Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa vjen e afrohet dita kur duhet të mbahet vazhdimi i mbledhjes konstituive të Parlamentit, ndarjet ndërmjet koalicionit të PDK-së dhe LAN-it vetëm sa po thellohen edhe më shumë. Kështu nuk do të duhej të ndodhte, përkundrazi nga vendimi i gjykatës e deri me tash secili është dashur të vënë gishtin në kokë dhe të mendoj mirë e fort se a është më me rëndësi një post udhëheqës apo mirëqenia sociale e popullit, siç kemi dëgjuar aq shpesh ta thonë këtë këta liderë. Por, fatkeqësisht këta udhëheqës partiak në asnjë rast , jo që nuk lëvizin nga pozicionet e tyre të ngurta, dhe nuk i përmbushin premtimet e dhëna për bashkëpunim e marrëveshje për të ndërtuar institucionet e shtetit në afatet ligjore e kushtetuese,por edhe më tej thirrën në të drejtën e tyre për zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe më pas edhe të qeverisë së Kosovës. Kjo nuk shkon kështu dhe nuk ka lidhje as me demokraci e as me parlamentarizëm , i cili pretendohej se po zhvillohej në vendin tonë.
Të mësuar me ndërhyrje ndërkombëtare
Qytetarët janë shumë të dëshpëruar me këtë cirk paszgjedhor dhe tepër të paknaqur me këtë gjendje të krijuar, përkatësisht me këtë krizë politike, e cila erdhi në shprehje, në rend të parë, për shkak të apetiteve të sëmura karrieriste të liderëve politik. Dhe me të drejt ata pyesin se athua di kush ta gjej fijen e lëmshit aq shumë të ngatërruar nga kjo grykësi për pushtet. Prapë përgjigja është e tyre. Përgjigje e drejt e dëshmuar edhe herave të tjera. Thonë: jena mësuar me ndërhy të huajt se sa për neve, siç po shihet, shkon dimri e vjen vera kush që mund të bëj diçka të hajrit kurrë. Është për të ardhur keq. Por kjo është e vërtetë, është edhe një argument i fort se qytetari tashmë e ka humbur besimin në shumicën e këtyre liderëve që nuk dinë tjetër pos të “ lidhin besën” se ose do të zgjedhen në postet e synuara, bile edhe duke shkelur rregulloren dhe Kushtetutën ose nuk bën ndryshe. Aq shumë iu ka dalë “ fala” këtyre lakmitarëve. Por që do se ata po bëjnë sehir se pari me vetë vetën e më pas po u hedhin hi syve elektoratit dhe në përgjithësi popullit kinse për të drejtën e tyre të “ patjetërsueshme ” se për këtë vendosi sovrani. Janë këto dokrra që tashmë nuk po pinë ujë se populli e ka kuptuar se cili është qëllimi i fundit i tyre. Përse faktori ndërkombëtar i instaluar në Kosovë nuk po e bën as edhe një hap të vogël për t’i ulur në një tryezë liderët tanë, kjo nuk po mund të kuptohet, por ndoshta lufta e filluar në Ukrainë, pastaj ballafaqimi me ISIS dhe të shumë problemeve tjera në tërë rruzullin tokësor, Kosova ka mbet në margjina të interesimit sepse tek fundit kjo për ta nuk është diçka që çon peshë aq të madhe. Megjithatë, mendoj se një ndërhyrje qoftë edhe e “ lehtë” do të ishte e mirëseardhur sepse edhe ata janë të bindur se liderët kosovar asesi nuk do të mund të merren vesh për shkak të, sidomos, urrejtjes së skajshme që është e pranishme ndërmjet tyre.
Deputetët nuk mund të bëjnë çka të duan
Në një intervistë për medie të një personaliteti të shquar ndër të tjera lexova të këtë thënë, sigurisht i revoltuar tej mase, se deputetët janë ata që vendosin për ndërtimin e institucioneve shtetërore pa u përzie as Gjykata Kushtetuese apo ndokush tjetër. Për këtë edhe unë pajtohem. Ata përfaqësojnë organin më të lartë legjislativ dhe në të gjitha demokracitë e zhvilluara kështu veprohet. Mirëpo nuk mund të pajtohem me konstatimin se ata mund të bëjnë çka të duan apo më mirë me thënë se duke shkelur rregulloren e bazuar edhe në aktin më të lartë, Kushtetutën, të ndërtohen institucionet e shtetit pavarësisht se a e ka dikush shumicën apo pakicën. Shi për këtë, është e formuar Gjykata Kushtetuese për të vepruar dhe për të mos lejuar të vjen në shprehje anarkia. Pajtohem, po ashtu, me konstatimin se ka shumë të meta edhe në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, por edhe në Kushtetutë sa i përket sistemit zgjedhor dhe instalimit të institucioneve pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak të këtyre të metave, që janë “ fryt” i përbashkët i të gjitha partive politike, rregullorja nuk bën të shkelet, por duhet të respektohet në tërësi. Kështu u shpreh edhe Ambasada amerikane se duhet të përfillet ligji, Kushtetuta dhe vendimi i fundit i Kushtetueses.
Për pushtet nuk duhet të “prishen” me aleatet kryesor të Kosovës
Nga krijimi i bllokut opozitar të inatit nuk kemi dëgjuar diçka të rëndësishme të thonë për vendin liderët e tij, pos që ata nuk heqin dorë për të ardhur në pushtet dhe pikë. Madje për t’i marrë postet e synuara liderët e këtij blloku as që qajnë kokën se mund të prishen marrëdhëniet ndërmjet aleatëve tanë pa ndihmën e të cilëve Kosova nuk do ta kishte fituar lirinë që kemi sot. Kjo u vërejt edhe tekstin e marrëveshjes me VV-në, në bazë të së cilës pos tjerash Albin Kurti do t’i udhëheq bisedimet me Beogradin e jo Kryeministri siç ishte praktikuar deri me tash. Për mua kjo nuk do të ishte aq e rëndësishme se kush dhe si do t’i udhëheq këto bisedime, këtë do të mund ta bëj edhe lideri i VV-së, por më e rëndësishme është se sa kjo marrëveshje do të ndikoj negativisht tek partnerët tanë strategjik, të cilët do të ndihmojnë në ecjen tonë përpara në të gjitha fushat. Gjithë ky “ lëshim” po bëhet vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet duke mos parë më shumë se deri të hundët se sa negativisht do të ndikoj për të ardhmen e Kosovës kjo grykësi aq e madhe për pushtet. Në vend të kësaj rruge të pakrye liderët do të duhej të kishin qasje konstruktive për një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjitha subjektet politike, pavarësisht se a mund të lidhet farë koalicioni tjetër apo qeverisje tjetërfare që vendin do ta shpetonte nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në politik, së paku haptas, liderët nuk do të duhej që para popullit të shprehin tërë atë mllefin e urrejtjes që kanë ndërmjet vete, të xhelozisë, të inatit. Kjo nuk është e moralshme. Ka ende kohë për të menduar e punuar ndryshe dhe të zgjidhet ky ngërç politik në mënyrë demokratike duke ia dhënë rastin e mundësinë për të shkuar para në ndërtimin e institucioneve të shtetit aq të nevojshme aktualisht. Nëse këta liderë nuk ia arrijnë t’i marrin postet aq shumë të dashura për ta, vendi në asnjë rast nuk duhet të trazohet, kjo do të ishte porosia e popullit.
I ka apo nuk i ka votat PDK?
Partia fituese PDK edhe pse po bën përpjekje për të krijuar institucionet sipas rezultatit të arritur në zgjedhje, këtë nuk po mund ta bëj për shkak të bllokadës nga subjektet tjera politike. Është e natyrshme se secila parti që fiton zgjedhjet nuk dëshiron që në tavolinë të humb marrjen e pushtetit, të cilën gjë po e thotë edhe PDK. Mirëpo, në këtë situatë të krijuar apo më mirë më thënë të kryeneçësisë së liderëve tanë vështirë se do të mund të përfundoj ky cirk në mënyrë të rregullt dhe pa probleme gjatë seancës inauguruese të Parlamentit. Nëse PDK këmbëngul që Kryeparamentari i takon vetëm asaj bazuar edhe në vendimin e Kushtetueses, e në anën tjetër nëse nuk do t’i këtë votat atëherë vendi mund të shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Disa herë u deklaruan përfaqësues të partisë fituese se i kanë numrat për zgjedhjen e Kryekuvendarit, por sa do të jetë kjo reale pritet të shihet me 12 shtator. Mirëpo, nëse sërish blloku opozitar vepron ngjashëm sikur herën e parë atëherë Kushtetuesja prapë do të veproj. Dhe për këtë dikush do të duhej të merret në përgjegjësi. “ Ilaqii” dhe “ terapia” më e përshtatshme do të jetë ndërhyrja ndërkombëtare.
KQZ NJË INSTRUMENT POLITIK DHE PA INTEGRITET I ABSOLUTIZMIT PARTIAK
Partitë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër! /
Nga Elida Bucpapaj/
Prej dje po dëgjojmë që faktori ndërkombëtar po e vë theksin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë apolitik dhe i paanshëm! Natyrisht ashtu duhet të jetë!
Po ku kemi qenë ne këta 22 vjet? Po partitë ku kanë qënë? Që të jetë apolitik dhe i paanshëm do të duhej që anëtarët e tij përfshi kreun të jenë figura me një integritet të pacënushëm prej influencës e jashtë ndikimit e të mos u thonë lepe peqe me përulje urdhërave të kryetarëve të partive!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri është thellësisht politik dhe i anshëm, sepse ky Komision zgjidhet pikërisht nga partitë, të cilat përzgjedhin aty njerëzit më luajalë, jo ndaj ligjit, por ndaj kreut të partisë, ku kreu i partisë përkthehet me atë sentencën aq të njohur të Luigjit të XIV se “Ligji jam Unë”, ndërsa Kushtetuta është copë letër.
Dhe kjo formulë, i zgjedhur prej partive, e ka kompromentuar Komisionin Qendror Zgjedhor, i ka hequr besueshmërinë. Opozita nuk i beson a priori vendimet që merr shumica në këtë Komision, sepse ka parasysh se si vepronte ky Komision kur opozita kishte maxhorancën. Dhe vice versa. Prandaj rezultatet kontestohen gjithnjë nga humbësit.
Asnjë parti në Shqipëri këta 22 vjet, përjashto zgjedhjet e 22 marsit 1992, nuk e ka respektuar formatin e KQZ si një institucioni demokratik, që KQZ të jetë apolitik, i paanshëm dhe i pavarur nga partitë!
Ndërkohë KQZ ka patur rol kryesor sa i përket të gjitha proceseve zgjedhore që janë mbajtur në Shqipëri.
Më 1996 fitorja e PD do të ishte normale sepse shqiptarët posa ishin ndarë nga një regjim kriminal dhe sistemi piramidave kishte krijuar një farë prosperiteti ekonomik, por kjo fitore u komprometua nga një rezultat që shkoi mbi 90%, pra ishte e qartë se pati manipulim. Zgjedhjet e 1997 u zhvilluan pas shembjes të shtetit për pasojë të krizës së piramidave nën terrorin e bandave kriminale të Zani Çaushit dhe shokëve të tij, ku e majta u kthye në pushtet me dhunë. Natyrisht që fitorja e PS ishte e manipuluar, sikur u manipulua edhe rezultati i referendumit të Mbretit Leka Zog, ku populli votoi për Monarkinë. Edhe zgjedhjet e 2001 u manipuluan nga PS dhe provat e manipulimit ishin aq flagrante sa faktori ndërkombëtar e detyroi PS që zgjedhja e presidentit të Republikës së Shqipërisë të bëhej nga PD, ku Berisha zgjodhi për President Alfred Moisiun, një gjeneral dhe bir gjenerali të Enver Hoxhës, me të cilin pastaj pati marrëdhënie shumë të acaruara. Edhe e zgjodhi vetë, edhe pastaj nuk e suportonte po ai vetë. Rotacioni i PD më 2005 ishte shumë legjitim pasi qeverisja e majtë kishte dështuar plotësisht, por ky rotacion u bë e mundur vetëm në sajë të Fatos Nanos, paçka se atij kjo i kushtoi karrierën politike, sepse Ruçi me kompani kërkonin me çdo kusht fitoren dhe e kontestuan rezultatin e 2005. Fatos Nano, si kryetar i PS-së kishte qënë edhe kritikues i ashpër i qeverisjes nga Ilir Meta dhe shkak i largimit të tij sepse e kishte denoncuar Metën për afera korruptive sepse vendi ishte gërryer nga trafiqet, mafia dhe keqqeverisja.
Mandati i parë i PD-së e nxori Shqipërinë nga listat e zeza. Rruga e Kombit dhe hyrja në NATO ishin kartat e fitores për një mandat të dytë më 2009, paçka se pala humbëse nuk e njohu rezultatin, por pas zgjedhjeve të 2009 Sali Berisha në vend që t’i përkushtohej ruajtjes të profilit politik të PD, si parti e qendrës së djathtë, jo vetëm që hyri në aleancë me Ilir Metën, por i braktisi idealet e dhjetorit dhe e degjeneroi PD në një parti të majtë, pasi i humbi lidhjet me ish-të përndjekurit, me ish-pronarët dhe me njerëzit që e mbështetën, të cilit nuk kishin patur skeletë nëpër dollapë gjatë diktaturës. Qeverisja ndërkohë u gërrye nga militantizmi arrogant, nga nepotizmi dhe hipokrizia e lidërshipit.
Partitë ndërkohë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër!
Nëse do të ishte apolitik ky Komision, dhe ashtu do të duhej të ishte, dhe po të ishte ashtu, partitë politike, por edhe shqiptarët do ta bënin gjumin e qetë, se integriteti i votës të tyre, dmth vota e Sovranit do të mbetej e pacënuar.
Po sot e shihni si shqetësohen aq shumë të gjitha palët? Po çmenden, po kalojnë në çmendi. Sepse pushteti politik në Shqipëri nuk e njeh pavarësinë e institucioneve! Në një sistem demokratik pushtetet janë të pavarura, mediat po ashtu. Në Shqipëri, jo, të katër pushtetet janë të varura dhe ndërvarura nga partitë! Kështu edhe institucioni i KQZ.
Dhe sipas logjikës të absolutizmit të pushtetit politik në Shqipëri, kryetarët e partive ngjajnë si feudalë anadollakë dhe deputetët bujkrobër qyqarë.
Me daljen nga koalicioni me PD, largimi i anëtarit të LSI-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ugual me largimin e ministrave, nënministrave, drejtorët e drejtorive dhe nënkryetarit të Bashkisë të Tiranës! Kjo është logjika. Logjika e Ed Ramës, e Sali Berishës dhe e Ilir Metës, të cilit Berisha me katër deputetë prej 2009 deri në prill 2013, pra pothuaj për katër vjet rresht, i dha në tabaka 40% të posteve më të larta dhe administratës publike! Sot Ilir Meta po e akuzon Berishën si diversant! Nuk e di se si do t’i përgjigjet nesër Sali Berisha.
Ky është realiteti i hidhur dhe i turpshëm, se pushteti politik i partive ka 22 vjet që e ka cënuar integritetin e KQZ dhe e ka shndërruar në një institucion, të cilit nuk i zë besë asnjëra palë kur kalon në opozitë. Prandaj sot shqetësohen aq shumë kryetarët e partive, sepse KQZ është 100% i politizuar dhe një instrument politik në duart e tyre.
Çfarë mund të bëhet? Po të kishin patur minimumin e vullnetit politik, kryetarët e partive kishin votuar në mënyrë unanime një KQZ të përbërë nga njerëz të ndershëm dhe me integritet, të cilëve pak u interesojnë partitë, kur venë në balancë interesat e vendit të tyre. Dhe Shqiptarë të tillë ka. Por kryetarët e partive pëlqejnë zakonisht njerëzit e njollosur që ata t’i përdorin si marioneta.
Sa i përket formatit që ka sot, ky Komision nuk ka më kredibilitet dhe si i tillë nuk mund t’i mbijetojë sistemit të vlerave të demokracisë. Zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të kontestuara. Sepse kontestimin e prodhon pikërisht politizimi i tej skajshëm që ka KQZ, çka do të thotë se ky Komision nuk është as apolitik dhe as i paanshëm. Kështu e kanë katandisur politikanët, të cilët kanë shkelur me këmbë Kushtetutën! Po, po, kryetarët e partive kanë shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e Shqipërisë! Dhe shkelësit e Kushtetutës dihet se ku e kanë vendin!