• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vizatimet me dritë”

February 16, 2014 by dgreca

 … të  dorës së Pikaso-s, apo të aparatit të Milit?!/

Nga Qerim VRIONI/ Michigan/
Dihet se vizatimi përbën gërmat e para të alfabetit “pikturë“, dhe njëkohësisht  shërben edhe si dëshmi në se dikush duhet t’i hyjë mësimit dhe lëvrimit të saj ose jo. Historikisht,  vizatimet e para, siç thonë  studiuesit, janë shenjat e pëllëmbës së dorës së njeriut të lyer me baltë e të vendosur mbi sipërfaqet e mureve të shpellës. Kjo bëhej për të shikuar se si riprodhohej dora, por ndoshta edhe fare rastësisht. Më pas, po në muret e shpellës, njeriu parak nisi të gërvishtëte, me gur më të fortë, më vonë edhe me qymyr druri, subjekte të ndryshëm si kafshë, armë primitive dhe  skena gjahu, duke realizuar vizatimet e para të njeriut. Disa prej këtyre vizatimeve dolën mjaft jetëgjata dhe  kanë mbërritur të paprishura edhe në ditët tona.  Nga Shqipëria, le të përmendim vizatimet e hershëme (petroglifet) në guvat e Trenit (Korçë), Mesaplikut (Vlorë) dhe të Rubikut (Mirditë).

Vizatimet e mëvonëshme, me mjete të përmirësuara dhe mbi sipërfaqe më të përshtatëshme, të realizuara nga njerëz me aftësi të veçanta dhe shkollim përkatës, do vinin sot nga largësitë e shekujve si të ishin bërë para fare pak kohe, duke na krijuar ndjesi estetike. Edhe në ditët e sotme vizatimi lëvrohet shumë, pavarësisht veglës ekzekutuese (qymyr ose karbon, laps ose grafit, penel, majë e mprehtë çeliku etj.) dhe sipërfaqes rrafshe ku bëhet (letër, dru, xham, plastikë, mur, kanavacë etj.) dhe, që përgjithësisht pasqyron një subjekt të caktuar.

Piktori spanjoll, Pablo Pikaso, aty nga fundi i viteve ’40,  kishte  arritur njohje e prestigj të madh në botë. Për këtë, përveç vlerave të spikatura estetike të punëve të tij, ndoshta e ndihmoi edhe një vizatim (litografi) i një pëllumbi të bardhë, që shërbeu si poster i Kongresit Botëror të Paqes që u mbajt në Paris në prill 1949. Më pas, ky pëllumb  u kthye nga lëvizje pacifiste  (sidomos në Europë) në simbol paqeje, duke e quajtur “pëllumbi i paqes”.  Në këtë kohë (1949), Gjon Mili, fotografi amerikan me origjinë dhe vendlindje shqiptare, i cili kishte mbi dhjetë vjet që punonte për revistën amerikane “LIFE”, kishte marrë detyrë të fotografonte artistë të shquar europianë. Fotografi këtë mision e priti me dëshirë të madhe, sepse  vet Mili do të shkruante me vonë se, “kisha kënaqësinë të punoja me disa nga artistët më të mëdhenj të shekullit”.  Kështu, objektivin e aparatit të tij e nëpërkaluan njeri pas tjetrit imazhet e piktorëve të njohur Raoul Dufy, Georges Braque, Henri Matisse, Giorgio de Chirico, violonçelistit të shquar Pablo Casals etj, për të mbetur  në histori edhe përmes këtyre fotoportreteve tradicionale.

Me Pikaso-n, fotografi kaloi nga një rrugë tjetër, të re dhe të guximëshme. Gjon Mili, fillimisht mendonte të realizonte me të disa fotoportrete klasike, siç kish bërë me të tjerët. Por jo. Fotot me piktorin nuk do ishin të zakonëshme. Më vonë, ato do zinin vend në shumë albume dhe libra fotografie në botë e do të quheshin “Vizatime me dritë“.

Në fotografinë botërore,  foto me pasqyrimin  e lëvizjes së një burimi drite hasen qysh prej fillimit të shekullit XX (1914), madje në vitet ’30, artisti amerikan i fotografisë Man Ray realizoi një seri fotosh të tilla me titull, “Space Writing” (Shkrimi i Hapësirës). Natyrisht edhe Mili mund të jetë ndikuar nga paraardhësit, por rëndësi ka fakti se përvojës së të tjerëve ai u ka veshur “stofin e vetë”. Historia e arteve është shkruar edhe nëpërmjet përdorimit të ndikimeve të të vjetërve nga të rinjtë në mënyrë krijuese.

Fotografia përgjithësisht përkufizohet edhe si “veprimi fiziko-kimik, që ndalon çastin”. Thënë edhe me pak fizikë, ajo përngrinë një pamje gjatë një ndërmjetësie kohore shumë të vogël, pjesë të sekondës, kurse fotot për të cilat flasim, ngurtësojnë pamjen në zhvillim e sipër, pra përgjatë një hapësire kohore prej disa sekondash. Me këtë teknikë, fotografia ndalon lëvizjen, veçse jo atë në përgjithësi, por të një burimi drite. Një status i ri ky, më i përparuar, i “dhomës së errët” dhe, në një farë mase, në kundërshtim me përcaktimin teorik tradicional të fotografisë. Kjo i ngjallte  kënaqësi, por dhe e nxiste për të arritur më shumë.

Para takimit të planifikuar me Pikaso-n, Gjon Mili, kaloi një mbrëmje në Paris me Javier Vilato, nip i piktorit. Biseda midis tyre i ndryshoi planin e tij të fotografimit të Pikaso-s: vetëm me mënyrën tradicionale. Mili, përmend në kujtimet e tij se nipi e kishte njohur me thënien e të ungjit se, “nëqoftëse do të vizatosh, duhet të mbyllësh sytë dhe të këndosh”. Duke dëgjuar këtë, imagjinata e fotografit do ketë shpejtuar e, pasi e ka kaluar dy-tri herë nëpër mendje, ka ndalur tek fjalët, “të mbyllësh sytë“, pra në terr. Fotografi kujton në shkrimet e tij se duke pasur në mendje piktorin, “unë vendosa, pse të mos vizatoi në errësirë, me një dritë në vend të lapsit ?”

Ka të ngjarë, që atë natë fotografi të mos ketë fjetur i qetë, dhe me të drejtë, do fotografonte një artist të shquar, madje me një mënyrë të re. Mbase dalëngadalë iu sendërtua ideja dhe iu krijua bindja se të nesërmen do realizonte diçka të re. Për këtë, ndër fotot që kishte marrë për t’ja treguar piktorit, përzgjodhi ato që kishte bërë disa vite më parë me një patinatore duke i vendosuar dritëza në patina. Në to ishte përngrirë lëvizja e patinave në akull dhe ajër, lëvizje e shënjuar në fotografi në vijat e ndërlikuara të dritëzave. Imagjinata e Milit, duke punuar vetëm për fotot e nesërme, gjeti lidhje ndërmjet vijave të patinave me ato që do bënte në ajër dora e Pikaso-s.

Fotografi e gjeti piktorin në një plazh të Francës jugore dhe sapo u përball me të, mendoi “qenka shumë i shkurtër”, siç shkruan në kujtimet e tij. Ndoshta dhe piktori nga ana e tij kur e ka parë mund të ketë  thënë me vete “sa i gjatë ky” për fotografin. Pas sekondave të shkëmbimit të “matjeve me sy”, Mili i propozoi t’i bënte një portret, por Pikaso me një shprehje të ftohtë të fytyrës i përgjigjet, “Ou, ec, ec, vazhdo”, kujton Mili në shkrimet e tij. Fotografi e përtypi ftohtësinë e Pikaso-s dhe me një farë këmbëngulje i tregon një nga fotot që i kishte bërë sportistes së akullit, marrë enkas për piktorin. Fotoja e tërhoqi piktorin që, menjëherë dhe pa e fshehur interesin, kërkon t’i shikojë të gjitha fotografitë. Fantazia dhe mjeshtëria e fotografit të shtrira në letrën e fotove, tretën si me magji dimrin e çasteve të para midis tyre, duke vënë në lëvizje temperamentin e tij të piktorit.  Madje, Mili shkruan se Pikaso,  “filloi të vizatonte në ajër vetëm me gishtin e tij disa vija intriguese”. Kaq mjaftoi, që fotografi nën peshën e minutave të para t’i propozoj të bënin vetëm një seancë 15 minutëshe, gjë që piktori e miratoi shpejt. Në të vërtetë u bënë pesë séanca dhe të gjitha më të gjata se nga 15 minuta. Gjatë tyre në u realizua dhe fotoja më e njohur, “Pikaso duke vizatuar me dritë“. Bashkëpunimi midis Pikaso-s dhe Milit, që filloi me këto foto  dhe në këtë plazh, krijoi më pas dhe miqësinë tyre të ngrohtë disavjeçare që është pasuar edhe nga një letërkëmbim i dendur midis tyre. Fatkeqësisht, letrat që piktori i dërgoi fotografit u shkrumbuan në zjarrin e vitit 1966 që  dogji studion fotografike të këtij në Rrugën 23, në Nju Jork.

Piktori Pikaso kishte vizatuar dhe herë të tjera në sipërfaqe  të ndryshme, si tabelën e zezë, në rërën e plazhit,  zhdukeshin me fshirje ose mbulim pas disa sekondash a minutash, kurse vizatimet me dritëzën në dorë sikur i përfytyronte me vështirësi. Të parat i mendonte dhe i shikonte, qoftë disa sekonda, por këto…. Po ashtu, atë e kishin fotografuar shumë të tjerë, por me një mënyrë të tillë ende nuk e kishte provuar. Këto vizatime humbisnin sapo krijoheshin, ose…treteshin gjatë ngjizjes së tyre! Atëherë si mund të fotografoheshin, kur nuk mbetej gjë fizike, aq më tepër që nuk shfaqeshin në ndonjë rrafsh të ngurtë? Ndoshta, kureshtja e artistit i dha durim  për të pritur përfundimin. Fotografi i gjatë, i hollë  me mustaqe të zeza e temperament kolerik, duhanpirës, i veshur pa kujdes të madh dhe që fliste një anglishte me theks, sikur e kishte hipnotizuar, aq sa mund të ngjit kjo fjalë tek piktori më i madh i shekullit XX.

Pa e zgjatur shumë, të dy u nisën për në  poçerinë e piktorit (në Vallauris), rregulluan një kthinë që mund të errësohej plotësisht  dhe pa u vonuar, filluan shkrepjet. Përfytyrojmë çka ndodhur teknikisht atë ditë vere të vitit 1949 në poçerinë Madoura të spanjollit në Vallauris të Francës jugore. Fotografi vendos aparatin me gjithë flash-n mbi trekëmbëshin prej druri, kuadron pamjen e zgjedhur dhe vendos kohën e mbajtjes së obturatorit tek shenja B, që tregon se ai qëndron hapur deri sa të mbahet shtypur butoni. Fillimisht në errësirë të plotë, piktori vizaton në ajër për disa sekonda me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë, gjë që  përngrihet në film si vijë e ndritëshme dhe e ndërlikuar. Pjesa tjetër e kuadratit mbetet e zezë, por e virgjër, sepse ende nuk ka marrë dritë. Mandej, sapo mbaron vija e ndritëshme e piktorit,  pa lëvizur pozën, me obturator të hapur, fotografi shkrep flashin, që ndriçon të gjithë mjedisin bashkë me piktorin. Të dy imazhet bashkohen tanimë njeri me tjetrin, mbivendosen, duke  arritur në një kuadrat filmi shembëllimin e dëshiruar. Fotograf Mili, inxhinier ndriçimi me përvojë dhe imagjinatë, këto veprime i kryen pa vështirësi, por jo pa emocione. Gjithsesi, si rëndomë në fotografi, nuk mjaftohet me një shkrepje, po vazhdon sa sigurohet për arritjen e synimit.  Ngulmimi dhe natyra e gjallë e fotografit e kishte vënë piktorin e madh disi në rolin e nxënësit të bindur. Natyrisht, nga bashkëpunimi i dy krijuesve të tillë të shquar, s’do kishte veçse  fryte të rralla.

Si fillim, ishin disa vija të çrregullta të pakuptimta që realizoheshin nga një dritëz (si e patinatores) në dorën e djathtë të Pikaso-s. Mili prej vitesh kishte realizuar  foto të ngjajëshme, që nga ajo me dritëza në majat e skermave (1942),  tek patinat e sportistes (1945), ku gjurmat në letrën fotografike (fiziogramat) nuk paraqisnin diçka,  veçse ca vija me shumë lakime e përdredhje, që ende nuk mund quheshin “vizatime me dritë“.

Gjon Mili, përfytyroi shpejt se dritëza e vendosur në dorën e piktorit nuk duhej të bënte vija që s’përfaqësonin asgjë, por të vizatonte diçka që mund të lexohej e kuptohej nga shikuesi. Mbase ky,  i propozon artistit të mos bëjë vija kot së koti, por të vizatoj ndonjë gjë  konkrete. Piktori pranon, por,  nuk i shkon mendja të vizatonte “pëllumbin e paqes”, por diçka tjetër, një kafshë mitologjike, një egërsirë, centaurin (gjysëm burrë e gjysëm kalë), si të thuash të kundërtin e shpendit paqësor. Ndërkohë, i pari, pëllumbi, dukej në pankarta të mëdha, ballina revistash e gazetash, kartolina e pulla poste në mjaft vende të botës. Madje, këtë (centaurin), e paraqet jo duke qëndruar a ecur, por me këmbët e para në ajër, si të përgatitej për t’u përleshur me dike, veprimi simbolik i kafshës egërshane të mitologjisë. Çudi kjo përzgjedhje e piktorit, ose asfare çudi kur bëhet fjalë për Pikaso, i njohur për natyrën ekscentrike dhe trillet e tij të zakonëshme.

Fotoja e Pikaso-s duke vizatuar me dritë centaurin, u botua menjëherë në revistën “LIFE”, duke tërhequar vëmendjen e publikut. Gjithsesi, mendojmë se paraqitjen më dinjitoze fotoja bashkë me të tjera të serisë, e pati në ekspozitën fotografike “On Picasso” ( Pikaso) të hapur në MoMA (Muzeu i Arteve Moderne) të Nju Jorkut nga janari deri në mars të vitit 1952. Autorë të saj ishin Gjon Mili dhe miku i tij, fotografi me origjinë hungareze, Robert Capa, simboli i fotografisë së luftës për shekullin XX. Të dy e  kishin fotografuar mikun e përbashkët, Pikaso, në verën e vitit 1949. Fotoja u botua më vonë edhe me tituj të ndryshëm, deri sa mbriti tek “Pikaso duke vizatuar me dritë“, që shoqëron, thuajse sa herë botohet në albume ose shtyp. Ndonëse ishte një emërtim shumë afër të vërtetës, nuk dukej si diçiturë – pjellë fantazie të shëndoshë, sepse…vërtetë, a mund të vizatohet me dritë?! Në të vërtetë, fotografi tregoi se kjo mund të bëhej dhe e arriti këtë në mënyrën më të mirë të mundëshme.

Kështu, Mili ynë realizoi me një proces të ri fotografimi dhe fantazi të epërme vetjake fotot “vizatim me dritë“. Fotoja “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949), shërben në mjaft libra dhe revista të fotografisë si shembulli “ikonë“për këto lloj shkrepjesh. Madje, edhe shumë të tjera të kësaj serie, ku duket gjithmonë Pikaso që vizaton me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë. Sot, në botë, këto lloj fotosh të Milit paraqiten dhe komentohen në shumë botime dhe artikuj revistash e gazetash të specializuara për fotografinë. Përmendim se një foto e tillë e Gjon Milit, me ekspozim trefish të figurës së piktorit, është pasqyruar në një botim përmbledhës të revistës amerikane “TIME” të para dy muajve, me titull “TIME” -A History of World—December 2013”. Ajo, është vendosur aty si simbol i kapitullit “Arts&Entertainers” (Arte dhe Artistë), ku përveç Pikaso-s, shkruhet edhe për Louis Armstrong, Marilyn Monroe, The Beatles, Frank Sinatra, Elisabet Taylor etj.

Nuk mund të thuhet se fotoja do dilte e tillë ose jo, po të vizatonte një piktor tjetër dhe të fotografonte një tjetër fotograf, fakti që fotoja ka këto vlera tregon se dyshja, Pikaso-Mili, rezultoi  mjaft e suksesëshme. Fantazia, thuajse hyjnore e Gjon Milit, bëri që këto vizatime të cilat humbisnin gjatë krijimit të tyre, të përjetësoheshin në letrën fotografike, për t’u shikuar sot mbas mbi  gjashtëdhjetë vjet  pas realizimit të tyre, dhe po ashtu të vazhdojnë të kundrohen e shijohen, deri sa të ketë njerëz që pëlqejnë fotografinë.

Në botime të ndryshme fotot e Milit, por edhe të të tjerëve që paraqesin lëvizjen e një burimi drite, quhen rëndom “vizatime me dritë“. Ndoshta nuk u takon të gjithave ky emërtim.Më saktë mbase do ishte që përveç atyre të Pikaso (mundet dhe të ndonjë piktori tjetër), të tjerat të quhen me termin shkencor “fiziograma”, që përbën pasqyrimin e lëvizjes mekanike të një burimi drite në errësirë. Madje, edhe fotot e Milit ku pasqyrohet lëvizja e harkut të violinës (me dritëz në maj) të instrumentistit të shquar, Jasha Heivetz (1952) mund të emërtohen fiziograma të violinës. Tjetër gjë kur lëvizjet e burimit të dritës bëhen nga  dora e piktorit, këto janë vizatime sepse paraqesin diçka me kuptim e subjekt, si njeri, send, kafshë etj, të cilat mund  të quhen  “vizatime me dritë“.

Kthehemi në fillim të shkrimit, tek përkufizimi i vizatimit, duket sikur ka një farë mospërputhje ndërmjet tij  dhe emërtimit të këtyre fotove të Milit. Kjo, sepse vijat e Pikaso-s krijohen në hapësirë tripërmasore, pra jo në sipërfaqe dy përmasore , aq më tepër rrafsh të drejtë. Sado aftësi të shpaloste piktori, nuk  mund t’i shënonte vijat mbi një sipërfaqe rrafshe (pra të bëj një vizatim), sepse nuk e ka lejuar përmasa e tretë, thellësia. Bash, këtë përmasë që shqetëson përkufizimin tonë, e shmang fotografia, e cila arrin ta tresi dhe, vijat e dorës së piktorit të shfaqen në një rrafsh të drejtë (letra fotografike) dhe ta meritojnë plotësisht  cilësimin “vizatim”, madje shoqëruar edhe nga vegla e veçantë, “me dritë“. Fotografia, dihet se një nga tiparet themelore ka zhdukjen e thellësisë së objekteve, pra të përmasës së tretë, dhe këtu qëndron merita e saj që vijat e piktorit në hapësirë të shikohen të shtrira përfundimisht dhe përgjithmonë në një sipërfaqe. Tek e fundit edhe në sajë të aftësisë përfytyruese të Gjon Milit.

Ndoshta nuk ka ndodhur më herët në historinë e arteve pamore që të ruhet një vepër e cila zhduket gjatë krijimit të saj si këto vizatime me dritë të Pikaso-s, të fotografuar nga Mili. Po ashtu, Pikaso është mbase i pari që ka vizatuar në hapësirë dhe jo në sipërfaqe rrafshe, dhe vizatimet të mbeten. Themi ndoshta, sepse para tij mund të kenë vizatuar edhe të tjerë, por të tijat kanë mbetur për t’u shikuar me kënaqësi, madje në një art tjetër pamor siç është fotografia.

Gjon Mili e kishte fotografuar dhe më parë lëvizjen me teknikën stroboskopike duke realizuar edhe foto të njohura si  “Nudo duke zbritur shkallët” (1942) dhe “Pas de Bourre”(1945), por në këto fotografi subjektet janë të copëzuara (fragmentarizuar). Për të arritur tek “vizatimet me dritë“ Milit i është dashur të mendoj, si të gjithë fotografët  me anën e përfytyrimit, një shqisë shtesë, në mund ta quajmë kështu, që u bëhet atyre organike gjatë krijimtarisë artistike.

Mili e fotografoi rishtas Pikaso-n,  me këtë teknikë, edhe pas 18 vitesh (1967). Edhe këto foto, përgjithësisht kishin piktorin në qendër të tyre, por në disa syresh duken vetëm imazhe kafshësh, vazo lulesh, germa kapitale, madje dhe nënshkrimi i tij. Në këto të dytat, fotografi e ka lënë në terr piktorin, pra ka kryer vetëm pjesën e parë të procesit të fotografimit. Vizita e dytë dhe fotot e realizuar në të, ishin siç thotë vet Mili, “shkaku i botimit të përmbledhjes së tyre në një album”. Kështu, në vitin 1970, ai botoi  albumin me titull “Picasso’s third dimension” (Përmasa e tretë e Pikaso-s), që më pas u botua dhe në frengjisht. Në të, përveç fotove “vizatim me dritë”, fotografi ka paraqitur edhe imazhe të punimeve artistike të piktorit të madh në qeramikë e materiale të tjera të forta. Mili, i shoqëron shpesh fotografitë e albumit  edhe me komente, që flasin për nivelin e mirë estetik të tij.

Kjo përmbledhje, do pasohej 10 vjet më vonë me botimin prej “New York Graphic Society” (Shoqata  Grafike e Nju Jorkut) të albumit-monografi “Gjon Mili—Photographs&Recollections” (Gjon Mili-Fotografi dhe Kujtime). Vetë fotografi, përveç fotove të zgjedhura, ofron të dhëna për jetën dhe krijimtarinë e tij, pra ka edhe karakter jetëshkrimor, por të trajtuar me sensin e një letrari të aftë.

“Vizatimet me dritë“ janë të ngjajshme me skicat e shpejta me laps që praktikojnë rëndomë piktorët, veçse këto të fotografuara nga Gjon Mili, kanë dalë nga mendja dhe dora e Pablo Pikaso-s, më të madhit piktor të shekullit XX.

Sot në botë janë përhapur mjaft fotografitë “vizatim me dritë“, me teknika e mënyra të shumta e të ndryshme. Por, gjithsesi, ende nuk është realizuar ndonjë foto që të ketë popullaritet  të përafërt me atë të “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949) të fotografit amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili, i cili u nda nga kjo jetë më 15 shkurt 1984, plotë 30 vjet më parë.

Michigan, ShBA,  janar 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: apo te aparatit te Gjon milit, Qerim Vrioni, Qerime ne drite, te dores se Pakaso-s

“Fjalor i Fotografisë”, Fjalor Drite

January 2, 2014 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Jo më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, nje aparat fotografik ishte send tepër i rrallë, krahas njeriut të lirë apo pas automobilit privat i cili nuk ekzistonte. Sot, është e tepërt të thuhet se fotografia konvencionale dhe ajo dixhitale, kanë hyrë kudo. Dhe një fjalor teknik për të shpjeguar sa më shumë fjalë të terminologjisë së fotografise, shqipes i duhej.
Ky Fjalor i lypur vjen nga Qerim Vrioni, studiues dhe gjurmues, mbledhës i fotografise shqiptare, nxjerrës në dritë i figurave të saj me librat e tij si “Fotografia një grusht Diell” apo “150 vjet fotografi shqiptare”.  Synimi e fjalorit, i çdo fjalori, është sa maksimalist dhe minimalist; “Fjalori..” i Vrionit është edhe përparësor (mbi të dyja), sepse; kalon nëpër udhë të pashkelur; mbulon rreth 600 fjalë  (jo pak për një fjalor zhargon) të fenomenit të artit fotografik; dhe nëse lexohet faqe-pas-faqe njeriu mëson mbi procesin e prodhimit të një objekti nëpërmjet veprimit të dritës, rrezatimit apo ndjeshmërisë së saj, ku drita lë gjurmë, gdhend; “foto-grafi” “gjurmë-drite”, ky është kuptimi i fotografisë në shqip. “Fjalor i fotografisë” dixhitale dhe konvencionale i Qerim Vrioni është udhëzues i rëndësishëm për studentë e profesionistë njësoj, sepse në këto kohëra zhvillimesh të vrullshme teknologjike, dhe vende pa kufij të mbyllur, fotografi sado me përvojë në profesionin, bëhet brenda natës i ri a student.Fjalori (176 fq) është referencë e shkëlqyer, plot përkufizime të termave dhe njohuri në zgjidhjen e problemeve gjatë përdorimit të një aparati ose kamera për të fotografuar dhe retushuar në mënyrë dixhitale.Fjalori i Vrionit është i llojit bifokal, sheh larg dhe afër, maksimalist dhe minimalist, ndërsa përpiqet të mbulojë një pjesë të terminologjisë përkatëse. Fjalori i Vrionit është here-herë një gjuhësh, dy gjuhësh, sqarues, analizues, i plotë, biografik, ku përdoruesit mund të kuptojnë tekstet teknike në shqip a të përkthyera dhe të prodhojë tekste të reja. Bibliografia e pasur, tregon se autori ka kryer kërkime disa vjeçare, siç e thotë edhe vetë, në biblioteka të shumta si në Amerikë edhe në Evropë e Shqipëri.

Gjuha shqipe është e re në të shkruar; alfabeti i saj i njësuar u miratua rreth 105 vjet me pare nga Kongresi i Manastirit (1909); historia e fjalorëve të saj është thuajse njësoj në moshë; ndërsa ajo e fjalorëve teknikë është e re. Qerim Vrioni me Fjalorin e tij të Fotografisë të kujton amerikanin Noa Webster. Në vitin 1806, Noa botoi një Fjalor të përmbledhur te gjuhës angleze me jo më shumë se 20 mijë fjalë; sot Fjalori i tij ka mbi 150-mijë fjalë e shprehje, dhe vazhdon të botohet i shtuar dhe me të njëjtin emër: Webster’s Dictionary. Me kalimin e viteve, për hir të shqipes, të njëjtin fat pasurimi urojmë të ketë edhe Fjalori i Vrionit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi, fjalor drite, Qerim Vrioni

Qerim Vrioni boton fjalorin e parë të fotografisë në shqip

November 26, 2013 by dgreca

Botimi i këtij fjalori të forografisë në shqip është një ngjarje kulturore, një punë e madhe që duhet evidentuar dhe përkrahur, një kontribut i çmuar për të cilën brezat që vijnë do t’i jenë mirënjohës këtij autorit të palodhur./

Nga Flori SLATINA/

 Studiuesi i mirënjohur i fotografisë, Qerim Vrioni, ka sjellë për herë të parë në shqip një fjalor të fotografisë. Eshtë hera e parë që në historinë 155-vjeçare të fotograifsë të kemi një fjalor të tillë. Ky fjalor është frut i një pune të gjatë të stjuesit Vrioni. Kjo vepër  vjen pas dy librave të tjerë të autorit “Fotografia një grusht qiell” dhe “150 vjet fotografi shqiptare”.

Për Vrionin “është hera e parë që botohet një fjalor fotografie në gjuhën shqipe. Duke parë se  thuajse në çdo libër fotografie në botë, gjendet dhe një fjalor i vogël termash të fushës së fotografisë, mendova se përpilimi i këtij do ishte i dobishëm për  lëvruesit dhe dashamirët e kësaj veprimtarie shoqërore dhe artistike të vendit. Kjo shpresë më jep kënaqësi”, shprehet Vrioni.

     Ky fjalor është i rëndësishëm edhe në këtë fushë, pasi leksikografia shquiptare paurohet ehde me një tjetër vepër të rënëdishme dhe që, për fat të mirë, e rendit edhe vendin tonë mes shtetee që tashmë kanë të paktën nëj fjalor të tillë. Fjalori  përmban : terma, gjini, rryma e drejtime artistike, botime, revista e gazeta, konkurse, çmime, procese teknologjike, aparatura e pajisje.

    “Natyrisht kishte vështirësi puna për realizmin e Fjalorit, edhe ngaqë letërsia shqiptare e fotografisë është shumë e varfër, ajo përbëhet vetëm prej 5-6 botimesh, numër  fare i vogël për një kohështrirje mbi 150 vjeçare të Fotografisë Shqiptare. Këtë mangësi e ka plotësuar pjesërisht shtypi shqiptar në vite”.

    Ashtu si duhet lëvduar puna e studjeuist për përkushtimin, profesionlaizmin, ashtu duhetn kritkuar edhe autoritetet kopetente të cilat në asnjë rast, ap omë keq akoma, në raste klienteliste, ndihmojnë kulturën dhe autorët e këtyre veprave. Ka raste që ato edhe pengojnë. Por z. Vrioni është i ndërgjegjshëm për këtë punë voluminoze (pasi nëj fjalro i tillë e hartojnë akademi ëapo grupe pune dhe këtë e ka bër i vetëm z. Vrioni), natyurisht , “më kanë ndihmuar mjaft miq e shokë, ndër më ndikuesit i kam falenderuar në fjalën hyrëse të Fjalorit”.

     Sipas tij “Fotografia Shqiptare nuk përmendet shumë në fotografinë botërore, të paktën me aq libra historie të fotografisë sa kam shfletuar une. Shkrimi i parë serioz mbi të i takon studjuesit francez Gerard Girard në vitin 1982, gjithsesi për fotografët e hershëm shqiptarë. Në vitet ’90, u botuan dy albume me foto të Marubëve në Francë (1995) dhe Itali (1996).  Vitet e fundit disa studjues francezë kanë botuar studime dhe albume për fotografinë shqiptare.

      Në vitin 1999, fotoja “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës”(1922) e Kel Marubit, u rendit në “The Photo Book” të shtëpisë botuese “Phaidon” midis 500 fotot më të mira të historisë botërore të fotografisë. Deri tani, kjo përfshirje përbën vlerësimin më të lartë të fotografisë shqiptare në botë.”

     Botimi i këtij fjalori të forografisë në shqip është një ngjarje kulturore, një punë e madhe që duhet evidentuar dhe përkrahur, një kontribut i çmuar për të cilën brezat që vijnë do t’i jenë mirënjohës këtij autorit të palodhur.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: fjalori i pare, i fotografise, Qerim Vrioni

Një fotografi e vjetër dhe qytetaria e një fshati

May 30, 2013 by dgreca

Foto: Thimi Raci: 1931 janar- (Ark.V.Ilo)

Nga Qerim VRIONI/

Para ca kohësh, gjatë një fundjave në një qytet turistik në veri të Miçiganit (SHBA), kam parë disa çifte që po fotografoheshin. Nuk ishin të sapomartuar që të përjetësonin ditën më të  shënuar të jetës, jo, ishin rreth moshës kur mund të quheshin meso-burrë dhe meso-grua, siç u themi në Shqipëri. Veshjet e tyre ishin thuajse ceremoniale, gjendja ishte e gëzueshme, ndoshta i bashkonte ndonjë përvjetor mbresëlënës.  Pas çdo shkrepje, shumica shkonin tek fotografi të shihnin në ekranin e vogël të aparatit se si ishin fotografuar. Duke i vërejtur një copë herë, m’u kujtua një fotografi e vitit të largët 1931, në të cilën fotografi Thimi Raci, kishte paraqitur dhjetë çifte të martuarish të fshatit Dardhë (Korçë). Këtë fotografi ma ka dhuruar koleksionisti dhe miku im, Vangjo Ilo, i ndarë nga jeta një vit e gjysëm më parë. E botojmë me gjithë shënimet e zakonëshme për çdo foto të arkivit të tij, çka tregon edhe se sa i kujdesshëm ishte ai me fotografitë që ruante, por në të dallohen edhe gjurmët e gjithë këtyre viteve.

Nga shënimet e dy pinjollëve dardharë (Vaskë Bruko e Adriana Stefani, që me këtë rast i falenderoj) të cilët, ndonëse në kontinentin amerikan, mbajnë gjallë dhe fortë lidhjet me fshatin e prejardhjes së tyre, mësohet diçka mbi historikun e fotos. Burrat e fotos, të cilët kishin vite që jetonin e punonin si mërgimtarë në Amerikë, ishin kthyer në dimrin 1930-31, përkohësisht në vendlindje për arsye të ndryshme si malli për të afërmit, martesa, lindje fëmijësh, rikthim në atdheun e ri  së toku me gratë e tyre (bashkim familjar, siç quhet sot) etj. Gjatë qëndrimit në fshat, kishin festuar Krishtlindjet, Vitin e Ri dhe Ujin e Bekuar. Më pas, tetë syresh, nga dhjetë të fotos, u kthyen rishtas në “Botën e Re”, bashkë me gratë. Brenda të dhënave të dy miqëve të mij janë dhe emrat e pothuajse të gjithë pjesëmarrësve në foto, por përmendja e tyre nuk hynë në objektivin e këtij shkrimi.

Fotoja të “godit” qysh prej përballjes fillestare me të, mandej të mban para saj e fillon të nxisi përfytyrime të shumta e të ndryshme. Është në natyrën e fotografisë që përgjithësisht, ta cysë shikuesin të imagjinojë jo vetëm çastet e shkrepjes së saj, por ndoca edhe para tyre e, më shumë të tjera, sidomos pas ngjizjes. Kjo nuk lidhet veçmas me pritjen që do t’i bënin fotos “aktorët”, por edhe me rrugëtimin e gjatë në kohë, kur ajo do qëndronte para dhjetra, qindra e ndoshta mijra syve, një rrugëtim që ngërthen vlerat e vërteta të saj. Kështu, të nxitur nga të veçantat e kësaj fotoje mbi 80-vjeçare, hodhëm në letër disa përsiatje rreth saj të shkruar si me laps.

Gjithsesi, ideja për t’u fotografuar bashkë me gratë e tyre, e hedhur nga njeri prej të mërguarve (i pari që e ka shqiptuar mendimin) është pritur mirë nga të gjithë, po dhe  në mënyra të ndryshme.  Në fund, të dhjetë (burrat vendosnin) janë njëmendësuar për ta bërë fotografinë. Kjo tregonte se në SHBA, ata nuk kishin fituar vetëm dollarë për vete e familjet, por dhe diç kishin përthithur nga mendësia amerikane e jetës dhe në një farë mënyre po e praktikonin atë në vendlindje. Ndoshta dhe mjeshtër Thimit i është dukur i veçantë propozimi dhe e ka pranuar përnjëherë atë. Ai kish rreth njëzet vjet që fotografonte në fshat ngjarje të ndryshme, lindje, martesa, funerale, pagëzime, “ditë të emrit”, festa fetare, piknike, hyrje në shtëpi të reja, por kjo ishte disi e ndryshme. Përveç përfitimit material nga që do bënte të paktën dhjetë copë, atij i është ngacmuar disi përfytyrimi se ajo nuk do ishte një foto e rëndomtë (më vonë, koha i dha të drejtë përfytyrimit të tij).  Usta Thimi, kishte bërë shumë foto të përbashkëta me burra dhe gra në raste  të ndryshme, ose grupe të ndara sipas seksit, por “shkrepje” me kaq çifte së toku nuk i kishte ndodhur ndonjëherë.

Më pas, me gjasë, duhet të kenë nisur diskutimet e shumta e të zhurmshme alla-shqiptarçe, të aktorëve (ata që fotografoheshin dhe mjeshtri) dhe spektatorëve (të afërmë dhe të tjerë), mbi datën, orën, vendin, veshjet. Ndonëse fotografimi në Dardhë ishte diçka mjaft e vjetër (fillimet prej gjysmës së dytë të shekullit XIX), vetë  tubimi i dhjetë çifteve nuk mbahej mend të kish ndodhur më parë. Atje, kishte shumë mote që fotografohej shumçka, pra prej kohësh dardharëve nuk u krijonte më ndjesi të reja “dalja në fotografi” ose “nxjerrja në fotografi”, por kjo ishte e para e llojit. Si në asnjë fshat tjetër në vend (edhe qytetet ishin më pak se gishtat e një dore), aty kishte dhe një dyqan me fjalën “fotograf” në tabelën mbi portën e hyrjes (“Thimi Raci-Teneqexhi dhe Fotograf”,viti 1911), përveç lokaleve të tjera të shërbimeve si këpucar, rrobaqepës, berber etj.  Pra, “dalja në fotografi” ishte kthyer në një rutinë të rëndomtë. Çuditërisht, kjo shprehje me tri pjesë, që përfaqëson procesin e fotografimit, në dukje allogjike, kishte shumë vite që dëgjohej dhe sendërtohej në atë fshat të thellë malor (rreth 1300 metra mbi nivelin e detit).

Le të vazhdojmë me foton e Thimi Racit të vitit 1931. Pasi u vendos se do bëhej fotoja, fjala do jetë hapur në fshat, së pari në bisedat familjare, në rrugicat e, natyrisht në tavolinat e barit të “Hotel Dëfrimi” (emër i pahasur kurkund në Shqipërinë e asaj kohe), ku dardharët rrëkëllenin ndonje gotë vere a rakije. Bashkë me lajmin, filluan dhe pandehmat e hamendësimet e shumta, ku përfshiheshin habija, kureshtja e mbase dhe pak zilija (që nuk është fare e huaj për shqiptarët), si…po kjo do jetë ndryshe , të shohim si do dalin, si do vishen etj etj. Edhe figura e fotografit Raci po ngrihej e po merrte një tis të ri, disi më dinjitoz, se në fund të fundit, ata që do fotografoheshin, kishin ardhur  nga Amerika dhe kishin parë dhe studio moderne të qyteteve të tij të mëdha. Më ndryshe, me të folmen e shtypit të sotëm,  fotografimi i dhjetë çifteve po përbënte ngjarje në fshat. Në foto do përfshiheshin drejtëpërdrejtë pjestarë nga rreth njëzetë familje, që me gjithë farefisin e krushqitë, mund të thuhej se ndoshta i  gjithë fshati ishte lidhur me të e po priste me kërshëri ta shihte. Fotoja ato ditë ishte kthyer në kryefjalën e shumë bisedave.

Pas “prerjes së ditës”, bashkë me të e vendit dhe orës, mundet që caktimi i veshjes të ketë hapur punë. “Ata të Amerikës”, kështu nisën të quheshin burrat, këmbëngulën  se do të mbanin kostume europiane, edhe pse fshati i tyre kishte një veshje të tijën karakteristike për meshkujt, që quhej mandio. Mosmarrëveshjet, mendojmë se do kenë filluar kur ka ardhur fjala te paraqitja e grave. Ato ishin mësuar që për çdo të kremte  të mbanin xibunin, veshjen tradicionale të fshatit (dhe në pajë e mernin nga një të tillë, ndonëse  ditën e martesës e nderonin me fustanin e bardhë), që e përdornin në të gjitha rastet e veçanta gëzimi dhe hidhërimi, natyrisht, jo vetëm familjare, që nuk ishin të rralla në Dardhë. Secila mund të kishte dhe rroba të kohës që ja kishin prurë nga mërgimi (këto kanë përbërë mallin kryesor që  dhe shumë kohë pas shkrepjes së fotos, shqiptarët sillnin në atdhe), por nën xibun ato, sikur e ndjenin më mirë e më lehtë veten. Xibuni qepej atje, po përdorej ngapak edhe në fshatrat fqinjë si Sinicë dhe Qytezë. Sipas dy dardharëve të vjetër e koleksionistë, (Sotir Laço dhe Sotir Pani), xibuni njihej në fshat qysh prej shekullit XIX. Edhe shumë e njohura në vend, “Vallja Dardhare”, në festivale apo shfaqje të ndryshme,  kërcehet gjithmonë nga valltare të veshura me xibun. Me sa dijmë kulti i xibunit, përveç fshatit mbahet disi gjallë edhe në disa vende ku jetojnë të prejardhur nga Dardha. Kështu, para një muaji një qytetar amerikan me prindër dardharë publikoi në rrjetin facebook, një foto të vajzës së tij 7 vjeçe veshur me… një xibun të ri.

Pas diskutimeve të shumta, është pranuar që burrat të vishen si europianë, ndërsa gratë…me xibun.  Tani fillonte puna e fotografit, vendosja së bashku, plani i parë, sfondi, kujdes, drita duhet t’u bjerë në fytyra, ndonëse nuk ka diell. Pasi i ka rreshtuar të dhjetë çiftet, dhe ka vendosur aparatin e madh mbi trekëmbshin prej druri, disa metra largë mesit të rreshtit, vertikalisht me të, mjeshtri u ka kërkuar atyre të kthejnë pak kokën djathtas e të shikojnë në drejtim të tij. Pas shpatullave të mjeshtër Thimit, siç ndodh rëndomë në këto raste, njerëzit po shtoheshin, bashkë me ta dhe bisedat që ndoshta e kanë detyruar fotografin t’u kërkoj heshtje ose ulje zeri sa të mbaronin punë.

Më në fund. mjeshtri filloi të fotografonte e prej këtij çasti puna mbetej vetëm e tija. Natyrisht, mjeshtri nuk ka bërë vetëm një shkrepje. Kjo mbase dhe e ka munduar, sepse zëvendësimi i pllakave (ende nuk i kishte rënë në dorë aparat me film), në një kohë kur njëzetë vetë prisnin në dëborë, nuk ishte fare i lehtë. Ndërkohë kish filluar dhe padurimi për ta shikuar fotografinë dhe ky tashmë ishte i aktorëve, por jo vetëm i tyre, por pothuajse i të gjithë banorëve të Dardhës. Por mosdurimi për foton, nuk ishte aq i besdisshëm, sepse të gjithë në fshat i njihnin kushtet “laboratorike” të fotografit, një kthinë e vogël e dyqanit dhe pa energji elektrike. Gjithsesi, fotoja përfundoi dhe filloi t’u binte nëpër duar pjesëmarrësve të “njëzetëshes” e, këtu natyrisht mund të kenë lindur diskutime, kënaqësi, por dhe ndopak hidhërim, dikush e ka dashur bardhë e zi, një tjetër në sepje (ato kohra ishte si të thuash, një ngjyrë familjare), por me shumë gjasë, të gjithë e kanë pëlqyer fotografinë dhe e kanë ruajtur gjatë pa ja zbehur vlerën e ditës së parë kur u ngjiz. Dikush e zmadhoi dhe pasi e rrethoi me kornizë, e vendosi në murin e dhomës më të mirë. E, këtyre fotove të vjetra, dihet tanimë, se u rritet “karati” bashkë me moshën.

Duke e shikuar me vëmendjen e duhur foton, vërejmë se pasi e lejmë mënjanë për një çast, pas pak vetvetiu, ajo na detyron  ta vendosim rishtas para syve dhe të nisim sërish të lexojmë mbi të. Në foto ka një farë solemntiteti që shpërfaqet nga qëndrimet e të gjithëve (thuajse gati-tu), por sidomos nga fytyrat e tyre, ku nuk dallojmë gjurmë buzëqeshjeje. Pikasim, me aq sa na lejon pastërtia e fotos, se gratë, përgjithësisht, janë femra të hijëshme, të krehura me kujdes dhe me një tualet të lehtë në fytyrë. Burrat, po si burrat shqiptarë, të vetdijeshëm pak si me tepri për rolin e tyre.

Fotografi mund t’a kish përngrirë pamjen edhe ndryshe, veç burrat, e veç gratë , të bashkuar në mesin e fotos. Ai, zgjodhi këtë, ndoshta për disa arsye. Mbase nuk i pëlqente simetria (jo shumë e  këndshme në fotografi) që mund ta thyente dhe me sfondin, por ndoshta më tepër me synimin që çdo “qelizë familjare“, burrë-grua, të paraqitej më vete. Kështu, edhe pse ka një farë simetrie brenda rreshtit ajo “hollohet” mjaft nga ndërtesat e sfondit që janë shfrytëzuar me shumë intuitë nga fotografi ynë. Po ashtu, zgjedhja e pikës së fotografimit, në mënyrë që vija që formojnë çiftet të mos jetë paralele me horizontin, nuk flet për qetësi a prehje. Koha (moti) gjatë fotografimit ka qënë e vrejtur (diellin e kishin fshehur retë) dhe në foto nuk dallohen fare hije, gjë që flet për ndriçim të butë e të shpërndarë. Gjithsesi, ndriçimin e gjithë të rreshtuarve e ka ndihmuar mjaft edhe reflektimi i bardhësisë së dëborës, që ka ndikuar për të arritur pasqyrimin pastër në letrën fotografike të fytyrave të çifteve.

Kjo fotografi është e veçantë, përveç atyre ndjesive që krijon, edhe për faktin se dhe sot e kësaj dite me gjithë mundësitë dhe lehtësitë e fotografimit, vështirë të gjesh shumë “shkrepje” të tilla, aq më tepër në fshat. Ajo, përveç aftësisë si fotograf të Thimi Racit, tregon edhe shkallën e qytetarisë së mënjanëshme që kishte arritur Dardha, kjo edhe në sajë të lëvizjeve të shumta të banorëve të saj jashtë vendit, sidomos deri në Amerikë. Me këtë foto, të vendosur në mur apo në albume familjare, lidhen shpirtërisht mjaft pasardhës të atyre njëzetëve, të shpërndarë në mjaft vende, të cilët ndërkohë ndjejnë një krenari të natyrshme. Gjithashtu, kjo “shkrepje” mund të mbajë para saj gjatë dhe shikimet e mjaft njerëzve të tjerë pa asnjëfarë lidhje dhe njohje me të njëzetë fotografuarit dhe fshatin malor. Nga ana tjetër, fotoja mendojmë se mund të zejë vend edhe në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Nga ç’u shkrua më sipër, fotografia e dhjetë çifteve dardhare në dimrin e vitit 1931, përbën si të thuash, një përmendore qytetarije, e mund të shërbejë edhe si një “gur kilometrik” për të treguar rrugën nëpër të cilën ka kaluar një pjesë e shoqërisë shqiptare. Madje, kjo jo në një qytet, por në Dardhë, një fshat malor të cilit njëkohësisht, i takon një vend nderi në Historinë e Fotografisë Shqiptare.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: nje fotografi e vjeter, Qerim Vrioni, qytetaria e nje fshati

DY FOTOGRAFË SHKODRANË NË VLORË

March 24, 2013 by dgreca

Nga Qerim Vrioni, Studiues*/

 Dihet se Shkodra dhe Korça janë dy qendrat historike të zhvillimit të Fotografisë Shqiptare. Prej këtej, po më tepër nga e para, nëpërmjet mjeshtërve fotografë, ajo u përhap dhe në qytetet të tjera të vendit. Edhe në Vlorë fotografët e parë shqiptarë, ishin shkodranët, Kol Maca dhe Gjon Rrota. Një “lidhje” të hershme të Vlorës me fotografinë përbën fakti i vjelë nga shtypi, se italiani Pietro Marubbi, nga vitet 1853-54, ka qëndruar disa kohë në qytetin bregdetar, po pa u marrë me fotografi, mandej shkoi në Shkodër, ku shkroi hapat e para të fotografisë shqiptare.

Për shkrimin e mëposhtëm, duhet të falënderoj dhe miqtë e mi, Pirro Stefa, Darling Vlora dhe Endrit Musaj për ndihmesën e tyre.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se Kol Maca mbahet si fotografi i parë shqiptar në Vlorë. Sipas studiuesit nga Shkodra Ndoc Gurashi (tetor 2012), Kol Maca e ka mësuar mjeshtërinë e fotografimit në atelienë e Kol Idromenos në Shkodër, ku ka shërbyer si çirak për disa kohë. Gjithashtu, studiuesi i sipërpërmendur shkodran thekson se Maca e ka hapur dyqanin (atelienë) e tij për fotografim në qytetin bregdetar në vitin 1915 dhe ka punuar atje pa ndërprerje deri në vitin 1921. Kjo ndërkohë përputhet me pushtimin e parë italian të Vlorës, ose siç njihet atje, me “Italia e parë“, që shënon edhe disa ndërtime të cilat qëndrojnë ende në këmbë, si Sahati dhe Bashkia (ish-konsullata italiane). Vula që ai vendoste pas fotove për popullatën ishte në italisht e në të shkruhej “Nicolo’ Mazza-Fotografo-Valona”, ajo rregullisht është bërë në Itali. Në të, emrin e tij e gjejmë në versionin e plotë të tij, Nikoll, ndërsa diku tjetër e hasim me shkurtimin tjetër, Kolec. Për jetën e tij, me gjithë kërkimet e vazhdueshme, ende nuk dimë shumë gjera. Autori i këtyre radhëve ka gjetur në Itali dy shkrime (faqet përkatëse) të Kol Macës të botuara në revistën e përmuajshme të asaj kohe, “Corriere della Sera” (Milano). Artikulli i parë titullohet “Tra i montanari albanesi” (gusht 1907), i dyti, “Monumenti e costumi albanesi” (maj 1908). Artikujt e mësipërm kanë të bëjnë vetëm me Botën Shqiptare. Ata shquhen për të dhëna të shumta historike, gjeografike, shoqërore dhe etnografike për shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët e Veriut në veçanti. Midis shkrimeve, që tregojnë dhe kulturën e autorit, ka mjaft foto, me gjasë të Macës, që ilustrojnë përmbajtjen e tyre.

Gjithsesi, Kol Maca, në studion e tij fotografike në Vlorë, përveç punës rutinë me komunitetin, ka realizuar edhe foto të ngjarjeve të ndryshme politike, shoqërore e fetare të qytetit. Duhet shtuar se Kol Maca është një nga fotoreporterët e parë në shtypin shqiptar, gjë që vërehet në revistat e viteve ’30, sidomos në të përmuajshmen e njohur të kohës, “Minerva”, ku dhe ishte punësuar. Për një kohë të shkurtër ai ka qenë dhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror. Kol Maca ishte dhe pjesëtar i grupit zyrtar të fotografëve të shtypit, që përjetësoi festimet e 25-Vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1937 në Tiranë.(* Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kulture Tagged With: dy fotografe shkodran, ne Vlore, Qerim Vrioni

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT