Shkrimtarja amerikane R.W.Lane për veprën “Zbulimi i Lirisë” u frymëzua edhe nga malësorja “rebele” që mbrojti me forcë pronën private/
Nga Pertefe Leka /
Në një artikull interesant për tri shkrimtaret amerikane Ayn Rand, Isabel Pattersen dhe Rose Wilder Lane, theksohej se ato me veprat e tyre, pavarësisht nga njera tjetra, kishin arritur në një mendim filozofik të përbashkët për idenë e lirisë,duke inspiruar Lëvizjen Liberatore.Për koincidencë të tria shkrimtaret në një vit(1943) botuan librat “The discovery of Fridom”R.W.Lane,”The God of the Machine” I.Patterson dhe “The Fountainhead”Ayn Rand.
Në themel të filozofisë tyre dhe që përbënte bazën morale ishin të drejtat natyrale të njeriut, për t’ju kundërvënë tiranisë kudo në botë.Si vizionare, ato bashkuan optimizmin shpresëdhënës që njerëzit të jetojnë të lirë duke inspiruar kështu miliona njerëz.
Ata guxuan të deklarojnë njëzëri se kolektivizmi(në B.S. …) është i dëmshëm (evil)
Njera nga këto shkrimtare te shquara, Rose Wilder Lane, kishte vizituar Shqipërinë,që në vitin 1921 dhe kishte shkruar shumë për vendin tonë. Ajo që më ofroi më shumë në këtë temë ishte se Lane kishte qëndruar në Shkodër dhe se ngjarja që kishte ndjekur në Malësinë e Madhe e kishte frymëzuar për veprën e saj“Zbulimi i Lirisë “
Me 1920, Rose e ftuar nga Kryqi i Kuq Amerikan, punoi si publiciste në këte mision
humanitar. Për këte , Rose udhëtoi në Europë e Azi për të observuar se si funksiononte ky shërbim dhe për të vepruar dhe ndihmuar vendet e prekura nga Lufta e Parë Botërore.
Kur erdhi erdhi në Shqipëri, mijëra refugjatë lufte ishin larguar nga Kosova, Plava e Gucia dhe nga trojet e tjera të lëna jashtë kufijëve.
Ajo shkoi në Shkodër, ku vepronte Kryqi i Kuq Amerikan , që jepte ndihma në emër të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”. Këtu fillojnë lidhjet e Roses me Shqiptarët dhe me djalin, Rexhë Meta, i cili e shoqëroi ne fillim si përkthyes dhe me pas Rose e adoptoi duke e konsideruar si birin me të shtrenjtë të shpirtit saj.
Vepra e saj për Shqipërinë është “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) ku Rose përshkruan terrenin e thyer, kullat karakteristike të malësisë, mënyren e jetesës, traditat dhe gjakmarrjen.
Letrat, që Rose u dërgonte miqëve të saj, ku përshkruheshin ngjarjet nga jeta politike e shoqërore janë përmbledhur me titullin “Albanian Garden”. Në këto letra janë paraqitur me hollësi, përveç të tjerave edhe ngjarjet e vitit 1922 dhe figura shume dimensionale e Ahmet Zogut. Aty shihet interesi i saj për Shqipërinë, vend që ajo e zgjodhi të jetojë përgjithmonë.
Vepra Kulmore e Rose është “The discovery of Freedom”(Zbulimi I Lirisë).
Kjo vepër filozofike nuk bën fjalë për Shqipërinë, por është e rëndësishme për ne sepse Rose për të ndërtuar Kryeveprën e saj e mori frymëzimin nga një ngjarje të cilën e përjetoi ne Majat e Shalës dhe u bë zanafilla e filozofisë së saj në mbrojtjen e lirisë se individit dhe të pronës private.
Në ate fshat, shkruan Rose,gjeta një jetë fisnore të mbyllur nga gjakmarrja,por me njerëz fisnikë e mikëpritës.
Kur Rose ishte për darkë në një familje fisnore,papritur u bë dëshmitare ,e një debati midis një gruaje të ve dhe krerëve të fisit.Për mysafiren Amerikane nuk ishte e lehtë të ndiqte një bisedim të ashpër nga paria e fisit ndaj gruas “rebele”.
Gruaja që e frymëzoi ishte një 21-vjeçare e martuar me dy fëmijë, së cilës ia kishin vrarë burrin serbët pas 5-vjet martesë. Gruaja në fjalë, në kundërshtim me traditën dhe normat fisnore kërkonte që shtëpinë, të cilën e kishte ndërtuar me burrin e saj, ta trashëgonte vetëm ajo me dy femijët.E veja ,21 vjeçare,me një kurajo dhe vendosmëri shtronte kërkesën për pronën private.
“Këtu do të jetoj unë me dy fëmijët e mi”
Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit,ku thuhej: Gruaja e ve flet vetë – mund të ishte një shtytje që e bëri aqë të vendosur gruan të flasë përpara kuvendit, apo e drejta natyrale dhe forca e argumentit se – Këtë shtëpi e kam ndërtuar me burrin tim – e bënë ate të vetëdijshme që mos të tërhiqej nga kërkesa për pronësinë.
Besoj se të dyja bashkë e bënë atë burrneshë të kapërcejë kufizimet e atij sistemi primitive, një guxim i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë në ato anë.
Prezenca e gazetarës amerikane në ate Kuvend i vuri në një pozitë të vështirë krerët e fisit. Ata mundoheshin ta sqaronin mikeshën e huaj, se kjo nuk kishte ndodhur kurrë në fisin e tyre, dhe se ajo ishte nje ortek për fshatin.
Ata ishin kureshtarë të dinin më shumë për vendin ku jetonte Rose, se si veprohej atje për te drejtën e pronës.
Rose, duke parë se spjegimet e saj binin ndesh me gjykimin e tyre, shkruan: “ Ishte jashtë fuqive të mia të interpretimit”.Nderkohë, Rose e quante të drejtë kërkesën e gruas se re.
Ajo u mahnit nga këmbëngulja dhe forca e karakterit të saj, edhe pse e vetme ne ate kuvend të burrave dhe pa asnjë mbështetje nga anëtaret e fisit, vazhdonte të mbronte të pandryshuar kërkesën e saj:
”Shtëpia është e imja, unë dua shtëpinë time”.
Kur situata u acarua midis asaj dhe parisë, njeri nga pleqtë u ngrit, por i pafuqishëm për të argumentuar kundërshtimin thirri: “A kanë pare malet tona një gjë të tillë në qindra –qindra vjet më përpara se të vinin turqit? Ajo është gogoli”.
Pergjigjja e gruas ishte: “Me këto duar e kam mbuluar çatinë, unë nuk do ta jap shtëpinë time”.
Ne fund, kryetari i fisit i ndodhur në shtëpi përballë miqëve të huaj ,u detyrua ta sqaronte
më mirë problemin e hapur. Ndër të tjera ai tha: ”Shtëpia i takon fisit dhe jo një njeriu. Asnjë prej nesh nuk mund të thotë se kjo është shtëpia ime, sepse ne jetojmë të gjithë bashkë. Kështu ka qenë edhe përpara se të vijnë romanet dhe kështu do të jetë gjithmonë”.
Kur pjesëtaret e fisit iu pergjigjen unanimisht kryetarit ”Të lumtë goja!” Gruaja e re u ngrit e revoltuar dhe pa folur asnjë fjalë e la kuvendin, ku vetëm kërcitja e derës e prishi qetësinë e krijuar pas fjalës së fundit.
Rose, që gjithë kohën kishte observuar qëndrimin e gruas se re dhe e kishte miratuar kërkesen e saj te drejtë, e përshkruan me detaje pamjen e saj fizike dhe shpirtërore në ate moment kritik.
”Ajo u largua nga dhoma e debatit pa përshëndetur, por ajo grua kurrë nuk do të pushojë së kërkuari shtëpinë e saj. Ajo kurrë nuk do të jetë e qetë,deri sa ta marri pronen e vet.
Aty, shkruan Rose, vepronte ligji i LEC-it(Law Enforcment Command)
Gjithë këto, që Rose i shkruante në veprën “The Peaks of Shala,” u bënë pjesë e asaj filozofie që mbronte me forcë pronën private dhe të drejtat e individit në veprën “Zbulimi i Lirisë”.
Rose dhe dy mikeshat e saj,I.Patterson dhe Ayn Rand ,tri gra të guximshme, e kishin demaskuar kolektivizimin në B.Sovjetik . A.Rand ishte desidente ruse, iku nga rusia sepse e kishte jetuar bolshevizmin. Ndersa Lane e kishte vizituar B.S.në vitin 1921 ku takoi fshatarë të uritur në Gjeorgji, Azerbaixhan …. , të cilëve u kishin marrë tokën forcërisht dhe jetonin të dëshpëruar në ate realitet të nxirë.
Për R.W.Lane vënia përballë e Komunizmit primitiv me ate “modern”qenë një burim për analisten për të argumentuar vlerat absolute të lirisë e të pergjegjësisë personale.
Ne veprën “The Discovery of Freedom” (Zbulimi i Lirisë),ajo filtroi mendimet dhe eksperiencen e saj shumëvjecare,pikënisje për të cilën ishte malësorja shqiptare që mbrojti me forcë pronën private.
Në këtë vepër Rose qëndroi konsekuente deri ne fund e pikëpamjeve të saj, duke ngritur lart të drejtat natyrale të njeriut dhe duke u bërë pjesë e asaj filozofie që ka në bazë kundërshtimin e tiranisë kudo në botë.
Si misionare Rose Wilder Lane është dekoruar nga Ministri erudit,Rauf Fico më 1930, se bashku me të tjerë misionarë amerikanë,mësues,infermjere dhe shkrimtare me dekoraten
“Oficere e urdhërit të Skenderbeut”
(Për dijeni,në janar të vitit 1924,në parlamentin e kohës,deputeti R.Fico,lajmëron të pranishmit për vdekjen e Presidentit Willson dhe propozon të mbahen 5 minuta heshtje në nderim të mikut të shquar të shqiptarëve)
Sot R.W.Lane e vlerësuar nga Diplomati më i shquar shqiptar R.Fico. meriton shumë
që emri i saj të rishkruhet në ballë të një institucioni
Mësoni gjuhën e bukur shqipe
Nga Pertefe Leka/
Thirrja që u bëri Presidenti Nishani autoriteteve të Komunës së Ulqinit “Të punohet sa më shumë në ruajtjen e gjuhës,traditave dhe identitetit kombëtar,si vlera më e çmuar që kemi” më zgjoj kujtimin e mësuesve shkodranë që vepruan me devotshmëri për përhapjen e gjuhës shqipe në Ulqin e rrethina, 75 vjet më parë .
Shqiptarët jashtë kufijëve po ndihen të përfaqësuar.Vizita e Presidentit Nishani në Cetinjë,Tuz,Ulqin Tivar, u prit ngrohtësisht nga qytetarët autokton.Komunikimi shpresëdhënës se mbrojtja nga shteti amë është evident të mbush me optimizëm për të ardhmen.
Presidenti përballë mediave theksoi :”Të respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj,si edhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore për shkollimin në gjuhën shqipe dhe në përdorimin e simboleve kombëtare.”
Ndër të tjera, Presidenti ofroi gatishmërinë e institucionit që përfaqëson duke theksuar: ”Institucioni i Presidentit do të jetë kurdoherë pranë jush, në ndihmë të lidhjeve sa më të mira dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare.”
Kjo vizitë e Presidentit na zgjon shpresën se kjo duhet të ndodhi edhe në Çamëri,që shqiptarët të ndihen të plotësuar. Shqipërinë natyrale askush nuk mund ta tjetërsojë.Ajo ekziston.Shqiptarët nuk e harrojnë historinë.
Kështu veproi ish ministri i Arsimit,Ernest Koliqi, kur dërgoi mësues në trojet shqiptare për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe,në Kosovë dhe në pjesën veriore të Shqipërisë që kishin mbetur jashtë kufijëve të 1913-tës
Duke shfletuar kujtimet e disa mësuesve shkodranë,të cilët punuan me përkushtim për arsimimin në gjuhën shqipe në Ulqin, mbushesh me krenari sepse këta shembuj duhet të përsëriten.Ata i kërkon koha.Këtë porosi e dha edhe presidenti Nishani, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi.
Ja si vepruan 75 vjet më parë mësuesit shkodranë.Jahja Domnori,Prenkë Jakova,……
Në vitin 1941,Ministria e Arsimit emëroi për zonën e Ulqinit mësuesin Jahja Domnorin i cili ishte i pajisur me një kulturë të gjerë pedagogjike dhe me një përvoje të mirë pune për hapjen e shkollave të reja, si në Dibër,Vlorë,Durrës e në Shkodër. Ai do të kryente detyrën e Drejtorit dhe Inspektorit të zonës në N/prefekturën e Ulqinit.
Duke pasur në varësi të gjitha rrethinat e Ulqinit, kishte nevojë për mësues të devotshëm, pasi njerëzit atje ishin të etur për shkollën shqipe e cila deri atëhere ishte e ndaluar.
Këte detyrë e mori përsipër vetë inspektori i zonës,mësuesi Jahja Domnori,që të zgjidhte mësues nga familje të nderuara intelektuale, duke shfytëzuar njohjet që kishte me ta.
Mësuesi J. Domnori, ishte njohur me babain e Prenkë Jakovës,Kolen, kur ishin bashkë në luftën e Koplikut,me 1920. Kola,me origjinë nga Gjakova, ishte ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijëve kombëtar nga agresioni jugosllav.Dy familjet kishin ruajtur një miqësi të sinqertë.Për këte, trokiti në derën e Gjakovarëve, për të inkuadruar djalin e tyre, Prenkën, në këte detyrë fisnike.
Më mirë e përshkruan vetë Prenka këte lidhje në kujtimet e tij.Ai kishte respektin me te madh për Zotni ,Jahon,(kështu e thërriste Prenka) Ke andje t’i lexosh ato shënime, me një gjuhë të bukur shkodrane, ku Prenka i ka dhënë melodinë e shpirtit te tij.
“Nji ditë, tek po lexojshe diçka në revisten “Hylli I Drites,”në oden e vogël u fut nana Rozë,me duert e saja tanë shkumë sapunit e tanë preokupim, e më thotë se ka ardhe nji mik i shtepisë tonë,Jaho Domnori, që ishte drejtor i shkollës fillore të Ulqinit.Unë tue e njoftë mirë zotni Jahon,lashë librin e dola menjëherë në oborrin tonë të vogël,ku nana Rozë e kishte vendue në nji karrike thuprash .Pasi u falme me njeni tjetrin, ai me propozoj që të shkojshe si mësues në katundin e Katërkollit,në Anë të Malit,se në ate zonë kishte marrë edhe mësues të tjerë prej Shkodret, si Viktor Kicin,Prenke Shiroken,Shuk Shllakun,Ramadan Millen,Zef Berishen e shumë të tjerë.
Unë si me marifet ja hodha fjalën,për me më marrë në Ulqin,e aj plot deshirë,me premtoj,se do ta realizonte këte deshirë timen,por në të ardhmen.
Me që të gjithë mësuesit, që më përmendi Zotni Jahoja i njifshe mirë,pranova pa ma të voglin hezitim.
Nana tuj i prue nji kafe tarnake, e tuj fluturue prej gzimit e falnderonte zotni Jahon për interesimin e tij. Ajo ju lut edhe për vllaun tem,Çeskun,për me i gjetë nji vend edhe atij,se i pelqente natyra dhe puna si mësues”.(nga kujtimet e P.Jakoves )
Pa urdhëra nga lart,por me një bisedë të hapur e të sinqertë drejtori i shkollës e zgjodhi personelin me mësues që e donin Atdheun dhe përparimin e Kombit.
Eshte historik ,fjalimi që mbajti drejtori i shkollës J.Domnori ditën e hapjes së shkollës shqipe në Ulqin,me prindër,mësues dhe autoritetet vendore.
“Arsyja e mbledhjes sotme s’asht tjetër vetem se dishroj me pasë nji marrdhanie me ju, me qellim qe t’u japim edukaten e duhun femijve tuaj.
Andrra që keni pasë pamë tash sa kohë, se nji popull që ruen gjuhën e vet ,aj ka ruejt çilsin e rrugës së indipendencës u shfaq sot si drita e syve .Kjo gjuhë e ruejtun prej jush,si prushi në gji duhet punue, e këte punë e ban shkolla…
Shkolla përpiqet me pregadite qytetarë e qytetare të respektueshem ndaj ligjeve, me dashtë tek s’ban Atdheun, e krejtë të gadshëm me ba çdo sakrificë për te.”(nga shenimet e J.Domnorit)
Ky ishte motive kryesor i të gjithë atyre që punuan pa u ndalur për të përhapur dijet me gjuhën e bukur shqipe.
Kështu veproi edhe Prenka,djale i ri.Ai shpesh ndeshej me prindër të cilët ia drejtonin pyetjet pa kuptuar, në gjuhën sllave,por Prenka me dashuri dhe admirim për ata njerëz të mrekullueshem,u thoshte :”O vllazen,kjo asht shkolle shqipe, mos ma permendi ma pjevanjen por me thoni :A..din..me ..këndue ..mirë ..shqip.”
Atëhere kur studentët e Kembrixhit,të Sorbonës,Romës…..mbushnin burgjet e diktaturës
Nga Pertefe Leka/
Atëhere kur shkrimtarja e mirënjohur R.W.Lane(Lejn) vuri në lëvizje Diplomacinë Amerikane për të shpëtuar njërin prej tyre.
E nis këtë shkrim nga një barcoletë që qarkullonte në Shkodër, por që kishte të vërtetën në brendinë e saj: Një ekip i Komitetit te Partisë(i periudhës së diktaturës) kishte vizituar një ndërmarrje në Shkodër. Ndërmjet të tjerave, ata kishin këshilluar, që punëtorët duhet t’i nënshtroheshin kurseve të kualifikimit për t’iu përgjigjur cilësisë së prodhimit. Drejtori i ndërmarrjes, kishte thënë, (sigurisht në intimitet dhe për humorin shkodranë) se edhe rojen (ate plakun te dera)e kemi me Kembrixh, pa le te tjerët……
Personazhi në fjalë, ishte Rexhë Meta, biri i Maleve të Kosovës, i mbetur jetim dhe i adoptuar nga shkrimtarja e mirënjohur amerikane, Rose Wilder Lane .
Shkrimtarja R.W.Lane pas 90-tës është bërë e njohur për publikun shqiptar,pasi ajo ka një jetë të pasur artistike. Ajo është autorja e dhjetra librave letrarë e filozofikë, por shumë e njohur në publicistikë.
Për të përshkruar jetën e saj duhet një studim i veçantë por interesi ynë është të njohim atë pjesë te jetës së saj kur ajo erdhi ne Shqipëri dhe lidhjet e saj me Rexhë Meten.
Për herë të parë Rose erdhi në Shqipëri në vitin 1921, me mision humanitar. Ajo ishte ngarkuar nga Kryqi Kuq Amerikan të observonte veprimtarinë e këtij misioni në Europë e Azi pas ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore dhe ta publikonte në Buletinin e Kryqit Kuq.
Në Shqipëri ajo erdhi me një grup punonjësish për të ndihmuar refugjatët nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijëve, të dëbuar me forcë nga serbët.Ata punuan me përkushtim në emër të “Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”
Udhëtimin e parë e bëri në Veri të Shqipërisë, në Luginën e Shalës me qëllim për të hapur një rrjet shkollash në ato zona të thella.
Grupin e shoqëronte edhe një djalë i ri i quajtur Rexhë Meta i cili kishte ardhur me prindërit në Shkodër, pas dëbimeve masive. Vuthjani i vogël shpejt mbeti jetim dhe ishte marrë nën mbrojtjën e Kryqit të Kuq Amerikan që vepronte në Shqipërinë e Veriut. Ai në grupin e fëmijëve refugjatë ishte i dalluar, pasi në një kohë rekord kishte mësuar anglishten, paçka se nuk i ishte dhënë mundësia të vazhdonte rregullisht shkollën.
Si përkthyes i Roses ai e ndiqte hap pas hapi atë, sidomos në atë terren të veshtirë të Shalës ku nje ditë asaj i rrëshqiti këmba dhe desh e ra në humnerë, por guximi i djalit i shpëtoi jetën. Rose ndihej e obliguar ndaj të riut Rexhë dhe i ofroi një ndihmë,por Rexha krenar i refuzoi duke i thënë :” Ju jeni gazetare, shkruani tani edhe për Shqipërinë”( marrë nga Bora Meta, vajza e Rexhë Metës.)
Rose e mahnitur nga sjellja fisnike e djalit e adoptoi dhe e afeksionuar pas të birit bëri çmos që ta shkollonte. Fillimisht ajo e regjistroi në Shkollën Teknike Harry Fulltz, ku ai habiti personelin mësimor për arritjet e shpejta në të gjitha lëndët. Pastaj ajo vazhdoi të investonte për te edhe kur ai ishte student në Universitetin e Kembrixhit, ku emri i tij është i shkruar në Librin e Artë të këtij Universiteti.
Ndërkohë Rose shkonte e vinte në Shqipëri dhe me lidhjet shpirtërore që kishte, vendosi të jetonte përgjithmonë në Tiranë, ku ajo ndërtoi dy shtëpi, një për vete dhe një për familjen e Rexhës, tashmë i martuar.
Rose gëzonte se vajza e Rexhës mbante emrin BoraRose, që ajo ta kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane.(marre nga Bora Meta,vajza e Rexhe Metes).
Ngjarjet e luftës së dytë botërore i rrokullisen ëndrrat e Roses.Autoritet fashiste e internuan Rexhën me familje në kampet e përqendrimit në Itali si antifashist.
Më vonë, si anëtar i Lidhjes së Dyte të Prizrenit në Shkodër, komunistët e arrestojnë, nga ku ai provoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve çnjerëzore.
Rose e ndjeu shumë arrestimin e te birit nga komunistet, pasi kishte dëgjuar shumë për terrorin Bolshevik dhe e kishte njohur nga afër pasi ishte po me këte mision në vendet e B.Sovjetik.
Ajo bëri të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar djalin e saj deri te presidentet e Amerikës . Nderkohë i shkroi Bess Truman (gruaja e presidentit në ate kohë)dhe Herbert Hoover (ish pres. i Amerikës) për ta tërhequr djalin e saj nga Shqipëria ,në Sh.B.A.
Pas shumë ndërhyrjesh, takimesh e letrash me personalitete të larta të politikës Amerikane, Rose u këshillua nga familja e Rexhës që të mos vazhdonte ta kërkonte ate haptazi, pasi familja do të kishte edhe më shumë konsekuenca . Atëhere Rose, ndoqi rrugën indirekte për t’u lidhur me gruan e Rexhës, Pertefen,e cila kishte studiuar te Motrat Stigmatine. ku kishte mësuar edhe anglisht. Përveç burgut të rëndë të burrit, asaj i kishin pushkatuar edhe vëllanë e vetëm, Bardhosh Danin. Kështu Rose e tmerruar nga këto ngjarje vuri në lëvizje miqtë e saj të Kryqit të Kuq që vepronin në Europë dhe mundi kështu të hynte në lidhje me familjen e Rexhës.
Rose, deri sa vdiq, nuk pushoi se kërkuari djalin e saj, sigurisht në mënyren më të fshehtë. Kur po i ofrohej fundit te jetës me 1968, ajo ia la amanet djalit te dytë të adoptuar, amerikanit, Raxh(Roger Mac Bride) që të vazhdonte lidhjet me familjen e vëllait në Shqipëri.
Ishte viti 1990,kur Raxh mundi ta plotësonte amanetin e nanës Rose.Ai me ndihmën e Prof. S.Repishtit mundi të hynte në lidhje me vajzën e Rexhë Metës, Bora Rosën dhe arriti ta tërhiqte me familje nga Italia, ku ajo ishte refugjate dhe e vendosi në Florida ku ajo jeton edhe sot.
Te gjitha, çfarë Rose ka parë dhe ka përjetuar në Shqipëri, i ka përshkruar ne veprën e saj “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) dhe në përmbledhjen e artikujve te saj “ Albanian Garden “
Vlen per t’u përmendur që edhe vepra e saj madhore “The discovery of Freedom “(Zbulimi i Lirisë) e ka marrë frymëzimin nga një ngjarje që ajo e përjetoi kur ishte me mision ne Malësitë e Veriut.
Mbas Edith Durham-it, ishte Rose që ka shkruar me detaje jetën politike,sociale,zakonet,mitet,këngët dhe shumë ngjarje historike të dëgjuara dhe aktuale,kur ishte në Shqipëri.
Shkrimet e saj janë një dëshmi e gjallë për historinë e popullit tonë.
Veprat e Rose Wilder Lane asnjëherë nuk u bënë të njohura gjatë periudhës së diktaturës. Ato nuk kishin më pak vlerë se ato te Durhamit, të Bajronit e të tjerëve të huaj që lartësuan vlerat e kombit tonë, kështu edhe ajo s’i shpëtoi luftës së klasave. Por sot duhet evidentuar kontributi i Rose per Shqipërinë e Shqiptarët për ta përjetësuar me emrin e një shkolle, të një institucioni humanitar, të një sheshi a rruge që t’i mbetemi mirënjohës veprës së saj.
Po këtë mirënjohje duhet të kemi edhe për studentin e shkëlqyer të Kembrixhit,intelektualin patriot,që luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare,Doktorin e lauruar në Ekonominë e Financave,Rexhë Meta, cili asnjëherë nuk i gëzoi frutet e punës së tij. Sot duhet të vihet në vendin e nderit që i takon,jo vetëm për kontributin e tij në lëmin e ekonomisë, por edhe si delegat i Maleve të Kosovës dhe hartues i programit, të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.(ne Foto:Rexhe Meta. Fotografia eshet marre nga punimi i studiuesit Rexhep Dedushaj)
Mësuesit Beqir Haçi,vizionar për të ardhmen e Kombit Shqiptar
Nga Pertefe Leka/
Atdhetari i zjarrte ,Beqir Haçi, njihej nga studentët dhe bashkëkombasit me titullin, Profesor, të cilin ia kishin mohuar persekutorët e tij.
Sot figura e Prof.Haçit është bërë shumë e njohur për publikun shqiptar në shumë fusha: ate të pedagogjisë,psikologjisë,letërsisë,publicistikës dhe folklorit.
Si bir i nderuar i Borshit, ku ravijëzohet e bukura e dheut, trashëgonte në mendje kthjelltësinë e Jonit,pasurinë shpirtërore të tokës frutore nën ujëvare,forcën e karakterit të kalasë shekullore të Sopotit dhe shpirtin artistik, që ia kishte skalitur vala lozanjare e detit.
Ai ishte vazhdues i paraardhësve të atij vendi që nxori një numër të madh intelektualësh të cilët patën interesim të veçantë,për kulturën dhe për shkollimin e djemëve dhe të vajzave brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Fillimet e studimeve në shkollat shqiptare e më pas në shkollën teknike shqiptaro-amerikane e ngritën të riun B.Haçi,në nivelin e elitës intelektuale të kohës.
Pa mbaruar shkollën teknike, duke qenë më i miri në mësimin e gjuhës angleze,mësuesi i lëndës C.Hollingsed e emëroi “assistant teacher”.
Kjo i përkiste moshës së tij 15-vjeçare,kur ai u përkthente shokëve të tij të klasës duke shkruar në dërrasen e zezë ato çka spjegonte profesori amerikan.
Si mbaroi arësimin e lartë në Firencë,u ngarkua me shumë detyra pedagogjike, si drejtor dhe inspektor arsimi e profesor në disa gjimnaze të Shqipërisë.
Kudo që punoi zbatoi me devotshmëri projekte të reja arsimore për edukimin e brezit të ri dhe ndihmoi në kualifikimin e mësuesve kur kryente detyrën e inspektorit .
Si dishepull i Rusoit,që synonte ta bënte njeriun të arsyeshëm, prof. Haçi pasoi edhe iluministët shqiptarë të Rilindjës, të cilët e shihnin rritjen e ndërgjegjës kombëtare në përhapjen e arsimit dhe kulturës.Ja si e shkruan Prof.Haçi
“Vetëm arsimi mund të ndërrojë botën”,
Vetëm arsimi na e mbron lirinë.
Vetëm arsimi e zhdukë tiraninë,
Vetëm arsimi mbron moralin,
Vetëm arsimi e mban idealin.”
Kur ishte inspektor i qarkut te Dibrës së Madhe, mbajti një fjalim të zjarrtë
në festën e 5 Prillit 1942.Fjala e tij ngriti në këmbë të madh e të vogël,pasi mbrojti haptaz idetë e tij për Shqipërinë etnike duke theksuar se viset shqiptare janë e do të mbetën shqiptare.
Për këte guxim qytetar autoritetet italiane e arrestuan, por nuk mund të burgosnin
Himnin “Kënga e Dibrës së Madhe “,e cila jashtë hekurave zëvendësoi prezencen
e mësuesit revolucionare me thirrjet për bashkim .
“Cou se t’erdh dita e lirisë ,
Ditë e shenjtë që ke pritë ,
Dibr’ e Madhe e Shqipërisë”
Të shkëlqesh si yll e dritë”
Kënga në unison afroi zemrat dhe ngjalli shpresat në betimin për ditën e Lirisë.
Prof. Haçi si studiues i filozofëve përparimtarë të botës përforcoi idenë , se arsimi është mjeti për të zhvilluar një botë të re .
Kështu ai punoi me pasion për të botuar sa më shumë në drejtim të kësaj edukate.
Me energji të pashtershme ai shfaqi aftësinë e një edukatori të vërtetë ,në të gjjtha botimet për t’i shërbyer shkollës shqiptare në ardhmëri.
Numërohen me qindra artikuj në të gjitha revistat e gazetat e kohës, po ashtu edhe një serë librash që i quajti libra popullorë, si “Mendime të arta”,”Proverba”,dedikuar Thimi Mitkos dhe S.Dines.
Librin unikal “Udhëheqës i mirësjelljes”,e punoi posaçërisht për rininë shqiptare,ndërsa “Thërrime filozofike” ia dedikoi N.Frasherit “.
Librin “Mësuesi punëtor,idealist i shoqërisë” ia kushtoi mësuesve shqiptarë, të cilët u përkisnin viteve 1930 -1937.
Me këto ai plotësoi albumin e botimeve pedagogjike dhe njihet si mësues e publicist .
Lënda e përfshire në to kishte karakter të theksuar edukativ-didaktik,patriotik e kulturor.
Periudha e gjatë e diktaturës komuniste, nuk e përfilli emrin dhe vepren e profesor Beqir Haçit ,vetëm e vetëm pse Ai qe nxënës i Shkollës Teknike të Tiranës
E burgosën, e keqtrajtuan,per t’ia nxirë jetën,por Ai mbijetoi, duke ruajtur nderin, dinjitetin e tij si pedagog ashtu siç shkruante në një poezi te tij .
Skeleti im,qendro,dëgjon
Armikut thuaji:
Këtu s’kalon!,
S’e mund dot kurrë, ti shpirtin tim…”.
Pas burgut, profesori nuk mund të botonte më. I pajisur me një karakter të fortë,diti të punojë në kushtet e sistemit totalitar.
Shpirti i paepur rezistoi për t’i transmetuar brezave mesazhe madhore.
“Shtëpizën”,siç e quante në një poezi e ktheu në çerdhe pune për studime.
Atje veç të tjerave u mësoi të rinjëve gjuhën angleze, të cilën e zotëronte mjeshtërisht.
Shumë intelektualë dhe studentë të asaj kohe ,sot janë në pozita të larta shtetërore,kanë marrë mësime në atë shtëpi-shkollë duke ruajtur nderimin më të madh për profesorin erudit
Me punën e tijë të pandërprerë, shtoheshin veprat dhe mbusheshin me krijime qe e pasuronin laboratorin e tij të punës, për t’u hapur një ditë.
Kam pasur fatin ta njoh prof. Haçin dhe ta vizitoj laboratorin e punës së tij me dosje,libra dhe citate të zgjedhura , te marrura nga urtësia botërore dhe shqiptare.Shume shprehje të urta ishin të vendosura në vende të dukshme për t’u lexuar. Ishin këshilla filozofike për brezat: të duan punën,shkollën ,Atdheun, familjen,jetën dhe të ruajnë nderin në çdo situatë.
Sot nje pjesë e veprave të prof.Haçit e kanë parë dritën e botimit nën kujdesin e te birit Dr.Sopot Haçit,i cili botoi dy libra me poezi,me titull “Këngë të pëshpëritura”por nuk arriti t’i çonte deri në fund botimet e tjera për të cilat ai thoshte janë mijëra faqe.Filli i jetës iu këput në kulmin e punëve që kishte nisur të bënte,në nderim të babait të tij të devotshëm.
Sot pedagogjia shqiptare ka nevojë për mësimet e një edukatori të madh si siç ishte Prof.Haçi.
Librat shkollorë kanë nevojë për poezinë didaktike të një mësuesi të talentuar.
Shoqëria shqiptare për mendimet e një idealisti modern, i cili thoshte :”Vdekja të më marrë, kur të më gjejë pa punë”.
Titujt që iu akorduan Prof.Haçit ne periudhën e Demokracisë :”Urdhëri Naim Frashëri” “ Pishtar i Demokracisë “,titulli i lartë “Mësues i Popullit” kanë vlerë morale për brezat që t’i referohen mësimeve të urta të një mësuesi virtuoz.
Mesazhi qe ia transmeton gjeneratave përmblidhet në këto vargje.
Gjendjen që shkoi-e pamë
Gjendjen që kemi-e shohim
Ku kemi qenë e ku ramë
Tani të gjithë e njohim
Atë që dje nuk e bëmë,
Po e paguajmë sot,
Atë që sot po e lëmë
Do ta paguajmë mot!
Mishërim historik i tolerancës fetare
Dijetari, Hoxhë Daut Boriçi kryesoi fjalimet në ceremoninë e hedhjes së themeleve të Kishës së Madhe 1858 në Shkodër. Inxhinier Bujar Golemi e shpëtoi Katedralen nga rrënimi komunist 1967/
Nga Nga Pertefe Leka/
Fjala “e madhe” në Shkodër është mjaft e përdorur jo vetëm për kuptimin e parë të saj por edhe për disa emërtime, si objekte, rrugë,lagje.. (Arra Madhe, lagje ku ishte Selia e Atë Fishtës,Rusi Madh,lagje tregtare,Kafja Madhe në qender te qytetit,Malesia e Madhe etj.)për të evidentuar dicka jo vetëm me përmasa fizike por edhe shpirtërore .
Si duket cilësori “e Madhe” është një reflektim i përmasave të shpirtit, zemërgjerësisë, tolerancës së vetë shkodranit, në vazhdimësi të një trashëgimie te vyer, në kryeqëndrën e kulturës shqiptare..Këte mirëkuptim të ngjizur tek fjala e” Madhe “e kanë treguar shkodranët edhe në ndërtimin e Kishës së Madhe apo të kulteve të tjera duke qenë në krah të njeri tjetrit . Po cila është ecuria e këtij ndërtimi solid,150 vjeçar..
Ishte 7 prilli i vitit 1858,dita e ceremonisë zyrtare për ngulitjen e piketave të një konstruksioni me përmasa(75.5m gjatësi,40m gjerësi,23.3m lartësi) ku zbatohej projekti i një inxhinieri austriak.
Në këte ceremoni morën pjesë shumë personalitete të klerit katolik,shumë nga populli i thjeshtë ,ku në mes tyre kishte edhe myslimanë.
Vlen për t’u permendur se Ai që mbajti fjalën e rastit në këte eveniment ishte një mysliman,Daut Borici.Një intelektual i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare ,me një kontribut të lartë në zhvillimin e arsimit kombëtar ,në fushën e gjuhësisë dhe në jetën politike(Kryetar i Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën,i internuar nga qeveria turke për këte aktivitet).Në atë kohë, Daut Borici, ishte Drejtor i Arsimit dhe fjalën e mbajti në emër të parisë së qytetit..
Ky ishte modeli më i bukur për Shkodrën ,ku një mysliman ,bile edhe Hoxhë ,kryeson fjalimet e rastit,në hedhjen e themeleve te kishës katolike.
Tani për nga madhësia ,kjo nuk ishte thjeshtë një Kishë ,por një Katedrale,e cila bëri jehonë që në themelimin e saj.
Vetë Sulltani dërgoi 700 lira turke, Papa Piu IX dërgoi 1000 skuda , Franc Jozefi( që atë ditë martohej) dhuroi 150 Nap .flori. Përveç parave që u mblodhën nga populli bujar i qytetit dhe i rretheve,deri në Malësinë e Madhe Eshtë e veçantë, që ambasadori rus hodhi në themele xhamadanin e stolisur me ar në shenj bujarie.
Në të vërtetë ndërtimi zgjati shumë vite, por kush nuk ndihmonte atje me të gjitha mjetet që dispononin.Dashuria për të pasur shtëpinë e zotit i bashkoi shkodranët, qytet-fshat-malësi me një vullnetarizëm të paparë.Në fund, ky konstruksion u bë i dallueshëm edhe në Ballkan.
Në këte katedrale , punoi pa u lodhur nga viti1909,skulptori,piktori,fotografi,arkitekti,inxhinieri Shkodranë me origjinë Came, Kolë Idromeno(1860-1939) Ai ishte nxënës i devotshëm i Pjeter Marubit i cili e këshilloi të edukohej në shkollën më të mirë të Venecias, prej së cilës erdhi në Shkodër si dhuratë për kulturën tonë.
Pikturat e Kolë Idromenos ia shtuan vlerat këtij ndërtimi madhështor.
Në sfond gjëndej piktura murale “Qyteti i Shkodrës me Rozafen në krye, si mbrojtëse e qytetërimit shekullor.”
Po ashtu piktura Zoja e Shkodrës e ndjekur me dy engjëj të cilët, artisti i madh, i kishte paraqitur me kostume kombëtare qytetare shkodrane.
Për fat të keq kjo godine madhështore, goditjen e pare të qëllimuar, e mori në kohën e rrethimit të Shkodrës me 1913.Në atë ndërtesë ishin strehuar më shumë se një mijë vetë. Gjatë kohës së bombardimit, zjarri arriti deri te kumbonarja dhe u dëmtua më shumë se gjysma e ndërtimit.
E gjithë kjo luftë e ashpër vinte nga një armik i jashtëm që kishte qellim, pushtimin e qytetit të lakmuar prej tyre.
Pas riabilitimit te Kishës,asgjë nuk e cënoi mirëkuptimin fetar në Shkodër, përkundrazi u bë edhe më i forte. Një gjest bujar dhe fisnik vjen nga i Madhi Atë Fishta i cili fill pas daljes nga rrethimi i Shkodrës, kur u kremtua Festa Kombëtare,me 28 Nëntor 1913, lidhi përjetësisht kandilat e dritave nga Kisha Franceskane me Xhaminë e Fushës Celë,në shenjë solidariteti ndërfetar dhe kombëtar..
Pas shume vitesh, një goditje tjetër, po i ofrohej.Viti famëkeq i 1967, erdhi si një termet rrafshues.
Idetë e komunistëve duheshin zbatuar. Përbindëshi i diktaturës, pasi zhduku njerëzit e dijes e të kulturës duhet të mos linte as gjurmën më të vogël edhe në arkitekturë,edhe kur ajo kishte vlera historike,morale e shpirtërore.
Shteti monist kishte aktivizuar inxhinierët e qytetit për të tjetërsuar godinat e kulteve.
Per Kishën e Madhe ishte caktuar inxh.Bujar Golemi (i emëruar në atë kohë si inxh. Ndërtimi dhe jo Inxh shkatërrimi)
Inxhinieri, në atë kohë ishte në moshë të re, me një reputacion të mirë në shoqëri dhe në rrethet intelektuale. Ishte djali i mësuesit të nderuar shkodranë, Qamil Golemi.
Krahas punës si inxhinier, Bujari, merresh me basketboll dhe ishte një ndër trajnerët e dalluar të ekipit “Vllaznia”.
Njihej si djalë punëtor, organizator i ekuilibruar, por si natyrë siç e thoshin shoqëria e tij ishte fjalë pak e punë shumë. Ishte martuar me Lili Zajmin,mësuese matematike, motra e një të arratisuri politik në Amerikë. Kjo e bënte që të ishte i tërhequr nga tavolinat e kafeneve,paçka se Ai vetë e kishte rikonstruktuar dhe modernizuar “ Kafen e Madhe” në qendër të qytetit sipas investimit të kohës.
Aktiviteti i tij shtrihej punë- sport- familje,vlen per t’u theksuar se edhe në familje luante një rol kryesor në harmonizimin e marrëdhënieve vëllazërore.
Ngarkesa që mori përsipër nga urdhëri qeveritar duhej plotësuar .Përpara inxhinierit .dilnin dilema të mëdha:Të shkatërronte vlerat e konstruksionit në formë e në përmbajtje e të flinte rehat, sic bëri inxhinieri .tjeter që e prishi deri në themel Xhaminë e Parrucës, ndërtim i vitit 1939 ,apo të mendonte ta tjetërsonte në një objekt tjetër shumë të përdorur.
Të realizonte këte të dytën,duhet ta justifikonte deri në detaje çdo modifikim që do të bënte, sepse ndryshe, asaj politike, nuk i gjëndej karari,,ishte politikë”hyp se të vrava, zbrit se të vrava” Pra duhej bërë një plan dhe duhej gjetur një gjuhë që të mos vriste keq në qeveri, po edhe në popull,duke ditur se çfarë lidhje kishin njerëzit me këte tempull.
Inxh.Bujari,pas shumë projekteve dhe netëve pa gjumë , e bëri vetë punën e Orakullit.Nuk donte që të përsëritej syndromi i Kalasë së Shkodrës”Puno ditën dhe rrëno natën”por ta zëvendësonte me “Mendo natën dhe puno ditën”, pra vendosi ta ruante ndërtesen pa e prekur fare dhe ta tjetërsonte në një qendër sportive.
Mendonte se do te bëhej i besuar, pasi vetë ishte sportist(sa për dijeni, ai ishte sportisti dhe trajneri i Vllaznisë që i solli Shqipërise fitoren e pare, jashtë shtetit,në edicionin e Kupës së Europës në basketboll për meshkuj ,kur luajti me skuadren Turke “Gallata Saraj”, në Stamboll.)
E dyta ,ai nuk i përkiste fesë katolike, që qeveritarët antife, të mendonin të kundërten.
E treta,qyteti i Shkodrës nuk kishte një qendër sportive të lojrave me dorë të mbuluar,kështu kjo përshtatje do të plotësonte një boshllëk për të cilën ,kishin nevojë
qytetarët.
Në fillim u ndesh me kundërshtime,por ishte i gatshëm për cdo përgjigje sepse e kishte mirëmenduar planin që do të zbatonte.
Tavanin me dërrasa e ruajti ,ate e kishte punuar me aqë mjeshtëri inxhinieri Kolë Idromeno.Gjithashtu ruajti Altarin dhe Kupolen së bashku me dy kollonat dhe kornizat duke i justifikuar se i duheshin për të vendosur ndriçimin e sallës ku nuk do të dukeshin instalimet, ndërsa kollonat me gurë të latuar i veshi me dërrasa për t’i maskuar.
Po kështu veproi edhe me pikturat murale,ato me motive fetare i leu me gëlqere , që një ditë me një gërvishtje të lehtë mund të dalloheshin si me parë.Pikturat e kalasë e të qytetite , nuk i preku fare, ato e ruajtën deri tani dorën e ndritur të piktorit K.Idromeno.
Qelen ,vendin ,ku rrinin priftërinjtë e la të paprekur duke e justifikuar se nevojitej si hotel për sportistet .
Deri në 80-85% të punimeve kishte ruajtur edhe kompanjelin ,duke e justifikuar te zyrtarët që të përdorej si Belvedere nga ku mund të shijoheshin nga lartësia, pamjet e qytetit.
Këte nuk mundi ta realizonte sepse kur erdhi një ekip nga Tirana për të parë punimet, i thanë se nga jashte Kisha nuk ka ndryshuar fare, ,prandaj kompanjeli duhet të hiqej.
E pati te vështirë ta bënte këte sepse edhe për kompanjelin kishte punuar 5 vjet arkitekti Kolë Idromeno,për ta ngritur në lartësi me shkallë spirale të menduara mjeshtërisht prej tij.
Si përfundim përshtatja e Kishës në Pallat Sporti u prit mirë si nga paria e qytetit ashtu edhe nga Tirana.Pallati filloi të funksionojë duke e rritur më shumë popullaritetin në frekuentim .Edhe pse ajo u transformua në një objekt tjetër, emrin “ Kisha e Madhe” nuk e humbi kurrë.
Gratë katolike, të cilat kishin mundur të merrnin e të ruanin pjesë të hedhura gjatë punimeve, nuk mungonin t’i bënin ritet fetare, duke pasë përballë faltoren e tyre dhe e uronin inxh.Golemin “Uratën tonë more djalë që na e le në këmbë derën e zotit .
Viti 1990 erdhi si ogur i mirë për të gjithë shqiptarët ,lajmëroi lirinë shpirtërore.
Të gjithë besimtarët pa dallim feje ,me një solidaritet vëllazëror u nisën drejtë rindertimit të kishave dhe xhamijave ,fillimisht ato që ishin në këmbë.
Myslimanë dhe katolikë e patën më të lehtë të sillnin në gjendjen e mëparshme Kishën e Madhe dhe Xhaminë e Plumbit.Kështu Kisha e Madhe u riabilitua shumë shpejt, sepse inxh.Golemi ua kishte lënë gati cdo gjë.
Mendimi i inxhinierit mori vlera reale sa edhe vlerat e Katedrales.Po të kishin punuar edhe të tjerët si punoi dhe mendoi inxhinieri .ne fjalë, shumë konstruksione do të ishin ruajtur.
Kisha e Madhe u bë shpejt simbol i paqës i solidaritetit, i dashurisë njerëzore .
Ishte 7 Marsi i viit 1991, kur u hap Katedralja nga Father Aleks Baliqi, dhe Mesha e parë u celebrue nga Don Zef Simoni në prezencë të Nënë Terezës dhe të mijëra besimtarëve.
Por nuk vonoi 25 Prilli i vitit 1993 kur Xhon Pali I Dytë vizitoi Shqipërinë ,vizita e parë e një Pape në vendin tonë.Hirësia e tij e bekoi tokën shqiptare të nëpërkëmbur prej rregjimit komunist.Ishte një pritje e rrallë me një solemnitet hyjnor.
Eshtë po kjo Kishë që priti të mbijetuarin e terrorit komunist, Kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqi, i cili u varros po aty me 28 Janar 1997 per t’u perjetësuar në kohëra,vepra e tij.
Katedralja priti edhe shumë personalitete nga Vatikani,të cilët nuk kaluan pa e përshëndetur Inxhinier Bujarin,Inxhinieri u gjend i befasuar përballë tyre, ai nuk e kishte menduar se dikush,ndonëse nga larg, kishte akumuluar aqë shumë respekt për te, për t’ia shprehur një ditë,konsideraten e tyre të lartë për inxhinierin. Ata u shprehen me admirim :” ju e ruajtet autenticitetin e Kishës që ne nuk mund ta ribënim kurrë në formën e parë,atë konstruksion 150 vjeçar, sado që të mundoheshim.
Takimi me përfaqësuesit e Vatikanit i ngjalli shumë emocione inxhinierit.por falenderimet dhe mirënjohja që ata i shprehen Atij për veprën e mirëmenduar, i ofroi miqësi.
Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me një personalitet që në zjarrin e luftës së klasave tregoi maturi dhe kurajo për të qenë më afër popullit të tij ,duke u bërë simbol i shpirtit të gjërë e tolerant të shqiptarit.
Qytetarët e Shkodrës e vlerësuan dhe e respektuan në tërësi kontributin e Inxh Bujar Golemit, duke e zgjedhur Deputet të Partisë Demokratike, në legjislaturen e parë të Parlamentit të Ri Shqiptar.Sa per dijeni,ata që e votuan me shumë,ishin te zonës elektorale ku predominonte elementi katolik,duke mënjanuar rivalin e tij socialist që i përkiste fesë katolike.
Edhe pse kanë kaluar vite ,dikush duhet të kujtohet për ta paraqitur këte vlerë njerëzore sepse është shembull i mirë për brezat,sidomos sot që krijohen konflikte që nuk janë të pranueshme për Shkodrën, si model i tolerancës, e as për mbarë Shqipërinë.Sot me shumë se kurrë duhet të ushqehemi me dashuri , respekt dhe mirënjohje për njeri tjetrin, pa dallime në diferencat politike,fetare e njerëzore për ta konsoliduar me zotësinë tonë të ardhmen.
Mirënjohje dhe admirim për të gjithë ata që kontribojnë me vlera positive për vëllazërimin dhe progresin e shoqërisë shqiptare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- Next Page »