Nga Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI/
Universiteti Winthrop/Rock Hill, South Carolina/ U.S.A. Diktim i shijeve estetike muzikore të artdashësve! Diktim! Diktim! Diktim!/
1.Në një shoqëri me të vërtetë demokratike, shijet estetike muzikore burojnë nga dëshirat individuale të njerëzve: pë arsye të ndryshme, disa njerëz pëlqejnë më tepër muzikën tradicionale; dëgjues të tjerë pëlqejnë më shumë muzikën klasike; një grup i tretë njerëzish parapëlqen vetëm atë pjesë të muzikës tradicionale që i takon vend-lindjes ose vend-banimit të tyre; një grup i katërt parapëlqen të ashtuquajturën muzikë e lehtë; një grup i pestë—muzikën operistike; një grup i gjashtë—muzikën instrumentore e orkestrore, etj. S’mungojnë as grupe dëgjuesish ose individë që pëlqejnë më shumë se një zhanër artistik muzikor, sikurse as grupe dëgjuesish ose individë shijet estetike muzikore të të cilëve janë me të vërtetë specifike.Sa mirë që në një shoqëri demokratike askush nuk mund t’u diktojë artdashësve se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë dhe se çfarë lloj muzike duhet të mos pëlqejnë! Sa mirë që në një shoqëri demokratike artdashësit janë të lirë t’i drejtojnë valët e radios e të televizionit drejt muzikës së stacioneve radio-televizive të çdo vendi e kontinenti të botës! Sa mirë që në një shoqëri demokratike dëgjuesit janë të lirë të dëgjojnë atë lloj muzike që, ndërsa të tjerët s’e vlerësojnë, për ‘ta është mjaft tërheqëse! Askush nuk mund t’u diktojë artdashësve shijet estetike! Askush! Askush! Askush! As një Perandori Biblike! Lart demokracia, e cila sjell liri! Poshtë diktatura, e cila sjell skllavëri!
2.-Sidoqoftë, çdo shoqëri është e interesuar për të formuar shije dhe koncepte mbarë-shoqërore estetike mbi muzikën, ashtu sikurse mbi artin në përgjithësi. Dihet se, shijet estetike, me gjithë praninë e elementit individual në ‘to, kanë gjithnjë karakter shoqëror: përderisa formohen nën ndikimin e mjedisit shoqëror, ato asnjëherë nuk mund të merren të shkëputura prej tij. Në këtë qerthull, muzika për brezat e rinj të shoqërisë—pa mohuar aspak natyrën e veçantë të saj—nuk është tërësisht specifike. Duke marrë në konsideratë veçoritë psikologjike të moshës së brezave të rinj, shijet estetike muzikore të tyre sërish nuk janë tërësisht të ndryshme, në krahasim me ato të brezave të tjerë të shoqërisë. Një dukuri e tillë shpjegohet me faktin që zhanre, stile, kategori të ndryshme muzikore, tradicionale ose profesioniste, janë njësoj të pëlqyeshme për të tërë brezat e shoqërisë.
3- Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), arti profesionist shqiptar iu nënshtrua plotësisht teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste dhe doktrinës së ashtuquajtur realizëm socialist. Brenda këtij qerthulli, një ngjarje e rëndësishme artistiko-shoqërore në jetën e shoqërisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, siç ishte Festivali XI i Këngës në Radio-Televizion (dhjetor, 1972), tashmë mund të shihet si një protestë e hapur ndaj dogmave, klisheve, formulave të doktrinës së realizmit socialist. Kompozitorët, poetët, regjizorët dhe organizatorët e këtij festivali, për herë të parë, synuan për t’u afruar disi me artin muzikor bashkëkohor të kombeve, popujve e grupeve të tjerë etnikë. Përpara publikut shqiptar thellësisht të izoluar nga Partia Komuniste e Shqipërisë—udhëheqësja e jetës ekonomiko-shoqërore dhe politiko-kulturore të vendit–, këtë herë, u shpalosën një radhë dukurish të panjohura më parë, si: u shfaq një nuancë e lehtë lirie artistike e shoqërore; u sollën disa tema të reja të jetës së rinisë; iu këndua dashurisë jashtë dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste; u dëgjuan disa këngë metrike/ritmike; u vërejtën disa formacione të reja instrumentore; u interpretua në mënyrë deri-diku të lirshme, etj.
Dihet se sa i madh ishte zemërimi i udhëheqjes qendrore të Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj Festivalit XI të Këngës në Radio-Televizion. Në të vërtetë, Festivali u vlerësua si një ngjarje e rrezikshme artistiko-shoqërore, e cila mund t’i kushtonte rëndë udhëheqjes komuniste. Prandaj, e trembur deri në palcë, ajo mbajti Penumin IV të Komitetit Qendror (qershor, 1973), i cili, as më shumë e as më pak, përcaktoi strategjinë themelore që duhej ndjekur në fushën e artit e të kulturës. Ashtu siç pritej, përveç terrorit të kuq aq masiv, Plenumi u shoqërua edhe me dënime, persekutime e burgime. Viktimat e para të tij ishin dy ideologë të sistemit politiko-shoqëror në fuqi: Fadil Paçrami e Todi Lubonja. Ata vuajtën dënime dramatikisht të gjata e të rënda në burgjet e llahtarshme të diktaturës komuniste! Krahas tyre, aktori, regjisori, dramaturgu dhe pedagogu i mirënjohur, Kujtim Spahivogli, u internua për shumë vite me radhë, derisa u sëmur për vdekje!
Ndërkohë, edhe përsa u takon pjesmarrësve të Festivalit XI të Këngës në Radio-Television, dënimet nuk ishin më pak dramatike: Këngëtari Sherif Merdani e regjizori Mihallaq Luarasi u futën në burg! Këngëtarët Justina Aliaj e Françesk Radi, si edhe kompozitori Aleksandër Lalo, u dënuan ose internuan! Poeti Sadik Bejko, redaktori i teksteve poetike të Festivalit, u internua! Pak a shumë, të njëjtin fat patën edhe dy konferencierët e kësaj veprimtarie artistike: aktorët Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, etj.
4.Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, në emër të lirisë së njeriut dhe të krijimtarisë së tij, disa çështje estetiko-sociale që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:Përse duhej që të mos i këndohej aq shumë dashurisë në Festivalin XI të Këngës në Radio-Televizion?!
Përse duhej që dashuria të konceptohej detyrimisht brenda dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste?!
Përse duhej që dashuria të mos shihej si ndjenjë e pastër, e sinqertë dhe e fortë, midis dy të rinjve?!
Partia Komuniste e Shqipërisë, në këtë rast, a nuk mori përsipër që t’u mësojë brezave të rinj të shoqërisë, jo vetëm se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë, por edhe si të dashurojnë, sa të dashurojnë dhe çfarë të dashurojnë?! (Sikur Ciceroni të ishte gjallë, para një gjendjeje të tillë, Ai sërish kishte për të thënë: “O tempora! O mores!”)
Historikisht, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, janë hequr sikur kujdesen për njeriun, për jetën e tij private e shoqërore, për shijet e tij artistike e muzikore. Po ashtu, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, kujtojnë se kanë të drejtën e pronës mbi individin, mbi jetën e tij private, shoqërore e artistike. Ndërkohë, shkrimtarët, kompozitorët e artistët asnjëherë nuk duhet të harrojnë misionin e tyre të madh: t’i tregojnë shoqërisë të vërtetën edhe atëherë kur ajo (e vërteta) fshihet në forma nga më të ndryshmet prej sistemeve të caktuara politiko-shoqërore.
Shpërfytyrim i veprimtarisë së përfaqësuesve të muzikës shqiptare! Shpërfytyrim! Shpërfytyrim! Shpërfytyrim!
1.Çdo kulturë muzikore mbi rruzullin tokësor, tradicionale ose profesioniste, përfaqësohet nga tre grupe, klasa ose kategori kryesore njerëzore: i) krijues; ii) interpretues (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.); iii) studiues (muzikologë, etnomuzikologë). Nën-vlerësimi ose mbi-vlerësimi i njërit grup ose tjetër është një veprim i njëanshëm, teorikisht i gabuar dhe praktikisht i dëmshëm. Si ligjësori universale, grupet kryesorë njerëzorë të botës muzikore janë njësoj të vlefshëm: ata parakuptojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Statusi i tyre në jetën e shoqërisë e të artit është i barabartë, si nga pikëpamja teorike, ashtu edhe nga pikëpamja praktike.
2.Përfaqësimi i muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare në fjalorë enciklopedikë ndërkombëtarë, nuk mund të jetë vetëm se shprehje e njohjes përherë e më të gjerë të saj në botën intelektuale e akademike. Lejomëni të vë në dukje, midis të tjerash, një vepër të mirënjohur enciklopedike me karakter akademik, siç është, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, i cili është fryt i punës së qindra e mijra hartuesve. Nëse krahasohet botimi i parë i këtij fjalori (Sadie, hartues. 1980) me botimin e dytë të tij (Sadie, hartues. 2001), me kënaqësi vërehet një rritje e ndjeshme e lëndës mbi muzikën shqiptare. (Vetë përmasat e fjalorit u rritën në mënyrë të përfillshme: ndërsa botimi i i parë ka 20 vëllime, botimi i dytë vjen me 29 vëllime!) (Si shtjellim akademik të sintetizuar të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, brenda këtij fjalori, j’u lutem, shihni artikullin me titull “Albania.” (Stockmann, Stockmann 1980); (Leotsakos, Sugarman 2001).)
Sidoqoftë, për hir të objektivitetit shkencor, nuk mund të mos vihet në dukje se, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, s’ka mundur që t’i shpëtojë një mangësie parimore: njëanshmërisë së theksuar. Brenda tij, ndërsa krijuesit janë përfaqësuar në një masë deri-diku të pranueshme, interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.) e studiuesit (muzikologë, etnomuzikologë) janë mohuar tërësisht! Njëanshmëria në përfaqësimin e kategorive kryesore njerëzore të universit muzikor s’është në nderin dhe prestigjin e asnjë lloj fjalori akademik, sado me emër qoftë ai!
Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgigje, si: Përse?! Përse vallë?! Përse vallë të ndodhë kështu?! Thjesht për shkak të mungesës së kohës?! Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj mbi-vlerësimi ndaj disa grupeve njerëzorë të botës muzikore, ose një lloj nën-vlerësimi ndaj disa grupeve të tjerë njerëzorë të botës muzikore?! Por, duke qenë se, dukuri të tilla, kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme.
3. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, janë botuar, gjithashtu, fjalorë muzikorë enciklopedikë në gjuhën shqipe, midis të cilëve, kronologjikisht, lejomëni të përmend: Enciklopedia [sic] e muzikës popullore shqiptare (Tole, hartues. 2001), Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), etj. Pa dyshim se, hartuesit e tyre—Vasil S. Tole, Sokol Shupo–meritojnë vetëm që të përshëndeten nga opinioni shkencoro-artistik. Fjalorë të tillë ndihmojnë që të ngushtohet boshësia kritike në aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, si: pasuria, historia, përvoja estetike, autorët më në zë, veprat më përfaqësuese, etj. Mirëpo, duke çmuar ndihmesën e tyre, njëkohësisht, nuk mund të mos vihet në dukje se, ata, herë pjesërisht o herë tërësisht, kanë pasur edhe mangësi parimore, midis të cilave lejomëni të përmend vetëm dy: së pari, niveli shkencor cilësisht i diskutueshëm, si rrjedhojë e një lloj nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, në përgatitjen e tyre; së dyti, zbehja e besueshmërisë shkencore, si pasojë e një lloj subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, etj.
4.Mjerisht, në fjalorin enciklopedik me titull Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), i cili, në mënyrë parimisht të gabuar, i paraqitet lexuesit me titullin e një enciklopedie (!), mungojnë kriteret objektivë të parashtrimit dhe interpretimit të lëndës: ata janë zëvendësuar de facto me praninë e kritereve subjektivë. Kështu, çështje të tilla, sa të rëndësishme, aq edhe delikate, si: i) autorët që përfaqësohen; ii) autorët që nuk përfaqësohen; iii) sasia e informacionit për një autor të caktuar; iv) interpretimi i informacionit për një autor të caktuar, etj., zgjidhen, kryesisht, duke u nisur nga raportet personale të hartuesit me autorët! (Të mos harrojmë se shumica e autorëve ende jeton!) Si rrjedhojë, në rrafsh të përgjithshëm, bien në sy veçanërisht katër dukuri subjektive, personale, arbitrare: –prania e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!
-mungesa e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!
-lartësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!
-ultësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!
Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, autorët që hartuesi i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin me fat: ata, ose u përshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u lartësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht! (O tempora! O mores!) Ndërkohë, autorët që hartuesi nuk i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin pa fat: ata, ose s’u përfshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u ultësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht! (O tempora! O mores!) Prandaj, vetkuptohet se, në cilat raste vërehet njëra dukuri dhe se në cilat raste vërehet dukuria tjetër. Sidoqoftë, në analizë të fundit, duke iu përmbajtur kritereve subjektivë, personalë, arbitrarë, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, herë-herë, të vërtetat ua lënë vendin gjysmë të vërtetave, kurse gjysmë të vërtetat ua lënë vendin thjesht gënjeshtrave. Pra, dëmi s’është i vogël: veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në vend që të jepej në dritë të vërtetë, jepet pak a shumë e shpërfytyruar! E shpërfytyruar! E shpërfytyruar! E shpërfytyruar!
Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, sërish vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si: Përse?! Përse vallë?! Përse vallë të ndodhë kështu?! Thjesht për shkak të mungesës së kohës?! Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj simpatie personale ndaj disa autorëve, ose një lloj antipatie personale ndaj disa autorëve të tjerë?! Por, duke qenë se dukuri të tilla kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!
5. Fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten në mënyrë dramatikisht të nxituar! Në analizë të fundit, nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, vetëm se krijojnë kushte për të pasur një nivel shkencor cilësisht të diskutueshëm. Po ashtu, fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten as në mënyrë dramatikisht subjektive! Në analizë të fundit, subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, vetëm se ua zbehin atyre parametrin themelor për çdo lloj libri me natyrë akademike: besueshmërinë shkencore.
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, në çdo fushë të artit e të shkencës, as fjalorët enciklopedikë, as enciklopeditë, nuk mund të hartohen nga një studiues i vetëm, sado pretencioz që të jetë ai! Përvoja më e mirë ndërkombëtare, dëshmon pikërisht për një dukuri të tillë. (Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve—Sadie, hartues. 1980; Sadie, hartues. 2001–, i cili sapo u përmend, p.sh., është fryt i punës së qindra e mijra autorëve!) Prandaj, mbetet të shpresojmë se, në të ardhmen, brezat e rinj të muzikologëve e etnomuzikologëve shqiptarë, do të hartojnë fjalorë enciklopedikë dhe enciklopedi me ndihmesën e sa më shumë studiuesve. Eshtë e qartë se, në këtë mënyrë, do të mund të përmbusheshin më lehtë dy kërkesa themelore parimore: së pari, niveli shkencor cilësisht sa më i lartë; së dyti, parashtrimi dhe interpretimi i lëndës në një mënyrë sa më objektive.