Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vjenë, u takua me ambasadorin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Frank Wisner.
Kryeministri Mustafa e falënderoi ambasadorin Wisner për mbështetjen e dhënë për shtetin e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast shprehu mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për kontributin që ambasadori Wisner dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dhe po japin në vazhdimësi për Kosovën.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin edhe për progresin në Kosovë dhe fokusimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës si dhe reformat në shumë sektorë, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin Wisner edhe për progresin e Kosovës në proceset integruese euroatlantike si dhe në bashkëpunimin rajonal.
Ambasadori Frank Wisner vlerësoi lartë punën e deritashme të qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Mustafa, duke theksuar se Kosova po bën hapa të rëndësishëm përpara.
Ambasadori Wisner vlerësoi edhe proceset e fundit të cilat janë adresuar nga Kosova, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të tij për Kosovën, bën të ditur njoftimi dërguar nga Vjena i Kryeministrisë kosovare.
Në Vjenë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në sesionet e zhvilluara të enjten në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015.
Para shpalljes së pavarësisë, Ambasadori Frank Wisner ishte i Dërguar Special i SHBA-ve për Kosovën në bisedimet për statusin.
Para tre vitesh, në shtator 2012, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dekoruar Ambasadorin Frank Wisner me “Urdhrin e Pavarësisë”, që u jepet personave për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës./B.Jashari/