Mbi romanin “Përtej perdes gri” – Agron Shele/
nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI/
Epilogu si shtjellim/
Të bësh një përmbledhje ngjarjesh mbi romanin “Përtej perdes gri”, të Agron Sheles, duhet gjurmuar, jo vetëm në thellësitë e subjektit, por edhe në disa pika fillimmbarimi rrëfimor. Me anë elementesh narrative, mbështetur qoftë edhe vetëm te një personazh, qartë shtrihen korrelatat e ecejakeve jetësore, ku vetë personazhi shryn ngarkesa fajësie, përmes të cilave tragjikja përvidhet për të mbetur si shprehje qendrore e përmbajtjes. Personazhi si Adriana, është boshti rreth të cilit ngrihet skena përtej perdes gri, ku faji dhe pafajësia i mprehin kthetrat e dyluftimit. Ajo e kupton se jeta braktiste, por kurrsesi të harronte. Në këtë ngjarje preken ca zona të ndaluara të problematikës së shoqërisë sonë.
Nuk do ta konsideroja të zakonshëm fillin e analizës së romanit, nga Epilogu. Mirëpo, nisma e rrëfimit me anë frazash të kombinuara, si monologu e më pas dialogu, për të vijuar me rrëfimin në vetën e parë si zë autorial, pastaj në vetën e tretë, ku personazhi femëror e vijon rrëfimin, duke e mbyllur me epilogun. Një personazh si Adriana, pëson dy gjendje mendore, duke marrë parasysh faktin e involvimit të saj në ngjarje, megjithëse ajo e mban çelësin e rrëfimit, duke e hapur dhe mbyllur atë, në kohën që i duket e arsyeshme. Nuk e di, nëse kjo përkon me shprehjen e njërit nga personazhet: “Të kisha thënë, femrat janë krijesa që mbyten në egoizmin e tyre”.
Në romanin “Përtej perdes gri” trajtohen ngjarje të dhimbshme e dukuri tmerrësisht të hidhura, nëpër të cilat kalon, pa përjashtim, edhe shoqëria shqiptare. Për këtë, në vazhdimësi, vihemi përballë një dileme të madhe: si mund të shmangen prapësitë e botës? Dhe, jo lehtësisht, konstatojmë! Prapësitë, kësaj radhe, kanë një vendbanim të përcaktuar. Autori, hollësisht përshkruan peizazhe të njohura, të identifikueshme… “Kishte ditë që re të dendura ngjyrë plumbi rrethonin malin e Dajtit. Vjeshtë. Shirat ishin në prag të fillimit të stinës së tyre. Nuk e di pse qëndroja në atë lokal të vogël dhe të veçuar pranë Lanës”. Kështu fillon rrëfimi… Një përshkrim ambienti i harmonizuar tërësisht me ngjarjen, përjetimet dhe botën shpirtërore të personazheve.
Subjekti njohës është definitivisht në duart e shkrimtarit. Përshkrimi nismëtar ofron ngjyrime biografike…, megjithëse linja rrëfimore e ka të panjohurën për pikënisje, si rrëfim i një vajze që rrëfehet… Dhe, ka pse të rrëfehet.
Çdo gjë fillon me përshkrim parapërgatitës, konceptual, për një situatë refleksesh gri, gjë që gjithashtu e përsërit edhe në përmbyllje të romanit. Megjithëse, autori e mbyll ngjarjen me hapy end, në favor të personazheve kryesore, ai në fakt i risjell notat e ngjashme përshkrimore, si në fjalinë e fundit: …Bie shi! Me këtë, siguron mbylljen e një ngjarjeje, por siç duket aludon në vazhdimësinë e një procesi, vazhdimësinë e shumë ndodhive të njëjta, të keqpërdorimit e dhunimit të vajzave shqiptare. Pavarësisht që atë vit: “Pranvera erdhi me lule shumë. Mimozat lajmëruan të parat ardhjen e kësaj stine të bukur, por dhe dallëndyshet s’mbetën pas”, shkruan pak më vonë autori, por tragjedia vjen me përmasa të tmerrshme…, andaj në përmbyllje të romanit i kthehet pothuajse të njëjtit përshkrim: “Qyteti mbulohej me mantelin e errët dhe një qetësi e çuditshme, që rrallëherë përcillte angullimën e ndonjë qeni, apo zhurmën e ndonjë makine të vonuar, tregonte misterin që e rrethonte”.
Si praktikë e mendimit kritik është përshtrirja e vëmendëshme mbi rrëfimin. Denisa “u përball me errësirën e shpirtit të një demoni, provoi shkallën e marrëzisë së njeriut, ndjeu poshtërimin më të madh dhe engjëjt krahëbardhë nuk e mbrojtën, por i dërguan këtë natë madhështore, që të kuptonte shkëlqimin e ditës së re. Mbylli dritaren dhe shkoi para pasqyrës. Donte të rrëfehej, të bisedonte me të për thyerjen e kristalit të shpirtit, për trishtimin e madh që e torturonte, për atë tmerr që shkriu ëndrrat prej bore.” Këtu, vërtet që ishte rrënuar ekuilibri.
Lidhja rrëfimore, kaq e ngjeshur, kërkon më shumë përkushtim analitik. Për të siguruar një qasje më transparente nga subjekti i romanit, jo vetëm që të duhet vëmendje, logjikë dhe përqëndrim i konsiderueshëm që të përballesh me Epilogun, ku tek e fundit bartet tërë pesha e ngjarjes (që të lidh me pikën fillestare), përtej konturave të trishta të skicimit të jetës brenda familjes shqiptare. Dinamizmi i jetës brenda një shoqërie tejet aktive, bën që fati i individit nganjëherë të ngulfatet në vetë lirinë e shumëdëshiruar të të rinjëve, të cilët krijojnë ngjarje, duke e rimarë fatin në duart e veta. Po të vësh në peshore raportet e brezave…, më duhet të pranoj se, ekziston akoma një diferencë ironike në logjikën dhe qasjen tradicionale të zgjidhjes së konfliktit. Si krijues që njeh esencën e realitetit jetësor të botës ku sillet dhe jeton, dhe rrjetin e fenomeneve ku ndeshet me praninë e koncepteve, autori, përdor përvojën ndijore të jetës dhe nënvizon ligësitë dhe dehumanizimin e individit.
Viktimat e një dashurie të padestiluar
Agron Shele, synon trajtimin e një teme dashurie shumëdimensionale, me një realizim mjaft bashkëkohor. Sot, qoftë edhe përmes artit, sikur na është bërë e zakonshme, që të përballemi me të tilla ngjarje, për shkak problemesh familjare, sociale, ekonomike…, teksa ngjarja e këtij romani është kryekëput rezultat i tëhuajësimit të individit dhe mungesës së dashurisë, e cila më pas bartet si një epidemi që merr jetë!
Në këto vëzhgime kritike njohim fluiditetin verbal të një dashnori të rregjur, kundrejt pritshmërive të një vajzusheje që nuk e ka kaluar pragun e ëndrrave, nga ana tjetër, qëndron dashuria e një çifti, që vijnë më të matur dhe e ruajnë ekuilibrine një bashkëveprimi vlerash për njëri-tjetrin. Të dy çiftet janë postulate të rëndësishme për botën që sodit përtej perdes gri… Të parët: Eltoni dhe Adriana, të dytët: Landi dhe Denisa, janë ndërlidhja e ngjeshur e subjektit, që për tërë lexuesit janë mesazh i rëndësishëm moralizues. Si veprojmë përballë dashurisë, kur dashuritë vijnë të ndryshme?! Ndonjëra lind gjatë një feste ditëlindjeje në “Bar Amerika”, përballë piramidës, e ndonjë tjetër në rrugët e përbotëshme! Atëherë cila nga këto dashuri është e vërtetë? Cila kërkon flijim, vetëmohim…?
Në këtë hamendje përzgjedhjesh, na vjen në ndihmë Landi, një personazh shumë i kompletuar, i cili mes një morie mendimesh të trazuara, pohon: “jeta ka dallgë dhe stuhi shumë më të tmerrshme se deti, por vetëm dashuria e vërtetë vendos dhe rimëkëmb paqen shpirtërore”, ndërsa ky pohim Denisën e bëri të buzëqeshte, sepse iu duk si një thënie profetike e tij. Bashkërisht, Landi dhe Denisa e përfaqësojnë realitetin sipas normave të shëndosha njerëzore, andaj dashuria e tyre përshkruhet kësisoj: “Për mua ti je një det i gjerë, ku dashuria ime do të jetë përjetë në lundrim të sigurtë”, deklaron Landi, përderisa Denisës, dashuria “ia drithëronte zemrën dhe shkaktonte mijëra re”. Mirëpo, dashuritë nuk vijnë me të njëjta histori, ashtu si vetë fatet njerëzore, prandaj dilemat vazhdojnë… Pse dashuria manifestohet në mënyra të ndryshme? A thua, pse…? Kur mungesa e dashurisë na shpie deri në krim?
Katarza po ndodh…, e çuditshme kur ajo bëhet pjesë edhe e një personazhi të marrë (Adriana), megjithëse pak e pazakonshme, prania e ndërgjegjes deri në atë masë. Ishte pikërisht Marta, e cila nguron të pranojë të vërtetën, si rezultat i frikës që tani më e ka mbërthyer nën pushtetin e vet; pastaj Monda, përmes heshtjes sikur e miraton vendimin për të mos u involvuar më shumë në rrezikun e mundshëm; Adriana ngulfatet nën vellon e turpit dhe vetëmohimit të jetës. Një botë e tërë femërore e gatshme për të flakur pozitën inferiore, madje është dhe shumë e mirëpritur edhe përkrahja e Erisës…
Po vjen një ditë, kur në rrethana të pasigurta edhe ”gjumi trembej nga mendimet e trazuara. Gjumi i munduar zbriti me ëndrra të frikshme, të cilat, herë e hidhnin ngrehinave të kobshme dhe zëri i çjerrë përfliste duart mëkatare në atë errëti të pamatë, herë e nënqeshte dhe e përmbyllte përbrenda fatit të imponuar”. Pikërisht kjo ndjenjë, reflektohej krejtësisht e shpenguar në shpirtin e Denisës. Ajo më nuk ishte vetvetja, jetonte në një burg shpirtëror që iu krijua pa fajin a saj. Jetonte midis ekuilibrash të rrënuar ndjesor dhe i bëhej se “Kërcitja e bravës kumboi njëlloj si hapja e dyerve të hekurta nga gardianët”. Këshu, pa ndërprerë “brenda shpirtit të saj luhej melodrama e madhe. Ankthi i përzier me botën e trazuar të ndjenjave, e kishte në një gjendje dyzuese, ku frika dhe pasioni, drithëronin zemrën”. Kjo kërkon trajtim e hulumtime të ndryshme njohjesh. Për këtë nevojitet një hap logjik i domosdoshëm, ku nuk përjashtohet as metamorfoza e përjetimit, sipas mentalitetit. Mos vallë, ajo është inspirim, për të cilin gjithmonë më shumë flasin sytë?!
Si një ikonografi të tërë konceptesh mbi ngjarjen e këtij romani, njohim: çiltërsinë e individit (të riut) që bie në komplikime, si pre e tendencave të vetëdijshme nga përfaqësues të ligësisë, përfaqësime unifikuese në praninë ose përjashtimin e fajit, relativizimi i ngjarjeve serike, të përsëritura deri në fatalitet, finalizime të dobishme mbi projektime paraprake.
Jeta vazhdon, por nuk mund të thuhet se vijon pa thyerjet shpirtërore, pa kujtimet e hidhura…, ngjarja nuk njeh faza të ndryshme të zhvillimit, por e ruan njëtrajtshmërinë narrative. Nga ana tjetër, “Adriana përfytyronte pasazhe të ndryshme: ditën që ishte njohur, më pas xhirot e gjata nëpër bulevardin kryesor, puthjen e parë te “Kodra e liqenit”, dashurinë në kthinën e atij lokali dhe në fund, për të gjitha këto, vuante ankthin e shoqërimit me njeriun e gabuar”. Kjo gjendje: herë e shtynte drejt tij, herë e ndrydhte. Jeta e saj ishte ngatërruar më keq se një lëmsh. Nën presionin e mendimeve të tilla, e vetëdijshme për pasojat, në të cilat ishte zhytur pa menduar fare, Adriana tani më mendon kthjellët, mandje giximshëm i drejtohet dhe Martës: “Është një detyrim që ne duhet ta përmbushim. Ai njeri duhet të ndëshkohet për të mos lënduar nesër të tjerë njerëz”. Ajo më as që mendon për veten, por për të mirën e atyre dhjetëra vajzave që keqpërdoren gjithandej dhe padashje bien pre e një hipokrizie mashkullore që vepron në emër të dashurisë. Po Denisa ishte bindëse: ”…tregoi para gjykatësit ndodhinë e asaj nate të tmerrshme, …dramën e dhunimit të një adoleshenteje”. Këtu edhe shembet bota iluzore e një vajze të pafajshme.
Romani përfshin një diapazaon të tërë kërkesash e interpretimesh, të cilat në zhvillimet e sotme letrare përkojnë me normat globale, të aktualizimit të promblematikave shoqërore, dukurive të shumta negative, si aranzhim përmasash zhvillimore në suaza të shoqërive në tranzicion. Mirëpo, jo të gjithë janë të prirë për të provuar të panjohurën, si ndodhi me Adrianën, kur: “Para syve të saj shfaqej një mjegullnajë e tmerrshme, ku çdo shkreptimë drite, tretej në ngrehinat e përthyera të pasazheve, që reflektonin pasojën e veprimeve të saj. Aty nuk përflitej për imazh apo rregullsi, që duhej të vendoseshin, por për një plagë të hapur, që në çdo çast shkaktonte dhimbje dhe çorientonte gjithë mendjen. Si fije e pandashme rrëfimore mbetet edhe Marta, si ai shpendi zemërbardhë që nuk mund të ngjitej drejt kaltërsive qiellore. Kështu, ideali mbi rolin e arsyes është tipar i kuruar nga tradita e familja, mbi një korrigjim qëllimesh. Arsyeja njerëzore ndikon në veprimin e individit, megjithëse fundi i historisë nuk shënon dhe fundin e idealit.