Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, në konferencën për shtyp të fundvitit/
-Zgjidhje ligjore për njohjen e stazhit të punës në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 edhe për çështjen e pensionimit, për çka do krijohet një komision i veçantë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Dhjetor 2015/ Punësimi do jetë prioriteti i vitit 2016 i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës, tha sot ministri Arban Abrashi, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli në konferencën për shtyp e pritjen e fundvitit, ndërsa paralajmëroi edhe zgjidhjen ligjore për njohjen e stazhit të punës në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 edhe për çështjen e pensionimit, për çka do krijohet një komision i veçantë.
Për vitin e punës 2015 ai ka theksuar funksionalizimin esistemit të regjistrimit të punëkërkuesve. “Janë 115, 868 punëkërkues të regjistruar – 50, 666 femra; 12, 762 vende të lira pune të identifikuara; 4,188 biznese të regjistruara; 40-100% rritje të shifrave të ndërmjetësimit dhe punësimit”, bëri të ditur ministri Abrashi.
Duke folur për aftësimet profesionale ai theksoi ndërtimin e qendrës së aftësimit profesional në Gjakovë; trajnimet për ndërmarrësi në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan; aftësimin dhe përkrahjen në formë grantesh në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graçanicë, Mitrovicë, Leposaviç, Vushtrri dhe Gjilan; akreditimin e kurrikulave aktuale të programeve të aftësimit profesional si dhe programeve të reja, konform standardeve të profesionit; ofrimin e trajnimeve në qendrat korrektuese.
Ministri Abrashi më tej foli ehe për dialogun social dhe përkrahjen sociale, duke theksuar “rritjen e pagesës për asistencë sociale për 25% për rreth 26.000 familje, që ka ngritur pragun mes 40-120 euro, sa ishte, në 50-150 euro sa është tash”.
“Për herë të parë ka filluar licencimi i ofruesve të shërbimeve sociale. Janë licencuar 733 ofrues publikë dhe privatë të shërbimeve sociale. Në shumën prej 100 euro për muaj janë përkrahur 2,750 familje, që kanë fëmije me aftësi të kufizuara. Në shumën prej 150 euro për muaj, janë përkrahur 108 fëmijë të strehuar jashtë familjeve të tyre. Janë ndihmuar 243 familje me nga 100 euro 49 familje me nga 150-300 euro si ndihmë emergjente për situatë të jashtëzakonshme. Është bërë subvencionimi i energjisë elektrike për përfitues të skemës së ndihmës sociale dhe familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, janë subvencionuar 22.669 familje nga Skema e Ndihmës Sociale dhe 11.368 familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Në total 34.037 familje me nga 130 euro në vit”, bëri të ditur ministri kosovar i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Lidhur me legjislacionin si theksoi se është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësim, riaftësim profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe Projektligji për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësim.
Ministri Abrashi ka prezantuaer raportin vjetor edhe për investimet, pensionet, uljen e informalitetit, si dhe për buxhetin me rritje për 43,536,872,00 euro.
• “Alokimi për pensionet kontribut-dhënëse ngritet nga 68.214.478,00 në 91.683.800,00; alokimi për asistencë sociale nga 25.145.593,00 në 30.500.00,00 euro”, tha ministri Abrashi, i cili në përmbyllje foli edhe për komunikimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ishin 126 komunikata, 690 shkrime të evidentuara në media, 43 marrëveshje të nënshkruara.
• “Kishte takime të rregullta me grupe të margjinalizuara dhe palë tjera. Kanë marrë përgjigjeje të gjitha kërkesat për qasje në dokumente zyrtare”, tha ministri i Ministrisë kosovare të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.