• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJEDHJET QË (NUK) DO T”I ZGJIDHIN PROBLEMET TONA!?

April 18, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Njohësit e mirë të procesit zgjedhor në nënqiellin politik të Gadishullit Ilirik, me plot gojën dhe me të drejtë do të thonë se zgjedhjet vendore, presidenciale, të parakohshme, po edhe ato të jashtëzakonshme, jo gjithherë përçojnë mesazhe të qarta. Edhe në këtë pranverë të motit 2014 qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të përballen me dy të tilla, gjegjësisht me ato presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare. Si do të organizohen ato, ka pak rëndësi. Një është e vërtetë, edhe në këtë “vit politik” do të karakterizohen me ato telenovelat e bezdisshme, me atë muzikën tallava, me ato oferta a premtime të rrejshme, mbase edhe të sajuara, me atë logjikën makiaveliste, me filozofinë e injorimit të përcaktimit, me nëpërkëmbjen e mendimit ndryshe, me abuzimin e votës deliberative të sovranit, respektivisht të trupit votues…, me arrogancën kolektive, me inatet histerike të pakuptimta dhe homerike ndër shqiptarë.
Këtij procesi zgjedhor (ende pa filluar) do t’i bëhen hile dhe fyerje të mëdha…, do t’i ngjiten qindra e mijëra bishta, do t’i bëhen me dhjetëra komente serioze dhe pa numër të tjera joserioze, joprofesionale…, do të ketë edhe të tilla tmerrësisht me tarafllëqe. Këtij procesi që në zanafillë do t’i bëhen sondazhe politike (toptan të porositura e të paguara) nga lloj-lloj kompani të ashtuquajtura “të specializuara” për çështjet në fjalë. Në kontekst të kësaj, gjithsecili votues i emancipuar (i kapluar këmbë e krye nga ankthi i brendshëm) do të parashtrojë me të drejtë pyetjen se pse duhet që në fillim t’i abuzohet dhe kontrabandohet e drejta e votës, pse duhet t’i nëpërkëmbet përcaktimi i tij kushtetues, pse e drejta e tij kushtetuese duhet gjithmonë të mbetet peng i partive politike…, do parashtrojë pyetjen se a mos vallë gjithsecili duhet t’ia kontestojë filozofinë e të menduarit ndryshe, pse e drejta e votës së tij duhet të përcaktohet ndryshe apo sipas qejfit të atyre që mëtojnë ta “zaptojnë pushtetin”!.
Sot, pas gjithë kësaj katrahure politike dhe kushtetuese, nuk është me rëndësi se kush do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare (hiq mënjanë ato presidenciale), nuk është me rëndësi se cila do të jetë adresa politike e atyre që “do të mashtrojnë”, fare nuk është me rëndësi se kush do të “trishtohet” nga disfata, ama hiç fare nuk është me rëndësi se cila do të jetë logjika e procesit të numërimit të votës…, pavarësisht se ajo do të viktimizohet pak a shumë (kjo gjithsesi se nuk na hyn në punë), nuk është me rëndësi se “rezultatet përfundimtare do të përmbysen në tavolinë”, nuk janë me rëndësi emrat që në vijimësi lakohen në diskursin politik shqiptar, emra këto që pak e humanizojnë dhe e emancipojnë imazhin e cilësdo qoftë parti politike (e gjithë kjo të krijon përshtypjen kinse në familjet e partive politike nuk paskësh figura të tjera politike). Ne do të vazhdojmë ta përsërisim fjalinë: nuk është me rëndësi fakti se “rezultatet” (me a pa të drejtë) në këto zgjedhje parlamentare do të shpallen paralelisht nga taborët kundërshtarë, pavarësisht se ato fillimisht duhet t’i bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për ne me rëndësi është fakti se cili do të jetë roli i medieve të shkruara dhe elektronike në procesin zgjedhor (si dhe denigrimi i moralit të konfiguracionit a gjeografisë së tyre) në veçanti propaganda politike, mashtruese, shpifëse, demagogjike si dhe përdorimi i mjeteve dhe metodave të tjera në përpjekje për t’i mobilizuar a për t’i mbushur mendjen votuesit se kujt duhet t’ia japë votën. Sot e gjithë ditën nga hapësirat e medieve të shkruara, po edhe vizuale, dalin lloj-lloj informacionesh. Detyra parimore e tyre konsiston në faktin që ato fillimisht të jenë humane, emancipuese dhe të drejta…, aq më tepër nëse ato i dedikohen të drejtës së lexuesit a dëgjuesit. Nëse lajmi del nga institucioni shtetëror nuk do të thotë gjithmonë të pranohet nga lexuesi. Është e drejtë e tij e patjetërsueshme të zgjedhë se çka do të lexojë ose do të dëgjojë. Do ta pranojë si “lajm me tamam” apo edhe si të shtrembëruar. Së fundi, është e drejtë e tij ta refuzojë pavarësisht se është i rremë, i sajuar, i vrazhdë dhe me moral të dyfishtë, njësoj a përafërsisht si puna e Paul Jozef Gebelsit që qëndroi nga viti 1933 deri më 1945 në krye të Ministrisë për Propagandë të Gjermanisë, i cili me një rast kishte thënë: “Nëse e tregoni një gënjeshtër mjaft të madhe dhe vazhdimisht e përsërisni atë, populli më në fund do t’i besojë asaj. Gënjeshtra mund të mbahet për një kohë të atillë derisa shteti mund t’i hedhë popullit hi syve nga pasojat politike, ekonomike të gënjeshtrës. Kështu gënjeshtra bëhet tepër e rëndësishme për shtetin në shfrytëzimin e tërë pushtetit për shtypjen e disidencës, sepse e vërteta është armiku i gënjeshtrës dhe, kështu duke u zgjeruar, e vërteta është armiku më i madh i (pu)shtetit”! (Autori i këtij artikulli përjashton çdo paralelizëm të thënies së ish-ministrit të propagandës me zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Maqedonisë).
Roli politik i ambasadorëve. Asnjeri nuk mund të thotë se roli i ndërkombëtarëve në procesin zgjedhor është i papërfillshëm, andaj lirisht mund të parashtrohet pyetja se ç’kuptim dhe ç’qëllim kanë “ndërhyrjet (i) legjitime” të ndërkombëtarëve gjegjësisht të ambasadorëve të huaj (të sistemuar në Shkup) në lidhje me zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare që do mbahen në Maqedoni, në veçanti në pjesën shqiptare!? Ç’kuptim kanë (dhe do të kenë) “qortimet, mesazhet a edhe këshillat” e tyre adresuar shqiptarëve…, mos vallë këto “këshilla” do t’i ndërgjegjësojnë njëherë e përgjithmonë lidershipët e partive politike shqiptare…, edhe për sa kohë kanë nevojë politikanët shqiptarë për kësi “këshillash“…, a mos vallë shqiptarët do t’u lejojnë ndërkombëtarëve edhe në të ardhmen të “fusin hundët” në autonominë e organizimit të procesit zgjedhor (edhe ashtu të shëmtuar)!?? A mos vallë kjo “ndërhyrje” të ambasadorëve ka për qëllim t’u ndihmojë shqiptarëve në ndërtimin e infrastrukturës (së re) morale, shpirtërore dhe politike!? Ndoshta këto janë mesazhe shtesë dedikuar shqiptarëve ndaj krijimit të standardeve krejtësisht të ndryshme rreth procesit zgjedhor…, ose, tekefundit, është fjala është për një dëshirë të tyre për të mësuar diç më tepër për tiparet e karakterit të shqiptarit…, për avazet tona të vjetruara, për shpirtrat e trazuar të shqiptarëve apo diç tjetër që është karakteristikë jona kolektive!
Nëse e gjithë kjo që u nxor në pah ka të vërteta, atëherë pse gjithë kjo marrëzi e radhës e partive politike, përse duhet që këto zvetënime të dalin nga institucionet kushtetuese të “kontrolluara dhe të mbikëqyrura” nga partitë politike, përse institucionet e lartpërmendura edhe sot duhet “të mbeten me barrë nga një lidhje jashtëmartesore”(!???) Përse për disa politikanë të Shkupit nuk paskësh rëndësi fakti se çfarë ishte ngjyra e mesazheve të dala nga goja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e disa të tjerëve të Bashkimit Evropian të sistemuar në Shkup. Nëse të gjitha “faktet” që llafosin ngjarjet e lartpërmendura janë të parëndësishme, atëherë pse të mos jenë të rëndësishme provat dhe argumentet sa i përket përsëritjes së kësaj historie të gjymtuar.
Të shpresojmë që kësaj radhe nuk do të përsëritet ajo historia e shtrembërimit të statusit juridik të votës shqiptare, një status që sot e kësaj dite mbetet peng i partive politike, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!?? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, vota të mos karakterizohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si jopersonale, si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, një dedikim i vullnetshëm e racional, demokratik dhe mbi të gjitha një gjest i lartë emancipimi, gjegjësisht çlirimi nga varësia e dikujt a e diçkaje, atëherë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, PROBLEMET TONA!?, ZGJEDHJET QË (NUK) DO T”I ZGJIDHIN

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT