• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njihuni me Rusinë putiniane

December 19, 2015 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Presidenti rus Vladimir Putin, duke sfiduar mbarë botën demokratike, ka marrë në mbrojtje një diktator dhe një kriminel të nivelit botëror, siç është Bashar al-Asadi, vrasës gjakftohtë i popullit sirian. Analistë të ndryshëm pohojnë se për mbrojtjen e këtij krimineli me damkë, Putini niset nga disa motive. Disa mendojnë se ai, me fushatën siriane, kërkon të kompensojë disfatën që pësoi për gjunjëzimin e Ukrainës, në mënyrë që të dalë i larë para opinionit publik rus. Disa të tjerë janë të mendimit se Putini kërkon të rikthejë madhështinë e Bashkimit Sovjetik, si supefuqi botërore. Një palë e tretë arsyeton se Putini mundohet të sfidojë Perëndimin dhe në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, sipas tij, kanë dështuar në luftën kundër shtetit islamik ISIS, i shpallur i jashtëligjshëm në Rusi. Prandaj, me këtë sfidë, justifikohet para popullit rus se është ai që po e lufton ISIS-n dhe jo Perëndimi. Por ndërhyrja e tij në Siri me bombardime nga ajri, me sigurimin edhe të lejes që i dha parlamenti rus për të futur edhe trupa tokësore për të mposhtur gjoja ISIS-in, në të vërtetë, ka për qëllim të neutralizojë dhe të mposhtë përfundimisht forcat e armatosura të opozitës siriane, të cilat kanë disa vjet që janë ngritur për përmbysjen e regjimit gjakatar të Bashar al-Asadit.
Po a ka vallë ndonjë arsye tjetër që Putini po e mbron me thonj e me dhëmbë nje kriminel dhe njëdiktator të regjur të Lindjes së Mesme? Mos vallë Putinin e joshin edhe më shumë miliardat e dollarëve që Bashar al-Asadi ka në zotërim, të cilat ika siguruar përmes grabitjeve skandaloze të pasurive të popullit sirian?
Bashar al-Asadi figuron në listën e diktatorëve më të pasur të botës. Pasuria e familjes së tij “ka arritur në 122 miliardë dollarë. Kjo sasi dollarësh përbën më shumë se gjysmën e buxhetit të përgjithshëm të shtetit sirian, duke filluar nga vitit 1970 e deri tani. Si burim i pasurisë së tij shërben shitja e rezervave energjetike, e tokës dhe e licensave”(Citohet sipas: “Presidenti i Sirisë, i dyti në listën e diktatorëve më të pasur të botës pas Kadafit”. Marrë nga faqja e internetit “islam-today.ru”. 23 tetor 2012).
Pas ndërhyrjes së Putinit në Siri, gazetari i mirënjohur Evgjeni Kiselov (1956) ka deklaruar:
“Mua kjo më kujton historinë e futjes së trupavenë Afganistan 36 vjet më parë. Në Afganistan regjimi sovjetik zuri qafën poshtë. Kam shumë shpresë se tani regjimi putinian ka për ta zënë qafën poshtë në Lindjen e Mesme” (Citohet sipas: “Kiselov: Putini është rrasur në një fole milingonash, Ukraina duhet ta presë rezultatin me durim” Marrë nga faqja e internetit “radio.vesti-ukr.com”. 30 shtator 2015).
Gazetari Evgjeni Kiselov ka shumë të drejtë. Edhe sikur Putini të kishte me të vërtetë si objektiv mposhtjen e ISIS-t, ai do të pësonte me siguri disfatë të padiskutueshme. Sepse ISIS-I nuk është ndonjë shtet i organizuar, me struktura dhe me objekte konkrete në terren, të cilat mund t’i sulmosh nga ajri apo t’i bombardosh nga toka. Ky i ashtuquajtur shtet, përfaqëson në vetvete një masë të madhe njerëzish kaçakë që sillen nëpër hapësira pa fund e pa anë, si puna e vrundujve të erës që s’dihet se nga fryjnë dhe ç’drejtime marrin. Sepse ata ku gdhihen nuk ngrysen. Pra, në këtë mes kemi të bëjmë me një masë gjigante njerëzish qës’janë gjë tjetër, veçse një vegulli që shfaqet dhe zhduket në horizonte të largëta.
Anton Gurakov, dikur gazetar i “Forbesit”në Ukrainë dhe tani i pasionuar pas udhëtimeve nëpër botë, thotë se “në luftë me një ushtri vegulluese, hesapet nuk pinë ujë, sepse vegullia nuk ka as aeroplanë, as topa, as tanke dhe as raketa. Por ama jeta e anëtarëve të saj nuk vlen asnjë kacidhe se ajo i përket ndonjë udhëheqësi, ndonjë binladeni…”(Citohet sipas: “Kompleksi i impotentit”. Marrë nga faqja e internetit “peaceinukraine.livejournal.com”. 07 tetor 2015).
Kur një shtet, për njërën apo tjetrën arsye, mendon të hyjë në një luftë me një objektiv të caktuar, pavarësisht se nga ç’motive niset, ai duhet të ketë parasysh dy gjëra;
Së pari, të shmangë në maksimumin e mundshëm humbjen e jetës së njerëzve.
Së dyti, të ketë të siguruar një prapavijë të fuqishme ekonomike. Sepse ekonomia e fuqishme është ajo që garanton arritjen e objektivave në frontin e luftimeve.
Në rastin luftës që Rusia po zhvillon në Siri, mund të thuhet me plot gojën se këto dy momente pasqyrojnë një gjendje me të vërtetë të vajtueshme. Sepse, në rastin e parë, autoriteteve shoviniste ruse, tradicionalisht, nuk u ka interesuar dhe nuk u intereson absolutisht jeta e njerëzve, të cilët për ta përfaqësojnë thjesht materiale inerte, që mund t’i konsumojnë kur t’u teket, sa herë t’u teket dhe si t’u teket.
Një nënë ruse revoltohet kundër autoriteteve ushtarake, të cilat të birin e saj duan ta dërgojnë në Siri si mish për top. Ajo proteston kundër ministrit të mbrojtes Sergej Shojgu:
“Cila është arsyeja që njerëzit po i degdisin atje, si bagëtinë në thertore?… Mos vallë njerëzit në vendin tonë nuk qenkan gjëja më e çmuar? Vetëm për t’i degdisur mendojnë. Mos vallë qënka e pamundur për të ndërmarrë ndonjë hap tjetër? Le të niset për atje vetë Shojgu”.(Citohet sipas: Mishel Prorok. “Nëna e një ushtari rus: le tëshkojë vetë Shojgu të luftojë në Siri”. Marrë nga faqja e internetit “economics-prorok.com”. 18 shtator 2015).
Para pak kohësh, gazetari Artjom Djehtjarenko i pati marrë një intervistë historianit dhe politogut rus Andrea Zubov. Mes pyetjeve të shumta qëi drejtoi gjatë intervistës, po ndalem vetëm në njërën prej tyre:
Pyetje: A mund të bëhen ndofarë parashikimesh për faktin se si mund të përfundojë operacioni i mundshëm tokësor rus në Siri?
Përgjigje: Këtë nuk mund ta parashikoj, por mendoj se ky është një gabim i madh. Ai do të sjellë si pasojë problemebrenda Rusisë, probleme të karakterit ndërkombëtar dhe vdekjen e njerëzve. Se jeta e njeriut është më kryesorja. Për fatkeqësinë tonë të madhe, autoritetet ruse nuk e vlerësojnë jetën e njeriut. Kjo traditë e ka zanafillën që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Se Stalini thoshte: “gratë do të pjellin të tjerë”. Dhe ja, tani, kjo traditë e neveritshme vazhdon ende” (Citohet sipas: Artjom Djehtjarenko. “Historiani rus përmendi gabimet e Kremlinit në Siri dhe bëri parashikime për Donbasin”. Marrë nga faqja e internetit “apostrophe.com.ua”. 22 nëntor 2015).
Për rastin e dytë, pra, për gjendjen ekonomike të Rusisë, dëshmojnë faktet pak më poshtë, që janë me të vërtetë tronditëse dhe të bëjnë të vish në përfundimin se fushata e Kremlinit në Siri ka për të dështuar me turp.
Autorja e romaneve të gjinisë së fantastikës politike dhe e dedektivit politiko-ekonomik, e njohur në gazetari si vëzhguese politike dhe analiste ekonomike, zonja Julia Llatëjnjina (1966), komentatore e famshme e radistacionit “Jehona e Moskës”, deklaron:
“Në fillim po them dy gjëra fare të thjeshta. E para lidhet me faktin se në kohën e sotme madhështia nuk lidhet me përmasat e ushtrisë. Madhështia përcaktohet nga përmasat e ekonomisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë superfuqi jo sepse dërgojnë trupa diku. Ato janë superfuqi, sepse prodhojnë 25% të produktit botëror bruto. Vetëm shteti i Kalifornisë prodhon dy herë më shumëprodukttë brendshëm bruto sesa Rusia tani. Kina, gjatë 20 viteve të fundit, fjala vjen, u bë superfuqi jo sepse ka pushtuar Korenë, Vjetnamin apo Kamboxhian. Ajo u bë superfuqi, sepse krijoi një ekonomi të lirë superbashkëkohore dhe shpëtoi nga varfëria 400 milionë njerëz”. Ja, për fat të keq, në botën e sotme, një vend që ndërmerr agresione, të pambështetura kurrsesi nga përmasat e ekonomisë së tij, nuk është superfuqi, ai është një vend-komit: një vend, në të cilin ekonomia është shkatërruar dhe që dobësinë e vetë ekonomike e kompenson me agresione. Unë kam përshtypjen se në Kremlin nuk e kuptojnë se çfarë bëjnë kur mburren se Rusia paska zënë vend përsëri nëpër faqet e para të gazetave. Sepse edhe Koreja e Veriut është e pranishme shpeshherë nëpër faqet e para të gazetave, por kjo nuk do të thotë se atë e respektojnë. Për më tepër, kjo nuk do të thotë se asaj ia kanë frikën. Atë, në të vërtetë, e përbuzin” (Citohet sipas: Julia Llatëjnjina. Komentatore e Radiostacionit “Jehona e Moskës”. Marrë nga faqja e internetit “echo.msk.ru”. 03 tetor 215).
I ftoj lexuesit e nderuar të njihen me të dhënat e mëposhtme, të nxjerra nga faqet e internetit. Të dhënat ishin shumë më të zgjeruara, por këtu po rendis vetëm ato që i vlerësova si më mbresëlënëse.

Sezoni bujqësor në pjesën më të madhe tëterritorit të Rusisë zgjat 2-3 muaj, ndërkohë që në Evropë dhe në SHBA vazhdon 8-9 muaj.
Rendimenti mesatar vjetor i prodhimit të drithrave në Rusi (në toka johumusore) është rreth 17 kv për hektar, kurse në Gjermani, në Francë dhe në Angli (në toka jo humusore) rendimenti është 70 kv për hektarë, në Suedi – 60, në Irlandë – 85 dhe në Ukrainë – 59.
Sasia e përgjithshme e qendrave të banimit është 157 189, nga të cilat 39 000 janë braktisur nga banorët e fshatrave dhe të qytezave, kryesisht nëqarkun qendror federal, në veriperëndim, në veriun skajor, në Siberi dhe në Lindjen e Largët.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, nga harta e Rusisë janë zhdukur 12 000 fshatra dhe 290 qytete, kurse në veriun e vendit numri i popullsisëështë shkurtuar më shumë se 40%.
Çdo ditë në Rusi vdesin rreth 100 njerëz nga mbipërdorimi i narkotikëve.
78,7% e rusëve e quajnë të papranueshëm bashkëpunimin me organet e ruajtjes së rendit.
Sipas statistikave, nje rus konsumon 18 litra pije alkoolike në vit. Sipas përfundimit që kanë nxjerrë ekspertët e OKB-së, konsumi vjetor prej 8 litra alkool për frymë të popullsisë, çon drejt degradimit serioz të popullsisë.
Vetëm 1% e ujit që konsumojnë rusët, përputhet me standardet botërore të cilësisë.
1,5% e popullsisë së Federatës Ruse zotëron 50% të pasurive kombëtare.
Për 30 000 banorë të pastrehë të qytetit të Peterburgut, ekzistojnë më pak se 300 vende nëpër strehimore.
Në Dumën e Shtetit dhe në Këshillin e Federatës numrohen 12 miliarderë, pasuria e përgjithshme e të cilëve arrin në 41 miliardë dollarë.
Në Rusi numërohen 62 miliarderë, me një kapital tërësor prej 297 miliardë dollarë. Miliarderët rusë paguajnë taksat më të ulëta në botë – gjithsej 13%, taksa këto që s’i kanë parë as nëëndërr kolegët e tyre në Francë dhe në Suedi (57%) dhe në Danimarkë (61%) apo në Itali (66%).
63% e rusëve me të ardhura mbi mesataren në shkallë vendi, do të dëshironin që fëmijët e tyre t’i vazhdojnë studimet dhe të punojnë jashtë vendit. 35% e tyre kanë qejf që fëmijët e tyre të jetojnë jashtë vendit përgjighmonë.
Jetëgjatësia mesatare e një mashkulli rus është 58,9 vjeç, e grave arrin deri në 72 vjeç, si në Guajanë dhe në Korenë e Veriut. Në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, derisa paga mesatare mujore në Rusi është 6593 rubla (rreth 94 dollarë) dhe minimum jetik zyrtar kap shiftën prej 5559 rublash (afërsisht 79,5 dollarë). Numri i frymëve me të ardhura poshtë këtij niveli, arrin në 43 100 000.
Kufiri i varfërisë në SHBA është 18 310 dollarë në vit për një familje me tre veta, që do të thotë 1525,83 dollarë në muaj.
Pensioni mesatar në Rusi është 6627,76 rubla (94,5 dollarë mesatarisht). Pensioni minimal i pleqërisëështë2734,41 rubla (39.063 dollarë). Me një pension të tillë minimalvetëm sa mund të mbahet fryma gjalë.
67,4|% e rusëve, daljen në pension e konsiderojnë katastrofë.
85% e rusëve nuk shikojnë kurrfarë mundësie për të ndikuar mbi marrjen e vendimeve shtetërore
77% e rusëve janë të mendimit se nuk janë gati të marrin pjesë në jetën politike të vendit. 62% e tyre kanë njoftuar se për gjithçka shpresat i kanë varur te vetvetja dhe mundohen t’i shmangin kontaktet me çdolloj strukturash të pushtetit. Vetëm 3% e tyre kanë deklaruar se qëllimet e veta i arrijnë gjithmonë, duke hyrë në kontakt me pushtetin.
66,6% e rusëve e ndiejnë veten me turp për vendin e tyre.
Numri i përgjithshëm i popullsisë në Rusi, sipas të dhënave të fundit, arrin afërsisht në 130 milionë frymë.
Në numrin e përgjithshëm të popullsisë, 56% e përbëjnëpensionistët dhe njerëzit në moshën para pensionit. Pra, 73 080 000 frymë.
99 086 000 njerëz mbahen me buxhetin e shtetit dhe me pjesën e popullsisë me aftësi paguese. Mbeten edhe 34 414 000 njerëz. Këta përfaqësojnë njerëzit e biznesit të vogël, të mesëm dhe fermerët. Një gjendje e tillë, pjesërisht, shpjegohet me faktin se prodhimi i brendshëm bruto i Rusisë, është shumëfish më i madh sesa prodhimi ekonomik i qarkut të Los Anxhelosit.
Vetëm 20% e popullsisë së vendit, situatën brenda vendit e konsideron të qetë dhe të mbarë. Më shumë se gjysma e qytetarëve (59%) janë të bindur se Rusia po ndjek një rrugë të gabuar dhe vetëm 18% të të anketuarve thonë se besojnë në drejtësinë e kursit të politikës. Gjendjen e vet ekonomike e vlerësuan të mirë18% e të anketuarve, 54% e quajtën të rëndë, por të durueshme, 17% deklaruan se durimi i mëtejshëm është i pamundur, 11% shpresojnë në përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike në të ardhmen, 29% janë të mendimit se ajo vetëm do të keqësohet, 19% e rusëve janë gati të marrin pjesë në protesta masive, 14% janë gati të hidhen në greva. Veprimtarinë e qeverisë nuk e përkrahin 68% e të anketuarve.
78% e rusëve mendojnë se Moska jeton në kurriz të zonave të tjera. 74% e tyre ushqejnë urrejtje për moskovitët. 44% e të pyeturve këtë urrejtje e vlerësojnë “të madhe” dhe “shumë të madhe”. Me fjalë të tjera, moskovitët në Rusi urrehen nga 2/3 e bashkëqytetarëve. Tani në Moskë i bie një hektar për 160 banorë, duke marrë parasysh nivelin maksimalisht të lejueshëm në vendet e qytetëruar që arrin në 140 banorë.
Rrjeti rrugor në qytete, të krahasuar me Moskën, zë 20-30% tëtë gjithë territorit. Në Moskë – vetëm 8,7%. Moska përfshihet në pesëshen e qyteteve të botës me bllokimin më të rëndë të trafikut, kurse moskovitët vlerësohen si shoferët më agresivë dhe më inatçorë të botës.
Sipas të dhënave të revistës RBK Nr. 11, 2007, në përbërjen etnikokombëtare të Moskës, rusët përbëjnë 31% të popullsisë.
Në Moskë, faktikisht, numrohen 14 milionë banorë, nga të cilët rusë janë vetëm 4 340 000. Pra, në kryeqytetin e shtetit rus, rusët janë pakicë kombëtare.
Në Rusi, më shumë se 23 milionë njerëz janë të fesë islame dhe zyrtarisht e quajnë veten myslimanë. Gjatë 15 viteve të fundit, numri i myslimanëve në Rusi është rritur 40%. Në Moskë banojnë më shumë myslimanë sesa në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, kurse tatarë ka më shumë se në Kazan, kryeqytetin e Tartarisë. Aty nga mesi i këtij shekulli, në çdo katër banorë të Rusisë, njëri do të jetë mysliman.
Udhëheqësit myslimanë kanë bërë thirrje për të hequr nga stema e Rusisë simbolikën ortodokse. Nëse numri i myslimanëve do të rritet me ritmet e sotme, atëherë komuniteti mysliman mund të shtrojë çështjen për legalizimin në vend të postit të zëvendëspresidentit qëështë i besimit islam.
Për zhvillimin e islamit, në Rusi, në vitin 2007, nga buxheti i shtetit ishin caktuar 800 milionë rubla (mbi 11 milionë dollarë).
Ortodoksët e vërtetë në Rusi nuk përbëjnë më shumë se 4,5% të popullsisë, domethënë jo më shumë se 6 milionë njerëz. Jo më rrallë se një herë në muaj kishën ortodokse e frekuentojnë 8% e famulltarëve, jo më rrallë se një herë në vit – 18%, më rrallë – 15%, kurse 59% nuk e frekuentojnë fare.
Në Rusi janë të regjistruara 2338 shtëpi fëmijësh. Në to trajtohen 55 126 fëmijë jetimë. Për profilaksinë e fëmijëve të braktisur ishin parashikuar 60 milionë rubla (857 142 dollarë). Për sterilizimin e qenve endacakë në Moskë, shpenzohen 87 milionë rubla (1 242 857 dollarë). Pra, harxhohen 13 000 rubla (185,7 dollarë) për një qen, që do të thotë 27 milionë rubla (385 714 dollarë) më shumë sesa për fëmijët emdacakë.
Më shumë se 40% e produkteve që tregtohen në Moskë janë të falsifikuara.
Në ditët e sotme, pothuajse 70% e produkteve ushqimore prodhohen të pakontrolluara nga askush. Pra, jo sipas standardeve shtetërore, çka lë shteg për të prodhuar ushqim jocilësor.
Në Rusi janë të regjistruar zyrtarisht më shumë se 12 milionë invalidë, më shumë se 4 580 000 alkoolistë, më shumë se 2 870 000 narkomanë, 978 000 të sëmurë psikikë, rreth 890 000 të sëmurë me tuberkuloz, jo më shumë se 22 400 000 të sëmurë me tension gjaku, jo më pak se 2 380 000 të sëmurë me virusin me deficit imun.
Në Rusi, në vitin 2007, pjesa e shpenzimeve shtetërore për nevoja sociale (arsim, shëndetësi, shërbimet komunale, sport etj.) zinte 15% të buxhetit, ndërkohë që në vendet e zhvilluara ishte70,3%, në vendet e Amerikës Latine – 64,1%, në vendet e Azisë – 54,9%, në vendet e Afrikës – 50,1%.
Në Rusi, në vitin 2007, pjesa e shpenzimeve shtetërore për mbajtjen e aparatit shtetëror, të organeve të sigurisë dhe të mbrojtjes, zinte 42,2 të buxhetit,
ndërkohë që në vendet e zhvilluara zinte 11%, në vendet e Amerikës Latine – 19,2%, në vendet e Azisë – 27,5%, në vendet e Afrikës – 25,7%.
Në Rusi çdo vit prodhohen 100 milionë medikamente të falsifikuara.
Vlera e ilaçeve në Rusi është 3-4 herë më e lartë sesa çmimet e kontrolluara ndërkombëtare për preparate analoge.
Më 1 janar të vitit 2008, borxhi i jashtëm i Rusisë u rrit në 38,7%, duke kapur shifrën prej 550,1 miliardë dollarë, çka është e barabartë me volumin e rezervave të arit të vendit.
16% e qytetarëve i mbajnë paratë poshtë dyshekut, kurse më shumë se 60% e popullsisë, përgjithësisht, nuk kanë kursime.
Çdo 24 orë, në Rusi, nga përdorimi i herioinës, vdesin 84 veta të moshës për t’u thirrur për kryerjen e shërbimit ushtarak, në një vit vdesin 30 000 veta.
Vetëm gjatë tre muajve të vitit 2013, nga Rusia u larguan për të jetuar jashtë përgjithmonë 565 369 veta.
Në Rusi, vëllimi i ryshfeteve që jepen çdi vit nëpër gjykata, kap shifrën prej 210 milionë dollarë. Rusia zë vendin e 43-të për shkallën e korrupsionit të sistemit gjyqësor. Tregues të tillë janë karakteristikë për Venezuelën, Kilin, Kongon, Marokun dhe Senegalin.
Rusët japin çdo vit 3 miliardë dollarë ryshfete në instanca të ndryshme të strukturave shtetërore.
25% e rusëve janë të interesuar për ruajtjen e frymës së korrupsionit të shoqërisë.
Në Rusi, çdo ditë, 300 njerëz zhduken pa lënë gjurmë. Në vitin 2008, 5000 njerëz humbën pa lënë gjurmë. Ministria e Punëve të Brendshme, vitet e fundit, është munduar që ta mbajë të fshehtë një informacion të tillë. Numri i krimeve të tilla është 18 herë më i lartë sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 19-20 herë më i lartë sesa në vendet e Bashkimit Evropian(Citohet sipas: “Ca të vërteta tronditëse për Rusinë”.Marrë nga faqja e internetit “oblicomorale.blogspot.com”. 03 mars 2014).

Por prit se ka dava Janina. Rusinë, si një fuqi në rënie, e presin të tjera surpriza, të cilat dikujt mund t’i duken të pabesueshme. Kina, si një superfuqi botërore, po ia merr truallin ca nga ca në Siberi dhe një ditë të bukur ka për të trokitur në shpatet e maleve të Uralit, çka do të shënojë edhe shkërmoqjen e saj si supershtet me shtrirje që nga Balltiku deri në Paqësor dhe krijimin e disa shteteve brenda saj. Por për këtë do të flasim një herë tjetër.
Santa Barbara, Kaliforni
18 dhjetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Dr. Eshref Ymeraj, Rusia Putiniane

Putini po ecën në gjurmët e Stalinit

April 9, 2014 by dgreca

Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri/ Santa Barbara, Kaliforni/

Para pak ditësh, gazeta franceze “Le Figaro” botoi një analizë, kushtuar ngjarjeve pas pushtimit dhe aneksimit të Krimesë prej Federatës Ruse, pas një referendumi që u zhvillua atje me një nguti të habitshme. Me këtë rast, gazeta citon një fjalë të urtë që e përmend ish-i burgosuri i GULAG-ut, disidenti sovjetik Sergej Kovalov (1930), pjesëmarrës i lëvizjes në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik dhe në Rusinë passovjetike, personalitet politik dhe shoqëror rus, ish-deputet i tri legjislaturave të parlamentit rus (1993-2003).

Duke pasur parasysh synimet ekspansioniste të Putinit në qëndrimin ndaj ish-republikave sovjetike, Kovalovi thotë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Me këtë fjalë të urtë, Kovalovi ka parasysh qëndrimin e Putinit ndaj Gjeorgjisë, së cilës, në vitin 2008 i gllabëroi Osetinë e Jugut dhe Abhazinë. Siç del nga zhvillimi i ngjarjeve, Putini, me sa duket, mbrojtjen e rusëve që jetojnë përtej kufijve të Rusisë, e ka vënë në qendër të politikës së vet ekspansioniste. Dhe kjo me pretekstin se atyre “po u shkelen të drejtat”.

Në të vërtetë, në Ukrainë nuk ishin vënë re kurrfarë shkeljesh të të drejtave të rusëve. Të ashtuquajturat të drejta të shkelura të rusëve në Krime ishin thjesht inskenime të Kremlinit, të orkestruara drejtpërsëdrejti nga Putini. Prandaj edhe rusë të Krimesë dilnin me pankarta në duar, në të cilat bëhej thirrje “për t’i shpëtuar” atdheu-mëmë.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, rreth 25 milionë rusë mbetën në ish-republikat sovjetike. Duke përdorur si vjegë gjoja mbrojtjen e tyre se “po u shkelen” të drejtat, Putini i është kthyer politikës ekspansioniste të carizmit për pushtime territoresh të huaja. Në këtë mënyrë, ai po mundohet të vërë në jetë politikën e shovinizmit rusomadh, përmes së cilës kërkon të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik. Se jo më kot ai pati deklaruar dikur se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik na paskej qenë tragjedia më e madhe e shek. XX!

Kësisoj Putini është duke nxitur një reaksion zinxhir: fill pas aneksimit të Krimesë, në Pridnjestria, (ish-pjesë e territorit të ish-Republikës Sovjetike të Moldavisë), të cilën trupat ruse vazhdojnë të mbajnë të okupuar që prej viteve ’90 të shekullit të kaluar, kanë filluar të dëgjohen thirrje për të hyrë në përbërjen e Federatës Ruse.

Në ish-republikat sovjetike të Azisë së mesme, rusët përbëjnë afërsisht 10% të popullsisë. Por në Kazikstan, me një popullsi prej rreth 17 milionë banorësh, rusët përbëjnë rreth 27% të saj. Prandaj presidenti (i përjetshëm) Nazarbajev i Kazakistanit, në kushtet pas aneksimit të Krimesë prej Kremlinit, tani ndodhet në një pozitë me të vërtetë delikate. Por pas aneksimit të Krimesë, edhe presidenti Lukashenko i Bjellorusisë nuk e ndien veten fort rehat. Seç ka një shqetësim që po e bluan përbrenda.

Pakicat nacionale ruse nuk janë të pakta edhe në ish-republikat sovjetike të Priballtikut, sidomos në Estoni. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kremlini, përmes këtyre pakicave kombëtare, bëri ç’është e mundur për të penguar hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por nuk mundi t’i pengonte dot. Gjithsesi, tre shtetet e Priballtikut e ndiejnë veten të mbrojtur nga aleanca e NATO-s, në krahasim me Ukrainën, e cila ka mbetur e zbuluar para epsheve shoviniste të Putinit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush, pikërisht në pranverën e vitit 2008, pati propozuar që Gjeorgjia dhe Ukraina të përfshiheshin në programin e përgatitjes për të hyrë në NATO. Por Franca dhe Gjermania nuk pranuan.

“Ky hap i Parisit dhe i Berlinit, – nënvizon gazeta “Le Figaro”, – duhej të kishte shërbyer si një gjest paqtimi në marrëdhëniet me Moskën. Por Vladimir Putini e vlerësoi atë si një shenjë dobësie… Që asokohe kanë kaluar gjashtë vjet dhe Perëndimi aneksimin e Krimesë e quan po aq të papranueshëm, sa edhe copëtimin e Gjeorgjisë. Ai, me shumë të drejtë, heq dorë nga përdorimi i forcës, por a i ka vallë mjetet dhe mundësitë për t’ia disiplinuar në njëfarë mënyre orekset presidentit të Rusisë? (Citohet sipas: “Le Figaro: Hapat e Perëndimit për pajtim, Putini i merr për dobësi”. Marrë nga faqja e internetit “charter97.org”. 26 mars 2014).

Para pak kohësh, udhëheqësi i tatarëve të Krimesë, ish-udhëheqësi i Kuvendit Kombëtar (Mexhlisit) të Krimesë, Mustafa Xhemilev, zhvilloi një bisedë me Putinin, në të cilën theksoi rëndësinë e ruajtjes së tërësisë territoriale të Ukrainës, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar më 1994 prej vendeve garantuese: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Dhe cili ishte reagimi i Putinit, sipas Xhemilevit?

“Për këtë temë, Putini preku një të tillë çështje, sipas së cilës vetëshpallja e Ukrainës si vend i pavarur, nuk përputhej krejtësisht me normat sovjetike që parashikojnë procedurën e daljes nga përbërja e Bashkimit Sovjetik. Ja ky ishte qëndrimi i tij” (Citohet sipas: Udhëheqësi i tatarëve të Krimesë rrëfen për bisedën me Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “utro.ru”. 12 mars 2014).

Duket fare sheshit që Putini ka dalë me një deklaratë paradoksale në qëndrimin ndaj Ukrainës. Normat sovjetike për daljen nga përbërja e Bashkimit Sovjetik kishin fuqi ligjore për aq kohë sa Bashkimi Sovjetik ishte më këmbë si një strukturë shtetërore unike. Por asokohe cila nga republikat mund të kuturiste të bënte kërkesë për të dalë nga përbërja e Bashkimit Sovjetik? Asnjëra, se Kremlini do ta mbyste në gjak. Por kur ngrehina sovjetike u shkërmoq, atëherë për çfarë normash sovjetike e ka fjalën Putini, për të cilat kërkuaka që t’i respektojë Ukraina? Epshet shoviniste ndaj Ukrainës, Putinin e kanë verbuar keq, prandaj ai arrin të nxjerrë nga goja edhe deklarata të pamatura, si kjo që u përmend më lart.

Në qëndrimin ndaj Ukrainës, Putini udhëhiqet nga mendësia hegjemoniste e Bashkimit Sovjetik, i cili shfaqjet e nacionalizmit nëpër republika, i vlerësonte si tendenca për minimin e ngrehinës sovjetike. Në këtë aspekt, ai është duke ndjekur gjurmët e Stalinit, i cili nacionalizmin ukrainas e kishte halë në sy. Madje ndjenjat nacionaliste nëpër republikat sovjetike duhej të çrrënjoseshin tërësisht dhe në mbarë Bashkimin Sovjetik, domosdo, duhej të lulëzonte vetëm nacionalizmi rus. Po çfarë deklaronte Stalini konkretisht?

          “Jo, ne po veprojmë drejt që po i ndëshkojmë kaq rreptë nacionalistët e të gjitha kallëpeve dhe ngjyrave. Ata janë ndihmësit më të mirë të armiqve tanë dhe armiqtë më të tërbuar të popujve të vet. Se me ëndrrën e vet të përhershme, nacionalistët kanë për qëllim ta shkërmoqin Bashkimin Sovjetik në shtete të veçanta “kombëtare” dhe atëherë ai do të bëhet kollaj pre e armiqve. Kurse popujt që banojnë në Bashkimin Sovjetik, në shumicën e tyre, do të shfarosen fizikisht, kurse ata që do të mbeten do të shndërrohen në skllevër të pagojë dhe mjeranë. Jo rastësisht tradhtarët e përbuzur të popullit ukrainas, udhëheqësit e nacionalistëve ukrainas, të gjithë këta melnikët, konovallët, banderat, kanë marrë tashmë detyra nga zbulimi gjerman për të ndezur mes ukrainasve, që janë po ashtu rusë, urrejtje për rusët dhe të arrijnë ta shkëpusin Ukrainën nga Bashkimi Sovjetik… Prandaj ata duhen mbajtur nën fre, të mos lejohen t’i vënë minat unitetit të Bashkimit Sovjetik” (Citohet sipas: J.V. Stalin. Vepra të plota. Vëll. 15. Bisedë me A.S. Jakovlevin. 26 mars 1941, f. 17. Marrë nga faqja e internetit “Mësimet e harruara të historisë. Stalini për nacionalizmin ukrainas”,“ahtubinskpilot.ru”. 28 shkurt 2014).

Zhvillimi i ngjarjeve pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, vërtetoi në praktikë se deklarata e Stalinit kundër nacionalistëve nëpër republikat sovjetike dhe sidomos në Ukrainë, rezultoi se kishte qenë thjeshtë një demagogji e pastër që kishte për qëllim vetëm lartësimin e nacionalizmit rus dhe justifikimin e tendencave ekspansioniste të shovinizmit rusomadh në kurriz të popujve jorusë. Republikat u pavarësuan pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe askush nga vendet perëndimore nuk e vuri në rrezik tërësinë e tyre territoriale dhe sovranitetin kombëtar. Përkundrazi, integritetin tokësor dhe sovranitetin e tyre kombëtar e ka cënuar dhe po vazhdon ta cënojë pikërisht shovinizmi rusomadh, si në rastin e Moldavisë, të Gjeorgjisë dhe të Ukrainës.

Ish-republikat sovjetike, fill pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, u larguan marramenthi nga tutela e Moskës sepse gjatë shtatëdhjetë vjetëve, ajo kishte arritur t’i nënshtronte plotësisht. Madje qe përpjekur që të ndryshonte ca nga ca edhe përbërjen demografike të tyre përmes rusifikimit të shkallëshkallshëm. Se po të kishte ndodhur e kundërta, domethënë nëse Moska do t’i kishte trajtuar republikat me të drejta të barabarta, nëse do t’u lejonte sa më shumë pavarësi, sa më shumë të drejta për vetëqeverisje, për vetëzhvillim dhe për ngritje të nivelit të mirëqenies, ato me siguri që nuk do të shkëputeshin nga Moska me aq shpejtësi.

Të gjitha konfliktet që kanë lindur me Moldavinë, me Gjeorgjinë dhe me Ukrainën dhe që nesër pasnesër mund të lindin edhe me shtete të tjera fqinje, ish-republika sovjetike ose, si fjala vjen, me Finlandën, e kanë burimin jo vetëm te shpërfillja dhe përbuzja që shovinizmi rusomadh ushqen ndaj tyre në vazhdimësi, i kapluar keq nga ndjenja e madhështisë, por edhe te ringjallja e stalinizmit, i cili, pas ardhjes në pushtet të Putinit, është rehabilituar në një mënyrë të pabesueshme. Një shpërfillje dhe një përbuzje të tillë e ushqejnë jo vetëm politikanët por edhe populli rus, siç del qartë nga burimi i mëposhtëm:

“Vladimir Putini i ka propozuar Bjellorusisë të hyjë në përbërjen e Rusisë me krahina. Shembuj të tillë të një qëndrimi përbuzës jo vetëm nga ana e politikanëve, por edhe nga ana e rusëve të thjeshtë ndaj Bjellorusisë dhe ndaj Kazakistanit, mund të gjesh me shumicë. Duke i vlerësua këto qëndrime në tërësi, ne arrijmë në një përfundim të thjeshtë: Bjellorusia, përgjithësisht, nuk është kurrfarë shteti, kurse në përbërjen e Kazakistanit ka shumë krahina “ruse”. Nëse Putini do të arrijë ta copëzojë Ukrainën, atëherë për Kazakistanin dhe për Bjellorusinë do të nënshkruhet dënimi me vdekje” (Сitohet sipas: Valerij Portnjikov. “Agresori i vetëm Putin”.  Marrë nga faqja e internetit “glavred.info”. 04 mars 2014).

Qëndrimi përbuzës që Putini ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj Ukrainës, është me të vërtetë i përmasave skandaloze. Këtë të vërtetë tragjike e pranon zonja Lilia Shevcova (1949), politologe ruse, doktor i shkencave historike, profesore e Katedrës së Politologjisë Krahasuese të Institutit Shtetëror Rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bashkëpunëtore shkencore përgjegjëse e Qendrës Karnegi të Moskës.

Ajo deklaron:

“Ukraina është, së pari, një projekt personal i Putinit që prej vitit 2004. Udhëheqja politike e Rusisë e konsideron Ukrainën si një vend që s’ka arritur të bëhet shtet, si dikë që s’ka arritur  të bëhet njeri, si një bashkësi që nuk ka komb, që nuk ka identitet. Prandaj jo më kot Putini i deklaroi Bushit në vitin 2008: “Xhorxh,  çfarë po thua për Ukrainën, se ajo, përgjithësisht, nuk është shtet dhe i tillë s’ka për t’u bërë kurrë”. Përveç  gjithë të tjerave, Ukraina, për shumë njerëz në Rusi, konsiderohet si kryenëna e shtetit rus, pikërisht si puna e Kosovës për serbët. Dhe madje më shumë” (Citohet sipas: Lilia Shevcova. “Ukraina është një dackë për elitën politike ruse”. Marrë nga faqja e internetit “LB.ua”. 02 mars 2014).

Pas shpalljes të së ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut” më 07 prill 2014, sipas të gjitha gjasave, Putini do t’i zgjerojë kufijtë e Federatës Ruse me të tjera “republika popullore”, me të vetmin qëllim që ta shndërrojë Ukrainën në një “bashkësi pa komb dhe pa identitet”. Domosdo, përderisa Ukraina është katandisur në një vend pa zot. Se gjatë 22 viteve nuk qe në gjendje të nxirrte në krye një klasë politike me dinjitet kombëtar.

Ky qëndrim prej shovinisti të kulluar i Putinit ndaj Ukrainës, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një stalinizëm i pastër në ndërtimin e raporteve me ish-republikat sovjetike.

Shkrimtari, publicisti dhe veprimtari politik Aleksandër Prohanov (1938), në një konferencë shtypi, të zhvilluar para disa vjetësh në qytetin e Ekaterinburgut, ka deklaruar:

“Pothuajse 60% e banorëve të Rusisë janë stalinistë të bindur… Josif Visarionoviçi po rend nëpër hapësirat e vendit me shpejtësinë e dritës. Duhet kuptuar mrekullia e stalinizmit” (Citohet sipas: “Ditari i Eduard Volkovit”. Marrë nga faqja e internetit “liveinternet.ru”. 15 prill 2010).

Nënkuptohet që merita kryesore për ringjalljen e stalinizmit në Rusi, i takon Putinit, i cili është dashuruar keq pas një pushteti autokratik. Në bazë të orientimeve të tij të drejtpërdrejta, fryma e stalinizmit po injektohet me shumë kujdes në radhët e brezit të ri. Nga një sondazh i kryer kohët e fundit, kanë rezultuar të dhëna me të vërtetë befasuese:

“Në një mënyrë të çuditshme, pikërisht brezat e rinj, të cilët s’e kanë jetuar kurrë periudhën e stalinizmit, janë duke përjetuar nostalgjinë më të madhe për të kaluarën. Por në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse kjo valë e kthimit të nostalgjisë për stalinizmin e ka burimin në arsimimin shkollor dhe universitar, përmes programeve të “historisë politike”, të frymëzuara prej Vladimir Putinit” [Citohet sipas: “Rusia: kthimi i stalinizmit”.  Marrë nga faqja e internetit “inosmir.ru”. 23 mars 2014].

Duke ndjekur gjurmët e Stalinit, Putini e ka armiqësuar keq Ukrainën me politikën e Kremlinit. Në këtë mes, siç thotë Xhejms Bruk, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” në Moskë, “Rusia e ka humbur betejën me Perëndimin në përpjekjet për të fituar zemrat dhe mendjet e ukrainasve. Këta nuk i kthen më dot prapa. Duke e pranuar këtë fakt, Putini kërkon të hedhë në veprim një variant rezervë: ta destabilizojë Ukrainën, duke ndezur përçarje gjuhësore dhe ndëretnike” (Citohet sipas: Xhejms Bruk. “Rusia me sytë e një amerikani. Vladimir Putin ka të drejtë: Perëndimi ndikoi mbi zgjedhjen që bëri Ukraina”. Marrë nga faqja e internetit “voanews.com”. 16 mars 2014).

Ёshtë e qartë se Putini nuk mund të veprojë dot ndryshe, sepse nuk mund ta braktisë dot psikologjinë e Kremlinit, sipas së cilës Rusisë i intereson që shtetet rreth e rrotull saj të jenë shtete të mekura që i bluajnë vazhdimisht konfliktet e brendshme. Prandaj edhe Ukraina, megjithëse kanë kaluar më shumë se 22 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe pavarësimit të saj, vazhdon të mbetet ekonomikisht dhe politikisht një shtet me sovranitet të dyshimtë. Pra, gjendja e tanishme e Ukrainës është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës hileqare të Kremlinit ndaj saj, çka ka gjetur pasqyrim në korrupsionin skanadaloz të elitës së saj politike dhe në tradhtimin prej saj të interesave kombëtare të popullit ukrainas.

Në këtë aspekt, politika e Kremlinit ndaj Ukrainës është vite drite larg politikës amerikane ndaj dy shteteve fqinje: Kanadasë dhe Meksikës. Duke bërë krahasimin mes këtyre dy politikave, gazetari Xhejms Bruk ka shumë të drejtë në gjykimin e vet kur deklaron:

“Po të bëjmë një krahasim mes bëmave të Rusisë në Krime dhe qëndrimit të kontinentit amerikanoverior, atëherë do të dukej sikur gjoja Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosnin ta përçanin dhe ta dobësonin Kanadanë, duke nxitur tendenca separatiste në Kuebekun kanadez, ose të fillonin të financonin ndonjë kryengritje në Meksikë. Në vend të një politike të tillë, populli amerikan dhe politikanët e tij besojnë dhe janë të bindur se zhvillimi i suksesshëm i Kanadasë dhe i Meksikës është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj edhe qe nënshkruar dhe vazhdon të respektohet Marrëveshja Amerikanoveriore për Tregtinë e Lirë, një asociacion vullnetar ky i shteteve demokratike, si puna e Bashkimit Evropian, i leverdishëm për të gjithë anëtarët e vet” (po aty).

Kremlini, fatkeqësisht, është shumë larg një mendësie të tillë politike në marrëdhëniet me Ukrainën. Dhe gjasat janë se zor se mund të çlirohet ndonjëherë nga një psikologji e tillë, përderisa Putini përdor autoritarizmin në ushtrimin e pushtetit. Kjo ka bërë që ai, si një figurë e dalë jo nga radhët e inteligjencies së kultivuar ruse, por nga radhët e KGB-së, t’i kthehet stalinizmit, çka do të thotë që ai, jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, parapëlqen të komunikojë me gjuhën e forcës. Prandaj edhe Vashingtoni, edhe Brukseli duhet ta kenë parasysh faktin që edhe Putini gjuhën e forcës e kupton më mirë. Sepse vetëm kështu mund të vihen në zap epshet e tij ekspansioniste.

Santa Barbara, Kaliforni

08 prill 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Dr. Eshref Ymeraj, Putini po ecën në gjurmët e Stalinit

Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë

February 16, 2014 by dgreca

(Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Santa Barbara, Kaliforni/

  Në faqen e internetit albcameria të datës 15 shkurt 2014, ishte botuar një material me titull “Fronti Demokristian Shqiptar”. Materialin e botonte zoti Alban Daci. Materiali ishte botuar si intervistë apo autointervistë e zotërisë në fjalë, meqenëse nuk përmendej emri i  intervistuesit. Në këtë material, zotëria Alban Daci prezantohej si këshillëtar politik i këtij formacioni të ri politik. Kjo qenka një parti e re që qenka themeluar në Diasporë.

Të bën përshtypje fakti që zotëria Alban Daci ka qenë figurë me shumë peshë në formacionin politik “Aleanca Kuq e Zi”, të themeluar prej zotit Kreshnik Spahiu. Megjithëse zoti Kreshnik Spahiu, dikur, në një intervistë, dhënë gazetarit të mirënjohur Bashkim Hoxha, pati deklaruar se deri në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, “Aleanca Kuq e Zi” do të kishte në radhët e veta 1 milion anëtarë, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 rezultoi se e vërteta qëndronte ndryshe: ky formacion politik nuk arriti të fitonte dot as edhe një deputet të vetëm. Pra, rezultoi një flakë kashte.

Gjatë kohës që “Aleanca Kuq e Zi” vazhdonte aktivitetet e veta nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë para zgjedhjeve të 23 qershorit, jam njohur me mjaft shkrime dhe intervista të zotit Alban Daci, të cilat i kam vlerësuar për përmbajtjen e tyre. Dukej që zoti Alban ishte një figurë me një kapacitet të admirueshëm kulturor. Kryerja e studimeve të larta jashtë vendit kishte lënë gjurmë në formimin e tij si intelektual. Dihet që “Aleanca Kuq e Zi”, në themel të programit të vet kishte ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, duke nisur fillimisht me ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, “Aleancës Kuq e Zi” i ra gjuha e këmborës dhe pothuajse nuk ndihet më për “e gjallë”. Në këto kushte, zotëria Alban Daci e paska braktisur dhe qenka përfshirë në një tjetër formacion politik, me qendër në Diasporë, në Frontin Demokristian Shqiptar.

Nga nëntë pyetjet e intervistës, dy prej tyre më bënë më shumë përshtypje, bashkë me përgjigjet që jep zotëria Alban Daci:

A është Fronti Demokristian Shqiptar një lëvizje politike lokaliste?

Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar duke qenë se në gjirinë e tij ka shumë shqiptarë nga Diaspora e duke poseduar një shtrirje që cek tre kontinente, është lëvizje politike kombëtare. Megjithatë, ajo është në koherencë me proceset e globalizimit. Kështu, misioni i Frontit Demokristian Shqiptar është të mbrojë e të nxjerrë në pah vlera lokale, të cilat për shkak të anarkisë sociale që po kalon vendi, shumë herë janë harruar e ndonjëherë janë edhe asimiluar”. 

Hajde ta kuptosh përgjigjen e zotërisë Alban Daci se Fronti Demokristian Shqiptar na qenka një lëvizje politike kombëtare, por na qenka edhe në koherencë me proceset e globalizimit! Çdo të thotë kjo përgjigje? Kjo, me sa duket, do të thotë: do të hyjmë në Evropë të globalizuar dhe s’është nevoja të mendohet për problemin më jetik që qëndron para kombit shqiptar: ribashkimin e trojeve etnike që Evropa na i copëtoi padrejtësisht në vitin 1913. Kur ishte në strukturat drejtuese të “Aleancës Kuq e Zi”, zotëria Alban Daci kishte përqafuar platformën kryesore të saj: ribashkimin e trojeve tona etnike, duke nisur nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Tani ky zotëri e paska kthyer pllakën dhe, si këshillëtar politik i Frontit Demokristian Shqiptar, fillon të propagandojë globalizimin, ashtu siç deklaron Tirana zyrtare, sipas së cilës ribashkimi i trojeve tona etnike do të bëhet në Bruksel! Idenë e globalizimit, zotëria Alban Daci e përforcon edhe më shumë në përgjigjen e pyetjes së mëposhtme:

Kush është pozicioni i Frontit Demokristian Shqiptar në raport me BE?

Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar ka të njëjtin qëndrim me atë që ka familja e madhe demokristiane europiane. Për Frontin Demokristian Shqiptar edhe nëse nuk do të ekzistonte BE, do ta kishim krijuar një të ngjashëm për të jetuar të bashkuar, në harmoni dhe për të menaxhuar më mirë e së bashku kontinentin tonë, ku ne si popull shqiptar kemi lënë ndoshta gjurmët e para si banorë të tij”. 

Vajmedet ç’na gjeti! Edhe sikur të mos ekzistonte Bashkimi Evropian, këtë do ta shpikte Fronti Demokristian Shqiptar, për hir të të ashtuquajturit globalizim! Domethënë, t’i largohemi sa më shumë ëndrrës shekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve tona etnike dhe të shkrihemi në globalizimin evropian!

Nga nëntë pyetjet dhe nga nëntë përgjigjet e zotërisë Alban Daci, nuk preket absolutisht Çështja Kombëtare Shqiptare: ëndrra e ribashkimit të trojeve tona etnike.

Nga intervista e lartpërmendur, paçka se deklarohet që Fronti Demikristian Shqiptar qenka themeluar në Diasporë, nuk thuhet asgjë se kush janë nismëtarët e krijimit të tij, cila është qendra e këtij Fronti. Sepse vetvetiu lind pyetja: si qenka e mundur që këtyre nismëtarëve të thmelimit të Frontit në fjalë në Diasporë, nuk iu interesuaka absolutisht Çështja e Ribashkimit Kombëtar, ndërkohë që Diaspora Shqiptare, sidomos Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet vatër e pashuar e Çështjes së Ribashkimit Kombëtar? Sipas këndvështrimit tim, Federata “Vatra” është ylli i karvanit i Diasporës Shqiptare, e cila ribashkimin e trojeve tona etnike e ka në themelin e veprimtarisë së vet patriotike. Prandaj e quaj të arsyeshme t’u përmend lexuesve të nderuar një fakt konkret për qëndrimin e Federatës “Vatra” ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare:

“Në intervistën për gazetën “Shqiptare” në mars 2012, kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: “Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar…Zgjidhja e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!..” (Citohet sipas: Neki Babamusta. “Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje”. Gazeta “Dielli”. 14 shkurt 2014).

Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, dekalaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike.

Prandaj më vjen keq që Çështjen Kombëtare Shqiptare, Fronti Demokristian Shqiptar nuk e paska absolutisht në rendin e ditës. Ky fakt të bën të dyshosh se Fronti në fjalë duhet të jetë krijuar me frymëzime jashtëshqiptare. Këtë dyshim ma përforcon më shumë fakti që Vatikani, sipas faqes së internetit të zotit Feliks Taho të datës 29 tetor 2013, ka deklaruar botërisht: “Kosova, djepi i Kishës Ortodokse Serbe”.

Kjo deklaratë skandaloze, me të cilën mohohet një e vërtetë e shenjtë për historinë e kombit shqiptar, të bën të hamendësosh se miqtë e ngushtë të Serbisë në Vatikan, kanë vënë në lëvizje Selinë e Shenjtë për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, i cili pretendon se përfaqësuaka Diasporën Shqiptare në kuadrin e këtij formacioni të ri politik.

Tani nuk është çudi që nesër, pasnesër, me frymëzime dhe nxitje jashtëshqiptare, të na dalin në skenë formacione të tjera politike, me emrin Fronti Ortodoks Shqipar, Fronti Mysliman Shqiptar, Fronti Protestant Shqiptar, Fronti Bektiashian Shqiptar e ku ta di unë se çfarë frontesh të tjera. S’ka asgjë për t’u çuditur. Nuk është hera e parë që armiqtë tanë tradicionalë, interesat kombëtare shqiptare janë munduar t’i varrosin me përçarjen ndërshqiptare edhe me duart e vetë shqiptarëve antishqiptarë.

Me sa duket, paria e Frontit Demokristian Shqiptar, e yshtur me drogë jashtëshqiptare, i paska mbushur mendjen vetes se, që të fitojnë dashurinë e Bashkimit Evropian, shqiptarët duhet të “demokristianizohen” dhe të “antinacionalizohen”. Ç’ka Bashkimi Evropian, problemet nacionale brenda vetes i ka zgjidhur me kohë e me vakt, kurse me kombin shqiptar sillet ndryshe: pasi e copëtoi në një mënyrë kriminale në vitin 1913, vazhdon të ngulë këmbë që tapitë e tokave shqiptare që ua dorëzoi sllavogrekëve, këta të mos i lëshojnë kurrë nga dora.

Prandaj, kur mbarova së lexuari intervistën e zotërisë Alban Daci për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, menjëherë më erdhën ndër mend dy vargjet e para të një kënge të vjetër labe, me të cilët titullova këto shënime:

Shumë “këngë” përmëndi zotëri Alban Daci në intervistën e vet, por nuk përmendi atë “këngën” kryesore: Çështjen Kombëtare Shqiptare – ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe me një flamur.

Santa Barbara, Kaliforni-15 shkurt 2014

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: por me te miren e lame, Prof. Dr. Eshref Ymeraj, te gjitha i thame

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT