TIRANE, 22 Maj / – Në Lushnjë, prej dy ditësh është zhvilluar Festivali Tipologjik Folklorik i Valles Popullore.Në edicionin e 9 të tij morën pjesë 8 grupe garuese nga qarqe të ndryshme të vendit dhe 5 grupe përshëndetëse.
Kostumet shumëngjyrëshe dhe harmonia e valleve popullore nxorën në shesh me qindra qytetarë të Lushnjës për të ndjekur festivalin.
Disa ansamble popullore vinin për herë të parë në këtë qytet, ndërsa të tjerë kanë qenë fitues të edicioneve të mëparshme.
Ata shprehen se vallja popullore pëlqehet shumë edhe nga brezi i ri, fakt ky që tregon se në përbërjen e tyre grupet kishin mjaft valltarë të moshave të reja.
Në këtë edicion garuan edhe grupe nga Janina dhe Kosova.
Gjatë dy netëve të Festivalit të Valles Popullore, grupet pjesëmarrëse parakaluan me kostumet e tyre popullore në sheshin qendror të qytetit.
Atmosfera e ngjyrave ka gjallëruar pasditet, duke sjellë edhe jehonën e muzikës popullore.
Fitues i Edicionit të nëntë të Festivalit Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore u shpall grupi i Korçës.(Kortezi:ATSH)