Nga Thanas L. Gjika/
Botimi i shkrimit të z. Auron Tare në faja “Peizhazhe të fjalës, New York dhe mendimet e tij shprehur në TV në Tiranë lidhur me “gjynahet agjenturore” të krijuesve brilantë shqiptarë Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, më shtynë ta rishikoj e plotësoj esenë “Dy kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë”. E rishikova dhe e plotësova këtë shkrim duke theksuar se gjatë viteve të diktaturës, e në vijim pas kapitullimit të diktaturës komuniste, për gjallimin e kulturës demokratike shqiptare dhanë ndihmesën kryesore jo njerëzit që krijonin brenda vendit, por pikërisht shkrimtarët dhe artistët që krijuan nëpër burgjet e Shqipërisë dhe ata që mundën të arratiseshin jashtë atdheut. Kjo ndodhi dhe vijon të ndodhë sepse brenda vendit në vitet 1945-1991 nuk kishte kushte reale për krijim veprash plotësisht realiste e demokratike dhe se edhe pas vitit 1992 në Shqipëri klani Hoxha luftoi me anën e klasës politike dhe të medias që të krijohej një frymë mbytëse për kulturën e vërtetë demokratike, një nënvlerësim për kulturën e burgut dhe kulturën që u krijua në arrati. Studiuesi Auron Tare jeton e punon brenda Shqipërisë ku studiuesit dhe krijuesit e kanë vështirë t’i shpëtojnë përpunimit ideologjik prokomunist dhe vijojnë të mendojnë keq ndaj të dënuarve të ndërgjegjes dhe të arratisurve dhe në vend që të merren me studimin serioz të vlerave të veprave të tyre, përpiqen të kapen pas gjëra anësore të qena e të paqena në biografitë e tyre.
Gjatë viteve të diktaturës nuk u fol kurrë dhe nuk dihej se shumë prej të dënuarve të ndërgjegjes kishin krijuar në fshehtësi vepra letrare e artistike edhe në kushtet e rënda të burgjeve dhe të kampeve të internimit. Për këtë krijimtari partia shtet nuk nuk pranoi se ekzistonte një kulturë e tillë demokratike krejt e pastër, kultura e burgut, që përfaqësohej prej krijimeve të të dënuarve të ndërgjegjes. Për nderin e kulturës demokratike shqiptare të atyre viteve të vështira, u shquan disa nga shkrimtarët e piktorët e burgosur, ose të internuar në kampe pune si piktori e rapsodi Lek Pervizi, poetët Frederik Reshpja, Pano Taçi, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Pano Tasi, piktori Maks Velo, prozatorët Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Lazër e Jozef Radi, Gulielm Deda (përkthyes), Mid'hat Aranitasi (përkthyes), Pashko Gjeçi (përkthyes), Eugjen Merlika, etj. Këta krijuan ose përkthyen me rrezik koke vepra realiste me përmbajtje kundër shtypjes brenda mureve të burgjeve ferr e të kampeve të internimit. Krijimtaria e këtyre njerëzve përbën aspektin heroik të kulturës sonë demokratike që u zhvillua në vitet e vështira të diktaturës.
Këtyre veprave të shëndosha duhet t'u shtojmë edhe veprat e shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve që krijuan në diasporë pas arratisjes së tyre nga Shqipëria diktatoriale. Të tillë janë shkodranët e shquar Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Lec Shllaku dhe Sami Repishti, vlonjati Isuf Luzaj, gjirokastriti Xhevat Kallajxhi, çami Bilal Xhaferri, korçarët Dhimitr Berati, Stavro Skendi e Vasil Germenji, krutanët Musatafa Merlika e Idriz Lamaj, beratasi Namik Resuli, dibrani Isa Elez Ndreu, lumjani Essad Bilali, lushnjari Zoi Shyti, etj.
Ndërrimi i regjimit dhe botimi i veprave letrare dhe artistike realiste të krijuara në burgje, në kampe internimi dhe në arrati treguan se letërsia e realizmit socialist ishte një mish i huaj në procesin historiko letrar e artistik shqiptar. Pikërisht veprat letrare dhe artistike që u krijuan në burgje bashkë me veprat realiste që përmendëm më lart përbënë kulturën demokratike shqiptare në vitet e sundimit të diktaturës komuniste. Kjo krijimtari përbën hallkën lidhëse midis letërsisë dhe artit shqiptar demokratik të Rilindjes e të kohës së pavarësisë me letërsinë dhe artin shqiptar demokratik të ditëve tona e të së ardhmes.
Veprat letrare artistike që u krijuan gjatë kohës së diktaturës sipas normave të realizmit socialist, mbas ndërrimit të regjimit diktatorial ndjehen të vjetëruara dhe askush nuk krijon më sipas atyre modeleve. Sot, të dënuarit e ndërgjegjes dhe shumë njerëz të mirëformuar si Agron Tufa, Çelo Hoxha, Kastriot Dervishi etj kërkojnë që veprat artistike letrare ku është shtrembëruar e vërteta historik të mos pranohen si vepra të vlefshme arti, sidomos filmat socrealistë të mos trasmetohen në gjithë stacionet televizivë, por vetëm në një stacion dhe të shoqëruar me komente prej specialistëve.
Në Shqipëri pas ndërrimit të regjimit diktatorial duhej të arrihej krijimi i një kulture të vetme demokratike, por fatkeqësisht vijuan të gjallojnë ende dy kultura. Njëra demokratike dhe tjetra kultura servile e pushtetit, kultura jo demokratike. Kjo ndodhi sepse para ndërrimit të regjimit, udhëheqja e PKSh-së hartoi variantin shqiptar të planit Katovica që sajoi Mikail Gorbaçovi për sabotimin e procesit të ecurisë demokratike përmes pluralizmit partiak. Pas nërrimit të regjimit u futën me urdhër të klanit Hoxha në partitë e reja politike shqiptare ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe shërbëtorë të tjerë të regjimit diktatorial, për të degjeneruar proceset demokratike.
Zbarimi i planit Katovica në Shqipëri solli si pasojë krijimin e një klase politike me njerëz të korruptuar që shkelin lirinë e fjalës dhe kanë krijuar një shtyp e media që i shërben kryesisht interesave të saj. Tek ne pushtetin politik dhe pasuritë e vendit vijuan t'i gëzojnë edhe pas ndërrimit të regjimit besnikët e klanit Hoxha. Kjo situatë ka lejuar që në publicistikë, letërsi, arte dhe shkencat shoqërore propagandohet politika e kastës sunduese të shpërndarë në partitë e mëdha politike si Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Lidhja Socialiste për Integrim, etj.
Ish-krijues të veprave letrare e artistike të realizmit socialist, duke mos dashur të kërkojnë falje për veprat që krijuan gjatë regjimit diktatorial, vijojnë t’i mbrojnë ato vepra, si vepra me vlera edukative, duke mos kuptuar se ky justifikim është një krim i ri, sepse ndihmon në ruajtjen e nostalgjisë ndaj diktaturës dhe enverizmit. Sot në krijimtarinë e tyre letrare dhe artistike këta krijues janë larguar nga kriteret e socrealizmit dhe përpiqen të krijojnë vepra të reja në përputhje me normat e realizmit botëror. Përpiqen t’u ngjajnë shkrimtarëve përparimtarë botërorë, duke i cituar e përmendur. Merren me trajtim temash filozofike, erotike, sociologjike, por gjithnjë duke mos i trajtuar, ose duke i trajtuar sipërfaqshëm plagëve që shkaktoi regjimi komunist. Për t’u dukur modernë trajtojnë tema dashurie e filozofike, por nuk dënojnë krimet e kohës së komunizmit dhe përpiqen të minimizojnë vlerat e letërsisë së shëndoshë demokratike që u krijua në burgjet shqiptare, në diasporë dhe brenda Shqipërisë diktatoriale prej krijuesve të guximshëm që krijuan e vijojnë të krijojnë edhe sot bashkë me krijues të rinj që i dënojnë krimet e komunizmit. Krijuesit e sotëm të kulturës jo demokratike që vijnë nga koha e diktaturës, ose bijtë e kuadrove të përkëdhelur të diktaturës, nga njëra anë përpiqen të nënvlerësojnë krijuesit e kulturës demokratike që krijuan në ato vite të vështira duke sjellë të dhëna biografike që ua njollosin karakterin e moralin këtyre krijuesve, kurse nga ana tjetër përpiqen të dëshmojnë se ata vetë kanë qenë përndjekur (ata ose prindërit e tyre) nga diktatura sepse u ishte kritikuar a hequr ndonjë poezi a tregim nga një vëllim poetik, ose përmbledhje me tregime.
Në rrugë edhe më të gabuar kanë ecur dhe ecin historianët që shkruan Historinë e Shqipërisë të shekullit të XX. Këta e ripunuan “Historinë e popullit shqiptar” të viteve 1912-1939 dhe të 1939-1991 dhe e botuan në vëllimet III dhe IV, botim i Akademisë së Shkencave, si dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” edhe ky botim akademik i vitit 2008-2009. Në këto vepra për hartimin e të cilave morën rrogën dhjetra kuadro akademikë më shumë se dhjetë vjet, shumë dukuri, ngjarje dhe figura historike i interpretuan dhe i vlerësuan si më parë. Në këto vepra krimet e komunizmit nuk janë dënuar, madje nuk përmenden. Kjo tregon se klani Hoxha ka ende fuqi për të komanduar kuadrin shkencor të Akademisë së Shkencave të RSh-së, si dhe shumë krijues të artit e letrarsisë së sotme.
E thënë ndryshe, edhe sot në jetën shqiptare gjallon dykulturësia. Nga njëra anë gjallon kultura jo demokratike, e cila justifikon klasën politike dhe nuk i dënon krimet e komunizmit. Nga ana tjetët gjallon kultura demokratike që krijohet prej ish-të përndjekurve të ndërgjegjes dhe krijuesve të vjetër e të rinj, që kanë kurojo qytetare dhe i dënojnë krimet e komunizmit. Këta trajtojnë në veprat e tyre letrare, publicistike, artistike dhe shkencore probleme thelbësore të jetës shoqërore përmes realizmit si metodë krijuese, kurse në veprat shkencore zbatojnë me objektivitet parimet e historizmit shkencor. Për fat të keq kjo kulturë sot lëvrohet shumë pak brenda vendit për shkak se aty autorët e vërtetë demokratë nuk gëzojnë liri të plotë. Këta mund të botojnë libra në shtëpi botuese dhe shtypshkronja, por librat e tyre nuk popullarizohen dhe nuk vlerësohen si e meritojnë. Media aty është kryesisht në shërbim të klasës politike që i shërbën klanit Hoxha, prandaj kultura e vërtetë demokratike lëvrohet kryesisht në diasporë prej shkrimtarësh e gazetarësh të talentuar si Vehbi Bajrami, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Lek Pervizi, Jozef Radi Radi, Beqir Sina, Elida dhe Skender Buçpapaj, Fatmir Topçiu, Frank Shkreli, Astrit Lulushi, Roland Gjoza, Visar Zhiti, Anton Cefa, Ramiz Gjini, Andon Dede, Fritz Radovali, Ilir Lëvonja, Eshref Ymeri, Pëllumb Lamaj, etj të cilët botojnë kryesisht në gaztat “Dielli” e Illyria” ( Nju Jork) dhe në website “Kuq e Zi” (Bruksel), “Radiandradi.com” (Itali), “VOAL.Ch” (Zvicër), “Fjala e Lirë” (Londër), “Zemra Shqiptare” e Mark Markut, “Albemigrant” e Ajet Nuros dhe Paul Tedeskinit, etj. Kurse Adem Belliu, Këze Kozeta Zylo, etj kanë hapur stacione televizive në ShBA, etj. Disa të tjerë publikojnë shkrimet e veta në face-book personal dhe në libra me shpenzimet e veta, si politologët Shinasi Rama e Grid Rroi, pelazgologu Mathieu Aref, eruditi Klodi Stralla, shkrimtarë e poetë si Rudolf Marku, Ylli Demneri, Kristaq Turtulli, Petro Dhimitri, Petraq Risto, Gëzim Basha, Xhevdet Bajra, Arben Kallamata, Vangjush Ziko, Perparim Kapllani, Klajd Kapinova, Ilia Karanxha, Fotaq Andrea, Luan Rama, etj.
Kësaj kulture demokratike i përket e ardhmja, kurse kulturës servile proqeveritare do t’i vijë fundi shumë shpejt mbas krijimit të shtetit ligjor, kur Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Në këtë bashkësi popujsh nuk do të jetë më i nevojshëm dhe as do të pranohet lëvrimi i kulturës servile ndaj pushtetit. Pushteti do të jetë pushtet demokratik i vërtetë dhe si i tillë do të stimulojë jo servilizmin dhe propagandën proqeveritare në media, art, letërsi, shkenca shoqërore e tekste shkollore, por lulëzimin e kulturës demokratike si kulturë e vetme në shërbim të mbarë shoqërisë shqiptare dhe europiane.
E parë në plan tipologjik (përsëritja e tipareve të një dukurie) dykulrutësia shqiptare mund të themi se paraqitet nga njëra anë si rrjedhë e një lumi me ujra të kulluar që rrjedhin drejt detit dhe nga ana tjetër si një tërësi moçalesh me ujra të ndenjur që nuk rrjedhin e qëndrojnë në vend ku qelben. Kultura demokratike shqiptare, që u ka shërbyer interesave të popullit / kombit, përbën ujin e kulluar të lumit që shkon drejt detit. Kjo kulturë ka vijimësi gjatë shekujve XVI-XXI. Ajo është përpjekur të zhvillohet në harmoni me përparimin shoqëror me aspiratat e popullit dhe të interesit mbarëkombëtar shqiptar. Kjo pasuri vlerash kulturore ka për t’u derdhur në thesarin e kulturës së përbashkët europiane.
Kurse kultura jo demokratike, kultura proqeveritare që u ka shërbyer klasave / kastave në fuqi, që ka kërkuar të ruajë statukuonë e të sundojë si hegjemoni kulturore e nomenklaturave politike, përbën ujrat moçalore, që nuk kanë pasur e nuk kanë rrjedhje e vijimësi nga një kohë në tjetrën. Kjo lloj kulture është tharë e zhdukur gjithnjë. Kështu u tha e u zhduk kultura që mbështeti pushtetin perandorak turk, kultura që mbështeti shovinizmin fqinj, monarkinë Zogiste, fashizmin dhe diktaturën komuniste. Kështu do të thahet si ujrat e moçalit edhe kultura e sotme jo demokratike që i shëben kastës në fuqi për ruajtjen e statukuosë. Kjo kulturë nuk ka të ardhme, nuk mund të bashkohet në thesarin e përbashkët të kulturës europiane.
Ecuria e sotme e kulturës demokratike shqiptare në diasporë dhe brenda Shqipërisë e në mbarë Ballkanin Perëndoimor tregon se populli ynë është popull krijues i shëndetshëm dhe pas formimit të shtetit kombëtar do të shpërthejnë edhe më fuqishëm energjitë e tij krijuese.