Zgjedhjet lokale shqiptare të 21 Qershorit, fenomeni i shitblerjes,parada e premtimeve, fituesit dhe humbësit,shqiptarët dhe ndërkombëtarët, gjithcka në vështrimin e analistit Gavrosh LEVONJA/
Nga Gavrosh Levonja-New York/
“Këto zgjedhje ishin më të mira se zgjedhjet e kaluara…” ishte refreni i radhës i ndërkombëtarëve, të cilin shqiptarët e dëgjojnë prej rreth njëzet vitesh pas përfundimit të zgjedhjeve. Mjafton ky refren, shoqëruar dhe me një analizë të përciptë të zgjedhjeve të mëparshme, për të konkluduar se edhe zgjedhjet vendore të para pak kohëve nuk u kanë shpëtuar problemeve të zakonshme. Kësaj radhe, ndonëse elementët që kishin të bënin me cënimin e normalitetit të tyre si abuzimet nëpërmjet strukturave shtetërore, apo atyre zgjedhore, duke “futur duart” nëpër kuti apo manipuluar numërimin, ishin në një shkallë dukshëm më të ulët, rezultati u ndikua kryesisht nga “shitblerja” e votës dhe roli i “të fortëve” në aspektin ekonomik, numri i të cilëve sa vjen e shtohet nga një palë zgjedhje në ato pasardhëse. Janë pikërisht këta që kanë dhe mundësitë të blejnë votat, jo vetëm për të siguruar mandatet e tyre, por edhe duke “kontribuar” në përgjithësi për forcën politike që i kandidon. E keqja nuk qëndron tek biznesmenët e rregullt, aktiviteti i të cilëve është publik me asete tashmë të verifikuara, por tek ata mbi të cilët rëndojnë hije të forta dyshimesh lidhur me të kaluarën e tyre, mbi të gjitha, përsa i përket aktivitetit nëpërmjet të cilit kanë vënë pasurinë e tyre ose si kanë mundur të jenë aq “popullorë” në zonat e tyre sa të rezultojnë si faktor vendimtar për të ndikuar në prirjet e zgjedhësve për të votuar. Kandidatë të kësaj kategorie ishin dhe objekt i fushatës në kuadër të të ashtuquajturit “dekriminalizim” për të cilin po flitej gjithnjë e më dendur gjatë këtyre muajve të fundit. Duke u ndalur tek “dekriminalizimi” për herë të parë, në një fushatë elektoarle u pa dhe një angazhim direkt i përfaqsuesve diplomatikë të akredituar në Tiranë, ku natyrisht vlen të përmendet thirrja dramatike e ambasadorit amerikan i cili duke i u drejtuar elektoratit shqiptarqë të mos votonte të inkriminuarit, u shpreh hapur se “ata nuk do të merreshin më zgjidhjen e problemeve të popullit, por do ta shfrytëzonin pushtetin për “Benzat” e tyre”. Sipas një logjike fare të thjeshtë, shitblerja e votave është e lidhur ngushtë me elementë të ardhur nga “malavita” ose më e pakta nga individë që kanë arritur objektivat e tyre duke përdorur forma, mjete të pandershme e ilegale dhe marrjen e një mandati nga zgjedhësit e shikojnë si një koracë që do t’i mbronte nga cdo e papritur. Gjithashtu, nuk ka si të mos të lindë pyetja që pse duhet të hyjë në politikë dikush që nuk e ka haberin nga politika, dikush që nuk ka as më të voglin kontribut në këtë fushë, përjashto lidhjen nëpërmjet ndonjë afere korrupsioni, ai që nuk njihet për ndonjë aftësi në aspektin administrues etj. Përgjithsisht një person që duke mos pasur asnjë cilësi apo arsye bindëse me të cilën të justifikojë hyrjen e tij në parlament apo për të qenë në krye të ndonjë njësie vendore. Prandaj, një embargo ndaj individëve me të kaluar të dyshimtë duke u mbyllur me mjete ligjore dyert e garave elektorale do të minimizonte disi dhe shitblerjen e votave. Kjo, natyrisht nuk mund të realizohet me avazin e akuzave shpesh të pafaktuara të krahut politik kundërshtar, as nëpërmjet “zbulimeve” të mediave, por vetëm nëpërmjet institucioneve përkatëse që merren me kontrollin e pasurive si dhe prokuroria. Konkretisht, në zgjedhjet e fundit, pavarësisht nga kërkesat për t’i penalizuar, me përjashtim të një rasti, ku PD hoqi nga lista dikë, kandidatët e përfolur për të kaluarën e tyre të dyshimtë, jo vetëm nuk u hoqën nga listat, por disa prej tyre edhe u votuan nga elektorati. Tani, përsa i përket atyre kandidatëve dhe forcave politike, të cilat justifikojnë humbjen e tyre me “shitblerje vote” apo nëpërmjet angazhimit të “të fortëve” nga ana e forcave fituese, nuk kanë asnjë të drejtë të akuzojnë elektoratin pse shet votën. Pjesa dërmuese e votuesve shqiptarë duke qenë se jetojnë në një varfëri ekstreme, janë të gatshëm të pranojnë cdo lloj lëmoshe pavarësisht në c’mënyrë dhe nga cili u jepet duke mos pasur nge të mendojnë gjatë përpos faktit që me paratë e votës do të mbyllin një apo disa vrima të vogla të buxhetit familjar. Në kushtet e mësipërme, kushdo që të ishte, do të preferonte “një dorë para” një herë në dy vjet në shkëmbim të votës se sa një të ardhme të begatë, por tejet të dyshimtë përsa i përket shndërrimit në realitet. Në këtë aspekt, mund të thuhet se shitblerja e votës është në radhë të parë rrjedhojë e paaftësisë së politikës shqiptare për të bërë një shtet në shërbim të qytetarit, një shtet me ekonomi normale, ku të zbatohen rregullat e lojës dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Kështu, një votues, i cili, për një kohë të gjatë ka problem mbijetesën, ku të drejtat e tij shkelen sa nga “të fortët” sa nga institucionet shtetërore tashmë “të kapura”, duke mos parë asnjë lloj ndryshimi pozitiv, nga alternimet në pushtet, ka plotësisht të drejtë të mendojë sipas parimit “më mirë një sorrë sot se një pulë mot”. Se është më mirë ta shesë votën se sa ta hedhë në ndonjë kuti votimi, në favor të ndonjë partie, përfaqësuesit e së cilës nuk do ta shohin më me sy deri në zgjedhjet e ardhshme. I stërmësuar me premtimet e pambajtura gjatë njëzet e pesë viteve duke mbetur vetë gjithmonë “trokë”, shtoji kësaj dhe dyshimet se me votën e tij mund të bëjnë c’të duan, duke filluar nga numërimi, llogaritja e saj në favor të kundërshtarit apo cilësimi si “e pavlefshme”, shqiptari i thjeshtë nuk sheh alternativë më të mirë se shitja e votës. Prandaj, partitë dhe përfaqësuesit e tyre, para se të ankohën duke akuzuar kundërshtarin për “blerje” të votave duhet të hedhin një herë shikimin prapa; sa kanë realizuar nga premtimet e tyre gjatë fushatave elektorale kur kanë qenë në pushtet. Në rast se bëjnë një gjë të tillë, ma do mendja se pakkush nga radhët e politikës shqiptare do të ketë “sy e faqe”, e të drejtë morale të shkojë t’u kërkojë vota në të ardhmen atyre të cilët i ka mashtruar duke shkelur kontratën e bërë nëpërmjet premtimeve elektorale.