KUJTESE:Në muajin qershor të këtij viti, futbolli korcar dhe komuniteti shqiptaro-amerikan korcar, në Amerikë, do të tronditej, nga ikja e parakohëshme e djalit guximtar dhe trimit korcar, Petrika Tole, një prej futbollistëve me emër, mbrojtësit me fanellën nr 8 i klubit të Futbollit “Skëndërbeu” i Korcës, dhe anëtar i ekipit kombëtar Shpresa, në vitet ’70-të, Petrika Tole/
Nga Raimonda MOISIU/
Sikush nga ne, afër dhe larg, dëshiron të sjellë në kujtesë dhe të promovojë vlera qytetare, që në etapa dhe forma të ndryshme, në ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, nëpërmjet kontributit të tyre modest dhe historik, kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë, mesazhe modeste e komplekse, dialogimin e së kaluarës, qartësinë e së tashmës dhe udhën e së ardhmes, ndjenja të shpallura këto, për të kuptuar festën e jetës, krenarisë, dhe përjetësisë. Vlera që sigurojnë identitetin e qytetarisë dhe inteligjencës korçare, sfidës, për të kuptuar dritën që ata lanë pas, duke bërë të njohur emrin dhe kontributin e vlerave kombëtare dhe historike të jetës social -kulturore, tema dhe jetë interesante, vlera e personalitete që duhet të respektohen e nderohen në cdo kohë dhe të marrin vendin e merituar në histori, art e kulturë. Sikundër dihet nostalgjia, respekti e nderimi na bën mirë për të kaluarën, dhe për t’i lënë trashëgim brezave të ardhshëm dhe kujtesës së kombit. Të mos harrojmë se Korca e kulturës e qytetërimt ka pasur njerës që nga filantropistë dhe artistë, sportistë dhe shkrimtarë, intelektualë e qytetarë të devotshëm, që kanë shkrirë, vrullin, pasurinë, shpirtin talentin dëshurinë për vendlindje, komb e dinjitet, dhe ia kanë dalë: Shkruan historinë! Kësaj here në vëmendje do të dëshiroja të rikthehem te një ndër vlerat sportive të qytetit të Korcës, futbollit korcar, dhe pikërisht, e një prej ikonave të futbollit korcar, Petrika Tole.
Në muajin qershor të këtij viti, futbolli korcar dhe komuniteti shqiptaro-amerikan korcar, në Amerikë, do të tronditej, nga ikja e parakohëshme e djalit guximtar dhe trimit korcar, Petrika Tole, një prej futbollistëve me emër, mbrojtësit me fanellën nr 8 i klubit të Futbollit “Skëndërbeu” i Korcës, dhe anëtar i ekipit kombëtar Shpresa, në vitet ’70-të, Petrika Tole. Për t’u njohur me figurën dhe profilin njerëzor, sportiv, qytetar dhe intelektual të Toles, falë talentit dhe fizikut të tij prej atleti, energjik, pasionant i futbollit, adhurues i futbollit, falë inteligjencës dhe këmbëve të forta në fushën e lojës, Tole, sikundër e thërrësin korcarët, fitoi shumë shpejt zemrat e publikut futboll-dashës korcar dhe atij shqiptar në tërësi. Lajmi i trishtë se një nga ikonat e futbollit korcar, një mbrojtës i mirë dhe luftarak, i pakalueshmi dhe njeriun që adhuruan në futboll, Petrika Tole u nda nga jeta, u prit me dhimbje e dëshpërim të thellë nga familja, bashkëshortja e fëmijët, nga publiku sportdashës korcar dhe shqiptar, vecmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik dhe koleg, shprehnin ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjetin social e shtypin shqiptar. Në një bisedë ngushëlluese telefonike që pata me bashkëshorten e Toles, znj. Valentina Cini Tole, kërshërisë sime për të ditur më shumë rreth ish -futbollistit korcar, mbrojtësit me nr 8, znj. Tole, e respektoi dhe ndjehu një moment homazhi malli, mungese, dhimbje, dashurie dhe admirimi, për njeriun që e pati pjesë të jetës së saj për 30 vjet, duke e vlerësuar edhe si një tribun promovues dhe përcjelljen e vlerave njerëzore, sportive dhe qytetare.
Origjina, familja dhe talenti i një sportisti me emër
Babai i Petrika Toles, ka qenë boksier me kampionin e amerikës Latine, Rafael Dishnica-Gërnjoti, dhe Pandi Shano, Ali Kastrati, Thanas Qafzezi, etj. Ndërsa xhaxhai i tij, Stavri Tole ka qenë futbollist, por për Petrikën, mund të them, se ai e kishte edhe dhunti, i lindur për të luajtur futboll. Petrika kur ishte vetëm nëntë vjet aktivizohet në ekipin e fëmijëve me trainierin e mirënjohur korcar, i ndarë edhe ai para disa muajve nga jeta, Trajan Veriga. Më vonëkaloi në ekipet e tjera me tranierët: Kosta Koco dhe Petro Mile, -nis të tregojë, Valentina.
Peti, -sikundër e thërrisnim në familje,- ishte njeri me një zemër të madhe dhe me vullnet të celiktë. Ai kishte sedër, bënte të pamundurën të arrinte cdo qëllim që i vinte vetes. Në vitet ‘71-‘72, ai ka luajtur me të rinjtë dhe ka dalë golashënuesi më i mirë me 36 gola. Ka luajtur me Shpresat për kampionatin ballkanik, në Rjekë, Selanik, dhe Shkup. Si viti më i mirë i tij kanë qenë, vitet ‘76-‘77-ë, kur ekipi i futbollit “Skënderbeu” zuri vend të dytë. Më duhet të përmend një moment emocional, që e sjell gjithmonë në kujtesë: Në atë kohë unë i ndiqja ndeshjet e Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, të Korcës, si një adhuruese e futbollit dhe skuadrës së qytetit tonë, pa e ditur se në të ardhmen, njëri prej tyre e pikërisht Tole, më vonë do ishte bashkëshorti im. Një nga ndeshjet më të bukura të tij, ka qenë me skuadrën e “17 Nëntori”, në Korcë , Petrika shënoi në atë ndeshje, dhe gjithë stadium në korr thërriste emrin e tij, gjatë gjithë kohës; Tole, Tole! Me golin e shënuar nga Tole, ekipi i “Skënderbeu”-t, fitoi ndeshjen. Momenti më i vështirë në karrierën sportive të futbollit, për Tolen, ka qenë përsëri me ekipin e futbollit të “17 Nëntori”-t, por kësaj rradhe në Tiranë.
Petrika në fillim të ndeshjes u godit në kokë, ra në koma dhe u rikuperua pas 21-ë ditë, ndeshje të cilën e kam parë në TV-n.Një moment i vështirë dhe i dhimbshëm për të gjithë ne si familje, por edhe për sportdashësit korcarë. Këtu dua të shtoj edhe dicka tjetër; Petrika luante fort, por nuk godiste, nuk i dëmtonte të tjerët.
Në vitin 1997-ë, emigruam në SHBA-s, nëpërmjet llotarisë amerikane dhe u vendosëm në Cikago, shtetin e Illionis. Sigurisht largimi nga vendlindja, Korca, që Peti e donte aq shumë dhe ndarja me futbollin korcar, ishin brengat e tij, i cili do t’i vuante deri në fund të jetës së tij. Si gjithë emigrantët edhe në hasëm vështirësitë, por shpirti i lirë dhe optimist i Petit, na inkurajonte për t’i kaluar lehtë ato. Ai nuk dinte të fliste anglisht, po ashtu edhe ne, por me guxim, mëndje të shëndoshë e krahëtë fortë, ai mori patenten CDL-truck-driver-(shofer kamioni), për të drejtuar makinat e mëdha,pra në transportin amerikan. Pra, ai ish -futbollisti, me këmbët e forta në fushën e lojës, tanimë, i binte Amerikës kryq e tërthor, me po ato këmbë të forta duke ngarë kamionin e tonazhit të rëndë, ditën e natën,për një javë rresht. Amerika është toka e mundësisë dhe Peti hapi kompaninë e tij, në kontratë me FEDEX, duke punësuar dhjetëshoferë të tonazhit të rëndë, shumica prej tyre, amerikanë. Petrika punoi shumë fort, fitoi respektin e të gjithëve, por edhe ne na e bëri jetën të bukur e të lehtë në Amerikë.
Petrika e pëlqente futbollin,ishte pasionant dhe adhurues i futbollit. Ai ndiqtepothuajse cdo ndeshje të ekipit korcar “Skënderbeu” dhe të kombëtares shqiptare, edhe këtu në Amerikë. Kënaqej me fitoret e ekipit të “Skënderbeu”-t, skuadrës së tij të zemrës që e donte aq shumë, ku u rrit u formua si një futbollist i mirënjohur dhe i dha aq shumë nga shpirti forca e talentit dhe inteligjencës së tij, në fushën e lojës. Emisionet sportive ishin të preferuarat e tij të djelave. Nga skuadrat e huaja pëlqente Gjermaninë. Bashkëshorti im, dhe ai ish-futbollisti i mirënjohur korcar, ishte një shpirt dhe njeri i lirë. Petrika gëzohej për cdo arritje të shqiptarëve këtu në SHBA. Kishte edhe shpirtin e bamirësit, ndihmonte me gjithë shpirt këdo që i kërkonte ndihmë. Petrika, si cdokush nga ne e donte jetën. Kishte shumë plane për të ardhmen, por sëmundja e papritur dhe ikja e parakohëshme, bëri që këto projekte të mbeten në mes. Kishte shumë mall për Korcën, miqtë e tij të shumtë, stadiumin e vendlindjes, i mungonin sportdashësit korcarë, brohoritjet e tyre në korr, dhe një nga dëshirat e herëshme të tij, ishte të kthehej në Korcë. Momentet e fundit të jetës, na la amanet të prehej në vendlindje, dëshirë që ne familja e tij, unë e djemtë me dhimbje e dashuri ia plotësuam. Petrika Tole,një nga ikonat e futbollit korcar prehet tashmë në varrezat e qytetit të tij të shtrënjtë, Korcës. Na mungon shumë, vecmas djemëve të tij, akoma më shumë. Ai ishte shoku, miku, mentori, heroi dhe shëmbulli i sakrificës, punëtorit të palodhur, që me mund e djersë, bëri edhe amerikanët të punojnë për të. Ai ishte simboli i bashkëshortit shëmbullor dhe babait të përkushtuar e të dashur. Djemtë e adhurojnë shumë personalitetin e Atit të tyre dhe e mbajnë atë udhërrëfyes në jetën e tyre, -përfundon rrëfimi e saj, znj. Tole.
Postcriptum
Në dt.13 shtator 2016, në ambientet e bibliotekës “Thimi Mitko”, të qytetit të Korcës, u mbajt Eventi përkujtimor , Rikthim ndër vlera, – In Memoria -të dy ish-futbollistëve të ekipit “Skënderbeu” i Korcës, i dy ikonave të futbollit korcar, ndare nga jeta këtë vit, -Maksim Tuxhari, i vlerësuar si Balerini i Futbollit Korcar, dhe Petrika Tole,- mbrojtësin e mirë të kohës, futbollistin e përkryer, trimin e guximtarin, Tolen e “Skënderbeut”, dhe futbollit Shqiptar, du futbollistë me simbolikën e përbashkët -fanellën me nr 8! Një aktivitet i këndshëm dhe një përkujtim i mrekullueshëm i ideuarnga publicistja dhe shkrimtarja korcare me banim në Amerikë, Raimonda Moisiu dhe mbështetur plot qytetari e profesionalizëm, nga legjendat e futbollit korcar e shqiptar, ikonat;, Teodor Vaso dhe Aleko Pilika, për njohjen e vlerave dhe kontributit të tyre cilësor të këtyre figurave të futbollit korcar. Më duhet të theksoj edhe mbështetjen morale e financiare, të familjeve Tuxhari dhe Tole. Për t’u njohur me figurën e tyre miq shokë kolegësi ikonat e futbollit korcar ndër vite, Dhimitraq Dembo, Aleko Pilika, Neim Tuxhari, Vasillaq Thimo, Xhambazi, Stratobërdha, aktori i mirënjohur korcar Guri Koco, etj, dhe të afërm sollën kujtime, mbresa dhe momente të paharruara e mbresëlënëse për profilin e tyre njerëzor, sportiv qytetar dhe intelektual.
I përjetshëm kujtimi dhe kontributi i tyre sportiv.