• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Studentët vazhdojne protestat, sot para ambasades amerikane

January 8, 2019 by dgreca

1 protesta-studenteve14Studentet, sot protestë tek Ambasada amerikane: Tërhiqi veshin Kryeministrit/

1 ProtestaStudentët e universiteteve publike rifilluan dje protestat me kërkesat e tyre ekonomike dhe akademike, duke mbushur plot një muaj bojkot të auditoreve.Ata kërkojnë uljen e tarifave universitare, rritjen e buxhetit për arsimin dhe pjesëmarrje në institucionet vendim-marrëse të universiteteve.

Qeveria mori një seri vendimesh për studentët në mbledhjen e fundit, por studentët pohojnë se ato nuk i plotësojnë kërkesat e tyre.Në mbledhjen e fundit të dhjetorit qeveria mori 11 vendime për studentët e rezultateve të larta dhe ata në nevojë, që do të përfitojnë arsim falas dhe bursa mujore. Për studentët e programeve master me rezultate të larta tarifa ulet 50%.

Studentët nga familje në ndihmë ekonomike, të verbrit, paraplegjikë e tetraplegjikë financohen tani nga shteti 100% në tarifën e regjistrimit. Po ashtu edhe studentët me nota të larta në çdo program studimi.

Studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me kusht që gjatë studimeve të mbajnë një mesatare mbi 6 të notave.Tarifat e studimeve master paguhen 50 për qind nga qeveria për studentët me nota të larta, ata nga familje në ndihmë ekonomike, të verbrit, paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimë, fëmijët e policëve të vrarë.Vendimet e tjera parashikojnë përfitime të ndryshme në jetën konviktore dhe në atë të auditoreve, transparencën buxhetore dhe atë akademike në lidhje me pedagogët.Por studentët rifilluan protestat, sepse, siç thonë, kërkesat e tyre kanë të bëjnë me të drejtat e tyre universale njerëzore për shkollim dhe jo një sistem shpërblimesh për më të mirët, siç e sheh qeveria çëshjten.Ata kërkojnë uljen e tarifave në mënyrë të njëtrajtshme për të gjithë studentët.

SOT, protestë tek Ambasada amerikane: Tërhiqi veshin Kryeministrit

Media e Tiranes sot jep kete njoftim: Në një lëvizje surprizë, studentët e kanë zhvendosur protestën mesditën e sotme (8 janar 2019) drejt Ambasadës amerikane.Qëndrimi tyre zgjati vetëm pak minuta dhe protesta ishte e karakterit simbolik. Ajo u monitorua nga forca të shumta policie.

Ndryshe nga ditët e tjera, kjo e martë e protestës së studentëve solli një zhvillim tjetër.  Disa studentë të Universitetit të Politeknikut kanë hyrë në mësim në orën  e parë së bashku me pedagogët, por mësimi është ndërprerë për shkak të pjesmarrjes së pakët të studentëve.

Ndërsa në fakultetin e Histori-Filologjisë, në disa auditore ishte duke u zhvilluar mësim.

Mësim kanë zhvilluar edhe fakulteti i Juridikut. Por, vetë studentët thonë se kanë marrë kërcënime dhe presione për rikthimin në auditore.

Këtë të martë protesta para Kryeministrisë nisi më vonë se ditët e tjera. Edhe pse në temperatura të ulëta, studentët u grumbulluan për qëllimin e tyre të përbashkët, plotësimin e pikave të tyre me miratim në Parlament.

Më tej studentët nisin marshimin nga Kryeministria drejt Ambasadës amerikane, Presidencës dhe Rektoratit.

Studenti: “I kërkojmë mbështetje Ambasadës amerikane që të gjithë këta studentë të jenë të sigurtë dhe pas protestës. Kanë filluar dhe po bëhen kërcënime, kërkojmë nga Ambasada të monitorojnë protestën. Presim përgjigje, sepse edhe brenda Ambasadës amerikane ka njerëz që nuk e duan këtë protestë. Do të jetë një qëndresë simbolike. Më pas do marshojmë sërish te Politekniku, Kryeministria”.

Studenti: “Ne duam ligj, duam pozitë dhe opozitë të mblidhen atje në Parlament  në seancë të jashtëzakonshme ta kalojnë me 3/5 kërkesat tona dhe ngërçi të zgjidhet. Pasi shteti nuk po na jep zgjidhje kërkojmë ndihmën e shtetit  më të fuqishëm, aleatit më të madh të shqiptarëve. Kush më shumë se Ambasada amerikane mund ti tërheqë veshin atij që tallet me studentët, të ardhmen e kombit”.

Lidhur me protestën e studentëve dhe bojkotin e auditoreve ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Në një postim në twitter Rama thotë se “pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dizinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të Universitetit!”

Rama iu kërkon studentëve që të mos paguajnë më shumë se 50% të tarifës së studimit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: PARTITË, Protesta, studentet

Protesta për Teatrin dhe Dy të papritura

July 28, 2018 by dgreca

2 Lindita-KomaniNGA LINDITA KOMANI/

Të papriturat e mrekullueshme janë ato që e bëjnë një protestë të vërtetë. Kaq kemi parë në këtë Shqipëri në gjithë këto vite protestash që përpiqen të manipulohen. Vetëm kur ato dalin nga duart e atyre që duan të fitojnë kapital politik prej tyre, ato janë realisht të mrekullueshme.

Dje ndodhën dy të papritura lidhur me protestën te Teatri. E para ndodhi pikërisht aty, në sheshin e Teatrit. Errësira kishte zbritur dhe edhe toni i fjalimeve kishte zbritur bashkë me të, një rutinë që po çohej deri në fund duke qenë se disa nga emrat që i kanë dhënë shpirt asaj në këto javë nuk po e merrnin ende fjalën. Nga larg u dëgjuan tringëllima e britma e muzikë. Ngjante si një protestë alternativë që po afrohej e po afrohej. Befas shihet në vrap e sipër aktori Alert Çeloaliaj që shkon drejt artistëve organizatorë të protestës për të lajmëruar se ç’po ndodhte. Kur pa u dhënë mirë lajmi me mikrofon, u panë ata, çiklistët e Critical Mass Tirana, protestuesit e palodhur të nismës që kërkon më shumë hapësirë për biçikletat në Tiranë dhe që e bëjnë këtë që prej 10 vitesh. Ata kanë qenë për kryetarin e bashkisë një justifikim i mjaftueshëm për të bërë ndërhyrje të rëndësishme në rrugët kryesore të Tiranës për të shtuar korsi biçikletash. Dhe ja pikërisht ata, me vrull e nën tingujt e grupit Troja, duke tringëllirë zilet e biçikletave, u bënë e papritura e parë e mrekullueshme e mbrëmjes. Ashtu siç i ka pas qejf kryetari i bashkisë njëherë vaktit që t’i bënte protestat, trendy, cool, të paharrueshme. Por ndryshe nga të tijat që ishin me laps e letër të programuara e të financuara me para të huaja, kjo ndodhi nga indinjata e qytetarëve që u bashkuan me qytetarë të tjerë në sheshin e Teatrit. Pa i paguar njeri.

E dyta e papritur ndodhi më vonë në një lokal shumë të frekuentuar në zonën e pedonales, ai që pikërisht sheh për nga rrënojat e Tiranës antike, ato që mund të ishin flijuar që në kohën kur u zbuluan, teksa u hap toka ku ato flinin, për të ngritur kullë mbi të. Me një shoqe, pjesë e nismës Critical Mass Tirana, u ulëm për një birrë për të pothuajse festuar arritjen e parë për Teatrin. Pikërisht në këtë lokal, duke parë përqark e duke sjellë në mend e në bisedë edhe sesa e stërmbushur me njerëz ishte Pedonalja ndërkohë që në anën tjetër te Teatrit Eksperimental zhvillohej protesta, ndodhi e papritura. Një djalë i ri kamarier, duke dëgjuar fjalët tona të indinjatës ndaj të rinjve që e marrin për të mirëqenë lirinë duke e keqkuptuar më së pari atë dhe duke e lidhur me lirinë e seksit dhe përgjithësisht të të bërit qejf e të shijuarit te jetës pa kufizime, ndërhyri e tha: Po ju dëgjoja. Nuk është tamam ashtu. Unë kam ardhur në protestë sa herë kam qenë turni i parë por sot jam turni i dytë. Nuk vija dot. Të rinjtë janë të manipuluar. Ti sheh 17-18 vjeçarë që përfshihen në parti politike dhe as nuk e dijnë se çfarë bëjnë. Pastaj të tjerë që rrijnë kot. Unë dua vetëm të iki. Studioj për inxhinjeri mekanike. I kërkova ndjesë menjëherë dhe e falenderova që na foli. Dhe po reflektoja me veten për si është ndarë aktualisht rinia, në rininë indiferente që mbush në mënyrë të turpshme lokalet pa iu bërë vonë që po digjet e nuk po piqet e nuk e kupton këtë, në rininë e angazhuar dhe të keqshfrytëzuar nga politika në mënyra të gjithfarësojshme deri edhe si kamikaze për aksione të shëmtuara, në rininë e angazhuar por njëkohësisht të zhgënjyer që vepron por nuk duket sepse është në qoshe, e paemër, e pashpresë dhe me sytë për nga jashtë.

Meqë në këtë kohë edhe po shkruaj për këtë temë në formë letrare, të dy keto të papritura përbënë deri më sot shenjat më të rëndësishme për mua që kjo protestë ka gjallërinë, spontanitetin e mrekullueshëm dhe vërtetësinë me vete që mund ta japë vetëm rinia e angazhuar dhe njëkohësisht e zhgënjyer dhe e indinjuar, përtej pjekurisë së fjalës e mendimit që mund ta japë intelekti i atyre që janë më të rritur e të arrirë në profesionet që bëjnë, përfshi këtu edhe artistët regjizorë e aktorë që nën presion por pa u përkulur e kanë vazhduar protestën dhe kjo jo vetëm në 2018 por që prej 20 vitesh. Aktorët e keqpërdorur, kryetari i bashkisë zgjodhi t’i vdiste dje. Fotot e tyre në paraqitjen që bëri në faqen e vet në Facebook, i vijëzoi me të bardha si bëhen kufomat e të vdekurve në skenat e krimit. Policët afrohen, nxjerrin mjetet e punës, shënojnë kufomat për të fiksuar formën e rrëzimit dhe prehjes së tyre përdhe dhe vazhdojnë me punën për të identifikuar vrasësit dhe për të çuar para gjyqit fajtorët. Kryetari i bashkisë edhe i vrau, edhe i shënoi kufomat dhe tani po i ekspozon si trofe fitoreje të vrarët nga pushteti. Kjo arrogancë, pandjeshmëri, tërbim prej pushtetari ndaj popullit të cilin refuzon ta dëgjojë e jo më t’ia respektojë vullnetin, e nxorri atë krejtësisht në skenë se si është në të vërtetë. Asnjë pemë që do të mbjellë nuk do të mbulojë dot vrasjen e Ardit Gjoklajt të mirë në landfill teksa përpiqej për vete e për motrën për të siguruar lekët për shkollë, tashmë qindra lejet e ndërtimit që ka lëshuar dhe përpjekjen e tij pa ndalim për ta shkatërruar teatrin. Para 15 vitesh ai ishte një djalë i ri që i thoshte”Mjaft” korrupsionit e paturpësive të mundshme të pushtetit me aspirata të qarta për të hyrë në politike dhe sot, vetëm 15 vite më vonë, ç’ka mbetur nga ai dhe shkëlqimi me të cilin u vesh e u paraqit para njerëzve? Të rinjtë me biçikleta i këndojnë këngën e grupit “Troja” jo larg nga ndërtesa e bashkisë:

-Demokraci! Demokraci! Demokraci! Demokraci! …

Qysh thirret sistemi ku njerzt s’guxojnë me thanë atë që po menojnë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku gazetartë s’guxojnë me kallxu ç’ka po ndodhë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ligji vlen veç për ty?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku nuk ka hic Demokraci?

Qysh thirret sistemi ku kriminelet e udhëheqin një shoqni?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku n’modë janë xhipat me xhama t’zi?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s’tlanë me kajtë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku Demokracinë e kanë cu “te dajtë”?

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hase keq “Sharra ne Gozhde”.
E ketë here fajin kujt me ia lanë?

-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit guxojnë me fole.
-Demokraci thirret sistemi ku ligji vlen për krejt njësoj.
-Demokraci thirret sistemi ku votën kërkush s’ ta vjedh.
-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit ma k’si kangë nuk knojnë.

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hasë keq “Sharra në Gozhdë”.
E këtë herë fajin kujt me ia lanë?

Filed Under: Opinion Tagged With: Linda Komani, Protesta, te papriturat

Protesta për Mbrojtjen e Teatrit

July 10, 2018 by dgreca

– Një këndvështrim biznesi /

Nga Lindita KOMANI/

1 703 039 shikues në sezonin 2015/2016 në teatrot e Vjenës (Burgtheater, Theater in der Josephstadt, Raimundtheater, Ronacher, Volkstheater, Kammerspiele, Theater der Jugend, Akademietheater, Theater an der Wien). Në mungesë të një statistike më aktuale, le të supozojmë që kjo shifër të jetë shtuar në total me 100 000 vizitorë, pra shifra të jetë aktualisht pak a shumë në nivelin e popullsisë së qytetit të Vjenës që sipas një statistike të bashkive e komunave ishte 1 867 582 banorë. Mesatarisht pra, vizitat në teatër të qytetarëve të këtij qyteti kanë qenë 1 vizitë/vit për gjithsecilin.
Sipas Instat numri i popullsisë së Tiranës në vitin 2018 është 883 996 banorë. Duke bërë një krahasim me Vjenën, a i kemi ne në Tiranë të paktën 880 000 shikues teatri? Ju lutem të mos qeshim në këtë pikë. I kemi ne 880 000 shikues teatri në sezon ne gjithë skenat që ofron Tirana? Nuk i kemi. Madje nuk dimë sesa sa kemi, dimë vetëm që skenat ekzistuese nuk ofrojnë program të rregullt teatror, të përditshëm, të përjavshëm, me sezone të vërteta me programe dhe paketa biletash që mund të blihen përmes abonimeve, mujore apo vjetore. Përse nuk kemi program? Nuk kemi aktorë, regjizorë, dramaturgë, përkthyes drame? Jo. Kemi mjaftueshëm. E tregon fakti që shumica e atyre që janë diplomuar në këto fusha në Akademinë e Arteve janë pa punë dhe gëzohen për mundësi sporadike për të mbijetuar e për të krijuar një emër si artistë. Përse nuk e kemi programin atëherë? Më e mundshmja është se nuk ka fonde në dispozicion të skenave tona, nga shteti, nga sponsorët privatë. Gjithashtu e mundshme në po të njëjtin nivel është që drejtuesit e institucioneve teatrore janë të paaftë të tërheqin fonde, t’i manaxhojnë mirë, të punojnë mirë me marketingun e shitjen përveç përgatitjes së programit artistik.
Kaq mjafton për ta kuptuar që fokusi i shtetit dhe institucioneve të tij të linjës që kanë të bëjnë me teatrin duhet që në vend që të ishte për ndërtesa teatrosh që ekzistojnë e gjithsesi nuk po mbushen me program të plotë sezonal, të investoheshin për të realizuar sa më shumë shfaqje, për të krijuar një qarkullim të vërtetë ekonomik për institucionet teatrore si biznese të llojit shtetëror që pranojnë edhe fonde private. Të krijoheshin mundësi për artistët sepse skena ekziston e zhvillohet se janë ata më së pari. Artisti ngjitet dhe e bën mrekullinë edhe në një skenë të improvizuar me kosto zero. Sigurisht që skena ka rëndësinë e saj sikurse kanë edhe zyrat për punonjësit në çdo lloj institucioni. Një zyrë e bukur e një mjedis i këndshëm pune e bën më domethënëse përfshirjen e gjithsecilit punonjës në procesin e punës, por nuk janë as kusht i nevojshëm dhe as i mjaftueshëm që rezultati i punës të jetë suksesi. E njëjta gjë vlen edhe për teatrin dhe përfshirjen e artistëve në zhvillimin e suksesit dhe imazhit të tij. Problemi kryesor i përqasjes qeveritare ndaj çështjes së teatrit është se me arrogancë e papërgjegjshmëri i trajton artistët e në përgjithësi qytetarët taksapagues shqiptarë si të ishin injorantë e pa mundësi informimi për të kuptuar si teatri funksionon, qoftë nga ana artistike ashtu edhe ajo e biznesit, në raport me bashkësinë shoqërore ku ai zhvillohet dhe në raport me zhvillimet në shtete të tjerë. Dhe kjo përqasje tërësisht e mbrapshtë që deri më sot është lidhur veçanërisht me arkitekturën e historinë e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, e reflektuar në këtë sulm 20-vjeçar ndaj teatrit, është ajo që revolton këdo që është përfshirë në protestën e drejtë për mbrojtjen e teatrit.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Linda Komani, për Mbrojtjen e Teatrit, Protesta

SHOQATA”ÇAMERIA”, PROTESTE TE SHTUNEN TEK RRUGA E AMBASADAVE

February 20, 2018 by dgreca

Deklarata e Shoqatës “Çamëria”:Ne kemi veç një Atdhe!/1 shoqata-patriotikeShoqata “Çamëria” u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në protestën që organizohet këtë të shtunë, ora 12:00, përpara Rrugës së Ambasadave në Tiranë.Çështja Çame, marrëveshja e detit, varrezat e shqiptarëve që kanë rënë prej genocidit në Greqi dhe ruajtja e identitetit tonë kombëtar, shpikja e minoritetit në zonat thelbësisht shqiptare si.Himara, duhet t’i bashkojnë të gjithë shqiptarët, pavarësisht qëndrimeve të klasës politike. Shqiptarët e Çamërisë janë pjesë krenare e kombit dhe si të pandashëm duhet të kthejmë përgjigje. Ne jemi për një marrëveshje të drejtë e që zgjidhin e qetësojnë problemet, e jo  që krijon probleme më të mëdha. Turpi do t’i mbulojë ata që mendojnë se mund të bëjnë marrëveshje për emrin e Çamërisë, apo që mendojnë se mund të bëjnë një marrëveshje pa reciprocitet, duke cënuar interesat kombëtare me marrëveshjen e detit, për kufijtë tokësorë, për ligjin e luftës, siç bën me ligjin për toponimet, me ligjin për minoritetet, apo me marrëveshjen e turpshme për varrezat, duke harruar që të paktën për palën shqiptare të vdekurit në tokën e tyre në Çamëri të kishin të njëjtën vlerë si ushtarët pushtues grekë.

Çamëria nuk negociohet as nga ju e as nga shtetarët e Përkohshëm, sepse Çamërinë, detin, tokën, varret, kufijtë dhe Shqipëria, nuk janë pronë asnjë qeverie. Ato janë amanet, janë identiteti ynë, e ne me dinjitet kemi veç një mundësi t’ia  lemë brezave.

Ne kemi veç një Atdhe!

Çështja Çame është e gjallë dhe më e fortë se kurrë. Ajo mund të shuhet, vetëm kur të zgjidhet njëherë e mirë me kthimin tonë, të gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar, në trevat e përçunduara nga zervistët dhe neofashistët e vendit fqinj. Fyerjet e vazhdueshme të elitës politike dhe shtetërore greke kundër shqiptarëve nuk mund të lejohen më. Prandaj, ne sot i bëjmë thirrje çdo shqiptari, nga të gjitha trevat, shoqërisë civile t’i bashkohen protestës tonë, ditën e shtunë, në orën 12.00, pranë memorialit të Adem Jasharit, heroit legjendar të trevave tona veriore, që për krenarinë, për ruajtjen e vlerave të identitetit kombëtar, të jemi me një zë të fortë kundër të gjithë atyre, që duan të na nëpërkëmbin, për të treguar që ky vend ka Zot dhe t’i japim një mesazh të qartë kujtdo që mendon se mund të na heshtë, në të drejtat tona kombëtare në trevat tona jugore!

Ne kemi veç një Atdhe!

Rroftë Çamëria!

Filed Under: Kronike Tagged With: Cameria, Deklarata e Shoqatës, Protesta

PROTESTA- Basha: Sot vdes 25 qershori!

January 27, 2018 by dgreca

-Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur/

1 basha-ne-proteste-300x300

 

*Fjalimi i kryetarit demokrat në protestën e 27 janarit/

1 Protesta

Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë.
Kështu e përshkroi Migjeni zgjimin e një populli për të parë dramën e tij.

2 protesta
Një vit më parë, mijëra e mijëra shqiptarë u mblodhëm në këtë shesh për të ndalur të keqen.
Mijëra të tjerë na panë nga larg, duke shpresuar se e keqja nuk ishte e vërtetë.
Sot, ne që jemi këtu shumë më shumë se me 18 shkurt por edhe ata që qëndruan larg, e shohim qartë se e keqja është e vërtetë!

E keqja nuk ikën po nuk u luftua.
E keqja nuk ikën po nuk u bashkuam të gjithë kundër saj.
Dhe ja ku jemi bashkuar sot, në një plebishit popullor nga më madhështorët që ka njohur historia e demokracisë.
Mirë se keni ardhur zonja dhe zotërinj në këtë orë të madhe dhe vendimtare të bashkimit popullor kundër së keqes.
Mirë se keni ardhur në këtë shesh të historisë dhe së ardhmes, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, studentë dhe pedagogë, profesionistë, intelektualë dhe të papunë, të përndjekur dhe pronarë, fermerë dhe sipërmarrës, naftëtarë, minatorë, ambjentalistë, prindër dhe femijë, nga Jugu në Veri, anembanë Shqipërisë!

Jemi bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim:
Për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës!
Për të shpallur solemnisht se nuk e pranojmë më këtë bandë që i shërben vetëm interesat plackitëse të një grushti njerëzish të pasuruar duke vjedhur shqiptarët dhe duke e shndërruar vendin në çerdhe të krimit të organizuar dhe drogës.
Cdo e keqe, nga varfëria tek falimentimi, nga pasiguria tek depresioni, nga papunësia tek eksodi, nga taksat e larta tek çmimet e papërballueshme, nga shpërfillja tek arroganca, të gjitha, burojnë nga një e keqe e madhe: zgjedhjet e blera, qeveria e paligjshme.

Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta.
Sa më shumë ta lemë, aq më keq do të jetë për vendin, për të gjithë shqiptarët.
Ndaj sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e qeverisë së paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme.
Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste. Ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të moshura, nëna e baballarë, deshmoni këtu me praninë tuaj fundin fundin e raporteve politike të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit.

Me këtë protestë, me këtë demostrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë. Shqipëria prej sot ka një raport të ri të forcave politike, një raport të ri mes qytetarit dhe pushtetit.
Sot vdes 25 qershori. Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarit.
Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria i ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës.
Deri dje e dinin vetëm disa.
Sot e dinë të gjithë shqiptarët.
Sot e e ka pare gjithë bota.
Sot kemi zgjedhur të mos vuajmë më thellë e më thellë.
Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë, ta largojmë.
Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama ik.
At Zef Pllumi na mësoi se i mjerë është ai popull që nuk ia del me i zotnue bijtë e vet të këqij.
Shqipëria ka patur bijtë e saj të këqij, por edhe mes tyre pak kanë qenë ata që vunë në jetë projekte kaq antikombëtare për pushtetin e tyre.
Kjo po ndodh sot.

Në Shqipëri po zbatohet një projekt antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë.
Për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur.
Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë.

Vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave.

Vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës.

Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës.

Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.

Vetëm në Afganistan ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës.

Kjo bandë po e realizon projektin e saj për pushtet absolut duke kërkuar të arrijë:
1. Përqëndrimin në pak duar të pushtetit politik dhe ekonomik të vendit;
2. Eksodin e shqiptarëve, zbrazjen dhe shkretimin e Shqipërisë;
3. Izolimin ekonomik dhe politik të vendit, që askush mos ta konkurrojë apo rrezikojë pushtetin e tij.
Hidhni vështrimin dhe shikoni si po shpaloset kudo ky projekt:
Pasuritë publike dhe fondet publike i rrëmbejnë oligarkët, me PPP, me koncesion, me korrupsion.
Shëndetësia, arsimi, nafta, bregdeti, parqet çdo gjë që duhet t’u shërbente shqiptarëve po grabitet nga oligarkët e Ramës.

E gjithë toka e Shqipërisë iu vu në dizpozicion drogës, dhe i gjithë shteti u vu në shërbim të trafikut të drogës, e gjithë policia u kthye në organizatë kriminale.
Me paratë e drogës u blenë zgjedhjet.
Me paratë e drogës tani po blihet ekonomia,
Investitorët e huaj u injoruan, u mbajtën larg.
Ata që ishin në Shqipëri u rrahën dhe u përzunë që oligarkët qe ulen nate per nate ne sofrën e Ramës dhe kriminelët të mos kishin konkurencë.
Qeveria e dëbimit të qytetarëve i nxori tepër shqiptarët në vendin e tyre si asnjeherë tjetër.
Qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite. Ky është dëbim. Nuk është lëvizje e lirë.
Shqipëria kështu vdes.
Ne nuk mund të pranojmë këtë.

Integrimi në Europë u sabotua, sepse futja në Europë është rrezik për pushtetin politik dhe kriminal të kësaj bande.
Njerëzit e thjeshtë u shpërfillën, u përçmuan, u trajtuan me arrogance dhe u dhunuan.
Për t’i frikësuar,
Për t’i bërë të pafuqishëm,
për tjua ulur kokën
Mbi ta po rëndojnë taksat e rritura, çmimet që nuk ndalen dhe dënimet e gjobat e zyrtarëve të shtetit që sillen si plackitës.
Mbi shqiptarët sundon papunësia, sundon varfëria.
Mbi shqiptarët rëndon padrejtësia, standarti i dyfishtë i Ramës që dënon të varfrin dhe të dobtin, mbron të kriminelin dhe hajdutin.
Kujtojmë sot 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes që Edi Rama e arrestoi dhe u çoi në vetëvrasje për një cigare hashash. Për Saimir Tahirin dhe Habilajt që janë kapur me miliona nga trafiku I drogës, Edi Rama ka ngritur shtetin në këmbë që ti mbrojë.

Melita Çenga, infermiere nga Shkodra, Brunilda Meka nga Korça u hoqën nga puna dhe shkuan drejt vetëvrasjes se nuk mbanin dot familjen. Resmije Alla 35 vjeç humbi jetën sepse donte që fëmija e saj azmatik të kishte dritë se nuk kishte mundësi të paguante. Qindra pacientë presin më kot ilacet e premtuara por që nuk vijnë. Sepse Edi Rama i paguan vetëm Vilma Nushit 20 mijë euro në ditë nga taksat e shqiptarëve.

Qamil Zela, i burgosur, i vetëvarur për një borxh prej 3 mijë e 200 lekësh ndaj OSHE-se Arif Doda, Klajdi Muça, Llazar Nasi, Gjovalin Gjini, e dhjetëra të tjerë, i ka çuar Edi Rama drejt vetëvrasjes për faturën e energjisë, por Besos dhe miqve të tij ju fal Miliona euro. Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.

Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.
Për njerëzit e thjeshtë qeveria Edi rama sot ka vetëm dy zgjedhje: eksod ose nënshtrim.
Ose të marrin rrugët e botës
Ose t’i nënshtrohen një bande mizore plaçkitëse, e maskuar me rrobat e babagjyshit të Vitit të Ri, që i grabit, i varfëron, i tall dhe i dhunon.
Në vend të pushtetit të njerëzve, narkokryeministri i do njerëzit janë skllevër të pushtetit.
Skllevër të oligarkëve.
Skllevër të krimit.
Skllevër të mashtrimit
Skllevër të varfërisë.
Ne jemi sot këtu për ta ndalur këtë të keqe.
Që ekonomia e Shqipërisë të mos mbetet në duart e oligarkëve grabitqarë dhe të kriminelëve.
Që qeveria mos të jetë një vegël në shërbimin e tyre.
Që Fatkeqësia dhe mjerimi i një brezi mos t’i kalohet brezave që vijnë.
Që Shqipëria mos të shkretohet nga braktisja.
Në të shkuarën tonë ne jemi gënjyer shpesh nga e keqja.
Në të shkuarën tonë ne e kemi duruar dhe toleruar gjatë të keqen.
Derisa e keqja na ka rrënuar.
Në të shkuarën ne kemi besuar lehtë.
Jemi gënjyer lehtë.
Dhe nuk kemi menduar gjatë.

Sot në ditën botërore të Holokaustit është e udhës të kujtojmë thënien ogurzezë të Hitlerit: Sa fat i mirë për qeveritë kur njerëzit nuk mendojnë!

Mafia në pushtet shpenzon çdo muaj miliona euro për të gënjyer, për të mashtruar, për të keqinformuar, për të shplarë mendjet e njerëzve.
Mafia në pushtet ka ngritur makinerinë më të madhe të propagandës që ka patur ndonjëherë Shqipëria.
Mafia në pushtet shet çdo ditë të zezën për të të bardhë dhe sulmon këdo që e sheh të zezën.
Propagandë me para droge që tu mbushë mendjen shqiptarëve se policia bëhet duke veshur kriminelët me uniforma firmato policie.
Se avionët e drogës janë mushkonja dhe kanabisi që shikonin kudo imagjinatë dhe jo realitet.
Se trafikantët dhe përdhunuesit janë deputetë dhe kryebashkiakë që punojnë dhe sakrifikojnë për Shqipërinë.
Se gjelbërim është të zësh parqet me kulla betoni dhe të mbjellësh bar në tarracë.
Se oligarkët grabitqarë janë bamirës që punojnë për Shqipërinë.
Mafia në pushtet paguan cdo ditë ushtrinë e mercenarëve që i shërbejnë për t’i llustruar faqen e saj të zezë.
Mercenarë të pacipë që politikanin në shërbim të krimit e shesin për njeri që po lufton krimin!

Mercenarët që sot propagandojnë se të gjithë janë njësoj,
se droga ka qenë gjithmonë këtu
se krimi ka qënë gjithmonë mes nesh,
se të gjithë paskan faj njësoj.
Por shqiptarët tani shohin qartë. Shqiptarët tani mendojnë dhe gjykojnë vetë.
Shqiptarët po e mposhtin frikën, po e mposhtin propagandën, po shpërfillin mercenarët.
Shqiptarët e kanë kuptuar se drejtësia nuk është një copë letër dhe fjalë në ajër, por ndëshkim i vërtet për peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit.

Shqiptarët e kuptojnë se në Shqipëri nuk luftohet krimi, kur kokat e drogës dhe të organizatave kriminale bredhin të lirë dhe kur paratë e drogës nuk i pengon askush të hyjnë në ekonomi.
Shqiptarët e dinë se ekonomia është e shkatërruar kur ata nuk gjejnë punë.
Shqiptarët e dinë se shëndetësia është e shkatërruar kur të sëmurët nuk kanë ilace.
Shqiptarët e dinë se po varferohen; e dinë se nuk paguajnë dot dritat, ujin dhe ushqimin e fëmijëve të tyre.
Shqiptarët e dinë se në BE nuk integrohesh duke integruar rrjetet e drogës dhe të krimit por duke integruar ligjet, ekonominë, dijet.
Shqiptarët e dinë se në Europë do të futen, kur të fusin kriminelët në burg.
Shqiptarët e dinë se nuk ka as drejtësi, as siguri, as punësim, as të ardhme me banditët në qeveri.

Nga ky shesh zëri ynë është i qartë:
Ne duam drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë.
Ne e duam Saimir Tahirin para drejtësisë, pa imuniteti, i duam ministrat dhe politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin në burg.
I duam kriminelët e drogës, të trafikut të qenieve njerëzore, të gjobvënies dhe shantazheve në burg.

Sepse duam një qeveri të lirë nga krimi dhe nga oligarkia.
Ne duam mundësi për të punuar dhe ndërtuar.
Ne duam mundësi për sipërmarrjen.
Ne duam të çmontojmë monopolet dhe oligarkinë.
Ne duam një ekonomi që prodhon mirëqenie për të gjithë. Një shoqëri me dinjitet për të gjithë.
Ne duam një shoqëri europiane dhe një Shqipëri në Europë.

Ne e duam Europën, sepse ne duam vlerat e Europës:
Ne duam drejtësinë që ka Europa, duam lirinë dhe dinjitetin që ka Europa, duam qeverisjen e Europës.
Nuk e kërkojmë Europën duke kërcënuar, nuk e kërkojmë Europën duke shantazhuar:
Ne e kërkojmë Europën sepse jemi të aftë, plot besim dhe të jetojmë dhe punojmë me nder dhe me mund si të gjithë europianët.

Prandaj ne kemi vendosur të qëndrojmë ndaj të keqes dhe të luftojmë për të mirën.
Sot jam para jush,
Jo për të kërkuar pushtet për vete, por shtet të drejtë për të gjithë.
Jo për tu bërë vetë kryeministër, por që kushdo që të jetë kryeministër, shqiptarët të jenë mirë.

Vitet e fundit kanë qenë një përpjekje e madhe për mua dhe demokratët: me arritje dhe me zhgënjime.

Por një gjë ka qenë e pandryshuar:
Ne kemi zgjedhur gjithmonë të jemi në anën e njerëzve dhe të interesit të tyre.
Ne kemi zgjedhur të jemi me Dritan Zaganin, kur të tjerët e quanin tradhtar dhe mbrojnë sot e kësaj dite Saimir Tahirin.
Ne kemi zgjedhur të denoncojmë dhe të luftojmë kriminelët në Qeveri, Bashki e Kuvend, kur ky që i solli, bën biznes dhe qeveris me ta.
Ne kemi zgjedhur të luftojmë kundër drogës, kur të tjerët paguhen me paratë e drogës për të na sulmuar, dhe për të blerë pushtet e pasuri.
Ne nuk jemi lëkundur asnjëherë në zgjedhjen tonë.
Nuk do lëkundemi as tani.
Ne demokratët do të luftojmë për atë që kam luftuar këto katër vjet: një shoqëri europiane, një shoqëri të denjë, ku sundon drejtësia, arsyeja dhe mirëqenia për të gjithë.

Por kjo nuk është vetëm beteja jonë, vetem e opozites. Kjo nuk është vetëm beteja ime. Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve.
Prandaj jemi bashkë këtu dhe në të gjithë Shqipërinë.
Bashkë do të sjellim drejtësinë, integrimin dhe përparimin e vendit tonë.

Për ata që pyesin: Cfarë strategjie keni? Unë ju them sot: strategjia jonë është përballja, është rezistenca, është beteja totale me gjithë sa kemi në dorë, në shpirt, në zemër dhe me gjithë fuqinë që na jep Zoti i madh KUNDËR kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë, ka marrë peng njerëzit dhe të ardhmen tonë, ka gllabëruar liritë dhe të drejtat tona! Kjo është strategjia.
Për ata që pyesin cfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJË FJALË: FITORE! FITORE FITORE — me cdo kusht dhe sado sfiduese dhe e mundimshme të jetë rruga drejt saj!
Sepse pa fitoren e kësaj kauze, nuk ka të ardhme. Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë, nuk ka të ardhme për popullin shqiptar, nuk ka të ardhme për Shqipërinë!
Le të bashkohemi në këtë betejë ka kthuim, në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë. Ne jemi Shqipëria, ne jemi shqiptarët e ndershëm.

***

Kryemadhi: Jemi 100 mijë në shesh, do i vëmë çizmen Edi Ramës. Nuk ka ambasador që e shpëton

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi në fjalimin e saj se në shesh janë 100 mijë protestues, që po vrasin frikën.

“Ne sot, të gjithë këtu, nga e gjithë Shqipëria jemi kundër një politikani që është i vetëm.

Ky njeri, që urren vendin e tij. Ky njeriu që urren familjen e tij. Ky njeri që nuk do flamurin tonë, por tallet me të, ky njeri duhet të ikë sa më parë. Ky njeri, që sot është vetëm, sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë të jesh vetëm, i mbytur në zullumin e tij.

Nuk ka drejtësi, ambasadorë, që ta shpëtojë, sepse i ka të gjithë kundër.

Sot në këtë bulevard, ku ka mbi 100 mijë protestues, i dha shpresë Shqipërisë.

Sot frika iku nga mendja jonë, sot frikë nuk kanë shqiptarët, sot frikë ka Edi Rama,” tha Kryemadhi.

“Sot dua t’u them me dorën në zemër, më shumë se kurrë kjo protestë ka një rëndësi të veçantë: për të gjithë ata që nuk besojnë tek opozita, kjo protestë u dha zemër të gjithë atyre njerëzve, atyre burrave e grave që kanë bërë gati plaçkat për t’u larguar, u jep shpresë të rinjve se e ardhmja e tyre është në Shqipëri”.

“Sot jemi të gjithë këtu për një Shqipëri, për Shqipërinë e bukur dhe të begatë, për Shqipërinë që do i vëjë çizmen Edi Ramës, pasi ky njeriu e dhunoi më shumë se çdokush tjetër. Këtij njeriu ka ardhur koha t’i themi ndal. Ju ftoj që nga ky moment të mos ndaloni”, tha Kryemadhi.

Mediu: Të marrim në dorë atë që na ka dhënë Zoti!

Shehi: Qeveria i ka mbledhur kaq shumë njerëz

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha në tubimin e protestës se varfëria është i vetmi simbol i Rilindjes. Ai bëri thirrje për t’u ngritur kundër krimit e korrupsionit.

“Ka vetëm një rrugë: të marrim në dorë fatin tonë. Jemi këtu që t’i kthejmë përgjigje edhe atyre që na thonë se nuk duhet të protestojmë se kështu nuk na pranon Europa. Ne e duam Europën këtu.

Sot kemi mbyllur çdo rrugë të së ardhmes sonë për shkak të kësaj qeverie,” tha Mediu.

Ai bëri thirrje që të ndalet largimi masiv i shqiptarëve.

Mediu tha se në shesh janë biznesmenë, pronarë tokash, të përndjekur dhe qindra e mijëra qytetarë e fshatarë, që nuk pranojnë varfërinë dhe burgosjen.

“Jemi njerëz që besojmë te liria dhe Zoti. Prandaj atë që na ka dhënë Zoti, ta marrim në dorë. Prandaj ka vetëm një zgjidhje: të marrim fatin tonë në dorë”.

Kurse kryetari i LZHK, Dashamir Shehi tha se “ne jemi këtu për të treguar se nuk e durojmë dot dhunën dhe propagandën e një grushti njerëzish”.

“Jemi këtu për t’u thënë gjithë botës, që komuniteti më i madh këtu jemi ne”.

“Qeveria i ka mbledhur kaq shumë njerëz këtu, i ka mbledhur ajo, jo ne, i ka mbledhur pakënaqësia”.

“Shqipëria ka qenë edhe pa bukë, por nuk kanë ikur kështu. Shqipëria nuk po ikën se ka mbetur pa bukë, por ka mbetur pa shpresë,” tha Shehi.

“Ne do i themi ndal kësaj pune duke dalë këtu, ndryshe herën tjetër nuk do jemi kaq shumë, se nuk do ketë më njerëz, se do ikin të gjithë. Prandaj do rezistojmë sot sa kohë kemi forca të mjaftueshme për t’iu kundërvënë kësaj të keqe”.

Ndoka: Rama po bën biznes me të përndjekurit! Çika: Po riinstalohet diktatura

Kryetari i Partisë Demokristian, Nard Ndoka tha se “ne jemi të gjithë bashkë, të majtë dhe të djathtë, kundër një personi”.

“Ne i bëjmë thirrje Edi Ramës që të largohet sa më shpejt, të shpëtojë Shqipërinë nga kjo zgjedhë”.

“Katër vjet në qeveri jo vetëm nuk e mbajti premtimin për të hapur 300 mijë vende pune, por largoi 300 mijë njerëz nga Shqipëria”.

“Ai po bën biznes me të përndjekurit, duke ngritur pika turistike, por të ardhurat nuk shkojnë për ta”.

“Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku qeveria është një klub miqsh,” tha Ndoka.

Ai shtoi se Edi Rama po përdor simbolin e Skënderbeut për të fshehur problemet e vërteta të vendit, ndërsa shtoi se Rama dhe një miku i tij kanë shkruar kundër simbolit kombëtar.

Kurse Nebil Çika, kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë antikomunistë, tha në protestën e opozitës se antikomunistët shqiptarë janë sot në shesh bashkë me mijëra shqiptarë të ndershëm.

“Sot protestojmë kundër një qeverie që po instalon diktaturën në Shqipëri.

Ky vend është në diktaturë për shkak se po instalohen ish-sigurimsat e shtetit dhe ish-blloku komunist. Po kapin edhe drejtësinë me ish-sigurimsa, dhe gjykatës dhe prokurorë të kohës së diktaturës”, tha Çika.

Sipas tij, ne jemi shumë në këtë shesh sepse kemi arsye shumë të mëdha për të protestuar kundër kësaj qeverie diktatoriale.

Aktivisti i PS: Banda e Rilindjes e bën Ramën të dobët

Në protestën e opozitës ka folur edhe një aktivist i Partisë Socialiste.Ai quhet Agim Kaca dhe tha se ka vetëm një gjykatë të pastër në vend.

“Jemi mbledhur në këtë bulevard për të protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës, e përfaqësuar nga banda e Rilindjes. Por të gjithë ata, e bëjnë Edi Ramën të lig dhe të dobët. 

Unë sot si qytetar i zakonshëm i këtij vendi, i bëj një pyetje Edi Ramës: A është e vërtetë që ke sjellë kriminelë në parlament? A është e vërtetë që e ke veshur krimin me pushtet?

Prandaj duhet të jemi gjithmonë të bashkuar. Sot Shqipëria ka nevojë për reformë në drejtësi, por jo të gjitha gjykatat janë të korruptuara, është një gjykatë që nuk korruptohet, që nuk e frikëson askush. Ajo është e pastër si bora e malit. Kjo gjykata është populli shqiptar. Kjo gjykatë jeni ju, që do e përzini Edi Ramën nga pushteti.

Ndaj sot i bëj thirrje Lulzim Bashës që me vendimin e kësaj gjykate, të pastrojë kryeministrinë nga krimi, të luftojë për mirëqenien e të gjithë shqiptarëve,” tha Kaca.

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: basha vide 26 Qershori, Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Cikel poetik: Atdheu gjithmonë ka një strehëz…
  • ME RASTIN E 15-VJETORIT TË VIZITËS SË PRESIDENTIT GEORGE BUSH NË TIRANË – NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË VENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE*
  • Remarks by Ambassador Ferit Hoxha at the UN Security Council meeting on Ukraine
  • Martin Camaj nëpërmjet një letërkëmbimi
  • AT KARLO  SERREQI O.F.M.
  • Eight IRA Mistakes That Can Cost You a Fortune
  • Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta”
  • 6 MUAJ PA PATRIOTIN MEHMET MUJAJ
  • Dalip GRECA, -Ti shkrove për të gjithë…ike… dhe na le ne në borxh…
  • SHTETI PËRBALLË KRIZAVE; SHQIPËRIA NGA SHEMBJA E KOMUNIZMIT DERI TE LUFTA E KOSOVËS
  • NË VILËN E DIKTATORIT RUMUN DHE POEZIA IME PER POETIN UKRAINAS DMYTRO CHYSTIAK…
  • Celebrating 100-year anniversary of Albania – US diplomatic relations
  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT