• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Nishani uron Festën e Pashkëve

May 1, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani uron të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, u shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse.

“Të dashur besimtarë ortodoksë shqiptarë, kudo ku ndodheni!

Në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj që me rastin e kësaj Feste të shenjtë, t’ju uroj nga zemra ‘Gëzuar dhe përshumëvjet Pashkët’!

Festa e Pashkëve është dita e madhërishme e ringjalljes së Krishtit, dita e ripërtëritjes së përdëllimit dhe e rifreskimit të besimit të palëkundur tek i Plotfuqishmi!

Le të na shërbejë kjo ditë simbolike e kremtimit të ringjalljes së shpirtit hyjnor dhe besimit fetar për të reflektuar si dhe për të përsosur sadopak veten, të dashurit tanë, bashkësinë ku jetojmë, marrëdhëniet dhe solidaritetin njerëzor, por dhe për të konsoliduar e nxjerrë më shumë në pah vlerat e patjetërsueshme dhe tradicionale të bashkëjetesës e harmonisë fetare të shqiptarëve!

Përfitoj nga kjo Festë e madhërishme të uroj gjithashtu më shumë lumturi, fat të mbarë, mirëqenie, begati e harmoni jo vetëm për besimtarët ortodoksë shqiptarë, por edhe një të ardhme sa më të begatë e të ndritur për mbarë popullin tonë!

Gëzuar Pashkët!”

Filed Under: Komente Tagged With: Festën e Pashkëve, presidenti Nishani, uron

Presidenti Nishani pret nxënës dhe mësues shqiptarë nga Lugina e Preshevës

April 10, 2016 by dgreca

Presidenti i Republikës shprehu shqetësimin e tij për fenomenin e braktisjes së trojeve shqiptare për shkak të kushteve jo të mira ekonomike e sociale dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh të strukturave qeveritare shqiptare në respekt të kushtetutës për mbrojtjen e interesit kombëtar.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në mesditë në Institucionin e Presidentit të Republikës një grup nxënësish dhe mësuesish nga Lugina e Preshevës: Nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegjë, të cilët kanë ardhur prej disa ditësh të vizitojnë Shqipërinë me ftesë të veçantë të Kreut të Shtetit.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen në Institucion, Kreu i Shtetit theksoi se: “në këtë takim dëshiroj t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time personale, por edhe atë në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për shqiptarët e Luginës për gjithçka ju dhe mbarë shqiptarët kanë arritur me punë dhe sakrifica të ruajnë dhe të mbajnë të pandryshuar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor.”

Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu shqetësimin e tij për fenomenin e braktisjes së trojeve shqiptare për shkak të kushteve jo të mira ekonomike e sociale dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh të strukturave qeveritare shqiptare në respekt të kushtetutës për mbrojtjen e interesit kombëtar.

Ndër të tjera Kreu i Shtetit nënvizoi se shqiptarët kudo që janë, përfaqësojnë një komb që kanë në ADN-në e tyre orientim perëndimor i cili e bën të domosdoshme përmirësimin e cilësisë së arsimit pasi ai është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave dhe historisë së shqiptarëve. Pjesëmarrësit në takim nga ana e tyre falënderuan Presidentin e Republikës për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, dhe nënvizuan se ky takim i parë dhe historik për ta me një president shqiptar i frymëzon më tej për të vijuar me misionin e tyre të lartë atdhetar të mësimdhënies.

Filed Under: Komunitet Tagged With: grupi i mesuesve, Lugina e Presheves-Bujanoc, Nxenesve, presidenti Nishani

Presidenti Nishani uroi Pashkët katolike nga Shkodra: Të rikthejmë besimin!

March 27, 2016 by dgreca

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani zhvilloi sot vizita në Katedralen e “Shën Shtjefnit”, e Shkodrës ku u prit në Qendrën Kulturore katolike “Kardinal Mikel Koliqi” nga Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit Imzot Angelo Masafra si dhe në Kishën Katolike të Vaut të Dejës, ku u uroi personalisht Festën e Pashkëve klerikëve dhe besimtarëve katolikë.

Me këtë rast, pas vizitës në Katedralen e Shkodrës, Kreu i Shtetit theksoi: “Sot erdha në Shkodër për të uruar në emrin tim, por edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë: Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve katolikë shkodranë, shqiptarë kudo ku ndodhen, për të gjithë besimtarët katolikë të mbarë botës! Dita e sotme është një ditë e veçantë për Kishën Katolike, për besimtarët katolikë, por është një ditë e veçantë për të mbarë njerëzimin, sepse mesazhet që përcjellin Pashkët janë mesazhe për të cilat ka nevojë çdo njeri, pavarësisht besimit të cilit ai i takon. Është mesazhi i ripërtëritjes së shpresës, të besimit dhe i gjithçkaje që besohet se është më e mirë për jetën e individit, për jetën e shoqërisë, për jetën e një vendi e të një komuniteti. Dhe sot dua që t’i uroj në këtë kontekst të gjithë shqiptarëve: Ditë më të mira për të gjithë! Të ringjallim dhe ripërtërimë besimin për mundësitë e mëdha që ka gjithsecili prej nesh! Të ripërtërijmë shpresën për hapësira të mëdha të cilat janë përpara nesh dhe duhet të shfrytëzohen me punë, me guxim, me kurajë, me dinjitet, me ndershmëri, me integritet dhe me angazhim.

Pashkët e këtij viti janë të veçanta për shqiptarët, për Kishën Katolike shqiptare, por edhe për të gjithë besimtarët katolikë të mbarë botës, sepse përkojnë me një ngjarje madhore, historike, botërore siç është ajo e shenjtërimit të Nënë Terezës – simbolit të mirësisë, të shpresës dhe të mundësisë, – për më mirë, për të ndihmuar dhe për të besuar tek një e ardhme më e mirë.

Gjeta rastin që të falënderoj edhe njëherë Arqipeshkvin dhe në tërësi Kishën Katolike shqiptare për kontributin e jashtëzakonshëm që ajo ka dhënë në historinë e identitetit kombëtar, e identitetit kulturor shqiptar, të qëndresës për liri. Martirët e Kishës Katolike shqiptare do të mbeten përjetësisht në themelin e lirisë, të dinjitetit e të demokracisë së Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Përkimi gjithashtu në këtë kohë me procesin e vlerësimit të këtyre martirëve nga Selia e Shenjtë, nga Papa Françesku duhet të na frymëzojë që të gjithëve për të mos lëshuar asnjë moment angazhimin tonë përsa i takon ruajtjes së dimensionit të lirisë dhe vlerave të njerëzimit e të integritetit të tij.

Isha sot në Shkodër edhe për një arsye tjetër: Për faktin se Shkodra, qytetarët e kësaj treve përfaqësojnë midis shumë virtytesh pozitive, edhe dy dimensione. Së pari shkodranët, zonjat dhe zotërinj e nderuar të kësaj treve shquhen për besim të fortë te Zoti. Dhe nga ana tjetër shquhen për një bashkëjetesë, harmoni dhe respekt të veçantë të ndërsjellë mes bashkësive të ndryshme të besimeve fetare. Ndaj, kjo vlerë e trashëgimisë më të mirë që ne kemi merr dimension qytetarie, merr dimension civilizimi pikërisht në Shkodër. Kështu që përtej urimit të veçantë për Pashkët, gjej momentin për të transmetuar mirënjohjen, vlerësimin dhe përuljen time ndaj qytetarisë, civilizimit, rezistencës, integriteti të kësaj treve që i ka bërë vlerave më të mira të lirisë dhe të përparimit.

Edhe njëherë: gëzuar të gjithëve! Të gjithë besojmë te i njëjti Zot. Besojmë te liria dhe besojmë te vlerat e qytetërimit dhe të civilizimit!”

I pyetur në se kishte edhe një mesazh për klasën politike në këtë ditë, kur vendi ndodhet përpara sfidave të rëndësishme, Presidenti Nishani u shpreh: “Klasa politike dhe aktorët politikë kanë padyshim përgjegjësi të caktuara krahas angazhimeve dhe përgjegjësive të të gjithë aktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare. Në radhë të parë të gjithë aktorët e politikës shqiptare duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që përfaqëson mandati i tyre, angazhimi i tyre dhe raporti që ata kanë me shoqërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar. Duhet të jenë kontribuuesit kryesorë të ruajtjes me fanatizëm të dimensionit të lirisë. Duhet të jenë të përgjegjshëm. Duhet të jenë të angazhuar për të ruajtur shpresën te qytetarët shqiptarë. Të rikthejnë besimin! Të rikthejnë besimin se ky vend jo vetëm që i ka të gjitha potencialet, por me punën e gjithsecilit, me përgjegjësinë e gjithsecilit do të shkojë e do të bëhet shumë më mirë.

Por natyrisht që më e mira nuk vjen vetëm me fjalë, vetëm me retorikë, vetëm me deklarata. Më e mira vjen me angazhim, vjen me punë, duke dhënë shembullin politikanët të parët të integritetit, të punës, të ndershmërisë, të angazhimit, të qëndresës përballë çdo vështirësie dhe të gatshëm për të bërë të parët sakrificat që shoqëria kërkon në interes të së mirës dhe në interes të prosperitetit të vendit. Kështu që problematikat e mëdha që shfaq sot shoqëria shqiptare që nga humbja e besimit, problemet e mëdha ekonomike që kemi, problemet e ndryshme që kemi me shfaqjen dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilët janë një e keqe e madhe për çdo qytetar e për familjet tona, në radhë të parë përgjegjësia e ndeshjes me to është e klasës politike. Dhe unë pres të shoh angazhime reale të të gjithë aktorëve të angazhuar në institucionet e shtetit shqiptar.”

Ndërsa në Kishën Katolike të Vaut të Dejës, ku u mikprit nga Ipeshkvi Lucjan Avgustini i Dioqezës së Sapës,  Presidenti Nishani vlerësoi veç të tjerash, edhe kontributet dhe vlerat e Kishës Katolike dhe klerikëve të saj në drejtim të bashkëjetesës, harmonisë dhe respektit ndërfetar.

Filed Under: Komente Tagged With: presidenti Nishani, shkoder, uroi Pashket

Shembulli i shqiptarëve për strehimin e hebrenjve, të promovohet në botë

March 17, 2016 by dgreca

David Harris: Shembulli pozitiv historik i shqiptarëve për strehimin e hebrenjve, të promovohet në botë/

-Presidenti Nishani priti Delegacionin e Këshillit Hebreo-Amerikan-/

TIRANE, 17 Mars/ATSH/- Presidenti Bujar Nishani priti Delegacionin e Këshillit Hebreo-Amerikan të kryesuar nga Drejtuesi Ekzekutiv David Harris, që po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Zoti Harris dhe anëtarët e tjerë të KHA-së falënderuan Presidentin Nishani për mikpritjen e ngrohtë dhe u shprehën se misioni i kësaj vizite në 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është thellimi dhe zgjerimi i mëtejshëm dhe i gjithanshëm i tyre.

Drejtuesit dhe anëtarët e Këshillit Hebreo-Amerikan, duke vlerësuar veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria i ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit, theksuan se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej anembanë botës, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit, ai mbetet shumë aktual dhe frymëzues edhe në ditët e sotme.

Presidenti Nishani e çmoi këtë vizitë si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes vendit tonë dhe aleatit më të madh strategjik të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka gjetur një jehonë të gjerë.122

“Kjo bazë e shkëlqyer historike ka forcuar më shumë marrëdhëniet shumëdimensionale mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

Duke shprehur vlerësimin për nivelin e shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve, Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se ka ende hapësira të pashfrytëzuara bashkëpunimi në të gjitha fushat sidomos në ato ekonomike, kulturore, etj. si dhe për të rritur imazhin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Izrael e kudo në botë.

Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Këshillit Hebreo-Amerikan padyshim do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Filed Under: Featured Tagged With: David Harris, presidenti Nishani, shembulli historik i shqiptareve, strehimi i hebrejve

65 vjet me parë- Incidenti i Bombës në ambasadën Sovjetike; episod kriminal në katakombat e diktaturës

February 26, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar në 65-vjetorin e masakrës së të ashtuquajturës “bombë” në Ambasadën Sovjetike, duke vlerësuar familjarët e viktimave të pafajshme: Sot Institucioni i Presidentit të Republikës është i juaji për të dhënë mesazhin se ne nuk harrojmë!/

Tirane 26 shkurt 2016/

Me rastin e 65-vjetorit të masakrës pa gjyq të 22 intelektualëve të pafajshëm, me pretekstin e bombës në Ambasadën Sovjetike më 22 shkurt 1951, sot paradite në Institucionin e Presidentit të Republikës, u zhvillua në kujdesin e Kreut të Shtetit, Konferenca Ndërkombëtare me pjesëmarrjen dhe praninë e familjarëve të

viktimave të pafajshme të terrorit komunist për të cilët foli Gëzim Peshkëpia; të Ambasadorit të OSBE-së Florian Raunig; Ambasadorit gjerman Hellmut Hoffman; Drejtoreshës Ekzekutive të Fondacionit Shtetëror Gjerman mbi Trajtimin e Periudhës së ish-diktaturës Komuniste Dr. Anna Kaminsky, e cila ishte e Ftuar Nderi; të Drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit Agron Tufa; të studiuesit dhe anëtarit të Bordit të ISKK-së Uran Butka, të përfaqësueses së Departamentit të Historisë së Fakultetit Histori-Filologjisë Enriketa Papa, të studentëve në emër të të cilëve foli Rigels Lenja; të Krytarit të KLSH-së Bujar Leskaj; drejtues dhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë në Shqipëri; të akademikëve, profesorëve dhe studentëve.

Në fjalën e Tij Presidenti Nishani u shpreh: “Së pari, dëshiroj të shpreh falënderimet më të sinqerta për organizatorët e këtij aktiviteti: Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë! Dëshiroj njëkohësisht të falënderoj në mënyrë të veçantë familjarët, trashëgimtarët e atyre personaliteteve që zgjodhën së bashku me organizatorët, Institucionin e Presidentit të Republikës për të zhvilluar këtë Konferencë dhe ceremoni në kujtim të atyre personaliteteve, dhe mbi të gjitha të bazuara në themelin e një mesazhi që sot të gjithë transmetoni në këtë sallë të mos harresës.

Ka një realitet diametralisht të kundërt të asaj kohe të dhimbshme, të tmerrshme dhe barbare në krahasim me ditët e sotme. Nëse Presidenti i asaj kohe, Omer Nishani, dekretonte ekzekutimet e atyre njerëzve, – natyrisht përveç koincidencës së mbiemrit, nuk ka asnjë lidhje mes nesh – sot Institucioni i Presidentit të Republikës është i juaji. Është i juaji për të dhënë mesazhin se ne nuk harrojmë. Mbi të gjitha, në këtë fjalë dhe mesazhin tim do të doja të inkurajoj përpjekjet, që të gjithë këta organizatorë të kësaj veprimtarie kanë bërë me atë ndjenjë fisnike që ata kanë të luftës kundër harresës.

Harrimi, që sugjerojnë moralistët e vonuar apologjetë të maskuar të diktaturës, të cilët nga njëra anë predikojnë harrimin e krimeve, dhe nga ana tjetër paraqesin me një mijë mënyra një të kaluar si u intereson atyre, nëpër ekrane të caktuara, kujtime kriminelësh nëpër gazeta, harrim që kurrsesi nuk duhet injoruar dhe toleruar. JO, ne themi nuk harrojmë! Nuk mund të harrojmë.
Nuk duhet të harrojmë! Nuk kemi arsye të harrojmë. Viktimat e drejtpërdrejta të krimit barbar, të pushkatuarit, të varurit në litar, të vdekurit nën tortura, s’janë më. Por të afërmit e tyre, disa prej të cilëve ndodhen sot në këtë sallë, dëshmitarët e mbetur gjallë të tmerreve të pafundme të dergjjes me dhjetëra vite nëpër internime e burgje, janë prova e gjallë që thërret për mos-harrim.
Na ka mbledhur këtu më e pakta që mund të bëjmë për viktimat. Na ka mbledhur sot këtu, një shkak madhor, një detyrim i paevitueshëm, një borxh i pashmangshëm, një arsye shumë e lartë: kushti universal për ekzistencë dhe zhvillim, ajo pa të cilën e tashmja është tepër e vështirë dhe e ardhmja e pamundur – Kjo është kujtesa!

E ashtuquajtura hedhje e bombës në ambasadën sovjetike, ky episod kriminal i stisur në katakombat e fshehtësisë kriminale diktatoriale, me një bombë inekzistente që shkaktoi shumë më tepër viktima se do shkaktonte një bombë e vërtetë, ndryn brenda vetes aq lëndë diktatoriale, sa pa drojë mund të thuhet se brenda makabritetit të kësaj ngjarjeje është e shkruar pothuaj e gjithë historia e krimit diktatorial, karakteristikat më kriminale, tiparet më absurde, deliret më të çmendura, deformimet më të përçudnuara, që e karakterizuan diktaturën. Dyshimi, frika, pabesia, dredhia, dinakëria, intriga, manipulimi, mashtrimi: që të gjitha janë atje, tek ajo ngjarje, në qëllimin, shkakun, pasojën, dinamikën, autorët, e atij krimi diabolik. Gjithçka është inkapsuluar në atë ngjarje si simbol i egërsisë dhe i barbarisë së atij sistemi.

Ngjarja në fjalë ka një tipar specifik domethënës. Siç dihet çdo dukuri, e mirë apo e keqe, e tillë apo e atillë, ka dinamikën e vet, fazat e veta të konsumimit, fillimin, kthesat, vazhdimin, mbarimin. Ngjarja kriminale me të ashtuquajturën ‘bombë në Ambasadën Sovjetike’ përbën një moment deçiziv, një kthesë, një kulminacion të një lloji të veçantë në dinamikën e historisë së diktaturës shqiptare: Burra dhe gra totalisht të pafajshëm të cilëve sistemi u grabiti jetën. Dhe nuk u mjaftua vetëm me aq dhe me ta. Familjet e tyre u persekutuan e u degdisën në skutat e Shqipërisë ku të braktisur mbijetonin thjesht për bukën e gojës pa i mëshiruar asnjëherë deri në ndërrimin e sistemit. I gjithë ky kalvar i pamerituar ishte një krim i mirëfilltë, që kurrë nuk duhet harrur dhe ai nuk ishte një gabim i rëndomtë njerëzor.

Para asaj ndodhie, diktatori dhe ndjekësit e tij kishin bërë goxha rrugë drejt krimit, i kishin lyer tashmë duart me gjak, por gjithsesi deri para asaj ngjarjeje, qëllimin e vërtetë nuk e kishin shpallur, duart e përgjakura i fshihnin, ende nuk e kishin shfaqur të tërë tragjizmin demoniak që bartnin në ndërgjegjet e sterrosura të tyre, ende se kishin treguar plotësisht fytyrën shtazarake, ende kishin një farë ndrojtje se çfarë qëllimesh kishin në të vërtetë, se ku donin të arrinin. Ajo çetë vrastare me në krye diktatorin gjakatar që pas lufte morën peng Shqipërinë dhe shqiptarët, këtë rast e shfrytëzuan si pikë kthese, si moment të volitshëm për të larguar çdo dyshim, për të zhdukur çdo lëkundje, për ta ndarë mendjen një herë e mirë dhe për vazhduar të shkonin atje ku ishin nisur: në stalinizimin e thellë, në krimin pa kthim, në kasaphanën pa dallim, ku djalli pasi shqyen bijtë e vet, nuk e ka problem të thotë me mburrje: jam djall, jam i zi, e kam për nder!

Pas kësaj ngjarjeje ata i flakën të gjitha maskat. U zbuluan tërësisht. I dhanë fund selektivitetit. Vranë viktimat e bombës së sajuar. Mbyllën sytë dhe nisën të masakronin cilindo që u dilte përpara ose u dukej se u kishte zënë rrugën. Internuan e burgosën gjithkënd që u fanepsej nëpër ëndrra. Nuk bënë më asnjë dallim as për shokë lufte, as familjarë, bij, bija, nipër, mbesa, farefis e kështu me radhë. Pra nisën rrugën e pandalur drejt humnerës së pashmangshme ku përfundojnë të gjithë diktatorët për t’u mbytur në pellgun e gjakut që derdhin vetë.

Makabriteti që përkujtojmë sot vetvetiu të sjell ndërmend një çështje madhore: qasjen ndaj krimeve të së kaluarës diktatoriale. Qasjet janë nga më të ndryshmet. Ne e dimë se çfarë do bëjmë dhe e dimë se si do ta bëjmë. Natyrisht që nuk do merremi gjithë kohën me të kaluarën, se do ishte e tepërt dhe kontraproduktive. Nuk do merremi as gjithë kohën me të tashmen e të ardhmen, se nuk bën sens dhe do të ishte pa logjikë. Ajo që do bëjmë, mendoj unë dhe sa mundemi po e bëjmë, është së pari, të mos harrojmë. Të mos harrojmë se ciflat e asaj bombe inekzistente ende vrasin, ende gjakosin, ende ndotin. Të mos harrojmë ato bij e bija, sidomos gratë, nënat, vajzat e atyre familjeve që u iku jeta burgjeve dhe baltërave të internimeve. Të mos harrojmë se në një vend ku plagët ende rrjedhin, ku rënkimet ende dëgjohen, ku kudo që të gërmosh, më tepër se gurë dhe rrënjë gjen gëzhoja pushkatimesh dhe kocka viktimash. Kujtesa nuk është kurrë e tepërt. Të mos harrojmë por edhe të kuptojmë, se nuk ka të ardhme paqësore pa qartësuar dhe dënuar ligjërisht aktet kriminale të së kaluarës. Dhe kjo ngjarje, ky rast do të ishte në nderin e një shteti demokratik të përbënte aktin e parë dhe themeltar të një hetimi dhe dënimi dinjitoz!

Të nderuar të pranishëm!

Padyshim që ata që janë në këtë sallë mund të adresojnë mesazhe të ndryshme që vijnë si memorie, si kujtime, si reflektime, si dhimbje, si dëshirë, si studim dhe unë dëshiroj të falënderoj në mënyrë të posaçme profesorët dhe studentët e Fakultetit të Historisë, të cilët japin shpresë. Japin shpresë se kujtimet jo vetëm që nuk do të harrohen, por do të përkthehen në frymëzim jo vetëm të historisë, por në frymëzim të reflektimit dhe reagimit tonë si shoqëri në të ardhmen.

Dëshiroj njëkohësisht sot t’u bëj një homazh dhe përulej të thellë të gjithë familjarëve dhe familjeve të atyre viktimave, të cilët krahas dhimbjes njerëzore të parikuperueshme që patën në ato çaste të krimit barbar, iu desh të duronin dhunën, dënimet, poshtërimet, varfërinë e tejskajshme për dekada me radhë. Ju jeni pjesë e simbolit të qëndresës së shqiptarëve. Pjesë e simbolit të shqiptarëve për dinjitet, për liri dhe për të drejtën – parime të cilat historia njerëzore i ka ruajtur dhe i ka promovuar gjithmonë sa herë i është dashur të ecë në rrugën e zhvillimit, të prosperitetit dhe të demokracisë. Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë rezistencë, e cila na sjell sot një dimension tjetër të familjeve shqiptare, të traditës shqiptare, që falë këtij nervi të rezistencës e të mos-harresës, ka mundur të mbijetojë ndër shekuj dhe të ruajë ekzistencën dhe identitetin e saj kombëtar.

Besoj se sot kemi shumë gjëra çka mund t’u lëmë trashëgim djemve dhe vajzave, të cilët plot pasion, kapacitet intelektual, dëshirë, i kanë të gjitha mundësitë për ta ruajtur të fortë këtë trashëgimi, për të qenë krenarë për të si dhe për të punuar mbi për të ardhmen e brezave të tjerë, të cilëve do t’u jeni ju mirënjohës për atë çka ju do t’u lini kur të vijë çasti i ndërrimit të stafetës suaj. Ju faleminderit dhe dëshiroj që duke përfituar nga privilegji që kam, si Presidenti Republikës, si Kryetar i Shtetit shqiptar, të gjithë së bashku sot t’u bëjmë një homazh dhe nderim atyre familjarëve, të afërmve, të cilët e mbajtën gjallë kujtimin e tyre dhe e promovuan më tej mesazhin e qëndresës!”

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” familjet e 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist në mesnatën e 26 shkurtit 1951, respektivisht familjarët e: Sabiha Kasimatit; Tefik Shehut; Jonuz Kacelit; Lluka Rashkoviçit; Thoma Katundit; Manush Peshkëpias; Hekuran Trokës; Myftar Jegenit; Anton Delhysës; Pandeli Novës; Pjerin Guraziut; Haki Kodrës; Gjon Temalit; Gafurr Jegenit; Zyhdi Herrit; Mehmet Ali Shkupit; Fadil Dizdarit; Ali Qorralliut; Niko Lezë; Petro Konomit; Qemal Kasoruhos dhe Reiz Selfos me motivacionin: “Në vlerësim të vuajtjeve dhe qëndresës ndaj diktaturës, si dhe moralit të lartë të treguar në dekada përballë përndjekjes dhe represionit komunist. Në kujtesë të shembullit të këtyre familjeve, si një model i vlerave kombëtare, që duhet mbajtur gjallë për brezin e ri”.

Filed Under: Histori Tagged With: 65 vjetori i masakres, presidenti Nishani, se bombes ne ambasaden sovjetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT