• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjalët e huaja në gjuhën shqipe, pranimi dhe mënjanimi i tyre

January 4, 2018 by dgreca

1 Petrit Malushi 2Nga Petrit Malushi/ Gjuha shqipe standarde apo zyrtare, veç rrugëve fjalëformuese me prejardhje (parashtesim, prapashtesim, parashtesim dhe prapashtesim), përbërje dhe përngjitje, gjallon edhe në sajë të marrëdhënieve me dialektet dhe me gjuhët e tjera. Për dialektet nuk përjashtohet mundësia që këto marrëdhënie të rezultojnë të ndërsjellta. Raste të tilla ka dhe me gjuhët e tjera. Ajo, gjuha shqipe ushqehet prej dialekteve dhe gjuhëve të huaja dhe bashkëjeton me to. Sigurisht parësor janë dialektet.  Kështu, shtresa qendrore standarde ka si  shtresa anësore ato të dialekteve dhe të fjalëve të huaja. Nëse shtresimet e gjuhës i konceptojmë si rrafshe rrethorë, rrafshi standard ndodhet  midis dy të tjerëve. Nga ky këndvështrim, një gjuhë  zyrtare shtetërore apo standarde vendos marrëdhënie të brendshme me dialektet dhe të jashtme me gjuhët e tjera. Edhe pse në pozicion qendror ndaj këtyre dy rrfasheve anësorë, për gjuhën standarde ata janë jetësorë dhe zhvillues.

Marrëdhëniet në planin e brendshëm

Me planin e brendshëm marrëdhëniet janë të buta për arsye se vetë përdoruesit e gjuhës standarde e zyrtare janë njëherësh edhe përdorues e  bartës të fjalëve, togfjalëshave, njësive frazeologjike, fjalëve të urta dialektore dhe nëndialektore. Kontaktet midis tyre janë të përditshme dhe me kalime të shpeshta nga njëra situatë ligjërimore në një tjetër. Lidhjet shoqërore,miqësore, grupet komunitare në pallat, në punë, në rrethet intelektuale janë të hapura për këdo, gjithpërfshirëse dhe asnjëherë përjashtuese nga ndryshesat në të folme. Po ashtu tematikat e bisedave, diskutimeve, komunikimeve janë të lira dhe secili folës shprehet pa tundim. Pra elementet dialektorë dhe standard familjarizohen e bashkëjetojnë në harmoni e pa trysninë e njëri-tjetrit. Kjo sjell begati dhe pasurim të gjuhës.

Marrëdhëniet në planin e jashtëm

Me planin e jashtëm panorama është krejt tjetër. Marrëdhëniet paraqiten më të ngurta. Pavarësisht kësaj ekzistojnë faktorë, të pashmangshëm e favorizues që imponojnë proceset e marrjes, të futjes dhe të pranimit të fjalëve nga gjuhë të tjera.   Ndër ta mund të përmendim pranëndodhjen e shteteve, megjithë egzistencën e  kufijve fizikë, apo marrëdhëniet ndërshtetërore midis vendeve të ndryshme kur, largësitë gjeografike në sajë të zhvillimeve të shkencës e teknologjisë, sot janë bërë të papërfillshme. Pranëekzistenca e gjuhëve të folura dhe të  shkruara, ka qenë, është dhe do të jetë një realitet që nuk mund të mos merret në konsideratë. Në këtë plan dhe përtej tij, në një shtrirje shumë më të gjerë dhe më të largët, midis vendeve me gjuhë të ndryshme, shfaqen marrëdhëniet dhe bashkëpunimet në fushat ekonomike, kulturore, politike, lidhjet shoqërore, sociale, familjare, profesionale, emocionale etj. që kanë qenë e janë në linjë vazhdimësie. Mbizotërimi në gjuhën standarde, qoftë i fjalëve që janë prurje nga dialektet, qoftë i fjalëve që hyjnë nga gjuhë të  tjera, ndaj fjalëve që janë aktualisht në  përdorim, lidhet me lehtësinë komunikuese që ato ofrojnë dhe preferencat e folësve.

Realiteti lë për të dëshiruar

Nga të dy lëvizjet ndërgjuhësore të mësipërme, gjuhë standarde-dialekte, gjuhë standarde-gjuhë të tjera,vetëm lëvizjet në planin e dytë, gjithmonë kur janë të panevojshme, sjellin deformime gjuhësore, shformime të paradigmave, të sistemit etj. Duke pranuar gjendjen reale të gjuhëfolësve, kemi një shfaqje jo të kënaqëshme në favor të gjuhës shqipe standarde zyrtare. Ajo lë shumë për të dëshiruar, pasi nuk janë të pakta rastet e futjes së fjalëve të huaja, kur nuk e justifikojnë plotësisht qenësinë  e tyre, apo kur për to ka fjalë gjegjëse. Nuk duhet harruar se dhënësit e marrësit e dy gjuhëve të ndryshme,në çfarëdo lloj konteksti janë folës dhe përdorues të gjuhëve amëtare, që pashmangshmërisht prodhojnë situata komunikuese dy e tri gjuhëshe.  Nga sa u renditën më lart dhe për shumë arsye  të tjera në marrëdhënie dygjuhësie në shumë raste, përjashto ato zyrtare, janë të pamundura vendosjet e filtrave të komunikimit standard. Një klimë e tillë për leksikun e  njërës prej gjuhëve, asaj marrëse, këtu kemi parasysh shqipen, mbart krahas prurjeve të dobishme edhe prurje të padobishme, pra futen fjalë dhe shprehje që pranohen, ndërkohë që ka edhe nga ato që duhen mënjanuar.

Pse ndodh kështu ?

Ndodh kështu sepse, shumë prej përdoruesve të gjuhës pritëse, e tillë në këtë shkrim konsiderohet shqipja, pra folësve edhe pse pajisen me dokumente shkollore për përfundimin e një cikli, nga i ulëti deri te më i larti, apo sistemi arsimor, nga parauniversitari deri te pasuniversitari, janë në nivele të ulëta gjuhësore. Nivelet kulturore dhe qytetare, duke iu referuar të folurit dhe të shkruarit standard, janë larg asaj që pretendohet. Instancat arsimore punojnë shumë pak ose aspak për ta kthyer në normë zbatimin e rregullave gjuhësore drejtshkrimore e drejtshqiptimore. Në të shumtat e rasteve vetë stafet pedagogjike nuk janë në lartësitë e duhura gjuhësore. Kërkesat ndaj nxënësve dhe studentëve janë  minimale e tolerante.

Shtetarët në hallka të ndryshme përfaqësimi e drejtimi, deri në ato më të lartat kuvendore e ministrore, gjatë komunikimeve zyrtare apo spontane zbresin në nivele të padëshirueshme ligjërimi. Punonjësit, edhe kur pozicioni e kërkon formimin gjuhësor,nuk u nënshtrohen provimeve gjuhësorë. Institucionet qofshin zyrtare apo private drejtohen nga punonjës që kërkesat gjuhësore nuk i renditin asgjëkundi, pasi sukseset ose mossukseset i lidhin vetëm me interesat dhe aftësitë komerciale. Indiferenca e tyre reflektohet si  në komunikimet zyrtare edhe në hartimet e dokumenteve. Botimet zyrtare, shkollore apo edhe të tjera, përmbajnë gabime drejtshkrimore dhe formulime me deformime konceptuale. Po ashtu edhe botimet letrare për fëmijë dhe për të rritur, krijimet e mirëfillta, përkthimet dhe përshtatjet jo pak herë janë të pakontrollueshme prej specialistëve të gjuhës, duke sjellë kështu edhe ulje të vlerave edukative e estetike.

Mediat e shkruara dhe mediat vizive kanë pak gazetarë profesionistë dhe me nivel cilësor, që janë të përpiktë në të shkruar dhe në të folur. Përpos, thuajse të gjithë vuajnë nga mania e shumëpërdorimit të fjalëvë të huaja, ku duhet dhe ku nuk duhet, sikur garojnë kush të përdorë më tepër prej tyre. E njëjta situatë shpaloset edhe në spektaklet televizive. Rrjetet e reklamave, ato tregëtare, dekoret dhe tabelat orientuese janë të ngarkuara me gabime të pafalshme.  Lëvizjet e popullsisë shoqërohen me „përshtatjen“ e të folurit, pa asnjë lloj pretendimi, në mjedisin ku jetohet dhe zhvillohet aktiviteti ekonomik. Rrethet familjare tek çdo individ krijojnë shtresën e parë të fjalorit komunikues që është larg atij që mbahet si normë. Migrimet dhe kontaktet me botën e jashtme, në mënyrë të imponuar apo me dëshirë, mbartin mangësitë dhe boshllëqet e pastërtisë dhe kapaciteteve gjuhësore. Shteti, pavarësisht kush e ka patur drejtimin e tij në dhjetëvjeçarët e fundit, asnjëherë nuk e ka parë seriozisht problemin e zhvillimit të gjuhës si elementin më dallues dhe më kryesor të ekzistencës së kombit tonë.

Me përjashtim të disa gjuhëtarëve dhe specialistëve të gjuhës, që me shumë vështirësi u krijohen hapësira publike në median e shkruar dhe median elektronike, për sensibilizim dhe për të shprehur opinione në dobi  të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës sipas rregullave, askush tjetër nuk shqetësohet, edhe pse ka nga ata që paguhen  dhe kanë tagër për të ndërhyrë e parandaluar çdo shkelje.

Pranimi i fjalëve të huaja 

Të gjithë faktorët e mësipërm ndikojnë drejtpërdrejt dhe duhen marrë në konsideratë për zhvillimin dhe ruajtjen e pastërtisë së një gjuhe. Problemi shtrohet që fjalët e huaja duhet të merren prej një gjuhe tjetër vetëm atëhere kur futja e tyre është e domosdoshme. Gjithçka lidhet me efektivitetin në fushën e përdorimit të tyre. Pas viteve ´90 për qytetarët shqiptarë, në mënyrë të veçantë për ata brenda kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, u krijua një realitet i ri në të gjitha drejtimet, i cili vazhdon të jetë dhe sot dhe do të jetë i tillë edhe në të ardhmen. Në vendin tonë vërshuan ndihma nga të huajt, asistenca nga të huajt, firma të huaja, biznese të huaja, specialistë të huaj, puntorë të huaj, tregëtarë të huaj, veprimtari me të huajt, emigrim tek të huajt, punësim tek të huajt, miqësi me të huajt, shoqëri me të huajt etj, etj. Por ky realitet perceptohej, përshkruhej, përjetohej, përcillej nëpërmjet ligjërimeve, interpretimeve e dëgjimeve edhe me fjalë e koncepte të reja. Kështu u futën fjalë e shprehje të reja në politikë, në ekonomi, në ndërtim, në biznes, në administrim, në arsim, në shkencë,në mjekësi, në elektronikë,në nivel jetese,në mjete konsumi,në turizëm etj.E këtu ka nga ato fjalë që pranohen e futen në fondin e leksikut të shqipes, por ka edhe nga ato që duhen mënjanuar.

Mënjanimi i fjalëve të huaja               

I mëshojmë faktit për mënjanimin e fjalëve të huaja, gjithmonë diskutojmë rastet kur për to ka fjalë gjejgjëse në gjuhën shqipe, sepse ato, fjalët e huaja i përkasin fondit leksikor të një gjuhe tjetër. Veç kësaj, në të tilla raste fjalët e huaja, që pavarësisht se në çfarë rruge a forme hyjnë dhe kush i fut, mbartin rrezikun e shformimit të elementeve të sistemit gjuhësor në veçanti dhe në tërësi. Gjatë „jetesës“  çdo fjalë e fondit të gjuhës shqipe krijon shtratin e saj në familjen e fjalëve, fushën leksikore, kontekstet e përdorimit dhe situatat ligjërimore. Po përpiqemi, me disa shembuj të argumentojmë më konkretisht çrregullimet që ndodhin në sistemin tonë gjuhësor prej pranimit të tyre.  Po kufizohemi vetëm tek familjet e fjalëve, që përbëhen nga fjalët me të njëjtën rrënjë, dhe fushat leksikore të tyre.

Fjala e huaj aplikacion në shqip ka gjegjëse fjalën kërkesë. Por nëse fjala kërkesë kalon nga fjalori aktiv në atë pasiv, apo në një të ardhme mund të dalë prej përdorimit, kjo do të pasqyrohet edhe në fjalët e familjes së kësaj fjale, e krijuar në dhjetra e ndoshta qindra vite e vite me të gjitha mjetet dhe mënyrat fjalëformuese (kërkoj, kërkim, kërkues, i kërkuar, i shumëkërkuar, kërkesëpadi etj). Më tej, sipas kontekstit të përdorimit dhe situatës, e njëjta gjë ndodh me këto fjalë edhe në fushat leksikore përkatëse të secilës: arsim,ekonomi, politikë,kulturë,ndërtim,art etj. Po t´i  shkojmë deri në fund zëvendësimit të plotë, a mundet në këtë rast te emri i  përbërë kërkesëpadi të themi dhe të shkruajmë aplikacionpadi apo te mbiemri i shumëkërkuar të shprehemi i shumëaplikuar ?!

Audiencë është një tjetër fjalë e huaj që gjegjëse në shqip ka fjalën dëgjues, e cila i përket klasës së emrave dhe bën pjesë në familjen e fjalëve ( dëgjoj, dëgjim, i dëgjuar, i padëgjuar, i mirëdëgjuar etj). Nuk dihet se si do të vepronin „ të pasionuarit“ e përdorimit të fjalës audiencë, nëse do t´u kërkohej ta zëvendësonin atë në rastet e mësipërm, që për rrënjë kanë fjalët e kësaj familjeje ?!

Kurator- kujdestar (kujdes, përkujdes, përkujdesje, i kujdesshëm, i pakujdesshëm, i shkujdesur etj).

Anunçoj-vendos (vend,vendim,vendimtar,i vendosur,i pavendosur,vetvendos etj). Kredibilitet-besueshmëri (besoj, besë, besim, i besueshëm, i pabesueshëm, i besës, i pabesë, besëprerë, etj).

Donator-dhurues (dhuroj, dhuratë, dhurim, i dhuruar etj).

Relaks – çlodhje (lodh, lodhem, lodhje, çlodh, çlodhem, i lodhur, i çlodhur, i palodhur,etj).

Inicoj – filloj (fillim, fillesë, fillestar, i filluar, i pafilluar etj).

Benifice – përfitim (fitoj, fitim, fitues, perfitoj, përfitues, etj ).

Dedikim-përkushtim (kushtoj, kushtim, përkushtoj, i përkushtuar, etj ).

Rastet e renditura, si shembuj ilustrimi, janë fare pak në raport me numërin e rasteve të shumtë të futjes dhe përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe. Por këto dukuri negative vërehet në të gjitha përdorimet.

Ngushtimi i përdorimit

Një fenomen tjetër është ai i ngushtimit të rasteve të përdorimit të fjalës së huaj, në krahasim me fjalën shqipe që zëvendëson. Zëvendësimet rrallë herë janë të plota, në të gjitha kuptimet, pasi në më të shumën janë të pjesshme. Edhe këtë po përpiqemi ta argumentojmë me disa raste ilustrues.

Fjala e huaj tranzicion në gjuhën shqipe përdoret si zëvendësuese ose sinonim i fjalës kalimtar në nocionin kohor. Fusha më e përdorshme është ajo e ligjërimeve  politike : vite tranzicioni, periudhë tranziconi, etj. Por fjala kalimtar në gjuhën shqipe ka shtrirje shumë të gjerë përdorimi : çast kalimtar, person kalimtar, vend kalimtar, metodë kalimatare, formë kalimtare, udhë kalimtare, shteg kalimtar etj.      Kështu ndodh edhe me fjalën e huaj implementim, që zëvendëson edhe kjo në të shumtat e rasteve në fjalorët e politikanëve dhe të pushtetarëve, fjalët realizim ose përmbushje. Por shqipfolësit brenda Shqipërisë, në Kosovë,  Maqedoni,  Mal të Zi,  Greqi, Itali, Amerikë e kudo jetojnë flasin e shkruajnë me njëri-tjetrin edhe për realizim e përmbushje dëshirash, realizim detyrash, realizim objektivash, realizim endrrash etj.

Luk (look) për më tepër në fushën e modës, përdoret në vend të fjalës shqipe pamje, vetëm kur dikush i bën komplimenta dikujt për veshjen, flokët apo diçka që lidhet me pamjen e tij, ose kur mbahet parasysh pamja e një sendi a objekti. Por, të vërejmë se sa shumë përdoret fjala pamje : pamje e pjesëshme, pamje e plotë, më ke zënë pamjen, pamje nga Veriu, Pamje nga Jugu, pamje e kufizuar, pamje ballore, pamje anësore, pamje horizontale, pamje vertikale, pamje nga fundi, pamje nga e maja, pamje nga lartë-poshtë, pamje nga e majta në të djathtë etj.

Shou përdoret me kuptim të drejtpërdrejtë për një veprimatri artistike ose me ngarkesë negative, në rastet e mospëlqimit të veprimit të dikujt, për të zëvendësuar fjalën shqipe shfaqje. Nëse edhe këtu ecim me llogjikën e rasteve të mësipërm, ja sa shumë shtrirje ka përdorimi i fjalës shfaqje : shfaqje e hijshme, shfaqje e pahijshme, shfaqje me nivel, shfaqje pa nivele, shfaqje e huaj, shfaqje e bukur, shfaqje e pëlqyeshme, shfaqje e papëlqyeshme, etj.

Për të mos i lodhur lexuesit në këtë plan analitik, për mënjanimin e futjes së fjalëve të huaja në fondin e gjuhës shqipe kur ato janë të panevojshme dhe kanë fjalë gjejgjëse, gjykojmë se shembujt e mësipërm janë të mjaftueshëm për të parë konkretisht se çfarë shformimesh e çrregullimesh sjellin në sistemin gjuhësor. Pë ata që kërkojnë më shuëm raste, po sjellim edhe disa:

konsensus-marrëveshje, internet-rrjet, uikend-fundjavë, guida-drejtim, okej-mirë, puntatë-pjesë,seri, memo-kujtesë, involvoj-përfshij, lavastovile-enëlarëse, kreativ-krijues, tost-bukëthekëse, vakant-i lire, etj,etj…

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe mënjanimi i tyre, Fjalët e huaja në gjuhën shqipe, Petrit Palushi, pranimi

ANA FRANK E KOSOVES: PSE, VERTETE QAJNE DHE SHKIJET?

January 6, 2013 by dgreca

NGA PETRIT PALUSHI*/

Po përcjellim disa fragmente nga ditari i çuditshëm i Rreze Abdullahut (vajzës nga Ferizaj – Kosovë), që po përgatitet për shtyp. Rrezja ka mbajtur shënime, në një fletore shkolle, në pranverë të ’99, kur asokohe qe vetëm 9 vjeçe. Në nëntor të 2012-s, e gjeti atë fletore dhe, me mirëdashjen e vet, na e ofroi ditarin, që të marrë udhën e botimit.Tani, rreth 14 vjet mbas asaj kohe që shkroi ditarin, Rrezja është studente e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Në këtë ditar, është përshkrimi i luftës dhe gjithçka përreth me sytë e një fëmije. Drama e atyre ditëve është e pranishme në çdo fletë. Dhe, Rrezja, nuk e sheh luftën si lodër, por si realitet. Ajo veneron edhe imtësi, të denja për një prozë të kultivuar artistike. N’ato ditë dramatike ajo gjen kohë edhe të ëndërrojë: kur të rritej, të shkonte në Amerikë, të bëhej gazetare e të shkruante çfarë kishte pa me sytë e saj, duke harruar se, pikërisht mu në moshën 9-vjeçare, ajo po linte dëshminë e saj tronditëse. Në ditar, janë edhe shënimet e datës 10 prill 1999, ditën kur Rrezja mbushte 9 vjeç. Krejt fleta e ditarit më bëri përshtypje, por sidomos fraza: “Unë veç s’po due me vdekë, po due me qenë gjallë… “, e cila më kujtoi nji varg të poetit të njohur I. Sarajliq: “Të gjitha i kam provuar, përveç vdekjes”. Fleta e ditarit përmban edhe të papritura të tjera. Rrezja shkon te ushtari serb që i ruante dhe i thotë se kishte ditëlindjen dhe e pyet se a kishin me i vra. Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet se kishte kujtuar se “shkijet nuk qajnë”.

Në vitet e Luftës së Dytë botërore, Ana Frank dëshmoi për Holokaustin. Në vitin 1999, thuajse 70 vite më vonë, Rreze Abdullahu dëshmoi për mizorinë e ushtrisë dhe milicisë serbe mbi Kosovën. Analogjitë s’janë të rastit dhe do të jenë të pranishme, derisa bota të shlirohet nga eksperimentimi i metodave mesjetare edhe në kohnat moderne.
Ditari i Rreze Abdullahut është dëshmi e asaj çka ndodhi në Kosovë në 99-n. Natyrisht, nji dëshmi reale, jo fiktive dhe e pakontestueshme.
Nuk kam bërë asnji ndryshim në tekstin e saj, përveç do ndryshimeve të vogla gjuhësore.
Ja disa fragmente nga ditari.
Nga RREZE ABDULLAHU

1.
Krejt po folin për luftën, krejt po thojnë: Luftë, luftë.
Gjyshja ka thanë se veç Zoti mundet me na ndihmu. Un po i ndij tue folë për luftën, edhe pse krejt po dojnë me e mshefë. Nganjiherë edhe po qajnë. Në televizion kanë thanë se kanë vdekë do njerëz. Un, kur i kam vetë n’shpi, m’kanë thanë që nuk asht kjo puna e fmijve. Ne, veç duhet me luejtë. Po ne nuk jemi budallë. Un krejt e dij çka ka me u ba n’luftë. Ndoshta kanë me na vra.
Beja ka thanë: “Un ju marr në Zvicer se atje kurrë nuk bahet luftë”.

2.
Ka ardh Beci me ndejtë, edhe kanë qenë tue fol me hallën. Beci ka thanë: “Janë do shkije, e kanë emrin Dora e zezë, me maska…”.
Ata kishin dashtë me marrë edhe nji djalë, te ne, e kanë kapë për setre e ai e ka zhveshë setrën e u ka ikë. Un s’muj me nga shpejt, ata mujnë me m’zanë mu, po Albani mundet me nga shpejt. Ata s’mujnë me zanë Albanin. Un e kam vetë babin, babi m’ka thanë se mos m’u tutë. Krejt burrat e mahallës hiç nuk flejnë, na ruejnë neve. Ka thanë mos m’i kallzu kërkujt: as Albanit, as Dardanit, as Ardit. Ata nuk kuptojnë sikur un. Edhe babi ka thanë se un jam princeshë e shkijet princeshat nuk i marrin. Po un nuk jam princeshë përnjimend, veç për babin. E dorës zezë hiç nuk i intereson a jam un princesha e babit a jo!
Un e kam vetë babin: “A mujna me shku n’Amerikë?”. Babi ka thanë: “Mbas lufte se ne kemi me qenë gjallë!”. Un kam m’u rritë, m’u ba e madhe, m’u ba gazetare, me shku vetë n’Amerikë, ata na dojnë ne. Un kam me taku plot njerz e kam me u kallzu për luftën tonë, për shkijet, për dorën e zezë, për fëmijtë që i kanë vra, për UÇK – në, për Adem Jasharin, për krejt, për krejt, për krejt.

5.
Janë ba dy javë e ne sot kemi shkue në shkollë. Kur kemi shkue në shkollë, na ka shti msusi me lexu. Un kam qenë tue lexu. E kemi ndi oshëtimën, po nuk e kemi ditë çka ashtë tue u ba. Mirëmbajtësi i shkollës ka bërtitë që po vijnë shkijet, me ndi krejt. Mësusi e ka çelë derën e klasës, ka dal me kqyrë te dritarja edhe i ka pa shkijet te shitorja e bacit Haki, me tanke, me pushkë t’mdhaja. Mësusi na ka thanë me hy ndër banka edhe mos me qajtë. Ne jemi tutë, ama s’kemi qajtë se ka thanë mësuesi. Kemi ndejtë pak ashtu derisa ata kanë shku. Hiç s’na kanë vra këtë herë. Kam shku shpejt te klasa e Dardanit dhe e Ardit; i kam marrë ata dy dhe jemi përqafu. Kemi ndejtë mbrenda n’klasë derisa ka ardhë gjyshi me na marrë. Kur ka ardhë gjyshi s’ka mujtë gati frymë me marrë. Gjyshi plak u lodh dhe u tut shumë për ne. Kur kemi ardhë te shpija kanë qenë tue qajtë krejt. Masandej mami na ka mbaru nji tortë, ka dashtë me na gëzu. Ka thirrë Beja prej Zvicre në telefon, edhe axhi Sylë; janë mërzitë shumë dhe kanë thanë me u incizu nji video. Ne jemi veshë mirë dhe kemi recitu vjersha me i pasë ata për kujtim prej nesh, nëse kanë me na vra shkijet.

11.
Kam pa andërr mbramë.
Kishin ardh shkijet këtu keshe i kanë vra babin, gjyshin, Albanin, Dardanin dhe Ardin. I kanë marrë m’u rritë nji herë (e) m’i vra. Mami keshe nuk dojke me ja dhanë shkijeve e tani e kanëë plagosë. Masandej mue ma kanë marrë fletoren, ma kanë lexu e kanë pa që un kam thanë se shkijet janë si dreqi, kanë dashtë me më vra, po nana u kaë dal përpara dhe e kanë vra nanën. Kishe ka mbetë veç mami plagostë edhe halla, e keshe mue m’kanëë marrë me m’çu n’Serbi. Jo,jo. Oh Zoti jem, un s’po du me shku n’Serbi, u kam than keshe shkijeve se ma mirë me m’vra. Un kisha qenë tue fol jerm, më ka thirrë mami, ma ka dhan do ujë me pi, edhe m’ka marrë n’gji, kemi fjetë bashkë, un s’tutna kur flej me mamin, asaj i vjen era mam. Oh Zoti jem, sa shumë e du un mamin, nuk du m’i ba kërkush keq, un luftoj edhe me shkijet për mamin! Mami i ka bërtitë Flamurit, i ka thanë: “Mos me na folë ma fjalë për luftën, as për masakra!”
Natën e mirë!

13.
Mami m’ka kallzu kur ka qenë n’shkollë, studente, ka nisë lufta. Mami me shoqet e veta kishin ba demonstratë për Kosovën Republikë… Shkijet i kishin marrë mamin dhe shoqet e veta n’burg… I kanë lshue, po ma nuk i kanë lanë me shku n’shkollë. Mami, gjynah, se ka mësue shumë. Mami n’burg e kish pas emrin Tringa, mu m’ka pëlqy shumë. Mami, gati menjiherë mbas lufte, u feju dhe u martu… na ka lindë neve. S’pari ka lindë Rrezja, motra jeme qe ka vdekë, ajo kish qenë shumë e bukur.
Kahnjiherë s’po tutna me vdekë se shkojna në qiell, në qiell e takoj un motrën teme atje veshun njejtë. Nëse ne na vrajnë, ajo del me na pritë ne. Në qiell nuk ka luftë, në qiell nuk ka shkije, ka veç engjuj.
Natën e mirë!

14.
Sot kemi ik prej shpije, kemi dalë krejt me traktora.
Shkijet na kanë kalu përrethi, na kanë thanë me shku në Varosh e m’u kthy me vonë. Ne kemi shku krejt, po qentë na kanë mbetë te shpija: Buci edhe Benxhi. Më ka ardhë gjynah prej Benxhit se ashtë qen plak. Un kam qeshë sot pak me gjyshin, e kam pa qe ai ka mbathë kpucat ndryshe.
Mbasdite na kanë thanë m’u kthy prap te shpija.
Oh Zoti jem, kur i kemi pa krejt shpijat tue u kallë! Njerzit kanë bërtitë shum, kanë qajtë, kanë nga. Un jam habitë, veç kam bërtitë dhe ma s’kam mujtë me lëvritë prej vendit. Tani dada Zylë ma ka mëshu shuplakë të madhe. Kemi kcy prej traktorit, krejt kemi nga te shpija, kemi dashtë me i shkymë. Un e kam pa Benxhin, e kanë plagosë. Oh Zot, Benxhi e ka pasë plumbin në qafë. Ka shku gjyshi e ka kapë në krah, kemi provu krejt me ia hjekë plumbin. Oh Zot, Benxhi po vdekë, Benxhi po cofë. Zoti jem, shkijet e kanë vra Benxhin! Pse ata e kanë vra, pse Benxhi ka qenë shumë i urtë! Benxhi nuk u ka ba keq shkijeve. Benxhi gjyshin e ka kqyrë në sy, n’drita t’synit. M’ka thanë me i ndihmu. Un s’kam mujtë, kërkush nuk ka mujtë. Oh Zoti jem, Benxhin e kanë mbytë! Mami më ka thanë mos m’e harru kurrë ket ditë. Un kurrë nuk kam me harru, kurrë nuk kam me harru Benxhin…

17.
Sot asht 10 Prill.
Un sot e kam ditëlindjen. Hiç nuk jam tue e festu, askërkush nuk ma ka uru. Po un nuk jam hidhëru hiç me kërkand, un e dij, un kuptoj që asht luftë, kanë vdek shumë njerëz, i kanë vra plot fëmi, gra, pleq, edhe gra shtatzana. I kam pa në televizion, edhe i kam ndij në shpi tue folë, kanë thanë se edhe ne jemi në rrezik. Tash ne na kanë djegë krejt shpinë, na janë djegë krejt gjanat. Mue krejt fletoret, librat, kukullat prej Zvicre, aparati. Mami ka thanë se si të kryhet lufta t’i blejmë tjera. Un e kam pa, un e dij që ata janë mërzitë shumë që na kanë djegë shpinë tonë të re, jam mërzitë edhe un, krejt shoqet më kanë thanë se na e kemi shpinë shumë të mirë. Edhe un për ditëlindje kam pasë me i marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s’po du me vdekë, po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen), gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du krejt njerzit me qenë gjallë.
Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu.
Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt…
Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?!

19.
Na kanë than m’u nisë, me dalë prej ktu, na kanë përzanë prej vendit tonë, prej Kosovës. Rrugës kemi pa plot kafshë, edhe ato kanë mbetë pa shpi, edhe ato janë tue u tutë. Shkijet na kanë lypë pare rrugës, ama nuk e kanë vra kërkand, kta shkije kishin qenë ma të mirë. Janë tue na çu në Maqedoni, atje ka plot shqiptarë. Jemi n’kufi t’Maqedonisë, jemi tue pritë qe s’di sa orë. Po na japin ndihma, po na japin ushqim, mbulojë. Dita ka shkue me i ndihmu t’smutit, ka shumë njerz qe janë t’smutë, edhe nana u s’mu, pa vetdije, gati asht tue vdekë, gjyshi asht smutë pak ma pak. Veç po vjellin, kanë marrë ilaçe. Un s’po du me vdekë nana dhe gjyshi; kemi shpëtu gati prej shkijeve, veç edhe pak dhe kufinin kemi me kalu.

25.
Nuk e di po un sot shumë jam mërzitë.
Nji ditë ka me ardhë liria e ne kemi m’u kthy n’Kosovë, n’vendin tonë, n’shpijat tona, në shkollën tonë.
Këtu njerzit janë shum t’mirë, po un s’po dukem sikur te shpija! Po më duket sikur zemra jeme asht krejt e zbraztë. Ktu po folet edhe maqedonisht, po më duket mue sikur janë shkije. Ne po na shtijnë me lexu, me msu maqedonisht. Msuesja hiç s’po na don. Nuk e di, nuk e di, n’shpi, n’Kosovë krejt janë ma t’mirë. Edhe mue m’kanë dhanë plot kukulla, po un s’po muj m’u knaqë ma, s’po muj. Mue shpesh po më kujtohen krejt. Edhe Benxhi, sytë e Benxhit me lot. Ktu edhe gjumi po më vjen ma ndryshe. Ndoshta n’Shqipëri me shku isha knaqë ma shumë se janë krejt shqiptarë. Krejt sendet po m’vijnë pa lidhje edhe pse jemi gjallë. Kurgja nuk asht si n’shpi, kurgja. Nuk kam ma çka kam pasë n’shpi, krejt jeta ka ndryshu.
Mami na ka thanë nji ditë: “Lufta u ka rritë para kohe”.

26.
Un nuk e di a ka me u ba ndonjiherë jeta normale, a kemi m’u kthy qysh kemi qenë. Kjo nuk mundet me ndodhë, njerzit kanë vdekë edhe s’mujnë m’u ngjallë, ata që janë gjallë s’kanë ma pare me i mbaru shpijat.
Ne nuk mujna me harru luftën kurrhiç, bash kurrë.
Edhe pse gati po vjen liria, ne po gzohemi, po çka për ata që ju kanë vra familjet? Un nuk po muj me ditë a asht gzim apo çka! Më ka marrë malli me dalë n’mal, me shetitë, m’ka marrë malli me vrapu, m’ka marrë malli me luejtë me shoqe, m’ka marrë malli mos m’u tutë, m’ka marr malli me kqyrë nji film vizatimor edhe me qesh shumë.
Lajme, lajme, veç lajme. Luftë, luftë, luftë, veç luftë.
Mirë ka thanë mami. Po më duket sikur nuk jam hala fmi, jam e madhe duhet me kuptu edhe luftën që e bëjnë njerzit e mdhaj. Kahnjiherë po më duket sikur prrallë, prrallë e keqe me përbindsha që na tregojke gjyshi. Po prrallat e gjyshit u kryhshin, kjo jo, hiç s’po kryhet. Me prrallat e gjyshit ne flejshim e me kta s’po na nxe gjumi.
Ah, kur t’kthehemi te nji ditë te shpija, sa shumë malli m’ka marrë e t’i ndihmoj mamit me mbjellë lule, lule t’kuqe edhe t’bardha, lule me erë të mirë, mos me ardhë ma era luftë. Kur t’shkojmë n’shkollë, ta përqafoj msusin me duer e shoqet t’i shtrëngoj shumë. Kur vjen dita me shku te shpija, kur edhe pse ma s’kemi shpi, ne atje e kemi shpinë, kemi m’u kthy n’oborr me fjetë.
Shpija jonë e djegtë, Benxhi jonë i vdektë, m’ka marr malli shumë!

27.
Po kthehemi n’shpi, po shkoj.
Shkijet kanë ikë prej Kosove. Kosova asht e lirë. E di, ne s’kemi shpi ma, s’kemi kurgja, po ne e kemi Kosovën e lirë, Kosovën pa luftë.
Ne s’kemi me u tutë ma, kemi me jetu sikur n’krejt botën. Ne jemi gjallë. Ne po shkojmë te shpija. Krejt po qajnë prej gzimit. Un e kam dijtë që liria asht e mirë, po jo kaq shumë!
Po shkojmë te shpija, te Kosova ime me lot e me gjak. Te Kosova ime e djegtë, te Kosova ime e lirë.
Të dua, Kosovë!

Rreze Abdullahu, një Ana Frank shqiptare?!
Nga Ben Andoni

Prozatori i njohur Petrit Palushi këmbëngul që ky ditar, i cili po botohet për herë të parë, është autentik dhe ai po ia dhuron “Milosaos” me mirëkuptimin e autores. E marrim të mirëqenë dhe urojmë të jetë i tillë.
Në faqet e ditarit mund të shikosh përcjelljen e jehonës së luftës nga një fëmijë që di të shkruaj, por luftën e sheh shumë “çuditshëm”, ashtu si mund ta shikoj një fëmijë në moshë të tillë. Pa notat e zakonshme të lavdisë (por që edhe asaj çuditërisht nuk i mungojnë), dhe me një qashtërsi fëmije ajo tregon për gjyshin e vet, nënën, qenin plak, familjen, mësuesin, Maqedoninë dhe ushtarin serb që i ruan dhe shumë e shumë gjëra të tjera?!
Atë që ke parasysh nga imazhet e stacioneve të huaja televizive për Luftën në Kosovë, në këtë rast, ke mundësi ta shikosh direkt nga dëshmia e një fëmije vetëm 9 vjeç. Me një gjuhë që është gjithnjë më e largët për ne në Shqipëri, por që është e justifikuar sepse është nga dora e një fëmije, vajza rrëfen gjithçka, ëndrrat, dëshirën, mësuesit dhe realitetin që e rrethon. Njerëzit mundohen që tek fëmijët lufta të vijojë sa më e vogël, por edhe tek Rrezja e asaj kohe ky kumbim i tmerrshëm nuk mund tw fshihet dot. Ditari, nëse është vërtetë autentik, ka shumë vlera dhe ia vlen që të botohet por edhe të ekranizohet. Nëse s’është i tillë dhe kjo botë për dreqin është e mbushur me raste të tilla, atëherë do të rreshtohet si një shembull i keq, deri ku mund të arrijë keqësia njerëzore për protagonizmin. Gjithsesi, gjuha e përdorur, por edhe gjendja e letrës, si thotë kuratori i saj z.Petrit Palushi i cili po merret me të, nuk lë vend për diskutime dhe i takon realisht kësaj kohe. Për ne, nëse do e merrnim të mirëqenë këtë fakt, do të thoshim se një letërsi e tillë i bën nder Kosovës dhe Shqipërisë dhe është një subjekt i jashtëzakonshëm për Luftën e Kosovës. Faktet e thjeshta sesi fëmija e shikon luftën, por më shumë akoma dashurinë për jetën tregojnë se lufta s’është aq ‘e tmerrshme’, por njerëzit që e bëjnë atë janë mostra. Serbët janë njerëz, ashtu si edhe shqiptarët, që urrehen prej tyre, janë po ashtu. Të gjithë kanë problemet e tyre, kanë fëmijë, kanë familje dhe e duan jetën. Por, kokënxehja e disave që nuk e shikojnë fare jetën është e tmerrshme. Dhe, këtë solli lufta të cilën analistët mund ta lidhin me lloj-lloj gjërash që shpjegohen me gjeostrategjinë. Për Rrezen e vogël këto s’kanë rëndësi. Ajo na jep dëshminë me vetë sytë e saj. Na tregon ëndrrat, eksodin, ikjen në Maqedoni, mundësinë që s’ua jep mësuesi maqedon dhe pikëllimi i saj është se ditën e saj të lindjes nuk ia uroi askush. Madje ka frikë se do ta vrasin. Por, ushtarit serb që i ruan, kur e pyet nëse do i vrasë, ai e shikon i çmeritur, sepse ndoshta edhe vetë e presin fëmijët në shtëpi. “A do më vrasësh sot, që kam ditëlindjen?” A vriten njerëzit kështu?! Por më mirë le të flasë vetë kjo vogëlushe e mrekullueshme, që fati e la gjallë për të na dhënë këtë dëshmi të jashtëzakonshme:
“Edhe un për ditëlindje kam pasë me i marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s’po du me vdekë, po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen), gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du krejt njerzit me qenë gjallë.
Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu.
Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt…
Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?!”(Kortezi MILOSAO)

Filed Under: Histori Tagged With: Ana Frank e Kosoves, Petrit Palushi

Artikujt e fundit

  • LETËR E HAPUR PËR KRYETARIN GENCI NIMANBEGU DHE KUVENDIN E KOMUNËS TË ULQINIT NGA SHQIPTARËT E DIASPORËS AMERIKANE
  • Nga kultet te idetë: Koha për të çliruar politikën nga portreti
  • TË JETOSH JETËN PREJ ALBANOLOGU
  • Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë
  • Shuhet në New York nacionalisti Pjeter Mernaçaj, Vatra ngushëllon familjen
  • Dhimitri i Farit – Greku që tradhtoi Teutën u bë mbret,  por dhe armik i Ilirisë
  • VATRA NË DASMËN E TEUTA RUGOVËS, VAJZËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR.IBRAHIM RUGOVA
  • KOMUNITETI SHQIPTAR NË ILINOIS, HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • SHBA-Shqipëri, 103 vite marrëdhënie diplomatike! Ambasada amerikane në Tiranë: Krenarë për partneritetin tonë
  • Maqedonia dhe Kosova, pengje të proceseve të papërfunduara
  • Për një vetëdijësim gjuhësor
  • Fillimet e arsimit shqip në Shqipërinë e Jugut
  • Gazeta “Dielli”, drita e kombit në mërgim
  • DASHURIA E ZJARRTË PËRBALLË MORALIT DHE DINJITETIT 
  • TA KUJTOJMË ME NDERIM PROFESORIN DEMOKRAT ARSHI PIPA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT