kohë që zihen etërit me bijtë
Zihen, nuk merren vesh dhe sa nuk kacafyten
Sikur për jetën dinë më shumë të rinjtë
Sikur,sa plaken, etërit shkuan: u “lajthitën?!”

Dhe kjo kontradiktë sa vjen e rritet
Ashtu si lumi që fryhet nga shirat
Do të thoni ju:- A mund që të zgjidhet?
Jo. Kështu vazhdojnë zënkat dhe mërirat.

Se me kut tjetër pret e mat pleqëria
Të rinjtë,s’do mend, kanë tjetër “matë”
Sa vjen e mes tyre-dëborë dashuria
Dhe, në mos zihesh me bijtë, je me fat.

Kështu shkruaj dhe,kështu, dhe po ndodh
Çdo gjë është e dukshme: pasqyra është përpara
Të mohosh ç’shkruaj, kot mos u lodh
Se kam parë shumë dhe jam me flokë të bardha.

O moj gusha rrath-rrath!

O moj gusha rrath-rrath!
A e sheh? Po bëj bërdaf!
U ciflosa porsi xhami
Dhe mëdysh më ndahet xhani.

Më këputi për ty malli
E pësoka dhe kokëbardhi
Më dogj malli mua për ty
Mua, plakut,sevdalli.

Mua plakut sevdalli
Që më plaçin që të dy
Më dogj vapa e korrikut
Dhe m’u ngjall malli i ashikut.

Ca nga vapa,ca nga malli
Shkoi e vate kokëbardhi…

Tiranë, korrik 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: M'u prish gjumi, në mesnatë, perparim Hysi

“Lente” për sytë

July 6, 2014 by dgreca

(sipas mikes sime,M. L.)/
Pështjellim letrar/
Nga Përparim Hysi/
Nuk ka gjë që më “ngacmon” më shumë se sa sytë kur shoh një femër. Ky verb “ngacmon” duhet marrë pak me koificent korregjimi: më sakt duhet të shprehesha kështu: “… djalërisë sime ndodhte kështu”. E humbja prej syve. Kështu ka ndodhur me mua në dashurinë e parë dhe kështu ka vazhduar deri sa sytë e mi “që mos i paça”, zënë e kërkojnë një palë sy. Tani sytë e mi e kanë humbur atë “sensin” e gjuetisë si puna e atij zagarit të vjetër që humbet nuhatjen, e , megjithatë, sa shoh një palë sy që të “verbojnë” lëshohem hergjele. Punë huqi, sigurisht. Se huqi del me shpirtin. Por këtë “pështjellim” nuk e shkruaj për vete. Jo. E shkruaj për një mjek (as mos prisni që mjekun ta lakoj me emër), që, ashtu si unë djalërisë së largët, e humbi nga një palë sy.
***
Mjeku i kish parë ata sy kalimthi dhe kish thënë me vete:- Kot thonë që është ngjallur veç Krishti! Se kjo që pashë ( e kish fjalën për sytë e saj), a nuk i ka sytë aq të bukur si Elizabet Tejlorit? Të tillë i ka,- ngulmoi mjeku,- se o është ringjallur diva e madhe e Holliwoodit o nuk jam unë në vete! Dhe,ashtu mëdyshur në hamëndësinë e tij, mjeku kish ngrirë si një statujë mu tek dera e spitalit. Ai kish “ngrirë” dhe me sy ndiqte “Tejllorin” e ringjallur. Kur dëgjoi që kjo”Sytejllori” po pyeste për repartin e okulistikës, mjeku “shkriu” siç shkrin dëbora nga dielli dhe nxitoi të bëhej ai “Ciceroni” apo siç thuhet në popull, kallauzi që t’i tregonte pavijonin e syve. Sado që nxitoi, u sëmbua kur një infermiere ( si në ato garat” më i shkathti, më i shpejti” e ndihmoi “Tejllorin” që të gjente pavijonin që kërkonte. “Dhija mish e cjapi tavë”,- lëshoi një proverbë kënaqësie mjeku i syve. Jam me fat,- përkëdheli veten. Kur qe në qejf, mjeku okulist, qe makazinë proverbash. Nuk kish nevojë të mendohej shumë. I thoshte ato jo ashtu “tymëse”, por qenë si gozhdë trari të tilla që mund t’i ngulje pa frikë dhe në mur.
” Nuk shkoi Muhameti tek mali, por vjen mali tek Muhameti”. Duke menduar se nuk kish se pse të hallakatej, ngjiti shkallët tërë shend dhe hyri në kabinetin e vet. “Tejllorin” e pa, por nuk duhet ta vinte re. Thëllëza do vinte vet: drejt e në kafaz. Për pak, gati t’ia merrte një kënge. Ashtu, në zë, si për vete, ia tha: ” Syçkat si ato të tuat/ nuk gjenden në dynja”. E dinte mirë se si vazhdonte kënga dhe, tek priste që “Tejlori” i ringjallur të hynte brënda, bëri si bëri dhe i tha dhe dy vargje të tjerë: “lum ai që i ka shijuar/ frikë nga vdekja më nuk ka…

* * *
Trokiti dera dhe hyri thëllëza. Mjeku që, tanimë, i “kish shijuar ata sy”, u bë serioz dhe hyri në lëkurën e profesionit.
-Përse jini munduar?
– Për sytë. Ndjej dhimbje, sidomos, kur lexoj,- u ankua pacientja.
Mjeku,pasi e kish ulur në poltronën e vizitave, filloi vizitën. Qëndroi për një kohë goxha të gjatë, duke u sjellë dhe risjellë, pranë atyre syve dhe, sikur veç këtë kishte për të vizituar tërë ditën mbarë, po e “ngiste makinën e memories” si “afolio” për të bërë një studim sa më preçiz.
Ajo, shtrirë si një pafajësi e bukur dhe e dlirë si dëbora në një majë mali ku nuk e arrin kush, dhe doktori që “vete e vjen” nëpër këtë dëborë virgjine. Si mbaroi këtë vizitë “made in maratonë”, tha mjeku me vete,- filloi t’i shpjegonte pacientes.
– Ju kini nevojë për lente,- tha doktori.
– Për lente!- përsëriti pacientja.
– Janë të domosdoshme dhe mirë që kini ardhur me kohë.
– Doktor,- tha “Tejlori”, po dua të di çmimin,se…
-Çmimi është i diksutueshëm,- tha doktori.
– Si i diskutueshëm?- ndërhyri pak e skuqur.
– Jemi vërtet privat, por, para së gjithash, jemi dhe njerëz. Edhe ne jetojmë në tokë.

***
Kur shkoi për së fundi, doktori i tha:
– Këtë “operacion mjekësor” e ke falur nga unë.
-Doktor, të lutem, mos më bëj që të skuqem.
– Jam unë që po skuqem,- pohoi doktori. Jam mahnitur nga sytë tuaj. Më mjafton që i pashë dhe ky” vizion” imi për sytë tuaj, është “haraçi” që do paguani. E zënë si në çarg nga ky pohim kaq i çiltër,”Tejllori” sikur po thyhej. Ai e kundronte si një fajtor pa faj dhe, për të qetuar veten, kujtoi ca vargje të një kënge “… epo mirë,atëhere puthmë/ pa marr leje fola unë”. I kujtoj ai, po vallë a kish dëgjuar “Tejllori” për një këngë të tillë? Sa mirë do të qe!
– E mira pret,- u dha fund hamendësive kur u nda me sytë e “Tejllorit”.

Tiranë, 3 korrik 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: "Lente", për sytë, perparim Hysi

Një “Bibël” për faljen e gjakut

June 5, 2014 by dgreca

Nga Përparim Hysi/
Romani i Pierre- Pandeli Simsisë “Nuse në derë të hasmit” mbrriti në dorën time me shumë vonesë. Pa zmadhuar në këtë që shkruaj, them se sikur libri të qe nisur në këmbë që,matan oqeanit, ku jeton autori, do kishte mbrritur më shpejt. Sidoqoftë, më mirë vonë se sa kurrë. Qe një amanet që, si të gjithë amanetet, nuk e treti dheu. Miku im ( po ky njeri kaq i gjendur për kë nuk është treguar mik?), ingjinieri Spiro Naqo ma solli në dorë, pasi kish ngrënë një gjobë të mirë për parkimin e makinës. Pra, i futur dy herë “borxh”, së pari për autorin dhe së dyti për prurësin (sado që prurësi nuk gjykohet!!!), pak nga pak po paguaj “doganën” me këtë shkrim që si objekt ka romanin në fjalë.
* * *
Dhurata që ma solli të “ngrohtë”, ingjinier Spiroja, më gjeti paksa të ngarkuar me halle familjare. Halle ca të rënda që unë i kaloj o duke lexuar, o duke shkruar. E lexova romanin dhe ,tek qëndroj për të dhënë përshtypjet për të, them: me Simsinë ka ndodhur si me atë thënien e arabëve që thonë: – Mos ia beso të gjitha mikut, se, ku ta dish, një ditë mund të të bëhet armik. Dhe, më tej:- Mos e shaj deri në fund armikun,se një ditë mund të bëhet mik. Se, në fund të fundit, kështu vërtiten ngjarjet në romanin që lakoj. Simsia, ky beratas që ka emigruar në vitet e demokracisë matan oqeanit, në Shqipëri nuk ka qenë shkrimtar. Ka qenë një qytetar i thjeshtë që aspironte për kulturë. Aq sa e kam ndjekur unë (natyrisht, ç’shkruaj për të, të merret me rezervë,se unë nuk njihem me Pierr Simsinë), di që Pierri është një “makineri memoriesh për këngët”, gjë që flet për një njeri që kohën e lirë e ka për të zgjeruar horizontin. Kalimthi, në mos më gabon kujtesa, e kam parë kur tekste të tëra këngësh të kënduara në festivale, i thoshte përmëndësh si të qe një makinë logaritëse. Më tej, kam lexuar prej tij tregime (me kufizime këto,se jo çdo gjë mbaj mend), por, kur erdhi në Tiranë për të promovuar këtë roman, nuk patëm mundësi që t’i hapnim “kartërat”. Gjëra që ndodhin. Isha në sallë. Kur mbaroi promovimi, i dhashë dorën dhe sa shkëmbyem përshëndetjet e kortezisë, u ndamë. As që e dija, që Spiro Mikut i kish lënë një libër për mua. Pra, këtë roman që unë, pasi e lexova, e quaj si një “Bibël” për faljen e gjakut.
* * *
Por para se të them përshtypjet për romanin, nuk kam si mos bëj një analogji të largët që ka ndodhur me dy shkrimtarë të mëdhenjë aty, në Amerikë. Është fjala për të madhin Woolt Witman dhe poeten e bukur, por aq “gojëmbyllur”, Emily Diskinson. U takuan në një stacion treni dhe vetëm sa shkëmbyen duarët: Woolt- Emily dhe kaq. Sikur Diskinsoni të kishte folur,- them unë në një poezi timen,- kushedi seç diej poetik do kishin ngrohur faqet e letërsisë. Po Emilyja mbeti ashtu e drojtur, si një “film pa zë”, për të shpërthyer me njëmijë e pesëqind poezitë e saj të ndryme në sirtar. E solla këtë ndodhi vetëm se kështu ndodhi dhe me mua dhe Simsinë. E sa për analogjinë (ato kurrë nuk janë të qëlluara), vetëm një gjë: ky shkrim po bëhet me vonesë për shkaqe që nuk varen nga unë.
Romani në linjë të prgjithshme ka dashurinë e dy të rinjëve shqiptarë që kanë emigruar në Amerikë. Njohur, rastësisht,ata lidhen pazgjidhmërisht me njëri-tjetrin. Kur “njihen” më mirë, zbulojnë se kanë të fshehta që në “stazhin” e njohjes nuk ia kanë zbuluar njëri- tjetrit. Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesit që nuk e kanë lexuar romanin, dashuria e Liridonit me Lean has në një “gërç” që është vështirë të kapërcehet. Si një nyje “Gordiane” që nuk do shpatën mitike të Aleksandrit të madh për t’u prerë, por do urtësi dhe zëmërmadhësi njerëzore për t’u kapërcyer. Nga dashuria e pastër e çiftit Liridon-Lea ka një fëmijë parakohe dhe, pikërisht, në këto çaste, zbulohen të “fshehtat” që janë si një kërcënim real. Lea qëllon të jetë nga një derë, që në lidhje gjaku, kishte hak për të marrë në familjen e Liridonit. Më shumë se kaq, nuk ka se ku të shkoj. Por…
le ta lëmë për një çast se si vazhdon ky roman dashurie, për t’u ndalur tek autori, Pierre- Pandeli Simsia.
* * *
Sado që ka kohë që jeton në Amerikë dhe sado që është qytetar amerikan, tek Simsia ndodh që me trup është atje, matan oqeanit, po me shpirt është në Shqipëri. Kur them në Shqipëri, kjo, Shqipëria për të fillon nga Berati dhe mbaron kudo ku fjalës bukë i thonë bukë. Pse pulson me këtë lloj gjaku, pse jeton me arritjet e hallet e SHiqpërisë, ulet e shkruan një roman ku në qendër të tij, është hakmarrja. Simsia e di mirë: ne jemi “pasagjerë të mesjetës” që duam të udhëtojmë në “trenat modernë të Europës”. Në ndodh që fenomeni gjakmarrjes është bërë një fenomen akut, faji, padyshim, është i politikës dhe shtetit, në radhë të parë. Shteti, në postdemokraci, i ngjan atij “bullarit” që i ka të mbyllur sytë. Gjakmarrja është plagë e hapur që rrjedh dhe plagos shoqërinë. Kundër këtij fenomeni mesjetar ngrihet me penën e tij, Simsia, dhe jo vetëm kaq: nuk ke se si mos entusiazmohesh dhe, njëherësh, ta ndjeshë veten mirë, kur Xhorxhi, dajua e Leas, e fal gjakun. Kjo falje gjaku nuk është as trill dhe as një veprim “deux ex machina”, por rrejdhojë e një pune të madhe, ku një meritë të madhe,sa “komiteti i faljes së gjakut” aq dhe religjioni. Xhorxhi duke qenë një besimtar i thekur i kishës, “dorëzohet” në ndërgjegjen e tij dhe fal gjakun e të vëllait.
Mesazhi që përciell Simsia është një mesazh i bardhë. Ai nuk mund të rrijë symbyllur para një fenomeni që, në të vërtetë, është një atavizëm që nga Mesjeta e largët. Apeli i tij është sa i bukur, aq dhe njerëzor. Bukuria dhe vlera e romanit rriten në finale. Një finale që të mbushë me emocione pozitive dhe mbresëlënëse. Për këtë arsye unë e kam quajtur romanin “Një Bibël” për falen e gjakut,
Tiranë, 5 qershor 2014
*(esse)-Romani “Nuse në derën e hasmit” të Pierre-Pandeli Simsia

Filed Under: ESSE Tagged With: e gjakut, Një "Bibël", për faljen, perparim Hysi

Poeti që bën “gjymytyrë” për mjegullat

May 6, 2014 by dgreca

Nëpër gjymtyrët e mjegullva të Adem Zaplluzhës/
Nga Përparim Hysi/
Të fundit po e them që në fillim: kam njohur një Poet të një shkalle të epërme. E kam fjalën për Poetin Adem Zaplluzha. Jo vetëm e kam njohur, por jam befasuar. Kjo befasi imja është shumë domethënëse. Shkruaj dhe vet poezi, po jam i një “lloji” tjetër: unë kurrë nuk heq dorë nga poezia me rimë dhe kjo ndodh për një arsye të fortë: nuk jam i zoti të ligjëroj në poezi me vargje të lira apo të bardha. Sado që jam i një “mizure” tjetër (ata që nuk më njohin mos më marrin për ndonjë poet kushedi?!!!), e çoj gojën vesh më vesh kur lexoj poetë që të çudisin me poezitë që s’kanë rimë. Po si mos qeshja kur lexoja Majakovskin me ” Re me pantollona”. Në vizionin tim më dukej sikur Poeti e kish kapur renë prej veshësh dhe po ia “vishte” pantollonat me zor. Dhe ashtu si oreksi që vjen duke ngrënë, zura t ‘i doja poetë të tillë. Kjo dashuri imja kish filluar që me Migjenin e Qemal Stafën apo dhe ndonjë poet tjetër, por thashë dikur-dikur se si Janis Ricos zor se do këndonte dikush më bukur. Këtë mendim e pata për “Mëhallat e botës”. Mirëpo, dalngadalë, poezia me rimë sikur po asfiksohej dhe po dilnin poetë që, me të vërtetë,që të vinin në mendime. Në letërsinë botërore kjo kish ndodhur me kohë, por vërshimi i bukur filoi dhe në letërsinë shqiptare. As pretendoj që njihja Martin Camën ( ky as njihej në letërsinë tonë të realizmit socilaist), por kur ndodhi “hopi” i bukur letrar me Kadarenë,Agollin, Arapin, Shehun e të tjerë, natyrisht zura ta doja edhe këtë lloj poezie: por duhet theksuar që Kadareja dhe Arapi xhëku e “thyen” atë poezinë me rimë.

* * *
NJeriu plaket duke nxënë,- thotë populli. Dhe unë lexoja dhe ngazëllehesha dhe me këta poetë që “dolën nga rruga e Zotit”. Po si ishe e mundur që mos ngazëlleheshe
nga poetë që e rritën cilësisht poezinë e tyre. Tek i lexoja, më dukej se po ua “zhvishja pantollonat reve” të Majakovskit,se kisha parë Moikom Zeqon që i “vishte syze dielli Menduzës së dashuruar”; shihja Dhimitër Pojanakun ( theksoj poetin Dhimitër Pojanaku!!!) që i zinte “xhindët prej veshi dhe i bënte të kërcenin polka”; shihja princin e lirikave ( mbret i lirikës në vizionin tim është Lasgushi), bohemiin e bukur, Frederik RReshpja që më bënte gati të nisesha fluturim dhe t’ia puthja ballin e vuajtur tek këndonte: “… qante dreri në korie dhe lotët bëheshin shi” apo “… po bien ëndrrat e pyjeve një nga një… ose “… mjegulla e hollë ndan dritares sime qan me lot shiu. Poeti tjetër i bukur, Faslli Haliti këndonte për pranverën: ” sythi shkrin dëborën në zjarrin e lules… Poezia e Faslliut të bënte për vete me mesazhet që jepte: “Njerëz” Ruani njerëzit nga njerëzit! Apo dhe më bukur: ” Turmat i ngrenë/ populli ngrihet vet!. Epo daullet bien për ata që kanë veshë dhe jo për ata që veshët i kanë zënë me dyllë. Kjo lloj poezie me kaq mesazhe, pak e nga pak, sikur po merte domenin edhe në letërsinë tonë. P.sh. Petraq Risto “hipën në një karuselë, që për bosht ka një ylber”. Fatmir Teziu “ëndrrat i qep në çarçaf” apo”ishte koha që kafenë për qokë e pinte Atdheu”.
Në një përmbledhje, me pak fjalë, kjo lloj poezie po lëvrohet çdo ditë e më shumë në mbarë letërsinë shqiptare.

* * *
Çdo njeri që njeh sadopak letërsinë apo historinë e letërsisë shqiptare, është i ndërgjegjshëm që letërsia me vargje të lira apo të bardha, pothuajëse, tërësisht është lëvruar në Kosovë. Në Kosovë ka një aradhë poetësh që shkruajnë një letërsi të tillë ku mesazhet, shpesh, fshihen mes kodeve të autorëve që i krijonin këto poezi. Që shkruanin një poezi të tillë, kuptohet që ishin të shtrënguar nga kondicioni historiik i kohës. Natyrisht, nuk është objekt i kësaj esseje vështrimi dhe analiza e një poezie të tillë, por kjo “esse” modeste ime është për të sjellë para jush një Poet që ka bërë emër me poezi të tillla cilësore. Cilësore nga ana artistike dhe, ca më shumë, me mesazhet që përcjell për lexuesit. E kam fjalën për Poetin Adem Zaplluzha! Nuk pretendoj se e njoh mirëfilli poezinë e tij. Por, në iu futa kësaj pune, e bëra veç nga një befasim. U futa në “Google” dhe, kur lexova, se ç’ka bërë ai gjatë gjithë jetës, jo vetëm që u inspirova, por ndjeva që t’më skuqeshin faqet prej turpit. Pashë që, Adem Zaplluzha, qenka sa unë: 71-vjeç! 71-vjeç dhe ka botuar deri tani 110 ( po e shkruaj me shkrim:njëqind e dhjetë) libra. Më gjeni gjëkund të gjashmin?! Me aq sa kam lexuar dhe di unë: një bum të tillë ka patur Lope de Vega në Spanjë! Që të bindeni se shifra që çitoj nuk është shpikja ime, sa për një “mbrojtje të vogël nga ç’shkruaj”, po ju citoj atë që ka shkruar, Profesor Murat Gecaj: “… Adem Zaplluzha më dhuroi 37 (tridhjetë e shtatë libra!!!). Këto shifra janë shumë kokëforte: janë si një fshat që duket,që nuk don kallauz. Ka dhe diçka tjetër: libri që ka botuar, së fundi, “Nëpër gjymtyrët e mjegullave” është shkruar brënda muajit mars- prill 2014.
* * *
“Nëpër gjymtyrët e mjegullave” është një libër me gati 90 poezi. Të gjitha shkruar me një gjuhë artistike që ta mbushë trupin me morrnica. Figurat artistike (dominojnë metaforat deri hiperbolike) mënd hedhin valle. Ato jo vetëm dominojnë gjithë poezitë por të përdorur me dorë mjeshtri (Poeti ka një poezi të kultivuar që zor se tretet nga çdo stomak lexuesish) dhe ajo që duhet theksuar është fakti shumë domethënës: asnjeherë, në asnjë prej poezive, Poeti nuk harron të jap mesazhin. Nuk shkruan “mbill e mos korr”, por me një qëllim të caktuar. Unë, për fat të keq, nuk e kam librin e tij, por s’kam si mos ndalem në vargje” …babai im urrente njerëzit që binin në dy gjunjë/… dhe vdiq “vertikalisht”./ ose, kur flet për masakrat në Kosovë” 7 vetë varrosen në një metër katror” Dhe mund të vazhdoj e mund të vzahdoj me citime pa fund. Unë ju siguroj vetëm për një gjë: në do kini fat e ta lexoni librin e fundit të Poetit Adem Zaplluzha, kini për t’u bindur se keni njohur me një Poet që, në se nuk e ka marrë deri tani dafinën e lavdisë , kjo ka ndodhur se ende kritika letrare po bën gjumin e saj letargjik. Kritika, në një farë mënyre, për mua është si ai farmacisti i mirë,që korregjon doktorin në lëshimin e një recete. Pse fle gjumë kritika, ka dhe inflacion vlerash. Ka ardhur koha që një Poet si Adem Zaplluzha të renditet në Fronin e bukur të Poetëve cilësorë të Shqipes. Jo se ka shkruar kaq shumë, por se ka shkruar dhe shkruan aq bukur. Se poezia e tij ka art. Se poezia e tij ka mesazhe. Se poezia e tij është cilësore.
Hierarkia e vlerave ka nevojë për t’u riparë. Të marrë Cezari atë që i takon. E quaj të vonuar, shumë të vonuar që të lihet në “hije” (vetëm me një çmim karriere e një përkthim në rumanishte) një poet i tillë. Ai e ka bërë dhe vazhdon ta bëj aq bukur punën e tij krijuese dhe ka përse ta mbaj kokën lart. Unë ( s’jam vetëm unë) pres që Poeti Adem Zaplluzha të marrë atë që meriton.

Trianë, 6 maj 214

Filed Under: ESSE Tagged With: "gjymytyrë" për mjegullat, perparim Hysi, Poeti që bën

“Vetëtimat” që lëshon Xhevua…

April 25, 2014 by dgreca

Libri me poezi “Vetëtimë” i Xhevahir Spahiut/
(esse)/
Nga Përparim Hysi/Nuk ka përkim më të bukur: si emri ashtu dhe vepra. E kam fjalën për Poetin e bukur Xhevahir Spahiu. Poezia e tij është e tillë që jo vetëm e rreshton autorin në shkallë të epërme të Poezisë Shqipe ,por dhe më tej si një poet që pëlqehet në të gjitha ato gjuhë ku është përkthyer.
Unë e kam dashur poezinë e Xhevos që nga fillimet e tij dhe, kur u vu në kryq nga vet Enver Hoxha, jo vetëm më erdhi keq, por u ula dhe shkrova duke e marrë në mbrojtje poetin, Xhevahir Spahiu. Shkrova… po nga e thëna në të bërë, shkon e vjen një det i tërë. Shkrova dhe, sado kjo qe vetëm protestë imja vetiake, autocensura e frikës më ktheu nga rruga, pasi i kisha bërë nja dy km për në shkollë. Se nuk ishte shaka e vogël për atë kohë. Se qeveria,- thotë Xha Myrtja, një personazh i tregimit tim,- as turp dhe as frikë nuk të ka. Enver Hoxha e akuzonte Xhevon se po shkonte në gjurmët e Zhan Pol Sartrit me atë poezi ekzistencialiste dhe kaq mjaftonte që ta përzinin nga gazeta ku punonte. Se pas Enver Hoxhës ia hoqi korën e plagës edhe Mehmet Shehu, atëkohë kryeminisër i Shqipërisë. Kështu që, për të qenë idrejtpërdrejtë me lexuesit, u ktheva dhe grisa ç’kisha shkruar. Nuk qeshë aq trim dhe nuk mund të rrah gjoksin. Këtë lloj “grisjeje” e kam bërë dhe për një shkrim, të aty të përatyshëm, për artistin e madh, Kujtim Spahivogli, kur e ndesha tek vuante “golgotën” e gulagëve të kohës. Sado që në vitet e demokracisë, ju ktheva asaj rrëfenjës për Kujtim Spahivoglin me titullin e atëhershëm “Hamleti në Mbrostar-Ura”, po jam i ndërgjegjshëm, se shkrimi i dytë nuk kish atë”vlagën” e atëhershme. Unë jam fshatar dhe e di mirë: përsheshi i parë nuk është si i dyti. Nga ana tjetër, kur merr të rishkruash diçka që ke shkruar dikur, të jesh i sigurt: diçka ka “rrjedhur” në vrimat e shoshës së kujtesës. Artilierët janë më të saktë se krijuesit. Ata porosisin:- Kurrë një predhë artilerie nuk bie në gropën ku ra njëherë. Dhe për të marrë “dekoratën e vërtetë të trimërisë sime” ja tek pohoj: jo vetëm kam djegur letra dhe krijime, por kam djegur dhe libra. Nga letrat që grisa kam ndjerë dhimbje të veçantë për letërkëbmimin që kam patur me poetin Genc Leka. Më kujtohet mirë që ka ndodhur pas atij botimi të poezisë së bukur të tij “Nxënësve të mi”, botuar,veç tjerash, dhe tek gazeta “Mësuesi”.
E sa për Xhevon – se ky është objekti i shkrimit tim- e kam “qarë” tri herë. Së pari, për “prerjen e veshit” nga Enver Hoxha e kryeministri që, mandej, vazhdoi deri tek kryetari i frontit të lagjes siç tregon poeti. Qe kohë e vështirë që një poet trim si Xhevoja diti t’i bëjë ballë.

* * *
Së dyti, kam qarë (tani dhe unë isha bërë trim,se kish ardhur demokracia) në vitin e mbrapshtë 1997. Qe koha e revoltave dhe ndërsa Vlora po digjte barotin e revoltave kundër qeverisë (epo kush tjetër dinte ta digjte barotin më mirë se sa Vlora?), poeti Xhevahir Spahiu nuk mund të fuste kokën në rërë si struci,siç bënë plot shkarrashkrues, “se ç’po ndodhte atje, nuk kish të bënte me ta”, por shkoi atje dhe “kapuçinët e zinj” desh i morën jetën. Poetin e bukur e shpëtoi Vlora. Unë atëherë shkrova poezinë kushtuar poetit me titull: “Xhevahir Spahiu”. Tani kisha dalë nga “vrima e frikës” dhe jo vetëm e shkrova, por dhe e botova në gazetën e asaj kohe dhe e përfshiva në librin tim me poezi ” Rektimat e dashurisë”. Poezinë po e sjell për lexuesit se, dhe në nuk ka vlera letrare, por e jep si në pëllëmbë të dorës rrezikun real të jetës së autorit.

Xhevahir Spahiut
XHevahir Spahiu! Xhevahir Skrapari!
Në një anë Poeti, në tjetrën:luftëtari!
Në një anë Poeti,në tjetrën Njeriu
Me gërmë të madhe: XHEVAHIR SPAHIU!

I përbuzje dredhat, mbroje veç të drejtën
Në rrugën e sheshtë,kërkoje përpjetën
Ndaj u “rrebelove”,shkove në Vlorë
Nuk të trëmbi ndjekja s’pyete për terror.

Kupol e Mesjetës dërgoi kapuçinjtë
Të rrahën me grushte, varda ranë shkopinjtë
Të goditën, Xhevo,me grushta barbarisht
Ty që ishe ëngjëll; qe Budë apo Krisht!

Krisht për fjalë të lirë,pa shtypje e dhunë
Që të rrojmë të lirë,si ti edhe unë
Farën e urrjetjes mbolle për pushtetin
Dhe e le rehatin,se zgjodhe Poetin!

Pa gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke

pranverë 1997.

* * *
Në vitin 2000 kur mora rrugën për tek im bir, në Amerikë, një valixhe tepër të madhe me mbi 250 libra (atëherë s’kish kufizim për bagazh) kisha dhe dy libra të Xhevos “Kohë e krisur” dhe “Nesër jam aty”. Kjo e dyta ( e sillja dhe e risillja sa herë nëpër duar) sikur më bënte apel për t’u nisur dhe për të qenë aty: aty, në mëmëdhe. Mjerisht këtij apeli iu përgjigja pas 12-vjetësh, ama iu përgjigja me mëndje të kthiellët. Vërtet që jetova larg SHqipërisë për afro 12-vjet, po asnjë ditë nuk kam qenë larg saj. Interneti – shpikja më e bukur në botë,- ta jepë Atdheun me vete. Dhe unë “me vete” e pata. Pse e kisha me vete “Atdheun”, e ndiqja në gjithë dinamikën e vet dhe, ja tek marrë vesh një lajm që më sëmboi keqas. Erdhi ministrja e kulturës dhe tek gjen kshilltar të kësaj ministrie, Xhevon, e pushon. Ou!- vura alarmin unë. Po nuk qeshë i vetmi. Nga Kanadaja shpërthente një poet e prozator me vlerë si Faruk Myrto dhe thotë pak a shumë: ministrja të shkojë kshilltare dhe Xhevoja-ministër. Dhe kish të drejtë. Unë gati shkrimin në mbështetje të Xhevos, por ma dogji shkrimin Xhevoja që tha tek e intervistonin: – Po vure kuzhiniere bythën, prit që t’i hashë mutin !!! E,sa para do bënte një shkrim imi? Ikën socialistët dhe sa m’u bë qejfi: sado që pushtetin e kish marrë e djathta, Xhevahirin e zgjodhën Akademik. E meritonte dhe u mbusha me frymë, se jam një nga ata mijëra që e duan Xhevon. Por nuk shkoi shumë dhe ja lajmi tronditës: Xhevoja goditet nga një ishemi cerebrale. Ka ndodhur në prill të vitit 2009 dhe unë e “qava” prapë Xhevon me një poezi”Lutje Zotit”. Poezinë e kam shkruar më 27 prill të vitit 2009 dhe e kam përfshirë atë në librin tim “Njerëz që dua”. Për të mos i mërzitur lexuesit, nuk po e risjellë edhe këtë poezi këtu, por, në vija të trasha, i lutesha Zotit që ta kthente Poetin e bukur në jetë. T’i kthente fjalën,se fjala është “oksigjeni” për çdo poet apo krijues dhe, fjalën le “t’ua heqë politikanëve që e thinjën këtë popull”.
Pas të vrëjturit, dihet që kthiellet. Zoti, siç duket, më dëgjoi mua dhe mijëra dashamirës të Xhevos që ta kthejë Xhevon në jetë dhe gëzimi im është më buçitës për t’ju thënë: çdo ditë në ora 11.00 Xhevon e gjeni tek kafe “Evropa” ku ka 23 vjet pa e ndrruar vëndin. Unë, pothuaj, një herë në muaj pi kafe me të.

* * *
Xhevahir Spahiu jo vetëm ka poezi me vlerë, por është dhe prodhimtar. Shumë poezi të tij, për arsye subjektive dhe objektive, kanë mbetur sirtarëve. Se Xhevoja vërtet e ka kapërcyer atë “atak” kundër shëndetit, por ende nuk ka arritur riaftësimin për të shkruar siç shkruante. Lexoj,- më pohoi,- por ende nuk shkruaj. Vërtet që ky është një “handikap” i përkohshëm që Xhevoja do ta kapërcejë, po pikërisht, në këtë kohë relativisht të vështirë, tak dhe del një dorë kujdestare: dora aq e ngrohtë e një poeti të bukur që quhet Arian Leka. Arian Leka duke nxjerrë në dritë lbrin me poezi të Xhevos “Vetëtimë” sjell një prurje “vetëtimë”, veç është një vetëtimë e bukur. Arian Leka për Xhevon ka bërë atë që dikur ka bërë Mitrush Kuteli që solli “Lasgush Poradecin” apo ca më vonë edhe “Ligjëron Fan Noli”. Po në fund të fundit, kush më bukur se Arian Leka do redaktonte dhe do bëhej alter egua i Xhevahir Spahiut? E dëgjova Arian Lekën tek fliste për Xhevahirin me superlativa. Shkëmbej edhe ndonjë kafe me çiftin Leka aty pas klinikës 9 të Tiranës dhe, tek po e falnderoja për atë që kish bërë për Xhevon, ai më sfidoi duke më dhënë librin “Vetëtimë”. Natyrisht, gëzimi im qe i madh.
Duke lexuar, më dukej sikur dhe Xhevon e kisha përballë dhe gëzimi mbrrinte në apogjenë e tij.
* * *
Arian Leka librin e ka titulluar “Vetëtimë”, kurse unë duke ia marrë “tapitë nga dora”, them: “Vetëtimat ” e Xhevos. Ka poezi sa të shkrutëra,aq dhe të bukura. Ngjajnë me shkrepjen e një vetëtime, por që lënë gjurmë. Natyrisht, që unë nuk do merrem me gjithë poezitë e vëllimit, por për disa që më kanë lënë mbresa të veçanta, edhe do ndaloj. Të shumtat nuk kanë titull, por Poeti (po këtu qëndron dhe madhështia e tij) grish lexuesin për ta bërë pjesëmarrës aktiv të krijimit të tij. Më ndiqni:
Natë pa yll
Humbellë pa skaj
Zot, si rri fill?
Qaj…
A ka se si flitet më shkurt? A ka se si mund të grishet më bukur lexuesi?
Ose…
A ka gjëkundi ndonjë shitore
A ndonjë tezgë kot më kot
të ble me ca qindarka qorre
jo bukë, po pak durim, o Zot?
Shkurt, po rreh gjatë. Mesazhi i madh. I lexueshëm. Të blesh durim? Po pse me të vërtetë durim?
Ja dhe një “vetëtimë” tjetër:
Edhe… Edhe…
Kur më shumë besoja e më pak dyshoja,- e p ë s o j a;
Kur më pak besoja e më shumë dyshoja,- përsëri e pësoja.

Shumë mbresëlënëse janë dy poezitë e poetit kur qan për ndarjen me prindërit. Babanë e ka përejtsuar me poezinë “Loti”.
Një fjalë.
Vetëm një:
-A erdhi?

Dhe koka iu var..

Fjeti përgjithmonë
babai.
Në cep të syrit
Një pikë loti
Dhëmbje pa gjumë.

Loti i tij i fundit
isha unë.
S’ka poezi më prekëse. Dhe në vargje ka një detmalli në raport të barabartë: prind e bir. Për t’u vënë në kornizë apo si një leksion psikologjie për adoleshentët në ciklin “Etër e bij”. Amplituda e mallit bymehet e zgjerohet kur këndon për nënën: “Dy fjalë, një dhimbje/ nëna ime!… deri “… fjalët më dalin si një psherëtimë/nëna ime!, poeti sikur e ka shtrydhur mallin që del nga shpirti. Psherëtimat rrënjët i kanë në thellësi të shpirtit.
Dhe mund të vazhdoja me “Hajket” e tij aq të bukur, (nuk dallohen nga ato japoneze) dhe ca më shumë me “shkurtinat” që flasin aq bukur dhe aq “gjatë”.
Por jo të gjitha mund të përfshihe në një shkrim.

* * *
Xhevahir Spahiu është Akademik. Është Mjeshtër i madh. Është “Nderi i Skraparit”, por, mbi të gjitha, ky Poet i bukur është nga më njerëzorët. Në një intervistë e pyetën Xhevon:- Si është e mundur që të duan kaq njerëzit? Dhe ai u përgjigj:- Mos vallë ndodh që unë i dua shumë njerëzit?
Dhe unë, tek e mbyll, uroj që Xhevoja sa më parë të kthehet në “Botën e Poezisë” për të lëshuar të tjera vetëtima!

Tiranë, 25 prill 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: "Vetëtimat" që lëshon Xhevua..., perparim Hysi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT