-Jahjaga: Me KFOR-in 16 vjet së bashku kemi numëruar sukseset dhe të arriturat tona të përbashkëta, në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë dhe në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron toleranca dhe mirëkuptimi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Gusht 2015/ Komandant i ri forcës së NATO-s në Kosovë – KFOR, prej sot është gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, sot në kampin Film City në Prishtinë, ai mori detyrën nga gjeneral major Franqesko Paolo Figliuolo, i cili nga 3 shtatori 2014 pasoi gjeneral majorin Salvatore Farina. Të tre këta komandantë të KFOR-it janë italianë dhe pasojnë gjeneral majorin gjerman Volker Halbauer, i cili në 7 shtator 2012 pat marrë detyrën e komandantit të KFOR-it, për të katërtën herë radhazi një gjeneral i Bundesverit. Nga viti 1999 i lirisë së Kosovës KFOR kishte edhe komandantë të tjerë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në ndërrimin e Komandës së KFOR-it tha se, për 16 vjet me radhë së bashku kemi numëruar sukseset dhe të arriturat tona të përbashkëta, në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë dhe në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron toleranca dhe mirëkuptimi.
“Viti pas viti kemi dëshmuar se së bashku mund ta bëjmë Kosovën një vend të dashur jo vetëm për ata që kanë lindur dhe janë rritur këtu, por edhe për të gjithë ata që kanë kaluar pjesë të jetës së tyre në këtë vend”, u shpreh Presidentja Jahjaga në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR.
Presidentja e Kosovës tha se, në 16 vjet kemi mësuar se paqja arrihet me durim dhe me punë e sakrificë dhe mirëmbahet me besim dhe dashuri. “Në këto 16 vjet burrat dhe gratë e forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, kanë qenë përkrah popullit të Kosovës në ruajtjen e paqes, në ndërtimin e mjedisit të sigurt për të gjithë dhe në promovimin e vlerave demokratike – të ndërtimit të lidhjeve ndërmjet njerëzve”, theksoi Jahjaga.
Ajo tha se, nuk ka qenë aspak e lehtë rruga që e kemi kaluar së bashku, një rrugë e krijimit të mirëbesimit, e ruajtjes së sigurisë dhe paqes, e ndërtimit të jetëve të njerëzve nga rrënojat e luftës dhe një rrugë e filluar, sado e rëndë, e pajtimit ndërmjet njerëzve.
“Ju oficerë e ushtarë të KFOR-it, të gjithë ju që i keni qëndruar përkrah popullit të Kosovës, në çdo kohë, që prej më shumë se 16 vjetësh, jeni shndërruar në simbolin më të rëndësishëm të paqes dhe të garantuesit të përparimit të shoqërisë. Populli i Kosovës do të çmojë përgjithmonë përkrahjen tuaj dhe besimin që keni pasur në Kosovën, si një vend i shpresës dhe i përparimit. Do të vlerësojë përgjithmonë miqësinë që e keni ndërtuar dhe vendosmërinë – që së bashku ta shndërrojmë Kosovën në faktor stabiliteti e paqeje në rajon dhe më gjerë”, u shpreh Presidentja kosovare.
Ajo vijoi se, partneriteti ynë është rruga e suksesit dhe e ka ndihmuar Kosovën në ndërtimin e Forcës së Sigurisë mbi standardet e NATO-s dhe po ky partneritet i ka ndihmuar kësaj Force të përmbushë kapacitetet e saj operacionale, duke e bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës të aftë për t’u shndërruar në një forcë mborjtëse, që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës.
“Partneriteti është edhe e ardhmja e jonë. Dhe një dëshmi se ndajmë vlerat dhe idealet e përbashkëta që i ndërtojmë me mbështetjen e mijëra ushtarëve që shërbejnë e kanë shërbyer në Kosovë”, tha Jahjaga.
Kjo vendosmëri jona, vijoi ajo, e bën Kosovën një partner të NATO-s dhe të mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë në botë në kohë sfidash globale, kur na duhet një përgjigje e përbashkët ndaj cilitdo kërcënim ekstremist e radikal për sigurinë jo vetëm në vend por edhe në rajon e më gjerë.
“Partneriteti ynë në rajon, në fushën e sigurisë, do të pengojë ndikimet radikale mbi qytetarët tanë dhe do të ndërpresë aktivitetet terroriste, duke e bërë gjithë Ballkanin një vatër të stabilitetit dhe të sigurisë. Dhe, prandaj Kosova dhe krahas saj edhe shtetet e tjera në rajon, përfshirë Maqedoninë, kanë treguar se janë të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit si kërcënim global”, theksoi Jahjaga.
Kosova sot, vijoi Presidentja e Republikës, është pjesë e pandashme e arkitekturës së sigurisë që ruan vlerat fondamentale të demokracisë – lirinë e njerëzve, barazinë dhe respektin për secilin pa dallim dhe një vend që aspiron të jetë pjesë e barabartë e familjes evropiane dhe kontribuuese e sigurisë kolektive si pjesë e NATO-s.
“Së bashku me ju, paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, kemi ruajtur frymën e tolerancës dhe të besimit në njëri tjetrin”, u shpreh Jahjaga.
Ajo tha se, ndërrimet e komandave të KFOR-it në Kosovë shënojnë një simbolikë të fuqishme dhe gjithsesi edhe tregojnë përkushtimin e paqeruajtësve për këtë vend, mbi të gjitha mbështetjen e NATO-s për një Kosovë demokratike dhe të sigurt, në paqe me të gjithë.
“Dhe sot dua veçanërisht të theksoj rolin e jashtëzakonshëm të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Francesco Paolo Figliuolo”, tha Presidentja e Kosovës, Jahjaga, dhe vijoi: “Gjeneral Figlioulo, në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës ju faleminderit! Për kontributin tuaj në forcimin e paqes dhe stabilitetit të Kosovës, unë ju nderoj me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë”.
Presidentja e Kosovës iu drejtua edhe komandantit të ri të KFOR-it.
“Gjeneral Miglietta, mirë se erdhe në Kosovë!
Ju siguroj se institucionet e Kosovës do të punojnë së bashku me ju në rrugën e suksesit të përbashkët për të ruajtur vlerat e ndërtuara nga mijëra ushtarë në ruajtjen e paqes në Kosovë. KFOR-i vazhdon të jetë institucioni më i vlerësuar dhe besoj fuqishëm se do të vazhdoni të jeni garanti më i fortë i një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Presidentja kosovare.
Ne, vijoi Jahjaga, do të vazhdojmë të ndërtojmë vizionin tonë të një vendi me aspiratë e synim të qartë për të qenë pjesë e BE-së dhe kontribuuese e rëndësishme e sigurisë kolektive. “Gjithsesi një shtet modern dhe demokratik, shtet ligjor dhe i përparuar, shtet i secilit qytetar të saj, pa dallim”, përmbylli fjalën e saj Presidentja e Kosovës.
Presidentja Jahjaga përshëndet miratimin e amendamenteve kushtetuese për Gjykatën Speciale
*Gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Gjykatës Speciale, me më shumë se dy të tretat – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim dhe u mblodh sonte edhe në seancë të jashtëzakonshme për dy ligjet për Specialen/
PRISHTINË, 3 Gusht 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përshëndet vendimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, si një përmbushje të obligimeve ndërkombëtare të vendit.
Presidentja Jahjaga, në një deklaratë sonte, vlerëson se themelimi i Gjykatës Speciale, bazuar në kuadrin legjislativ, dëshmon përkushtimin e Kosovës në parimin drejtësi për të gjithë.
Presidentja Jahjaga thekson se Gjykata Speciale do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe ajo nuk do gjykojë përpjekjen tonë kolektive për çlirim dhe liri./b.j/
Kuvendi i Kosovë nis seancën e jashtëzakonshme për dy ligjet për Specialen
-Tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma për Kosovën, të cilat kundërshtojnë Gjykatën Speciale, nuk po marrin pjesë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Gusht 2015/ Kuvendi i Kosovës sapo nisi sonte seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohen në parim dy projektligje për Gjykatën Speciale, me procedurë të përshpejtuara.
Seanca mbahet me kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa, me këtë rend dite: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara. Këto dy ligje u miratuan në mbledhjen e sontme të qeverisë dhe u proceduan në Kuvend.
Gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Gjykatës Speciale, me më shumë se dy të tretat – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim dhe u mblodh sonte edhe në seancë të jashtëzakonshme për dy ligjet për Specialen, të cilat po pas shqyrtimit në parim pritet të kenë sonte edhe të dytin dhe të miratohen.
Tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma për Kosovën, të cilat kundërshtojnë Gjykatën Speciale, nuk po marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Presidentja Atifete Jahjaga u takua me z. Tony Blair
Ne Foto:Presidentja Jahjaga, takimi me ish Kryeministrin Balir dhe zonjen Blair ne ambasaden e Kosoves ne Londer/
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në Londër, në ambasadën e Kosovës, me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, zotëri Tony Blair dhe bashkëshorten e tij, zonjën Cherrie Blair.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart angazhimin e ish-kryeministrit Blair për Kosovën, në mbrojtjen e popullit të Kosovës gjatë kohës së luftës, me vendimin për fushatën ajrore të NATO-s që parandaloi katastrofën humanitare dhe më vonë përmes ndihmës në rindërtimin e vendit dhe procesin e shtetndërtimit te tij. Ajo gjithashtu e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në ruajtjen dhe kultivimin e vazhdueshëm të tolerancës ndërfetare, një vlerë e veçantë e shtetit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Blair vlerësuan të arriturat e Kosovës, ndërtimin demokratik e gjithëpërfshirës të vendit, sfidat në procesin e integrimeve evropiane, dialogun me Republikën e Serbisë dhe marrëveshjet e arritura që duhet të zbatohen, ndërtimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat në fushën e sigurisë në luftën kundër ekstremizmit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova si dhe gjithë rajoni i Ballkanit duhet të ketë perspektivën e qartë evropiane dhe të përfshihet në të gjitha nismat dhe projektet e BE-së për rajonin dhe të ruhet momenti i klimës së bashkëpunimit ndërmjet vendeve në rajon.
Ish-kryeministri Blair tha se Kosova ka arritur shumë në proceset e shtetndërtimit dhe ajo duhet të vazhdojë të forcojë demokracinë e saj të brendshme dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar.
Presidentja Jahjaga mori pjesë në diskutimin publik me rastin e shënimit të 800-vjetorit të hartimit të Magna Carta-s
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Britani të Madhe, mori pjesë në një diskutim publik me rastin e shënimit të 800-vjetorit të hartimit të Magna Carta, të organizuar në Bibliotekën Britanike (British Library) në Londër.
Në panelin e organizuar me temën “Ligji i një vendi – Si të krijohet një shtet” (The law of the land -How to create a country), së bashku me Presidenten Jahjaga, morën pjesë Sir Jeremy Greenstock, ish-ambasador i Britanisë së Madhe në OKB, Albie Sachs, ish-gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Afrikës së Jugut dhe u drejtua nga profesoresha Ngaire Woods, dekane e Shkollës Blavatnik të Universitetit të Oxfordit.
Presidentja Jahjaga në prezantimin e saj foli për rezistencën paqësore në Kosovë dhe periudhën e luftës për çlirimin e saj si dhe përpjekjet për rindërtimin e vendit me ndihmën ndërkombëtare. Ajo gjithashtu foli edhe për procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nga aspekti i kushtetutshmërisë. Presidentja Jahjaga gjatë prezantimit u pyet edhe për ndërtimin e institucioneve të vendit në veçanti për institucionet e sigurisë.
Presidentja Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme, Baroneshën Joyce Anelay
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay me të cilën diskutuan për iniciativat institucionale dhe shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Baroneshën Anelay për angazhimet ndërinstitucionale për t’iu ofruar mbrojtje ligjore dhe për të forcuar statusin juridik në shoqëri të mbijetuarve të këtij krimi të luftës. Presidentja Jahjaga theksoi se kjo kategori në Kosovë tashmë ka statusin e viktimave civile të luftës dhe që me nxjerrjen e akteve nënligjore do të njihen dhe mbrohen si grup i margjinalizuar. Ajo foli edhe për nevojën që të mbijetuarit e dhunës seksuale të fuqizohen ekonomikisht për t’iu krijuar një të ardhme më të qëndrueshme, dhe për të mundësuar qasje të barabartë në drejtësi në përpjekje për t’i vënë para drejtësisë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme. Presidentja i dhuroi një kollazh fotografish nga instalacioni artistik Mendoj për Ty që u është dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale, fushatë për të cilën kishte dhuruar fustanin e saj të veshur në një moment të veçantë të karrierës së saj.
Në takim ku morën pjesë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Britani, zotëri Lirim Greiçevci dhe Ambasadori britanik në Kosovë, zotëri Ruairi O’Connell, Presidentja Jahjaga falënderoi Baroneshën Anelay për rolin e shtetit të saj dhe lidershipin që ka dëshmuar për senzibilizimin e botës dhe përpjekjet konkrete për t’i dhënë fund dhunës seksuale si mjet lufte. Ajo në veçanti falënderoi Baroneshën për përkrahjen e qeverisë britanike institucioneve të Kosovës në përballjen me këtë pasojë të luftës.
Në takim gjithashtu u diskutua për zhvillimet rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga shprehi zhgënjimin e saj me mosvotimin e amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe theksoi se pret nga institucionet e vendit të gjejnë mënyrën dhe kurajon që të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar në përputhje me vendimin e Kuvendit dhe të marrëveshjes ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga e siguroi Ministren britanike se Kosova është shtet që beson në drejtësi dhe që do të veprojë mbi këtë parim.
Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- Next Page »