• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE “HESHT” INTELIGJENCIA “OPOZITARE”?

April 9, 2014 by dgreca

Nga Fadil  LUSHI/

Dikur moti presidenti  francez Fransua Miteran kishte vizituar Londrën dhe pasi kishte përfunduar takimi protokolar me Margaret Thaçerin, ai kishte kërkuar prej saj të takohet me intelektualët anglezë. Fatkeqësisht, shefi i protokolit nuk e përmbushi kërkesën. Jo se nuk i kishte pranë, por pse mungonin intelektualë të tipit të Zhan Pol Sartri! Shefi i protokolit e kishte ditur saktë konceptin francez mbi intelektualin dhe nuk e kishte zgjatur këtë lojë të presidentit francez.

Se nënqielli ynë politik, ekonomik dhe kulturor ka intelektualë të mirëfilltë apo të kalibrit evropian, unë nuk kam as prova e as argumente, se sa është “numri” i tyre, edhe për këtë nuk kam informacion, por se cili është statusi i tyre shoqëror do të bëj përpjekje të mos e paragjykoj. Para se ta diskutojmë këtë, do t’i referohemi Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe rreth nocionit “intelektual”, jepet ky shpjegim: Ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore, njeri i punës mendore… Intelektualët popullorë. Shtresa e intelektualëve. Që ka të bëjë me mendjen, me arsyen e me gjykimin, që i përket intelektit; mendor. Zhvillimi intelektual. Punë (jetë, veprimtari) intelektuale. Që merret kryesisht me punë mendore. Rrethe intelektuale… e të tjera.

Me sa duket shoqëria shqiptare ka “ndërtuar” dy lloje intelektualësh:

intelektualë të cilët pa “dëshirën dhe vullnetin e tyre ikin nga shkenca dhe kultura” për të shkuar në takim me politikën dhe për t’iu ngjitur asaj në qafë si dhe intelektualë “opozitarë”, apo thënë ndryshe, ata që nuk parapëlqejnë të heshtin. Të parët, që në fillim janë të destinuar të etiketohen si “puçistë a si horra bulevardi”! Të gjithë këta “ikanakë” do të veprojnë nën ombrellën e pushtetit, do të frymojnë pranë ca partive politike (sidomos atyre partive politike që u janë ngushtuar rrugët e veprimit) dhe kryeparëve të tyre, pranë ca pushteteve dhe pushtetarëve, pranë ca presidentëve të shteteve dhe presidencave, pranë ca akademive të shkencave dhe arteve që janë shndërruar në bastione nacionalizmash të rrezikshëm a në kuzhina politike,  pranë biznesit dhe biznesmenit, pranë arrogancës dhe rrëmujës, pranë vlerave të sajuara, pranë fjalës së heshtur dhe gjuhës të bastarduar, pranë pseudokritereve, pranë pseudostandardeve, pranë paragjykimit dhe marrëzisë sonë kolektive, pranë sekserëve, pranë “tyxharit dhe tyxharëve”, pranë recidivistit dhe butaforisë mashtruese, pranë Makiavelit dhe makiavelistëve, pranë njerëzve të cilët arsimin universitar e kanë përfunduar para se ta kalojnë atë të mesmin, pranë kalorësve të vonuar të çështjes kombëtare apo pranë atyre që rrahin gjoks për shqiptari, pranë njerëzve që nuk i takojnë “entitetit akademik”, pranë njerëzve “që nuk durojnë padrejtësinë”, pranë zyrtarit dhe zyrtarëve, të cilët nevojtari nuk i takon dot kollaj, pranë njerëzve me nga “dy palë surrate” dhe me një buzëqeshje tallëse, pranë njerëzve që mbajnë kokën përpjetë, por ama që nuk duan të mbajnë çfarëdo përgjegjësie morale dhe materiale… e të tjera!?

Nëse të gjithë këta intelektualë edhe në të ardhmen do të qëndrojnë pranë institucioneve a subjekteve që u përmendën më lart dhe nëse mbeten nën përkujdesjen “e veçantë materiale” të shtetit, të pushtetmbajtësit si  dhe të politikës ditore, atëherë që nga ky paragraf duhet t’i perceptojmë si “specie në zhdukje e sipër”, si pseudointelektualë, si njerëz  që vuajnë nga sindroma i intelektualizmit provincial, si njerëz  të cilëve u mungon pragmatizmi, interesimi për gjymtimet tona…, interesimi ndaj degradimit të arsimit si dhe ndaj mungesës së perspektivave…, si njerëz të cilët “preferojnë”  heshtjen  madje edhe që përjashtojnë çdo raport të tyre me realitetin, si njerëz  që nuk “çojnë dorën” për të diskutuar sjelljet tona të shthurura.

Janë njerëz që fare pak shqetësohen me mungesën e të menduarit autonom dhe prej aristokrati, njerëz të cilët përjashtojnë çdo komunikim  me njerëzit e rëndomtë, janë  njerëz që pavullnetshëm u nënshtrohen urdhrave a imponimeve të atyre që dinë fare mirë të të çojnë në rrugë të gabuar a në kahun negativ. Janë njerëz të paguar që të mos e demaskojnë vulgaritetin, të mos i hetojnë jovlerat, thjeshtë do të veprojnë sipas  udhëzimeve “që vijnë nga lart”! Në instancë të fundit, ata parapëlqejnë të “hiqen si intelektualë” që mund të  “ekuilibrojnë”  mendimet,  inatet dhe zënkat e “kalamajve të lagjes” së tyre…, ata parapëlqejnë të “hiqen si intelektualë” po njëkohësisht vetëpromovohen  a vetëshpallen  Promete të inteligjencies gjithëshqiptare, si njerëz që janë pa “kusure, pa hipoteka a me borxhe të pashlyera”! Mbase kur një ditë do të “pendohen” për veprimet e tyre të gabuara dhe kur do të ballafaqohen me “dhembjet e tyre teatrale”, lëre që nuk do të kursehen nga ata që i “futën” në ato rrugica “qorre”, por edhe do të tallen nga ana e “punëdhënësit a atij që bën punë inati ose punë qejfi”!?

Intelektualët e mirëfilltë që nuk heshtin gjithsesi se  nuk duan të jenë as cinikë e as arrogantë si dhe mosbesues ndaj gjithë asaj që ndodh pranë tyre…, asnjëherë  nuk do të bëjnë miqësi me pushtetin, me politikën a me biznesmenin…, dhe, kur nuk do ta bëjnë këtë, atëherë nuk do të parapëlqehen nga pushtetarët dhe politikanët. Statusi i tyre (edhe ashtu i palakmueshëm dhe i mjerueshëm) këmbë e krye  do të margjinalizohet…, pa marrë parasysh se ky status i tyre është i përcaktuar me ligj. Se ky epitet (“opozitarë”) që u ngjitet intelektualëve të mirëfilltë është tamam ose jo, ne nuk e dimë, por një gjë është e saktë: intelektualët e mirëfilltë nuk janë as heshtakë, as frikacakë, as konformistë, as partiakë dhe as apatikë. Ata me zërin kritik edhe në të ardhmen do të luftojnë që ta mbajnë gjallë frymën progresive…, ata nuk do lejojnë që përpjekjet e tyre të anashkalohen dhe të nënçmohen. Një gjë është e vërtetë, sot e gjithë ditën ne ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se në çfarë “pike të mjeruar ka arritur një pjesë e inteligjencies shqiptare, përballë injorancës” a nëpërkëmbësve të vlerave tona kombëtare.

Njohësit e mirëfilltë të teologjisë thonë se Zoti e krijoi shoqërinë njerëzore me Ademin a.s dhe Havën a.s. Fillimisht, këta të dy i largoi nga parajsa për arsye se nuk kishin përfillur urdhrat e tij. Të parin e dënoi që të punonte, ndërkaq të dytën që lindjet t’i bënte me dhimbje. Që të dy nuk kishin kërthizë. Vallë sot, ca intelektualë shqiptarë”vërtet” nuk kanë “kërthizë”!?

Dikur moti Jeffersoni, president i Amerikës, kishte thënë: “Kur njerëzit kanë frikë nga qeveria e tyre, atje është tirani: kur qeveria ka frikë nga populli: atje është liria”! Se qeveritë u frikësohen intelektualëve që nuk tremben, ne këtë nuk e dimë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, PSE “HESHT” INTELIGJENCIA “OPOZITARE”?

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT