
Rajmonda Xhetani/
Gjuha dhe komunikimi evoluon dhe përshtatet me kohën dhe mjedisin. Zhvillimi i teknologjisë e ka transformuar komunikimin. Forma më e zakonshme e komunikimit, është ajo nëpërmjet mesazheve apo rrjeteve sociale. Çdo ditë e më tepër, gjatë të shkruarit, vihen re elemente të takografisë (arti i të shkruarit shpejt).
Tashmë,dhe në disa prej librave, vihet re që dialogu mes dy protagonistëve përshkruhet me anë të mesazheve, email-it dhe bisedave telefonike. Duke ecur përpara, në botën e “emojit” po imitojmë hieroglifet egjiptiane, alfabetin sumerian apo vizatimet në shpella. Ikonat e emocioneve (emoji), që të gjithë i kemi në celularët tanë, po eleminojnë shumë prej shkronjave të alfabetit gjatë komunikimit.
Në vend të shkruajmë një fjali të gjatë, gjithnjë e më shpesh, përgjigjemi me një buzëqeshje apo një zemërim, të përshtatshëm sipas rastit. Në botën e emoji-ve, mund të buzëqeshim me tridhjetë mënyra të ndryshme. Nuk ka dyshim që bisedave në rrjete sociale apo nëpërmejt mesazheve (SMS), iu atribuojmë karakteristika pozitive, konkretisht koha që shkurtojmë gjatë komunikimit është njëra prej tyre.
Po na pëlqen që të përgjigjemi me një numër të kufizuar shkronjash dhe fjalësh, e po përdoren shumë akronimet. A riprodhon dukuri të ftohjes sociale e gjitha kjo? A transmetohet e njëjta ndjesi dhe i njëjti emocion, si në rastet e komunikimit me fjali të gjata? Gjuha në vetvete është socializuese, dhe shkrimi ka qenë një instrument i rëndësishëm i komunikimit që në kohët e hershme.
Gjuha e përdorur në rrjete sociale apo në mesazhe ( SMS), është një kategori gjuhësore në vetvete, me modelet, rregullat dhe strukturat e veta. Sigurisht kjo gjuhë, nuk duhet të analizohet me të njëjtat mjete që përdoren në analizën gjuhësore të zakonshme.
Është koha e shkurtesave, frazat dhe shkronjat reduktohen dhimbshëm deri në kockë duke adaptuar një shkrim sintetik. Po zhduken zanoret nga përdorimi, disa prej fjalëve shkruhen vetëm me bashkëtingëllore, gjithashtu po përdoren dialektizmat gjatë komunikimit. Nga një studim i bërë nga instituti Brandwatch, 58% e fjalëve në rrjetin social Twitter, janë të shkruara gabim.
Po harrojmë të shkruajmë…
Gjithsesi shqetësimi nuk ka të bëjë vetëm me “masakrimin” që i bëhet gjuhës, por me defiçitet që krijohen në transmetimin dhe përjetimin e emocioneve gjatë komunikimit. Përveç nivelit gjuhësor problematika më e madhe ka lidhje me atë sociale apo psikologjike.
Komunikimi online është kthyer në qendër të komunikimit masiv. Komunikimi i ndërmjetësuar duke përdorur gishtat, nëpërmjet një kompjuteri, telefoni apo një pajisje tjetër “të ftohtë”, zbeh emocionin që merr. Po shkëmbehen mesazhe mes njerëzve pa shkruar asnjë shkronjë të vetme, por një breshëri vizatimesh, me raste të vështira për t’u interpretuar.
Po shprehim mirënjohjen dhe emocionin me anë të tre shkronjave, “Flm”.
Po shprehim afeksion dhe dashuri në mënyrë të tillë,“Tdsh”
Ajo çfarë të vret tepër syrin ëshrtë shkurtimi i fjalës “ZOT”. Betohesh me “PZ”, apo i drejtohesh ATIJ me “ OMG”.
Gjendjet emocionale tani nuk kalojnë nëpërmjet fjalëve apo shikimeve, por nga një fytyrë e qeshur, e ngrysur apo një zemër që rreh…. Po tkurret komunikimi.
Kjo është moda e re e komunikimit, tërheqëse për brezin e ri për shkak të lehtësisë në të shprehur. Por a transmetohet ashtu si duhet ajo që dikush do të shprehë?
A po krijohet një ngërç në të shprehur, duke sjellë dhe pasoja sociale?
Nuk mund të shprehësh afeksionin, dashurinë, mërzinë dhe inatin pa shkruar asnjë shkronjë.
Ikonat e emocioneve kanë krijuar një alfabet universal, duke transmetuar një emocion krejtësisht të ndryshëm tek marrësi kur shoqërohen me fjalë. Por, një “emoji” i përdorur pa asnjë shkronjë krijon keqkuptime në interpretimin e stimujve emocionalë.
Reduktimi i kohës së transmetimit po ndikon në mënyrën e të shkruarit, planifikimit të tekstit dhe përcjelljes së emocionit, si dhe në karakterin ndërveprues.
Fuqia e shkronjave dhe fjalëve nuk mund të zëvëndësohet me asnjë “modë” të re të të shkruarit.