PLL del para elektoratit shqiptar për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015,- Si partia që ka dhënë një kontribut të paçmuar në të gjitha etapat e formimit të shtetit shqiptar, në favor të konsolidimit të institucioneve, të lirisë dhe demokracisë, për të gjithë shqiptarët, para LDB, gjatë diktaturës komuniste dhe gjatë gjithë periudhës tashmë të tejzgjatur të tranzicionit pas ndryshimeve politike të fillim-viteve 90.
- Si trashëgimtarja dhe bartësja e një filozofie dhe vizioni kombëtarist të drejtimit të shtetit në të gjitha nivelet e pushtetit, që inspirohet dhe bazohet në vlerat perëndimore, me një ideologji, program dhe përbërje njerëzore të së djathtës reale, që synon zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë me politika, programe dhe projekte që kanë dhënë provat e tyre në historinë tonë por edhe në të gjitha vendet e qytetëruara.
- Si një parti me identitet të veçantë, që nuk pranon fatalitetin dhe mjerimin e imponuar për qytetarët shqiptar nga politika dhe politikat e dështuara të 25 viteve të fundit dhe që, ndryshe nga të tjerët, ka në epiqendër të veprimtarisë vet: popullin, kombin, shtetin, dhe jo thjesht pushtetin.
Sepse ne kemi bindjen se Shqipëria mund të bëhet!
Ne dalim para elektoratit shqiptar me bindjen se në vendin tonë, politika dhe politikanët duhet të jenë në shërbim të interesave të qytetarëve, JO për ti mashtruar ata, JO për t’i blerë, JO për t’ju kthyer shpinën nesër, JO për të fituar statuse, privilegje, pasuri apo imunitet, POR për t’i përfaqësuar ata denjësisht në shqetësimet, kërkesat, nevojat dhe të drejtat e tyre, që nuk mund t’jua mohojnë dhe injorojnë më interesaxhinjtë, oportunistët, demagogët dhe dallaveraxhinjtë që ndërtuan një sistem në shërbim të interesave të tyre, të klaneve të djeshëm dhe të sotëm, duke injoruar e nëpërkëmbur qytetarët, popullin, kombin dhe shtetin.
***
Me ndarjen e re territoriale dhe reformën administrative, si shumë qytetarë, PLL ka bindjen se, pushteti vendor do të jetë problematik, aq më tepër në kushtet kur kjo reformë nuk është shoqëruar nga paketa ligjore për funksionimin dhe kompetencat e bashkive të reja.
Dihet tashmë se pushteti qendror ka vendos ta gllabërojë edhe pushtetin vendor për të kontrolluar gjithçka dhe vendosur si të dojë me fondet publike.
Angazhimi i të gjithë shtetit dhe qeverisë në këtë fushatë nuk është një shenjë e mirë për demokracinë dhe funksionimin normal të një shteti sidomos kur mendojmë se kryeministri i vendit deklaron se disa njësi do ti shohë si të nënës dhe disa si të njerkës, dhe kur disa kandidatë për kryetar bashkie janë të përfolur si të inkriminuar.
Edhe pse opozita ka shfaqur performanca jo optimale në këtë fushatë dhe se partitë e djathta si ne, duhet të përballojnë pabarazinë e mjeteve si dhe besëprerjen nga aleatët tanë, ne jemi optimist dhe të vendosur sepse besojmë se qytetarët janë në gjendje të gjykojnë sot më mirë se dje.
Në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015, PLL ka bindjen dhe vullnetin që mund të ndryshohen kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptar duke luajtut një rol vendimtar në Këshillat bashkiakë, në 61 Bashkitë e vendit, ku këshilltarët tanë do të jenë përfaqësuesit tuaj, ku do të sigurojmë mbrojtjen e interesave të përgjithshme të publikut, me vendosjen e prioriteteve në çdo vendim-marrje, ku shpenzimet publike do të shkojnë në dobi të publikut,
Për të stimuluar politika lokale të punësimit,
- Për t’i dhënë përparësi dhe mbështetje iniciativës së lirë dhe private duke stimuluar ndërmarrjet e vogla dhe garantuar tregje brenda dhe jashtë vendit për prodhimet e tyre,
- Për të garantuar projekte zhvillimi me institucione ndërkombëtare dhe bashki simotra në vende të ndryshme të botës dhe ku emigrantët shqiptar, djemtë dhe vajzat tona, mund të luajnë një rol vendimtar në krijimin e urave të bashkëpunimit në të gjitha fushat,
- Për të ofruar kushte njerëzore të kujdesit ndaj të sëmurëve, të moshuarve, të vobegëtve dhe të gjitha shtresave në nevojë,
- Për garantimin e kushteve optimale të arsimit dinjitar për të rinjtë e të rejat me investime publike jo vetën në infrastrukturë por edhe duke tërhequr mësuesit dhe pedagogët dhe stimuluar ata që të gjejnë kushtet e nevojshme dhe të barabarta në të gjitha institucionet e 61 bashkive të vendit,
- Për të trajtuar me përparësi problemin e pronave të pakthyera tek pronarët legjitim, aty ku pushteti lokal e ka në kompetencë të vet këtë çështje.
Ne jemi të vetëdijshëm se secila prej 61 bashkive të vendit ka specifikat e veta dhe se paraqiten kushte dhe mundësi të ndryshme dhe jo të barabarta në secilën prej tyre, por ekzistojnë gjithkund mundësi reale të zhvillimit kur kapacitetet e këshilltarëve të përdoren me devotshmëri, integritet, ndërgjegje dhe profesionalizëm.
Mjafton të ekzistojë vullneti i përfaqësuesve tuaj, i këshilltarëve që të angazhohen për t’i shërbyer interesit kolektiv të komuniteteve lokale.
Dhe ne ju garantojmë se këshilltarët e PLL do të jenë gjithmonë prezent për ju, do të jenë gjithmonë në shërbimin tuaj dhe të interesave tuaja sepse ne i kemi përzgjedhur ata ndër profesione, profile dhe eksperienca të ndryshme si dhe të të gjitha moshave dhe gjinive duke ju dhënë përparësi të rinjve dhe të rejave.
Andaj, më 21 Qershor 2015, ne ju bëjmë thirrje, që të votoni, që të mos impresionoheni nga presionet dhe mashtrimet, që të mos shisni dinjitetin tuaj, që të mos mbeteni peng i politikave dhe politikanëve matrapazë, por të votoni për veten tuaj, për familjet tuaja, për djemtë dhe vajzat tuaja, që të shohin një të ardhme më të mirë në vendin tonë, duke mbështetur kandidatët e PLL për këshillat bashkiakë, duke votuar Partinë Lëvizja e Legalitetit.