Zoti Kryeministër, unë kam besuar se ti do të ishe njeriu i ndryshimit, por nuk e di pse po i largohem cdo ditë e më shumë dhimbshëm këtij mendimi./
Opinion nga Fatmir Lamaj/ Ish i Perndjekur Politik/
Ky popull i lodhur ka kohë që degjon përralla nga më të çuditshmet dhe më absurdet prej atyre që për 70 vjet e quajnë vetveten ‘’ baballarët e kombit ’’, por kurrë nuk kanë qënë të tillë vecse përfaqësues mjeran e hileqarë të atyre politikave që e katandisën këtë vënd në një oaz kaosi, krimi dhe çmëndurie pafund. Të premtosh si politikan, se për popullin tënd do të bësh atë e këtë është fare e natyrshme kur je larg pushtetit, por kur vin në pushtet mos të mbash as cerekun e premtimeve të bëra, do të thotë se qëllimi jot i vetëm ka qënë marrja e pushtetit dhe jo detyrimi moral e shpirtëror që të imponon votëbesimi i qytetarëve. Enver Hoxha me bandën e tij gjakatare u premtoi shqipëtarëve se do të hanin me lug floriri dhe qumshti do tu vinte në rubineta tek shtëpia, por më vonë kur mori pushtetin jo vetëm që ju mori shqipëtareve floririn e grumbulluar nga të parët e tyre dhe ata vetë si dhe iu rrembeu pronat e gjithcka kishin, por s’ju dha as lugë druri, si dhe i hoqi dhe dhinë e fundit fshatarit duke e lënë atë ti digjesh buza për një pikë dhallë. Ato tëmerre dhe krime që bëri regjimi i Enver Hoxhës, nuk i ka bërë asnjë pushtues që ka kaluar deri tani në Shqipëri, asnjë pushtues nuk i mori shqipëtarëve pronat, floririn, jeten e të tjera, asnjë pushtues nuk e ktheu Shqipërinë ne një vënd burg, asnjë pushtues as italianë dhe gjermanë nuk vranë më shumë shqipëtarë dhe nuk i burgosi ata si Enver Hoxha të cilët sot bijtë dhe nipërit e tij, në vënd që ta dënojnë atë dhe komunizmin si mallkimin më të madhë dhe gjëmën më të pashembullt, si periudhën më të zezë në historinë e këtij vëndi, mundohen në mënyrën më të turpshme ta rehabilitojnë figurën e tij të urryer. Ne sot ballafaqohemi me paradoksin e madh që deri në 79’ Kina na dërgonte dhe na ndihmonte kur nuk kishte për vete armë dhe ushqime, për t’u mbrojtur nga grekët e të tjerë, ndërsa sot kinezët të fuqizuar ekonomikisht, investojnë miliarda në Greqi, ndërsa në Shqipërinë motër nuk hedhin asnjë kacidhe dhe kjo jo për faj të tyre, por për fajë të paranojës e delireve të cmëndura të kryexhelatit Enver Hoxha. A sduhet të dënohet Enver Hoxha edhe sikur vetëm këtë njollë të zezë të kishte në biografinë e tija te nxirë nga bëmat e gjëmat si kryexhelati i këtij vëndi?! Rasti Shtraus si rast i humbur, por edhe si një rast unikal që nuk i vjen më Shqipërisë rëndon jo vetëm mbi Enver Hoxhën, se në atë kohë ai ishte gjysmë i vdekur, por dhe mbi të tjerët që dhe sot tundin paturpësisht flamurin e enverizmit. Për atë flamur është thyer cdo lloj shtize. Mbas 90’ filloi përralla e madhe e ‘’demokracise’’ që për më shumë do të shënohet në histori si periudha tragjiko-komike që shpërfytyroi totalisht qënien shqipëtare dhe e avancoi atë drejt kuotave të frikshme për tu qajtur më si i tillë. Demokracinë nuk mund ta bënin ata njerëz që ishin lidhur shpirtërisht, mëndërisht dhe ekonomikisht me diktaturën. Mentalitetet e këqija gjithmon e vrasin të mirën. Shoku Sali e vazhdoi përrallën e pseudodemokracisë me frenetizmin e vet diabolik duke shkaktuar akoma plagë të mëdha mbi trupin e drobitur të këtij populli aq të vuajtur. Enver Hoxha nuk e tjetërsoi pronën me përkatësië e saj tek individi, ai e shtetëzoi, saliu e masakroi. Ai ishte pronari absolut i këtij vëndi për mbi 40 vjet, por diktatorët kanë një kohë të kufizuar në pushtet, aq sa është jeta e tyre dhe pastaj i nënshtrohen kamzhikut të historisë dhe flakëve te Xhehenemit. Diktatorët e kamufluar mund të të bindin për castin se kanë të drejtë, por do të duhen shekuj për të rregulluar padrejtësitë që ata bëjnë. Ka cerek shekulli që shqipëtaret hanë mbeturinat e grekeve e të të tjerve, në vënd të prodhimeve të tyre të mrekullueshme, sepse ligji 7501 duke ndar tokën në gastra të vogla, ia heq mundësinë cdo individi për të investuar. Shtoji kësaj dhe pasigurinë për ta quajtur pronën e vet kur se ka të tijën e ktheu bujqësinë shqipëtare në gjëndjen e saj më të mjerueshme. Shqipëria sot harxhon cdo vit qindra miliona euro për importimet e fruta-perimeve dhe drithërave, të gjitha të një cilësie shumë të dobet dhe njëkohësisht mjaft të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Sali Berisha mbetet i vetmi politikan me përgjegjësi absolute, të jo vetëm miliarda eurove të cuara dëm për importimin e produktplehrave të Greqisë, Maqedonisë, Serbis dhe Rusis, por edhe për jetën e mijërave shqipëtarëve që i kanë vrarë e po i vrasin akoma produktet e pakontrolluara e jashtë standaritit qe kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë në Shqipëri. Gjithashtu dhe përgjegjësi kryesor për mijëra jetë që ka marrë dhe vazhdon të marrë cështja e pronve në Shqipëri. Sali Berisha si produkti më i neveritshëm i skenarit katolician i cili u zbatua në Shqipëri me tragjikisht se në cdo vënd tjetër të lindjes, në veri e suprimoi 7501, duke inkajuar emisarët e tij veriorët që t’i linin bjeshkët e t’ju turreshin fushave të Shqipërisë së mesme e të jugut, ku 7501 u bë i zbatueshëm nëpërmjet disa politikanëve pervers që cdo ditë probagandonin që ky ligj ishte i përkohshëm. Veriorët janë bërë zotër tokash të Shqipërisë së mesmë dhe të jugut pasi kanë dhe tokat e tyre në veri.A nuk është kjo një padrjtësi që duhet ndrequr Zoti Kryeminister, apo përralla do të vazhdojë akoma? Ne, të burgosurit politik në masën mbi 90 % kemi qënë pronar të vegjël tokash, ndërsa sot jemi ish pronar. A nuk na takon dhe neve të kEmi një copë tokë prej baballarëve tanë? Mbi 50 % e tokës në Shqipëri ka qënë në pronësi shtetërore, duke llogaritur e mijera hektarë që u hapën si toka të reja. A nuk mund të merrte cështja e pronës një zgjidhje më të drejtë e më të pranueshme për të gjithë?!Apo nuk ka mundësi, sepse pushtetarëve të djeshëm e të pardjeshëm iu janë dhënë nga qindra hektar në bregdet me një qira simbolike apo qesharake prej 99 vjetësh?! … Kuptohet që iu është falur nga zemërgjerësia e pushteteve, apo dhurata partish për votat e rrëmbyera here pas here. Ju sot ju jepni pensione speciale ish sigurimsave dhe ish ushtarakeve, ndërsa të burgosurit politikë që ndërtuan gjithë Shqipërinë dhe vuajtën aq shumë në diktaturë, marrin pensione qesharake. Ish sigurimsat dhe ish ushtarakët ishin veglat qorre më të bindura të diktaturës dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qënë të inkriminuar deri në ditët e fundit të saj. Në një shoqëri ku xhelatët trajtohen më mirë se viktimat, demokracia është vetëm fasad që iu shërben neoxhelatëve për të mbajtur pushtetin e tyre. Na premtuat përshpejtimin e kësteve, por deri më tani ne të gjalliët, përveç atyre që kishin problem me dosjet vazhdoni na konsideroni si një relik e dhimbshme e së kaluarës, ndaj së cilës deklaroni ndonjëherë keqardhje dhe asgjë më shumë. Një gjerman erdhi ne shqipëri për një krim të kryer nga gjyshi apo babai i tij dhe kërkoi falje në Borovë. Kërkoi falje për një krim të kryer në kohë lufte, ndërsa kriminelët shqipëtare, na falni komunistë, akoma kapardisen rëndë-rëndë dhe ndihen krenar për krimet e tyre. Kërkimfalja është një akt moral i cili duhet të ndodhë vullnetarisht, por ndonjëherë dhe duke e imponuar përmes mekanizmave që ka shteti. Në shtator të 93’ në Shqipëri ndodhesh për vizitë kryetari i asamblesë së OSBE-së dhe kur pa së ç’kishtë ndodhur në këtë vënd deklaroi nëpërmjet intervistës së tij dhënë pranë TVSH së : ‘’ Pati një luftë të dytë botërore me kaq shumë viktima, por pati dhe një gjyq Nurenbergu që i nxori kriminelët në gjyq ’’. Ndërsa kriminelët shqiptarë vazhdojnë të qetë jetën e tyre duke shijuar pensionet e majmë dhe përkujdesjet e pamunguara, të dhëna këto qoftë nga pushteti ‘‘demokratik’’ i Sali Berishës, por edhe nga qeveritë e mëparshme socialiste. Të gjithë e meritojnë të jetojnë, por gjithëkush duhet të mbajë përgjegjesi për bëmat e kryera gjatë jetës së tij. Zoti Kryeministër, unë kam besuar se ti do të ishe njeriu i ndryshimit, por nuk e di pse po i largohem cdo ditë e më shumë dhimbshëm këtij mendimi. Iu jam drejtuar publikisht në shkrimet e mia për të hequr monumentin që ndodhet përball IIPP-së i cili nuk mund të përfaqësojë vujtjet, dhimbjen dhe sakrificat tona në periudhën e diktaturës, por është një simbol i urryer i shpërfytyrimit njerëzor. Problemet e vështira të një vëndi zgjidhen gjithmon me vendosmëri të madhe. Bëni atë që duhet bërë që përralla e pseudodemokracisë në Shqipëri të marri fund njëherë e përgjithmonë. John Kennedy, i ngritur mbi krahët e guximit deri në ato lartësi që rrallkush i arrin ka thenë: ‘’ Vetëm ata që guxojnë të humbasin shumë, fitojnë shumë’’.
POLITIKA SHQIPTARE KA QENË PËRRALLË…
NGA ZYBA HYSEN HYSA/
Ka kohë, që sipas analistëve të mirëfilltë dhe të opinioneve të ndryshme thuhet: “Populli është një hap para politikës…” gjë që edhe unë po këtë mendim kam dhënë duke heshtur, por pas zgjedhjeve të reja dhe ardhjes në pushtet të qeverisë së re, më është krijuar ideja që politika të paktën e ka arritur hapin e popullit.
Që të japësh një mendim të tillë dhe ta publikosh atë, është përgjegjësi, por nëse ish kryeministri qe komunist me tesere partie në xhep e të instaluar diktaturën në tru, kryeministri i ri, Edi Rama është ndër demokratët e parë e pse bir komunisti, por jo komunist, i rritur me frymën e re demokratike, me një shpirt artisti dhe me një kulturë të gjerë trashëguar nga familja, mendoj që ganxhat e diktaturës nuk ia kanë mbërthyer trurin si një komunisti të sprovuar siç ishte Sali Berisha, që për fatin e tij të keq dhe më shumë të popullit, ai nuk mund të ndryshonte si me sustë, por ai as që u përpoq të ndryshonte edhe pas kaq vitesh, se kompleksi i inferioritetit ndaj ndërkombëtarëve të bën gogël në dorën e tyre dhe kështu e pse koha është ajo që laton mendimet, transformon bindjet dhe nxit lindjen e ideve shoqëruar me fuqi të reja shpirtërore për realizimin e tyre, koha për të nuk ecte… e për pasojë eci mbi shina që nuk e dërguan në stacionin tonë…
Politika e viteve që shkoi qe llorë, pra ashtu siç përzihet bora me baltën (kështu i themi ne nga Librazhdi), ku nuk dallojnë më as bora, as balta dhe kjo politikë ka qenë një llorë që përzihej pandalshëm nga ish diktatura dhe ish antishqiptarët ndërkombëtarë.
Nëse do të ecë përpara vendi ynë e nën shembullin tonë, gjithë kombi, duhet që këtë vend ta udhëheqin të rinjtë me moshë dhe mendësi të reja demokratike, gjë që e shikojmë të pasqyruar tek përbërja e qeverisë së re me kryeministër Edi Rama.
“… unë e ndjej se diçka e re, diçka që ka lindur nga toka e jo nga trungu i asaj peme po mbin, na mbetet ne të kujdesemi për të, se përplasja e vazhdueshme me diktaturën e ka forcuar si filiz, pak punë do, por do punë të vazhdueshme, ajo nuk kërkon më vetëmohim, nuk kërkon gjak, por vetëpohim, kërkon paqe…” (Demokraci…! Unë e dija…)
Unë kurrë nuk kam qenë e rreshtuar në asnjë formacion politik, por nëse një politikan, një parti politike, politika në përgjithësi, shqetësohet për hallet e popullit, sinqerisht, jo politikisht, apo për diplomaci, unë e ngre zërin deri në kupë të qiellit, që ta dëgjojnë të gjithë dhe të reflektojmë të gjithë, të mbështesim qeveritë tona për të ecur para drejt zhvillimit dhe ardhmërisë kombëtare, sipas kushteve në të cilën po kalojmë duke mos harruar finalen e bashkimit kombëtar, jo me “platformë” bashkimi dhe në të njëjtën kohë shkatërrimi bën kërdinë, siç ka ndodhur deri më tani.
Nuk mund të pretendojmë, që kjo u arrit me një ndërrim karrigesh, nga PD në PS, kurrsesi! Kjo, mendoj unë u arrit si rezultat i dështimit të politikës 23 vjeçare PD – PS dhe vetë koha e solli si një domosdoshmëri futjen tashmë drejt aplikimit të elementeve demokratike në Shqipëri.
Në një shkrim publikuar disa muaj më parë: “Demokraci…! E dija që nuk do të vije aq shpejt, por është fatkeqësi të mos vish tani.”, ku fillon: “Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brishtë dhe nuk do të rezistojë dhe është e destinuar të vdesë, ose me përkushtim të jashtëzakonshmen, do të mbijetojë, por nuk do të ketë fuqinë e duhur për të ecur e sigurt drejt konsolidimit të saj. Këtu e kam fjalën për ardhjen e demokracisë në një shoqëri që ecën normalisht në rrugën e zhvillimit ta saj, ndërsa për kushtet e zhvillimit të popullit tonë, të kombit tonë, ka një specifikë teje të veçantë, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, nën vellon e saj, janë futur diktatura të egra si pjellë e rrezikshme e politikave antikombëtare të armiqve tanë shekullorë.”
Ndaj u entuziazmova nga mënyra e festimit të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, me një qetësi natyrale, ku qeveria vinte grupe – grupe dhe me autoritet qeveritar kreu “ritet” e përhershme, ashtu qetë, pa deklarata e klithma që ta bëjnë sheshin të ulërasë, por na bënë, të paktën mua, që kur e takova Edi Ramën, si gjithë tjerët, më dolën fjalët: “Kur profetët i do vendlindja, ka mbarësi…”, se dihet historikisht, profetët kurrë nuk i ka dashur vendlindja, se ata nuk janë kuptuar me mendimet e tyre, se kanë qenë të avancuara për masat, por në Shqipëri është një specifikë e veçantë tani, se historikisht, njerëzit e mençur, patriotët i kemi dënuar, internuar, burgosur, vrarë e masakruar, jo vetëm ata, por gjithë familjen dhe fisin. Mbase kjo ka bërë që populli të jetë një hap para politikës, se politika diktatoriale i mohoi “profetët” e kombit tonë, apo i përmendte veç si emër, për besueshmëri në popull, por kurrë nuk i vuri në poltronin e duhur.
Në shkrimin e botuar në gazetën “dielli” dhe në shumë faqe interneti e gazeta “Fjalët e Ismail Qemalit ende janë si një zile zgjimi për çdo shqiptar…”, kam shkruar: “Duke e parë historinë nga ky këndvështrim vit pas viti festa e 28 nëntorit nuk do të organizohej me brohoritje, por me heshtje zije dhe me angazhime për të zbardhur të vërtetat e historisë së fshehur të rrjedhjes së ngjarjeve antikombëtare, ngjarje që për fat të keq, sot disave u duken normale…”, mbase kjo mënyrë organizimi u bashkua me mendimet e mia të publikuar tri ditë më parë, ndaj bëri që të ngazëllehem dhe me këtë xixë ngazëllimi u shpreha në këtë mënyrë, dhe hodha në statusin tim të Facebooku – t: “Sot takova Kryeministrin Edi Rama dhe papritur thashë: “Kur profetin e do vendlindja, ka mbarësi…” dhe duke më shtrënguar dorën më tha: “Të shpresojmë!” Një festim madhështor; homazh dhe projekt për të ardhmen, pa fjalime, pa ulërima tek sheshi, pa skenarë… një mrekulli dhe unë përsërit fjalën e Kryeministrit: “Të shpresojmë!”
Dihet, Facebooku është një rrjet social, që të zbërthen dhe kuantet e shpirtit, të cilat nuk ka mundësi t’i shikojë njeri me sy të lirë, aty përmes rubrikës: “Çfarë ke në mendje?” zbërthehet njeriu mendërisht dhe shpirtërisht dhe ky publikim pati shumë pëlqime, por për çudinë time reagime nga njerëz që e mbajnë veten të letrave shqipe, që për fat të keq, janë mësuar që të “kakarisin” pasi t’i ushqejnë për të dhënë shpërblim, pra të gazetarëve që dinë të bëjnë fresk politikave të veçanta, unë përkundrazi, kurrë dhe kurrë nuk kam bërë fresk dhe nuk kam përfituar kurrë nga politika, por si krijuese dhe si patriote unë shkruaj dhe jap mendimin tim të lirë e kushdo të shprehë mendim të lirë, kjo është elementi i parë i demokracisë dhe kjo duhet të vijë në radhë të parë nga krijuesit, gazetarët, intelektualët, gjithë njerëzit që kanë dëshirën e mirë për të bërë diçka për të ndryshuar këtë HUTI të politikës sonë shqiptare llorare.
Politika është si legjenda, ku përveç elementeve fantastikë, fut dhe elemente realë për t’u bërë e besueshme, por politika shqiptare deri më tani ka qenë përrallë, pra veç fantazi dhe populli priti të kapet pas një elementi real, por nuk gjeti dhe u zhgënjye e për pasojë do e ketë të vështirë të besojë dhe atyre pak elementëve realë të legjendës që sapo ka filluar. Duhet të besojmë, por jo për një kohë të gjatë, se Nastradini e gënjeu popullin, kur tha “Po i bie violinës” e në të njëjtën kohë sharronte kyçin e dyqanit, por dhe i përgatiti e tha: “Këngën do e dëgjoni nesër!” Kështu, këto janë melodi që na ngazëllejnë, por kjo s’do të thotë që ne të vallëzojmë në delir deri në dehje e pa ndryshueshmëri mendimesh, ndryshe do të vazhdojmë të lerosemi në llorën e politikës sonë, se populli, shoqëria civile e udhëhequr nga inteligjenca bën të mundur që një qeveri të quhet demokratike.