U Përurua në Prishtinë libri “Burg në Liri”/
Nga Kadri Tarelli/*
Dy dit më parë, më sakt të Mërkurën, datë 12. Të Majit 2016, Uniersiteti Europian i Kosovës në Prishtinë, organizoi përurimin e librit ““Burg në Liri”, me publicistikë, tregime dhe poezi, të shkrimtarit nga Durrësi z. Hysen Haxhiaj, ish i burgosur politik në vitet e diktaturës. Një ngjarje e bukur për pedagogët dhe studentët e këtij universiteti, të cilët mbushën sallën plot e për plot. “Një ngjarje madhore” e quajti, organizatori i këtij takimi z. Ali Bajgora, Rektori i Universitetit. Kjo veprimtari mbreslënse ishte njëkohësisht një nderim i veçantë për shkrimtarin e shumëvuajtur, që realizoi një ëndërr dhe dëshirë të kahershme të tij, për të qënë i pranishëm me këtë libër modest, në Kosovën që e deshte dhe e do aq shumë.
Grupi i miqëve nga Durrësi, në përbërje të të cilit kishte shkrimtarë, poetë, kritikë arti, gazetar, fotograf e telekronist, familjarë dhe miq e shokë të shkrimtarit. Në mesin tonë ndodhej edhe poeti Agim Bajrami, i cili është edhe redaktor i librit dhe këngëtari i njohur durrsak, Naim Kërçuku. Veprimtarinë e drejtoi Profesor Flamur Maloku, i cili përshëndeti në emër të stafit akademik, duke vlerësuar këtë takim si një urë bashkimi të ndërsjelltë, që i shërben njohjes së historisë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, sidomos atë periudhë të trishtë të izolimit, kur kufinjtë thurrur me tela me gjemba, mund t’i kalonin veç zogjtë e qiellit.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti rektori Ali Bajgora, i cili me oratori të zgjedhur e tone mjaft të ngrohta, përshëndeti shkrimtarin dhe grupi që e shoqëronte, duke uruar që takime të tilla mes vëllezërve të të dy anëve të ketë më shpesh. Të pranishëm në sallë ishin emra të njohur të kulturës, shkencës, letërsisë dhe institucioneve të Kosovës, mes tyre akademikët z. Nuhi Vinca, studjues, poet e prozator, z. Shefki Stublla, muzeolog, studjues dhe historian i njohur në mbarë botën shqiptare, njëkohësisht poeti z. Adem Zaplluzha dhe znj. Teuta Musa, drejtore e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Prishtinë.
Nikoqirët me mirëpritjen e tyre të veçantë, për paraqitjen e librit i lanë më shumë vend e kohë miqëve të ardhur nga Durrësi. Shumë ngrohtë foli shkrimtari, poeti dhe studjuesi z. Shpendi Topollaj, i cili i parashtroi një studim e analizë të bukur letare-akademike, që u duartrokit gjatë nga të pranishmit. Është e kuptueshme që dëgjuesit u preken në ndjenjat njerëzore, sepse autori i librit Hysen Haxhija, pasardhës nga një familje fisnike nacionaliste, që Shqipërinë e deshte të bashkuar me Kosovën e Çamërinë, përjetoi për 14-vjet burgun, “ferrin komunis”. Ai është një ndër ata “heronj” që nuk u thyen, por mbijetuan dhe “Rrnojtën për me tregue”, me fjalë zemre dhe ndjenja shpirti atë çka hoqën mijëra e mijëra shqiptarë të pafajshëm, që e deshën atdheun dhe kombin. Në brendinë e këtij libri ka ngjarje të shëmtuara e të trishtuara, të fshehta e të zbuluara, të thëna e të paharruara, me thirrje e rënkime të padëgjuara, njëkohësisht të jetuara me shumë dhimbje trupi e shpirti, me vuajtje skëtetrre, me durim e shpresë mbinjerëzore, se një ditë do ta prekin dritën e lirisë.
Më pas të pranishmit i përshëndeti z. Gjergj Vlashi, që mban titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, personalitet i njohur në fushën e letrave, dramaturg, studjues, shkrimtar, përkthyes, regjizor i teatrit të Durrësit. Me finesë e mjeshtëri analizon poezitë e këtij libri, të shkruara me aq dashuri, muzikalitet, frymëzim e dashuri hyjnore për jetën, familen, atdheun, shokët, rininë e shkërmoqur në galeritë e minierave. Janë copëza jete që të mbërthejnë me mesazhet universale të qëndresës dhe vetmohimit për të vërtetën dhe lirinë e individit dhe të kombit.
Shkrimtari dhe poeti Vaso Papaj, me poezinë “Zeneli”, të shkruar nga ai vetë, mëllëngjeu dëgjuesit në sallë. Ai përcolli për të pranishmit, një gjetje tjetër për të paraqitur atë dramë shqiptare, atë zhgënjim të përjetuar me aq shpresë e dhimbje nga të rinjët shqiptarë të Kosovës, që duk e marrë rrezikun në sy, kaluan kufirin, guxuan e provuan të gjenin liri në tokën amë, në Shqipëri.
Më pas Shpëtim Kodra, mësues letërsie, prozator e kritik letrar, theksoi se heroi i librit, vetë shkrimtari, është një pjesë, një thërrime rëre në grumbullin e madh të të dënuarëve dhe të internuarëve politik të diktaturës. Vetë libri është një akuzë e mallkim ndaj të kaluarës, njëkohësisht edhe mësim për brezat. Është një përgjigje dhe mbështetje për fjalën e urtë të At Zef Pëllumbit, që thotë: “Nuk ka demokraci të pëstër kur shtrembërohet dhe mohohet historia”. Ai vlerësoi guximin dhe durimin e autorit që po thotë të vërtetën, duke shkruar se edhe tranzicioni i tej zgjatur ka ngjallur zhgënjim, meqënse gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç priteshin.
Mbas këtyre fjalimeve, takimin e përshëndeti z. Hysen, i cili me shumë emocine falënderoi të pranishmit në sallë, studentë dhe pedagogë, miq e të ftuar. Njëkohësisht falënderoi organizatorët e takimit, në veçanti z. Ali Bajgora dhe z. Flamur Maloku, sepse i dhanë mundësi të shpalosë para ajkës së arsimuar të shqiptarëve të Kosovës, kalvarin e jetës së tij, që është veç një copëz e jetës së shqiptarëve që jetuan për gati gjysëm shëkulli nën diktaturë. Bisedën e mbylli me fjalët e dala nga shpirti: “Jemi një gjak e një komb, të përpiqemi që koha të na bashkojë”. Pas kësaj ligjërate prekse, z. Ali Bajgora në emër të stafit akademik të Universitetit i dorzoi z. Hysen Haxhija “Fletë Mirënjohje”.
Në fund të takimit, z. Hysen, dhuroi për të pranishmit 50 libra “Burg në liri”, ndërsa z. Shpendi Topollaj dhe Vaso Papaj i dhuruan bibliotekës së Universitetit, respektivisht; 20 dhe 5 libra me tituj të ndryshëm nga krijimtaria e tyre.
Fotografi Luan Jaupaj dhe telekronisti Tristan Sherifi ishin të papaërtuar për të fiksuar çdo cast të këtij takimi të bukur me vlera shqiptarie.
Urojmë që takime të tilla të jenë të shpeshta në të dy kryeqytetet tona, Prishtinë e Tiranë!
Ne Foto: nga e djathta V.Papaj, Gj.Vlashi, H. Haxhiaj, F.Maloku, Sh. Kodra, Sh. Topollaj.
Durrës më 14. 05. 2016