Nga Adil FETAHU*/
Sagës të gjatë të veprave të veta, kohë më parë shkrimtari Ramadan Haziri ia bashkëngjiti romanin historik për atdhetarin e martirin Gjon Serreqi. Lexuesi mund të vihet në dilemë: është ky më tepër roman historik, është biografi për Gjon Serreqin, apo është edhe njëra edhe tjetra. Sepse, autori ka dhënë mjaft shënime biografike për jetën aq të shkurtër, por të bujshme të kryepersonazhit, ndërkaq më tepër u ka kushtuar hapësirë e vëmendje gjendjes, ngjarjeve e fakteve historike të kohës dhe veprimeve të Gjon Serreqit me shokët e idealit. Prandaj, dilemë nuk duhet të ketë: ky është roman historik, për Gjon Serreqin me shokë, dhe për kohën e tij.
Të shkruash libër për një atdhetar të kalibrit të Gjon Serreqit, është nderë për autorin. Është më tepër se ide, është një mision. E Ramadan Haziri i ka bërë nderë vetes dhe kryepersonazheve edhe me libra tjerë, romane historike, që ka shkrua për atdhetarët: Metush Krasniqin, Shefqet Kapetanin etj. Libri është përmendorja më e mirë që mund t’i ngritet një atdhetari, sepse kjo përmendore (e librit) “ndërtohet” në zemrat e lexuesve e ruhet përjetësisht në biblioteka publike e private. Librin e hapë me deklaratën e Gjon Serreqit të dhënë me rastin e hyrjes së tij në Organizatën Nacional-Demokratike Shqiptare, kryetar i së cilës u bë Gjoni, ndërsa deklarata e tij pjesë e programit politik të organizatës: “Kjo organizatë angazhohet për çlirimin e popullit të robëruar shqiptar, për rend demokratik, siç ekziston në një pjesë të Evropës Perëndimore dhe në ShBA. Prandaj, unë këtë e përqafoj dhe do të luftoj për një Shqipëri etnike, demokratike, e jo për një Shqipëri zogiste apo komuniste”.
Gjon Serreqi u lind në Ferizaj, më 11 shkurt 1920, ndërsa vdiq (u pushkatua nga regjimi çetniko-komunist i Jugosllavisë/Serbisë) më 31 gusht 1947. Pas mbarimit të shkollës fillore (katërklasëshe) në gjuhën serbe, në Feriazaj, ku kishte suksesin më të mirë nga të gjithë nxënësit shqiptarë e serbë, si fëmi i një familje të varfër, dërgohet në Seminarin Ipeshkvik për Fëmijë të Varfër, në Prizren, ku arsimtarë dhe edukatorë ishin klerikë, dhe kishte një disiplinë të rreptë si në ushtri. Aty u takua, u njoh e shoqërua me Mark Krasniqin. Në ndërkohë, Gjoni dhe Marku u regjistruan dhe kryen gjimnazin në Prizren. Gjatë shkollimit në seminarin katolik dhe në gjimnaz, duke u përputhur me pikëpamje, ideal dhe qëllime, u bënë shokë të pandashëm, dhe formuan Partinë Zogiste Kombëtare, anëtarë të së cilës ishin vetëm këta të dy! Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Mark Krasniqi, si seminarist, kishte shkruar një poezi, si kushtrim për qëndresë kundër fashizmit: “Çohuni djemtë e Gostivarit/, çohu ti Dibër, çohu Tetovë!/, Çohu Shkup, ndera e shqiptarit,/ Çohu Prishtinë me gjithë Kosovë!/Çohu katund e çohu qytet,/ ndo të çlirohemi, ndo me dekë!/ Çohuni bijtë e Skënderbeut,/ t’ia kthejmë nderën atdheut!/ Kush shqiptar vetit i thotë/ për liri të çohet sot!/. Këtë poezi e kishin shumëzuar në 100 kopje, dhe Marku e Gjoni kishin marrë nga 50 kopje për t’i shpërndarë gjatë festave fetare. Gjoni i kishte shpërndarë të gjitha në Ferizaj, ndërsa Marku i kishte shpërndarë vetëm 5 kopje nëpër shtëpi, kurse të tjerat i kishte shpërndarë në varrezat e Pejës. Dhe kjo u bë humor midis Gjonit e Markut: “Doje t’i mobilizoje të vdekurit kundër fashistëve”, i thoshte Gjoni.Pas mbarimit të gjimnazit në Prizren (1940) Gjoni e Marku morën drejtime të ndryshme të shkollimit të mëtejshëm. Gjoni pak kohë vijoi studimet në Zagreb, por pas pushtimit gjerman, dy vjet (1941-1943) i vazhdoi studimet në Firencë (Itali). Pas rënies së fashizmit italian (1943), Gjoni kthehet në Kosovë. Pushtimin gjerman autori e karikon me një gjysëmhumor, përmes një dialogu të Gjonit, me një fqiun e tij (Mehmetin). Gjoni po ecte me vrull për të lajmëruar se erdhën dy gjerman me një motor të zi, dhe xhandarët serb të armatosur u fshehën diku rrugëve, si mijtë nga bukla. Duke u nisur nga thënia: “armiku i armikut tim, është miku im”, Gjoni pushtimin gjerman e shihte si çlirim nga Serbia, i bindur se nën pushtimin gjerman do të jetë ma mirë se nën atë sllav. Ashtu edhe nisi, u hapen shkolla, erdhën mësues e literaturë për shkollat shqipe. Nga gëzimi e enthusiazmi, blenin libra shqip edhe ata që s’dinin të lexonin. U ngjall jeta kulturo-zbavitëse dhe u ngjall shpirti i ndrydhur gati gjysmë shekulli nën robërimin sllav. Në vitin 1943 Gjoni u emërua kryetar komune në Babush të Ferizajt. Aty kishte kontakte të përditshme e të shumta me popullin, Kur rrinte e kuvendonte me burra nëpër oda, Gjoni ndrinte si llamba në errësirë. Me idealin dhe synimin për çlirim e bashkim kombëtar, nuk mund të pajtohej as me pushtuesin e ri, kështu që në vitin 1944 Gestapoja gjermane e arrestoi bashkë me disa shokë antifashistë, e gjykoi dhe në janar 1945, e internoi në punë të dhunshme, në një kamp të Vjenës, ku kishte shumë shqiptarë antifashistë e komunistë. Ky takim bëri që Gjoni një kohë kishte një relacion të mirë me komunistët. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore dhe Gjoni u kthye nga kampi në atdhe, e gjeti vendin shumë më keq – të ripushtuar nga çetnikët serbë të shndërruar në partizanë e komunistë, të cilët bënin kërdi mbi popullin shqiptar; ia kishin vrarë edhe vëllain 16 vjeçar.
Si kuadër i rrallë me arsimim të lartë, Gjonit i ofruan ndonjë post në qeveri por ai nuk pranoi, ndërsa në vitin shkollor 1946/47 u caktua profesor i matematikës e historisë, dhe edukator në Konviktin e Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku vepronte një celulë aktive e organizatës NDSh, në të cilën u angazhua edhe Gjoni. Njëkohësisht aty e kishin emëruar edhe një profesor, Nexhip Habipaj nga Gjirokastra, i cili degradoi në spiun të OZN-ës. Pa e bërë një vit pune, Gjonit iu desh të kalojë në ilegalitet, ku u zgjodh sekretar politik i NDSh-s, për Rajonin e Kosovës.
Gjoni promotor i NDSh-së
Me idealin e tij për çlirim e bashkim kombëtar, me sinqeritetin dhe zellin e tij në punë, me aftësinë e komunikimit me njerëz, Gjon Serreqi fitoi besimin dhe simpatinë e masës, sidomos të rinjve; u bë si lokomotivë që tërheq shumë vagona pas vete. Përkushtimi që të realizojë idealin e çlirimit dhe bashkimit kombëtar, ishte më i madh se lakmia për perspektivë personale, se dashuria ndaj familjes dhe të fejuarës, prej së cilës u nda me shumë keqardhje, pasi që Gjoni ishte përcaktuar për luftë a vdekje deri në çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Me ndarjen e prekshme e të dhembshme nga e fejuara, vërtetoi në praktikë atë thënien për patriotizmin, se: “Për dashuri e jap kokën, ndërsa për atdheun e jap edhe dashurinë”. Në organizatën e NDSh-së Gjoni ishte promotor i aktiviteteve dhe kreu detyrat më të rëndësishme, siç ishin punët e organizimit dhe masivizimit, zhvillimi i propagandës në popull, pasqyrimi i gjendjes reale, formimi i komiteteve të Organizatës nëpër fshatra e qytete, organizimi i Kongresit V të NDSh-së në Blinajë, ku u zgjodh kryetar i organizatës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të NDSh-së. Në një tubim të organizuar në Gadime të Poshtme, ku betoheshin dikush me flamur e dikush me Kur’an, për çlirim e bashkim kombëtar, Gjoni e vuri revolën në tamth e tha: “Kjo ia marrtë jetën Gjon Serreqit po nuk e mbajti premtimin”! NDSh-ja kishte një organizim rajonal, me përgjegjësit e caktuar, ndërsa kishte komitetet e veta nëpër qytete e fshatra; Komiteti Qendror i NDSh-së ishte në Shkup, ndërsa një komitet tjetër në Greqi, për lidhje ndërkombëtare. Pushteti i ri sllavo-komunist e shtoi zullumin mbi popullsinë shqiptare. Ndiqte, burgoste, torturonte, vriste me gjyq e pa gjyq nacionalistët e patriotët shqiptarë. Edhepse NDSh ishte organizatë më vete, pushteti jugosllav dhe ai komunist i Shqipërisë i trajtonin njësoj ballistët dhe NDSh-istët si bashkëpunëtorë të fashizmit. Populli dhe organizata NDSh kishin iluzione, se pushteti i ri komunist i vendosur në vitin 1945, nuk do të zgjaste më tepër se 6-12 muaj, sepse bota demokratike nuk do ta duronte “murtajën e kuqe”, madje edhe nëse duhet të nisë lufta e tretë botërore.
Në ilegalitet Gjoni me atdhetarë tjerë shëtiti gjithë Kosovën anembanë nëpër fshatra, male e bunkerë. Kohën më gjatë të qëndrimit ilegal, me grupin e tij të njerëzve besnikë, e kaloi në rrethin e Kamenicës dhe në shpatijet e maleve të Sharrit. Në rrethin e Kamenicës u njoh me shumë atdhetarë, por duhej të kishte kujdes nga langoitë e OZN-ës.
Është një listë e gjatë e emrave të njerëzve atdhetarë që njohu dhe bashkëpunoi Gjoni me ta për çështje kombëtare, siç ishte Isa Dujaka, toger dhe komandant i policisë në Kamenicë, i cili, përmes njerëzve të besueshëm e njoftoi Gjonin se ishte konspirua e zbulua bunkeri në të cilin Gjoni me shokët kishte ndejtë një muaj ditë. Ky lajmërim bëri që OZN-a e gjeti bunkerin thatë, ku akoma nuk ishte shua zjarri. Mënyra e zbulimit të bunkerit dhe vuajtjet e bariut trim e besnik Asllan Dërmaku nga Shipashnica, që e dinte por kurrë nuk u tregoi për bunkerin, janë storie e posaçme. Pas daljes nga bunkeri, njësiti i tij u shpërbë dhe mori fund iluzioni për krijimin e një ushtrie, që pritnin se pranvera do të sillte ndryshime. Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe u arrestua (në Desivojcë, më 24 shkurt 1947). Është e gjatë lista e figurave të personazheve pozitive të romanit, por kishte edhe asi burra të ligj, karrieristë e lakmitarë për para e privilegje, të cilët bashkëpunonin me pushtetin dhe OZN-ën. Të gjithë ata emra të përveçëm janë personalitete reale, kush më shumë e kush më pak të njohur nga historia e asaj kohe. Në gjykimin e mbajtur në Prishtinë, Gjoni pati një dialog të ashpër me prokurorin Ali Shukriu, i cili kërkonte të dinte shokët e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gjonit, mirëpo trimi nuk i tradhton shokët. Po, ta lamë që vetë lexuesit e romanit të njihen me figurën, karakterin, qëndrimin dhe aktivitetin e Gjonit me shokë, dhe të tjerëve.
Dialogje e monologje me humor të lehtë. Mësuesi ia uron qenit vitin e ri
Për ta bërë librin (romanin) më të lehtë për lexim, dora mjeshtërore e autorit ka ndërthurë ngjarje e situata, që për pak kohë ta heqin atë zymtësi të kohës e situatës. Këtë e bënë përmes dialogjeve ose monologjeve, sikur ishte dialogu me Mark Krasniqin, për “mobilizimin e të vdekurve (fq.35), por edhe shumë tjera. Kur hynë dy gjermanë me një motor në Ferizaj, pa e shkrepur asnjë plumb, Gjoni po vraponte për të përhapur lajmin. Një fqinjë e pyet: “- Çfarë ka ndodhur, përse ngutesh? – Po ikin sllavët. – Nga kush po ikin? Nga një motor i zi. – Eja të hash akullore në dyqanin tim, deri sa të ngopesh, për këtë sihariq” (fq.40-42). Një dialog midis një fshatari të zhgënjyer, pse Zoti kishte lejuar këtë zullum mbi popull, i thotë hoxhës: “- Mos më prit më në xhami! – Po përse or burrë? – Sepse Zoti nuk po i dëgjon lutjet tona! – Ku e more vesh? – A po sheh Ai çfarë po na bëjnë komunistët? – Pushtetin e dërgon Zoti, ashtu siç e meritojmë. – Thefsh qafën, hoxhë! Pse bre burrë” – Sepse qenke me komunistët ti! …”. Më humoristik e domethënës është monologu i mësuesit Mateja. Ai e kishte pritur vitin e ri në restorantin e Fabrikës së Drurit në Ferizaj, ku kishte pasur kryesisht muzikë e këngë serbe. Mateja atë natë askujt nuk ia kishte uruar vitin e ri. Me një shokun e tij, i dehur po kthehej në shtëpi para mëngjesit. Rrugës e sheh një qen, të cilit i flet: “Mirëmëngjesi shok! Je komunist? Jo, nuk je. Po ta uroj, pra, Vitin e Ri…” (fq.285).
***
Romani “Endrra atdhetare e Gjon Serreqit” nuk ka tituj e nëntituj, prandaj nuk ka as lëndën e përmbajtjes. Lexuesi i vëmendshëm do të vërejë kapërcime të kohëve dhe ngjarjeve, por nga pikëpamja artistike në romane është e lejueshme, dhe që nuk e humbë konsistencën. Është strukturuar e shtjelluar lidhur me ngjarjet, vendet dhe personazhet, në të cilin është kondensuar realiteti historik e politik i një periudhe të shkurtër të ndërrimit të disa pushteteve okupuese mbi Kosovën, kur për nacionalistët atdhetarë dhe për gjithë popullin shqiptar ishin situata shumë të rënda. Gjon Serreqi të gjitha që kishte: perspektivën, vuajtjet, dashurinë, familjen dhe jetën ia fali atdheut, duke ëndërruar çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Për asnjë çast nuk e ndërroi kursin e idealit të tij. Duket se këtë kurs e këtë ideal e mbajti edhe “bashkëpartiaku” e shoku i tij nga ditët djaloshare, Akademik Mark Krasniqi, i cili librin e tij të fundit: “Porosia ime për shqiptarët”, e shkruan me moton: “Mos hiqni dorë kurrë nga bashkimi kombëtar”.
***
Dy fjalë për autorin: Ramadan Haziri është emër i njohur dhe i respektuar në letërsinë tonë, veçmas në Kosovë, si studiues (i historisë) dhe krijues i ma se 30 veprave: publicistikë, tregime, romane për fëmijë, romane për të rritur (disa romane historike, si ky për të cilin bëmë fjalë), drama. U lind në Ferizaj (1940). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale dhe Fakultetin (histori) i kreu në Prishtinë. Si nxënës i Normale, me një grup që i përkisnin një organizimi politik, u arrestua dhe torturua (1961). Punoi si mësues. Disa herë u arrestua, izolua e torturua, si bashkëpunëtor i Adem Demaqit (1975), si nxitës i demonstratave (1981), dhe u përjashtua prej pune si njeri i papërshtatshëm për arsim. Më 1985 u arrestua bashkë me Metush Krasniqin, dhe u dënua me 11 burgim, prej të cilave i ka mbajtur 6 vjet. Pas daljes nga burgu, në kohën e okupimit të Kosovës nga pushteti i egër serb, nuk pushoi së vepruar për çështje kombëtare, prandaj për t’iu shmangë arrestimit, iku dhe u vendos në Shqipëri, ku qëndroi derisa Serbia u shporr nga Kosova. Me shkrime ka filluar të merret vonë (prej vitit 1998), por duket se me punë intensive, me dijen dhe përvojën e akumuluar, e ka kompensuar kohën, ashtu që ka përgatitur e botuar edhe nga disa vepra gjatë një viti, dhe përkundër moshës dhe shëndetit të brishtë, punon pa u ndalur.
*(Ramadan Haziri: “Ëndrra atdhetare e Gjon Serreqit” (roman), SAGA, Prishtinë 2015)