• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dera e mbyllur e BE nuk hapet me përralla nga lashtësia

May 15, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja-New York/
Ishte emri i Edi Ramës nën titullin “Dora e Evropës, dora e zemrës” arsyeja e vetme që më nxiti kërshërinë për të lexuar përmbajtjen e asaj që ishte botuar nën titullin e mësipërm. Kjo pasi në aspektin letrar ato që shkruan apo thotë kryeministri i Shqipërisë më japin një kënaqësi të vecantë. Gjithcka e shoqëruar me figura letrare të gjetura, me fraza të bukura e intriguese, produkt i fantazisë dhe imagjinatës së një artisti. Rama, në mënyrë të padiskutueshme është i paarritshëm nga politikanët e tjerë shqiptarë, kur vjen puna për të ambalazhuar produktin e tij politik kur e paraqet në publik, madje dhe artistikisht, mund ta radhis ndër autorët më të pëlqyer të letërsisë së sotme shqiptare. Nuk u zhgënjeva; edhe pse nuk ishte një shkrim i mirëfilltë por që të përdishmet, e kishin botuar si të ishte shkruar enkas për to, edhe pse në të vërtetë ishtë vëtëm një fjalim përshëndetës në një ceremoni të organizuar me rastin e “Ditës së Evropës” mund të them se nuk i linte gjë mangut një ese-je. Natyrisht edhe tek të pranishmit, e kam fjalën kryesisht për ata të huaj, ndërsa dëgjonin Ramën atje, në Butrintin antik, nuk ka si të mos i kenë rritur kuotat e vlerësimnit për Ramën, si publicist apo si mjeshtër i fjalës. Nga ana tjetër duke gjykuar nga përmbajtja e atyre që u tha Rama të ftuarve, por edhe nga rrethana të tjera duke filluar nga ato që mund të cilësohen si butaforike, fut këtu dhe vetë përzgjedhjen e Butrintit si vend për zhvillimin e kremtimit të ditës së Evropës, të cojnë në përfundimin se kryeministri i Shqipërisë kishte planifikuar ta shfrytëzonte “Ditën e Evropës” për t’i u ankuar evropianëve të akredituar në Shqipëri për moshapjen e dyerve të BE. Kjo dukej qartë në atë pjesë të fjalimit të Ramës ku i mëshohëej asaj që në lashtësi, territori i Shqipërisë së sotme, kishte pasë qenë teatër ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme për kontinentin. Rama, si një mjeshtër i publicitetit, për ta bërë më të efektshme ankesën e tij për lëninen jashtë Evropës të popullit shqiptar, kishte përzgjedhur atmosferën dhe mjedisin antik të Butrintit si skenë ku përfaqsuesit e vendeve të BE të dëgjonin recitimin e esesë ankesë të tij. Mirëpo, dyert e Evropës nuk hapen me fakte historike apo faktorë të tjerë që mund të lidhen me historinë e këtij apo atij vendi dhe Edi Rama besoj se e di shume mirë një gjë të tillë. Me shoë-n e tij në Butrint, ai mund të ketë rritur kuotat për veten e tij tek të huajt, por ndikimi që këta të venë “dorën në zemër” për t’i hapur derën Shqipërisë pa dyshim ka qenë zero. Nuk dihet ndonjë rast që ndonjë vend të jetë pranuar në BE falë historisë së tij të lashtë apo të “lavdishme”. Duke i u kthyer paksa historisë Shuman, Adenauer e De Gasperi që vunë themelet e Bashkimit Evropian fillimisht e nisën si një organizatë me karakter ekonomik. Jo më kot emërtimi fillestar ishte “Tregu i Përbashkët Evropian”ndonëse anëtarë të tij ishin vetëm gjashtë vende; Gjermania Perëndimore, Franca Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Italia, në kohën që më shumë vende ishin grupuar në atë që quhej “Zona e Tregtisë së Lirë”. Shumë vonë, vetëm pas rritjes së numrit të antarëve, krahas institucioneve të tjerë me karakter kontinental si “parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Tregu i Përbashkët Evropian do të kthehej në “Bashkim Evropian” duke u shndërruar në një organizëm politiko-ekonomik. Megjithatë , orientimi i aktivitetit tëi tij do të diktohej më së pari nga interesat ekonomike. Edhe kur filloi zgjerimi me shtete nga Evropa Lindore pas rënies së komunizmit vendet e para ishin Cekia, Polonia e Hungaria, të cilat kishin një ekonomi shumë më funksionale e të rregullt se Rumania apo Bullgaria. Si pasojë e krizës ekonomike që filloi nga fundi i dekadës së kaluar kërkesat me karakter ekonomik ndaj vëndeve që kërkojnë të bëhen pjesë e BE, janë forcuar së tepërmi, gjë që e bën edhe më të largët shpresën e këtyre të fundit. Vendet e BE tashmë, pas rastit të Greqisë, tregohen skrupulozë për të mos paguar faturat e Greqive të tjera që kërkojnë të hyjnë në familjen e tyre. Tani, duke u kthyer tek Shqipëria, politikanët shqiptarë vazhdimisht i mëshojnë faktit që “Shqipëria është pjesë e Evropës”, madje “kërthiza e Evropës” dhe jo periferia, sic u shpreh Rama në fjalimin e Butrintit. Por, duhet të kihet parasysh se nuk bëhet fjalë në aspektin gjeografik, por flitet për mënyrën si funksionon shteti, jetën politike, ekonominë etj, dhe këtu, shoqëria shqiptare është shumë më pranë vendeve të Azisë Qëndrore apo Afrikës së Veriut. Tashmë është bërë e qartë se celësi që mund të hapë derën e BE është i lidhur kryekëput me faktorë ekonomikë. Kjo duket dhe nga kushtet e vendosura për Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit, pavarësia dhe reforma në sistemin e drejtësisë, janë të lidhura ngushtë ekonominë. Kjo për faktin se si korrupsioni ashtu dhe një drejtësi jo funksionale shkatërrojnë rregullat e lojës në bazë të të cilave vepron tregu i lirë duke cënuar në radhë të parë konkurencën. Duke pasur parasysh realitetin shqiptar, jo Rama, por kushdo qoftë në pushtet e ka të vështirë t’u flasë të huajve për parametra, shifra, trende zhvillimi etj. Për më tepër, kur Brukseli e njeh gjendjen e Shqipërisë ndoshta më mirë se vetë politikanët shqiptarë. Ekonomia informale, papunësia , korrupsioni e krimi I organizuar që si emërues të përbashkët kanë rikthimin në përmasa të frikshme të synimit të shqiptarëve për të ikur në vende të tjera, janë në nivele të tilla, sa edhe të paktën pas një dekade tjetër Shqipëria besoj se do të jetë akoma duke trokitur në dyert e BE. Njësoj, edhe përpjekjet e autoriteteve për të penguar largimin e qytetarëve, tregojnë se qeveria e ndërgjegjshme senuk është në gjendje t’u sigurojë atyre një minimum jetese normale duke u ngjallur shpresën për një të ardhme më të mirë e gjen të udhës t’ u nxjerrë pengesa artificiale në pikat e kalimit kufitar apo duke u kërkuar vendeve të BE “të shkurtojnë procedurat” për të kthyer sa më shpejt azilkërkuesit shqiptarë. Vetëm, pasi të jetë ndalur në mënyrë të natyrshme ky eksod ekonomik zyrtarët shqiptarë mund të kenë të drejtën për t’u kërkuar evropianëve hapjën e dyerve të BE. Athere, edhe për Edi Ramën nuk do të lindë nevoja t’u lexojë të huajve esse a hartime që lidhen me lashtësinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dera e mbyllur e BE nuk hapet me, Gavrosh Levonja, nga lashtesia, Perralla

Përralla për Nënën Terezë dhe Kodrën e Trimave

February 11, 2014 by dgreca

Asnjëherë nuk kemi qenë më larg Evropës Perëndimore se sa pas vitit 1999, përderisa asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme Evropa Perëndimore e ShBA-ja në Kosovë se sa pas çlirimit. /

Nga Gani MEHMETAJ/

Të rinjtë e Kodrës së Trimave e të periferisë së qyteteve të mëdha para luftës pikonin shqiptarizëm. Ata e mbajtën mbi supe rezistencën kundër dhunës serbe. Mësimi në shkollat e mesme e në Universitetin paralel u mbajt në periferi të qytetit, në shtëpitë e prindërve të këtyre të rinjve. Mjekimi i njerëzve u bë po ashtu në këto rrugica të varfra. Jeta në periferi mori dimension të ri, të paparë deri më atëherë. Periferia u bë bastioni i shqiptarizmit e atdhedashurisë. Shoqata Bamirëse “Nëna Terezë’ hapi degët në çdo qendër banimi, në çdo lagje e katund për të ndihmuar. Dhjetë vjet të okupimit total i përballuam të gjitha furtunat; dhjetë vjet të dhunës së paparë kundër nesh, nuk patëm nevojë t’ia shtrijmë dorën askujt; dhjetë vjet asnjë fondacion me burim të dyshimtë apo më para të pista, nuk shkeli në periferi as në qendrat e banimit. Ishim solidarë në mes veti më shumë se kurrë më parë, ishim pranë njëri-tjetrit si asnjëherë tjetër.  Emri i Nënës Terezë nuk përmendej vetëm sepse ishte shqiptarja më e famshme në rruzullin tokësore, por sepse shoqatat humanitare me emrin e saj e mbuluan Kosovën, duke e mbajtur gjallë popullatën. Mijëra jetë u shpëtuan, mijëra familje u gëzuan. Gati s‘kishte shqiptar i Kosovës që nuk u ushqye me ndihmat e shoqatës “Nëna Terezë”, s’kishte shqiptar që nuk e ndjente vetën mirë edhe kur nuk ua kishte nevojën ndihmave, sepse e dinte që familja e tij, pavarësisht çka do t’i ndodhte, nuk do të vuante urie e skamje. Asnjëherë nuk u kushtëzua askush gjatë shpërndarjes së ndihmave, nuk ia thanë ndonjë fjalë që do të ishte kundër bindjeve të tyre politike, nuk u dallua në baza fetare apo në çfarëdo baze tjetër. Për veprimtarët e shoqatës ata kishin nevojë për vaj, qumësht, miell, kishin nevojë për veshmbathje. Shoqata të tjera nuk pati, as nuk ua kishim nevojën.

Në Kodrën e Trimave askënd nuk e adhuronin më shumë se sa nobelistën  shqiptare. S’kishte familje që nuk e kishte portretin e saj të varur në mur. Për të flitej nëpër familje, në rrugë, nëpër shkolla, i këndoheshin këngë, fëmijët i shkruanin vargje, poetët e shquar i thurnin himne. Shumica e të rinjve të sotëm janë rritur me qumështin e Shoqatës “Nëna Terezë”. Baballarët tanë e mbajtën shpirtin nga ky burim jetese.

Shoqata “Nena Terezë” funksionoi edhe disa vjet pas luftës, pati edhe Klinikën më të madhe private në Kosovë në Kodrën e Trimave, ku kujdeset bëheshin falas jo vetëm për dyzetë mijë banorët e kësaj lagje të varfër, por edhe për banorët e lagjeve të varfra të qytetit. Fatkeqësisht rrëfimi këputet këtu. Askush s’mund të jep përgjigje: ç’u bë me shoqatën më të madhe humanitare në vend? Pse shtërzuan burimet? Ku shkuan njerëzit e vullnetit të mirë? Askush nuk e dha asnjë sqarim: ku treti Shoqata “Nëna Terezë”? Pse i braktisen lagjet më të varfra të Kosovës? U bë kjo me ndonjë marrëveshje, ishte konspiracion apo ata që e udhëhiqnin e vlerësuan gabimisht situatën? Gabimin nuk do t’ua fal historia. Banorët e Kodrës së Trimave, lagjes më të madhe e më të varfër në Kosovë, kishin nevojë për ndihma, kishin nevojë edhe qindra lagje të tjera, por ndihmat ua dhanë të tjerët me bisht prapa…

Kodra e Trimave-bastion i varfërisë

Lagjet e varfra i braktisi edhe shteti. Nga to hoqën dorë partitë politike, ose manipuluan frikshëm me të varfrit. Liderucët dukeshin nëpër rrugicat e përbaltura vetëm kur ua kishin nevojën për vota. Banorët e skamjes dale ngadalë u zhytën në errësirë, u bënë bastion të primitivizmit e hajdutërisë, çerdhe të prostitucionit e të krimit. Brezat e rinj u dëshpëruan, ia mbathën në Perëndim, apo ranë në misticizëm për të ikur nga realiteti. Nga energjia e dikurshme mbeti pak gjë,  shqiptarizmi nisi të zvetënohen. Nga “Xhamadani vija, vija” dikur, më shumë u shkonte ta këndonin pesë herë në ditë: “Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi” të Migjenit, sepse mjerimi në Kodrën e Trimave dhe në lagjet e varfra të Kosovës vetëm sa po thellohej, kurse luksi i pafre dhe pasurimi i paskajshëm i pushtetarëve po shtohet. Për këtë mjerim nuk kanë faj shoqatat islamike nga Irani e Turqia, nga Arabia Saudite e Egjipti, mjerimi nuk e sollën ato, por shoqatat fetare po e keqpërdorin deri në paskajë mjerimin e shqiptarëve. Ato familje që s’arritën të ikin në Perëndim ilegalisht, ose duhet të qëndrojnë dinjitoz e të mos blihen me hurma e paga mujore, ose ta përballojnë varfërinë

Kodra e Trimave është bërë bastion i mjerimit e jo i një partie apo tjetre. Gënjejnë ata që thonë ndryshe, ose që përfitojnë nga mjerimi i tyre

Kur grupet fetare dalin nga kornizat kombëtare

Këtë zbrasti nisën ta plotësojnë shoqatat arabe, turke e iraniane, të cilat nuk bëzan në kohë okupimi, ndërsa në kohë paqe nuk treguan frymë solidariteti, po kushtëzim, nuk shquheshin për tolerancë, por për përjashtim. Kusht i hurmave e ndonjë litër vaji ishte të mësuarit e ndonjë lutje arabisht, kusht i ndihmave më të mëdha u bë futja në tarikatin e “bamirësve”. Arabët që i shpërndanin këto ndihma, shkruanin gazetat tona atëbotë, i kushtëzonin vejushat fatkeqe, duke prekur në nderin e shqiptares.

Kështu kur ne e braktisëm krejtësisht periferinë e vendbanimet tjera të varfra, sikur të mos ekzistonin, konfiguracioni ndryshoi dukshëm. Edhe struktura e popullatës pësoi tronditje: moda puro evropiane u larua me të rinj me mjekra, gra me shami të zeza, të murrme apo lara-lara, varësisht a i financonin shoqatat iraniane, saudite, apo turke. Secila shoqatë e kishte modën e vet të veshjes, natyrisht edhe kushtet që ua diktonte hallexhinjve. Fatkeqit u nënshtroheshin kushteve.

Duke i lënë të varfrit në mëshirën e shoqatave islamike me rivalitet të përgjakshëm në mes veti në Lindjen e Mesme, ne po i humbim burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, të cilët po bien në kthetrat e sekteve të frikshme, ndërsa nesër mund t’i ndërsejnë kundër nesh.

Pushtetarët e të gjitha ngjyrave politike deshën t’i heqin qafe shtresat e varfra, t’i shmangin trazirat sociale, të mos kërkojnë hallexhinjtë punë as bukë para zyrave të tyre, prandaj i mbyllën sytë para shëmtive. Trazirat sociale mbase po i shtyjnë për ndonjë ditë, por problemet mund të shpërthejnë më të mëdha. Një ditë kjo papërgjegjësi do t’u hakmerret të gjithëve, sepse energjia e ndrydhur dhe pakënaqësia është e madhe. As klerikët gjysmanalfabet me një shqipe të zvetënuar s’mund t’ua fashisin deri në pakufi zemërimin besimtarëve, që ua kanë dhënë për detyrë pushtetarët.

Ata që dikur pikonin shqiptarizëm më shumë se të gjitha shtresat tjera sociale, ata që do të binin në flakë për atdheun e Nënën Terezë, nisën të krijojnë idhuj tjerë, të përbuzin kombin, të na ndajnë në fe e në krahina, në sekte e tarikate. Një transformim të këtillë, s’ka bir nëne që e shpjegon, edhe më pak mund ta arsyetoj. Këta të rinj pa busull e të braktisur nga shoqëria, nisën ta përbuzin kombin e tyre, të nënçmojnë gjuhën e tyre, të harrojnë përshëndetjet shqiptare për t’i zëvendësuar me ca murmurima arabe të dala kohe. Nga njerëz praktikë, të gatshëm të sakrifikojnë për komb e atdhe, u bën fanatik fetar të gatshëm të sakrifikojnë për gjëra që s’t’i kap mendja, duke krijuar armiq imagjinarë dhe duke i harruar armiqtë real.

Largësi feje a afri kombi?

Ndërsa dihet fare mirë se të gjithë këta djelmosha nga mosha 20-35 vjeçare që u rritën me qumështin e ‘Nënës Terezë’, sot jo vetëm e durojnë ndonjë hoxhë mjekër palarë t’ua fyej bamirësen e tyre, por ku e ku murmurisin nën mjekër edhe vet ndonjë blasfemi. Frymën që e bartën brenda disa vjetësh shoqatat “humanitare’ bëri që lagjet periferike të shndërrohen në çerdhe për regrutimin e njerëzve për lufta fetare apo që të bëhen mish për çorbën arabe. Një ditë fare lehtë shqiptarët mund të gdhijnë kombi më i urryer ndër arabët, sepse po u ndërhyjnë në luftërat e tyre të brendshme, po i vrasin në emër të fesë së tyre.

Lagjet të cilat frymonin shqip ditë e natë, tolerancë e mirëkuptim, sot janë bërë e kundërta, të duken lagje të rrëmujshme arabe a turke që s’frymojnë shqip, që s’dinë çka është respekti ndaj traditës, ndaj kombit e atdheut. Grupet e tilla edhe nëpër këto lagje janë më të pakët, janë më të rrëmujshëm, përpiqen t’i imponohen shumicës. Asnjëherë gjatë historisë nuk jemi shquar për fanatizëm fetar, asnjëherë nuk e kemi shikuar bashkëkombësin nga largësia e fesë, por nga afria e kombit. Po sot?

Sa afër e sa larg Evropës Perëndimore!

Asnjëherë nuk kemi qenë më larg Evropës Perëndimore se sa pas vitit 1999, përderisa asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme Evropa Perëndimore e ShBA-ja në Kosovë se sa pas çlirimit.  Këtë largësia e krijoi krimi i organizuar, korrupsioni e zhvatja. Por këtë largësia e krijuan edhe shoqatat “humanitare”, që rekrutojnë mish për top, ndërsa ne nuk i pengojmë. Këtë largësi po e thellojnë disa klerikë të cilët në vend t’u flasin për rrethin ku jetojnë, ata gjithë kohën u predikojnë besimtarëve për Sirinë e Afganistanin, duke i larguar nga problemet sociale e problemet e tjera në atdheun e tyre. Ata po i largojnë nga realiteti i hidhur, duke i mashtruar me ëndrrat për parajsën dhe 70 “hyriat e xhenetit” të cilat i presin ditën që do të sakrifikojnë në luftën e shenjtë! Të rinjtë e shkret s’kanë mundësi sociale ta mbajnë një grua, ndërsa ua përkëdhelin ëndrrën marroqe për 70 gra!

Derisa perëndimorët na ndihmuan pa kursim, na ndihmojnë edhe sot e kësaj dite më shumë se sa që bëjmë ne për vete, çuditërisht fryma e importuar nga kaosi arab, ka nis të depërtoj në Kuvend, (deputetët “tonë” votojnë kundër shtetit laik si të ishin deputetë të Homenit, ndërsa beduinët e Arabisë Saudite dolën më të qytetëruar se sa  grumbulli i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ).

Fryma shkretinore po përhapet edhe në disa qarqe kuazi intelektuale, nëpër disa gazeta, nëpër çajtore periferie, meqë para e madhe e shoqatave “bamirëse” është shpërndarë gjithandej.Fryma e mos durimit po depërton si murtaja nëpër qytete e katunde.

Por qytetet e katundet e pasura, nuk e kanë këtë frymë, as këto probleme. Jetojnë në paqe me vete e me të tjerët, janë në paqe edhe me punën dhe paratë e veta. Ata s’ua kanë nevojën të tjerëve.

***

Dr Ibrahim Rugova ishte i vetmi njeri, veç Papës, të cilit Shenjtëresha Shqiptare – Nëna Tereze – i ishte përkulur dhe ia kishte puthur dorën, dhe atë – publikisht, në praninë  , në në praninë e shumë liderëve të vendeve dhe të popujve të të gjitha kontinenteve.
Në të vërtetë, në shkurt të vitit 1997, në Lutjet Tradicionale të Mëngjesit, në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington, Nëna Tereze ishte përkulur para Presidentit Rugova, ia kishte marrë e ia kishte puthur dorën dhe pastaj i ishte drejtuar ish presidentit të SHBA-ve Bill Klintonit, duke i thënë: “Zotni President. Ky është presidenti im dhe i Kosovës – Ibrahim Rugova. Të lutem ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!”
Mbas përfundimit të luftës në Kosovë, Klinton kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënës Tereze, ndër të tjera i kishte thënë: “Nënë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lire dhe po ndërton demokracinë”.(Rugova press).

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Kodren e trimave, Gani mehmetaj, Ibrahim Rugova, per nene Terezen, Perralla

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT