NGA VALENTIN LUMAJ/
Pa debatin dhe kritikën, emancipimi i shoqërisë njerëzore do të ishte i cunguar dhe i njëanshëm. Sistemet shoqërore autoritare, komuniste apo diktatoriale, këtë kanë si parim, barazinë, kjo jo vetëm në kuptimin ekonomik dhe social, por edhe uniformitetin e të menduarit, të fjalës, shijeve etj. Këtë, më shumë se një e dhënë nga çfarë kemi mësuar në literaturë, është një realitet i përjetuar nga unë dhe të gjithë ata të cilët u rritën, e luftuan komunizmin dhe i mbijetuan, jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht, në kuptimin e rezistencës ndaj trushpërlarjes kolektive. Sepse domosdo, ka nga ata që akoma mendojnë se diktatura është një e mirë racionale për njerëzimin. Fjala e lirë dhe e vërteta, ishin si bima nën gur, e cila ndjek dritën në të gjitha skutat, sado e venitur të jetë, derisa gjen diellin dhe vazhdon të zhvillohet e lirë dhe e pavarur. Ardhja e demokracisë dhe sidomos ardhja jonë në Amerikë, na i shumëzoi mundësitë për fjalën dhe mendimin tonë të lirë. Ah, Zoti e bekoftë Amerikën, këtë bashkësi njerëzish vendas dhe të ardhur me shumicë, me një diversitet pafund kulturash dhe botëkuptimesh, e cila na priti dhe na dha luksin e munguar të shpallim fjalën dhe mendimin tonë lirshëm dhe pa frigë. Por një frigë egziston akoma ndër ne, friga e nënçmimit nga vetë shqiptarët, disa prej tyre vetëm shqipfolës, të cilët nëpërmjet abuzimit të lirisë i fryjnë pa-ja-nda zjarrit të përçarjes.
Politika, jo si rrugë karriere por si një prej pasioneve të jetës time për të mbushur kohën e lirë dhe plotësuar vetveten, më dha mundësinë që të jem pjesë e disa debateve në TV lokale por edhe në rrjetet sociale. E bëra hyrjen më sipër për t’i paraprirë analizës së një debati të kohëve të fundit. ku në qendër të vëmendjes nuk dua të vendos personin L.J. por një fenomen i cili është shumë më i gjerë se vetë personi. L.J. mund të jetë çdokush që ka shfaqur abuzim verbal të njëjtë me të dhe si unë mund të jetë secili prej jush që ka qenë viktimë e kësaj dhune verbale.
Diversireti dhe shkëmbimi i mendimeve pa ndonjë nevojë për kompromis, për të bindur njeri tjetrin apo për një fitues të munshëm, duhet të jetë objektivi i një debati civil. Megjithëse komunikimet janë në mes dy ose më shumë personash, mesazhi dhe komunikimi real duhet të jetë me ndjkësit e debatit apo publikun.
Mënyra më e mirë për të mbrojtur vlerat konservatore është gjetja dhe shpallja e argumenteve që identifikojnë këto vlera. Mbi këto baza gjatë këtij debati, ndër të tjera shpreha perceptimin dhe argumentet e mija se ideologjia e majtë ose marksizmi kudo në botë e sheh Kishen katolike dhe besimin në pergjithësi si një armik që duhet të zhduket, ose të paktën t’i mbyllet goja, se presidenti Trump ka respektuar dhe thurur lavde shenjtes tonë Nëna Tereze, se femijët në Amerikë kurrë nuk kanë pasur një mbrojtës më të mirë në Shtëpinë e Bardhë, se Trump është kundër Abortit dhe i vetmi President që merr pjesë në një March for Life, se shkollat publike kanë degraduar totalisht, se në këto shkolla po kryhet indoktrinimi i ngadaltë i fëmijëvë tanë dhe Trump po akordin fonde për ‘School Choice” dhe aspektë të tjera të një debati civil dhe propagandues.
Nga skuqja fizionomike e oponentit politik L.J ne debat., e kuptova se diçka nuk po shkon mirë me të. Dhe sa më unë i mëshoja forcës së argumentit, ai aq më shumë skuqej. Vjen një moment dhe “puçrra” shpërthen:
“…me ardh ti nga Shqipëria, shteti i vetëm që kahequr fenë, me msua Amerikën si me e mbrojt fenë asht absurde, asht shumë e çuditshme për mua, asht shumë e pakuptueshme.
Me ardh ti nga Shqipëria ose nga Ballkani me msua Amerikën se si duhet me kenë shkollat asht po aq absurde… Ata njerëzit ma të aftë që ka Amerika sot, nuk kanë ardh nga shkollat e Shqipërisë, as të Kinës as të Japonisë…”
Deklaratat e tij të indinjuese paralajmërojnë gjendjen e kalbur dhe të mjeruar të tij per një ligjërim bashkëkohor debatues politik. Duket qartë se gjendja psikologjike e rënduar e L.J., i cili është nën presion dhe i përfshirë nga ndjenja e panevojshme e humbjes. Ai, i mbërthyer nga një amalgamë e krenarisë me ankth, lë tematikën e debatit, zgjedhjet presidenciale dhe fillon një variant tjetër, politikën e identitetit të kundërshtarit ose personalizimit, racën, etninë, aftesitë intelektuale, prejardhjen, apo identifikimin e kundershtarit me më te keqen e mundshme te grupit shoqëror që përfaqëson.
Këtu debati merr teposhtën, shkëmbimi i lirë i informacionit dhe ideve merr fund, biseda normale bëhet pamundur dhe përkeqësimi e saj i paevitueshëm.
Instinkti njerëzor kur dikush të drejtohet me fjalë raciste të detyron të vendosesh distancë psikike me personin. Ndjeva se brenda meje diçka ndryshon, arsyeja ia zë vendin logjikës, revolta paqes, dhe thashë me vehte, “në djall politika, dinjiteti më përpara”. Në mendje m’u sollën etiketimet përçmuese dhe ulëse: “ju shqiptarët e Shqipnisë” duke nënkuptuar tre milionë shqiptarë të Shqipërisë amë, jo vetëm të L.J. por të një kase të vogël (e theksoj kasë e vogël) shqiptarësh të rrethinave të Tuzit, tashmë i kthyer në një fenomen të pranuar në heshtje.
Ndërsa me durim pres dhe respektoj kulturën e debatit, prapë përbrenda fillova te nxehem. Ndër mend më vjen një thënie e vjetër: “Hakmarrja, (në këtë rast, përgjigja) është një pjatë që shërbehet më mirë e ftohtë”. Shfrytëzova stërgjatjen e L.J. në përforcim të budallallëkut të tij, për t’u “cool off” dhe organizuar mendimet e shpërndara brenda mendjes, megjithëse nuk kërkonte shumë mend për një përgjigje për këtë rast. Në momentin që më lejohet fjala, ndër të tjera thashë: “…nuk vij këtu për të mësuar kombin amerikan, por po jap mendimet e mia perpara vëllezërve të gjakut tim shqiptar…mos na ndani me këto se unë vij nga Shqipëria dhe ti vjen nga Mali I Zi….se të gjithë ne shqiptarët në qoftë se jemi të një gjaku e nje gjuhe, të gjithë nga Shqipëria vijmë dhe jam krenar që vij nga Shqipëria”.
Kjo çështje u debatua gjatë aty, por që një pjesë kurrë nuk u publikua, sikurse u shpreh moderatori: “kjo po të publikohet e dëmton L.J.”. Por implikimi i njëanshëm i moderatorit G.V. nuk mbaron aty prandaj do të trajtohet veçmas më vonë.
Qëllimi im nuk është në asnjë mënyrë të dëmtoj figurën e L.J., por po marr si referencë të këtij fenomeni që duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Meqë debati është paraqitur jo i plotë, unë do t’i zbërthej këtu shkurtimisht deklaratat e L.J. që të jetë sa më e qarta.
- “… me ardh ti nga Shqipëria, shteti i vetëm që ka hequr fenë, me msua Amerikën si me e
mbrojt fenë asht absurde, asht shume e çuditshme për mua, asht shume e pakuptueshme”.
Identifikimi im me Shqipërinë dhe i Shqipërisë me mua, nga njëra anë më nderon, por nga ana tjetër ky identifikim buron nga një shpirt urrejtjeje për të gjithë shqiptarët të cilët sipas tij “kanë hequr fenë”. Kjo rëndon. Është fakt që në Shqipëri u hoq feja në vitet ‘70. Kjo nuk erdhi si vullnet i lirë i një populli por ishte pasojë e aplikimit me dhunë të një ideologjie të majtë marksiste (e njëjtë me atë qe unë denoncova në debat). Diktatori komunist Hoxha nën shembullin e si-vellait të tij Mugosha, me vonë Titos si dhe me miqësitë e tjera Ruso-Kineze arriti që nëpërmjet dhunës dhe luftës së klasave, anullimin e shumicës së të drejtave njerëzore duke përfshirë edhe lirinë e besimit fetar. Por shqiptarët në shumicë besuan në Zot dhe i rezistuan valës së ateizmit komunist. Mijëra fretën dhe murgesha të vrarë, internuar dhe syrgjynosur janë dëshmia e kësaj rezistence. Mjafton të sjell në kujtesë Viçens Prendushin me 37 Martirët e Lumë shqiptarë të vrarë nga diktatura komuniste nga 1945-1974. Meshëve shqiptare sot, ju janë shtuar lutjet për të lumen Nëna Terezë dhe Martirët e Shqipërisë. Diktatori Hoxha vrau dhe burgosi shqiptarët, katolikë e muslimanë, por kurrë nuk arriti që të vrasë dhe burgosë besimin e shqiptarëve në Zot. Besimi jetoi dhe u praktikua fshehtas në familjet shqiptare, duke e mbajt Krishtin dhe Muhamedin të gjallë në mendje e zemra, bashkime e festa rituale dhe shenjtërish. Tendencat për të identifikuar shqiptarët si të pafe, apo të tjerat për të paraqitur muslimanët shqiptarë si turq, ortodoksët si grekë apo sllavë dhe katolikët si latinë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë teza të përdorura nga sllavët në Mal të Zi dhe Kosovë, dhe grekët në Shqipërinë e jugut.
- “…Me ardh ti nga Shqipëria ose nga Ballkani me msua Amerikën se si duhet me kenë shkollat asht po aq absurde”.
Kjo nuk ka lidhje me superioritëtin e shkollës Amerikane ndaj asaj Shqiptare, pasi kur lakon përemrat “unë”, “ti”, e gjithë tema merr kuptim përsonal. Prandaj është komplet ostracisëm apo tendencë për të më përjashtuar nga shoqëria amerikane ku ndërtoj apo ndërtojmë jetën për dekada me radhë dhe për të më turpëruar publikisht nëpërmjet etiketimit “i ardhur nga Shqipëria” apo “ballkanas”. Per më tepër, L.J. si qytetar i Malit të Zi dhe qytetar amerikan kjo deklaratë lirshëm mund të quhet akt i dënueshëm racist dhe ksenofobi ndaj një kombi tjetër.
- “… Ata njerëzit ma të aftë që ka Amerika sot, nuk kanë ardh nga shkollat e Shqipërise, as të Kinës as te Japonisë…”
Komplet e pabazuar në realitet, denializëm, përpjekje për të mohuar realitetin si një të vërtetë të papërshtatshme për psiqikën së tij. Në fakt, pa përmendur emigracionin masiv të kontrolluar e të pakontrolluar që ka ndjekur Amerikën për qindra vjet, në Amerikë gjithmonë ka egzistuar nje politikë konstante e “vjeljes së trurit” nga e gjithë bota. Në administratë, spitale, polici, universitete e kudo janë një armatë e tërë intelektualësh të ardhur, përfshi këtu edhe nga viset shqiptare dhe të edukuar respektivisht në vendet e tyre, nëpërmjet emigrimit, kontratave të përkohshme apo të përhershme të punës, (jo shumë serbo-malazezë pasi nuk shquhen për ndonjë zgjuarsi picante). Këtu në Michigan janë me dhjetra, intelektualë dhe inxhinierë të lartë të akomoduar me meritë të plotë në spitale, fabrika dhe universitete të famshme. Te jemi realiste, kur dëgjon këto deklarata të çuditshme, të pazakonta në Amerikë, të lënë përshtypjen se shqiptohen nga një njeri i çfarëdo kombi por jo shqiptar.
Kam dëgjuar një thënie shqiptare “Marrja rrin, por i zoti se len”.
Sikur mos të mos mjaftohej me kaq, L.J. e trash sulmin e tij ndaj shqiptarëve me një postim edhe më vulgar. Ndër te tjera ai shkruan: “…Donald Trump e suportuan shumë të çmendur shqiptarë deri edhe hoxha, frati e disa kryetarë shoqatash”. Ky rast tregon se injoranca shqiptare ska kufi”. Besoj se çdo kush, i cilitdo spektër politik me një mendje të shëndoshë dhe zemër dashamirëse për tjetrin, e dallon gjuhën e urejtjes për kundërshtarin politik. Ky është një akt i lavdërueshem për një mendje të semurë e cila mohon komplet meritat e mundshme të palës tjetër dhe njkohësisht e sulmon dhe përbuz në mënyrë patologjike, me shpresë se kështu del në pah si fitimtar. Në fakt janë gjysma e amerikanëve që mendojnë politikisht ndryshe. L.J. nuk sulmon amerikanët as grupet e tjera etnike, por shqiptarët siç e thekson “shqiptarë të çmendur”, “injoranca shqiptare ska kufi” etj. Çfarë është më e keqja, në mënyrë të paramenduar, me qëllim dashakeqës, etiketon liderët e komunitetit shqiptar, të cilët siç dihet botërisht në diasporë janë udheheqësit e Kishave, Xhamive, Teqeve dhe të shoqatave atdhetare ose e thënë më shkoqur, një sulm ndaj elitës shqiptare këtu.
Mohimi i problemit në emër te krenarisë, jo vetem që nuk e zgjidh problemin por krijon një problem më të madh se vetë problem fillestar, dhe sa me vonë të identifikohet aq ma teper bën dëm. Sigurisht që natyra njerëzore lejon të tilla gabime, këto edhe të disahershme qofshin, por refuzimi i konstant për t’a njohur gabimin, për të shaqur pendesë, kërkuar falje me premtim të mos përsëritet prapë, na jep të drejtën të mendojmë se kemi të bëjmë me vepër të fajit, dhe faji është gjithmonnë një vepër e ndërgjegjes dhe si e tillë nuk falet por vetëm dënohet.
Sigurisht që reagimi i komunitetit shqiptar, të cilët i ndoqën këto deklarata, ishte i pritshëm. Mbi të gjitha vlen të përmendet përgjigjja e famullitarit F.K. e cila ishte “qershia mbi tortë” e këtij reagimi: “…Taman, jo numer i vogel Arqipezhve, Ipezhgve, prifta, hoxhe, e besimtare laike…, patriot e atdhetare te “çmenun”… kane propogandu e votu kundra komunizmit dhe enver hoxhes ne 1944-shin, e tjera vjet mrapa…. Mjerisht hupen !.., sepse shume e shume te tjere, te “meçem, largpames e dashamire te “progresit social” ja arriten “fitores…!!!”
N’dashte Zoti “funi ka me dale hajer” ! Gezoni, festoni, nijani lezetin “fitore-hajnores” sepse na te “çmendurit” nuk dina me djege, as me vjedhe dyqane, as me thy monumente, as me shpife e rrejte…., na dina me duru, me punu, me majte ligjet…. dhe… me u LUTE per drejtsi, paqe e dashni”.
E megjithëse po kalon shumë kohë, kjo edhe si kohë ditësh të mëdha Krishtlindjesh dhe ndërrim vitësh, ku Kisha i thërret besimtaret në lutje, pendesë dhe falje, L.J. vazhdon avazin e vjetër duke bashkëngjitur copëza videosh të blera nën dorë si armë për të deformuar të vërtetën dhe për të korrur disa lavde, për të cilat ka shumë nevojë por gjithsesi janë vetëm hipokrizi dhe i ngjasin asaj shprehjes amerikane “Whip cream on dog shit”. Kurse mendja e ndritur shqiptare thotë: ”Nuk mbulohet Dielli me shoshë”.
Megjithatë, këta shqiptarë pseudo-patriotë, të cilët në periulla të vështira të vuajtjes apo të egzistencës tonë si shqiptarë, i kanë thurur lavde, shërbyer, kënduar më çifteli apo edhe marrë dekorata nga Tito dhe sunduesit e tyre sllavë, janë një pakicë dhe nuk e zbehin shpirtin e pastër, atdhedashës, luftarak, besnik e paqedashës të Malësorit të vërtetë. Do të ishte mëkat të mos falenderoj dhe të jem mirënjohës ndaj pjesës tjetër, shumicës së malësorëve tanë të nderuar, për ndihmën, përkrahjen, që në këto kohë të vështira që përmenda më lart, hapën dyert dhe zemrat për vëllezërit te tyre shqiptarë.
Si mbyllje, kjo jo vetëm e shkrimit por edhe të këtij fenomeni, në shekullin e 21-te, qëndrime të tilla të ndasisë vllaznore në mes shqiptarëve e aq më pak në mes malësorëve, janë të papërceptueshme. Thirrja ime e sinqertë shkon për të gjithë malësorët, katundarët, qytetarët, mysliman dhe të krishterë, shqiptarë të vërtetë, që të distancohemi nga këto akte të urrejtjes, të krenarisë dhe përçarjes. Këto qëndrime qofshin të qëllimshme, naive apo shkarje momentale duhet të evidentohen dhe të reflektohet menjëherë ndaj tyre, përpara se ato të bëhen çështje publike. Vetëm kështu ruhet etika e komunikimit dhe komuniteti merr tiparet e një shoqërie të emancipuar që prodhon energji positive, energji të cilat duhet të shkojnë në favor të çështjeve kombëtare dhe jo kundër njëri-tjetrit.
Valentin Lumaj, Michigan, 4 Janar 2021