Reagim i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ndaj“Javës së tolerancës në Kosovë” për pllakën përkujtimore “Hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet naziste të ekzekutimit gjatë Holokaustit”/
Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Luginë së Preshevës, dhe Çamerisë janë muslimanë, katolikë, të krishterë ortodoksë, dhe hebrenj që kanë jetuar pranë njëri tjetrit në harmoni me shekuj të tërë. Prandaj Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane mbështet çdo iniciativë që sjell në vëmendjen ndërkombëtare historinë e gjatë të tolerancës ndërfetare tek shqiptarët.
Megjithatë, ne nuk e pranojmë zbulimin e pllakës përkujtimore gjatë “Javës së Tolerancës” në Prishtinë e cila përkujton “Hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet naziste të ekzekutimit gjatë Holokaustit” sepse kjo e shtrembëron të vërtetën mbi atë që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Historia shqiptare është e veçantë: çdo hebre që jetonte në Shqipëri apo që kërkoi strehim aty gjatë Holokaustit u shpëtua. Përderisa gjashtë milionë hebrenj u shfarosën, mijëra hebrenj u shpëtuan për shkak të besës – kodi i nderit që i kërkon çdo shqiptari të mbrojë jetën e çdokujt që kërkon strehim – pa marrë parasysh fenë, ngjyrën, etninë, apo gjininë, edhe nëse kjo nënkupton sakrifikimin e jetës. Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj. Shpëtimi i hebrenjve nuk mund të ketë ndodhur pa ndihmën e shqiptarëve që jetonin jashtë shtetit sovran të Shqipërisë në Kosovën e pushtuar nga nazistët dhe serbët. Kjo është pllaka që është dashur të jetë ngritur në Prishtinë me 23 maj.
Teksti i pllakës fillon me deklaratën se “Ky është vendi ku ka qëndruar sinagoga e fundit e Kosovës deri më 1963.” Kjo gjithashtu fsheh faktet historike. Kosova u sundua nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri më 1966 nga Aleksander Ranković, një zyrtar komunist serb që shtypi shumicën shqiptare të Kosovës dhe i cili shkatërroi arkitekturën historike shqiptare, duke përfshirë edhe sinagogën.
Së fundmi, meqënëse Izraeli ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është e parakohshme të thuhet ashtu sikur thotë programi zyrtar për ngjarjen se “Pllaka është gjithashtu shenjë e mirënjohjes për miqësinë e përjetshme mes popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit.” Është pikërisht Izraeli që duhet të artikulojë mirënjohjen e tij për rolin e veçantë që shqiptarët luajtën në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, dhe pastaj ti bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe popujve të tjerë demokratikë që e kanë njohur Kosovën si shtet sovran.( Kontaktoni: Shirley Cloyes DioGuardi)