Ballkani gjendet mes premtimeve shpesh boshe të Perëndimit dhe aspiratave të rrezikshme klanore. Qasja joserioze mund ta çojë atë në konflikte/
Nga Arsim Zekolli…/
Në mesin e të gjitha deklaratave ogurzeza apo paralajmëruese për vranësirat politike mbi Balkanin Perëndimor, e vetmja gjë që, falë kontekstit dhe tonalitetit, meriton vëmendje është ajo e Jean Claud Juncker drejtuar Donald Trump, sipas së ciles “nëse BE shpërbëhet, do të ketë luftë të re në Balkan”. Optimistët e përjetshëm preferuan që deklaratën ta interpretojnë si sinjal shpresëdhënës se vëmendja e Perëndimit ndaj rajonit sërish po kthehet me seriozitetin e duhur. Pesimistët atë e lexuan si tentativë dinake të Junckerit për bartje të fajit përtej Atlantikut për furtunat, të cilat do të pasojnë më vonë. Megjiathate, leximi real-politik i deklaratës të shpie drejt dy motiveve të mundshme për formulimin e qëndrimit të njeriut të parë të BE. Motivi i parë dëshmon se Brukseli nuk ka ndonjë ide konkrete për të qetësuar gjendjen e krijuar, që të sjell në përfundimin, se Juncker në mënyrë të (pa)vetëdijshme pranon varësinë ndaj SHBA për mirëmbajtjen e paqes brenda oborrit europian.
E përbashkëta e liderëve të Ballkanit
Shikuar nga pikëvështrimi ynë i bretkocës, deklarata imponon edhe leksione tjera të bazuara mbi eksperiencat e deritanishme të qasjes transatlantike ndaj rajonit. Sa për fillim, ia vlen të parashtrosh pyetjen, se cila është pika e përbashkët që lidh Aleksandar Vuçiqin, Hashim Thaçin, Nikola Gruevskin dhe Ali Ahmetin? Përgjigja imediate do ishte se të gjithë këta konsiderohen si lojtarë të besueshëm të Perendimit. Por, vështrimi dhe leximi më i vëmendshëm i biografive të tyre pasqyron një “kurvarurë” më interesante e cila shënon ngritjet dhe dominancat e tyre politike. Që të gjithë të apostrofuarit karrierat e veta politike dhe qeverisëse i kanë filluar falë përkrahjes së fuqishme te BE (më saktësisht, të Gjermanisë) e cila që në zanafillë i ka identifikuar, kultivuar, politikisht formuar dhe në fund si shpresa të mëdha për ndryshime demokratike – instaluar në kolltuqe qeverisëse.
Që pas një periudhe relativisht të shkurtër, të kaluar në poste sunduese, të “kidnapohen” dhe rreshtohen nën flamurin e SHBA si prodhime “të gatshme për konsumim”. Por, për dallim nga agjenda iniciale e të qenurit demokrat-reformist, tani ata duken të ngarkuar me vetëm një detyrë – ruajtjen e stabilitetit me çdo kusht. Përfshirë këtu edhe çmimin më të lartë të tolerimit të logjikës së degjeneruar politike, sipas së cilës, ndërrimi i qeverisë më nuk konsiderohet si proces normal i ndryshimeve, por si kërcënim serioz e trandites ndaj stabilitetit të vendit e rajonit.
Rrugëtimet drejt ferrit
Në këtë ndarje rolesh sipas prioriteteve transatlantike, nuk do gjeni dot dallime cilësore në nxënës të mirë kundër atyre të dobët, por vetëm ilustrime për pasojat e këtushme të çertifikatave të dhëna me lehtësi absurde në duart e atyre, të cilët me shkathtësi bindnin gjermanët për “bindjet dhe vlerat e tyre demokratike”. Të trashëguar pastaj nga spin-ekspertët amerikanë, të stërvitur për servis dhe mirëmbajtje të autokratëve tanë ordiner, të gatshëm për të plotësuar që të gjitha qëllimet më të mira amerikane në rrugëtimin drejt ferrit.
Mosmarrëveshjet në raportet Juncker-Trump nuk duhet konsideruar si shkas për anime, por vetëm si dy faqe të së njejtës monedhë ballkanase në allishverishet mes imitimeve rajonale të demokracisë dhe stabilitetit, si ekzekutues i mëshirshëm i demokracisë. Ndonëse vonë, megjithatë vlen të kujtohen dy palët andej dhe këndej Atlantikut se në lojën e madhe të Ballkanit janë futur së bashku edhe me forca të partnerizuara. Por se edhe toni i zënkave të ndërsjella mes tyre, garanton se nëse nuk bashkojnë forcat, së bashku do fundosen në mocalet e krimit që tepër gjatë refuzonin të shterrin. Çfarëdo prolongimi i konfliktit absurd mes qasjes gjermane ndaj rajonit të bazuar mbi oferten “ushtri nuk kemi, por kemi lek” dhe strategjisë amerikane “lek nuk kemi, por ua garantojme stabilitetin”, patjetër do rezultojë me humbje të ndikimit të dy paleve në rajon dhe rrënim si të demokracisë ashtu edhe stabilitetit.
Dinamika klanore
Një vërejtje e këtillë është e bazuar edhe falë rolit të tyre si prindër politik të monstrave të këtushme qeverisëse. Filozofia e sigurimit të qetësisë nëpërmjet dhuratave për djemtë e dhunshëm si ataman kolonial dhe sherifa të stabilitetit, tanimë është e tejkaluar, kundër-produktive dhe jo kompatibël me motivet fillestare. Ballafaqimi dhe negociimet e pafundme me partitë politike rajonale është i destinuar të deshtojë, dhe ashtu do mbetet derisa presioni dhe kërcënimi nuk fokusohen mbi mekanizmat real të fuqisë dhe sanksionit. Që është më lehtë për ta thënë se për ta bërë, pasi mekanizmat në fjalë nuk janë partitë politike, por klanet e instaluara brenda tyre, si faktor efektiv të politikbërjes dhe vendosjes.
Nuk është ndonjë sekret i madh se në Maqedoni (por edhe në rajon), grupimet të cilat preferojmë t’i quajmë si “subjekt parti”, në realitet paraqesin vetëm shprehje eufemiste për sundim të klaneve. Intriga klanore të mveshura me pëlhura polit-partiake paraqiten si bashkëpunime multietnike, duke kamufluar anën e errët të konfliktit nga i cili kanë lindur dhe vazhdojnë të manipulojnë. Kjo nuk është ndonjë risi në skenen e tanishme politike, por konstantë veprimi e etabluar nga PDSH dhe Menduh Thaçi në vitet ‘90-ta. Model ky që më vonë do kopjohet nga klani kriminogjen Gruevski/Mijalkov, shumëfishohet përbrenda BDI si klani i Zajazit, klani i Teutes në Tetovë, klani i Kaqanikut në Çair, ndërsa tani në LSDM identifikohet si klani Zaev kundër klanit OJQ-medial nën kontroll të Radmilla Shekerinskes. Dinamika centrifugale klanore evoluon e përsoset edhe përbrenda partive të reja, konform modeleve dhe shembujve të partive më të vjetra.
Identifikimi i dominimit të logjikës klanore në politikat vendimmarrëse, është shtresa e fundit në procesin e mundimshëm të qërimit të qepes sociale që na ngulfat dhe përlot. Proces, ky i cili mund të kontribuojë për sqarimin e dinamikave jologjike mes partive dhe përbrenda vetë partive, që njëkohësisht qartëson shkaqet e vërteta për sjelljet inerte për të marrë vendime, për aprovim reformash dhe thënë përgjithësisht, bllokadat e shumëta që na ngarkojnë.Raportet e gjata dhe fërkimet mes klaneve i kanë qartësuar të gjitha motivet për veprime të caktuara dhe përfitimet e aspiruara, që rezulton me krijimin e një gjendje të mosbesimit permanent, tensione dhe acarim raportesh në tërë skenen politike në vend. Në fund, diktati i epshit primar për mbijetesë të klanit shndërrohet në forcë dominante dhe gjenerator i kapjes së shtetit (VMRO-DPMNE, BDI) apo të kapjes së shoqerisë (LSDM).
Kriza rrënon shtresat
Kriza e stërzgjatur tanimë arrin të gërryejë të gjitha shtresat e mundshme politike, shoqërore e ekonomike, duke u shndërruar në acid, i cili depërton gjithandej. Zhveshja e bërthamave klanore përbrenda partive tani kërcënon të prodhojë energji enorme të agresionit si dhe procese fermentuese përbrenda partive, rrjedhimisht edhe në skenen politike dhe shoqërore.
Tentativat për të thyer bërthamat e tilla klanore si parakusht për rinisje të proceseve reformatore, provokojnë tensione përbrenda establishmentit të tanishëm. Që kërcënojnë dhe shantazhojnë me reagime destruktive zinxhirore si akt i fundit për parandalim të demisionit të tyre nga politika.
Parandalimi i reakcionit të tillë zinxhiror në rajon, imponon angazhimin e faktorëve te jashtëm që posedojnë mjaft fuqi dhe peshë për të parandaluar shpërthimin e instalacioneve të tyre me afat të skaduar. Megjithate, duhet theksuar se sa do që parandalimi i shpërthimit është intervencë urgjente dhe e realizueshme, ajo nuk do mund të konsiderohet plotësisht e suksesshme nëse nuk prek në evitimin e efekteve të fërkimeve ndërklanore dhe paraqitjen e frymëzimeve fashiste në rritje e sipër tek gjeneratat e reja. Përdorimi tepër i shpeshtë i akuzave për fashizëm si etiketim politik, na bën që sot mos të arrijmë të identifikojmë dhe alarmojmë për karakteristikat e saja socio-politike të cilat gjithnjë e më shumë po infektojnë grupimet rinore dhe diskursin publik. Sa për ta kujtuar – kriza ndoshta nuk do shpërthejë në konflikt, por rrezatimet vdekjeprurëse të energjive klanore do vazhdojnë të helmojnë qenien tonë politike (DW)