• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROMETHEU I KADARESE

December 18, 2012 by dgreca

Prometheu në të parën dhe të vetmen tragjedi të shkrimtarit shqiptar Kadare, edhe në Olymp stinë e mërzitshme/

Nga Çerçiz Loloçi/

1.
Pas botimin në frëngjisht, siç ngjet rëndom me një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë së tij në dy dekadat e fundit, është publikuar në shqip e para dhe e vetmja pjesë teatrale e Ismail Kadaresë “Stinë e mërzitshme në Olymp”, një tragjedi e pesëmbëdhjetë hyjnive që zbulohen përpara lexuesit në katërmbëdhjetë akte. E destinuar për t’u vënë në skenë, “Stina…” është luajtur në fragmente të saj nga një trupë franceze e Lionit si dhe nga trupa shqiptare e Teatrit Kombëtar, por përtej shfaqjeve ajo ruan të tjera befasi në faqet e librit. Prometheu, një prej figurave më sipërane dhe më enigmatike të mitologjisë greke, figurë qendrore në këtë tragjedi moderne, duket se ka përmbushur një brengë të përhershme të autorit, teksa shfaqet në mënyrë të plotë dhe gjithështerruese.
Prometheu, një figurë e kahershme e antikitetit, pa qenë ndër hyjnitë më të sipërpërmendur të asaj kohe të largët, do të shndërrohej megjithatë ndër protagonistët më elitarë të postmitologjisë jo aq për akt-dhurimin e zjarrit në komunitetin njerëzor por sidomos për rebelimin e parë antiperëndi ku shembëlltyrat e tjera të mëvonshëm nuk do të ishin gjë tjetër veçse kopje të zbehta dhe të paplota. Duke qenë vetë perëndi, ai vjen e konfliktohet me kryeperëndinë, Zeusin, jo thjesht për t’i ngritur vetes një përmendore përjetmësisht të rrejshme, (çka nuk ka ndodhur me të tjerë zotër dhe bij të perëndisë, Krisht apo Muhamet), por sepse më shumë se të gjitha hyjnitë ai ka zbuluar sekretin e madh se nuk ka jetë qiellore pa atë tokësore. Dy testamentet po aq të hershme të besimit kristian dhe të atij musliman, (si edhe të besimeve të tjera ndoshta më të hershme por më pak të populluara), me të dërguarit e tyre respektivë nuk kanë qoftë edhe një resht ngritjekrye prometheiane, megjithëse kanë të ngjizur sakrifikimin e tij për botën njerëzore. Buda, Krishti, Muhameti, të plotëfuqishëm të tjerë të perëndisë, teksa kanë përsosur misionin prometeik të shërbestarit ndaj njerëzimit, asnjëherë nuk kanë vënë në dyshim se diçka nuk shkon mirë edhe te kryezotat e tyre. Titani i mitologjisë, përveç që e cilëson Zeusin si tiran të pashpirt, përshkruan gjithashtu edhe ardhjen kriminale të tij në majë të kupolës qiellore përmes vrasjeve dhe krimeve të tmerrshme, përfshi edhe sakrifikimin monstruoz të të atit, Kronosit. 
Pra, Prometheu, duke qenë i këtyre përmasave kozmike, detyrimisht që ka trazuar shumë personalitete të letrave në të gjitha kohët. Një prej studiuesve francezë, Erik Faje, në parathënien shoqëruese të tragjedisë, përmend disa prej autorëve të mëdhenj që kanë për bazë mitin e Prometheut. “Në shekullin e dytë para Jezu Krishtit autori latin Lucius Accius, i cili pëlqente të imitonte tragjeditë e sivëllezërve të tij grekë, u pri, gjithashtu, nga figura e titanit Promethe. Lucien de Samosate, në fillimet e erës sonë mori përsëri këtë figurë, por në mënyrë satirike. Ndër shkrimtarët modernë, Volteri e rishqyrtoi atë te “Pandora”, Calderon de la Barca te “Statuja e Prometheut” e kështu me radhë gjermanët e anglezët që nga Wieland te Gëte e nga Bajroni te Shelly e që prej këtij të fundit kemi një dramë me katër akte “Prometheu i çliruar”. Ndërkaq Eskili ka një variant tjetër të pahumbur me “Prometheun e mbërthyer”, si një pjesë e një triologjie homonime ku dy prej tyre “Prometheu i çliruar” dhe “Prometheu në Olymp” u zhdukën në rrethana krejt misterioze e të pashpjegueshme së bashku me pjesën më të konsiderueshme të krijimtarisë së tij. 

2.
Kontaktet dhe pikëtakimet e Kadaresë me humbësin dhe kolosin e madh të antikitetit, Eskilin, ravgojnë çprej fëmijërisë, nga qytetlindja e autorit ku mitet dhe ndodhitë e zakonshme përziheshin krejt natyrshëm dhe pa kurrfarë sforcimi. Vargje të tëra të shkrimtarëve antikë, fragmente dramash, tragjedish e komedish, balada, legjenda, rituale dasmash e vdekjesh, histori të frikshme që ndiqnin një rrjedhë zinxhir si shtëpitë e rrasura nguc e nguc ishin atje, në kryeqendrën jugore, shqip dhe greqisht, pa të cilat s’mund të kuptohej asnjë fëmijëri. Pastaj, në moshë ta madhuar, tridhjetë e një vjeçar, Kadare do të provonte të shkruante një variant të vetin prometheian ku titani i braktisur është mbërthyer në një shkëmb kaukazian me shpretkë të zmadhuar dhe me shpresën e ardhjes së shkabës çukitëse. Shfaqja e shpendit, çukitja e shpretkës së stërmadhe liron përkohësisht Prometheun për ta degdisur në një sakrifikim tjetër. Tregimi tjetër i po atij viti, më i plotë, i strukturuar në tri pjesë si një minitriologji, do të ketë të përmbledhur krejt informacionin për mitin. Një pesëmbëdhjetë vjeçar më pas, autori do të shkruante dhe rishkruante variantin e vet të triologjisë duke parathënë krijimin e madh me parathënien eskiliane dhe përkthimin e Orestias.

3.
“Stinë e mërzitshme në Olymp” duke u fokusuar me jetët dhe punët e fuqive të tejnatyrshme do të përqëndrohet më shumë në sferën qiellore. Dukja e parë: qiell-Olymp; dukja e dytë: gjithmonë qiell; dukja e katërt: qiell; dukja e pestë: qiell-natë; dukja e nëntë: qiell-Olymp; dukja e njëmbëdhjetë: Olymp; dukja e dymbëdhjetë: Olymp, dukja e katërmbëdhjetë: Olymp. Katër skena-dukje zhvillohen në tokë (dukja e tretë, e gjashtë, e shtatë dhe e dhjetë), ndërsa kemi edhe dy dukje të tjera: njëra nëntokë (dukja e trembëdhjetë) dhe dukja e trembëdhjetë që ndodhet përsipër Olympit, në Malin e Bardhë. Pra, tragjedia shpërfaqet në katër rrafshe në funksion të zbërthimit të figurës së Prometheut. Pra kemi katër banesa të ndryshme ku perënditë dhe njerëzit lëvizin në mënyra të ndryshme: më shpejt ecin llumnajat e qënieve që e kanë një cak, vdekjen dhe më ngadalë e më e zymtë ecin zhvillimet në rrafshin qiellor ku ky cak është i panjohur. Siç ngjet me veprat e mëdha, edhe në këtë tragjedi, autori nuk rreket të shpjegojë aktin e vjedhjes së zjarrit prej Olympit dhe përçimi i tij te njerëzit, nuk i kushton vëmendje gjithashtu krimeve të kryera prej tij si gjithë hyjnitë, por duket se e fut lexuesin në një fill të mistershëm që zbulohet gradualisht nga akti në akt. Dukja e parë e dramës, megjithëse me personazhe të njohur të sferës qiellore, të krijon ndjesinë e një diçkaje të madhe që ka ndodhur apo që paralajmërohet të ndodhë. Dhe kështu akt pas akti merret vesh grindja e madhe mes Zeusit e titanit të zjarrit, por ndryshe nga çfarë është përshkruar nga autorë të mëparshëm, Kadare zbulon se dhimbjet fizike i përjeton Prometheu, ndërsa ankthi i pafund gjendet te kryezoti, Zeusi. Studiuesi i Kadaresë vëren me të drejtë se autori “na jep këtu gjithë përmasat e lirisë krijuese; ai kontrollon me kujdes të madh jo vetëm rubinetat e rrjedhjes së kohës, por edhe tri zonat e mëdha të perandorisë krijuese: sipërfaqen tokësore ku Prometheu është mbërthyer dhe ku njerëzit po qytetërohen, nëntokën, vendbanimin e zotit të Ferrit, pra themelet e botës ku është hedhur titani dhe qiellin, përmes të cilit qarkullojnë perënditë dhe shkabat… por në këtë qiell klasik është futur një nocion me kurorë misteri, ai i një qendre, instancë e lartë për të cilën s’dihet asgjë, por së cilës i binden të gjithë duke filluar nga vetë Zeusi…kemi kështu një akt të ri në hierarkinë e fuqive superiore, diku në kozmos, si për të ngritur statusin e një vrime të humbur të provincës tokësore”.

Të tjerë për Kadarenë
Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët.
Bruce Bauer, Wall Street Journal

Proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriel Garsia Markesit.
Los Angeles Times Book Review

E kemi thënë më parë dhe do ta themi prapë: kur do ta njohë Stokholmi kalibrin e jashtëzakonshëm të këtij shekulli?
Figaro Litteraire, Paris

E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Oruellin. Por ai i Kadaresë është zë original, universal e prapë me rrënjë të thella në tokën e vet. 
Shusha Guppy, Indipendent on Sunday

Kadare është i rrahur në të gjitha dallgët e artit modern bashkëkohor. Veçse ai gëzon avantazhin e madh që kurrë të mos ketë pasur nevojë të çajë kryet për recezentët gjermanë. Ai ka mundur ta mbrojë veshjen e artit të tij nga gjithë luspat e shëmtuara të “izamve” zhurmëmëdha, aq shumë të çmuara prej doktorëve tanë të kritikës… Vepra e tij, sa ç’është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim.
Michael Kleeberg, “Die Welt”, korrik 2002

Gjëja më ideale në letërsi është kur lexon diçka të sapobotuar dhe e kupton që kjo do të bëhet klasike. Kjo gjë ideale ka për titull romanin “Përballë pasqyrës së një gruaje” dhe i përket më të madhit shkrimtar të gjallë të kohës, Ismail Kadaresë.
Guillaume Allary, “Elle”, korrik 2002

Lexuesi amerikan sapo mori në dorë romanin e ri të mrekullueshmë të Ismail Kadaresë “Lulet e ftohta të marsit”.
Jonathan Levi, “Los Angeles Times”, korrik 2002

Çdo vit, pothuaj gjatë një dhjetëvjeçari, Kadareja u ka dhënë lexuesve të vet nga një roman, që i befason dhe i shtang ata, i prek në shpirt, u ngjall ndjenja e mendime të thella… Ka ardhur koha që Kadareja ta marrë çmimin që e meriton… Jepjani Kadaresë çmimin Nobel!
Magazine litteraire”, Paris.

Filed Under: Kulture Tagged With: Cerciz Loloci, olimpi, Prometheu i kadarese

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT