• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shteti i Kosovës duhet të ruhet dhe mbrohet -pushtetarët vijnë e shkojnë

June 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Nue Oroshi- Gjermani/

Dallimi në mes shtetit dhe pushtetit janë dy botëra dhe një mur i madh që i ndanë në mes. Shpeshherë një pjesë e shqiptarëve nuk e bën këtë dallim dhe i bën ngatrrimin e shtetit me pushtetarët.Pushtetarët janë të përkohshëm ata vijnë e shkojnë, ndërrohen, humbin e fitojnë, mvarsishtë nga shija që e ka popullata apo votuesit në atë periudhë kohore dhe varësishtë nga shija që ju lanë politikanët qytetarëve,gjatë kohës sa qeverisin ata. E sa i përket qeverisjes në Kosovë është për tu theksuar fakti se në shumë drejtime politikanët tanë dështuan në qeverisjen e shtetit.E në shumë raste pushteti u keqpërdor për nevoja të pushtetarve të cilët menduan dhe po mendojnë prap se gjatë tërë jetës do të jenë në pushtet.

Ditëve të fundit në Kosovë janë duke vluar gjakrat për shkak të akuzave që ka bërë Prokuroria e Gjykates Speciale të cilën e krijoj Hashim Thaqi dhe 82 deputet të Parlamentit të Kosovës shumica e të cilëve edhe sot e kësaj dite janë zgjedhur dhe rizgjedhur prap deputet të Parlamentit të Kosovës.

Në këto momente që po kalon Kosova është me rëndesi të ruhet shteti dhe miqtë tanë amerikan dhe gjerman,për faktin se politika në botë është shpeshherë në kundërthënie me njëra- tjetrën e historikisht kur të mëdhenjët lufojnë qoftë politikisht apo luftëra tjera më së keqi e pësojnë popujt e vegjël, e ne shqiptarët e kemi një shije të hidhur gjatë historisë tonë, nëpër periudha historike kur ka pasur përplasje të shteteve të mëdha botërore.

Çka duhet bërë politika e Kosovës?

Në këto momente politika e Kosovës duhet të bashkohen dhe të formojnë një grup politik që duhet të përbëhet nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës, ku në bashkëpunim me Institucionet tjera duhet përgaditur një platformë politike dhe ekipi që do të përfaqëson Kosovën në bisedime duhet të paraqet këtë platformë unike, dhe ti lënë inatët personale apo rrahagjokset e kota se unë jam unë.Që në fillim të kësaj platforme duhet bërë një listë e të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, duhet paraqitë lista e të zhdukurve kurse juristët e shumtë që ka Kosova nuk duhet fjetur por duhet pergatitur një dosje të krimeve serbe në Kosovë, në mënyrë që Gjykata Speciale mos të jetë e njëanshme.Me këtë mund të ndihmojë edhe Parlamenti i Kosovës me plotësim, ndryshimin e ligjit ku Gjykata Speciale të jetë Gjykatë që gjykon të gjithë e jo vetëm shqiptarët.

Ekonomistët duhet përgatitur me fakte dëmet e luftës që i ka shkaktuar Serbia në Kosovë, siç janë djegiet,shkatërrimet e shtëpive dhe shumë dëme tjera.Platforma politike duhet përgaditur së bashku me një prememorje të krimeve serbe mbi shqiptarët si kujtesë historike dhe kjo duhet punuar nga historianët dhe studiuesit shqiptar.

Shteti i Kosovës duhet të ruhet dhe mbrohet.Pushtetarët vijnë e shkojnë ata nuk janë të përjetshëm.Edhe politikanët shqiptar duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë ndërrimin e gjeneratave në politikë.Tash është ardhur koha që Kosovën ta udhëheqë një gjeneratë e re,por ajo mos të jetë vetëm e re për nga mosha por edhe të ketë edhe vizion të ri politik se si duhet të qeveriset dhe të ecë shteti përpara.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nue Oroshi, pushtetaret, shteti i Kosoves

A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?

June 29, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/

Pushtetarët tanë po qajnë hallin e krizës greke. Në të vërtetë populli grek e ka një barrë të rëndë dhe kjo barrë e rëndë është kasta politike që ka mbajtur mbi supe, e cila, e papërgjegjshme, e solli Greqinë në fatin e perandorisë romake, që e zhytur në qejfe e la popullin në mjerim e fundi dihet. Perandoria me shkëlqimin më të madh në histori, që kishte vënë botën nën vete, shtrirë në tre kontinente, u shkërmoq, humbi si të mos kishte qenë kurrë. Greqia nuk është në ato përmasa, dhe ngrehina greke aq shumë e stimuluar dhe përkëdhelur nga Fuqitë e Mëdha në orekse të mëdha,  nuk besoj se do të shkaktojë atë efekt që solli shembja e perandorisë romake, e cila solli  si pasojë futjen e kontinentit në errësirën shumë shekullore. Errësirë që do të vazhdonte deri me shfaqjen e madhërishme të Rilindjes së ndritur Europiane. Më së shumti kriza ekonomike greke do të shkatërrojë imazhin e një Greqie të lumtur, të një llastice ballkanike, vend ku europianët e kishin si një parajsë ku mund të kalonin pushimet dimër verë, nën diell e pranë detit, mund të bënin qejfe të shfrenuara në ekzotikën e buzuqeve e të pjatave që thyheshin me zhurmë nën avuj uzoje e vere mesdhetare. Në Greqinë  ku paraja shkonte lumë e ku taksat nuk paguheshin së pari nga qeveritarët e korruptuar, pasurinë e të cilëve e gjeje me shumicë në bankat e Zvicrës, kishin jahte të padeklaruara, shtëpi të shumta madje të implikuar në këto afera edhe ministrat e deputetët grekë. E që të mos harrojmë, Greqia gjatë gjithë ekzistencës së saj si shtet ka qenë e përkëdhelura e Europës. A mund të gjeni një shtet që brenda kufirit të 80 vjetëve të dyfishojë territorin e vet, duke gllabëruar troje e popullsi të kombeve të tjera e duke i tjetërsuar ato me dhunë deri në kufijtë e gjenocidit mbi banorët e kombësive të tjera. Sepse pas gjenocidit turk mbi armenët kemi gjenocidin grek mbi shqiptarët e Çamërisë, ndërkohë që Europa heshtte. 

Sot Greqia ka një shtet me sipërfaqe 131 mijë e 940 kilometra katrorë, ku pothuaj një e treta i janë rrëmbuer shqiptarëve, ajo që grekët e quajnë Epir grek janë të gjitha toka arbërore, e megjithatë orekset e të përkëdhelurës së Fuqive të mëdha evropiane nuk i mungon oreksi me shpikjen e shpifur “Vorio Epiri ine eleniki”.  Greqia ka mbi 11 milion banorë, nga të cilët, një e treta janë shqiptarë apo dhe arvanitë, pra shqiptarë të hershëm, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë, mohohen, nuk u njihet gjuha e tyre, kultura arvanite arbërore është përvetësuar. Sot dalin çolejt me veshjet kombëtare të shqiptarëve si roje në parlamentin grek dhe evropianët ngazëllehen prej traditave të vjedhura, kinse nuk i dinë shkrimet e konkluzionet e Jakob Philipp Fallmerayer, se revolucioni grek ishte “purely Shqiptarian Albanian, not a Hellenic Revolution”. Pra një revolucion i shqiptarëve dhe jo i grekëve dhe kjo e shkruar pikërisht në vitin 1833, vetëm 3 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë. Po sot, pas një shekulli e gjysmë ku janë shqiptarët që bënë revolucionin grek, është fjala për pasardhësit e heronjve arvanitas, që nuk kanë asnjë të drejtë etnike në shtetin e ri që formuan vetë me gjakun e sakrificat e tyre.

Pra kjo Greqi e përkëdhelur nga fuqitë evropiane, në sajë të së cilës ka mbijetuar, është e natyrshme që do të mbijetojë  sërish, do të gjendet një mënyrë që të mos bjerë në gjendjen shkatërrimtare të ekonomisë, sepse nuk janë interesat e Europës ta shkërmoqin si fuqi në Mesdhe përballë vendeve arabe. Aq më tepër se territori grek ka shërbyer gjithherë si një urë kalimi të emigrantëve nga Lindja e Mesme  për në Europë. Nëse Greqia do të dalë nga sfera financiare e euros është e natyrshme që duke qenë jashtë kontrollit evropian, ajo për të thithur para do t’i hapë portat e Europa do të shohë një vërshim të ri e të paparë të emigracionit arab në drejtim të saj. Me gjithë ashpërsinë në dukje, europianët e bashkimit do ta përkëdhelin e ledhatojnë edhe më tej  Greqinë.  Nuk ia vlen barra qeranë ta humbë, por ama sa më shumë që e ndihmon Europa, aq më shumë orekset greke shtohen. Duhet patur parasysh se sasinë më të madhe të parave të marra nga Bashkimi Europian ajo i ka kaluar në furnizimin e ushtrisë me armatime. Si mund të konsiderohesh në krizë, kur shpenzon marramendshëm për armatime supermoderne, tej e përtej programit të NATO-s për anëtarët e aleancës? 

Le t’i referohemi shifrave. Në vitin 2008, Greqia ka shpenzuar për ushtrinë rreth 9.3 biliard dollarë dhe është konsideruar importuesi më i madh i armëve konvencionale në Europë. Si mund një vend në krizë që për vitin 2013 të shpenzojë 3 biliard Euro e të mbajë një personel ushtarak prej 108 mijë e 874 vetë. Si mund të konsiderohesh në krizë kur sjell ushtrinë në kufirin me Shqipërinë, sikur të jemi në gjendje lufte, në një kohë që financon pensionet e shqiptarëve, që për interesa ekonomike e mohojnë kombësinë e vet, vetëquhen grekë e marrin pension rreth 380 euro në muaj, pra sa dyfishi i një pensionisti mesatar në Shqipëri, i cili ka punuar tërë jetën dhe jeton mjerueshëm. Ndërsa pensioni mesatar i një pensionisti grek është 700 euro, ku e ku me gjendjen katastrofike të pensionistëve shqiptarë.

Zërat qaramanë të shtetarëve e politikanëve shqiptarë që po lotojnë për krizën greke e kanë një shkak sigurisht, i druhen faktit se mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë të mbetur pa punë e mjete jetese do të kqyrin të kthehen në shtëpitë e veta, në Atdhe, e do të bëhen një forcë e lirë pune që do të shtojë varfërinë e krisjet sociale në Shqipëri. Pra thënë shul shqip, qeveritarët kanë hallin e vet edhe ata, duan të mos kenë kokçarje, të vazhdojnë të notojnë në luks e të mos u prishet rehati prej revoltave popullore. Gjithsesi, problemi i emigrantëve shqiptarë në Greqi qëndron, janë në zgrip, kriza së pari do të kalojë mbi ata, por ne jemi shqiptarë që anipse në fat të keq historik, lodhjet, vuajtjet e mundimet na kanë bërë të rezistueshëm. Bëjmë çdo punë, përballojmë vështirësitë dhe mbijetojmë. Dhe besoj se emigrantët shqiptarë do të mbijetojnë edhe në këtë situatë të vështirë sepse pakësohen punët, falimentojnë firmat dhe qytetarët grekë bëhen më dorështrënguar.

E parë në një plan tjetër, do të pyesja këta qeverisës apo deputetë që po shqetësohen aq shumë për krizën greke, se sa i ka të ardhurat një pensionist grek dhe sa e ka një shqiptar, flasim për kushte profesionesh të njëjta. I ballafaqoni e do të shihni se sa poshtë është niveli i jetesës së shqiptarëve, e pastaj përrallisni nëpër  gazeta se kriza greke po bën hatanë tek fqinji i jugut dhe ne qenkërkemi bukur mirë, pa krizë. Kur s’na thonë dhe në lumturi! Kur në të vërtetë ne jemi nën nivelin e detit dhe nuk ka sesi t’i ndjejmë dallgët e krizave. I qajmë hallin kalorësit se i varen këmbët e vetë jemi zhyt mbyt…në fund të detit të krizave.

A keni gjë të thoni për situatën ku ndodhemi të nderuar shtetarë e deputetë, ministra e ofiqarë? A keni gjë të thoni se si mund të jetohet me 100 euro në muaj që ju shtetarë e deputetë nëpër restorante klasi i lini bakshish? A e dini ju që qeverisni se shteti grek që ka afro tre-katërfishin e popullsisë në raport me Shqipërinë dhe pesë fishin e sipërfaqes, ka një qeveri me 16 ministra, ndërkohë që qeveria jonë që është në një vend të vogël fare, me 28 mijë kilometra katrorë sipërfaqe dhe popullsi 2 milion e 800 mijë banorë, ka një qeveri të rëndë me 20 ministra, ndërkohë që kabineti i presidentit amerikan përbëhet nga 15  ministri. Si është e mundur që populli i varfër shqiptar të mbajë mbi supe gjithë këtë barrë të rëndë?  Kujt i hyn në punë se çfarë bën gjithë ditën, ta zëmë, Ministria fantazmë për marrëdhëniet me parlamentin. Parlamenti me Qeverinë janë veç njëmijë hapa larg njëri-tjetrit, e në vend të një postieri vëmë një ministër me një aparat ku rregullojnë taraf e miqësi. Ka një ministri të Mjedisit krejt kot, se nuk ka mbetur ta mbrojë mjedisin një ministri që pushton trotuarin në rrugën “Mihail Duri” në Tiranë dhe qytetarët detyrohen të kalojnë në mes të rrugës, nën rrezikun e ndonjë përplasje që mund t’u kushtojë jetën. Kujt i duhet ministria e Inovacionit e Administratës Publike, një sajesë sa për t’i gjetur vendin një zonje me lidhje e miqësi familjare? Çfarë dreqin bën ministri i shtetit të Qeverisjes vendore? Qeverisja vendore tashmë realizohet nga 61 kryebashkiakë, thuaj të gjithë të partisë në pushtet. Kryeministri dashka një ministër të veçantë për të komunikuar me kryebashkiakët e partisë së tij? Veç kur e thua se kemi pesë ministri më shumë se shteti amerikan me 380 milionë banorë dhe ekonominë më të fuqishme në botë, më të vërtetë ndjehemi rehat, sepse nuk ka krizë që mund t’i bëjë gjë këtij vendi të vogël  me qeverisje të madhe dhe me korrupsion gjigant, me të madhin në Ballkan, bashkë në këtë meritë me vëllezërit tanë në Kosovë. Po le t’i kthehemi Greqisë për të cilën qajnë me lotë e me bot politikanët e shtetarët tanë nën ison e vajtojcave të parlamentit shqiptar.

A keni gjë të thoni cili është standarti i jetesës në Greqi dhe cili është në Shqipëri? Se thirrje për të pasur dhimbje se Greqia po fundoset nuk kanë efektin e duhur tek ata që janë vetë të mbytur. Grekët morën aq shumë para nga Europa e tani nuk kanë si t’i paguajnë. Le të mos i paguajnë. Kush kishte dha. A nuk bëri dhe ish Jugosllavia kështu? Asnjë para nuk u ktheu kreditorëve. Qeveritarët tanë të papërgjegjshëm, që notojnë në luks, që bredhin nëpër Europë e botë, që e kanë bërë Parisin si shtëpi e dytë, që na i vënë edhe fotot e udhëtimeve të veta nëpër faqet e e mediave sociale elektronike, duke u mburrur se hanë e pinë me paratë e shqiptarëve, duhet të dinë këta,  më shumë se të përkëdhelur të fatit – anëtarë të klanit, se jemi ne për të qarë e qeshur, e jo grekët. 

Ju që jeni në krye, që gëzoni privilegje kur populli juaj vuan, qani hallet e popullit shqiptar se për atë ju paguan aq shtrenjtë. Se për grekët mendon Gjermania, Franca, Anglia, Rusia, Serbia dhe tërë miqtë e saj që historikisht e kanë përkëdhelur kur ne na i vinin hanxharët  në trup të Atdheut,  për të ushqyer oreksin e pangopur të saj me tokat shqiptare. Ne nuk gëzojmë kur tjetri vuan, qoftë ky dhe fqinji ynë që na ka vjedhur vatanin, por vuajtjet tona nuk paskan një të ngjashëm në këtë Europën tonë ku jetojmë që kur janë shfaqur qeniet e para njerëzore mbi tokë,  por mjerisht e tragjikisht jemi të përjashtuar.

Fillimi e fundi i fjalës: A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?! 

28 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Traboini, Kriza greke, lot, populli, pushtetaret

Pushtetarët po e mbysin kinematografinë

February 9, 2014 by dgreca

Kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen, duke i dhënë aq pak para se nuk mjaftojnë gati për asgjë.

Gani MEHMETAJ /

Kinematografia shqiptare asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se sa në mileniumin e tretë. Kineastët shqiptar kurrë nuk ishin më të braktisur se sa në kohën kur filmi në botë ka arritur majat e zhvillimit teknologjik. E braktisur nga shoqëria, e nënçmuar nga shteti, filmi shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë vegjeton sot për nesër, në përpëlitje të shuhet fare. Dy qendra kinematografike shqiptare shtihen kinse po financojnë filma, ndërsa kineastët e frustruar, të cilët marrin ca para nga shteti, po ashtu shtihen kinse po bëjnë filma. Në fakt regjisorët e producentët më ekipin e aktorëve në një varfëri të skajshme buxhetore po bëjnë përpjekje titanike të sfidojnë vetën e shtetin që i përbuz. Entuziazmi e dashuria për artin, është ajo që i mban, por kjo nuk mjafton, sepse filmi  kërkon mjete të mëdha financiare. Pa para s’ka vepër artistike, por sidomos pa para të shumta s’ka projekte kinematografike.   

Ndërrimi i qeverive po e thellon krizën e filmit!

Me një film në vjet (Tiranë), apo edhe më keq më gjysmë filmi në tre vjet (Prishtinë), nuk mund të quhet kinematografi, as mund të konkurroj asgjëkund, sepse kjo prodhimtari manifakture nuk quhet industri filmike, pavarësisht nga gjuha “moderne” e ca zyrtarëve të cilët flasin për industrinë kinematografike shqiptare që vetëm sa të nxit në qeshje sarkastike. Ndërkaq, xhirohen aq pak filma sa të mos thuhet se u shkëput vazhdimësia, por jo mjaftueshëm sa të thuhet që po ikim nga pika e fillimit. Çdo dhjetëvjetësh sikur e nisim nga e para. Gjendja nuk ndryshoi as me ndryshimin e qeverive, përkundrazi kriza kinematografike sa vjen e thellohet, sepse garniturat e reja i trashëgojnë vështirësitë e vjetra,  ku e ku pastaj e thellojnë krizën, duke e kopjuar qeverinë pararendëse në shpërfilljen ndaj filmit.

Asnjë qeveri nuk paraqiti asnjë vizion për dalje nga kriza, asnjë grup punues nuk paraqet ndonjë koncept, i cili do të hapte rrugë dhe, do të ndihmonte që filmi të mos vendnumëroj, ndërsa regjisorët të mos i përsërisnin ankesat e përvitshme. Ndërsa kriza është pasojë e buxhetit të pakët nga shteti, asnjëherë nuk përfillet mendimi i kineastëve, asnjëherë nuk ftohen ata të bëjnë strategji për kinematografi. Në vend të shtohet buxheti, dalin ca zyrtarë ministrie “të gjithëdijshëm” apo nga QKK-të e klaneve, të cilat lexojnë diçka nga notesi i tyre, që më shumë është lojë fjalësh a fjalime boshe, pastaj kinse dëgjojnë ankesat e kineastëve dhe ia mbathin për të mos u dukur kurrë më para publikut.

Buxheti për kinematografinë përsëritet me të njëjta shifra nga viti n vit. Sivjet s’ka para fare për film në Tiranë, sepse duhet të shlyhen borxhet e vjetra! Ministria Shqiptare e Kulturës nuk e shkon nëpër mend të jep mjete shtesë, ka përparësi tjera! Në kopjimin e të shëmtuarës të dy ministrit i ngjajnë njëra-tjetrës. Vetëm se në Prishtinë zyrtarët e Ministrisë së kulturës janë edhe më primitiv e të paarsimuar.

Që nga vitet e nëntëdhjetë filmi në mënyrë të pafalshme është trajtuar si vrima e fundit e kavallit. Janë gjetur vrima e gropa ku janë hedhur paratë e taksapaguesve, janë shpikur projekte e përparësi financimi, kurse për kinematografinë asnjëherë nuk pati para që do të stimulonte prodhimin.

Asnjë kinematografi kombëtare në rajon (me të vetmit që mund të mateshin dikur) nuk është më keq dhe më e zhvlerësuar se sa kinematografia shqiptare. Asnjë shtet në rajon nuk prodhon më pak filma se sa Shqipëria e Kosova, asnjë shtet në rajon nuk jep më pak buxhet për filmin se sa që jepen në Tiranë, apo në Prishtinë. Shtetet fqinje i kanë dyfishuar numrin e filmave të prodhuar, shqiptarët e kanë zvogëlua numrin e filmave të prodhuar. Derisa bie fjala në Serbi xhirohen dhjetë filma në vjet, kryekëput më buxhet të shtetit, apo në bashkëprodhim me televizionet kombëtare, ashtu sikurse në Kroaci ku bëhen tetë filma, në Maqedoni deri në tre filma me katër milion euro buxhet, të ne është shpikur një përqindje e çoroditur buxhetore, e cila nuk mjafton gati për asgjë. Nuk kuptohet ky qëndrim i pafalshëm dorështrënguar i dy shteteve shqiptare ndaj kulturës në përgjithësi e filmit në veçanti. Nuk doli asnjë kryeministër të thotë se filmin e trajtuam sikur ta kishim thjeshtër, nga sot do ta trajtojmë si fëmijën tonë. Vazhdojnë ta shpërfillin. Me një milion dollarë në Tiranë, apo 350 mijë euro në Prishtinë, s’mbahet kurrë kinematografia, sikurse që me individë apo shtëpi filmik sot për nesër, s’do të ecën kurrë filmi tutje.

Sigurisht kriza në film është edhe pasoj e mënyrës së caktimit të ministrave dhe zyrtarëve kryesor të kulturës. Nuk e di për Tiranën, por në  Prishtinë tre ministrat e fundit të kulturës ishin gjysmë analfabetë (njëri me mejtep për hoxhë, tjetri mezi e kishte mbaruar një shkollë të mesme me ndërhyrje, ndërsa i treti është “reper” rrugësh). Kështu qeveritarët tanë të të gjitha ngjyrave janë tallur e po tallën me kulturën, ashtu sikurse po tallën me artistët.

Me shuarjen e kinostudios, po shuhet edhe kinematografia

Kinematografia shqiptare dikur ishte në gjendje të mirë prodhimtarie (xhironte deri në 13 filma artistik).  Kishte shumë shtrëngesa e censurë, por filma bënin. Kishte shtëpi filmike, ku realizohej e tërë prodhimtaria (Kinostudioja). Më rënien e komunizmit filloi përpëlitja e kinematografisë shqiptare, megjithëse do të duhej të ishte ndryshe. Filmit iu përgjysmua buxheti, u shua kinostudioja. Terrorin e  censurës e zëvendësoi terrori i mospasjes. Në mungesë të filmave brezi i ri i regjisorëve po realizohen më vështirësi, brezi i vjetër që i dhanë aq shumë filmit shqiptar, rrinë e presin ndonjë ditë më të mirë.

Ka dhjetë vjet që nuk bëri film Kujtim Çashku, gati aq vjet nuk e kemi parë në ekran  Dhimitër Anagnostin, më shumë se pesë vjet nuk bën filma Saimir Kumbaro, ndonëse ka disa skenar, na mori malli për Mevlan Shanajn, Rikard Ljajrjen, Piro Milkanin, Esat Mysliun, regjisorë e aktorë të tjerë me nam. Shumica prej tyre kanë energji e ide kreative që të punojnë, por askush nuk ua ofron një mundësi të tillë. Regjisorët në Perëndim punojnë edhe pas moshës 83 vjeçare, ne i pensionojmë ende pa i mbushur 60 vjet. Ndërkaq, ata më përvojën e dijen e tyre kanë mundësi të thonë aq shumë…

E njëjta situatë është edhe në Prishtinë. Shëmtitë përsëriten në qëndrimin ndaj kinematografisë dhe ndaj institucioneve të filmit. Kështu derisa kinostudioja u shua, ndërsa ka propozime që sërish të aktivizohet dhe të filloj nga puna si më parë,  Kosovafilmin është në fazën e shuarjes, sepse ashtu duan burokracia gjysmanalfabete e arrogante e kulturës.

Regjisorët, kameramanët, montazherët e aktorët, dikur e kishin komoditetin e punës normale, nga ta kërkohej vetëm të bënin punën e vet, ndërsa sot ata regjisorë shqiptar që kanë fatin të punojnë, duhet ta bëjnë edhe punën e organizatorit, producentit, madje i duhet të merret me dërgimin apo pranimin e kopjeve nëpër festivale. Në mungesë të një shtëpie filmike me kritere dhe më standarde të përcaktuara, që është prapa një projekti kinematografik, ditët e xhirimit zvogëlohen, në dëm të cilësisë së filmit. Po ashtu, në mungesë të shtëpisë filmike që do të ndërmjetësonte në shitjen e filmave jashtë shtetit, këtë e bënë regjisori i filmit apo ndonjë producent i rastit. Ka improvizime xhirimesh,  për të shkurtuar shpenzimet, ka improvizime në të gjitha fazat e realizmit të një filmi, sepse mungon ekipi profesional që e kishte dikur kinostudioja apo Kosovafilmi.

Duke i shikuar filmat shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë heton që u mungojnë profesionistët: producenti, drejtori i filmit, drejtori i organizmit, organizatori i xhirimit etj. Vëren se regjisori ka harruar detyrën parësore- regjinë e filmit, shpesh është bërë tregtar duke e dëmtuar veprën e vet me ndonjë reklamë marroqe brenda filmit.

Kineastët janë shpërndarë si zogjtë e klloçkës pa shtëpi filmike e pa katandi. Atë që e patën e prishën, duke shpresua që po bëjnë mirë, ndërsa në fakt vepruan keq. Kinematografia shqiptare duhet të ndryshojnë strategji, kineastët të kërkojnë që shteti të mos u jep ndihma varfanjakësh, por buxhet të mirëfilltë që do ta kalonte shumën prej katër milion eurosh në Tiranë dhe së paku dy milion euro në Prishtinë. Ata duhet të këmbëngulin që donatorët të cilët do ta mbështesnin filmin të lirohen nga tatimi në fitim, ndërsa filmi që nga faza e parë e xhirimit e deri në fund ët lirohet nga tatimi, sepse filmi të ne nuk është as mall dhe as industri, ashtu sikurse që nuk është as teatri.

Kinematografia duhet ta ketë edhe një shtëpi filmike me sektor të veçantë, që do të merrej me shitjen e filmave, sepse kështu sikurse shitet filmi brenda e jashtë, nuk dallon nga shitja e patateve në treg.

Prandaj, kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen kinematografisë, duke i dhënë aq pak para se nuk mjafton gati për asgjë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, mbysin kinematografine, pushtetaret

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT