• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Negociatat shterpë ….

August 17, 2018 by dgreca

Negociatat shterpë dhe skenarë për të projektuar të ardhmen që ndërkohë po ndodh/

1 Lindita KOmani

NGA LINDITA KOMANI/

Duhet të “falenderojmë” Alex Soros që si fëmijë i kohëve moderne, përmes fotove në Instagramin e tij na zgjoi vëmendjen mbi atë që qenka gatitur në heshtje e fshehtësi prej kushedi sa kohësh. Itinerari i tij i fiksuar mirë me foto shenjon bërjen fakt të kryer të diçkaje që ishte shtyrë prej vitesh nga mendja, mundësisë që Kosova realisht të gjymtohet e t’i vidhet trualli e pasuria e madhe nëntokësore dhe që kjo të ndodhë në formën e vetme që mund të ndodhë, me pabesi.

Duhet të falenderojmë këdo që i dorëzoi Gazetës Zëri planin për shkëmbimin e territoreve që ishte aq i detajuar sa kishte mbushur plot 90 faqe hartuar nga ekspertë të fondacionit Soros, që sikurse është bërë me dije do të zhvendosë zyrat qendrore në Beograd. Nga plani nuk janë habitur vetëm ata që kanë ditur për të dhe që e kanë lënë të zhvillohet deri në atë pikë sa deklarata e presidentit Thaçi të vinte si një goditje e rëndë. Ndoshta u la të ndodhte në këtë mënyrë që deklarata të shkaktonte një reagim të madh popullor? E bashkë me të edhe një politik? Ndoshta do të vijnë edhe reagimet që deri tani janë shprehur me „nxehje“ të internetit nga statuset në rrjetet sociale, artikujt e komentet. Ndoshta, sapo të bjerë vapa e gushtit e pushuesit, ndonëse janë pakësuar për shkak të kushteve të rënduara ekonomike këtë vit, të kthehen nga plazhet.

Por studimi i fondacionit Soros i bërë tashmë publik nuk është i vetmi. Mbase ai është më tronditësi, duke pasur parasysh se shoqëria post-komuniste shqiptare, si këtej ashtu edhe andej kufirit, është farkëtuar me fonde që kanë dalë nga ky fondacion e të cilët kanë shkuar kryesisht për formimin e elitës së re të shkolluar me bursa që të bëjnë borxhli gjithë jetën. Por dy studime që gjenden me një kërkim të thjeshtë në internet, realizuar i pari nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe i dyti nga dy organizata me bazë në Kosovë, Research Institute of Development and European Affairs (RIDEA) dhe Balkan Policy Research Group (BPRG) me mbështetjen e Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, e që datojnë respektivisht mars 2018 dhe prill 2018, tregojnë që përpjekjet e kujt bukën e fiton me studime të këtij lloji gjithsesi janë zhvilluar, vetëm populli ka qenë vazhdimisht e është lënë ndoshta qëllimisht në “autobus”.

Edhe në skenarin më pozitiv të mundshëm, në studimin e FES nuk përmendet që Serbia e njeh Kosovën si shtet, parashikohet vetëm që një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi arrihet në vitin 2019, e cila përshpejton rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që ndodh në këtë rast në vitin 2025. Marrëveshja i mundëson gjithashtu Kosovës që të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare. Për Kosovën pritet që të bëhet pjesë e unionit në vitin 2037. Në studimin e dytë, skenari më pozitiv parashikon nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse duke projektuar dy variante. Varianti i parë i këtij skenari, që mbështetet nga shumica dërrmuese e të intervistuarve, rezulton në një njohje dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë, si variant i dytë dhe më realist në këtë skenar projektohet një tjetër. Një marrëveshje e llojit që lidh ligjërisht nënshkruhet dhe në të Serbia pranon shtetësinë e Kosovës, duke përfshirë këtu të drejtën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por pa njohur zyrtarisht pavarësinë e saj.

Duhet theksuar që vetëm njëri nga skenarët e projektuar në këta dy studime, e pikërisht në atë të realizuar nga RIDEA dhe BPRG, përmend shkëmbimin territorial si opsion të mundshëm. Edhe në atë rast shkëmbimi është parashikuar që do të mund të ndodhë vetëm pasi dy vendet të kenë njohur njëri-tjetrin dhe jo në një ditë të papritur gushti të vinte nga vetë presidenti i Kosovës si një grusht ndaj popullit që ai përfaqëson në atë pushtet që mban dhe i cili nuk e ka autorizuar me votë për një skenar të tillë.

Kryeministrja gjermane Merkel u shpreh në mënyrë të bindur kundër shkëmbimit të territoreve. Ambasada e Britanisë së Madhe u shpreh se thirrja për modifikim të kufijve nacionalë mund të jetë destabilizuese dhe qeveria britanike beson se zgjidhja duhet të jetë në bazë të njohjes së vendeve të pavarura brenda kufijve të tanishëm. Ministrja e jashtme austriake Kneissl bëri thirrje për integrim të shpejtë në BE të gjithë rajonit tonë si një domosdoshmëri gjeopolitike, duke lejuar këtu opinionin që BE si organizëm përfaqësues i Europës, edhe 100 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore nuk e ka kuptuar ende rolin e detyrimet si trup politik dhe që ky është problemi thelbësor politik që ka që në gjenezë. Gazeta gjermane Bild, duke iu referuar komandantëve të UÇK-së, shpalli se Komandantët po luftojnë për ndarjen e Kosovës. Publicisti dhe politikani Surroi po publikon çdo ditë analiza të zgjeruara për gjendjen e që shkojnë në adresë të presidentit Thaçi. Në Shqipëri mbizotëron heshtje varri nga ana e qeverisë për këtë temë, por prapë duhet të falenderojmë Alex Soros për indiciet që na dha përmes Instagramit të tij. Ish-kryeministri suedez Carl Bildt bëri me dije gjithashtu se kryeministri i Shqipërisë është shprehur i hapur ndaj idesë së Vuçiçit. Mes zërave nga opinioni publik në Shqipëri vlen të shquhet eksperti i diplomacisë e punëve të jashtme Shaban Murati, i cili në një analizë të shkëlqyer, paralajmëroi me ftohtësinë e duhur që “Prishtina nuk duhet të dëgjojë asnjë sirenë diplomatike, që e fton të mbytet në detin e Serbisë.”

Vulën në mënyrën më domethënëse, këtij debati e gjithashtu edhe negociatave shterpë që qysh në gjenezë injorojnë realitetin e ndikimeve nga jashtë BE-së mbi vendet e rajonit, vullnetin e rezistencën shqiptare, sikurse dhe realitetin ushtarak në rajon, mund të thuhet se ia vuri aktivisti serb i të drejtave të njeriut Milos Ciric në një artikull në BIRN:
„Ne e „humbëm“ Kosovën kohë më parë se ajo të shpallte pavarësinë në vitin 2008. Ne „e humbëm Kosovën“ atëherë kur pas dhjetë vitesh të tmerrshëm të torturimit të shqiptarëve të Kosovës, Miloshevici dhe Vucici më në fund u përballën me ndërhyrjen e NATO-s. Ne e „humbëm“ Kosovën kur masat e para shtypëse u zbatuan zyrtarisht kundër shqiptarëve të Kosovës. Ne e humbëm Kosovën kur përzumë mbi 800 000 shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe vramë më shumë se 10 000, shumë prej të cilëve ndodhen ende të pazbuluar në varreza masive. Ne e „humbëm“ Kosovën kur racistë dhe shovinistë të mirënjohur serbë nisën të pushtonin sferën publike serbe, arsimin, median dhe politikën në fillim të viteve ‚80. Ne e „humbëm“ Kosovën e cila asnjëherë nuk ishte vërtet ‚e jona“ që të mund ta humbnim.“

Jemi në kushtet kur e ardhmja tashmë po ndodh me shpejtësi, keqbërja po zhvillohet pa na pyetur nëse e pranojmë dhe duket se ka të përfshirë në unison majat e pushtetit si andej ashtu edhe këtej kufirit. Ndaj vlen të shtrojmë e diskutojmë publikisht për pyetjen: Si shqiptarë, qytetarë e intelektualë që dinë të mendojnë, kur e si do të dalim nga gjendja e shastisjes dhe apatisë, do të zbresim nga “autobusë” që na mbajnë e na largojnë në trajektore të kithëta dhe do të reagojmë në unison?

Filed Under: Opinion Tagged With: Linda Komani, Negociatat shterpë

Protesta për Teatrin dhe Dy të papritura

July 28, 2018 by dgreca

2 Lindita-KomaniNGA LINDITA KOMANI/

Të papriturat e mrekullueshme janë ato që e bëjnë një protestë të vërtetë. Kaq kemi parë në këtë Shqipëri në gjithë këto vite protestash që përpiqen të manipulohen. Vetëm kur ato dalin nga duart e atyre që duan të fitojnë kapital politik prej tyre, ato janë realisht të mrekullueshme.

Dje ndodhën dy të papritura lidhur me protestën te Teatri. E para ndodhi pikërisht aty, në sheshin e Teatrit. Errësira kishte zbritur dhe edhe toni i fjalimeve kishte zbritur bashkë me të, një rutinë që po çohej deri në fund duke qenë se disa nga emrat që i kanë dhënë shpirt asaj në këto javë nuk po e merrnin ende fjalën. Nga larg u dëgjuan tringëllima e britma e muzikë. Ngjante si një protestë alternativë që po afrohej e po afrohej. Befas shihet në vrap e sipër aktori Alert Çeloaliaj që shkon drejt artistëve organizatorë të protestës për të lajmëruar se ç’po ndodhte. Kur pa u dhënë mirë lajmi me mikrofon, u panë ata, çiklistët e Critical Mass Tirana, protestuesit e palodhur të nismës që kërkon më shumë hapësirë për biçikletat në Tiranë dhe që e bëjnë këtë që prej 10 vitesh. Ata kanë qenë për kryetarin e bashkisë një justifikim i mjaftueshëm për të bërë ndërhyrje të rëndësishme në rrugët kryesore të Tiranës për të shtuar korsi biçikletash. Dhe ja pikërisht ata, me vrull e nën tingujt e grupit Troja, duke tringëllirë zilet e biçikletave, u bënë e papritura e parë e mrekullueshme e mbrëmjes. Ashtu siç i ka pas qejf kryetari i bashkisë njëherë vaktit që t’i bënte protestat, trendy, cool, të paharrueshme. Por ndryshe nga të tijat që ishin me laps e letër të programuara e të financuara me para të huaja, kjo ndodhi nga indinjata e qytetarëve që u bashkuan me qytetarë të tjerë në sheshin e Teatrit. Pa i paguar njeri.

E dyta e papritur ndodhi më vonë në një lokal shumë të frekuentuar në zonën e pedonales, ai që pikërisht sheh për nga rrënojat e Tiranës antike, ato që mund të ishin flijuar që në kohën kur u zbuluan, teksa u hap toka ku ato flinin, për të ngritur kullë mbi të. Me një shoqe, pjesë e nismës Critical Mass Tirana, u ulëm për një birrë për të pothuajse festuar arritjen e parë për Teatrin. Pikërisht në këtë lokal, duke parë përqark e duke sjellë në mend e në bisedë edhe sesa e stërmbushur me njerëz ishte Pedonalja ndërkohë që në anën tjetër te Teatrit Eksperimental zhvillohej protesta, ndodhi e papritura. Një djalë i ri kamarier, duke dëgjuar fjalët tona të indinjatës ndaj të rinjve që e marrin për të mirëqenë lirinë duke e keqkuptuar më së pari atë dhe duke e lidhur me lirinë e seksit dhe përgjithësisht të të bërit qejf e të shijuarit te jetës pa kufizime, ndërhyri e tha: Po ju dëgjoja. Nuk është tamam ashtu. Unë kam ardhur në protestë sa herë kam qenë turni i parë por sot jam turni i dytë. Nuk vija dot. Të rinjtë janë të manipuluar. Ti sheh 17-18 vjeçarë që përfshihen në parti politike dhe as nuk e dijnë se çfarë bëjnë. Pastaj të tjerë që rrijnë kot. Unë dua vetëm të iki. Studioj për inxhinjeri mekanike. I kërkova ndjesë menjëherë dhe e falenderova që na foli. Dhe po reflektoja me veten për si është ndarë aktualisht rinia, në rininë indiferente që mbush në mënyrë të turpshme lokalet pa iu bërë vonë që po digjet e nuk po piqet e nuk e kupton këtë, në rininë e angazhuar dhe të keqshfrytëzuar nga politika në mënyra të gjithfarësojshme deri edhe si kamikaze për aksione të shëmtuara, në rininë e angazhuar por njëkohësisht të zhgënjyer që vepron por nuk duket sepse është në qoshe, e paemër, e pashpresë dhe me sytë për nga jashtë.

Meqë në këtë kohë edhe po shkruaj për këtë temë në formë letrare, të dy keto të papritura përbënë deri më sot shenjat më të rëndësishme për mua që kjo protestë ka gjallërinë, spontanitetin e mrekullueshëm dhe vërtetësinë me vete që mund ta japë vetëm rinia e angazhuar dhe njëkohësisht e zhgënjyer dhe e indinjuar, përtej pjekurisë së fjalës e mendimit që mund ta japë intelekti i atyre që janë më të rritur e të arrirë në profesionet që bëjnë, përfshi këtu edhe artistët regjizorë e aktorë që nën presion por pa u përkulur e kanë vazhduar protestën dhe kjo jo vetëm në 2018 por që prej 20 vitesh. Aktorët e keqpërdorur, kryetari i bashkisë zgjodhi t’i vdiste dje. Fotot e tyre në paraqitjen që bëri në faqen e vet në Facebook, i vijëzoi me të bardha si bëhen kufomat e të vdekurve në skenat e krimit. Policët afrohen, nxjerrin mjetet e punës, shënojnë kufomat për të fiksuar formën e rrëzimit dhe prehjes së tyre përdhe dhe vazhdojnë me punën për të identifikuar vrasësit dhe për të çuar para gjyqit fajtorët. Kryetari i bashkisë edhe i vrau, edhe i shënoi kufomat dhe tani po i ekspozon si trofe fitoreje të vrarët nga pushteti. Kjo arrogancë, pandjeshmëri, tërbim prej pushtetari ndaj popullit të cilin refuzon ta dëgjojë e jo më t’ia respektojë vullnetin, e nxorri atë krejtësisht në skenë se si është në të vërtetë. Asnjë pemë që do të mbjellë nuk do të mbulojë dot vrasjen e Ardit Gjoklajt të mirë në landfill teksa përpiqej për vete e për motrën për të siguruar lekët për shkollë, tashmë qindra lejet e ndërtimit që ka lëshuar dhe përpjekjen e tij pa ndalim për ta shkatërruar teatrin. Para 15 vitesh ai ishte një djalë i ri që i thoshte”Mjaft” korrupsionit e paturpësive të mundshme të pushtetit me aspirata të qarta për të hyrë në politike dhe sot, vetëm 15 vite më vonë, ç’ka mbetur nga ai dhe shkëlqimi me të cilin u vesh e u paraqit para njerëzve? Të rinjtë me biçikleta i këndojnë këngën e grupit “Troja” jo larg nga ndërtesa e bashkisë:

-Demokraci! Demokraci! Demokraci! Demokraci! …

Qysh thirret sistemi ku njerzt s’guxojnë me thanë atë që po menojnë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku gazetartë s’guxojnë me kallxu ç’ka po ndodhë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ligji vlen veç për ty?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku nuk ka hic Demokraci?

Qysh thirret sistemi ku kriminelet e udhëheqin një shoqni?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku n’modë janë xhipat me xhama t’zi?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s’tlanë me kajtë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku Demokracinë e kanë cu “te dajtë”?

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hase keq “Sharra ne Gozhde”.
E ketë here fajin kujt me ia lanë?

-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit guxojnë me fole.
-Demokraci thirret sistemi ku ligji vlen për krejt njësoj.
-Demokraci thirret sistemi ku votën kërkush s’ ta vjedh.
-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit ma k’si kangë nuk knojnë.

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hasë keq “Sharra në Gozhdë”.
E këtë herë fajin kujt me ia lanë?

Filed Under: Opinion Tagged With: Linda Komani, Protesta, te papriturat

Protesta për Mbrojtjen e Teatrit

July 10, 2018 by dgreca

– Një këndvështrim biznesi /

Nga Lindita KOMANI/

1 703 039 shikues në sezonin 2015/2016 në teatrot e Vjenës (Burgtheater, Theater in der Josephstadt, Raimundtheater, Ronacher, Volkstheater, Kammerspiele, Theater der Jugend, Akademietheater, Theater an der Wien). Në mungesë të një statistike më aktuale, le të supozojmë që kjo shifër të jetë shtuar në total me 100 000 vizitorë, pra shifra të jetë aktualisht pak a shumë në nivelin e popullsisë së qytetit të Vjenës që sipas një statistike të bashkive e komunave ishte 1 867 582 banorë. Mesatarisht pra, vizitat në teatër të qytetarëve të këtij qyteti kanë qenë 1 vizitë/vit për gjithsecilin.
Sipas Instat numri i popullsisë së Tiranës në vitin 2018 është 883 996 banorë. Duke bërë një krahasim me Vjenën, a i kemi ne në Tiranë të paktën 880 000 shikues teatri? Ju lutem të mos qeshim në këtë pikë. I kemi ne 880 000 shikues teatri në sezon ne gjithë skenat që ofron Tirana? Nuk i kemi. Madje nuk dimë sesa sa kemi, dimë vetëm që skenat ekzistuese nuk ofrojnë program të rregullt teatror, të përditshëm, të përjavshëm, me sezone të vërteta me programe dhe paketa biletash që mund të blihen përmes abonimeve, mujore apo vjetore. Përse nuk kemi program? Nuk kemi aktorë, regjizorë, dramaturgë, përkthyes drame? Jo. Kemi mjaftueshëm. E tregon fakti që shumica e atyre që janë diplomuar në këto fusha në Akademinë e Arteve janë pa punë dhe gëzohen për mundësi sporadike për të mbijetuar e për të krijuar një emër si artistë. Përse nuk e kemi programin atëherë? Më e mundshmja është se nuk ka fonde në dispozicion të skenave tona, nga shteti, nga sponsorët privatë. Gjithashtu e mundshme në po të njëjtin nivel është që drejtuesit e institucioneve teatrore janë të paaftë të tërheqin fonde, t’i manaxhojnë mirë, të punojnë mirë me marketingun e shitjen përveç përgatitjes së programit artistik.
Kaq mjafton për ta kuptuar që fokusi i shtetit dhe institucioneve të tij të linjës që kanë të bëjnë me teatrin duhet që në vend që të ishte për ndërtesa teatrosh që ekzistojnë e gjithsesi nuk po mbushen me program të plotë sezonal, të investoheshin për të realizuar sa më shumë shfaqje, për të krijuar një qarkullim të vërtetë ekonomik për institucionet teatrore si biznese të llojit shtetëror që pranojnë edhe fonde private. Të krijoheshin mundësi për artistët sepse skena ekziston e zhvillohet se janë ata më së pari. Artisti ngjitet dhe e bën mrekullinë edhe në një skenë të improvizuar me kosto zero. Sigurisht që skena ka rëndësinë e saj sikurse kanë edhe zyrat për punonjësit në çdo lloj institucioni. Një zyrë e bukur e një mjedis i këndshëm pune e bën më domethënëse përfshirjen e gjithsecilit punonjës në procesin e punës, por nuk janë as kusht i nevojshëm dhe as i mjaftueshëm që rezultati i punës të jetë suksesi. E njëjta gjë vlen edhe për teatrin dhe përfshirjen e artistëve në zhvillimin e suksesit dhe imazhit të tij. Problemi kryesor i përqasjes qeveritare ndaj çështjes së teatrit është se me arrogancë e papërgjegjshmëri i trajton artistët e në përgjithësi qytetarët taksapagues shqiptarë si të ishin injorantë e pa mundësi informimi për të kuptuar si teatri funksionon, qoftë nga ana artistike ashtu edhe ajo e biznesit, në raport me bashkësinë shoqërore ku ai zhvillohet dhe në raport me zhvillimet në shtete të tjerë. Dhe kjo përqasje tërësisht e mbrapshtë që deri më sot është lidhur veçanërisht me arkitekturën e historinë e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, e reflektuar në këtë sulm 20-vjeçar ndaj teatrit, është ajo që revolton këdo që është përfshirë në protestën e drejtë për mbrojtjen e teatrit.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Linda Komani, për Mbrojtjen e Teatrit, Protesta

Çfarë ishte Shqipëria, ç’është e ç’do të bëhet?

June 28, 2018 by dgreca

1 samiu– Sami Frashëri në gjermanisht në vitin 1913-/

NGA LINDITA KOMANI*/

Në vitin 1913 përkthehej dhe publikohej në Vjenë “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të jetë” e Sami Frashërit.

Në kërkim për përkthime të kësaj vepre në gjuhë të tjera, u ndesha me këtë përkthim të plotë në gjermanisht e më tej edhe me një studim të një autori turk i cili bën një paraqitje interesante lidhur me si turqit nuk e pranojnë që Sami Frashëri është autor i kësaj vepre që për shqiptarët u kthye në manifest politik. Bülent Bilmez shkruan që ndoshta kjo vepër dhe synimi për ta distancuar atë si autor nga ajo dhe nga shqiptarizmi i tij, ka ndikuar që turqizmi i Frashërit të mitizohet. Në enciklopeditë e ndryshme turke ai cilësohet si gjuhëtar turk, autori i romanit të parë turk, një nga pionierët e nacionalizmit turk. Kur flitet për origjinën diku cilësohet si turk e diku tjetër nuk i jepet fare origjinë. Bilmez rendit edhe përkthimet e ribotimet e veprës të cilët në një formë të përshtatur e që respekton kronologjinë kohore paraqiten si vijon:

1899 – botimi në Bukuresht, pa emër autori e pa emër botuesi përmbi. Sipas kërkimeve rezulton që duhet të jetë botuar nga Shoqëria Dituria në Bukuresht.

1904 – 1906 – botim në seri në periodikun “Drita” në Sofje i veprës së përkthyer në turqisht nga Shahin Kolonja.

1906 – botim në Kajro në periodikun Shqipëria i përkthimit të pjesshëm të veprës në greqisht nga Fan Noli.

1907 – botim i plotë në Sofje nga Thanas Sina i veprës së përkthyer në greqisht prej tij.

1907 – botim në formë libri ne Sofje nga Shahin Kolona i veprës së përkthyer në turqisht prej tij.

1913 – botim në formë libri në Vjenë nga shtëpia botuese Hölder i veprës së përkthyer nga turqishtja (përkthimi i Shahin Kolonjës) në gjermanisht nga A. Traxler (për emrin e plotë të përkthyesit dhe lidhjen e tij me Shqipërinë po hulumtoj).

1923 – botim në Romë në revistën Albania, nr.8 i përkthimit në italisht nga Luigi Lorecchio.

1975– botim në formën e një përmbledhjeje të gjatë të librit në gjermanisht nga Klaus Lange.

Te këto informacione që ndoshta në mënyrë të përmbledhur njihen edhe më herët, por ndoshta edhe jo, mbërrita për shkak të përkthimit në gjermanisht për të cilin po ashtu për kureshtje intelektuale do të bëj një ballafaqim me qëllim që të kuptoj sa larg apo afër origjinalit është. Që në titull vihet re një ndryshim që ndoshta ngjan i parëndësishëm por sa më shumë gjallëri ka në shqip krahasuar me gjermanizimin që e zhvendos fjalën Shqipëria nga e para në të tretën në paraqitje: Çfarë ishte Shqipëria, ç’është e ç’do të bëhet? e sjell Traxler. Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, e njohim ne në shqip.

Kureshtja është e mbledhur në pyetjet: Si e lexuan vjenezët veprën në vitin 1913? Ç’ngjalli ajo brenda tyre për të kuptuar një popull të cilin kishin synim ta afronin e si koha tregoi ta integronin me Perandorinë sa pa rënë ajo ende? Kujtohet pa u përmendur 100-vjetori i mbylljes së Luftës së Parë Botërore këtë vit e me këtë edhe mbarimi i Perandorisë. Përkon ky vit edhe me atë që është cilësuar si viti kulturor Austri – Shqipëri. Ndaj konsideroj se veçanërisht parathënia e shkurtër dhe domethënëse që jep përkthyesi Traxler për tekstin të sillet e plotë si vijon:

Çfarë ishte Shqipëria, ç’është e ç’do të bëhet?

Mendime dhe vështrime mbi rreziqet që i kanosen atdheut tonë të shenjtë Shqipërisë dhe shmangien e tyre.

Parathënie e Përkthyesit

Vepra e paraqitur është hartuar në shqip nga Sami Frashëri, një patriot i zjarrtë shqiptar, që rrjedh nga një nga familjet më të shquara të vendit. Shtypur në kohën e Kongresit të Prizrenit (1899) ajo është përkthyer në turqisht nga Shahin Bej Kolonja. Përkthimi në gjermanisht bazohet te ky përkthim në turqisht.

Përkthyesi në gjuhën gjermane është i ndërgjegjshëm për mangësitë në këtë përkthim të dyfishtë, por beson që nuk është kjo çështja thelbësore. Ajo që ai dëshiron është thjesht që ta bëjë të prekshme për publikun këtë studim të një arnauti të shkëlqyer. Ky studim dëshmon që bijtë më të mirë të Shqipërisë prej kohësh janë marrë me plane se si t’i siguronin atdheut të dashur një të ardhme të bukur.

Tani që e ardhmja e këtij populli të lashtë është e siguruar, për përkthyesin e këtij studimi të Sami Bej Frashërit duket me interes që të paraqesë se si ky arnaut i shkëlqyer e ka përfytyruar vetëqeverisjen e atdh8 E falenderojme eut të tij.

Vjenë, në mars 1913. Përkthyesi: A. Traxler.

***

  • E falenderojme Lindita Komanin qe e dergoi shkrimin ne redaksine tone per tan ndare me lexuesit e Diellit.

Filed Under: Opinion Tagged With: ç’është e ç’do të bëhet?, Çfarë ishte Shqipëria, Linda Komani, Sami Frasheri ne Gjermanisht 1913

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT