• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË JETË NË SHËRBIM TË ARSIMIT, KULTURËS DHE TË SHKENCËS SHQIPTARE

July 19, 2015 by dgreca

Nga Mikel GOJANI*/
U bënë 11-vjet kur  arsimi, shkenca dhe kultura shqiptare në Kosovë mbeten pa profesorin, intelektualin dhe veprimtarin e shquar, prof. dr. Gjergj Rrapin, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Me humbjen e Rrapit familja mbeti pa njeriun më të dashur, studentët mbeten pa fjalën e ëmbël e me shumë kompetencë shkencore, punonjësit shkencorë mbeten pa hulumtuesin e vyeshëm prej sensit të hollë të  çështjeve sociologjike, shoqëria kosovare mbeti pa  veprimtarin  e devotshëm për çështjen kombëtare.

Rruga jetësore dhe veprimtaria, arsimore shkencore dhe atdhetare e prof. dr. Gjergj Rrapit

Kur Kosova rënkonte  nën peshën e rëndë të okupimit  serb, kur popullit shqiptar i shkeleshin të drejtat në mënyrën më barbare, ky veprimtar i devotshëm i kauzës kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishte ndër të parët që ngriti zërin lart kundër kësaj shtypjeje që  regjimi serb ushtronte ndaj popullit të tij, dhe për asnjë çast deri në frymën e fundit nuk iu frikësuar dhe nuk iu është nënshtrua.
Prof. dr. Gjergj Rrapi u lind më 3.5.1937 në fshatin Stupë të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu  në fshatin Budisalc (fshat afër vendlindjes), më pastaj një pjesë të gjimnazit real në Pejë. Pas kryerjes së klasës së dytë të gjimnazit ka vazhduar mësimet në  vitin e tretë të shkollës normale në Prizren, e vitin e katërt dhe të pestë i ka kryer në Prishtinë. Ka diplomuar në shkollën normale në qershor të vitit 1959. Pas kryerjes së  normales ka punuar si mësues në fshatrat Ujmirë, Budisalc dhe Zllakuqan të Klinës, ndërkaq në vitin  1963 është inkuadruar në  shkollën fillore “Rilindja” në Terstenik të Pejës. Si drejtor shkolle ka pune në këtë shkollë, po ashtu edhe në  Shkollën e Zllakuqanit.  Në vitin 1969 është regjistruar në Degën e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku në këtë degë  ka diplomuar dhe në vitin 1974  ka marrë titullin Sociolog. Me t`u kthyer nga Beogradi është inkuadruar në  Shkollën Politike të Kosovës – Qendrën Krahinore të Arsimit Marksist, në këtë institucion ka  punuar si bashkëpunëtor profesional deri sa ka kaluar në Fakultetin Filozofik në cilësinë e asistentit. Në vitin 1979 është zgjedhur  ligjërues  i lëndës “Metodologjia e sociologjisë” si dhe  lëndën e  Sociologjisë – Kursi i përgjithshëm në  Fakultetin Ekonomik, ndërsa në Degën e Sociologjisë  ka mbajtur ushtrimet nga lënda e  Sociologjisë së përgjithshme”, si dhe lëndë të tjera sipas nevojës. Në vitin 1977 është regjistruar në Shkallën e Tretë në Degën e Sociologjisë, duke i plotësuar të gjitha kushtet e vazhdimit të rregullt të studimeve post-diplomike, sepse i ka dhënë të gjitha seminaret dhe një pjesë të provimeve .  Ka doktoruar në vitin 1986 me temën “Martesa shqiptare”. Ai është ndër themeluesit e katedrës së sociologjisë, meqë ishte i pari sociolog me gradë shkencore i Universitetit të Prishtinës. Prej themelimit të Degës së Sociologjisë deri në vdekje ka qenë  sekretar i Degës  së  Filozofisë dhe Sociologjisë, si dhe shef i Degës i Degës së Filozofisë dhe Sociologjisë. Në kërkime  shkencore nga lëmi i sociologjisë  merret  që nga koha kur ishte student.  Është meritë ekskluzive e profesor Rrapit edhe dalja e  revistës së Shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës “Thema”, që ishte edhe kryeredaktor i saj, se cilës po ashtu edhe i ka dhënë emrin. Meritë tjetër e profesor Rrapit është  se për avancimin e mendimit  filozofik-sociologjik, e ka shkruar elaboratin e parë për themelimin e Institutit të Filozofisë dhe Sociologjisë, mbi bazën e të cilit Fakulteti e themelon institutin në fjalë. Ka botuar libra dhe dhjetëra studime sociologjike. Në vitin 1985 botoi librin “Savremene zadruzhne porodice na Kosovu”. Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën  gjermane. Në vitin 1994 botoi librin publicistik  “Kosova e viteve të ndrydhura”, në të cilin libër janë  të përfshira disa shkrime publicistike , diskutime të autorit  të cilat i ka paraqitur në sesione dhe simpoziume të ndryshme shkencore qysh nga viti 1985 e deri në  fundvitet e  `90-ta.   Ky libër është një fryt  i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin në  gjithë hapësirat  e ish-Jugosllavisë ku jetonin shqiptarët e sidomos në Kosovë, i cili për afro dy dekada  kjo popullatë u gjend nën  represionin e padurueshëm të hegjemonistëve serbë, vetëm pse shqiptarët i kërkonin të drejtat e tyre demokratike,  nacionale e qytetare, edhe pse shqiptarët ne Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Kosovën Lindore janë autoktonë që  nga kohët antike, pra pasardhës të ilirëve. Autori Rrapi, në këtë libër  po ashtu tërheq paralelen e luftës së popullit shqiptar kundër tre nacionalizmave: kundër nacionalizmit serb, nacionalizmit malazez dhe atij maqedonas. Çështjen e Kosovës nuk e konsideron  vetëm si çështje të Kosovës, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e  çështjes shqiptare në  përgjithësi – kjo është edhe ideja kryesore që i përshkon shkrimet dhe publikimet e  tij dhe përgjigja e  Rrapit për fatin e kombit.
Profesor  Rrapi, po ashtu  në vitin 1995 ka botuar  librin “Familjet e mëdha të sotme shqiptare”, ndërkaq në vitin 2000 në Tiranë botoi  librin “Roli i  traditës së zhvillimit ekonomik”, ndërsa në vitin 1997 librin “Sociologjia”, tekst universitar. Rrapi është autorë edhe i shumë  librave  shkollore dhe i botimeve tjera profesionale. Po ashtu, ky studiues ka redaktuar dhjetëra libra të autorëve tjerë, si dhe ka botuar mbi 100 artikuj studimorë profesionalë në periodikun kosovar dhe jashtë.
Në një bibliografi të lënë nga vetë profesor Rrapi, ai shkruan se me punime kërkimore është marrë qysh nga bankat e studimeve, si student i Universitetit të Beogradit. Në këtë drejtim, profesor Rrapi, po ashtu ka shënuar disa nga punimet e botuara në revistat qendrore profesionale në vend si dhe në Kosovë:
– Në revistën “Sociologjia, revistë e Shoqatës së Sociologëve Jugosllav”, nr. 1/1972, e ka botuar studimin me titull: “O zadruzanoj porodici Jakaj iz sela Renovca”;
– Në revistën “Sociologia sela”, që del në Zagreb, në vitin 1976/2, ka botuar studimin me titull: “O zadruzi – tekije”;
– Në revistën “Përparimi” 1978/3/, studimi mbi filozofinë e Altyserit me titull: “Ndryshimet epistemologjike te filozofisë së tij”;
– Në “Përparimi”, po ashtu në vitin 1979, studimin me titull: “Klasikët e Marksizmit mbi fshatin dhe fshatarët”;
– Në revistën “Socioloski pregled”, revistë kjo e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë”, në vitin 1979, studimin me titull: “O starom i novom u kosovskom selu”. Studimi në fjalë ka qenë referat i mbajtur në Këshillimin e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë në Ivajnicë;
– Në të përditshmen “Rilindja” në vështrimin me titull: “Filozofia marksiste filozofi revolucionare”. Lidhur me librin e prof. dr. Gajo Petroviqit, që mban titullin “marksizëm i revolucija”;
– Punimin e diplomës me titull: “Danasnja Metohiska zadruga”, komision i profesorëve pranë të cilëve e mbrojta temën e propozoi temën për botim të veçantë pa ndonjë ndryshim. U propozua që tema t’i ofrohet Akademisë së Shkencave Serbe në Beograd;
– Në “Rilindje” vështrimin me titull: “Problemet e strukturës shoqërore”, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Mihailo Popoviç, po më të njëjtin titull;
– Shqyrtimi me titull: “Trajtimi shkencor i kategorive sociologjike”, botuar në “Përparimi” 1979, lidhur me veprën e prof. dr. Ivan Kuvaciqit “Znanost i drustvo”;
– Po në revistën “Përparimi”, punim me titull: “Origjina e psikanalizës”, vështrim ky i shkruar me rastin e përkthimit në gjuhën serbokroate të veprës së Erik Fromit, “Misija Sigmunda Frojda”, Beograd 1978;
– Revista “Përparimi”, shqyrtim me titull: “Anatomia klasore e shoqërisë borgjeze, vitin 1979, nr. 4.;
– “Shqyrtim marksiste vetëqeverisëse, revista “Përparimi” 1980;
– Revista “Përparimi”, nr. 3/1980, shqyrtim me titull: “Kontraditat e shoqërisë kapi taliste, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Ivan Kuvaciqit me titull: “Obilje i nasilje;
– Në të dyjavshmen “Fjala”, botohet një vështrim i veprës së Erik Fromit, përkitazi me vdekjen e këtij emri të madh të filozofisë, sociologjisë dhe psikologjisë së sotme botërore’
– Librin “Sociologjia”, tekst universitar, Prishtinë 1997;
– Libri, “familjet e mëdha të sotme në Kosovë” 1995, Instituti i Sociologjisë i Fakultetit Filozofik në Beograd; 16 – a): Ky libër u përkthye në gjuhën gjermane këtë vit (2001), dhe do të botohet në Graz të Austrisë kah fundi i vitit;
– E. Dyrkemi, Përkthimi i librit të tij: “Rregullat e metodës sociologjike”, Prishtinë 1985;
– Roli i traditës në zhvillimin ekonomik, Tiranë 2000;
– Shtjefën Gjeçovi – themelues i sociologjisë urbane, revista “Thema”, 15, 2000; 
- Gati çdo muaj ka realizuar nga një projekt shkencor.
Kështu që, prof. dr. Gjergj Rrapi, është emër i shquar i arsimit dhe shkencës shqiptare. Me rezultatet e arritura në lëmin e filozofisë e të sociologjisë, ka lënë pas vetes aq studime, aq të arritura shkencore e libra, aq e përjetësoi punën e vet në to , sa ai gjithmonë do të jetë emër i nderuar dhe i çmuar jo vetëm në përmasat kombëtare, por edhe më gjerë. Profesor Rrapi tërë energjinë e tij e derdhi në avancimin e punës shkencore në Universitet dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij. Në veçanti   kontributi i tij ishte madhor në kohën kur shteti “juridik serb” me tërë potencialin e vet ekonomik, propagandistik, policor e ushtarak, ishte përcaktuar për zhbërjen definitive të  arsimit shqip në përgjithësi, të Universitetit të Prishtinës në veçanti dhe për zhbërjen e Kosovës. Ai ishte një nga ideatorët kryesor për vazhdimit institucional dhe legal të punës së Universitetit nëpër objekte private, pas aplikimit të masave të dhunshme administrative të pushtetit serbo-komunist në Universitetin e Prishtinës. Në mbrojtje të këtij institucioni me interes kombëtar, u gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e tij dhe të shkollës shqipe.
Prof. dr. Gjergj Rrapi ishte   luftëtar modern,   i denjë dhe i   pakompromis për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar. Kudo që prezantonte në simpoziume të ndryshme shkencore të niveleve ndërkombëtare, haptas,   në mënyrë të guximshme dhe argumentuese e   prezantonte dhunën dhe gjenocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. Padyshim se në këtë kontekst kontributi i tij u sublimua me daljen në dritë të librit “Kosova e viteve të ndrydhura”, të botuar më 1993, në Prishtinë, ku në mënyrë shumë të qartë dhe argumentuese prezanton realitetin shqiptar të atyre viteve, të cilat vërtet ishin të ndrydhura e të rënda.    

Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor  Fehmi Agani
              
Gjatë fundviteve të viteve  të `80-ta, kur Kosova rënkonte nën peshën e rëndë  të  okupimit serb, kur të drejtat e këtij populli shkeleshin  në mënyrë më drastike, ai në një simpozium shkencor në Split të Kroacisë  ngriti lartë zërin e protestës kundër  gjithë asaj shtypje që  Serbia ushtronte ndaj popullatës shqiptare. Në këtë simpozium Rrapi u shpreh  se  ne shqiptarëve në Kosovë, popull autokton dhe gjysma e popullsisë në territorin kompakt, si dhe populli i tretë për nga numri në  Jugosllavi, na mban shpresa se Evropa  nuk do ta përsërisë gabimin e saj tragjik ndaj shqiptarëve si në vitin 1913. Pa zgjidhjen e çështjes së  3 milionë shqiptarëve nuk do të zgjidhet çështja e Jugosllavisë. Kriza  jugosllave ka filluar në Kosovë dhe nuk mund të zgjidhet pa Kosovën, është shprehur ndër të tjera Rrapi në Simpoziumin e Splitit.  Janë të shumta  simpoziumet dhe tryezat në të cilat ka marrë  pjesë z. Rrapi, i cili është ndër intelektualët që e ka kualifikuar politikën gjenocidiale të S. Milosheviqit në Kosovë dhe qëndrimet e tij ndaj kësaj politike i kanë përshëndetur prof. Branko Horvat, Rudi Supek, Predrag Matjvejeviq dhe të tjerë.
Gjatë viteve të `90-ta kur angazhimi politik e  demokratik bënte jetën shqiptare, formë kjo e zgjedhur për  daljen nga  ai okupim i hekurt i robërisë, edhe  profesor Rrapi u angazhua në jetën shoqërore e politike. Ishte  themelues i  Partisë Shqiptare Demokristiane, më pastaj edhe i Partisë Liberale Shqiptare. Në vitin 1997 është zgjedhur edhe  kryetar i shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve  të Kosovës. Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor  Fehmi Agani.
Prof. dr. Gjergj Rrapi, ishte njëra nga figurat tona që kanë luajtur rol në jetën tonë arsimore, intelektuale, shkencore, kulturore, shoqërore, politike dhe kombëtare në gjysmën e dytë të shekullit që e lamë pas dhe në vitet e para të këtij shekulli. Ai i takon atij brezi intelektualësh, edukuesish e veprimtarësh shqiptarë të Kosovës, të cilët me punën e tyre të përkushtuar, me kultivimin e mençurisë, dijes dhe shkencës, i kanë zgjeruar e zgjeruar gjithnjë kufijtë e lirisë vepruese e të krijimtarisë mendore. Edhe pas shtatë vjetësh e kemi parasysh personalitetin e tij të gjithanshëm: figurën e sociologut, të publicistit e të shkencëtarit, aq edhe të vepruesit politik që nga fundvitet ’80 e deri sa vdiq.

Çfarë paraqet profesor Rrapi në librin e tij, “Kosova e viteve të ndrydhura?”

Profesor Gjergj Rrapi, në vitin 1993 botoi librin publicistik “Kosova e viteve të ndrydhura”. Brenda këtij libri janë të ngërthyera disa shkrime publicistike (diskutime të autorizuara), të cilat i ka paraqitur në simpoziume dhe sesione të ndryshme shkencore në shumë vende të Kosovë, të ish- Jugosllavisë dhe të vendeve të tjera evropiane, qysh nga viti 1985 e deri në frymën e fundit të jetës së tij, më 2004.
Libri “Kosova e viteve të ndryshkura” të profesor Rrapit, është një fryt i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin shqiptar në gjithë hapësirat në ish- Jugosllavi, ku jetojnë popullata shqiptare dhe sidomos në Kosovë, i cili , që, për afro një dekadë e gjysmë kjo popullatë gjendet nën represionin e padurueshëm të hegjemonistëve komunistë serbë, vetëm pse kërkojnë të drejtat e tyre demokratike, nacionale dhe qytetare, edhe pse shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore (Kosovën Lindore), janë autoktonë që nga kohët antike, pas ardhjes të ilirëve.
Shkrimet publicistike të këtij autori janë një ditar i veçantë që dallon nga një ditar tjetër. Është ky një ditar i cili nuk është shkruar nga profesor Rrapi, mirëpo është shkruar në një kohë – zezonë, prandaj për këtë fakt edhe bart një të vërtetë të dhembshme, por edhe krenare.
Në librin “Kosova e viteve të ndrydhura, shfaqet një sfond i një natyre të zymtë; rropatjet e këtij populli që shekuj të tërë shkojnë në përballje me historinë; shekuj të tërë ky popull vazhdimisht pinrrohet me lirinë… Janë pamjet ekskluzive që i ka parë dhe i shohin sytë e një intelektuali, fa ti i të cilit është i lidhur ngushtë me fatin kolektiv – kombëtar. Prandaj, nyjëtimi më i thellë, më i qartë, më i guximshëm dhe, jo më tronditës i vullnetit të kombit shqiptar, njëmendësisht në publikimet e këtij vëllimi të këtij autori.
Disa nga temat bosht të përfshira në këtë libër, si “Çështja kosovare në diskursin jugosllav”, “Kosova dhe nacionalizmat”, “Shqiptarët në Kosovë dhe në vendet tjera të Jugosllavisë nuk janë pakicë kombëtare por komb”, “Ç’shoh të diskutueshme në politikën popullatave”, “Vetëdija e ideologjisë si fat tragjik për popullin shqiptar”, “Si u mor autonomia e Kosovës?”,Kosova në aktualitetin e sotëm etj., paraqesin se si Kosova prej se është aneksuar dhe është futur padrejtësisht në bashkësinë artificiale ish- jugosllave e sidomos deri në vitin 1966 ka përjetuar çastet më të vështira në historinë e saj.
Periudha e fundit, në veçanti prej vitit 1981, populli shqiptar në Kosovë dhe në gjithë hapësirat tjera të ish- Jugosllavisë përjetoi ndrydhje të mëdha, aq sa mund të thuhet lirisht, siç shprehet edhe vetë autori, “periudhë e imponimit të obskurantizmit serbosllav”. Në frymën e kësaj logjike dhe sipas konceptit armiqësor në që prinin ASHA të Serbisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë” ( e njohur si Francuska – 7), dhe të gjitha institucionet të tjera politike, kulturore e shoqërore serbe, duke elaboruar vazhdimësitë e projekteve famëkëqija, tashmë të njohura dhe të stërnjohura me pretekst që shqiptarët të shpërngulen, pra t’i lëshojnë vatrat e tyre stërgjyshore që i kanë ruajtur me shekuj me fanatizëm, madje edhe të asgjësohen me qëllim të rikolonizimit të Kosovës dhe serbizimit të saj.
Kapitull të veçantë autori i këtij libri i kushton pezullimit të Kushtetutës së vitit 1974, kur Serbia krijoi një gjendje edhe më të tendosur në të gjitha masat e popullit shqiptar në Kosovë dhe jashtë. Duke e vërejtur pushteti okupues serb këtë pakënaqësi të madhe të popullit, në Kosovë solli forca edhe më të mëdha ushtarake e policore, ku Kosovën e robëroi më argumentin e forcës dhe terror të papërshkrueshëm, duke i munguar çdo argument tjetër.
Autori, prof. dr. Gjergj Rrapi, në librin e tij “Kosova e viteve të ndrydhura”, tërheq shumë paralele të luftës së popullit shqiptar kundër shumë nacionalizmave, duke u fokusuar në tre nacionalizmat ortodoks: në nacionalizmin serb, malazez dhe atë maqedonas.
Çështjen e Kosovës, autori nuk e konsideron vetëm si çështje e Kosovës, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës, sipas profesor Rrapit, mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, pra të tërë gjeografisë shqiptare, ku, kjo njëherësh është edhe ideja që i përshkon shkrimet dhe publikimet e tij dhe përgjigjja më autentike e profesor Rrapit sa i përket fatit të kombit shqiptar.
Një ide e këtillë, sipas tij mund të realizohet, në radhë të parë në bazë të rrethanave që po lëvizin në këtë pjesë të këtij globi tokësor, dhe çka është më qenësore për forcat tona politike, ndërtimi i një platforme të përbashkët politike e kombëtare. Kjo platformë do t’i paraprijë këtij synimi që është shumë racional dhe me pretendim që të realizohet në një rrethanë të caktuar politike.
Këto të dhëna dhe shumë të tjera të cilat profesor Rrapi i ka kapërthyer në brendinë e këtij libri, e bëjnë shumë të rëndësishëm këtë libër, i cili do t’i qëndrojë kohërave.
Kjo vlerë e këtij studiuesi nuk është nuk është e vetmja punë e frytshme. Profesor Rrapi punoi edhe vepra të tjera që të cilat do të lënë gjurmë për gjeneratat tona.

U shkëput nga jeta kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese

Kështu, prof. dr. Gjergj Rrapi u shkëput nga jeta në kohën kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, bash në kohën kur bashkëkombësit kishin aq shumë nevojë për talentin e tij të madh, për mendjen e tij të ndritur, për fjalën e tij me autoritet, për veprimin e tij të guximshëm dhe efektiv. Zbrazëtia që la prof. dr. Gjergj Rrapi në frontin e punës e të luftës nuk është aspak e lehtë të mbushet. Por, njerëz si ai mbeten të gdhendur përjetësisht në kujtesën e kombit si pika të ndritshme referimi të historisë së tij.
Le të jenë këta rreshta një homazh e një nderim i thellë për profesorin e nderuar, Gjergj Rrapi, emrin e të cilit do ta mbajmë përjetë të paharruar.
Prandaj, prof. dr. Gjergj Rrapi, mbetet personalitet i shquar i arsimit e i shkencës shqiptare, po ashtu edhe luftëtar i  denjë për të drejtat njerëzore e kombëtare.
Në përfundim mund të konstatojmë se emri dhe vepra e profesor  Gjergj Rrapit do të mbeten  të pashlyera në kujtesën tonë dhe  të brazave që pasojnë, të cilëve u  shërbeu gjatë gjithë rrugës së tij jetësore.
*HOMAZH PËR PROF. DR. GJERGJ RRAPI (1937-2004)

Filed Under: ESSE Tagged With: Mikel Gojani, nje jete ne sherbim te shkences, Prof.dr. Gjergj Rrapi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT