-Nesër mocioni i mosbesimit për qeverinë e pastaj demarkacioni, priten mungesa votash në Kuvend/
PRISHTINË, 9 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në një seancë me të vetmen pikë në axhendë: “Shqyrtimi i Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mbështetur nga 42 deputetë”.
Por, për të rrëzuar qeverinë duhen së paku edhe 19 vota për të arritur numrin 61 – një më shumë se gjysmën e Kuvendit të Kosovës me gjithësej 120 deputetë. Ndërkohë që nuk ka deklarime tjera publike për votë pro mocionit të mosbesimit, votimi i fshehtë mund të rrisë numrin e votave kundër qeverisë apo për t’i dhënë fund udhëheqjes së saj nga partia e dytë me numrin e deputetëve.
Në Kuvendin e Kosovës aktualisht Partia Demokratike e Kosovës ka 36 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 33, Lëvizja Vetëvendosje 16, Lista Serbe 11, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, Gjashtë Plus (i komuniteteve pakicë) 6, Nisma për Kosovën 6, ndërsa pa grup parlamentar janë 4 deputetë.
Qeveria e Kosovës pas shtyrjes së mbledhjes së djeshme, ku sipas axhendës pritej procedimi i demarkacionit, ka parlajmëruar se do e mbajë pas seancës së nesërme të Kuvendit të mocionit të mosbesimit.
“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën”, bënte të ditur komunikata dërguar nga Kryeministria.
Projekligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ishte në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria derisa opozita e kundërshtonte edhe me protesta e mungonte Lista Serbe dhe nuk ishte e sigurt se për miratim do arriheshin të paktën 80 vota.
Ky numër i nevojshëm i votave – dy të tretat e totalit të deputetëve nuk mund të arrihet edhe nëse votojnë pro të gjithë nga grupet parlamentare të dy partitve më të mëdha të koalicionit qeverisës PDK e LDK me gjithësej 69 deputetë, e edhe nëse atyre u bashkohen edhe 6 deputetët e Gjashtë Plus të minoriteteve dhe 4 deputetët pa grup, në numrin total 79 do ishte mangu një votë dhe kjo do pamundësonte ratifikimin e demarkacionit.
Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kanë paralajmëruar votim kundër dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën e Kuvendit Kosovën e çon në zgjedhje të parakohëshme, fillimisht në shpërndarjen e parlamentit.