-Rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona të maskuar kanë hedhur koktej molotov/
PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku është edhe Presidenca e Republikës, një dritare pranë rrugës kryesore të Prishtinës në mëngjesin e sotëm duket e thyer dhe me nxirje të murit pranë.Policia e Kosovës në njoftimi e sapodërguar konfirmon hedhjen e molotovit në ndërtesën e Kuvendit – Zyrat e Presdiencës së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm-asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet:“Me datën 12.03.2016 rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona te dyshuar të maskuar kanë hedhur koktej molotov në drejtim të ndërtesës Presidenciale. Personat e dyshuar pas hedhjes së koktej molotovit dyshohet se janë larguar në drejtim te rrugës Agim Ramadani me një veturë me ngjyrë të bardhë. Fillimisht dyshohet se me gurë e kanë thyer xhamin e dritares ku kanë tentuar që ta hedhin shishen e molotovit, çka nuk kanë arritur pasi që shishja ka goditur në mur ku shihet një sipërfaqe rreth një metër e nxirë me rastin e thyerjes së shishes, ku derivatet janë djegur në atë pjesë të murit. Njësia policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, mirëpo nuk është arritur të hasen të dyshimtit.
Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet policore relevante, duke përfshirë edhe njësinë e hetimeve dhe krimteknikën rajonale për të kryer ekzaminimin e vendit te ngjarjes, duke përfshirë dëshmitë në vendngjarje.
Nuk raportohet për persona të lënduar. Rasti është iniciuar dhe dedikuar njësisë së hetimeve për procedura të mëtutjeshme dhe kryerje te hetimeve intensive, për zbulimin dhe arrestimin e personave te dyshuar”, përfundon njoftimi zyrtar nga Policia e Kosovës.
Në fotografitë e publikuara nga media, siç raportohet, “shihen dëmtimet që janë bërë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, derisa burime nga ky institucion kanë thënë se pos thyerjes së xhamave është tentuar edhe djegia e këtyre zyrave me hedhjen e koktejve të molotovit”.
“Një nga zyrat e Presidencës është sulmuar me molotov gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm”, raportonte media.
***
QEVERIA:AKTE TE RREZIKSHME
-Qeveria e Kosovës dënon ashpër sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Republikës në ndërtesën e Kuvendit/
PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Kosovës në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.“Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotov mbi Policinë, ndërtesën e Qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se Kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike”, thekson deklarata e bërë pak më parë. Aktet e tilla, vijon deklarata, Qeveria e Kosovës i konsideron të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit. Qeveria e Kosovës, po ashtu, “fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët në paraqitjet e tyre publike po përpiqen të arsyetojnë sulmet me molotov mbi shtëpitë private dhe institucionet publike, duke u thirrur në kauza krejt fiktive, që të heqin dorë nga një gjuhë e tillë”.
Veprimet e tilla, vijon deklarata, dëmtojnë interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, proceset e intensifikuara eurointegruese, fuqizimin e shtetit ligjor dhe perspektivën ekonomike të vendit.
“Qeveria e Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët duke u bazuar në kauza jo të qëndrueshme kanë nxitur dhe promovuar futjen e gjuhës së molotovit dhe mjeteve tjera joligjore në jetën politike dhe publike në Kosovë, që të distancohen nga këto akte dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe fuqizim të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike”, përfundon deklarata e dërguar./b.j/
***
AAK: Dënojmë ashpër sulmin mbi ndërtesën e Presidencës
Partia opozitare kosovare, AAK e liderit Ramush Haradinaj dënon ashpër sulmin mbi ndërtesën e Presidencës së Kosovës. Në deklaratën e dërguar theksohet:
Sulmi i sotëm mbi ndërtesën e Prësidencës, është një akt kriminal, i dënueshëm dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të organeve të rendit për zbardhjen e tij. Është krejtësisht e papranueshme, se si sulmohet ndërtesa e një institucioni të lartë të vendit, që prezupozohet të jetë e vëzhguar me kamera dhe e ruajtur nga policia. Institucionet e rendit dhe të ligjit duhet ta bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin këtë akt kriminal, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe t’i identifikojnë sulmuesit, dhe të njejtit t’i nxjerrin para drejtësisë dhe t’i bëjnë të njohur për opinionin publik.
Ndërkaq Qeveria e vendit, është mirë që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti qyqar, dhe të mos provojë që këto sulme kriminale, t’i përdorë për të justifikuar dështimet e veta. Për më tepër ta akuzojë Opozitën për kauza fiktive. Kauza “fiktive|” e Opozitës ka rezultuar të jetë shkelje flagrante e Kushtetutës, nga kryeministri i vendit dhe partnerët e tij.
Prandaj sulmi i sotëm është një akt kriminal dhe duhet të trajtohet si i tillë. Përpjekjet për t’i dhënë këtij akti banditesk dimensione politike, pa u gjetur akterët dhe motivet e tij, i konisderojmë një tjetër sulm mbi stabilitetin e vendit.(AAK)
***
LDK: Sulm mbi të gjitha institucionet dhe shtetin e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër dhe shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmin kriminal me molotov kundër zyrave të Presidencës së Kosovës, në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
LDK-ja, këtë vepër kriminale, e konsideron sulm mbi të gjitha institucionet dhe shtetin e Kosovës.
Duke pas parasysh aktet e ngjashme që kanë ndodhur në brenda dhe jashtë institucioneve muajt e fundit, duke përfshirë sulmet me molotov mbi organet e rendit dhe ndërtesat qeveritare, hedhjen e molotovëve mbi shtëpinë e Kryeministrit të Republikës dhe djegien e makinave private dhe zyrtare e sulmet mbi selitë e partive, LDK-ja vlerëson se kemi të bëjmë me akte të koordinuara të cilat kanë për synim zhytjen e vendit në kaos dhe anarki, për përfitime politike nga subjekte me agjenda antiperëndimore.
Duke ftuar organet kompetente të rendit dhe të drejtësisë që të zbardhin këto akte kriminale dhe që kryesit e nxitësit e tyre të ballafaqohen me drejtësinë, LDK-ja, po ashtu, thekson se askush nuk ka të drejtë të arsyetojë veprime e sulme të tilla në shtëpi private dhe në familje.
Me këtë rast, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke vlerësuar rolin e z. Ramush Haradinaj, reagon ndaj gjuhës së përdorur nga ai një natë më parë, në një debat televiziv.
Z. Haradinaj, nuk mund ta konsideroj Kosovën vetëm të tije, duke justifikuar sulmet ne bomba molotovi në shtëpinë dhe familjen e Kryeministrit, duke u thirrur në kauza krejtësisht fiktive. Sulmet në familje dhe shtëpi private janë ligësi dhe vepra kriminale, nga të cilat duhet të hiqet dorë dhe të distancohen të gjithë.
Z. Haradinaj nuk mund ta shfrytëzojë marrëveshjen për asociacionin si argument për të justifikuar atakimet e shtëpive private. Këtë marrëveshje e ka votuar AAK-ja dhe është bashkëshkruar nga nënkryetari i parë i AAK-së. Sa i përket demarkacionit, edhe kjo çështje do të zbardhet shpejt nga komisioni ndërkombëtar.
LB: Akte dhune kundër Republikës së Kosovës
PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Lëvizja për Bashkim deklaroi sot se, dënon ashpër dhunën dhe terrorin mbi institucionet e Republikës së Kosovës. “Dhuna dhe terrori si mjete për realizimin e qëllimeve politike janë të papranueshme”, shprehet subjekti politik pjesë e koalicionit qeverisës, ku drejton Ministrinë e Diasporës.Deklarata fillimisht thekson se, sot, në orët e hershme të mëngjesit, me mjete shpërthyese është sulmuar ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht zyrat e Presidencës!
Pas sulmeve mbi veturat e ministrave dhe deputetëve, vijon deklarata, është e padyshimtë se motivet e këtyre sulmeve janë politike dhe se sulmet janë të koordinuara dhe udhëhiqen nga një qendër.
“Lëvizja për Bashkim thërret organet kompetente që të marrin të gjitha masat për zbulimin sa më të shpejtë të aktorëve të këtyre veprave të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj! Përndryshe, përgjegjësit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së qytetarëve duhet menjëherë të ofrojnë dorëheqje për paaftësi në kryerjen e detyrave të besuara!”, përfundon deklarata.
***
Reagim i Partisë Demokratike të Kosovës ndaj sulmit të drejtuar ndaj zyrave të Presidencës
Partia Demokratike e Kosovës reagon ashpër ndaj sulmit me koktej molotovi ndaj zyrave të Presidencës së Republikës së Kosovës.Sulmet e tilla kriminale që po ndodhin në vazhdimësi, synojnë të krijojnë klimën e frikës dhe pasigurisë në shoqërinë tonë, si rrjedhojë janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se veprimet e tilla, po cenojnë vlerat themelore të shtetit tonë dhe janë qartësisht anarkiste.Partia Demokratike e Kosovës, i bën thirrje organeve kompetente që ky akt të ndriçohet sa më shpejt dhe autorët e kësaj vepre të shëmtuar të vihen para drejtësisë. Zyra e Komunikimit-PDK