Protestë në Prishtinë, kërkohet lirimi dhe kthimi në Kosovë i Ramush Haradinajt/
-Ishte kjo një protestë gjithëpopullore në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të gjykatës së Colmarit të Francës për të shtyrë tutje verdiktin dhe kthimin në Kosovë të liderit të AAK e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj/
PRISHTINË, 4 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Prishtinë, në Sheshin Skënderbeu, që dukej i vogël për të gjithë pjesëmarrësit, po edhe në sheshe tjera, sot nga mesdita u zhvillua një protestë e thirrur nga Alaenca për Ardhmërinë e Kosovës e zhgënjyër me vendimin për shtyrjen e lirimit të Ramush Haradinajt. Në protestën e përkrahur edhe nga parti e organizata tjera, protestuesit kërkuan fuqishëm lirimin dhe kthimin në Kosovë të liderit të AAK-së – ish-kryeministrit të Kosovës.
Ishte kjo një protestë gjithëpopullore në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të gjykatës së Colmarit të Francës për të shtyrë tutje verdiktin për rastin Ramush Haradinaj.
Në 2 mars, gjykata franceze në Colmar ka vendosur që të shtyjë për në 6 prill vendimin në lidhje me rastin Haradinaj, më shumë se një muaj për t’i shqyrtuar pretendimet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.
Ramush Haradinaj në 4 janar 2017 është ndaluar në Aeroportin e Baselit sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.
Derisa AAK ka ftuar protestën, grupi parlamentar i saj ka marrë vendim ta bojkotojë Kuvendin e Kosovës, deri në 6 prill “të pakënaqur me angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës – Presidentit, Qeverisë por edhe Kuvendit në përpshpejtimin e lirimit të Ramush Haradinajt”.
Grupi Parlamentar i AAK-së është shprehur i bindur se nuk po ndërhyn në sistemin e drejtësinë, ndërsa shtyrjen e vendimit për lirimin e Haradinajt e konsideron padrejtësi në vete.
“Deputetetët e AAK-së, janë të zhgënjyer me neglizhencën që institucionet e Kosovës e kanë pasur në Rastin Haradinaj, por edhe në raport me fletarrestet e kundërligjshme të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës. Ne deputetët e AAK-së, kemi vendosur për këtë masë, me bindjen se kjo do të kuptohet drejt dhe do të nxisë angazhimin e duhur të shtetit të Kosovës në mbrojtjen e ish-kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj”, theksohej në deklaratë.
“Kosova ka nevojë për Ramush Haradinajn, askush nuk ka të drejtë që ta pengojë atë që të punojë për vendin e tij”, theksohej në deklaratën nga një takim i jashtëzakonshëm i Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Para 12 vitesh, Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshm për të gjitha pikat e akuzës.
“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.