Nga Petrit Malushi/ Gjuha shqipe standarde apo zyrtare, veç rrugëve fjalëformuese me prejardhje (parashtesim, prapashtesim, parashtesim dhe prapashtesim), përbërje dhe përngjitje, gjallon edhe në sajë të marrëdhënieve me dialektet dhe me gjuhët e tjera. Për dialektet nuk përjashtohet mundësia që këto marrëdhënie të rezultojnë të ndërsjellta. Raste të tilla ka dhe me gjuhët e tjera. Ajo, gjuha shqipe ushqehet prej dialekteve dhe gjuhëve të huaja dhe bashkëjeton me to. Sigurisht parësor janë dialektet. Kështu, shtresa qendrore standarde ka si shtresa anësore ato të dialekteve dhe të fjalëve të huaja. Nëse shtresimet e gjuhës i konceptojmë si rrafshe rrethorë, rrafshi standard ndodhet midis dy të tjerëve. Nga ky këndvështrim, një gjuhë zyrtare shtetërore apo standarde vendos marrëdhënie të brendshme me dialektet dhe të jashtme me gjuhët e tjera. Edhe pse në pozicion qendror ndaj këtyre dy rrfasheve anësorë, për gjuhën standarde ata janë jetësorë dhe zhvillues.
Marrëdhëniet në planin e brendshëm
Me planin e brendshëm marrëdhëniet janë të buta për arsye se vetë përdoruesit e gjuhës standarde e zyrtare janë njëherësh edhe përdorues e bartës të fjalëve, togfjalëshave, njësive frazeologjike, fjalëve të urta dialektore dhe nëndialektore. Kontaktet midis tyre janë të përditshme dhe me kalime të shpeshta nga njëra situatë ligjërimore në një tjetër. Lidhjet shoqërore,miqësore, grupet komunitare në pallat, në punë, në rrethet intelektuale janë të hapura për këdo, gjithpërfshirëse dhe asnjëherë përjashtuese nga ndryshesat në të folme. Po ashtu tematikat e bisedave, diskutimeve, komunikimeve janë të lira dhe secili folës shprehet pa tundim. Pra elementet dialektorë dhe standard familjarizohen e bashkëjetojnë në harmoni e pa trysninë e njëri-tjetrit. Kjo sjell begati dhe pasurim të gjuhës.
Marrëdhëniet në planin e jashtëm
Me planin e jashtëm panorama është krejt tjetër. Marrëdhëniet paraqiten më të ngurta. Pavarësisht kësaj ekzistojnë faktorë, të pashmangshëm e favorizues që imponojnë proceset e marrjes, të futjes dhe të pranimit të fjalëve nga gjuhë të tjera. Ndër ta mund të përmendim pranëndodhjen e shteteve, megjithë egzistencën e kufijve fizikë, apo marrëdhëniet ndërshtetërore midis vendeve të ndryshme kur, largësitë gjeografike në sajë të zhvillimeve të shkencës e teknologjisë, sot janë bërë të papërfillshme. Pranëekzistenca e gjuhëve të folura dhe të shkruara, ka qenë, është dhe do të jetë një realitet që nuk mund të mos merret në konsideratë. Në këtë plan dhe përtej tij, në një shtrirje shumë më të gjerë dhe më të largët, midis vendeve me gjuhë të ndryshme, shfaqen marrëdhëniet dhe bashkëpunimet në fushat ekonomike, kulturore, politike, lidhjet shoqërore, sociale, familjare, profesionale, emocionale etj. që kanë qenë e janë në linjë vazhdimësie. Mbizotërimi në gjuhën standarde, qoftë i fjalëve që janë prurje nga dialektet, qoftë i fjalëve që hyjnë nga gjuhë të tjera, ndaj fjalëve që janë aktualisht në përdorim, lidhet me lehtësinë komunikuese që ato ofrojnë dhe preferencat e folësve.
Realiteti lë për të dëshiruar
Nga të dy lëvizjet ndërgjuhësore të mësipërme, gjuhë standarde-dialekte, gjuhë standarde-gjuhë të tjera,vetëm lëvizjet në planin e dytë, gjithmonë kur janë të panevojshme, sjellin deformime gjuhësore, shformime të paradigmave, të sistemit etj. Duke pranuar gjendjen reale të gjuhëfolësve, kemi një shfaqje jo të kënaqëshme në favor të gjuhës shqipe standarde zyrtare. Ajo lë shumë për të dëshiruar, pasi nuk janë të pakta rastet e futjes së fjalëve të huaja, kur nuk e justifikojnë plotësisht qenësinë e tyre, apo kur për to ka fjalë gjegjëse. Nuk duhet harruar se dhënësit e marrësit e dy gjuhëve të ndryshme,në çfarëdo lloj konteksti janë folës dhe përdorues të gjuhëve amëtare, që pashmangshmërisht prodhojnë situata komunikuese dy e tri gjuhëshe. Nga sa u renditën më lart dhe për shumë arsye të tjera në marrëdhënie dygjuhësie në shumë raste, përjashto ato zyrtare, janë të pamundura vendosjet e filtrave të komunikimit standard. Një klimë e tillë për leksikun e njërës prej gjuhëve, asaj marrëse, këtu kemi parasysh shqipen, mbart krahas prurjeve të dobishme edhe prurje të padobishme, pra futen fjalë dhe shprehje që pranohen, ndërkohë që ka edhe nga ato që duhen mënjanuar.
Pse ndodh kështu ?
Ndodh kështu sepse, shumë prej përdoruesve të gjuhës pritëse, e tillë në këtë shkrim konsiderohet shqipja, pra folësve edhe pse pajisen me dokumente shkollore për përfundimin e një cikli, nga i ulëti deri te më i larti, apo sistemi arsimor, nga parauniversitari deri te pasuniversitari, janë në nivele të ulëta gjuhësore. Nivelet kulturore dhe qytetare, duke iu referuar të folurit dhe të shkruarit standard, janë larg asaj që pretendohet. Instancat arsimore punojnë shumë pak ose aspak për ta kthyer në normë zbatimin e rregullave gjuhësore drejtshkrimore e drejtshqiptimore. Në të shumtat e rasteve vetë stafet pedagogjike nuk janë në lartësitë e duhura gjuhësore. Kërkesat ndaj nxënësve dhe studentëve janë minimale e tolerante.
Shtetarët në hallka të ndryshme përfaqësimi e drejtimi, deri në ato më të lartat kuvendore e ministrore, gjatë komunikimeve zyrtare apo spontane zbresin në nivele të padëshirueshme ligjërimi. Punonjësit, edhe kur pozicioni e kërkon formimin gjuhësor,nuk u nënshtrohen provimeve gjuhësorë. Institucionet qofshin zyrtare apo private drejtohen nga punonjës që kërkesat gjuhësore nuk i renditin asgjëkundi, pasi sukseset ose mossukseset i lidhin vetëm me interesat dhe aftësitë komerciale. Indiferenca e tyre reflektohet si në komunikimet zyrtare edhe në hartimet e dokumenteve. Botimet zyrtare, shkollore apo edhe të tjera, përmbajnë gabime drejtshkrimore dhe formulime me deformime konceptuale. Po ashtu edhe botimet letrare për fëmijë dhe për të rritur, krijimet e mirëfillta, përkthimet dhe përshtatjet jo pak herë janë të pakontrollueshme prej specialistëve të gjuhës, duke sjellë kështu edhe ulje të vlerave edukative e estetike.
Mediat e shkruara dhe mediat vizive kanë pak gazetarë profesionistë dhe me nivel cilësor, që janë të përpiktë në të shkruar dhe në të folur. Përpos, thuajse të gjithë vuajnë nga mania e shumëpërdorimit të fjalëvë të huaja, ku duhet dhe ku nuk duhet, sikur garojnë kush të përdorë më tepër prej tyre. E njëjta situatë shpaloset edhe në spektaklet televizive. Rrjetet e reklamave, ato tregëtare, dekoret dhe tabelat orientuese janë të ngarkuara me gabime të pafalshme. Lëvizjet e popullsisë shoqërohen me „përshtatjen“ e të folurit, pa asnjë lloj pretendimi, në mjedisin ku jetohet dhe zhvillohet aktiviteti ekonomik. Rrethet familjare tek çdo individ krijojnë shtresën e parë të fjalorit komunikues që është larg atij që mbahet si normë. Migrimet dhe kontaktet me botën e jashtme, në mënyrë të imponuar apo me dëshirë, mbartin mangësitë dhe boshllëqet e pastërtisë dhe kapaciteteve gjuhësore. Shteti, pavarësisht kush e ka patur drejtimin e tij në dhjetëvjeçarët e fundit, asnjëherë nuk e ka parë seriozisht problemin e zhvillimit të gjuhës si elementin më dallues dhe më kryesor të ekzistencës së kombit tonë.
Me përjashtim të disa gjuhëtarëve dhe specialistëve të gjuhës, që me shumë vështirësi u krijohen hapësira publike në median e shkruar dhe median elektronike, për sensibilizim dhe për të shprehur opinione në dobi të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës sipas rregullave, askush tjetër nuk shqetësohet, edhe pse ka nga ata që paguhen dhe kanë tagër për të ndërhyrë e parandaluar çdo shkelje.
Pranimi i fjalëve të huaja
Të gjithë faktorët e mësipërm ndikojnë drejtpërdrejt dhe duhen marrë në konsideratë për zhvillimin dhe ruajtjen e pastërtisë së një gjuhe. Problemi shtrohet që fjalët e huaja duhet të merren prej një gjuhe tjetër vetëm atëhere kur futja e tyre është e domosdoshme. Gjithçka lidhet me efektivitetin në fushën e përdorimit të tyre. Pas viteve ´90 për qytetarët shqiptarë, në mënyrë të veçantë për ata brenda kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, u krijua një realitet i ri në të gjitha drejtimet, i cili vazhdon të jetë dhe sot dhe do të jetë i tillë edhe në të ardhmen. Në vendin tonë vërshuan ndihma nga të huajt, asistenca nga të huajt, firma të huaja, biznese të huaja, specialistë të huaj, puntorë të huaj, tregëtarë të huaj, veprimtari me të huajt, emigrim tek të huajt, punësim tek të huajt, miqësi me të huajt, shoqëri me të huajt etj, etj. Por ky realitet perceptohej, përshkruhej, përjetohej, përcillej nëpërmjet ligjërimeve, interpretimeve e dëgjimeve edhe me fjalë e koncepte të reja. Kështu u futën fjalë e shprehje të reja në politikë, në ekonomi, në ndërtim, në biznes, në administrim, në arsim, në shkencë,në mjekësi, në elektronikë,në nivel jetese,në mjete konsumi,në turizëm etj.E këtu ka nga ato fjalë që pranohen e futen në fondin e leksikut të shqipes, por ka edhe nga ato që duhen mënjanuar.
Mënjanimi i fjalëve të huaja
I mëshojmë faktit për mënjanimin e fjalëve të huaja, gjithmonë diskutojmë rastet kur për to ka fjalë gjejgjëse në gjuhën shqipe, sepse ato, fjalët e huaja i përkasin fondit leksikor të një gjuhe tjetër. Veç kësaj, në të tilla raste fjalët e huaja, që pavarësisht se në çfarë rruge a forme hyjnë dhe kush i fut, mbartin rrezikun e shformimit të elementeve të sistemit gjuhësor në veçanti dhe në tërësi. Gjatë „jetesës“ çdo fjalë e fondit të gjuhës shqipe krijon shtratin e saj në familjen e fjalëve, fushën leksikore, kontekstet e përdorimit dhe situatat ligjërimore. Po përpiqemi, me disa shembuj të argumentojmë më konkretisht çrregullimet që ndodhin në sistemin tonë gjuhësor prej pranimit të tyre. Po kufizohemi vetëm tek familjet e fjalëve, që përbëhen nga fjalët me të njëjtën rrënjë, dhe fushat leksikore të tyre.
Fjala e huaj aplikacion në shqip ka gjegjëse fjalën kërkesë. Por nëse fjala kërkesë kalon nga fjalori aktiv në atë pasiv, apo në një të ardhme mund të dalë prej përdorimit, kjo do të pasqyrohet edhe në fjalët e familjes së kësaj fjale, e krijuar në dhjetra e ndoshta qindra vite e vite me të gjitha mjetet dhe mënyrat fjalëformuese (kërkoj, kërkim, kërkues, i kërkuar, i shumëkërkuar, kërkesëpadi etj). Më tej, sipas kontekstit të përdorimit dhe situatës, e njëjta gjë ndodh me këto fjalë edhe në fushat leksikore përkatëse të secilës: arsim,ekonomi, politikë,kulturë,ndërtim,art etj. Po t´i shkojmë deri në fund zëvendësimit të plotë, a mundet në këtë rast te emri i përbërë kërkesëpadi të themi dhe të shkruajmë aplikacionpadi apo te mbiemri i shumëkërkuar të shprehemi i shumëaplikuar ?!
Audiencë është një tjetër fjalë e huaj që gjegjëse në shqip ka fjalën dëgjues, e cila i përket klasës së emrave dhe bën pjesë në familjen e fjalëve ( dëgjoj, dëgjim, i dëgjuar, i padëgjuar, i mirëdëgjuar etj). Nuk dihet se si do të vepronin „ të pasionuarit“ e përdorimit të fjalës audiencë, nëse do t´u kërkohej ta zëvendësonin atë në rastet e mësipërm, që për rrënjë kanë fjalët e kësaj familjeje ?!
Kurator- kujdestar (kujdes, përkujdes, përkujdesje, i kujdesshëm, i pakujdesshëm, i shkujdesur etj).
Anunçoj-vendos (vend,vendim,vendimtar,i vendosur,i pavendosur,vetvendos etj). Kredibilitet-besueshmëri (besoj, besë, besim, i besueshëm, i pabesueshëm, i besës, i pabesë, besëprerë, etj).
Donator-dhurues (dhuroj, dhuratë, dhurim, i dhuruar etj).
Relaks – çlodhje (lodh, lodhem, lodhje, çlodh, çlodhem, i lodhur, i çlodhur, i palodhur,etj).
Inicoj – filloj (fillim, fillesë, fillestar, i filluar, i pafilluar etj).
Benifice – përfitim (fitoj, fitim, fitues, perfitoj, përfitues, etj ).
Dedikim-përkushtim (kushtoj, kushtim, përkushtoj, i përkushtuar, etj ).
Rastet e renditura, si shembuj ilustrimi, janë fare pak në raport me numërin e rasteve të shumtë të futjes dhe përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe. Por këto dukuri negative vërehet në të gjitha përdorimet.
Ngushtimi i përdorimit
Një fenomen tjetër është ai i ngushtimit të rasteve të përdorimit të fjalës së huaj, në krahasim me fjalën shqipe që zëvendëson. Zëvendësimet rrallë herë janë të plota, në të gjitha kuptimet, pasi në më të shumën janë të pjesshme. Edhe këtë po përpiqemi ta argumentojmë me disa raste ilustrues.
Fjala e huaj tranzicion në gjuhën shqipe përdoret si zëvendësuese ose sinonim i fjalës kalimtar në nocionin kohor. Fusha më e përdorshme është ajo e ligjërimeve politike : vite tranzicioni, periudhë tranziconi, etj. Por fjala kalimtar në gjuhën shqipe ka shtrirje shumë të gjerë përdorimi : çast kalimtar, person kalimtar, vend kalimtar, metodë kalimatare, formë kalimtare, udhë kalimtare, shteg kalimtar etj. Kështu ndodh edhe me fjalën e huaj implementim, që zëvendëson edhe kjo në të shumtat e rasteve në fjalorët e politikanëve dhe të pushtetarëve, fjalët realizim ose përmbushje. Por shqipfolësit brenda Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, Itali, Amerikë e kudo jetojnë flasin e shkruajnë me njëri-tjetrin edhe për realizim e përmbushje dëshirash, realizim detyrash, realizim objektivash, realizim endrrash etj.
Luk (look) për më tepër në fushën e modës, përdoret në vend të fjalës shqipe pamje, vetëm kur dikush i bën komplimenta dikujt për veshjen, flokët apo diçka që lidhet me pamjen e tij, ose kur mbahet parasysh pamja e një sendi a objekti. Por, të vërejmë se sa shumë përdoret fjala pamje : pamje e pjesëshme, pamje e plotë, më ke zënë pamjen, pamje nga Veriu, Pamje nga Jugu, pamje e kufizuar, pamje ballore, pamje anësore, pamje horizontale, pamje vertikale, pamje nga fundi, pamje nga e maja, pamje nga lartë-poshtë, pamje nga e majta në të djathtë etj.
Shou përdoret me kuptim të drejtpërdrejtë për një veprimatri artistike ose me ngarkesë negative, në rastet e mospëlqimit të veprimit të dikujt, për të zëvendësuar fjalën shqipe shfaqje. Nëse edhe këtu ecim me llogjikën e rasteve të mësipërm, ja sa shumë shtrirje ka përdorimi i fjalës shfaqje : shfaqje e hijshme, shfaqje e pahijshme, shfaqje me nivel, shfaqje pa nivele, shfaqje e huaj, shfaqje e bukur, shfaqje e pëlqyeshme, shfaqje e papëlqyeshme, etj.
Për të mos i lodhur lexuesit në këtë plan analitik, për mënjanimin e futjes së fjalëve të huaja në fondin e gjuhës shqipe kur ato janë të panevojshme dhe kanë fjalë gjejgjëse, gjykojmë se shembujt e mësipërm janë të mjaftueshëm për të parë konkretisht se çfarë shformimesh e çrregullimesh sjellin në sistemin gjuhësor. Pë ata që kërkojnë më shuëm raste, po sjellim edhe disa:
konsensus-marrëveshje, internet-rrjet, uikend-fundjavë, guida-drejtim, okej-mirë, puntatë-pjesë,seri, memo-kujtesë, involvoj-përfshij, lavastovile-enëlarëse, kreativ-krijues, tost-bukëthekëse, vakant-i lire, etj,etj…