• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vazhdimësia e politikës amerikane në Ballkan dhe faktori shqiptar

March 22, 2018 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/

Kur i referohen angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, mjaft zyrtarë dhe analistë kanë tendencën të thonë se Ballkani iku nga harta gjatë administratës së Presidentit Obama dhe vazhdon akoma të mos figurojë . Teksa ky pohim mbart në vetvete një të vërtetë në lidhje me një zbehje të politikës amerikane në rajon në lidhje me disa çështje të caktuara dhe problematika të tejzgjatura të hasura nga vendet e rajonit, nuk mund të mohohet se ka një kontinuitet në interesat e shfaqura amerikane dhe në angazhimin e patjetërsuar deri më sot të instituticioneve të politikës së jashtme amerikane për stabilitetin dhe balancën gjeopolitike në gadishull.

Gjatë administratës së tanishme, në rajone të caktuara të botës politika amerikane ka implementuar një sërë ndryshimesh substanciale bazuar në objektivat e deklaruar nga Presidenti Trump në fushatën presidenciale dhe më tej. Rishikime të politikave për rajone specifike kanë qënë të dukshme në Lindjen e Mesme, ku administrata e re ka ndjekur një strategji kryekëput të ndryshme në  krahasim me ato të administratave të mëparshme dhe ka insistuar për të ndryshuar statuskuonë në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. Në të njëjtën mënyrë, SHBA ka transformuar marrëdhëniet me vendet arabe dhe ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Iranit.

Është e pamohueshme se, përtej ndryshimeve të qasjeve ndaj disa rajoneve, SHBA ka bërë edhe tërheqje nga rajone të caktuara të cilat nuk paraqesin interes të drejtpërdrejtë për SHBA. Përgjithësisht, tendenca është që Ballkani të kategorizohet në këtë grup. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Angazhimi amerikan në Ballkan ka qënë në zbehje gjatë administratës së kaluar, veçanërisht në mandatin e dytë të Presidentit Obama, por që kurrsesi nuk ishte një tërheqje.

Kjo vazhdon të jetë e vërtetë  edhe për  administratën aktuale. Pavarësisht se ditët e interesit të drejtpërdrejtë amerikan në Ballkan janë të largëta, kontinuiteti në politikat e sigurisë, angazhimi për stabilitetin e rajonit, kundërvënia ndaj influencës ruse dhe surrogatëve të asaj influence, si dhe mbështetja për aleatët strategjikë janë elemente thelbësore dhe të pamohueshme që reflektojnë pulsin e prezencës amerikane në gadishullin ballkanik..

Kjo u vërtetua plotësisht në vizitën e javës së kaluar të Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell. Në një tur që përfshiu vizita në Prishtinë, Shkup, Beograd, Athinë dhe në Nikosia, Ndihmës Sekretari Mitchell ritheksoi qëndrimin e pandryshuar dhe koherent të Shteteve të Bashkuara për rajonin dhe ndaj vendeve të rajonit.

Administrata e Presidentit serb Vuçiç ka kohë që tashmë po përpiqet të rregullojë marrëdhënien me SHBA. Zgjedhja e Presidentit Trump ka përkuar me një intensifikim të përpjekjeve serbe në këtë drejtim. Në këtë kontekst duhet parë dhe deklarata e shtatorit e Presidentit Vuçiç pas takimit me Presidentin Trump në New York në vazhdën e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, kur presidenti serb konfirmoi pranimin e ftesës së presidentit amerikan për të vizituar Serbinë.

Por, vizita e Ndihmës Sekretarit Mitchell dhe deklarata e tij pas takimit me Vuçiç se SHBA jo vetëm që mbetet mbështetës i Kosovës, por mbështet fuqimisht dhe formimin e ushtrisë së Kosovës, e kundërshtuar me forcë nga Serbia dhe administrata Vuçiç, është një dëshmi e pakundërshtueshme se vizioni amerikan për rajonin nuk ka ndryshuar dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndryshojë.

Politika amerikane në Ballkan mbetet një gur-themel stabiliteti. Përpara pak muajsh, Council on Foreign Relations, një nga qendrat kryesore amerikane për analizimin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe që vazhdimisht këshillon dhe bën rekomandime për instituticionet zyrtare të politikës së jashtme amerikane, paraqiti raportin e përvitshëm për rajonet e rrezikuar për të degraduar në dhunë dhe në konflikte të armatosura për vitin 2018. Raporti i ndante rreziqet në tre kategori, në varësi të intensitetit dhe mundësisë për t’u materializuar. Teksa në nivelin e parë shfaqeshin rreziqe të tilla si sulmet terroriste, Korea e Veriut, Irani, etj., ajo çfarë binte në sy ishte fakti se në nivelin e tretë listohej edhe Ballkani. Raporti vlerësonte si shqetësuese tensionet e mundshme ndërmjet disa vendeve të rajonit.

Rreziqe të tilla për Ballkanin janë pak të ekzagjeruara, për shkak se banorët e shteteve ballkanike janë tashmë të lodhur nga konfliktet dhe të shqetësuar nga ekonomia dhe perspektiva për të ardhmen. Por, ajo cka është e rëndësishme ka lidhje me idenë se në Washington, qoftë në politikën zyrtare të SHBA dhe qoftë në punën e institucioneve joqeveritare, ka një interes dhe vëmendje të veçantë për Ballkanin. Interesi amerikan është që Ballkani të mos bëhet pre e destabilitetit dhe gjasat janë që angazhimi në rajon do vazhdojë të jetë i pandryshuar për ta garantuar atë.

Problemi i vetëm me qasjen e politikës amerikane është se e ka deleguar plotësisht misionin dhe përgjegjësinë për demokratizimin dhe forcimin e instituticioneve në vendet e rajonit te Bashkimi Europian. Deri më tani, BE-ja është treguar tejet dritëshkurtër në këtë drejtim dhe madje e paaftë për të shtyrë proceset e demokratizimit dhe të forcimit të institucioneve të pavarura. Është pikërisht kjo paaftësi që ka forcuar pozitat e Vuçiç dhe politikanëve të tjerë autoritarë dhe të korruptuar sivëllezër të tij në vende të caktuara ballkanike. Nëse do ishte për BE-në, më shumë mundësi sot në Maqedoni Gruevski dhe rrjeti i tij i korruptuar do ishte akoma në pushtet dhe duke i fryrë nacionalizmit arkaik. Ishte padyshim ndërhyrja amerikane nëpërmjet Brian Hoyt Yee që solli zgjidhjen e krizës politike që kaploi Maqedoninë pasi Gruevski dhe shërbëtori i tij politik, Presidenti Ivanov, refuzonin të lejonin formimin e qeverisë së re.

Mike Pompeo pritet të konfirmohet së shpejti nga kongresi amerikan për të zëvendësuar Rex Tillerson në postin e Sekretarit të Shtetit. Pavarësisht ndryshimit në krye të Departamentit të Shtetit, të gjitha gjasat janë që politika amerikane në raport me Ballkanin të ketë kontinuitetin që nuk e patën mjaft rajone të tjera të botës me ardhjen e administratës së re. Kjo është me rëndësi të veçantë për faktorin shqiptar në Ballkan pasi ka një përforcim të dukshëm të pozitave në rajon. Ligji i gjuhës shqipe që kaloi në Maqedoni pak ditë më parë është një shenjë e drejtpërdrejtë se kemi një momentum të rëndësishëm që vjen prej vazhdimësisë së politikës amerikane. Mbështetja që Ndihmës Sekretari Mitchell shprehu për Kosovën dhe krijimin e ushtrisë së saj është një tjetër indikacion domethënës.

Forcimi i institucioneve demokratike në vendet ballkanike do vazhdojë me shumë gjasa të jetë një proces i ngadaltë, sa për shkak të pengesave të krijuara nga elitat e korruptuara të Ballkanit, aq edhe për shkak të paaftësisë së Bashkimit Europian për ta ngritur diskursin politik në këto vende. Dhe kjo është padyshim e vërtetë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Por, nga ana gjeopolitike, stabiliteti i Ballkanit vazhdon të jetë drejtpërdrejtë investim i SHBA. Kontinuiteti i politikës amerikane është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën dhe politika e jashtme e dy shteteve shqiptare në Ballkan (pa harruar edhe faktorin politik shqiptar në Maqedoni) duhet të vazhdojë të ketë si synim kryesor intensifikimin e bashkëpunimit me institucionet amerikane. Dhe duhet të vazhdojnë pashmangshmërisht të lobojnë për një përfshirje sa më të madhe të SHBA në rajon, si siguria më e madhe për stabilitetin e rajonit dhe forcimin e pozitave të faktorit shqiptar në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Ballkan, Faktori shqiptar, politika amerikaner

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT