“Unë jam Charlie, hebre, polic”, Parisi në momentin e një hapi historik kundër terrorizmit/
“Unë jam Charlie, hebre, polic”, ”Liri, barazi, vizatoni, shkruani”… qindra mijëra persona u mblodhën sot në qendër të Parisit për një manifestim historik, shfaqin bindjet e tyre, mes kujtimit për 17 të vdekurit në atentatet xhihadiste dhe manifestimit të vlerave të tolerancës dhe lirisë.
Disa orë para nisjes zyrtare në orën 15:00, nën ndriçimin e një dielli dimri, mijëra persona të të gjitha moshave janë mbledhur në sheshin ”Republika” në qendër të kryeqyetit, jo shumë larg ambjenteve të ”Charlie Hebdo”.
“Liri”, thërriti turma në këmbët e statujës së vendosur në sheshin ku janë mbledhur që prej të mërkurës ditën dhe natën qindra persona, të ardhur për të shprehur dhimbjen, emocionin, nervozizmin dhe shpresën.
Në statujën e Republikës është vendosur një pyetje: “Cilën shoqëri dëshironi të ndërtoni?”
Në tokë një mbishkrim: “U desh Charlie për të na bashkuar. Vazhdojmë…”.
Thirrjet shpërthyen kudo: “Mund të jetojmë së bashku sepse ndajmë të njëjtat vlera, liri, respekt për këdo”, deklaroi Daniel, 30 vjeç, muzikant dhe hebre.
“Islamikët nuk janë myslimanë, ata janë barabarë”, konfirmoi Riad, magazinier algjerian, 60 vjeç.
Më shumë se një milionë persona do të priten sot në marshimin historik kundër terrorizmit në Paris pas atentateve të ndodhura në Francë me pjesëmarrjen e 50 liderëve botërorë duke përfshirë drejtues të vendeve arabe dhe Izraelit.
Ky marshim, si dhe të tjera të organizuara në disa qytete të Francës, do të mbledhë pothuajse të gjithë zyrtarët politikë, sindikal dhe fetar francez, si dhe një numër të madh personalitetesh nga bota artistike dhe intelektuale.
Kryeministri britanik, David Cameron, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe shumë drejtues të tjerë botërorë mbërritën sot në Elyse ku u pritën nga presidenti francez, François Hollande para se të merrnin pjesë në marshimin historik parisian kundër terrorizmit.