Përvoja e Gardës së New Jersey-it për ruajtjen e mjedisit dhe trajtimin e mbetjeve në ambientet ushtarake e civile/
Nga Shefqet Kërcelli/
Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-it, një ekip i kësaj Garde i përbërë nga zoti Chuck Appleby dhe N/Kolonele Viviene McNamara, nga data 8 deri më 11 mars 2016, zhvilluan një vizitë në Repartet kryesore të FA Shqiptare. Qëllimi i kësaj vizite është njohja me gjendjen e infrastrukturës së reparteve dhe punën që bëhet nga efektivat e Forcave tona të Armatosura për mirmbajtjen e tyre mjedisore dhe procesin e menaxhimit të mbetjeve. Më datën 8 mars, ushtarakët amerikanë vizituan Komandën e Forcës Detare, ku u pritën nga Zv/Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra dhe kuadro të shtabit të FD. Mbasi i uroi mirëseardhjen, Kapiten Agastra, fillimisht vlerësoi bashkëpunimin shumëvjecar të FA me Gardën Kombëtare të New Jersey-it si dhe ndihmën konkrete që ka përfituar Forca Detare nga ky bashkëpunim. Më pas Ai i njohu specialistët amerikanë me punën, strukturat dhe mjetet në dispozion të FD për mirmbajtjen e mjedisit dhe infrastrukturës jo vetëm në bazat e FD, por dhe mjedisin detar. Ndërkohë personeli i Forcës Detare gjatë vitit 2015, ka kryer disa operacione në ndihmë të komunitetit për pastrimin e mjedisit si në tokë dhe në det, theksoi zoti Agastra. Specialistët amerikanë të mjedisit vlerësuan masat organizative dhe teknike që ka zbatuar Komanda dhe repartet e FD për ruajtjen e mjedisit brenda kazermave dhe në teatrin detar. Në vijim të vizitës në FD, specialistët amerikanë vizituan Vendbazimin e Kepit të Palit. Këtu kolegët amerikanë panë anijen antindotje “Rodoni”, të destinuar për operacionet në det si dhe u njohën me gjendjen e infrastrukturës së vendbazimit të Kepit të Palit dhe trajtimin e mbetjeve mjedisore. Gjithashtu ata vizituan dhe godinën e Komandës së këtij vendbazimi, ku u njohën më historikun 45 vjecar të bazës së Kepit të Palit dhe traditën e detarisë së popullit tonë në vite. Mbas largimit nga Vendbazimi i Kepit të Palit, specialistët amerikanë bënë një vizitë të shkurtër në qytetin e Durrësit ku u njohën me disa objekte muzeale të këtij qytetit të lashtë, por dhe me bukuritë e resurset turistike të lagjes së vjetër dhe bregdetit të tij. Në zbatim të programit specialistët e Gardës së New Jersey-it vizituan dhe Reparte të Forcës Tokësore, Ajrore dhe Mbështetëse të FA, ku shkëmbyen eksperiencën në lidhje me trajtimin e mbetjeve në kazermat e tyre. Më datën 10 mars, në Qendrën e Menaxhimit të Materialeve dhe Laboratorin Qendror të FA, u zhvillua seminari me temë:-Trajnimi i personelit në mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe mjedisit në FA, procedurat që ndiqen për mbylljen e bazave dhe procesi i menaxhimit të mbetjeve”. Në këtë seminar morën pjesë specialistët e mjedisit nga cdo Forcë dhe personel të strukturave përkatëse të FA. Bazuar në përvojën e tyre disavjecare zoti Appleby dhe N/Kolonele McNamara, sollën në vemëndjen e specialistëve tanë gjithë procedurat që ndiqen në Gardën Kombëtare të New Jersey-it për menaxhimin e mbetjeve të ndryshme në ambientet ushtarake dhe civile ku operojnë strukturat ushtarake. Specialistët amerikanë shpjeguan me detaje të gjitha procedurat që ndiqen për menaxhimin e mbetjeve që shkaktojnë ndotje të ajrit, mbetjeve të rrezikshme, të lëngshme e të ngurta, ato natyrale, trajtimin e mbetjeve kulturore-historike, pesticidet, hidrokarburet, mbetjet radioaktive, kimike, toksike, përpunimi i ujërave të ndotura, mënjanimin e zhurmave dhe ndotjes akustike gjatë trajtimit të tyre, hartimi i politikave efikase për menaxhimin e mbetjeve mbas suprimimit të reparteve ose operacioneve të ndryshme ushtarake, etj. Niveli teorik i gërshetuar me eksperiencën e pasur dhe metodologjinë pedagogjike solli që pjesmarrësit të përfitojnë gjerësisht nga përvoja e Gardës Kombëtarë të New Jersey-it në praktikat që përdoren për mbajtjen në kontroll të mjedisit. Gjithashtu gjatë seminarit u shkëmbyen mendime për trajtimin e rasteve konkrete në repartet tona, eleminimin e tyre, mbështetjen financiare si dhe përpjekjet për hartimin e masave ligjore dhe administrative për gjithë ndotësit e mjedisit në cdo ambient ushtarako-civil. Në zbatim të standarteve në kuadrin e NATO-s, Forcat tona të Armatosura kanë një plan masash për menaxhimin e mbetjeve të ndryshme në infrastrukturën dhe ambientet ushtarake. Pikërisht përvoja që sollën specialistët e Gardës Kombëtare të New Jersey-it i shërbeu më së miri realizimit të synimeve e objektivave që kanë Forcat tona të Armatosura në lidhje me këtë cështje. Duke e parë më larg, eksperienca dhe aktivitete të tilla janë pjesë e atij programi të madh që presidenti Obama dhe Shtëpia e Bardhë kanë hartuar për ndryshimet klimaterike dhe ruajtjen e mjedisit në planetin tonë. Së fundmi dua të sjell në vemendjen e lexuesve të “Diell-it” një fakt se, bashkëpunimi i Forcave tona të Armatosura me Gardën Kombëtare të New Jersey-it ka filluar që në vitin 1993, në kuadrin e PfP, në gjithë fushat. Ndërkohë që vendin tonë gjatë këtyre viteve e kanë vizituar të gjithë Komandantët e kësaj Garde, përfshi atë të janarit 2015, ku vendin tonë e vizitoi Gjeneralbrigade, Michael Cunniff. Në sajë të këtij bashkëpunimi të frutshëm, gjatë këtyre 23 viteve, Forcat tona të Armatosura kanë përfituar miliona dollarë ndihma në arësimimin e trajnimin e ushtarakëve shqiptarë, asistencë teknike, pajisje, etj. Mirënjohje dhe respekt për Gardën Kombëtare të New Jersey-it!
Shënim: Shkrimi do jetë pjesë e librit, “Bashkëpunimi ushtarak Shqipëri-Amerikë gjatë një shekulli”.