• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ BASTA – GJENERALI I SHQUAR STRADIOT DHE SHQIPTARËT SI MJESHTËR TË ARTIT USHTARAK NË SHEK XV-XVI

October 21, 2021 by s p

Gjergj Basta njëri prej gjeneralëve më të shquar të epokës së tij. – Stradiotët shqiptarë, paraqitja e tyre dhe bëmat e shumta në fushëbeteja. – Emrat e disa prej stradiotëve më të shquar të shek. XV-XVI. – Basta si autor i disa veprave dhe traktave ushtarake. – Përshkrimi i personalitetit të Gjergj Bastës sipas autorëve të kohës. Stradiot shqiptar që lanë gjurmë në histori: Ferrante Kastrioti (nip i Vrana Kontit), Alfons Kastrioti, Thedor Krisma, Adrian e Nikollë Muzaka, Theodor Bukali, Mërkur Bua, Manuel, Kostandin, Gjergj e Nikollë Bokali (martuar me motrën e gruas së Gj. K. Skënderbeut), Konstandin Araniti, Leonida dhe Françesk Maria ( të dy bijtë e Kostandin Aranitit), Theodor Bischietto, Gjin Golemi, Gjergj Karisesa, Gjon Sheqeri, Nikollë Masi i mbiquajtur Mëzi, Lazër Mati, Gjon dhe Engjell Lazër Mati, Dhimitër, Qezar e Gjergj Kapuçmadhi, Pjetër e Dhimitër Basta, Teodri nga Sparta, Pjetër Petani, Gjon Volasi, Nikollë, Lekë, Martin, Andrea, Teodro e Martin Peta, Aleks Bua, Gjergj Gërbeshi, Pjetër, Domenik, Vetor, Gjergj dhe Reposh Busikioti, etj.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Është e zakonshme kur shfleton kronikat e shkeujve XV dhe XVI, për luftëtar shqiptar, menjëher të gjesh një mori stradiotësh, komandantë e kapitenë trima, të cilat arritën edhe gradat më të larta ushtarake, ato të gjenerlaëve në armata shumë të njohura të kohës. Të gjithë këta, pa përjashtim identifikohen si shqiptarë ose me origjinë shqiptare. Natyrisht, stradiot, ushtarë mercenarë, më pak të shquar kishte dhe nga kombësi tjera si grek, dalmatinas, hungarez, sllav, vllehë etj.

Dalja e stradiotëve në skenën luftarake të Evropës së shekujve XV e XVI, nuk mund të shënohet me saktësi, pasiqë për një gjë të tillë, deri me sot, nuk është zbuluar asnjë dokument që mund të konfirmonte një gjë të tillë, por, as kronikat e shumta të kohës, nuk na japin një vit preçiz. Edhepse disa studiues, shënojnë vitin 1414, si vit të trupave stradiote, kur në një dokument venedikas përmendet për herë të parë termi Stradiot, ky fakt nuk është aq bindës, për shkak se edhe më herët, në shërbim të Vendikut, kishte ushtarë shqiptarë me kuaj, përkatësisht që nga viti 1402. Mendimi se stradiotët i ndeshim si reparte luftarake pas fushatës së Karlit VIII, është i gabuar, sepse, të dhënat më të reja qoftë nga burimet arkivore, qoftë nga studimi i literaturës së botura [kronikat e shumta dhe vëllimet e panumërta me dokumneta] na ofrojnë të dhëna të freskëta. Sipas këtyre burimeve, në vitin 1481, stradiotët përmendën në Friuli, pastaj në vitin 1487 në Dolomite, në luftën e Venedikut me Austriakët si dhe në betejën në mes Ludovikut të Zi dhe zviceranëve të Valezës. Natyrisht, tashmë është e njohur se është pikërisht fushata e Karlit VIII, ajo që nxjerr në pah, fuqinë dhe namin e stradiotëve shqiptarë, duke ndërkombëtarizuar rolin dhe ndikimin e tyre në shumë beteja, që jo në pak raste, ata kanë luftuar edhe kundër njëri tjetrit. Për bëmat e tyre, ne kemi të dhëna të shumta në territoret e Fancës, Spanjës, Gjermanisë, Vendeve të Ulta, Hungraisë, etj.

I kësaj periudhe është njëri prej figurave më të shquara stradiote, për të cilin janë shkruar vepra, monografi dhe studime të shumta, qoftë si komandat dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i betejave, qoftë si teoricien dhe njohës i jashtëzakonshëm i artit luftarak të kohës kur jetoi e veproi, pra, Gjergj Basta.

Emri i Gjergj Bastës është i nderuar, por, pothujase të barabartë me të, për nga trimërit dhe betejat janë edhe shumë emra stradiotësh shqiptarë. Pa dashur të bëjmë një listë të plotë të tyre, ne po përmendim vetëm disa nga më kryesorët, të cilët i citon në një studim të tij edhe at Zef Valentini. Këta janë: Ferrante Kastrioti (nip i Vrana Kontit), Alfons Kastrioti, Thedor Krisma, Adrian e Nikollë Muzaka, Theodor Bukali, Mërkur Bua, Manuel, Kostandin, Gjergj e Nikollë Bokali (martuar me motrën e gruas së Gj. K. Skënderbeut), Konstandin Araniti, Leonida dhe Françesk Maria ( të dy bijtë e Kostandin Aranitit), Theodor Bischietto, Gjin Golemi, Gjergj Karisesa, Gjon Sheqeri, Nikollë Masi i mbiquajtur Mëzi, Lazër Mati, Gjon dhe Engjell Lazër Mati, Dhimitër, Qezar e Gjergj Kapuçmadhi, Pjetër e Dhimitër Basta, Teodri nga Sparta, Pjetër Petani, Gjon Volasi, Nikollë, Lekë, Martin, Andrea, Teodro e Martin Peta, Aleks Bua, Gjergj Gërbeshi, Pjetër, Domenik, Vetor, Gjergj dhe Reposh Busikioti, etj.

Po kush ishte Gjergj Basta? Ai lindi më 30 janar të vitit 1544 në Roccaforzata, (atëher Rocca), provinca e Tarantos dhe vdiq më 26 gusht 1607 (rreth vitit të vdekjes ka disa paqartësi, sepse sipas disa të dhënave tjera, mund të ketë vdekur në vitin 1612 në Kurté /Belgjikë/?) në Vjenë. Duke qenë nga një familje fisnike shqiptare, i ati Dhimitri kishte lindur në Shqipërinë e Jugut, në qytezën e Basta, të cilën e kishin në zotërim dhe e cila ndodhej në mes të Butrintit dhe Sarandës. Si qytezë ishte ndërtuar nga venedikasit. Duke mos duruar pushtimin osman, ai me familje dhe disa bashkëqytetar fisnik ishte shpërngulur në provincën e Tarantos, pas vdekjse së Gjergj Kastritoit Skenderbut, më 1468, (ku gjyshi i Gjergj Bastës, Andrea Basta ishte bashkëluftëtar i heroit tonë kombëtar) si mercenar, kishte hyrë në shërbim ushtarak, në forcat kalorsiake të mbretit të Napolit. Sipas burimeve dokumentare dhe literaturës së shumtë për Gjergj Bastën e cila është botuar në gjuhë të ndryshme dhe mund të konsultohet, pos studimeve të veçanta edhe në shumë enciklopedi, fjalorë e leksikone biografike, studimet e para i mbaroi në Asti të Piemontes. Duke treguar zgjuarsi dhe aftësi të rralla në artin luftarak, dërgohet për studime të mëtejshme në akeminë ushtarake të Hollandës, ku tregoi rrezultate të shkëlqyera. 

Me të marrë pushtetin në Vendet e Ulta, miku i famlijes Basta, Aleksander Farnesi, e emron Gjergjin si komisar të përgjithëm të reparteve kalorsiake për tërë Vendet e Ulta, (viti 1580), pasiqë më parë, kishte qenë gjithashtu student në akademinë e A. Farnesit. Ndërsa në vitin 1579, Gjergj Basta ishte komand i një trupe (regjmenti) kalorësie prej 200 luftëtarësh të stërvitur mirë dhe të gjithë shqiptarë të ikur nga trojet shqiptare, në Itali.Gjatë kohës sa ishte komisar i përgjithshëm ai shumë herë me trupat e tija përballoi me sukses sulmet e bëra nga Henriku i Navarrës. Në vitin 1584 e gjejmë duke luftuar në rrethinat e Anversit (Holandë); ndërsa në vitin 1588, ishte ndër komandantët më meritor për fitoren famëmadhe të pushtimit të Bonit. Pjesmarrja ne beteja ishte e shpeshtë, në fronte shumë të vështira. Në vitin 1590 shkon në Farnezin të Francës, në ndihmë të Lidhjes Krishterë, duke korrur një fitore të shkëlqyer, kurse në vitin 1593 merr pjesë në fushatën e Manofeldit po në Francë. Pas vdekjes së mikut të tij, A. Farnesi, Gj. Basta duke vërejtur se nuk nderohej dhe respektohej ashtu siç e meritonte, nga ana e pushtetarëve spanjol, të Madridit, vendos të kaloi në shërbim të perandorisë Austro-Hungareze në vitin 1596, duke u vendosur me ushtarët e tij kryesisht shqiptar në zonën e Danubit. Fati deshi që të korrte fitore të shumta kundër ushtrive osmane, tatare, vllehe, transilvaneze dhe kundër protestantëve hungarez. Këto fitore i mundësuan që të kishte funksione shumë të larta, derisa u bë kryekomandant i ushtrisë së perandorisë Austro-Hungareze për Hungari e Transilvani dhe njëherit u emrua edhe guvernator i përgjithëshm për këto dy krahina, duke fituar edhe gradën më lartë të mundshme ushtarake, atë të gjenealit (generalisimus). Duhet cekur se kronikat e kohës, sidomos ato hungareze, ofrojnë të dhëna të shumta për luftërat e tij, ku pothuajse njëzëri pohohet se ishte njëri ndër komandantët më të njohur të kohës së tij. Por, gjithashtu në ato kronika, ka të dhëna tjera për shkatërrime të pamëshirshme të viseve të cilat i pushtoi, nga ushtarët e tij, të cilët, ishin mercenarë dhe pos shqiptarëve, në radhët e stradiotëve të tij, kishte edhe hungarez, italianë, grekë, sllavë, italianë, bohemë etj. 

Në fillim të shekullit XVII, i ftuar nga perandori gjerman Rudolfi II (1599-1605), Gjegj Basta, emrohet njëri prej komandantëve kryesorë përkrah Michaelit të Vllahisë, për Siebenbürgen (Hungari), pasiqë princi i këtij qyteti, Sigismund Barthóry, kishte prishur traktatin e lidhur me perandorin gjerman duke mos pranuar që territori i sundimit të tij, të jetë pjesë e perandorisë së Habsburgëve, por kërkonte autonomi dhe të njihej si një Provincë e vetme e administruar nga ai, ngase në një taktat të fsheht, fronin e Siebenbürgit, ia kishte premtuar kushërit të tij, kardinalit Andreas Barthóry-t. Në vitin 1599, Michaeli i Vllahisë, pushton Siebenbürgen dhe kështu bëhet kundërshtar i perandorit gjerman Rudolfit II dhe njëkohësisht edhe Gjegj Bastës, edhepse më parë ata ishin miq dhe kishin luftuar krah njëri tjetrit në disa beteja. Gj. Basta, armikun e tij të ri, Michaelin e Vllahisë, që kishte për aleat Sigismund Barthóry-n i mund në fushëbetejën e Mirislós-ë me 18 shtaor të vitit 1600. Pëkundër disfatës, pas një viti, Michaeli i Vllahisë, prap forcohet dhe më 3 gusht të vitit 1601 e sulom Gjergj Bastën. Ky i fundit, duke treguar mjeshtri të jashtëzakonshme dhe manevrime të suksesëshme, humbjen e kthen në fitore, duke e zënë të gjallë Michaelin e Vllahisë, të cilin po atë ditë e vret, dhe komandantin tjetër, armikun e vjetër Sigismund Barthóry-n i cili ishte aleatë me Michaelin e Vllahisë. Në këtë betejë, Gj. Bastës ju vranë 300 luftëtarë ndërsa armiqëve të tij rreth 10 mijë; ai si pre lufte mori 110 flamuj, 40 topa dhe shumë plaçka tjera të ushtrive të mundura armike. Pas vrasjes së Michael-it, Gjergj Basta arriti të bashkoi Moldavinë, Transilvaninë dhe Vllahinë nën perandorinë Austro-Hungareze. 

Duke ju shtuar nami si komandat i pathyeshëm i stradiotëve, me 1604, perandori gjerman Rudolfi II, e fton përsëri në ndihmë Gjergj Bastën me luftëtarët e tij, por kësaj radhe në luftë kundër perandorisë Osamne. Gjergji Basta udhëhoqi më shumë se 100 beteja në vende të ndryshme si: Spanjes, Flander, (Belgjike) Holandë, France, Gjermani, Hungari, Transilvani, Itali, etj. Për merita të shquara ushtarake duke qenë i pathyeshëm, ai arriti gradën e lartë ushtarake të gjeneralit (generalisimus). Perandori gjerman Rudolfi II (1599-1605), në vitin 1605 e emëroi “Kont të Perandorisë së Shenjtë Romake.” 

Pas një karriere shumë të sukseshme, ku njihte vetëm fitore, Gjergj Basta në fillim të vitin 1606 (fundi i janarit) tërhiqet nga jeta aktive ushtarake. Perandori e shpërbleu me prona të mëdha të Husit e Maramureshit të cilat më vonë i shkëmbeu me ato të Tropaut, për shkak të cilësisë dhe bonitetit më të lartë. Më parë, Gjergj Basta kishte blerë në vitin 1594 feudin e San Martinos dhe në vitin 1606, para se të largohej nga jeta aktive ushtarake, kishte blerë edhe feudin tjetër të Monteparanos.

Përkundët angazhimeve të shumta në fushëbeteja, ai gjeti kohë të merret me shkrime dhe krijime nga fusha e artit luftarak, duke botuar disa vepra. Por, si duket, ato më kryesoret i shkroi pasi u tërhoq nga jeta aktive ushtarake. Ne na janë të njohura tre nga ato, të cilat i kemi konsultuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit dhe atë Venedikut, Marciana. Veprat e Gj. Bastës, mund të quhet edhe traktate të artit luftarak. Ato mbajnë titujt: Il maestro di campo generale /Udhëheqësi i veprimeve të përgjithëshme luftarake/, botuar në Venedik, në vitin 1606; vepër kjo që çmohet shumë dhe sipas specialistëve të artit ushtarak cilësohet si “ungjill i vërtet i komandantit në luftë.” Është përkthyer në disa gjuhë dhe atë në: gjermanisht, frengjisht, dhe ribotuar dy herë në italisht; vepra e dytë është: Il governo della cavaleria leggiera /Drejtimi i kalorsisë së lehtë/. Botuar italisht, në Venedik, në vitin 1612. U përkthye në frengjisht tre herë radhazi në: Bruksel, Hanódhe Ruán, si dhe gjermanisht në Frankfurt dhe spanisht, Madrid. Në artin luftarak, kjo vepër konsiderohet si “rrgullorja” elementare mbi organizimin e kalorësisë së lehtë. Kjo vepër botohet post mortum nga ana e bashkëluftëtarëve të tij stradiot: Pjetër Armitatit dhe Jeronim Sirtorit, me disa plotësime nga botuesit. Pos rregullave themelore, autori, këtu lavdëron aftësitë e rralla të oficierëve shqiptarë, trimërinë e tyre dhe traditën luftarake, duke përmendur edhe fitoret e shkëlqyera të heroit tonë kombëtar Gjegj Kastriotit Skenderbut, si dhe komandantëve stradiotë: Gjin Golemit, Gjergj Karisesë dhe gjyshit (Andresë), të atit (Dhimitrit) dhe vëllait të tij Nikollës. Ndërsa vepra e tretë është: Del governo dell’artiglieria. /Mbi drejtimin e artilierisë/. Këto vepra, për shekuj me radhë u përdorën si tekste studimi në akademitë ushtarake të Evropës, duke u cilësuar si të shkëlqyera nga specialistë të fushave prëkatëse si: Gabriel Nodé (1600-1653); Pierr Baile (1647-1706); Zhan Sharlou-Folardi (1669-1752), etj.

Janë mjaftë interesante përshkrimet që i bëjnë biografët portetit dhe vetive të tija fizike, jo vetëm ata që kishin dëgjuar për të, por edhe të tjerë që e kishin njohur dhe takuar në shumë raste. Psh. C. Spontoni, i cili edhe e kishte takuar në Venedik, në veprën e tij: Historia della Transilvania, të botuar në Venedik më 1638, e përshkruan: nga pamja paraqitej i zymtë dhe i trishtuar, por pas bisedave me të, ndryshonte kjo përshtypje dhe ai ishte i dashur dhe shumë i qeshur, veçanërisht me bautat e tija të lezetçme për ndodhitë në fushëbeteja dhe atyre në jetën e përditshme. Ndërsa një autor tjetë, L. Crasso, në veprën e tij:  Elogi di capitan illustri, botuar poashtu në Venedik më 1683, shkuran: stradioti me origjinë shqiptare, Gjergj Basta kishte fëtyrë të plotë, me tipare të rrepta, hundë shqiponjë, sy të mëdhenjë, ishte shtatlartë dhe esmer, me gjymtyrë të shëndoshta dhe trup atleti; ishte sypatrembur në beteja, dhe mjeshtër i vërtet në përdorimin e armëve, i etur për fitore dhe lavdi. Shquhej si besimtar në fe, dhe ishte njeri i fjalës, armik i përbetuar i tradhëtisë dhe pabesisë, ishte i pakorruptueshëm dhe zemërohej lehtë, ishte shumë dyshues dhe kishte një shpirt hakmarrës dhe kishte shumë zili lavdinë e tjerëve, nuk përtonte kurrë të ishte i pari në betejë dhe të tërhiqej i fundit nga ajo.”

Me vlera të konsiderueshme janë dorëshkrimet dhe letërkëmbimet e Gjergj Bastës, një pjesë e mirë e të cilave ruhen të shpërndara në: Arkivin Sekret të Vatikanit; Bibliotekën Apostolike të Vatikanit; Arkvin e Qytetit të Venedikut; Bibliotekën Nacionale Qendrore Marciana të Venedikut; Bibliotekën Civico të Muzeut Korrer të Venedikut; Arkvin Shtetëror Hungarez; Bibliotekën Kombëtare Szecheny të Budapestit, Bibliotekën Kombëtare të Vjenës, Bibliotekën Nacionale të Katalunjës, etj. Botimi i tyre, pas një studimi dhe shqyrtimi kritik, do të plotësonte këtë figurë të shquar të artit luftarak, jo vetëm si pjesmarrës të drejtëpëdrejtë në fushëbeteja, por edhe në teorinë e artit ushtarak, veçanërisht për fusha të kalorësisë së lehtë, drejtimin e betejave dhe artilierisë, në mesjetë, duke nxjerrë në dritë ngjajshmëritë dhe shembujt e luftëtarëve dhe komandantëve të tjerë shqiptarë, që i kanë shërbyer Gjergj Bastës në veprat e tija në dorëshkrim.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof.Dr. Musa Ahmeti

DUKAGJINËT SIPAS BURIMEVE ARKIVORE TË DUBROVNIKUT NË SHEKULLIN XIV

September 9, 2021 by s p

Ilustrimi 1 – Diploma origjinale nga viti 1387 – f. 1r e Lekë Dukagjinit

Edhe pse i shkruar vetëm në pesë rreshta tekst, ky është një ndër dokumentet (aktet diplomatike) më të rëndësishme të shekullit XIV për familjet fisnike feudale shqiptare, origjinali i të cilit ruhet në Dubrovnik. Raportet diplomatike me Raguzën dhe pozitat e qendrueshme ekonomike të Dukagjinëve në shek. XIV janë në qendër të vëmendjes. Dëshmi për zhvillimin e një kancelarie shumëgjuhëshe pranë kësaj familje, ngjashëm me familjet e tjera shqiptare dhe europiane.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Njëra ndër familjet fisnike shqiptare më të fuqishme dhe më të njohura në mesjetë është familja e Dukagjinëve. Për historinë, gjenealogjinë, origjinën dhe shtrirjen e sundimit, marrëdhëniet diplomatike me familjet e tjera fisnike shqiptare dhe me fisnikët fqinjë jo-shqiptarë: sllavë, grekë, bullgarë, rumunë, etj., si dhe me komunat (shtetet) e kohës, qofshin ato shqiptare, dalmatine, italiane, spanjolle, frënge apo të tjera, gjatë shekujve të mesjetës janë shkruar disa studime, por asnjëherë shteruese. Befason fakti se shumë studiues kopjojnë njëri-tjetrin (këtu duhen theksuar dy apo tre studiues shqiptarë që kanë provuar të shkruajnë për këtë familje fisnike) pa përmendur se kanë shfrytëzuar veprat e mëparshme të botuara apo burimet arkivore origjinale, si dorëshkrime, literaturë mesjetare apo burime të tjera. 

Ilustrimi 2 – Diploma origjinale nga viti 1387 – f. 1v e Lekë Dukagjinit
Transkripti i origjinalit ne sllavisht dhe perkthimi ne shqip.
Ilustrimi 3 – Diversa Cancellariae (1387-1389), vëll. 27, f. 69v – shënimi i datës së dokumentit

Duke u mbështetur në burimologjinë arkivore, si dorëshkrime, dokumente, dipoma, akte dipomatike, bula papnore apo informacione të tjera të sakta, është i pamohueshëm fakti që kjo familje ishte shumë e fuqishme në shekujt XIV e XV duke zotëruar një territor mjaft të gjërë sundimi, në kohën kur familja e Kastriotëve ende nuk kishte dalë në skenën politike, ushtarake dhe shoqërore të kohës. Natyrisht politika e ndjekur nga Dukagjinët gjatë epokës skenderbegiane kërkon një studim të specializuar, të thellë, profesional, duke analizuar rrethanat e kohës si dhe duke ballafaquar burimet dokumentare arkivore me literaturën e kohës, duke shmangur tendenciozitetin dhe njëanshmërinë, që sot shfaqet te amatorët e historisë në forma të ndryshme, deri në skajshmëri ekstreme.

Kësaj radhe nuk kemi për qëllim të debatojmë me të gjithë këta të “ashtuquajtur autorë”, por, po botojmë një diplomë (akt diplomatik) origjinale nga Arkivi Historik i Dubrovnikut.

Diploma që po botojmë me këtë rast është e njohur nga studiuesit dhe historianët, por për herë të parë ajo botohet së bashku me faksimile cilësore, të cilat specialistët e medievistikës dhe paleografisë së sllavishtes së vjetër mund t’i lexojnë lehtësisht (shih ilustrimet nr. 1 dhe 2). Përveç kësaj, botimi është shoqëruar edhe me aparat kritik, përkthim në gjuhën shqipe e transliterim e transkriptim të dorëshkrimit të diplomës (akt diplomatik). Logjika e studimit përcjellës, e bazuar në të gjitha këto elemente shkencore mund të ndiqet lehtësisht jo vetëm nga studiuesit, historianët, medievistët, por edhe nga amatorët e interesuar në këtë fushë dhe historidashësit. Ky botim nxjerr në pah njëherë e mirë botimet joprofesionale dhe joserioze të bëra nga studiues të ndryshëm, e veçanërisht përkthimet në gjuhën shqipe, të cilat lënë shumë për të dëshiruar, sidomos për pasaktësitë dhe perifrazimet e origjinalit, gjë që e kanë shtrembëruar dhe dëmtuar në masë të madhe vlerën historike të kësaj diplome (akt diplomatik).

Diploma origjinale sot ruhet në Arkivin Historik të Dubrovnikut në Dubrovnik me signaturë P. Nr. IV a 67, pra si diplomë e veçantë (me signaturë të vjetër 792), ndërsa më parë (deri në fillim të shek. XX) ruhej në kuadër të fondit: Diversa Cancellarie 1387-1389, P. II, 38, dhe këtu si shtesë nr. 27. Kjo diplomë tani është e regjistruar me titullin: “Lekë Dukagjini fton dubrovnikasit që të bëjnë tregti nëpër tokën e tij“.

Përshkrimi fizik i diplomës (aktit diplomatik)

Diploma (akti diplomatik) është i shkruar në letër gjysëm-karton. Dimensionet e diplomës janë: 19.6 x 8.9 cm ndërsa dimensioent e tekstit janë: 17.7 x 6 cm.

Për herë të parë, kjo diplomë është botuar në vitin 1862. Pas këtij botimi kanë pasuar ribotime të shumta (shih: Puciq 1862, Mijatoviq 1881, Novakoviq 1912, Shuflaj 1918, Shllaku 1940, Burime 1962), po asnjëherë korrekte dhe me gabime e lëshime të ndjeshme. 

Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës

Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale me signaturë: Wiena 792 ose P. nr. IV a 67, është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit, medievistët, historianët e paleografët e cirilikës, e sidomos për ata që nuk janë specialistë të paleografisë sllave, asaj cirilike e glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imët dhe në disa raste, shenjat e veçanta të logofetit ose scribes-it, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin. Pra, teksti i diplomës lexohet me vështirësi për shkak të shkurtesave të shumta si dhe gjuhës e drejtshkrimit jo të saktë të përdorur nga logofeti/scribes-i, që ka shkruar këtë diplomë. Ky fakt lë të kuptohet se logofeti/scribes-i nuk ka qenë sllav, po shqiptar që ka punuar në kancellarinë e familjes Dukagjini, që ka njohur gjuhën sllave si dhe shkrim-leximin e saj. Kjo diplomë me karakterin e një dokumenti publik (akti diplomatik) mban në vetvete të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike. 

Teksti i diplomës

Teksti i diplomës është shkruar në pesë rreshta ngjyrë kafe, e cila i ka përballuar një kohe të gjatë tashmë prej 631 vjetëve. Në të djathtë poshtë me laps plumbi është shënuar në fund të shek. XIX: h. si D. Cancellar. 1388-1389, (numri 8 te viti 1388 ka të shënuar numrin 7 që lë të kuptohet se logofeti/scribes-i, e ka shkruar gabimisht vitin, gjë që vërehet edhe nga datimi i diplomës /aktit diplomatik/).

Vula e diplomës

Në të majtë të diplomës, poshtë tekstit, vërehen gjurmët e vulës prej dylli të kuq, që për fat të keq tani nuk është më! Vula ka qenë e vendosur në anën e pasme (verso) të diplomës. Dimensionet e gjurmës së vulës janë: 1.6 x 1.8 cm. Kurse perimetri është 5.2 cm. (Këto të dhëna na i ka saktësuar dr. Niksha Selmani nga Arkivi i Dubrovnikut, të cilin e falenderojmë publikisht). Siç mund të vërehet në diplomën origjinale, vula ka qenë e tipit të shtypur në letër, sipër së cilës ka qenë një letër e bardhë e hollë e ngjitur nëpërmjet shpimit të letrës bazë (shih ilustrimin 1 dhe 2), ngjashëm me vulat e fisnikëve të tjerë shqiptarë: Balshajve, Topiasve, Spanëve, Muzakëve, Kastriotëve… etj.

Diploma në verso

Në verso, në pjesën e pasme të diplomës, diploma ka të shënuar në dy rreshta një tekst me këtë përmbajtje: “/1/ † Vlastelome čestenoga /2/ grad Dubrovenika” ndërsa në mes të fjalëve grad () Dubrovnika vërehet se ka qenë e vendosur vula prej dylli të kuq. Në mes të faqes verso është vula e Arkivit Historik të Dubrovnikut nga fundshekulli XIX.

Diploma ka qenë e palosur katër herë: një herë horizontalisht dhe tre herë vertikalisht, gjë që vërehet në ilustrimin nr. 2. Në pjesën e tretë të thyerjes nga palosja vërehet gjurma e vulës, e cila lë të kuptohet se kjo letër ka qenë e mbyllur me vulë. Diploma është në gjendje të mirë dhe nuk ka pasur nevojë të restaurohet. 

Filigranes

Duke analizuar me kujdes letrën e diplomës, poshtë në të djathtë mund të vërehet një pjesë e filigranes (shenjës së ujit), që është e pamjaftueshme për të kuptuar të gjithë shenjën (figurën) përkatëse të filigranit. 

Në vijim po sjellim tanskriptimin e diplomës. Me numrat në kllapa të drejta kemi shënuar fillimin e rreshtit sipas origjinalit të tekstit në diplomë. Kurse në përkthim, në kllapa të vogla, me shkronja të pjerrëta (italike), kemi shënuar fjalët e origjinalit të tekstit sllavisht, por që ia humbin kuptimin fjalisë po të përkthehen fjalë për fjalë. Pra kemi shënuar të dyja variantet e mundshme: atë të përkthimit fjalë për fjalë sipas origjinalit dhe përkthimin sipas kuptimit.

Tranksriptimi i origjinalit në sllavisht:

/1/ † Ode Leke Dukagin i Pavla brat mu vlasteome čestioga grad Dubrovni –

/2/ ka pišu vera vi moja i moga brat gerdet slobodno po moei zemli ne boite se niša 

/3/ a ere e za carinu davaite si zakonenu carinu šo ste i prege davli ineme

vlastelome 

/4/ koi su prege nastojeki na teme meste bil a inedoga strah se ne boite ere se

umirihe 

/5/ s tureci i boga vi vesli

Ne verso:

 /1/ † Vlaste lome čestenoga 

/2/grad Dubrovenika

Die penultimo Dec. 1387

Përkthimi në gjuhën shqipe:

† Nga Lekë Dukagjini e Pali vëllai i tij. 

Fisnikërisë së nderuar të qytetit të Dubrovnikut. 

Ju shkruaj në besën time dhe të vëllait tim të kaloni lirisht nëpër tokën time pa iu frikësuar asgjëje dhe për doganë duhet të jepni (paguani, m.a.) sipas ligjit doganën (taksën doganore, m.a.) që ua keni dhënë edhe më parë atyre fisnikëve që më parë kanë banuar (sunduar, m.a.) në këtë vend dhe pa asnjë frikë dhe pa asnjë dyshim, sepse jam pajtuar me turqit dhe në Zotin ju gëzuar (Zoti ju gëzoftë, m.a.).

Në verso:

† Fisnikërisë së lartësuar (nderuar, m.a.) 

të qytetit të Dubrovnikut

30 dhjetor 1387

Paraqitja paleografiko-diplomatike e diplomës

Duke qenë se editimi ynë bëhet sipas kritereve bashkëkohore shkencore, ne po sjellim një studim paleografiko-diplomatik të kësaj diplome mesjetare, përkatësisht të fundit të shek. XIV.

Në fillim të diplomës është i shënuar invokacioni simbolik, që në këtë rast na paraqitet në formën e një kryqi të tejzgjatur deri në rreshtin e dytë të tekstit, që është tregues i nënshtrimit të pushtetit real të Dukagjinëve ndaj atij kishtar, duke treguar besnikëri absolute ndaj kishës.

Invokacioni verbal që përdoret në këtë diplomë, është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit në diploma të tilla të lëshuara nga kancelaria sllave. Me këtë i rritej vlera diplomës (aktit diplomatik) duke dëshiruar që të arrihej qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, invokacioni verbal është i shprehur në formën: “në besën time dhe të vëllait tim të kaloni lirisht nëpër tokën time”. 

Menjëherë në vijim është intitulacioni që është i shkurtër fare: “Nga Lekë Dukagjini e Pali, vëllai i tij”. Kjo është një shprehje e zakonshme e kohës për fisnikët shqiptarë, të cilët, kur u drejtohen fisnikëve të tjerë apo komunave (shteteve) të kohës, shkruajnë emrin personal të tyre dhe pothuajse çdo herë të shoqëruar edhe nga një person i dytë i familjes, vëllai, xhaxhai, kurshëriri i parë, e në raste të rralla, gruaja ose motra. Në këtë rast, te kjo diplomë, Lekë Dukagjini, që mendohet të jetë i pari me këtë emër, përkrah emrit të tij shënon edhe emrin e të vëllait Palit. Më këtë rast duhet të theksojmë se nuk është fjala për Lekë Dukagjinin e kohës së Skenderbeut, por për të atin e tij, ose ndoshta gjyshin e tij.

Në vijim, Lekë Dukagjini i siguron dubrovnikasit në formën e njohur të së drejtës zakonore shqiptare, se ai është garant për kalimin e tyre nëpër territorin ku ai sundon, me kusht që ata të respektojnë obligimet e tyre, pra të paguajnë doganën. Ky pohim në dukje të parë nuk duket shumë i rëndësishëm, por nëse e studiojmë me kujdes do të vërejmë se është një dëshmi e pakundërshtueshme se familja fisnike feudale e Dukagjinasve ka rrënjë të lashta fisnikërie shqiptare dhe se ata ishin krenarë për këtë gjë.

Kurse dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e diplomës (aktit diplomatik), i cili në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën ku Leka në mënyrë bindëse i siguron dubrovnikasit se ata mund të vijnë në territoret që ai sundon “pa asnjë frikë dhe pa asnjë dyshim, sepse jam pajtuar me turqit”, shprehet ai.

  Në ekspozicion (narracion) janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik ku Leka pohon: “kaloni lirisht nëpër tokën time pa iu frikësuar asgjëje dhe për doganë duhet të jepni sipas ligjit doganën që ua keni dhënë edhe më parë atyre fisnikëve që më parë kanë sunduar (…) sepse jam pajtuar me turqit”. Me sundues të mëparshëm, Lekë Dukagjini nënkupton sunduesit serbë, përkatësisht carin Dushan, gjatë kohës që kishte pushtuar Shqipërinë mesjetare.

Kjo diplomë (akt diplomatik) nuk e ka të shënuar datën e lëshimit të saj. Rreth datimit kemi një përshtjellim, që përfundimisht u zgjidh duke shfrytëzuar fondin e dokumenteve origjinale ku ruhej kjo diplomë më herët. Edhe më parë është shënuar data 30 dhjetor 1387, por pa u saktësuar dhe sqaruar se nga është nxjerrë kjo datë. Duke mos pasur datën e lëshimit, të gjithë që janë marrë me këtë diplomë kanë shënuar si datë të lëshimit, datën e pranimit, përkatësisht të regjistrimit si diplomë e pranuar pranë kancelarisë raguzane, që është data 30 dhjetor 1387. Kjo nuk  është data e lëshimit të kësaj diplome nga Lekë Dukagjini, përkatësisht data e shkrimit të diplomës nga logofeti/scribes-i i Lekës. 

Duke mos qenë në gjendje të saktësojmë datën e lëshimit, edhe ne kemi pranuar si datë të kësaj diplome datën e lartcekur, edhe pse të vetëdijshëm se kjo diplomë (akt diplomatik) është shkruar të paktën 15-30 ditë më herët. Në fondin Diversa Cancellariae (1387-1389), vëll. 27, f. 69v të Arkivit Historik të Dubrovnikut është shënimi i pranimit të letrës së Lekë e Pal Dukagjinit në kancelarinë zyrtare të Raguzës. Shënimi është i treti me radhë, pra kryerreshti i tretë, në fund të faqes dhe ka gjithsej 3 rradhë tekst (shih ilustrimin nr. 3) me këtë përmbajtje (transkriptimi në latinisht): “Ista littera sclavica fuit hic posita, de mandato domini rectoris et consilii que continet quod merchatores Ragusini possint ire securi per terrenum dominorum Leche et Pauli Ducadini ut patet in littera”. Përkthimi në shqip i këtij teksti është: “Kjo letër sklavike (sic! lexo: çirilike) u vendos këtu me urdhër të z. rektor dhe të këshillit, e cila përmban që tregtarët e Raguzës mund të shkojnë të sigurt nëpër territorin e zotërinjve Lekë e Pal Dukadini (sic! lexo: Dukagjini, në origjinal është: Dukadini), siç shënohet në letër”. Nga diploma që po botojmë, pohohet se: “me urdhër të rektorit po rregjistrojmë letrën e depozituar”. Ne kemi konsultuar edhe diploma të tjera të familjes Dukagjini në sllavisht që ruhen në Arkivin Historik të Dubrovnikut, po nuk kemi arritur të nxjerrim informacione të sakta në lidhje me këtë çështje.

E pazbardhur mbetet edhe çështja e autorit të shkrimit të diplomës – logofetit/scribes-it, i cili nuk e shënon në fund emrin e tij, sikurse nuk ka shënuar as datën dhe as vendin e lëshimit. Pra, ne nuk kemi njohuri se në cilin qytet apo pjesë të sundimit të Lekë Dukagjinit është lëshuar kjo diplomë.

Kësaj diplome i mungon edhe elementi i përforcimit, që është i zakonshëm pothuajse në të gjitha diplomat e tjera të kësaj periudhe në gjuhën sllave që njohim deri me sot.

Përveç elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik i mungojnë edhe disa pjesë standarte apo klishe, të cilat i ndeshim në diploma të ngjashme nga e njëjta periudhë. Megjithatë këto mungesa nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e kësaj diplome.

Sipas burimeve arkivore që ruhen në Arkivin Historik të Dubrovnikut, familja Dukagjini përmendet për herë të parë në histori në shek. IX. Natyrisht që ky burim duhet studiuar, verifikuar dhe ballafaquar edhe me burime e literaturë tjetër për të vërtetuar saktësinë e tij. Kjo familje, si të gjitha familjet fisnike feudale shqiptare kishte ngritjet e rëniet e saj. Po ashtu kjo familje gjithnjë sipas burimeve të shkruara arkivore është me rrënjë të mirëfillta shqiptare. Ajo ka luftuar kundër armiqve e pushtuesve të huaj bizantinë, sllavë e osmanë, por ka bërë edhe luftëra lokale kundër feudalëve shqiptarë, për zgjerim territoresh, për rritje ndikimi apo edhe për të “ruajtur nderin” siç ishte rasti me Lekë Zaharinë. Ajo ka pasur marrëdhënie diplomatike me shumë komuna (shtete) e njësi të tjera politike të kohës në Europë, Dalmaci e me fisnikë shqiptarë si dhe me fqinjë të tjerë jo-shqiptarë. Ajo ka njohur në më shumë se një rast vasalitetin e sundimtarëve të huaj, si të Republikës së Venedikut, Perandorisë Osmane, mbretit Alfonsi V etj., ngjashëm me fisnikët e tjerë shqiptarë. Dukagjinasit ishin besimtarë të devotshëm, por kemi rastin kur kërcënohen me çkishërim nga papa në rastin e konfliktit me Gj. K. Skënderbeun. Ata patën më shumë se një pinjoll që pranoi fenë islame, dhe që u ngritën në hierakinë sunduese të Perandorisë Osmane, ashtu si shumë fisnikë të tjerë shqiptarë, siç ishte edhe rasti i p.sh. Gjergj Kastriotit Skenderbeut, nipit të tij Hamzait, Ballaban Pashës, ose Topiasit, Spanët, Muzakajt etj. Ata lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare, sidomos me “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, i cili bashkë me kanunet e tjera si  “Kanunin e Skenderbeut”, përbëjnë një kontribut të paçmueshëm për të drejtën zakonore, por edhe të drejtën në përgjithësi në trojet shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Arkivi i Dubrovnikut, Dukagjinet, Prof.Dr. Musa Ahmeti

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT