• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Nishani, darkë për Fiter Bajramin në Pallatin e Brigadave

July 5, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani feston Fiter Bajramin: Të na i pakësojë ky Bajram keqkuptimet, grindjet, sherret, dhe të na i shpeshtojë mirëkuptimet, bashkimet!/

 

 

 

 

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani kremtuan në Pallatin e Brigadave Fiter Bajramin me një darkë festive ku ishin të pranishëm Kreu i Kuvendit Ilir Meta, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Skënder Bruçaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të lartë të besimeve fetare në Shqipëri, drejtues institucionesh të pavarura kushtetuese, deputetë, klerikë si dhe shumë besimtarë myslimanë.

Në përshëndetjen e Tij, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: “Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që festës Suaj, lumturimit Tuaj, devocionit Tuaj, në këtë ditë të shënuar, t’i bashkoj përunjësisht urimin tim: Për shumë vjet gëzuar Bajramin e shenjtë, këtë festë madhështore të myslimanëve të botës, këtë mundësi të mrekullueshme që na afron me njëri-tjetrin dhe me Zotin, që na pakëson vuajtjet dhe dëshpërimet, dhimbjet e plagëve na i bën të durueshme.

 

 

 

 

 

 

Të dashur besimtarë myslimanë! Të bëjmë çmos të na e shtojë ky Bajram ndjeshmërinë ndaj fukarenjve dhe të dëshpëruarve, për t’i bërë ata më pak të varur ekonomikisht dhe më të sigurt e më të fortë shpirtërisht.

Të na i pakësojë ky Bajram keqkuptimet, grindjet, sherret, dhe të na i shpeshtojë mirëkuptimet, bashkimet.

Paçi vetëm gëzime në jetët Tuaja, Familjet Tuaja, punët Tuaja!

Kurrë mos u ndaltë adhurimi Juaj për Zotin, bashkë me të mirat e gjithfarshme dhe obligimet e domosdoshme që rrjedhin nga ky adhurim!

Kurrë mos u shterrtë mes Jush dashuria, mirësia, mëshira, urtësia, për veten, për njëri-tjetrin, për komunitetin, për Kombin, dhe më gjerë për njerëzimin që aq shumë etje ka për Besim, aq shumë uri ka për paqe, aq nevojë të ngutshme ka për begatim të tanishëm dhe shpresë për të ardhmen.

E bekuar qoftë dëshira Juaj për më tepër prehje shpirtërore dhe shoqërore me të gjithë, pavarësisht nga Besimi apo të tjera dallime.

Të vazhdojë të forcohet bindja Juaj se po aq e madhe sa është Mëshira e Zotit është edhe falënderimi ynë,  edhe vetëdija jonë për përunjësi të pafundme ndaj Tij në çdo aspekt, në çdo rast dhe në çdo çast.

Kurrë mos u pakësoftë frika ndaj mëkatit. Po të lutemi me gjithë shpirt, Zoti që na i ka dhënë të gjitha liritë dhe na ka lënë të zgjedhim, mëkatet na i fal. Por gjatë rrugës së mundimshme drejt përsosjes duhet të kemi mirë parasysh sa pa besimin tek Zoti, rrëshqitja në mëkat është fare e kollajtë.

Kurrë mos u pakësoftë por vetëm u shtoftë bindja e brendshme e solidaritetit reciprok human të atyre që kanë ndaj atyre që s’kanë, të atyre që u tepron ndaj atyre që u mungon, të atyre që Fati i ndihmon ndaj atyre që Fati i harron.

Ta gëzojmë si e meriton këtë ditë të lumnueshme si mundësi e rrallë për të reflektuar hollësisht dhe thellësisht për principe themelore, ato principe të cilat, të rrëmbyer nga telashet e përditshmërisë, ndodh që edhe i nënvlerësojmë, pse jo dhe i harrojmë, si për shembull për çfarë është e shenjtë e çfarë është banale, çfarë paraqitet si e dobishme por është e dëmshme, çfarë duket e drejtë por është e shtrembër, çfarë duket e mbarë por është e mbrapshtë, çfarë shfaqet si e arsyeshme por është e gabuar, çfarë duket e këshillueshme por është kurth. Të reflektojmë në këtë ditë për arsyet e vështirësive të komunikimit ndërnjerëzor kryesisht ndërpersonal, kollajllëkun e sherrit, mungesën e urtësisë, dhe të mundohemi t’i ndreqim duke pasur parasysh se të dish të pendohesh është më e vështirë, por më e dobishme se të vazhdosh të gabosh, të japësh është e vështirë, por e shenjtë, të marrësh pa e merituar është e kollajtë, por kriminale, të fitosh është më e vështirë se të humbësh, por është e lavdishme, të pajtohesh është më e vështirë se të dhunosh, por është e shenjtë.

Ditët e udhëtimit sakrifikues drejt Zotit, ditët e Ramazanit të finalizuara me ditën e Bajramit, na dhanë mësimin madhështor se po aq i madh sa është tundimi i mëkatit është edhe kujdesi i Zotit për të na mbajtur gjithmonë sa më larg atij tundimi. Ky kujdes i pandalshëm është arsyeja që sakrifica e ditëve të kaluara nuk ishte i fundit Ramazan, dhe ky sotmi nuk është i fundit Bajram, por çfarë po përjetojmë është vetëm një fragment i rrugës së pafundme të përsosjes së mendjes dhe të shpirtit në zbatim të përpiktë të vullnetit të Zotit, pra pa barrën e zakonshme të materialitetit.

Sa më lart, dhe të tjera, janë të një rëndësie të pallogaritshme. Sidomos sot kur qytetërimi dhe vlerat korresponduese janë më tepër se kurrë të rrezikuara, kur njerëz të të njëjtit Besim, që falen e luten njësoj në emër të të njëjtit Zot, zbatojnë të njëjtat rite si ky Bajram, shkaktojnë barbarizma të pashembullta, kasaphana të përgjakshme duke vrarë njerëz të pafajshëm edhe brenda të njëjtit besim e duke u kallin tmerrin gjithë të tjerëve.

Njeriu që sakrifikon për përsosjen shpirtërore, është i pamposhtur. Energjia e njeriut të pamposhtur vjen pikë së pari nga realizimi dhe respektimi i barazpeshës mes të drejtave dhe detyrave, në mënyrë të atillë që ajo barazpeshë të jetë funksionuese dhe produktive. Nëse barazpesha në fjalë çrregullohet, sidomos kur me të drejtat teprohet, vijnë të gjitha rreziqet që shkaktojnë të gjitha të këqijat. Të mos kujdesesh për ekuilibrin mes të drejtave dhe detyrave, do të thotë të keqes t’i hapësh portën. Të keqes porta nuk i duhet haopur. Të keqes porta i mbyllet. T’ia mbyllësh portën së keqes dhe t’ia hapësh të mirës, për së pari e për së fundi, do të thotë ta kesh mendjen të kthjellët dhe shpirtin të pastër, me fjalë tjera, t’i bindesh vullnetit të Zotit, të zbatosh me përpikëri porositë e Tij. Jo nga frika, por me gjithë shpirt. Pas kësaj, vetëm pas plotësimit të këtij kushti, vijnë të gjitha të mirat.

Ju, besimtarë myslimanë, klerikë të nderuar këtë e keni bërë, po e bëni, dhe do ta bëni.

Kjo është arsyeja që Besimi Juaj, përkushtimi Juaj, sakrifica Juaj, meritojnë të gjitha lëvdatat.

Kjo është arsyeja që unë, Presidenti i Republikës, besues i palëkundur i një bote me sa më pak dhunë dhe sa më tepër Liri, sa më tepër Besim dhe sa më pak zhgënjim, duke ju kujtuar edhe një herë se nuk ka gjë më aftë se të tilla festa për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet, si President, personalisht dhe institucionalisht, me gjithë shpirt ju falënderoj e ju uroj: Gëzuar Bajramin!” – theksoi në fjalën e Tij Presidenti Nishani.

Në këtë darkë festive, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi dhe nderoi figura dhe personalitete të shquara të bashkësisë myslimane si dhe të bektashinjve.

Presidenti Nishani dekoroi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: Hafiz Shaban Saliajn (pas vdekjes) “Për kontributin e tij të padiskutueshëm e të vyer në rikthimin e lirisë së besimit fetar dhe ripërtëritjen e praktimit të tij,, duke shërbyer si Myftar i Tiranës dhe njëkohësisht si mësues në Medresenë e Tiranës”; zotin Xhemal Balla  “Për kontributin e tij të shquar arsimor e kulturor dhënë nëpërmjet botimeve të shumta dhe veprimtarisë së vyer si mësues e drejtor i Medresesë së Tiranës” dhe zonjën Rukije Skifteri “Në shenjë vlerësimi të figurës saj të papërsëritshme në mbajtjen gjallë të besimit në zot tek njerëzit duke shërbyer me përkushtim për më se 70 vjet në Teqenë e Dervish Hatixhesë, si një nënë me zemër të madhe, e cila me guxim dhe përvuajtje u vetësakrifikua, duke ia dalë mbanë ta shndërronte atë vend të shenjtë besimi në një pikë të rëndësishme pelegrinazhi shpirtëror”.

Me Dekoratën “Nderi i Kombit” u vlerësuan: Hafiz Xhemal Mullai (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi të figurës së tij të shquar atdhetare dhe kontributit të vyer si kryetar i Shoqatës ‘Bashkimi’ në Stamboll, si deputet dhe nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Komitetit të Drejtësisë në Parlamentin Shqiptar”; Abaz Hilmi Dede Elezi (pas vdekjes) “Në vlerësim të figurës së prijësit të shquar shpirtëror të brezave bektashianë, deri në fund të jetës së tij, mbrojtësit të kodeve zakonore dhe traditave më të vyera të besimit të Haxhi Bektash Veliut.” dhe Dervish Iljaz Qafoku (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi ndaj klerikut të përkushtuar, i cili gjatë gjithë jetës së tij u shqua për atdhetarizëm e kontribut të dhënë për arsimin kombëtar, figurë që i dha krahë dhe lartësoi pelegrinazhin e shenjtë në Malin e Tomorrit”.

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” u dekorua: Haxhi Zyber Halluli (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributit të çmuar si themelues i strehës së parë vorfnore në vendin tonë dhe të rolit të tij të spikatur si kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.

Presidenti Nishani nderoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Haxhi Vehbi Dibrën (Agollin) (pas vdekjes) “Për kontributin e shquar e të vyer në lëvizjen kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si firmëtar i Pavarësisë, Kryetar i parë i Parlamentit të Shqipërisë, si Kryetar i Kongresit të Dibrës dhe Kryetar i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”.

Filed Under: Kronike Tagged With: darke, në Pallatin e Brigadave, për Fiter Bajramin, presidenti Nishani

Presidenti Nishani dekorohet nga Forumi Crans Montana

July 2, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani dekorohet nga Forumi Crans Montana me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016

 2 korrik 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u dekorua nga Forumi Crans Montana në një ceremoni të veçantë me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016. Ky çmim i lartë i këtij Forumi është akorduar liderëve të ndryshëm evropianë dhe botërorë, në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për angazhimin publik në promovimi e vlerave demokratike dhe një botë më të mirë.

Presidenti i Nderit i Forumit të Crans Montanas dhe themelues i Forumit, Ambasadori Jean-Paul Carteron i dorëzoi Çmimin Presidentit Nishani duke vlerësuar progresin e madh të kryer nga Shqipëria për kalimin nga diktatura në demokraci, anëtarësimin në NATO, si dhe afrimin gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Ambasadori Carteron vlerësoi kontributin personal të Presidentit Nishani në këtë drejtim.

Presidenti Nishani në fjalën e tij të falënderimit u shpreh ndër të tjera se, ky çmim është një vlerësim i madh e shumë domethënës për vendin dhe bashkatdhetarët e mi, kudo që ndodhen dhe se vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët aktualisht po përjetojnë ankthin e humbjes së vëmendjes nga Bashkimi Evroian. “Jam i sigurt që falë edhe kontributit të Forumit të Crans Montanas, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të kenë vëmendjen e nevojshme të Bashkimit Evropian për vijimin në rrugën e reformave dhe të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane.” – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.

Gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 27-të vjetor të Forumit të Crans Montanas, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani zhvilloi takime të shkurtra edhe me shtetarë, politikanë e përfaqësues të botës së biznesit që merrnin pjesë në këtë forum.

Në vijim fjala e plotë e falënderimit të Presidentit të Republikës, pas marrjes së Çmimit të Fondacionit 2016 nga Forumi i Crans Montanas:

“I nderuar Ambasador Carteron,
Të nderuar drejtues të Forumit Crans Montana,
Zonja dhe zotërinj!

Faleminderit shumë për këtë Çmim që më akordoni sot, të cilin e konsideroj si një vlerësim shumë të lartë që më bëhet mua si President i Republikës së Shqipërisë, por edhe si një vlerësim të madh e shumë domethënës për vendin dhe bashkëqytetarët e mi, kudo që janë.

Ishte nder dhe kënaqësi shumë e madhe pjesëmarrja në këtë edicion të Forumit të Crans Montanas këtu në Vjenë, duke kontribuar në mënyrë modeste për zhvillimet e ndryshme evropiane dhe ato në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nuk e di se sa realisht e meritoj këtë çmim, me të cilin janë nderuar shumë liderë të ndryshëm evropiane dhe botërorë, por di të them se vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët në këto momente po përjetojnë ankthin e humbjes së vëmendjes së Bashkimit Evropian.

Jam i sigurt që, falë edhe kontributit të Forumit Crans Montana, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të kenë vëmendjen e nevojshme të Bashkimit Evropian për vijimin me rrugën e reformave dhe të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane.

Zonja e zotërinj!

Si President i Republikës së Shqipërisë, por edhe si politikan dhe qytetar shqiptar kam vlerësuar gjithmonë dhe jam mirënjohës për kontributin e dhënë nga Forumi Crans Montana dhe Ambasadori Carteron, si President Themelues i këtij Forumi të nderuar, në promovimin e zhvillimeve pozitive në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me iniciativë të Ambasadorit Carteron, Forumi Crans Montana ka organizuar në Tiranë një sërë aktivitetesh, dedikuar tërësisht burimeve dhe potencialeve natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë, duke e vendosur atë në vëmendjen e personaliteteve të shquara politike dhe ekonomike evropiane e botërore.

Këto forume e aktivitete kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një imazhi të drejtë e pozitiv për vendin tim dhe shqiptarët në përgjithësi, por edhe për progresin tërësor të vendit dhe integrimin në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane.

Ambasador Carteron!

Edhe njëherë ju falënderoj nga zemra për këtë çmim të lartë, për të cilin ndihem sa i nderuar, aq edhe i emocionuar e i privilegjuar.

Gjithashtu, dëshiroj t’i garantoj drejtuesit e Forumit të Crans Montanas për mbështetjen time të vazhdueshme, si dhe t’i uroj suksese të mëtejshme në aktivitetet e ardhshme!

Faleminderit!”

Filed Under: Kronike Tagged With: Crans Montana, dekorohet nga Forumi, presidenti Nishani

Presidenti Nishani dekretoi rektorët

May 28, 2016 by dgreca

Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar rektorët e rinj të universiteteve publike në vend, të cilët u zgjodhën pas procesit të votimit, mbajtur në muajin prill. Por, ajo që ndodhi në zgjedhjet e rektorëve dhe kërcënimi i njërit prej tyre, nuk mbeti jashtë fjalës së Presidentit Nishani.

“Zgjedhjet e fundit të organizmave drejtues, treguan veç të tjerash se profesorati triumfon edhe në rastet e caktuara të trysnisë nga krimi. Profesorati dhe studentët janë të angazhuar për t’u përballur me çdo sfidë të kohës së sotme dhe duket se do të arrijnë të sfidojnë edhe vetë politikën, duke sjell ndryshimin e madh, ashtu siç e sollën në vitet ‘90”, u shpreh Presidenti Nishani. Mes emrave të dekretuar, mungonte Rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Cuka. Zyra e shtypit e Presidencës, u përgjigj se Presidenca është në pritja të disa përgjigjeve nga një institucion të cilit i janë drejtuar me shkresë, por pa specifikuar se për cilin institucion bëhet fjalë dhe çfarë përgjigjesh priten.

Rektorët e rinj të universiteteve publike shqiptare

Universiteti i Tiranës: Mynyr Koni
Universiteti i Mjekësisë: Arben Gjata
Universitetit Politeknik: Andrea Maliqari
Universiteti Bujqësor: Bahri Musabelliu
Universiteti i Arteve: Kastriot Çaushi

Universiteti i Korçës: Ali Jashari
Universiteti i Durrësit: Kseanela Sotirofski
Universiteti i Vlorës: Roland Ziso
Universiteti i Elbasanit: Skënder Topi
Universiteti i Shkodrës: Adem Bekteshi
Universiteti i Gjirokastrës: Bektash Mema

Filed Under: Kronike Tagged With: dekreton rektorët, presidenti Nishani

Presidenti Nishani në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së në Stamboll

May 23, 2016 by dgreca

 


Kreu i Shtetit shqiptar merr pjesë në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar merr pjesë në Samitin Humanitar Botëror që po mbahet për herë të parë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Stamboll më 23-24 maj 2016. Presidenti i Republikës iu drejtua seancës plenare si dhe mbajti një fjalë në segmentin e udhëheqësve të Samitit Humanitar Botëror 2016 me temë: “Lidershipi politik për të parandaluar dhe dhënë fund konflikteve” ku u mbështetet Agjenda për Njerëzimin si dhe u diskutua për krizat me të cilat përballet njerëzimi në ditët e sotme, parandalimin dhe dhënien fund të konflikteve dhe të vuajtjeve të shoqërisë njerëzore, si në rajonet e veçanta, ashtu edhe në nivel global.

Në fjalën e Tij në Samitin Humanitar Botëror, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:

Së pari dëshiroj ta përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për thirrjen e këtij Samiti të parë Humanitar Botëror, si dhe të shpreh mirënjohjen për mikpritësit e këtij Samiti, Presidentin Erdoğan dhe autoritetet e larta turke.

Gjithashtu e komplimentoj Sekretarin e Përgjithshëm për  raportin e publikuar në fund të muajit janar të këtij viti: One Humanity – Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta) i cili na jep një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore dhe të drejtave të njeriut në botë e situatës humanitare. Ky raport, që lançon dhe pesë përgjegjësi kryesore, duhet të na shërbejë si një udhëzues për kalimin nga angazhimet në veprime konkrete.

Dëshiroj të theksoj edhe njëherë se jam në këtë Samit të parë Humanitar Botëror për të demonstruar mbështetjen e vendit tim ndaj Agjendës së Njerëzimit dhe të angazhimit për adresimin e pesë fushave, që shumë qartë janë pasqyruar në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Sot, është një moment shumë i rëndësishëm pasi kemi mundësinë që të demonstrojmë unitet dhe solidaritet për parandalimin e vuajtjeve njerëzore dhe ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për vendimmarrje dhe veprime kolektive.

E theksova edhe më herët sot, se për shkak të faktit që një pjesë e krizave buron nga rritja e intolerancës fetare, ekstremizmit të dhunshëm e diskriminimit për arsye fetare, etnike e të tjera, Shqipëria angazhohet të ofrojë eksperiencën dhe kontributin e saj në këtë drejtim.

Shqipëria është plotësisht e angazhuar në luftën dhe parandalimin e terrorizmit që vjen si pasojë e ekstremizmit të dhunshëm dhe beson se komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht organizatat ndërkombëtare të sigurisë me në krye Kombet e Bashkuara, do të gjejnë dakordësinë për të bërë dhe promovuar më tepër masat parandaluese.

Shqipëria ka një eksperiencë shumëshekullore sa i përket bashkekzistencën paqësore dhe harmoninë fetare, dhe në këtë kontekst është e gatshme të vihet në krye të përpjekjeve për të promovuar dialogun dhe mirëkuptimin mes kulturave dhe qytetërimeve, me synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Gjithashtu, në kontekstin e zhvillimeve rajonale, roli i Shqipërisë në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal ka qenë evident. Të udhëhequr nga parimi i fqinjësisë së mirë, jemi maksimalisht të angazhuar për të kontribuar në vijimësi për rritjen e frymës pajtuese dhe të bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore, respektimin e të drejtave të pakicave, si dhe përballimin e të gjitha krizave me të cilat po përballet ky rajon.

Në kuadrin e krizës së refugjatëve, ju siguroj se Shqipëria ka sensibilitetin e duhur dhe është e gatshme të bashkëpunojë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian, konform kapaciteteve dhe mundësive të saj.

Shqipëria si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Unionit, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të  Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Botëror të OKB-së, në Samitin Humanitar, ne Stamboll, presidenti Nishani

PRESIDENTI NISHANI PADIT ERJON VELIAJN

May 12, 2016 by dgreca

Konferencë për Shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani/

Tirane-12 maj 2016/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dha sot pasdite një Konferencë për Shtyp të cilën e gjeni të plotë në vijim, së bashku me pyetje-përgjigjet:

“Presidenti i Republikës:  Së pari dua t’ju falënderoj ju gazetarët dhe njerëzit e medias që jeni sonte në këtë konferencë shtypi për prezencën tuaj dhe për gatishmërinë që keni treguar për të mirëpritur shkëmbimin e këtij komunikimi së bashku.

Ju kam ftuar sonte për të përcjellë përmes jush tek opinioni publik dy çështje shumë të rëndësishme shtetërore për të cilat përcjell shqetësimin, preokupimin, por njëkohësisht dhe angazhimin për t’i adresuar dhe për të dhënë kontributin e Institucionit të Presidentit të Republikës në respekt të detyrave, përgjegjësive, obligimeve kushtetuese të Kreut të Shtetit shqiptar dhe natyrisht për të vijuar më tej proceset e ndjekjes, të përcjelljes, të zgjidhjes së këtyre shqetësimeve dhe problemeve.

Çështja e parë ka bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës, Kryetarit të Shtetit shqiptar. Më parë dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe një herë këto deklarata dhe më pas do të përcjell tek ju çështjet që krijojnë shqetësim dhe problematikë këto deklarata të rënda.

* * *

Inserti

Erjon Veliaj: Në momentin që Presidenti i Republikës sillet si Bujar Nishani atëherë ka vajtur Presidenca tek Bujari, jo Bujari tek Presidenca.

Gazetari Blendi Fevziu: Ç’do me thënë kjo?

Erjon Veliaj: Ajo që do të thotë kjo është shumë e qartë. Unë kam qenë i vetmi zyrtar publik i kësaj mazhorance që ka mbajtur një relatë profesionale dhe personale me Presidentin, i vetmi. Ky është një njeri i cili zhgënjeu qeverinë në mënyrën sesi trajtoi Visar Zhitin; ky është një njeri që zhgënjeu publikun në mënyrën sesi vodhi pronën e kishës katolike në Elbasan; ky është një njeri që disa herë, me të gjithë ministrat e kabinetit tonë, disa herë ka shkuar kundër interesit publik për interesin personal.

Blendi Fevziu: Dhe këto janë akuzat tuaja personale serish ndaj Presidentit të Republikës dhe ju nuk i keni të vërtetuara.

Erjon Veliaj:  Patjetër, patjetër.

* * *

Presidenti Nishani: Natyrisht që një njeri kushdo qoftë ai që vjedh ka vetëm një emër “hajdut” dhe unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës, shteti shqiptar nuk mund të ketë në krye të tij një njeri që është hajdut. Hajduti e ka vendin në qeli, e ka vendin përballë ligjit; hajduti dënohet sipas ligjeve të shtetit dhe kodeve përkatëse. Prandaj, kjo është një çështje që nga sot i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe e ka përgjegjësi kushtetuese ligjore ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin e Republikës si hajdut dhe ta dënojë në bazë të krimit që ka kryer ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë përballë ligjit. Kjo është një rrugë pa kthim, është një rrugë pa ndalesë. Prandaj, tashmë unë ftoj dhe median që të ndjekë me vëmendje të posaçme gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë. Është një proces i cili do të adresohet tashmë prej ditës së sotme në institucionet përkatëse të gjykatës dhe personalisht dhe Institucioni i Presidentit të Republikë do të ndjekë çdo seancë, çdo moment dhe çdo vendim që do të merret gjatë hetimit gjyqësor të veprimtarisë së Presidentit të Republikës dhe akuzave të bëra ndaj Kreut të Shtetit shqiptar.

Çështja e dytë të cilën dëshiroj të përcjell shqetësimin përmes jush tek opinioni publik, por edhe tek të gjithë institucionet ndërkombëtare të cilat bashkëpunojnë ngushtë me shtetin shqiptar për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit, të institucioneve ligjzbatuese, të institucioneve të drejtësisë në lidhje me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë dhe individë  të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ dhe Trupës gjyqësore të Apelit Administrativ të Tiranës. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, ndaj gjyqtarëve në ushtrim të funksioneve të tyre kushtetuese, të cilin e dënoj, e dënoj me ashpërsinë më të madhe jo vetëm për faktin se është një sulm i organizuar, instrumentalizuar politikisht, por dhe i realizuar ndaj një pushteti të pavarur kushtetues i cili është i përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si mekanizmi i vetëm për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të çdo individi në Republikën e Shqipërisë.

Vlerësoj qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë dhe besoj që Ministria e Drejtësisë do të vijojë të inkurajojë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, luftën kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit.

I kërkoj Kryeministrit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë!

I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës zyrtarisht dhe publikisht të hapë dhe nisë hetimet për dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj Gjykatës së Republikës së Shqipërisë dhe ndaj gjyqtarëve të Republikës në ushtrim të detyrës dhe për shkak të detyrës!

U kërkoj të gjithë gjyqtarëve të Republikës, gjyqtarëve të ndershëm që të marrin kurajë dhe të mbrojnë Republikën. Mbrojtja e Republikës është përgjegjësi themelore e institucioneve të pavarura kushtetuese të vendit në një demokraci që funksionon!

U kërkoj qytetarëve të vendit të ruajnë shpresën për të vrarë frikën! Jam i bindur se shoqëria shqiptare përmes sakrificave të mëdha që ka mundur të mbërrijë deri në ditët kur ne kemi këtë sistem politik, dhe këtë sistem kushtetues që funksionon. Do munden jo vetëm ta ruajnë atë, por me gjakftohtësi, me mençuri, me dinjitet dhe mbi të gjitha me integritet të përpiqen të gjithë së bashku me të gjithë aktorët përparimtarë të vendit dhe Shqipërisë të vijojmë rrugën e përparimit dhe konsolidimit të vlerave tona më të mira.

Këto ishin dy çështje, të cilat dëshiroja t’i ndaja me ju sonte dhe përmes jush, për t’ia përcjellë të gjithë opinionit publik. Jam i hapur për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me këto dy çështje, por edhe me çështje të tjera që dëshironi.”

Pyetje: Zoti President, rreth shtatë muaj më parë ju keni deklaruar në emisionin “Top Story” rezerva lidhur me sistemin e drejtësisë, pasi sipas jush kishte influenca nga qeveria. Lidhur me çështjen për përgjimin që i është bërë familjes suaj. Çfarë ka bërë sot që ju të ndryshoni mendjen mbi sistemin e drejtësisë dhe keni besim tek sistemi i drejtësisë tashmë? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Nëse e kuptova qartë pyetjen, nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për as edhe një arsye dhe për as edhe një çështje. Çështja që ju i referoheni është dhe mbetet një çështje serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisjeje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa qëndron si lajm, se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar nëse është i vërtetë, por në kontekstin e presionit më të madh, që u manifestua mbrëmë në mënyrën më të dhunshme dhe ekstreme si nuk e kishim parë në këtë vend prej 25 vitesh, besoj se shqetësimet që ngrihen për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të influencuar, të pakërcënuar, të pazhantazhuar, por padyshim, profesional e të pastruar nga afera korruptive, besoj se jam sot në themelin e orientimit më të mirë evropian dhe të vizionit civil dhe qytetar të çdo qytetari dhe të çdo aktori sot përparimtar të shoqërisë sonë. Prandaj nuk kam ndryshuar as një mendim. Mbetem në atë deklaratë, në atë mendim që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë, e cila të krijojë kushtet për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar; për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të kapur e të përdorur politikisht, të shantazhueshëm, për t’u dhënë mundësinë e karrierës njerëzve dinjitozë, profesionistë dhe me dinjitet. Për të pasur një mekanizëm të drejtësisë larg çdo influence dhe të mbajmë fort shpirtin e shpresës, të integritetit dhe të kurajës. Dhe unë besoj se të gjithë së bashku, institucionet e përgjegjshme shtetërore, mediat, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe thelbësor në raport me këto të drejta dhe hapësirë të shoqërisë, shoqëria civile dhe çdo qytetar i thjeshtë, akademikët, profesorët, të cilëve u bëj thirrje, në një situatë jo të mirë të çështjeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, grupeve të ndryshme, intelektualëve, që të mos kenë frikë! Të kenë kurajë! Të thonë fjalën dhe mendimin e tyre siç e gjykojnë dhe siç e mendojnë! Dhe të mbajnë fort shpresën për më të mirën!

Pyetje: Zoti President, mirëmbrëma! Atëherë atë të cilën ju e quajtët dhunë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit të ndërmarrë nga Kryetari i Bashkisë Veliaj, ky i fundit ka deklaruar se një gjë e tillë, një protestë para gjykatës vjen pasi vetë Presidenti i Republikës ka influencuar në trupin gjykues në një proces gjyqësor që ka Bashkia e Tiranës me ndërtimin e një pallati tek Diga e Liqenit. Cili është qëndrimi juaj? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Kjo është një akuzë tjetër, tërësisht e pavërtetë, që do të ketë radhën e saj padyshim të adresimit në institucionet përkatëse për t’u verifikuar dhe për t’u vërtetuar, por në respekt në pyetjes suaj, të shqetësimit tuaj, por edhe të qytetarëve padyshim, unë jam dhe e ndiej të obliguar për të bërë një sqarim të shkurtër: Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë as ligjore dhe as institucionale për të përcaktuar trupa gjyqësore. Procesi i emërimit dhe përcaktimit të trupës gjyqësore ndodh në gjykatë Është tërësisht kompetencë e kryetarit të gjykatës dhe e kancelarit të gjykatës që nuk kanë asnjë lidhje me Presidentin, me Institucionin e Presidentit të Republikës.

Pyetje: Zoti President, pak më parë ju drejtuar gjykatësve që të kenë kurajë të mbrojnë Republikën. Çfarë nënkuptoni me “të mbrojnë Republikën”? Çfarë rrezikon të kthehet Republika shqiptare? Thirrja të tilla i kemi dëgjuar në fillim të viteve ’90-të kur studentëve u thuhej nga intelektualët shqiptarë që të vrisnin frikën dhe me kurajë të shembnin diktaturën. Sot jemi 26 vjet më pas. Sërish kjo thirrje. Çfarë rrezikojmë realisht sikundër ju e shikoni?

Presidenti Nishani: Këto thirrje së pari vijnë si reagim i shfaqjes së atyre reminishencave që ju thatë, të atyre viteve. Për fatin e keq reminishencat e atyre ngjarjeve, e atyre sjelljeve, e atyre viteve, po rishfaqen. Po shfaqen në dimensione të ndryshme, në forma të ndryshme, në fusha të ndryshme nga individë të ndryshëm. Nëse njerëz me pushtet terrorizojnë funksionarët e shtetit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të detyrës, në radhë të parë, padyshim që ka nevojë për t’u mbrojtur Republika, sepse Republika dhe vetëm Republika, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta, ligji dhe vetëm ligji është garanti ynë i përbashkët për gjithsecilin prej nesh. Nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë. Nga njeriu, i cili ka mundësi dhe lidhje të fuqishme me pushtetin apo me paranë, deri tek qytetarët më të pambrojtur në aspektin social dhe shoqëror. Prandaj thirrja ime është për të mbrojtur Republikën si garanti i vetëm, për të mbrojtur mekanizmat që kemi ndërtuar, mekanizmat që duam t’i kemi të fortë për të garantuar pikërisht këto liri, këto të drejta, ashtu siç do të garantohet edhe gjykimi, edhe penalizmi i atyre që shkelin ligjin, dhunojnë Kushtetutën dhe cenojnë Republikën.

Ju falënderoj për kohën dhe për praninë tuaj dhe njëkohësisht dëshiroj që të shpreh vlerësimet dhe respektin maksimal për punën shumë të rëndësishme që bëni çdo ditë! Ju uroj punë të mbarë!

Filed Under: Interviste Tagged With: PADIT ERION VELIAJN, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT