Shkruan Eugen SHEHU/
Rishikimi nga një periudhë e gjatë kohore e marëdhënieve bullgaro-shqiptare,në vitet 1941-1944, është i natyrshëm që do të nxjerret përballë problemeve të shumta dhe të koklavitura.Kjo jo vetëm për faktin kohor,as për burime arkivore (që lehtësisht mund të kërkohen e gjehen në Bullgari) se sa për një problem tjetër thellësisht me tendenca politike.Mbi këtë periudhë të vështirë të popullit shqiptar në viset shqiptare të Shkupit e Kumanovës,ku qëllimisht është hedhur pluhur harrese,ngase qoftë qeveria bullgare dhe qoftë ajo sllavomaqedonase i kanë quajtur e i quajnë ende këto treva autoktone shqiptare si domene të tyre.Në këtë mënyrë çdo studim apo lëvizje për të mundur të mësosh diçka nga pushtimi i trojeve shqiptare në vitet 1941-1944,ka qenë i pamundur,sepse koniukturat politike të djeshme dhe të sotme nuk lejojnë një sipërmarrje të tillë me vlera.Aty ku flitet në gjuhën e « ekuilibruar » të politikës,aty ku mungojnë dëshirat e sinqerta dhe analiza e thellë e problemeve,pikërisht aty duhet të veprojmë me kujdes se çfar fshihet pas kësaj heshtjeje apostolikeMe aq sa kam mundur të hulumtoj,në arkiva e në shtypin e kohës,une mendoj se në vitet 1941-1944,shqiptarët që jetojnë në trojet tona amtare në Shkup,Kumanovë e rrethina,jo vetëm që rruajtën trimërisht traditat e vyera të kombit tonë,por njëherazi me tendencat nacionaliste të shfaqur haptaz,dëshmuam atdhetarinë e flakët për viset etnike shqiptare.Merret lehtë me mend se regjimet komuniste totalitare,në Shqipëri e Maqedoni (si ish Republikë e Federatës Jugosllave) askurrë nuk kanë qenë të interesuara të hapin fletët e asaj historie,madje edhe vetë bullgarët kanë heshtur.Por nëse kërkohet të ecet përmes hapash politike e diplomatike,të respektit të ndërsjelltë vlen të kthesh kokën prapa për t’i parë të vërtetat e hidhura sa më të ndriçuara.
E vërteta është se në fillimin të vitit 1941,ngjarjet në Evropë muarrën rrjedha tejet të papritura.Gjermania ndodhej midis dy fronteve të luftës në Perëndim dhe në Lindje.Në Perëndim ishte Anglia e cila po bënte përpjekje për t’u mobilizuar duke marrë parasysh edhe ndihmën amerikane,ndërsa në Lindje komunizmi rus po forcohej e militarizohej dita ditës.Midis këtyre dy rreziqeve,çuditërisht Hitleri vendosi të shmange Perëndimin dhe këtë akt e kreu brenda natyrës së tij agresive dhe ambicioze duke u përgaditur për të sulmuar BRSS.Shumë historianë të Artit Ushtarak, e vlersojnë këtë hap të Hitlerit si çmenduri,por pak rëndësi ka kjo.Evropa po shkonte drejt luftërave fatale.Ndërkaq Italia pasi sulmoi shtetin amë,në vitin 1940 nisi luftën me Greqinë dhe më pas kërkoi prej Hitlerit (i cili mbante në memorje burimin e Luftës së Parë Botërore)një bashkërendim ushtarak për pushtimin e Jugosllavisë.Këtë e sqarojnë mirë analistët e huaj : « Më 4 shkurt,në konferencën e të gjithë hierarkëve ushtarak të Raihut të Tretë, »Operacioni Barabarosa » u kolaudua në mënyrë përfundimtare si edhe u përcaktua data e fillimit të tij,15 maj 1941.Por meqenëse Hitleri,i detyruar nga aleati i vet,Musolini,mori pjesë në operacionet e fushatës së Greqisë dhe më vonë të Jugosllavisë,duke humbur një kohë të çmuar prej gati 5 javësh,data e mësipërme ishte e nevojshme të spostohej në gjysmën e dytë të qershorit “
( R.Batalia , Lufta e Dytë Botërore , Tiranë 1988, faqe 160 ).
Kështu vlen të parashihet fakti që sulmi i prillit 1941 kundër Jugosllavisë,zhvillohej në rrafsh të planeve të përbashkëta me Italinë dhe kjo është arsyeja që pas atij kapitullimi të turpshëm të Armatës Jugosllave,u zbatua një plan i përpiktë për ndarjen e zonave të influencës në këtë vend.Por si një aleat të afërt në ide dhe qëndrime,kësaj radhe gjermanët menduan t’i ofronin edhe Bullgarisë një trofe nga sulmi mbi jugosllavinë.Kjo trofe përbën padyshim dëshirën e Hitlerit për ta përdorur në të pastajmen ushtrinë bullgare,për të realizuar qëllimet e veta në Evropën Juglindore e ma gjërë. E vërteta është se pikërisht me 6 prill 1941,ditën kur do të niste sulmi gjermano-italian mbi jugosllavinë,komanda e divizionit të Varadarit,nisi marshimet drejt tokave shqiptare deri lart në Dibër,me qëllim që pastaj të sulmonin aty repartet italiane,me qëllim dislokimin e tyre definitiv në brendësi të shtetit tonë amë.Mirëpo kur ushtritë gjermane mbritën në Shkup,në 9 prill 1941,ofensiva e trupave të Divizionit të Vardarit u duk qesharake ndaj edhe ushtarët e saj u kthyen prapa.Një repart i vogël i këtij Divizioni,i ndihmuar edhe nga dy-tri çeta vullnetarësh dibranë,nuk mund të përballeshin asesi me makinën e luftës së Raihut të Tretë.Qëndresa e tyre në Dibër zgjati 4-5 ditë dhe ishte gati simbolike.Në prani të forcave ushtarake gjermane,mësynë drejt perëndimit të Maqedonisë shqiptare,formacione të organizuara italiane të Divizionit “Firence “.Zënia e rajoneve të Dibrës,Gostivarit,Tetovës,Kërçovës dhe Strugës prej formacioneve ushtarake italiane,u bë pa pengesa.Mandej në shumë prej fshatrave të këtyre trevave,të cilat kishin vuajtur së tepërmi nga dhuna dhe terrori i ushtruar prej komandës së Divizionit të Vardarit,forcat italiane u pritën me indiferentizëm.Sidoqoftë ngjarjet që pasuan krijuan struktura të reja etnike për popullsinë shqiptare e cila ishte ndarë keqaz prej vitit 1913.Kështu,me dekretligjin e Mëkëmbjes së Përgjithshme,të 12 gushtit 1941,territoret e maqedonisë shqiptare iu bashkangjitën atyre të shtetit amë duke realizuar në fakt një të drejtë natyrore të popullit tonë.Për më tej ky bashkim nuk kishte të bënte vetëm me aspekte emocionale,por u shtri deri në hallkat më të imta të administratës civile.Këtë rol unifikues në krejt trojet shqiptare të sapobashkuara, e kreu më së miri “formimi i komisariatit Civil për Kosovën,Dibrën dhe Strugën”.(Arkivi Qendror i shtetit Tiranë.Fondi 267,dosja 64 fleta 1 ).
Por nëse në këto treva u ngjallën ndjenjat kombëtare,nëse këtu u lejuan gjuha e shkolla shqipe,nëse flamuri shqiptar nuk shihej si diçka e ligët prej italianëve, e kundërta ndodhi në viset etnike shqiptare të Shkupit,Kumanovës dhe Manastirit të cilat u ishin “dhuruar” Bullgarëve që në Konferencën e Vjenës në prillin e vitit 1941.e vërteta është se Bullgaria nuk kishte qenë dakord me këto territore të dhuruara,pasi u dukeshin pak,të krahasuar me pretendimet e saj shovene. Veçanërisht për qytetin e Ohrit,qarqet shovene bullgaromëdha patën debatuar shumë sa me diplomaci gjermane,aq edhe ate italiane ngase sipas tyre Ohri na qenka kryeqendra e “hershme e kishës bullgare”.Kështu që duke zhvendosur kishën e tyre,qindra kilometra larg Sofjes,në fakt ato shpallosnin hapur politikën pushtuese të tyre ndaj grekërve dhe shqiptarëve.Pas ndërhyrjes të njëpasnjëshme të mbretit Boris të Bullgarisë,çështja e Ohrit u la e hapur dhe në fakt për disa kohë aty qëndruan në bashkëjetesë trupat italiane dhe ato bullgare.Ashtu siç përmenda dhe më lartë,përkundër qëndrimeve të ushtrive gjermane në Kosovën Veriore dhe asaj italiane në perëndim të Maqedonisë shqiptare,viset e Shkupit dhe të Kumanovës u gjendën edhe një herë nën brutalitetin ekstrem të pushtetit civil dhe ushtarak bullgar.Ndër masat e para të pushtesve bullgar në qytetin e Shkupit dhe komunën e Kumanovës,ishte ai i largimit të atyre pak nënpunësve me origjinë shqiptare të cilët patën mundur të bënin ndonjë klasë shkolle nën regjimin e urryer të Mbretërisë SKS.Nën preteksin se nënpunësit shqiptarë nuk e shihnin me sy të mirë,vendosjen aty të ushtrisë bullgare,brenda 3-4 muajve të fundit 1941,këta u pushuan nga puna.Më tej me urdhër të veçantë të administratës bullgare,për banorët e viseve shqiptare të Shkupit e Kumanovës,u vendos me ligj që një e dhjeta e prodhimit bujqësor e blektorial,të ishte si normë tatimi.Propaganda bullgare ngulte këmbë se kjo “e dhjetë” i duhej për të mbajtur në këmbë administratën shtetërore,në fakt pjesa më e madhe e saj,mbushte hambaret e serbo-sllavomaqedonasve si edhe xhepat e bullgarëve.Madje administrata bullgare,nuk vonoi (sidomos në komunën e Kumanovës) të bëjë një inventar të imët të krejt tokës dhe bagëtisë të shqiptarëve e mbi këto llogari vendoste padrejtësisht se sa drithëra apo bagëti këta duhet të jepnin falas për administratën vendore.Sikur të mos mjaftonin krejt këto,në fshatrat e komunës së Kumanovës,në vitin 1941,u shfaqën edhe disa banda kriminelësh e plaçkitësh ordinerë,sllavo-bullgarësh.Nën preteksin se Kumanova ka qenë dhe është bullgare,ata vodhën në mjaft shtëpi të këtyre shqiptarëve etnikë të cilët për çdo rast njoftuan edhe administratën vendore.Por kur e panë se ankimet e atyre binin në vesh të shurdhër,atëherë rrëmbyen armët duke luftuar së toku kundër këtyre bandave shtetërore bullgare.Autoritetet e vendit me këtë rast,nuk munguan të ngrenë padi e gjyqe ndaj shqiptarëve të Kumanovës të cilët,më tej,për t’iu shpëtuar burgimeve të llahtarshëm,muarën rrugën pa kthim drejt shtetit amë.
Në vorbullën e trazuar të ngjarjeve të vitit 1941,nuk vonoi që Bullgaria dhe Turqia të lidhnin një marrëveshje të përbashkët,kinse do të hiqnin dorë përfundimisht nga armiqsitë e vjetra dhe do të kontribonin në paqën Ballkanike.Por në një analizë të saktë që i bënte kësaj marrëveshjeje,gazeta “Tomori” e cila ka pas dalë në Tiranë,ku thuhej se ; “Fletoret nënvizojnë duke përfunduar komentet e tyre se Bullgaria do ta vazhdojë politikën e kësaj miqësie dhe bashkëpunimi me Fuqitë e Boshtit,Rusinë,Jugosllavinë dhe vende të tjera miq,por pa hequr dorë nga ana tjetër nga “aspiratat e saj ligjore”.( Gazeta “ Tomorri “ – Tiranë më 19 shkurt 1941 ).
Merrej lehtë me mend se çka mund të ishin aspiratat ligjore të bullgarëve,në fillim të Luftës së Dytë Botërore.Fakti që ata nuk vonuan të nënshkruajnë traktate me Turqinë dhe Serbinë,fakti që ishin shteti i privilegjuar i Gjermanisë dhe ndër aleati i parë në Ballkan,le të kuptosh se krejt veprimtaria militare e Bullgarisë do të synonte pushtimin e territoreve të cilët për ironi të fatit,i quante bullgare.Mendoj se është me vend të kujtojmë,se në vitin 1941,Armata Ushtarake Bullgare,ndonëse kishte veprime të kondicionuara prej Fuqive të Boshtit ,Romë-Berlin,nuk vonoi të nise drejt Ballkanit reparte të tjera speciale,me çrast përgadiste pushtimin ose përndryshe “rimarrjen” e territoreve bullgare.Krejt me tone politike,gjenerali i kësaj armate Ilio Jori,do të deklaronte në shtyp se ; “Nëse ngjarjet që janë tani,në zhvillim të plotë,do të kërkojnë pjesmarrjen në luftë të Bullgarisë,duhet të përfillet e sigurtë se traditat tona ushtarake do të pasurohen me lavdi të reja”.( Revista “Revista e së Nesërmes”,Sofje më prill 1941 ).
Qyteti i Shkupit gjatë vitit 1941 si edhe në pranverë të vitit 1942,iu nënshtrua një regjistrimi të përgjithshëm i cili ndonëse nuk ishte i domosdoshëm,pati objektivat e veta për pushtuesit bullgar.Ngase në këtë qytet banonin asaj kohe më shumë se 50 përqind,popullsi shqiptare,ata jo pa qëllim,në zyrat e regjistrimit vendosën nënpunës bullgar të cilët nuk dinin asnjë fjalë në gjuhën shqipe.Nëse shkoje për tu regjistruar dhe flisje shqip,ky nënpunës të nxirrte menjëherë përjashta me të thirrura e të sharra,ngase nuk lejohej përdorimi i shqipes në “tokë bullgare!!?”.Por edhe nëse doje të ktheheshe pas,për në shtëpi nuk mundje sepse të prisnin gjobat e rënda deri puna e detyrueshme,si dënim për moszbatimin e urdhëresave të qeverisë.Kësisoj banorët autoktonë shqiptarë në Shkup,por edhe ata të Kumanovës dhe Manastirit,detyroheshin të flisnin në zyrat e pushtuesit bullgar ose në gjuhën e tyre ose në gjuhën serbosllave.Sidoqoftë kjo ishte vetëm akti i parë i tragjedisë shqiptare.Gjatë regjistrimeve,krejt ata që deklaroheshin shqiptarë ndodheshin nën presionin dhunues të pushtetit ushtarak bullgar,i cili përdorte metoda nga më të ndryshmet për të bërë që shqiptarët të mohonin kombësinë e tyre.Në qindra raste,kur shqiptarët nuk e kanë përfillur këtë akt shkombëtarizues,ata janë rrahur në zyrat e rregjistrimit,sharë dhe malltretuar edhe në sy të familjeve apo grave të tyre.Mohimin e individualitetit kombëtar,që pushtuesi bullgar kërkonte të zbatonte për banorët e maqedonisë shqiptare, e patën bërë vite më parë edhe pushtuesit e tjerë serbo-sllav.Në këtë kontekst,kjo nuk qe diçka e ndryshme për shqiptarët.Ndaj në një farë mënyre ata nuk u gjendën të papregaditur.Në gusht të vitit 1942,qeveria bullgare kërkonte që “shqiptarët e rretheve të Shkupit e Manastirit,të rishikonin origjinën e tyre,ose në të kundërtën,ata si të gjithë banorët e huaj duhej të shpërnguleshin”(A.Q.i shtetit-Tiranë,Fondi 251,dos.71,fl 9-11)
Përballë kësaj dhune sistematike të pushtuesve bullgar,me ç’rast synohej shkombëtarizimi apo shpërngulja e elementit shqiptar,u vërejtën një varg tendencash nacionaliste të cilat iu kundërvunë këtij terrori bullgaro-sllav.Së pari në rrethet intelektuale shqiptare,si në qytetin e Shkupit ashtu edhe në Manastir,Kumanovë e rrethina,u punua me atdhetarizëm në pikëpamje të ruajtjes së identitetit nacional.Në kushtet e vështirësive të panumërta,të ndjekjeve dhe burgimeve,këta intelektualë të pakët nuk e pushuan luftën e tyre për mbajtjen gjallë të vetëdijes sonë nacionale.Kështu,nëpër shtëpitë e nacionalistëve shqiptarë,në Manastir përgjatë viteve 1941-1944,nuk u ndërpren shkollat për mësim në gjuhën shqipe.Ndonëse në mënyrë të fshehtë,kjo shkollë funksionoi falë edhe ndihmës së pakursyer të mësuesve normalist që kishin ardhur aty prej shtetit amë.Në mësimet e fshehura të shqipes,nxënësit në Manastir,Kumanovë,Shkup dhe rrethina,përpos gjuhës merrnin njohuri edhe mbi traditat e vyera të popullit tonë,si edhe luftërat e tij në shekuj për pavarsi.Në kushtet kur në zonat gjermane dhe italiane të pushtimit u fut gjërësisht literatura në shkollat shqipe të lejuara,këto tekste nuk munguan edhe në zonën bullgare të pushtimit.Ishin nacionalistët e këtyre trevave të okupuara nga Bullgaria,të cilët duke patur mbështetje të plotë nga politika e shtetit amë shqiptar,shkuan atje dhe fshehurazi çuan në viset e shtypura të tyre tekste të gjeografisë,historisë apo vepra të autorëve shqiptarë si naim Frashëri,Gjergj Fishta,Cajupi etj.Në qytetin e Shkupit,më 28 nëndor 1942,në disa dyqanë shqiptare u mblodhën dhjetra burra dhe kënduan këngë patriotike në gjuhën e tyre.Nërsa nëpër shkollat ( që zakonisht ishin shtëpi të atdhetarëvet) u kënduan këngë për flamurin kuq e zi,për Skenderbeun dhe Ismail Qemalin.Paradoksalisht ,në dhjetorin e vitit 1942,duke marrë shkas nga këto manifestime më të thjeshta në dukje,pushtuesit bullgar urdhëruan deri që,asnjë shqiptar nuk ka të drejtë të mbaje plis të bardhë në kokë.Plisi me shkabën dykrenore,ky simbol i kahershëm i shqiptarëve,tanimë duhej të hiqej pse,sipas autoriteteve vendore bullgare i nxit ata për t’u bashkuar.Heqja e plisit u prit me revolta ndër krejt trevat shqiptare të Shkupit,Kumanovës e deri të Manastirit dhe pati nacionalsitë që biseduan deri në organet më të larta bullgare të pushtimit.Pas tërë këtyre protestave,bullgarët nuk kërkuan në të pastajmen heqjen e tyre.Por gjithsesi,ishin me dhjetra prej burrave të këtyre trevave shqiptare,të cilët ngase nuk patën dëgjuar të hiqnin plisat nga koka,u malltretuan nëpër birucat e xhandarmërisë.Parë në këtë rrafsh,shqiptarët që jetonin në tokat e tyre,në Kumanovë,Shkup e rrethina,kanë qenë kurdoherë më të diskriminuar nga çdo kombësi tjetër.Atyre u është mohuar që në ditën e parë të pushtimit bullgar prill 1941 e deri në ditët e mbrame shtator 1944,çdo e drejtë elementare dhe natyrore.Për më tej,dhuna e terrori i pashembullt patën synuar (ashtu sikundër e ka pranuar edhe vetë diktatori komunist tito,gjatë atyre viteve)”në shfarrosjen e shqiptarëve” (Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë.J.B.Tito,”çështja nacionale në Jugosllavi… “ faqe 48 ).
Një aspekt tjetër,që mendoj se përbën në mënyrë të drejtëpërsëdrejti tendencën nacionale të shqiptarëve në viset e pushtuara prej Bullgarisë,është qëndrimi i tyre heroik për të mos u larguar prej trojeve etnike.Veçanërisht në fshatra të Kumanovës dhe Manastirit,pushtuesit bullgar synuan një varg masash dhunuese duke shpresuar që shqiptarët,në pamundësi jetese,të merrnin rrugën drejt shtetit amë,Kosovës apo Turqisë.Në korrikun e vitit 1943,në fshatrat Sllivovë dhe Buçishte, pushtuesi bullgar,arriti deri aty kinse këta prodhonin shumë,ndërsa disa familje bullgare patën prodhime më të mbara.Kësaj vjedhjeje në qiell të hapur,banorët shqiptarë iu përgjigjën duke sulmuar komandën e xhandarmërisë në Manastir.Përpjekja e tyre dështoi përpara zjarrit të armëve bullgare,sidoqoftë shqiptarët treguan se do të luftonin për dinjitetin e tyre kombëtar,për egzistencën e tyre në trojet etnike,me çdo lloj çmimi që mund të paguanin.
Në tetorin e vitit 1943,ndërsa Komanda e Lartë e Ushtrisë Italiane,firmoste kapitullimin,pushtuesit bullgar ndërhynë në bisedime me këta për të marrë nën kontroll ato zona që do të liroheshin.Të pakënaqur me tokat e pushtuara në trevat shqiptare të Shkupit,Kumanovës dhe Manastirit ata kërkuan prej palës italiane jo vetëm nënshkrimin e një marrëveshjeje për “marrjen nën kontroll” por kërkuan prej këtyre të fundit edhe dhurimin e një pjese të konsiderueshme të armatimit,paisjeve ushtarake,veshmbathjes dhe ushqimit.Por nuk duhet të harrojmë se në vjeshtën e vitit 1943,organizata nacionaliste(Balli Kombëtar) në Strugë,Kërçovë,Gostivar,Tetovë e rrethina kishte marrë përmasa të mëdha.Ishte kjo lëvizje që kontrollonte plotësisht gjendjen në vend dhe pat zhvilluar disa luftime të sukseshme duke çliruar territore të tëra shqiptare,sigurisht duke vaditur këtë tokë të shenjtë edhe me gjakun e dhjetra e qindra bijëve nacionalist të rënë në këto beteja.Trimat Xhem Gostivari dhe Mafailat e Zajazit,të pasuar nga Sylë Hotla dhe ndihmuar nga Mulla Idriz Gjilani e mijëra bijë nacionalistë të Maqedonisë shqiptare,jo vetëm që nuk mund të pranonin pazare bullgaro-italiane,por u armatosën dhe përsosën organizimin e tyre për t’u bërë ballë pushtuesve të rinj.Burime të historiografisë sllavomaqedonase,flasin për më tej se çetat nacionaliste të shqiptarëve të Manastirit,Kumanovës dhe disa fshatrave të Shkupit,u bashkuan me çetat e Xhem Gostivarit dhe Mefail Zajazit,duke zhvilluar luftime të shumta në këto treva,kundër pushtuesit bullgar.Nga ana e tij,ky pushtues e pa që jo vetëm nuk përfitoi dot territore të tjera,por,po i ndizej toka nën këmbë edhe në ato vise shqiptare të pushtuara në vitin 1941.
Tendencat nacionaliste të shqiptarëve nën Bullgari,ndofta do të rroknin pikëpamje dhe ide më të mëdha,nëse do të kishin pasur një ndihmë edhe prej shtetit amë.Por qeveria shqiptare të viteve 1941-1944,në rrethanat që kalonin e kishin shumë të vështirë “të hynin” në këtë zonë.Ato qeveri u mjaftuan me një ndihmë në rrafsh të arësimit,apo deklaratave të ndryshme në parllamentin shqiptar.
Ndërsa për turp të tyre,kur shqiptarët e Shkupit,Kumanovës apo Manastirit,përleshehsin për jetë a vdekje me pushtuesit bullgar,komunistët e Tiranës u bënin thirrje formacioneve të tyre “nacionalçlirimtare” se “nuk ia vlente të luftohej për kufijtë etnike të Shqipërisë,por vetëm për kufijtë politike të saj”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,fondi 14,dosja Raporti i E.Hoxhës në Berat).Më tej ishin po këta bastardë të Mugoshës të cilët dërguan formacione shqiptare deri në Vishegrad të jugosllavisë,pa u merakosur se çdo ditë,formacionet ushtarake bullgare,merrnin jetë shqiptarësh të pafajshëm në Shkup,Kumanovë e Manastir.Po të analizosh sot gjendjen shqiptare nën Fyrom,do vëresh situata të ngjshmërisë kohore me ndryshime të thella demografike politike në qytetin e Kumanovës,Manastirit,Resnjës e Ohrit si dhe ekspansionin demografik që i bëhet qytetit shqiptar të Shkupit pa folur më tej,ndaj forcimi i ndjenjës nacionale kërkohet të shihet si imperativ kohe,përderisa gjykimi i historisë nuk të rëndon ndërgjegjen.
Bern-Zvicër
TREVAT LINDORE SHQIPTARE NËN PUSHTIMIN BULLGAR (1915-1918)
(Me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore)/
Nga Prof. dr. Halim PURELLKU/
Pushtimi nga ushtria bullgare (21 tetor-8 dhjetor 1915): Më 14 tetor 1915 Bullgaria i shpalli luftë Serbisë. Ushtria bullgare, pasi kaloj kufirin shtetëror, më 21 tetor pushtoji Kumanovën dhe më 22 tetor 1915 pushtoji Shkupin.(1). Pas pushtimit të Shkupit, trupat bullgare, kryesisht nga radhët e Armatës së Parë bullgare, vazhduan marshin drejt trevës së Pollogut dhe më tej në jug. Ndërkaq, përpara mësymjes (ofensivës) së trupave bullgare, trupat serbe mbrapseshin dhe tërhiqeshin në drejtim të Dibrës dhe të Strugës, me synim të arrinin në bregdetin shqiptar të Adriatikut.(2)
Që me fillimin e luftës bullgaro-serbe, Petar Bojeviq, komandant i trupave serbe në “Viset e reja” (të pushtuara gjatë luftërave ballkanike), kishte dhënë urdhër që për çdo “rast të dyshimtë” autoritetet serbe të marrin peng njerëzit me ndikim nga radhët e popullsisë vendase, kurse në rast të shpërthimit të trazirave kundër-serbe autoritetet të vepronin në mënyrë energjike dhe të ashpër si ndaj pengjeve ashtu dhe ndaj rebelëve(4). Ndërkaq, që kurë Serbia hyri në luftë me Austro-Hungarinë (në vitin 1914) tri herë radhazi bëri mobilizimin e rekrutëve dhe të rezervistëve ushtarak (rekrutimi i parë, i dytë, i tretë) në territorin shtetëror të saj. Mobilizimi u shtri edhe ndër popullatën shqiptare në Trevat Lindore shqiptare. Të mobilizuarit u dërguan edhe në frontin e luftës me ushtrinë bullgare. Por, shqiptarët e mobilizuar trajtoheshin nga ana e autoriteteve serbe si element jo i sigurt, prandaj dhe atyre nuk iu jepeshin armë, si që ishte rasti kur 270 “rekrutë mysliman” pa armë u dërguan në mbrojtje të Tetovës nga pushtimi i ushtrisë bullgare.
Gjithashtu, asokohe ushtria serbe furnizohej me ushqime e të mira tjera materiale nga popullsia vendase, nëpërmjet rekuizimit ose me anë të mënyrës kantonale (5). Ashtu që, gjatë tërheqjes së ushtrisë serbe (tetor-nëntor 1915) në drejtim të Dibrës dhe Strugës, autoritetet ushtarako-policore e civile serbe dhe më shumë e shtuan dhunën dhe terrorin si dhe plaçkitjet mbi popullatën shqiptare në Trevat Lindore (6). Tani më, kurë më shqiptarët nuk kishin ç’far të i jepnin ushtrisë serbe gjatë fushatave të rekuizimit dhe, përballë shtimit të terrorit serb, u hodhën në kryengritje të armatosur. Kryengritja shqiptare u shtri në zonat e Karshijakës të rrethimit të Shkupit, të Dervenit të rrethit të Tetovës dhe në zonën e Pollogut. Një nga prijësit kryesor të kryengritjes në Pollog ishte Imer Halili, nga fshati Negotin(7). Kryengritësit shqiptar sulmonin forcat ushtarake e policore serbe në tërheqje kudo që ishte e mundur. Më 24 tetor 1915, pati një përplasje të armatosur midis trupave ushtarake serbe dhe fshatarëve të fshatit Paligrad të Karshijakës së Shkupit. Pas rreth dy orë luftimesh, trupat serbe, me disa ushtarë të plagosur dhe të çarmatosur, u detyruan të kthehen prapa në drejtim të Kaçanikut (8).
Ndërkaq, kryengritësit shqiptar nga fshatrat për rreth Tetovës, pasi që paraprakisht kishin ndërprerë linjat e komunikacionit midis Tetovës e Kaçanikut dhe Tetovës e Prizrenit, ata më 26 tetor 1915 kërcënonin marrjen e Tetovës. Përpjekje të armatosura të ushtrisë serbe me kryengritës shqiptarë pati edhe në fshatin Grupçin, në zonën e Dervenit të Tetovës (9). Fuqitë kryengritëse shqiptare më 28 tetor 1915 ia dolën të i thyejnë trupat serbe te fshati Grupçin, dhe i shtynë ata deri pranë urës së Vardarit, në fshatin Kalishtë (10). Mirëpo, pasi që trupave serbe u erdhën në ndihmë forca shtesë ushtarake nga drejtimi i fshatit Miletinë (“Miletiq”), më 29 tetor, ata me një kundërmësymje i rikthyen pozicionet e humbura një ditë më parë te Grupçini. Megjithatë, kryengritja shqiptare vazhdonte edhe nga fundi i tetorit të vitit 1915 dhe, u shtri thellë në prapavijat e vijës së frontit të luftës të ushtrisë serbe.
Ndërkaq, luftimet e ashpra për qytetin e Tetovës midis trupave serbe nga njëra anë dhe trupave bullgare dhe fuqive kryengritëse shqiptare nga ana tjetër vazhduan nga 31 tetori e deri më 8 nëntor të vitit 1915, kur Tetova ra në duart e dy çetave ushtarake bullgare dhe fuqive kryengritëse shqiptare (11). Ndërkaq, gjatë tri ditëve të ardhshme (9, 10 dhe 11 nëntor 1915), vazhduan luftimet përgjatë vijës së frontit: rreth fshatrave Kalishtë-Senakos-Gjurgjevisht-Llomnicë të Tetovës, por dhe në fshatrat Leshkë (Leshak) dhe në Vrapçisht ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit (12). Përpara mësymjes së ushtrisë bullgare, trupat serbe vazhdonin të tërhiqeshin në drejtim të Gostivarit dhe, më 14 nëntor 1915, u larguan nga treva e Tetovës dhe u rigrupuan përgjatë vijës së frontit: fshati Çajle-fsh. Debresh të Gostivarit. Mirëpo, më 15 tetor ata u sulmuan nga trupat bullgare, por dhe nga fuqitë kryengritëse shqiptare dhe, gjatë natës 15/16 nëntor nga këtu trupat serbe u tërhoqën dhe zunë pozicione të reja rreth fshatit Gjonovicë, në jug të Gostivarit, për të siguruar drejtimin Gostivar-Kërçovë (13).
Luftimet për Kërçovën vazhduan nga 25 nëntori dhe përfunduan me pushtimin bullgar të Kërçovës, më 27 nëntor 1915 (14). Kurse, nga Manastiri në drejtim të territorit të Shtetit shqiptarë ushtria serbe qe larguar më 1 dhjetor të vitit 1915. Po atë dit, nga Manastiri për në Selanik u larguan edhe nëpunësit civil serb (15). Ndërkohë, më 5 dhjetor trupat bullgare pushtuan Galiçnikun (qendër rrethi i krahinës së Rekës së Dibrës) (16) dhe më 6 dhjetor pushtuan Dibrën, si dhe më 8 dhjetor pushtuan Ohrin e Strugën (17).
Përpara mësymjes së ushtrisë bullgare, ushtria serbe gjatë evakuimit të Trevave Lindore shqiptare dhe mbrapsjes në drejtim të bregdetit shqiptar, merrte me vete gjithçka që ishte e mundur nga pronat e luajtshme, kurse atë që nuk ishte e mundur të bartej e digjte, sipas parimit të “tokës së djegur”, me çka po thellohej dhe më shumë varfëria ndër popullatën, dhe për rrjedhojë një pjesë e popullsisë ballafaqohej me urine (18). Gjithashtu, nën pretekstin e shtypjes së kryengritjes shqiptare dhe për sigurimin e prapavijave të saja, ushtria serbe ndërmori ekspedita ndëshkimore ndaj shqiptarëve, që rezultuan me terror, likuidime e masakra masive mbi popullatën civile dhe me grabitje e djegie të pronave të luajtshme e të pa luajtshme në trevën e Pollogut e më gjerë. Thuajse se të gjitha fshatrat e Pollogut në krahun perëndimor të rrugës Tetovë-Gostivar, ishin rrënuar gjatë shtetrrethimit të trupave serbe (19). Sipas burimeve bullgare, asokohe në rrethin e Gostivarit më rëndë e pësoj fshati Dobërdoll, ku u dogjën 50 shtëpi dhe u vranë 10 veta, kurse në fshatin Vrapçisht u dogjën një shtëpi e dy dyqane, në fshatin Çegran u vranë 20 veta, në Çajle u vranë 7 veta, fshati Kalishtë me rreth 100 shtëpi u dogj plotësisht dhe shumica e fshatarëve u likuiduan. Ndërkaq, në rrethin e Tetovë më shumë e pësuan fshati Pirok ku u vranë 8 veta, në Negotinë u dogjën 30 shtëpi dhe u vranë 12 veta, midis Grupçinit dhe Zhelinës u likuiduan rreth 100 fshatarë, në Gradec u dogjën 50 shtëpi dhe u vranë 150 veta, si dhe rreth 200 veta u vranë rrugës nga burgu i Shkupit për në Kaçanik dhe Ferizaj.(20)
Gjendja e përgjithshme nën pushtimin bullgar: Krahas pushtimit ushtarak, po organizohej dhe pushteti okupues bullgar. Në aspektin administrativo-territorial Trevat Lindore shqiptare qenë përfshirë në kuadër tëtë ashtuquajturit “Inspektorati ushtarak i Krahinës (Provincës) së Maqedonisë” ose („Krahina Ushtarako-Inspektuese e Maqedonisë“), në krye me „Shtabin e Inspekcionit krahinor“, me seli në Shkup. Ashtu që i tërë pushteti ushtarako-policor dhe ai civil, në “Provincën e Maqedonisë” ishte i përqendruar në duart e “inspektorit kryesor”, përkatësisht “naçallnikut”, me seli në Shkup. Ndërkaq, në aspektin administrativo-territorial civil, “Provinca e Maqedonisë” ishte e ndarë në nëntë (9) qarqe, nga të cilët edhe qarku i Shkupit, i Tetovës, i Ohrit, i Manastirit etj., në kudër të të cilëve ishin përfshirë dhe Trevat Lindore. Pushteti bullgar me këtë ndarje administrative vetëm e ripërtëriu ndarjen administrative serbe. Kurse, në aspektin administrativo-territorial ushtarak kjo provincë qe ndarë në tetë (8) rajone të brigadave, me në krye shtabet ushtarake.
Qarqet ishin të ndarë/organizuar në rrethe dhe këto të fundit në komuna. Në krye të administratës së çdo rrethi qëndronte „administrata e rrethit“ („ okolijsko upravlenie“), në krye me nënprefektin e rrethit („okolijski naçalnik“), ndërkaq për çdo rreth e komunë vepronte dhe nga një komision (komitet) i përbërë nga tre anëtarë, njëri nga ata ishte kryetar-kryeshef („okoliski naçallnik“), shumica nga të cilët ishin sjellë nga Bullgaria, kurse në çdo fshat ishte emëruar nga një plak katundi (“kmet”). Pranë të gjitha selive administratave komunale ishin formuar edhe postëkomandat policore(21). Do theksuar se fillimisht pushteti/administrata civile e policore/xhandarmerisë vendore në qarqe, rrethe dhe komuna kryesisht qe organizuar nga kuadro të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedono-Odrinase (Edrenase) apo OBRMO (VMORO) (22).
Që nga pushtimi e në vazhdim, ushtria bullgare furnizohej nëpërmjet të rekuizimit. Ndaj dhe autoritetet bullgare ndërmerrnin fushata të rekuizimit të të mirave materiale, por dhe fushata të çarmatimit dhe të rekrutimit për nevojat ushtarake. Objekt i rekuizimit ishte pasuria e gjithmbarshme e popullsisë; kafshët e trasha dhe ato të imta, si dhe prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Ushtria bullgare bënte rekuizimin e vlerave materiale pa asnjë shpërblim në të gjitha vendbanimet; fshatra e qytete. Në këtë kuadër, në të gjitha rrethet e pushtuara qenë formuar “komisione” për rekuizimin e çdo gjëje që po prodhohej.„Komisionet e rekuizicionit“ që nga viti 1916 bënin rekuizimin edhe të atyre pak prodhimeve që i siguronte popullata për nevojat e ushtrisë bullgare. Fillimisht autoritetet bullgare rekuizonin të dhjetën e drithit dhe pastaj dhe sasinë e mbetur. Gjithashtu, popullatës iu mor dhe bari e kashta (vërrini), por dhe leshi i dhenve dhe dhentë, kuajt dhe qetë. Ndërkaq, edhe transportimi i tërë mallrave të rekuizuara (drithëra, vërri etj) nga fshatrat në qytet, bëhej me mjete transporti të rekuizuara nga fshatarët, me çka dhe më shumë goditej ekonomia familjare. Me fushatat e rekuizimeve thellohej dhe më shumë varfërinë e përgjithshme ndër popullatën.(23).
Në këto kushte, autoritetet bullgare që në vitin 1916 me masa administrative represive ndaluan dhe tregtinë e lirë të artikujve ushqimor midis „Krahinës së Maqedonisë„ dhe të „Bullgarisë së Vjetër“ (24), si dhe kishin ndaluar edhe eksportin e drithërave nga një rreth në një tjetër apo dhe nga një komunë në tjetrën. Për të penguar siç thuhej „kontrabandën“ e drithërave ishin angazhuar „roje nate“ nëpër rrugë.(25). Gjithashtu, kryeshefi i „Krahinës Ushtarako-Inspektuese të Maqedonisë” në maj të viti 1916 ndaloi „përkohësisht“ edhe shitblerjen e pronës së paluajtshme.(26).
Të gjitha këto masa, rezultonin që në treg të kishte ofertë të vogël dhe kërkesë të madhe të drithit, që shkaktonte rritjen e çmimeve. Kështu p.sh. në vitin 1916 në Kërçovë 1 okë drithë kushtonte 10 deri më 13 grosh, 1 okë miell kushtonte 16 grosh, 1 okë kripë kushtonte 30-35 grosh, 1 okë sapun kushtonte 80-100 grosh, kurse gazë sheqer dhe kafe absolutisht nuk gjendeshin në treg. Në kushte të këtilla, pjesa më e madhe popullatës së këtij rrethi, edhe në vitin 1916, jetonte në varfëri të skajshme (absolute), përkatësisht shumë familje ballafaqoheshin me uri të vazhdueshme. Prandaj dhe një numër i madh nga radhët e popullatës (burra e gra) të shtrënguar nga uria që ndjehej në familjet e tyre ishin të detyruar që të udhëtonin këmbë 50-100 km. jashtë Kërçovës, për të blerë së paku një strajcë drithë apo miell, shumica nga të cilët atë barrë nga atje në shtëpi e sjellin në krah. Gjithsesi një gjendje e këtillë e çmimeve të larta dhe të mungesës së artikujve ushqimor në treg, asokohe mbizotëronte edhe ndër popullatën e zonave tjera në Trevat Lindore shqiptare, kurse gjendja ende më e rëndë ishte në viset pasive malore të quajtura dhe kurbetqare, ku nga të lashtat e veta mezi që siguronin bukën vetëm për tre muaj. Por, dhe në viset fushore rendimentet e kulturave bujqësore ishin të ulëta.(27).
Për rrjedhojë të këtyre rrethanave, ndër popullatën e Trevave Lindore shqiptare mbizotëronte uri e përgjithshme dhe varfëri.(28). Kështu p.sh. në fillim të vitit 1916 edhe nënprefekti bullgar i rrethit të Kërçovës e pranonte se ndër popullatën e këtij rrethi mbizotëronte uria e shoqëruar dhe me raste vdekje, por sipas tij kjo ishte si pasojë e bonitetit të ulët të tokës punuese e jo të politikave diskriminuese bullgare. Megjithatë, në fillim të shkurtit të vitit 1916 nënprefekti i këtij rrethi kërkonte nënprefektit të Gostivarit, që të lejon eksportimin e drithit nga rrethi i tij në rrethin e Kërçovës, për të shpëtuara njerëzit nga vdekja prej urisë.(29). Ndërkaq, në vitin 1917, në Gostivar kishte 336 familje me rreth 2000 veta, të cilët rrezikoheshin të vdisnin nga uria. Situatë e ngjashme ishte edhe në rrethet e Galiçnikut, Dibrës, Kërçovës etj. Në mungesë të bukës, në shumë vise popullsia përdorte si ushqim vetëm hithrat dhe rrënjët e bimëve. Shumë veta ishin të detyruar të punonin në hekurudhën Gostivar- Strugë, vetëm për një bukë në ditë si kundërvlerë.(30)
Gjithashtu, që në ditët e para e deri në fund të pushtimit, bullgarët po ndërmerrnin operacione periodike të çarmatimit të popullatës edhe në Trevat Lindore shqiptare, me qëllim që të pamundësonte qëndresën e popullit kundër pushtuesve. Ekspedita të çarmatimit organizoheshin dhe ekzekutoheshin nga ushtria dhe policia bullgare, të cilat (ekspedita) shoqëroheshin edhe me represalieje të këtyre të fundit mbi popullatën, që rezultonin edhe me vrasje masive dhe me internime në llogore të Bullgarisë.(31)
Situatën e këtillë ekonomike e sociale e rëndonin dhe më shumë edhe fushatat e rekrutimit ushtarak, sepse me rekrutimin e burrave në ushtrinë bullgare dhe turke dëmtoheshin ekonomitë familjare. Në kundërshtim me dispozitat e Konventës së Hagës, autoritetet ushtarake bullgare, në maj të vitit 1916 urdhëruan organet administrative të pushtetit vendor (lokal); qarqe, rrethe e komuna, të përpilonin listat e popullatës së gjinisë mashkullore të moshës 18-80 vjet. Të dhënat nga këto operacione demografike do të iu shërbenin komisionit përkatës të rekrutimit për mobilizimin e popullsisë së aftë në ushtri.(32) Rekrutimi i parë i dhunshëm në ushtrinë bullgare, u organizua nga 2 e deri më 15 shtator të vitit 1916, në të cilin qenë përfshirë të rinjtë e moshës 18-30 vjeçare madje edhe deri në moshën 45 vjeçare. Rekrutimi zhvillohej si ndër popullatën e konfesionit të krishterë ashtu edhe te ajo myslimane, por hasi në qëndresën e popullatës. Popullata nuk po i përgjigjej ftesës për mobilizim, autoritetet bullgare arritën të rekrutojnë vetëm rreth 1/3 e kontingjentit të planifikuar të rekrutëve. Ndërkaq, shqiptarët, pos atyre të trevave të Gostivarit dhe të Tetovës, fare nuk iu përgjigjën ftesës për rekrutim, kurse autoritetet bullgare u kundërpërgjigjën me dëbimin e familjeve të regrutëve.
Gjithashtu, dhe në janar të vitit 1917 qe urdhëruar një regjistrim i ri i popullsisë, me qëllim rekrutimi.
Një pjesë të rekrutëve autoritetet bullgare i shpërndanin nëpër divizione ku duhej të kryenin stërvitje tremujore, kurse një pjesë nga ata i angazhonin në fronte të punës; për ndërtimin e vijës hekurudhore “decovil” Kërçovë-Ohër etj. Pas një stërvitje të shkurtër rekrutët dërgoheshin në frontin e luftës. Ndërkaq, rekrutët „turq“, me kuptimin myslimanë (shqiptarë e turq), të grupmoshës 18-22 vjeç, rekrutoheshin në ushtrinë bullgare, kurse ata të grupmoshës 22-45 vjeç, sipas një marrëveshje turko-bullgare, dërgoheshin në Stamboll.(33)
Krahas rekuizimit dhe mobilizimit, autoritet bullgare obliguan popullsinë për punë të detyruar (angari ose kulluk), në ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të ndryshme publike. Një nga veprat më të rëndësishme që u ndërtua asokohe me punë të detyrueshme (angari) ishte hekurudha “d’covil” (60 cm. e gjerë): Shkup-Gostivar-Kërçovë-Strugë, ndërtimi i së cilës filloji më vitin 1917. Në punë të detyrueshme në ndërtimin e kësaj hekurudhe, përfshiheshin jo vetëm burra por dhe gra e fëmijë mbi dhjetë vjeç, për çka me urdhër të prefektëve të qarqeve organet përkatëse hartonin listat. Në këtë kuadër, çdo komunë ngarkohej të dërgon mesatarisht 20-30 veta në punë të detyrueshme e cila zgjaste 45 ditë.(34). “Ata të cilët nuk duanë të shkojnë vullnetarisht, do të detyrohen”, urdhëronte prefekti i qarkut të Tetovës. Kushtet në të cilat punonin këta “vullnetarë” ishin më tepër se mizore, ata dhe rriheshin si nga rojet policore ashtu dhe nga mbikëqyrësit.
Kështu, rekuizimi, puna e detyruar (angari) si dhe politika tatimore e pushtuesit bullgar, që ruajti edhe disa forma tatimesh nga koha osmane; angaria e dhjeta etj., e rëndonin gjendjen materiale e shoqërore të popullit.(35). Krahas kësaj gjendje, popullata e Trevave Lindore shqiptare ballafaqohej edhe me fushata të terrorit sistematik të ndërmarra nga pushteti bullgar mbi to. Ushtria bullgare vrau shumë njerëz duke mos kursyer as gratë dhe fëmijët, bënte grabitje dhe dhunime të shumta. Sipas vojvodës Vasilije Trbiq,deri në janar të vitit 1916, në rrethet e Përlepes, Velezit dhe të Kërçovës ishin vranë „mbi 2000 veta, shumica gra dhe fëmijë„. Veç tjerash, nga ana e ushtrisë bullgare cenohej dhe integriteti moral i grave. Në shumë fshatra ushtarët bullgarë, me dijen dhe lejen e oficerëve të tyre, bënin ç`nderimin e grave, në radhë të parë të grave shqiptare, dhe atë prej moshës 10 vjeçare e tutje.(36)
Ndaj dhe përpara terrorit bullgar në vitet e pushtimit (1915-1918) shumë shqiptarë të Trevave Lindore, ndër ato edhe të rrethit të Kërçovës, u detyruan të arratisen nga shtëpitë e tyre, për rrjedhojë gjysma e tyre vdiqën nëpër male dhe rrugëve nga i ftohti dhe uria.(37). Dhuna, terrori, grabitjet dhe shtypja sociale e detyroi popullsinë shqiptare të këtij krahu të vijoj me të gjitha mjetet luftën edhe kundër pushtuesit të ri bullgar.
Qëndresa kundër pushtuesit bullgar: Krahas qëndresës pasive, u duk dhe qëndresa e armatosur e formës guerile (partizane) e grupeve të armatosura/çetave, si çetat e Elez Isufit, Kalosh Kërçvës (Kalosh Danit/Zajazit) etj.(38). Kështu, një grup shqiptarësh të Kërçovës të udhëhequr nga Kalosh Kërçova, formuan një çetë të armatosur dhe u arratis në male, duke vazhduar luftën e armatosur kundër njësive policore e ushtarake bullgare. Veprimet e kësaj çete kryesisht shtriheshin në hapësirat e rretheve të Kërçovës, të Galiçnikut (Rekës) dhe të Gostivarit, ku dhe kjo çetë zhvillonte një luftë të vendosur kundër njësive bullgare të ndjekjes.(39). Gjithashtu, edhe në trevën e Dibrës vepronin disa çeta të armatosura. Sa që, në vitet 1917-1918 qëndresa kundër pushtuesve bullgar në trevën e Dibrës u ngritë në një kryengritje të armatosur popullore, e cila po zgjerohej. Ajo u zhvillua nga nëntori i vitit 1917 e deri në shtator të vitit 1918. Shkasi ishte mobilizimi i shqiptarëve në ushtrinë bullgare. Qëllimi i kësaj kryengritje ishte, si që thuhej: “Përzënia e menjëhershme e pushtetit bullgar dhe autonomia e krahinës së Dibrës”.(40).