*-“Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shteti”, shkruan Ismail Kadare te “Ftesë në studio” (1990) kur flet për Lasgushin, “Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.
Shkruan:Vjollcë Berisha/Universiteti i Tetoves/
Qyteti i vogël, liqeni dhe poeti kishin një emër. Atë emër që ky i fundit qe ngutur për ta veshur me t’u kthyer nga studimet në Austri, si për ta mbyllur rrethin, si për ta vënë vulën në secilin cep të vendit të lindjes shumë-shumë më përpara se të emëroheshin rrugë e të ngriteshin shtatore siç ndodh gjithmonë me qytetet e poetëve kombëtarë të një vendi. Atë emër me të cilin do të identifikohej e tërë poezia moderne shqipe, atë emër të cilin më tepër se gjysmëshekulli mëtonin ta shurdhonin, duke e lënë në harresë. Lasgush Poradeci, Llazar Gusho, Gjeniu i anijes, Shtërgu i fundit, Nositi, klasiku i poezisë, latuesi deri në përsosmëri i fjalës… erdhi në letrat shqipe si zë mahnitës, si vazhdimësi e natyrshme e një kulture letrare që e mëkoi, erdhi duke iu jashtëshkruar letërsisë sonë të traditës, poezisë së bukur të De Radës e Naimit dhe tërë magmës së letërsisë sonë gojore, ku vete e ngjyen pak bukën akëcili poet kombëtar. Erdhi përkrah Nolit, Mjedës, Asdrenit, Fishtës, Migjenit, erdhi plot me letërsi thithur nga autorë të njohur evropianë, shumë prej të cilëve më pastaj i solli edhe në shqip, si: Brehtin, Emineskun, Hajnen, Majakovskin, Jeseninin etj. Vëllimet e tij me poezi “Vallja e yjeve” – 1933 dhe “Ylli i zemrës” – 1937 (kjo e fundit botuar një vit pas “Vargjeve të lira” të Migjenit dhe në të njëjtin vit me “Lahutën” e Fishtës dhe “Psalmet e murgut” të Asdrenit) qenë ngjarje për letërsinë e vogël shqipe, qenë veprat që bënë kthesë në poezinë tonë, me të cilat Lusgushi, poeti modern shqiptar, përfaqëson një paradigmë të përsosmërisë tekniko-formale dhe të parimit të estetizimit gjuhësor në poezi.
Vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosja e regjimit komunist në Shqipëri, sidomos deri në fillim të viteve ’60, kur në skenën letrare u shfaqën krijuesit novatorë Kadare, Agolli, Arapi e të tjerë që e mbajtën në supe letërsinë e sotme shqipe, qenë vitet e djerrinës letrare, vitet e rrudhjes së letërsisë shqipe në një pamflet, vitet kur shumë më tepër se për bukurinë e fjalës, poetët duhej të kujdeseshin për mesazhin politik që do ta përcillnin, dukuri kjo që ia hiqte përhiroren e shenjtërisë fjalës dhe shndërronte në një mjet të thjeshtë komunikimi pa hijeshi. Ishte koha ku kishin mbirë poetët e malierit, ata që kishin mbajtur pushkën në njërin krah e penën në tjetrin, ata që tani po kalonin nga fronti i luftës në atë të punës, në përpjekje për ta ngritur shtetin e ri socialist, ata që artin e shihnin art jo vetëm kur i shërben vetvetes, por kur i shërben një qëllimi të jashtëm, ata që vetëm për një vit kishin shkruar e botuar gjashtëdhjetë vjersha me temë traktori, e sa të tjera për gruan në prodhim, për shtrimin e asfaltit, për hidrocentralet, për hapjen e shkollave, ata që e kishin ndjekur zhvillimin e vendit si kronistë të vërtetë, shumë prej tyre me talent që linte për të dëshiruar, po edhe nga ata që e kishin hequr mënjanë talentin si kurorën dhe e ruanin për ditë të tjera. Sot ngutja politike, plenumet partiake ku dënoheshin dhe ngriteshin penat kërkonin tjetër gjë. Kjo kërkesë dhe kjo përgjigje e poetëve të cilët Kadareja, në mbledhjen e 11 korrikut 1961, në debatin për novatorizëm, i quajti poetë luleshqerrash, shënjoi dy dekada letërsi shterpë dhe shkëputje nga rrjedha natyrore e saj, nga tradita jo e pakët, nga folklori, nga poezia që kishte filluar tre shekuj më parë me Lekë Matrëngën.
Në këtë djerrinë, kishte zëra që ishin ulur, tërhequr mënjanë, apo që kishin heshtur përgjithmonë, pa mundur të njësoheshin me kërkesën letrare të kohës, pa mundur të flijonin artin e tyre në emër të njohjes, në emër të zënies së një vendi në hierarkinë e vlerave letrare socialiste. Një nga ata, ndoshta më tipiku, më vuvi, qe pikërisht Lasgushi, klasiku i gjallë i poezisë shqipe, bardi i poezisë sonë moderne, poeti që i kishte kënduar atdheut në formën fizike e metafizike të saj, poeti i ndjenjave të thella dhe i vizioneve harmonike, jo rrallë me përmasa kozmike. Po ç’ishte kjo heshtje lasgushiane? Mënjanim politik? Pre smire nga njerëz meskinë? Apo vetëmënjanim? Mosdëshirë për të kohuar në “kohëra të këqija për lirikën”, siç do të thoshte një poet tjetër i kësaj ane të liqenit zemërak?
Ndoshta të gjitha nga pak. Nëse u referohemi kujtimeve të njerëzve që e kanë njohur, që kanë biseduar gjatë me të, siç janë, bie fjala, Petraq Kolevica, Ismail Kadare e Moikom Zeqo, mund lehtësisht të konstatojmë që regjimi e heshtte Lasgushin, e shtynte drejt një harrimi pa bujë, drejt një shfaqjeje të ëndërrt të tij, aq sa shumë gjimnazistë të kohës nuk e dinin në ishte gjallë apo kishte vdekur. Po edhe Lasgushi, nga ana e tij, qe tërhequr herë në shtëpinë përdhese të Tiranës e herë në kullën e tij në Pogradec, në qytetin ku i kalonte pushimet edhe vetë sekretari i parë i Partisë, Enver Hoxha, antipod i Lasgushit për nga prania, pasi sa më i gjithëpranishëm diktatori, aq më i munguar e i pabujë Poeti.
“Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shteti”, shkruan Ismail Kadare te “Ftesë në studio” (1990) kur flet për Lasgushin, “Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.
Por edhe Lasgushi nga ana e tij sikur kishte mbyllur të gjitha shtigjet me botën e jashtme. Ndoshta kjo është arsyeja që e besojmë se e ka pasur me gjithë mend kur e ka pyetur Kadarenë: “Në ç’regjim jetojmë?” dhe kur ky i fundit është befasuar nga kjo pyetje dhe ka shfaqur shenja mosbesimi për këtë harrim, Lasgushi është përgjigjur: “E kisha harruar vërtet, poetit i lejohet çdo gjë”.
Ishte e vërtetë që për të poeti nuk qe vetëm ushqyesi i gjuhës, krijuesi i botëve të vogla, universeve të panumërta, por edhe i gjithëdijshmi i kohëve, përgjegjësi i të gjitha gjërave që ndodhin në kohën e tij, prandaj tek po fliste për dënimin e Vinçenc Prenushit, bie fjala, përdorte foljen në vetën e parë, thoshte: “Kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçenc Prenushin, ai ishte 76 vjeç”. Thoshte kështu, pasi besonte që poeti ishte përgjegjës për çdo gjë.
Me gjithë këtë barrë të madhe që ia ngarkonte poetit, Lasgushi mëtonte të ishte poet dhe vetëm poet, pra poet absolut, si të gjithë poetët pasromantikë. Në parimet e tij estetike arti s’ishte për konsum të gjerë, artin ia blatonte një pakice, një elite të zgjedhur njerëzish.
Edhe poezia e tij, siç ka ndodhur me një mori poetësh gjenialë në botë, për nga sasia është modeste (dy vëllimet e tij kanë pak më shumë se njëqind poezi gjithsej), por e llojllojshme për nga përmbajtja, mbresëlënëse për nga fuqia e shprehjes, leksiku poetik dhe muzikaliteti që ka. Sado që dy vëllimet poetike të Lasgushit kanë qenë në qendër studimi nga studiues të ndryshëm, kryesisht pas rënies së komunizmit në Shqipëri (Kosova e kishte studiuar deri diku edhe më parë), prapëseprapë autorët kanonikë që të jetojnë apo të mbijetojnë në luftën e egër për të qenë apo mbetur pjesë e kanonit të një letërsie kanë nevojë për rileximet që janë konfirmuese ose përjashtuese nga kanoni. Megjithëse distanca kohore që na ndan nga vepra lasgushiane është e mjaftueshme për ta radhitur atë në vlerat kanonike letrare shqiptare, prapëseprapë ka hapësirë të rileximeve nga aspekti formalist, strukturalist i tekstit të Lasgushit, për të cilin fjala qe polisemike dhe mund të aktualizojë valenca të ndryshme të polisemisë.
Tek ai jo vetëm fjala, por edhe interpunksioni merr një vlerë të veçantë. Siç mund të vihet lehtë re edhe pikat e heshtjes janë të ngarkuara stilistikisht, madje shpesh janë ambivalente në poezinë lasgushiane. E tërë kjo s’ka kaluar pa u vënë re nga studiuesit, por edhe s’duhet të kalojë pa u vënë re, pasi sikurse e thotë dhe poeti i njohur Aleksandër Bllok: “Struktura shpirtërore e poetit shprehet kudo, madje edhe tek pikësimi”.
Zënia e vendit nga ana e poezisë bërtitëse, deklarative të pasluftës ka shkaktuar edhe vonesa të konsiderueshme në leximin e gjithanshëm të poezisë lasgushiane, të kësaj poezie të sistemuar në cikle që komunikojnë semantikisht me njëra-tjetrën dhe krijojnë ligjet e veçanta poetike brenda yjësive të cilave u përkasin, të cilat cikle dua t’i përmend për hir të auditorit të sontëm të nderuar, por që nuk janë të gjithë të fushës së letrave:
Vallja e yjeve (1933): Zog i qiejve; Vallja e qiellit;Vallja e dheut; Vallja e yjeve; Vallja e përjetësisë; Vallja e vdekjes; Kur nuk ndjehesh fare mire.
Ylli i zemrës (1937): Zemra e qiellit; Zemra e dheut; Zemra e jetës; Zemra e përjetësisë; Zemra e vdekjes; Kush më njohu dhembshurinë.
Mund të vihen re bredhjet nga një vatër kuptimore në tjetrën pa e ndërruar shënjuesin, gjë që flet për thellësinë e mendimit lasgushian, kulturën letrare të tij, talentin krijues dhe mbi të gjitha njohjen e teknikave moderne të vjershërimit. Lasgushi s’ishte indiferent karshi erozionit që i kanosej gjuhës shqipe dhe shfaqjes së saj më sublime – verbit poetik, që duhej ta shquanin bukuria, harmonia e pastërtia. Nisur nga këto parime estetike, shumë nga poezitë e tij kanë zënë vende meritore në antologjitë e poezisë sonë kombëtare dhe lexohen me ëndje nga lexues profesionistë dhe lexues të tjerë. Disa nga poezitë më të pëlqyera e më të njohura të Lasgushit janë: Naim Frashërit (shkruar në 75 variante), Kënga pleqërishte, Kroi i fshatit tonë, Vallja e luleve, por edhe vjershat e triptikut të njohur poetik-filozofik: Lundra dhe flamuri, Gjeniu i anijes dhe Vdekja e Nositit.
Liqeni zemërak (dashuria e veçantë e jetës së tij), ylli (që merr disa kuptime poetike dhe krijon mundësi leximi të reja, figurë që shfaqet si nyje lidhëse midis njësive specifike strukturore-poetike që mëtojnë të bëhen një), malli (që del në disa kuptime, e ajo më tipikja është kur fjala mall te Lasgushi shënjon dashurinë, e dashuria për të është shuma e të gjitha ndjesive të mira: përjetimit, mungesës, pranisë…), vasha (së cilës herë i thotë mike, herë motër e herë e njëson me ndjenjën, e quan mall edhe atë), atdheu (gjakim i përhershëm fizik e metafizik i tij) etj. janë pikat e forta figurative mbi të cilat qëndron e palëkundur lirika e veçantë, lirika e thellë, plot muzikalitet e Lasgush Poradecit.
Është i bukur dhe kërshërindjellës fakti se në kohën e harrimit, në kohën kur Lasgushi shëtitej si fantazmë nëpër Pogradec, në brigjet e “liqenit zemërak” me kapotën e gjatë, me borsalinën e zezë mbi krye, i shoqëruar nga miku i tij i dashur Cuci, për të cilin thoshte që e ka emrin më të bukur ndër emrat qenorë, diçka krejt çuditshëm e kishte trazuar heshtjen që e mbështillte atë, një histori dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, një dashuri e fundme, ardhur si me shenja proteste ndaj harrimit të tij të gjatë. Është kjo historia që la një ditar të vogël pas vetes, nja 50-60 faqe prozë të shkruara nga dora e Lasgushit dhe të titulluar Vizitat e zonjushës Ana G ne kullën time.
Në tregimin e shkruar në dy variante dhe të botuar më pastaj si libër i mëvetësishëm, në vitin 1999, me titull “Ikja e Shtërgut”, Ismail Kadare flet për receptimin e kësaj historie nga njerëzit dhe nga ai vetë. E quan protestë të poetit, madje edhe të vetmen gjë të bukur që kishte ndodhur viteve të fundit në Shqipërinë komuniste:
“Një lidhje dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, në qytetin e vogël provincial, ku godina e komitetit të partisë ngjante më e madhe se kudo… Kjo ishte njëlloj si të dëgjoje kambana katedralesh të zhdukura të shekullit të trembëdhjetë.”
S’do mend që në atë qytet të vogël me emër të trefishtë do të ndodhte mrekullia. Në atë qytet ku te të gjitha sheshet e rrugët komuniste: rruga “1 Maji”, shëtitorja “Enver Hoxha” , sheshi “Fitorja e socializmit” dëgjoheshin pa bujë hapat e një kolosi letrar, që herë-herë harronte se në ç’regjim po jetonte, njeriut që qe mësuar me vdekjen e vet shumë më përpara se vdekja e njëmendtë t’i trokiste në derë.
U varros, sipas dëshirës, atje në Pogradec. Ishte 12 nëntor 1987, si sot. I munguari i madh po vuloste përjetë praninë. Ai që kishte kërcënuar si Dielli Zeusin tek Iliada se do të zbriste në ferr të shndriste për të vdekurit, pasi nuk e meritonin të gjallët praninë e tij, sot po shkëlqen me gjithë fuqinë e tij në zenitin e poezisë sonë të bukur shqipe.
(Fjalë e mbajtur me rastin e shënimit të 30-vjetorit të vdekjes së poetit. Akademia përkujtimore u organizua nga klubi letrar “Metafora” në Tetovë-dergoi per Diellin autorja. Faleminderit!)