VATRA:Vatra dhe vatranët shprehin besimin dhe shpresën se idealet demokratike të Azem Hajdarit dhe bashkëluftëtarëve të tij demokratë, do të frymëzojnë qytetarët shqiptarë, që të kontribuojnë për të ndërtuar Shqipërinë Demokratike, Europiane, në vend të Shqipërisë së varfër, të pushtuar nga krimi, të zotëruar nga bandat, trafiqet e droga, nga korrupsioni./
TIRANË– Shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit është përuruar sot në Tropojë ku merrnin pjesë kryedemokrati Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi por edhe përfaqësues të trupave diplomatikë.
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur përurimin e shtatores së udhëheqësit të Lëvizjes Studentore Shqiptare të Dhjetorit 1991, Heroit të Demokracisë dhe ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Azem Hajdari në Tropojë.
Në vijim, mesazhi i Presidentit Meta iu përcoll të pranishmëve të shumtë në ceremoninë e përurimit të shtatores, që u zhvillua në qendrën e qytetit të Bajram Currit, nga Këshilltari Ushtarak i Tij, Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj.
Në mesazhin e Presidentit Meta ndër të tjera thuhet se, vendosja e monumentit të Azemit në vendlindjen e tij të shtrenjtë është një gjest fisnik mirënjohje, jo vetëm për kontributin e tij të pazakontë por edhe për vlerat shoqërore e kombëtare që kjo vatër e patriotizmit ka mbajtur në shekuj.
Në fjalën e tij, kreu i PD, Lulzim Basha tha se ka ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, kthimin e Azem Hajdarit në Tropojën e tij të shtrenjtë.“Këto male janë plot me heroizëm dhe lavdi. Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojës dhe ju jeni krenar për birin tuaj”, iu drejtua ai qytetarëve të mbledhur në qendër të qytetit.“Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdarit i detyrohemi shumë për ç’ka bëri për lirinë e gjithëve ne”, nënvizoi Basha, duke shtuar se, “kjo është vetëm njëra prej përmendoreve që ngrihen për të.
Në fakt, theksoi Basha, “përmendoren më të madhe, Azem Hajdari e ka në mendjet dhe zemrat tona. Ai vazhdon të na ndriçojë rrugën”.“Në mendjen dhe zemrat time, të mbarë rinisë shqiptare, kujtimi i Azem Hajdarit na shërben të kujtojmë se liria është gjëja më e çmuar në jetë. Tropoja sot është shumë e bukur me përmendoren e Azem Hajdari”, u shpreh kreu i PD .
Berisha: Azem Hajdari do të kthehej e do të shndërrohej në legjendën e vërtetë
Në përurimin e shtatores mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në fjalën e tij theksoi se, “Azem Hajdari do të kthehej e do të shndërrohej në legjendën e vërtetë. Do të ngrihej si luan mbi mitrolozët, përballë autoblindave, përballë një diktature më të rëndat e Evropës, do të brohoriste. Do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë dhe dinjitetit për shqiptarët, që shqiptarët të ngrihen kudo si njerëz me besim dhe krenarë”
Kryebashkiaku Dushaj: Djalin tonë e përcollëm të ri, dhe na u kthye në bronx
Ndërsa kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj në fjalën e tij u shpreh se, “djalin tonë të bukur e përcollëm të ri, dhe na u kthye në bronx. Azem, ti je gjallë dhe faleminderit që na dha mundësitë të ëndërrojmë”…
Nje pershednetje te veante ka derguar tek organizatoret e ceremonise Federata Panshqiptare e Amerikes permesso Kryetarit Dritta MIshto. Po e percjellim te plot:
PËRSHËNDETJA E VATRËS NË PËRURIMIN E SHTATORES SË HEROIT AZEM HAJDARI
I NDERUAR Z. BESNIK DISHA, KRYETAR I BASHKISE”BAJRAM CURRI”
E nderuar Familja e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari
Të nderuar deputetë të Parlamentit Shqiptar
Të nderuar Bashkatdhetarë
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ndjehet e vlerësuar, që t’ju përcjellë sot në këtë ditë të veçantë të përurimit të Shtatores së Dëshmorit të Kombit dhe Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, në sheshin me të njëjtin emër në Bajram Curri.
Ftesa Juaj na nderon, por në pamundësi për të qenë fizikisht me ju në këtë ditë historike, me shpirt jemi aty, me JU, me Azemin!
VATRA, ndjehet mirë që është një nga kontribuset modeste në këtë projekt që përjetëson Heroin e Demokracisë, tribunin e përmbysjes së komunizmit, ideatorin e Demokracisë,njeriun që vuri në themelt e Demokracisë Jetën e tij.
Heroi Azem Hajdari ishte mik i mirë i VATRËS. Ai u prit disa herë me respekt e nderime nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA gjatë vizitave të tij.
Po ashtu delegacioni i Federatës VATRA pati të gjithë përkujdesjen e Azem Hajdarit,gjatë vizitave që ajo bëri në Shqipëri, që nga marsi i vitit 1991, 92, 96 e më pas. Do të mbeten të paharruara nga Kryesia e Vatrës përkujdesja që tregoi Azem Hajdari gjatë viiztës që bëri këtu në Bajram Currin e Azemit, një grup vatranësh në prillin e trazuar të vitit 1998. Delegacioni i Vatrës, vizitoi të plagosurit e Luftës së Kosovës në Spitalin e Bajram Currit, solli nga Amerika ndihma, medikamente dhe mbështeti me kontribute financiare Luftën e Kosovës. Pikërisht në ato kushte të vështira Vatra pati ndihmën e pakursyer të Azem Hajdarit, siç e pat këtë ndihmë edhe gjatë vizitave të tjera.
Vatra dhe vatranët shprehin besimin dhe shpresën se idealet demokratike të Azem Hajdarit dhe bashkëluftëtarëve të tij demokratë, do të frymëzojnë qytetarët shqiptarë, që të kontribuojnë për të ndërtuar Shqipërinë Demokratike, Europiane, në vend të Shqipërisë së varfër, të pushtuar nga krimi, të zotëruar nga bandat, trafiqet e droga, nga korrupsioni.
Le të jetë kjo Shtatore, Jo vetëm një Kujtesë për heroin dhe Demokracinë reale, por le të shërbejë edhe si frymëzim për të realizuar aspiratat e Azemit dhe brezit të Tij, për një Shqipëri të demokratizuar sipas modelit amerikan.
KRYETARI
DRITAN MISHTO
Nju Jork, 27 tteor 2017