Bardhyl Selimi
Ibrahim Osmani (Kelmendi) ka qenë koleg, bashkëluftëtar dhe bashkëmërgimtar me tim atë. Në kampet e mërgimtarëve politikë në Greqi ai dhe im atë qendruan më gjatë se të tjerët, pasi nuk pranonin të bëheshin agjentë të shërbimeve të huaja. Ideali i tyre ka qenë gjithnjë “Bashkimi i Kosovës dhe i trojeve të tjera në ish Jugosllavi me shtetin amë- Shqipërinë”. E vetmja mënyrë që të liroheshin nga kampi, ishte, sikurse tregon im atë, të pranonin të shkonin në Gjermaninë Perëndimore dhe t’u bënin thirrje kosovarëve të grumbulluar në një kazermë ushtarake atje që të hidheshin diversantë në Shqipëri. Këtë ide ua sugjeroi atyre i arratisuri politik nga familja e Toptanasve, Ihsani. Kështu vepruan. Por, sapo mbërritën në kazermë, ata bënë të kundërtën: u bënë thirrje kosovarëve që ata kurrësesi të mos pranonin të hidheshin diversantë në Shqipëri. Jo se ata e pëlqenin regjimin enverist, por se kjo binte ndesh me idealin e tyre. Ky veprim i armiqësoi me oficerët drejtues të kampit në Muenchen, prandaj vendosën të mërgojnë në Australi. Im atë thosh se “e kish humbë rrugën në oborrin e vet” pikërisht prej kësaj. Ndërsa ai vetë, duke ditur se unë isha në duart e regjimit komunist në Shqipëri, nuk e vijoi veprimtarinë politike por u muar me shkencë, Ibrahimi, i cili mbeti beqar, vijoi studimet e tij historike dhe shkroi shumë artikuj politikë, sidomos në fletoren BESA. Ibrahimi ndërroi jetë në Melburn, më 1978. Ky libër është një përmbledhje e këtyre shkrimeve, që nipi i tij, zoti Feti Shaipi nga Presheva e botoi para disa vitesh, krahas disa veprave të mirëfillta shkencore në fushën e arkeologjisë. Është e çuditshme, pse në vitin 1994 kur presidentit të Shqipërisë iu sugjeruan për dekorim disa qindra ish mësues dhe punonjës të tjerë që kanë dhënë ndihmesë në Kosovë, ka munguar emri i historianit dhe luftëtarit të shquar, Ibrahim Kelmendi. Vetëm në korrik 2021 presidenti Ilir Meta e dekoroi atë me Urdhërin e Skënderbeut. Mjerisht, Akademia e Shkencave të cilës i dorëzova disa monografi shkencore të Ibrahimit, i trajtoi ato me mospërfillje. Ibrahim Kelmendi është dekoruar edhe nga presidenca e Kosovës. Një shkollë në vendlindje mban emrin e tij. Piktori Burhan Kaceli na ka dhënë një portret shumë përfaqësues.