• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“AULONA FESTIVAL” DHE VLORA, SËRISH JA BËNË FORA

June 3, 2023 by s p

Nga Ramazan Çeka/

“AULONA INTER FOLK FESTIVAL” finalizoi me sukses edicionin e 15-të në qytetin e bukur të Vlorës, aty ku flamujtë ndërkombëtarë i bashkoi arti e kultura e kombeve.

Ukraina – fituese e Kupës së Festivalit

Sërish në Vlorë për të shijuar nga afër kompeticionin më të madh kulturor ndërkombëtar të folkut, atë të “AULONA INTER FOLK FESTIVAL” i cili këtë 6 maj 2023 startoi me edicionin e tij të 15-të.
Megjithëse rrugëtimin e ka nisur në maj 2009-tës, ky festival ndërkombëtar sa vjen e bëhet edhe më madhështor, falë vëmëndjes së pareshtur dhe pëkrahjes së Bashkisë Vlorë, por edhe kujdesit të jashtëzakonshëm të ideatorit të këtij festivali, “Mjeshtrit të Madh” Sejmen Gjokoli, që është njëkohësisht edhe organizator dhe drejtor i përgjithshëm i tij.
Për 15 vite me radhë ky festival, tashmë tradicional, e ka kthyer Vlorën në një amfiteatër kulturor ndërkombëtar duke bërë që performancat dhe vlerat kulturore të dalin jashtë kufijve ndërshtetërorë nga vijnë grupet pjesëmarrëse për t’u përngjarë yjeve në hapësirën e qiellit dhe valëve të detit që përkëdhelin këndshëm sheshin në bregdetin e bukur të Vlorës.
Në bisedat paraprake me organizatorin dhe mikun tim Sejmen Gjokoli, mësova se falë këtij aktiviteti kaq madhështor në gjithë këto vite, Vlora ka qenë mikpritëse e rreth 115 Ansambleve Folklorike me mbi 4100 pjesëmarrës nga 35 vende të Ballkanit, Evropës dhe Azisë, gjë që e bën këtë qytet mjaft të njohur e të vizituar edhe falë jehonës së këtij aktiviteti, por edhe resurseve me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, natyror dhe kulinar që ai mbart.
Këtë spektakël, të cilin shumë kush do ta ëndërronte ta shihte nga afër, unë prej kohësh kam privilegjin edhe ta filmoj e dokumentoj me fotografi ç’ka më bën edhe më të privilegjuar që emocionet e tij, jo vetëm t’i ndjej prezent, por t’i përjetoj edhe për shumë kohë tek merrem me përzgjedhjen dhe publikimin e tyre në të përditshmet e kohës por edhe në rrjetet sociale.
Ndryshe nga vitet e tjera, kur ekskluzivitetin e ka patur RTSH, sivjet kam filmuar edhe për Televizionin ACTV “Kultura Shqiptare në Amerikë” në ekranin e të cilit këto ditë do të shfaqet një reportazh i detajur për teleshikuesit e këtij kanali prestigjoz, e ku do pasqyrohet hollësisht gjithçka nga ky festival ndërkombëtar.
Në skenën e këtij festivali, këtë vit, u ngjitën grupet folklorike nga Shqipëria, Austria, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Ukraina, Turqia e Zvicra, ku secili veç përgatitjeve të numrave me të cilët performuan, shpalosen mrekullitë e kostumografisë e kulturës popullore që përfaqësojnë, tek të cilat spikatte larmia dhe diversiteti etnofolklorik.
Kështu institucionet e qeverisjes vendore vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe vlersojnë këtë aktivitet me vlera shumëpalëshe, i cili përkon edhe me hapjen e sezonit të turizmit bregdetar, të gërshetuar kaq bukur edhe me turizmin kulturor nëpërmjet të cilit Vlora vazhdon të promovojë vetveten me gjithçka të bukur që gjindet në brendësi të saj.
Skena është njëra anë, por në ditët e festivalit në Vlorë “skenë” shndërrohet gjithçka; edhe sheshet, edhe trotuaret, edhe mjediset e bukura të krijuara së fundi, si: Sheshi Flamurit dhe Pylli Orbital në Skelë.
Në këtë edicion u kthye në një skenë më vete edhe sheshi përpara Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, si dhe sheshi përpara Piramidës, fare pranë bregdetit.
E jashtëzakonshme do të mbetet ngjitja e festivalistëve në Piramidën Vlonjate, ku flamurmajtësit u vendosën në majë, ndërsa rreth treqind pjesëmarrësit e edicionit të pesëmbëdhjetë mbushen shkallaret e saj.
Për festivalistët e ardhur nga vende të ndryshme të Ballkanit e Evropës mbetën befasuesë vizitat e bëra në Parkun Kombëtar të Llogarasë, por edhe në Kompleksin Turistik “Bojo” në Radhimë, duke plotësuar kështu një dimension tjetër, që ky aktivitet ka në lidhje me turizmin kulturor, natyror e atë bregdatar.
Ky festival i organizuar nga Qendra Kulturore “Aulona” – Vlorë ka prekur majat e suksesit falë mbështetjes nga ana e Bashkisë së Vlorës, Ministrisë së Kulturës, Dhomës së Tregëtisë Vlorë po edhe subjekte të tjera dashamirëse të këtij eventi kulturor ndërkombëtar, tashmë tradicional.
Sikurse është bërë traditë media partnere e këtij festivali ishte RTSH, e cila ka një kontribut të jashtzakonshëm në evidentimin dhe promovimin e vlerave që mbart ky festival folklorik ndërkombëtar.
Për tri mbrëmje me radhë në skenën e këtij festivali u shpalosën vlerat më të mira të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të grupeve dhe ansambleve konkurente të ardhura nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës, ndërkohë që, siç thamë, festivali u shtri edhe në sheshe, në rrugë e trotuare, si dhe në mjediset historike e turistike të qytetit, duke e kthyer qytetin e bukur bregdetar në një skenë madhështore gjigande.
Seicili grup më i mirë se tjetri, çdo artist me të veçantat e tij, si vetë trashëgimia e popujve që përfaqësojnë.
Një skenë ku u përfaqësua me shumë dinjitet folklori shqiptar nga të zotët e shtëpisë, si: Ansamblet “Krahu i Shqiponjës Taip Madani” e vëllezërve Bajrami, Vlorë por edhe valltarët e ansamblit “Arjan Plaku”, Durrës, grupet polifonike “Gjergj Arianiti” të Mallakastrës e “Fushëbardha” të Gjirokastrës.
Siç u derdh vallja e “Grykës së Kaçanikut”, ashtu edhe kënga e “Mjeshtres së Madhe”, Shkurtë Fejza, grupi artiatik “Hareja”, Zvicër, valltarët e Janinës, grupi i grave valltare të Ankarasë, të Austrisë, studentët e ansamblit nga Universiteti i Bratislavës e mbi të gjithë folkloristët e ardhur nga fronti i luftës, Ukraina.
Dy ansamble u bënë bashkë për të ardhur në Vlorë; “Dibrova” e “Goritsvit”, të dy ansamble studentore të qytetit Lviv të cilët mrekulluan me artin e tyre.
Folklori ukrainas befasoi dhe mrekulloi të gjithë qytetarët që ndoqën festivalin. Valltarët ukrainas ishin të gjithë të magjishëm, plot vrull, dinamizëm e profesionalizëm. Ata sollën në qytetin e Vlorës një “furtunë” të vërtetë folklorike dhe u bënë të dashur për të gjithë spektatorët.
Ata shkëlqyen e njëkohësisht përmes performancës së tyre përcollën mesazhet që popujt përcjellin për liri e paqe.
Organizatorët e Festivalit, si dhe artëdashësit vlonjatë u janë atyre mirënjohës dhe luten për atdheun e tyre, Ukrainën.
Pikërisht këto dy ansamble të ardhur nga Ukraina do të ishin edhe fitues të Kupës së edicionit të 15-të të Festivalit e cila nga organizatorët iu dorëzua ambasadorit të Ukrainës në Tiranë, i pranishëm në natën e fundit të festivalit, Z. Volodymyr Shkurov, i cili në fjalën e tij vlerësoi aktivitetin, por edhe paraqitjen e shkëlqyer e plot mesazhe të artistëve nga vendi i tij.
Ambasadori i Ukrainës Shkurov në fjalën e tij të përshëndetjes shprehu mirënjohjen për drejtorin e përgjithshëm të festivalit, studiuesin e njohur të vlerave kombëtare shqiptare të këtyre aktiviteteve “Mjeshtrin e Madh” Sejmen Gjokoli dhe gjithë ekipin e tij, si dhe ekipet e jashtëzakonshme të grupeve pjesëmarrëse, që me artin e tyre përcjellin në botë bukuri, talent dhe vlera trashëgimie.
“Lavdi Ukrainës”! -U bë slogani i vetë festivalit të 15-të ndërkombëtar të Vlorës dhe kjo thirrje popullore për tre netë me radhë elektrizoi qiellin vlonjat.
Koreografi dhe primovalltari i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Tiranë, Genc Kastrati, e vlerësoi kështu festivalin: “Aulona Interfolk Festival” është një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor të Shqiperisë dhe një shembull i mirë për krijimin e një marke të fortë të turizmit kulturor shqiptar. Sejmen Gjokoli, organizatori i këtij festivali, ka ndikuar në rritjen e nivelit artistik të tij, në rritjen e numërit të artistëve dhe turistëve që e vizitojnë Vlorën dhe Shqipërinë.
“Aulona Interfolk Festival” dhe organizatori i tij janë një pasuri e rëndësishme për kulturën dhe turizmin shqiptar. Është një ngjarje e rëndësishme që i bashkon artistët dhe kulturat nga e gjithë bota, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tepër të vlefshëm të ideve dhe eksperiencave evropiane e botërore”.
Maryia Kolobych, drejtoresha e Ansamblit Artistik të Ukrainës, shumë e emocionuar falenderoj për ftesën Z. Sejmen Gjokoli në këtë fastival të mrekullueshëm. “Një atmosferë e jashtëzakonshme krijuese, ku ajri mbushet me art, njerëz miqësorë që duartrokasin fort, fjalë mbështetje dhe zemra të bëra në formë duarsh, i takuan kërcimtarë nga Ukraina. Faleminderit popullit shqiptar për mirëkuptimin dhe mbështetjen”!
Ndjekja e këtij aktiviteti për tre netë me radhë nuk ishte e lehtë për mua, pasi kërkoja që të mos më kalonte asnjë detaj. Në këtë ngarkesë arrita gjithsesi të marrë opinionet edhe nga tre artistë të shquar të skenës dhe ekranit, këngëtares së shquar Shkurte Fejza, moderatores së mrekullueshme Afërdita Krasniqi, si dhe regjisorit të shquar të Radio Televizionit Shqiptar Z. Llesh Nikolla.
Këngëtarja e mrekullueshme Shkurte Fejza, shprehet me fjalë zemre dhe vlerësime për festivalin dhe organizatorin kryesor të tij Z. Sejmen Gjokoli: “Jam shumë e kënaqur dhe e vlerësuar nga kjo atmosferë, ku ne shpalosim traditat tona kulturore e fisnike. Ndaj dua të falenderoj në mënyrë të veçantë Sejmen Gjokolin si themelues të festivalit, por dhe popullin e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë që na kanë dashur dhe duartrokitur gjithmonë.
Aferdita Krasniqi, moderatore e festivalit, tha këto fjalë me shumë emocion: “Dua të përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës suaj, si Kryetare e Shoqatës së Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, në Zvicër, si dhe si drejtuese e Grupit Artistik “Hareja”. Është kënaqsi e madhe të jesh pjesë e një Festivali të tillë Ndërkombëtar, këtu në Vlorën tonë të bukur, por kënaqësia rritet akoma më tepër kur jam edhe në detyrën e prezantueses së programit dhe kjo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme. I falenderoj organizatorët, në radhë të parë për besimin që kanë pasur për mua dhe i uroj nga zemra për suksese të mëtejshme”.
Miku im i çmuar Llesh Nikolla, “Mjeshtër i Madh”, regjisor në Radio Televizionit Shqiptar, u shpreh me kënaqësi, duke thënë: “Janë disa vite që jam prezent në Festivalin “Aulona Inter Folk”, i cili të impersionon, të emocionon, por të bën dhe kranar, sepse Vlora për disa ditë shndërrohet në kryeqytetin e kulturës evropiane dhe më gjërë.
Në këtë festival marrin pjesë grupe përfaqësuese nga shtete të ndryshme të Evropës dhe më gjërë. Ky pra është edhe suksesi, sepse atë që bën kultura, atë që bën arti, nuk e bën as politika, as institucionet shtetërore. Janë tingujt, janë këngët e vallet që i bashkojnë zemrat, bashkojnë kulturat, bashkojnë popujt.
Këtu qëndron dhe vlera më e madhe e këtij festivali, i cili ka si kryefjalë “Mjeshtrin e Madh” Sejmen Gjokoli, një njeri i aposionuar, njeri i përkushtuar, njeri me fantazi dhe një nga realizuesit më të mirë të gjithë festivaleve. Prezenca ime me telereportazhe, me regji, me angazhim, është modeste karshi punës që bën stafi drejtues i Sejmen Gjokolit”.
Madhështia dhe suksesi i këtij festivali kishte injektuar në gjithë qytetin e Vlorës, magjinë e pavdekshme të krijimtarisë popullore dhe spektatorët e të gjitha moshave, vendas, vizitorë apo turistë të huaj e ndoqën dhe shijuan me ëndje këtë event kulturor, historik dhe tradicional, që çdo vit gjallëron perlën e bregdetit shqiptar, Vlorën e Flamurit.

Filed Under: Fejton Tagged With: Ramazan Ceka

DIAMANTËT E FESTIVALIT

May 29, 2023 by s p

Vogëlushët këngëtarë, gurë të çmuar në kurorën e “Diamond Fest”.

Nga Ramazan Çeka

Festivali i Fëmijëve “Diamond Fest” në Ferizaj, finalizoi me sukses edicionin e 10-të, ku kënga bashkoi fëmijët pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Në prani të një pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme spektatorësh, në Pallatin e Sportit “Bill Clinton”, të pranishmit përjetuan me emocion aromen e luleve të pranverës, që ku festival sjellë në çdo edicion.
Gazmorë, të hareshëm e sportivë, fëmijët pjesëmarrës në këtë festival, vërshuan në tapetin e Pallatit të Sportit, jo si sportistë, por si artistë që njësoj sjellin emocione në shkallët e këtij auditori, që i priti me duartrokitje e ovacione, që nga fillimi e deri në fund të spektaklit.
Skena, ashtu si për çdo vit, edhe në këtë Jubile të 10-të, ishte një bahçe e mbushur me lule shumëngjyrëshe dhe zogj këngëtarë.
Ata hynë duke vrapuar në dy anët e skenës së improvizuar mbi parketin e pallatit, duke krijuar pamjen e një kurore lulesh me shumë ngjyra, ashtu si vetë ata ishin veshur.
Kjo ishte atmosfera që elektrizoi gjithë sallën, që në hapjen e festivalit dhe që e shoqëroi atë deri në fund. Të tillë janë fëmijët, e veçanërisht ata, që pa hezitim mund t’i quajmë artistë të vegjël. Ata për çdo vit vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, duke treguar kështu se pikërisht kjo moshë është e ardhmja e trashëgimit të vlerave tona kombëtare, jo vetëm në skenë, por edhe në fusha të tjera.
Ideatorët e këtyre aktiviteteve duhen vlerësuar për nisma dhe realizime të tilla. Në këtë kontekst ky festival sa vjen e bëhet edhe më madhështor, duke prekur majat e suksesit, falë vëmëndjes së pareshtur dhe pëkrahjes së Komunës Ferizaj, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por edhe kujdesit të jashtëzakonshëm të ideatores dhe themelueses së këtij Festivali Znj. Njomza Mezini.
Për 10 vite me radhë ky festival, tashmë tradicional, e ka kthyer qytetin Ferizaj në një amfiteatër kulturor kombëtar, duke bërë që performancat dhe vlerat kulturore të jehojnë fuqishëm jo vetëm në Kosovë, por në mbarë trevat shqiptare nga vijnë fëmijët pjesëmarrës, për t’u përngjarë yjeve në hapësirën e qiellit dhe pranverës me “Diamantët” e Festivalit, gjë që e bën këtë qytet mjaft të njohur e të vizituar edhe falë jehonës së këtij aktiviteti, por dhe me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, të cilin shumë kush do ta ëndërronte ta shihte nga afër.
Ky historik i këtij 10-vjeçari u pasqyrua në një insert në ekranin e madh të vendosur në Pallatin e Sportit, që si një dokumentar artistik riktheu tek spektatorët emocionet e përjetuara në vite, që nga festivali i parë që daton në pranverën e vitit 2013.
Skena e festivalit është njëra anë, sepse aty performojnë artistët e vegjël, por e veçanta është se në ditën e shfaqjes, në Ferizaj “skenë” shndërrohet gjithçka; edhe sheshet, edhe trotuaret, edhe mjediset e bukura që ka ky qytet, të cilët e përjetojnë pa dallim moshe. Të gjithë gëzojnë, fëmijët së bashku, fëmijët dhe prindërit e tyre e veçanërisht gjyshërit që për disa çaste gëzojnë si fëmijët. Janë emocione të papërsëritshme, të cilat i përjetova edhe unë.
Pranvera në këtë qytet, siç është bërë traditë këtu e 10 vjet më parë, nuk shqetësohet për motin, sepse edhe në qoftë se mund të ketë riga shiu, janë fëmijët si lule pranvere, si flutura dhe si bilbila që e gjallërojnë qytetin e tyre.
Ferizaj në ditën e festivalit ndjehet shumë krenar, sepse pranverën e kishin zbukuruar edhe 28 lule, edhe 28 bilbila, që qytetit i kishin dhënë një gjallëri të jashtëzakonshme.
Në këtë festival u interpretuan 28 këngë nga shumë fëmijë të talentuar, me krijimtari të autorëve të njohur, por edhe të ri.
Çdo gjë në këtë festival ishte perfekt si vetë diamanti. “Diamont Fest” është një festival, ku secili prej fëmijëve është një diamant që shkëlqen me talentin e tij.
Për realizimin e këtij aktiviteti janë angazhuar të gjithë dashamirësit e këngës për fëmijë, muzikantë, poetë, orkestrues dhe prindër, të cilët mendoj se ia kanë arritur qëllimit.
Po i shkruaj këto radhë shumë i emocionuar, sepse informacioni për Ju të nderuar lexues, kalon në plan të dytë. Emocionet janë ato që dua t’ju përcjell, sepse të gjithë do t’i dëshironit t’i përjetoni.
Këtë e tregoi më së miri pjesëmarrja dhe performimi brilant i këtyre diamantëve të çmuar. U kënduan 28 këngë të reja nga këngëtarë gati moshatarë me këtë festival, me këngë të kompozuara dhe orkestruara edhe nga mësuesit e tyre, por dhe me një kontribut të autorëve letrarë të qytetit Ferizaj, por edhe më gjërë.
Festivali “Diamond Fest” i organizuar që 10 vjet më parë, pikërisht në pranverë, ka një grup të përkushtuar organizatorësh, me një drejtoreshë edhe më të përkushtuar, me një emër domethënës, Njomza, e cila rrjedh nga një familje me tradita në art e kulturë dhe që ka dhënë një kontribut të çmuar në këtë qytet dhe në mbarë Kosovën, veçanërisht për fëmijët.
Në këtë edicion jubilar, Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare, me drejtor të përgjithshëm Dr.Minella Kureta “Mjeshtër i Madh”, nderoi Festivalin “Diamond Fest”, me çmimin “Krenaria e Artit dhe Kulturës Shqiptare”.
Një kënaqësi e veçantë për mua ishte pjesëmarrja ime në këtë festival si autor, pasi jë ndër këngët që u interpretua nga vogëlushja shkodrane Rozana Velaj, me titull: “Lulzon skena me fëmi”, kompozuar dhe orkestruar nga Elvin Unaza, ka tekstin tim. Interpretimi i saj në skenë, natyrisht që m’i shtoj emocionet, pasi ajo u vlerësua me çmimin e dytë të festivalit.
Por këto emocione u bënë më të veçanta për mua, pasi organizatorët më kishin bërë një nder akoma më të madh në këtë natë të magjishme, unë e gjeta veten anëtar të një Jurije prstigjioze, ku kryetar ishte kompozitori i mirënjohur Ilir Latifi dhe anëtare Znj. Fitore Osmani, profesoreshë e muzikës në Gjilan. Ky ishte një vlerësim, por edhe një përgjegjësi për mua.
Ky festival që u mbyll me aromën e zërave fëminorë, jam i sigurtë që për shumë kohë do të lërë mbresa të pashlyeshme, jo vetëm në qytetin e Ferizajt, por në mbarë Kosovën e më gjërë, pasi edhe për këtë janë kujdesur kamerat e Radio Televizionit të Kosovës.
Fituese e këtij edicioni u shpall Erblina Haliti, me këngën “Një valixhe me kujtime” me tekst të Njomza Mezinit, muzika & orkestrimi: Arti Rec.

Maj 2023

Filed Under: Kulture Tagged With: Ramazan Ceka

ALMA VELAJ ZËRI BRILANT I KËNGËVE SHKODRANE

January 7, 2023 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Një personazh shumë i veçantë ku mund të veçoj pak nga historiku dhe kontributi që ka dhënë për këngën popullore shkodrane.

   Alma Velaj që në moshë fare të re u bë pjesë e këngëve dhe ahengut shkodran, duke u bërë që atëherë edhe një interpretuese që shpejt do të premtonte një të ardhme të suksesshme, që do ta përçonte atë jo vetëm në dasma e gëzime familjare, por edhe në aktivitete prestigjioze të skenës dhe ekranit. Kjo ka bërë që karriera e saj artistike të njohë vetëm suksese. 

   Alma Velaj është një ndër këngëtaret më të mira të këngës popullore shkodrane, të cilën e ka pjesë të pa ndarë në jeten e saj artistike, duke u bërë jo vetëm gëzimi dhe dëfrimi i tyre, por edhe frymëzimi i jetës së përditshme. 

   Për të krijuar sa më qartë identitetin e saj artistik, Alma Velaj 26 vite më parë formoi grupin e saj muzikor, të njohur me emrin “Oriental”.

   Ajo ka një simpati të jashtëzakonshme për televizionin “Blue Skye” dhe një bashkëpunim me intensitet të lartë, ku ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e “Hiteve Verore” të organizuara nga ky televizion dhe është vlerësuar me një sërë çmimesh. 

   Kjo këngëtare ka qenë pjesë e pandarë e “Sofrës së Shqipes” të organizuara në New York, në Kosovë, por dhe si e ftuar speciale në Londër, po në këtë sofër. 

   Ajo vazhdimisht është e angazhuar në koncerte të ndryshme që organizohen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Angli, Iltali, Gjermani, Belgjikë, Austri, Zvicer, Kosovë, Maqedoni, Greqi etj, pra kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë. Ajo ka ftesë nga Albania entertainment LLC për koncerte në USA.

   Ajo ndihet mirë dhe krenare që këndon me pasion dhe shpirt këngët popullore shkodrane, për të cilën publiku i ka dhënë shumë emocione dhe ajo është përpjekur me të gjitha forcat e saja që gjithçka ta përballoj me sukses, duke iu ofruar këngë të bukura, gjë të cilën dëshiron që ta trashëgoj.

   Janar 2023

Filed Under: Kronike Tagged With: alma velaj, Ramazan Ceka

VATRA BASHKOI SHQIPTARËT NË 110 VJETORIN E PAVARSISË DHE FESTËS SË FLAMURIT KOMBËTAR

November 30, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka

Për flamurin kuq e zi,

Për të shtrenjten Pavarsi, 

Kudo ka shqiptar në botë, 

Bashkë do bëhen sot e mot.

   Në këto ditë të shënuara të Jubileut të 110-të të Pavarsisë së Shqipërisë dhe Festës së Famurit të Kombit Shqiptar, pata privilegjin të isha pjesë e delegatëve të degës së Vatrës në Michigan me të cilët udhëtuam së bashku për në New York, ku me 27 Nëntor, në Selinë e Vatrës në Southern Blvd The Bronx, do të zhvillohej simpoziumi shkencor kushtuar këtij jubileu, si dhe darka solemne e cila do kulmonte me një mbrëmje madhështore në të cilën  merrnin pjesë me qindra patriot shqiptarë.

   Në delegatët e Degës së Michiganit kryesonin Nën Kryetari i Vatrës z. Alfons Grishaj, z. Mondi Rakaj Drejtor dhe Kordinator i Vatrës, z. Kolec Ndoja Kryetar i Këshillit të Vatrës, z. Rafael Floqi gazetar i ALBTVUSA dhe unë që isha i ftuar nga miku im i çmuar Mondi Rakaj, drejtor për Degët e Vatrës në Amerikë e Kanada dhe përgjegjës për kordinimin, zgjerimin dhe lobimin e saj.      

   Pasi lamë takimin në orën 3 të mëngjesit me këtë grup personalitetesh të shquar të Vatrës u nisëm nga Michigani për New York. Një udhëtim i gjatë por i paharruar për të gjithë ne, ku veç rëndësisë së detyrës dhe emocioneve të festës, gjatë gjithë udhëtimit u diskutua mbi gjëndjen aktuale në Shqipëri dhe sidomos në Shkodër e Malësi, pasi shumica nga ne vinim nga ato vënde, e meraku i tyre për vëndlindjen është kurdoherë i pranishëm. 

   U diskutua shumë edhe për sfidat dhe sukseset aktuale të kësaj dege të “Perandorisë së Shqiptarëve të Amerikës” – Federatës Pan Shqiptare “Vatra”. Një diskutim me të vërtetë mbreslënës për nga serioziteti, oratoria, siguria, mençuria dhe vlerat e përgjegjsisë institucionale, që këta personalitete mbartnin në formimin e tyre intelektual. Ndër ta dy shkodranë të spikatur për nga vlerat dhe qytetarë të rafinuar për nga kultura dhe integriteti i tyre bashkëkohor. 

   Sapo kemi mbërritur në New York, vetë Kryetari i “Vatrës” z. Elmi Berisha dhe Besim Malota, me një respekt dhe konsideratë të veçantë kishin rezervuar një darkë mikpritëse tepër bujare tek Restorant “Çakorri”, ku ndër të pranishmit ishte edhe z.Irfan Hysenbelliu, biznesmen i fuqishëm dhe drejtor i News 24, me të cilin pata nderin të shkëmbeja biseda dhe informacione nga bota e medias. 

   Bujaria mikpritëse e ktheu këtë sofër në një natë feste tejet të gëzueshme, ku atmosfera dukej se kish bashkuar zemrat e shumë patriotëve shqiptar. 

   Të nesërmen u mbajt konferenca shkencore me pjesëmarjen e dhjetra akademikëve dhe studiuesëve të shquar të Vatrës e jo vetëm, të cilët sipas programit, njëri pas tjetrit, u ngjitën në foltore për të mbajtur ligjëraten e tyre shkencore të përgatitur enkas për këtë jubile.

   Ndër ta Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Nën Kryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj, z. Beqir Meta, z. Bernard Zotaj, z. Muharrem Dezhgiu, z. Fran Shkreli, z. Paulin Marku, znj. Marjana Bulku, z. Rafael Floqi, z.Sokol Paja, Kryeditor i gazetës “Dielli”, i cili drejtoi me shumë përkushtim konferencën, etj.  

   Kumtesat e tyre bënë që ky simpozium të bashkojë akademik shqiptarë në qëndrime e në mendime që lidhen me këtë festë përkujtimore kaq sublime. 

   Pas përfundimit me shumë sukses të kësaj konference, organizatorët shtruan edhe darkën solemne me pjesmarrje mbarë shqiptare, për nder të Flamurit tonë Kombëtar dhe Pavarsisë së Shqipërisë.

   Me të mbërritur në destinacion, jemi ndeshur me një pritje vllazërore, të cilën vetëm ndër shqiptarë e ndeshim. Një organizim i jashtëzakonshëm ku të ftuar nderi ishin përsonalite të larta si: Ambasadori Frank Wisner, Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Michigan, z.Ekrem Bardha, Jim Xhema, Ish Kryeministri i Kosovës z.Avdulla Hoti, Deputeti i Parlamentit të Kosovës Driton Selmanaj, Harry Bajraktari, Bruno Selimaj, Elio Shametaj, Senatorja e New Yorkut Nathalia Fernandez, z.Mark Gjonaj, përfaqësues të Bashkisë së New Yorkut e shumë personalitete të shquara të politikës, të diplomacisë, të shkencës dhe botës së biznesit. Darkën e moderoi Dr. Pashko Camaj. Kontribut të madh në jetën kulturore, mediatiake e komunitare kanë gazetarët Adem Belliu Drejtor i Tv Albanian Culture, Beqir Sina dhe Dritan Haxhia.

   “Vatra” u akordoi shumë figurave të shquara të patriotëve shqiptar mirënjohje e tituj nderi, me motivacione të pesonalizuara në kontribute të çmuara për çështjen e Atdheut dhe të Kombit. 

   Në këtë atmosferë festive të veshur kuq e zi, menjëherë pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar në skenë u ngjitën zërat më të njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, këngëtarët, Alberije Hadergjonaj, Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”, Barbana Dini, instrumentistët Argjend Lloga dhe Ndue Nika, të cilët me performancat e tyre plot frymë kombëtare, ndezën zemrat e të gjithë shqiptarëve. 

   Nata zgjati deri në orët e vona duke përmbushur me objektivitet qëllimin e këtij organizimi, ti bashkojë shqiptarët Jug e Veri, të gjithë bashkë për Shqipëri, pranë strehës së Vatrës, sot e në përjetësi.

   Ramazan Çeka

   New York, Nëntor 2022

Filed Under: Politike Tagged With: Ramazan Ceka

“TY ME T’DASHT” – Dashni për Shkodren, Dashni për kangen

October 5, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Ndjesia që të mbërthen kur dëgjon këngën e bukur popullore me emocionet e tingullit dhe fjalës, melodisë e ritmit, të interpretuar me aq pathos nga këngëtarët, të drithëron dhe ndjehesh krenar që kemi një pasuri të tillë shpirtërore, e cila, ashtu si nga të gjithë këngëtarët, bëhet emocionuese edhe nga Gentjana Tafili, kjo këngëtare e mrekullueshme shkodrane që lindi dhe u rrit me këngë në këtë bahçe të bukur, të cilës nuk i kanë munguar kurrë bilbilat e kanarinat.

   “Ty me t’dasht” është një ndër këngët më të reja të këngëtares shkodrane Gentjana Tafili, por dhe lajtmotivi i muzës së saj, e cila këtë “dashni” e ka jo vetëm për qytetin e lindjes, por edhe kënga popullore shkodrane, me të cilën ajo “s’din me u ngi”.

   T’janë idhnue bilbilat e kanarinat këngëtare të bahçes shkodrane, se zërin ua more, t’janë idhnue Liqeni, Buna e Drini, se ua more bukurinë dhe ia bëre këngë, t’është idhnue pranvera, se ti ja more freskinë e më shumë janë idhnue lulet, sepse ti ua more aromen.

   Ta dish mirë se ka ardhë vjeshta që të pret ty që ta hijeshosh se ti po u mungon tash sa vjet. Zogjtë këngëtarë kanë heshtur, sepse të presin ty Gentjanë të vish si një dallëndyshe tek qyteti që të dha krenarinë dhe frymëzimin që kur të dëgjojnë këngën tënde, zogjtë do të pajtohen me ty.

   Do të pajtohen lulevilet, lulebora, maragjyli e karafili, drandofilja e shumë lule të tjera, të cilat do të pushojnë në kaçurrelat e tu.

   Zemra jote edhe atje në Zvicër, larg Atdheut dhe qytetit tënd, nuk ka pushuar asnjëhërë së rrahuri dhe kjo është pasqyruar më së miri në albumin tënd të ri me gjashtë këngë të reja që lidhen me Shkodrën tënde të dashur: “Shkodrës”, “Ty me t’dasht”, “Liqeni andrrimtar”, “Kam harru”, “Nanë e dashtun” dhe “Më thuj kur do vish”, si dhe këngë të tjera të repertorit tënd.   

   Eja pra dhe këndoi këta këngë mes motrave dhe vëllezërve shkodran që të presin si dikur, e mos i lër të pushojnë në disqe e YouTube. 

   Eja me zërin tënd të bukur, me buzëqeshjen tënde si bijë e Shkodër Loces, sepse gjithmonë me zërin tënd, me këngët e dashurinë tënde edhe kur je me kolegë në skenë e në ambiente të ndryshme, qënia jote i përjeton me mall e dashuri.

   Kanë shumë mall që të takojnë të gjithë. Aq shumë të adhurojnë, të flasin, e përshëndesin.

   Dy fjalë për këngëtaren shkodrane Gentjana Tafili: Gentjana ka lindur në Shkodër dhe që në moshë të vogël është dalluar për zërin e saj melodioz dhe plot dritë. Ajo që herët u zbulua nga mësuesi i saj i muzikës, i ndjeri Enrik Çefa, si një nga solistet kryesore në shkollën “Xheladin Fishta” Shkodër.

   Veç festivaleve lokale për fëmijë, ku ajo merr pjesë si soliste, për vite me radhë bëhet pjesë edhe në Festivalet Kombëtare për Fëmijë në Shkodër, ku si dirigjent do të ishte i ndjeri Kujtim Alija “Mjeshtër i Madh”. 

   Këtu në një farë mënyre merr rrugë edhe ëndrra e saj për t’u bërë një ditë këngëtare e afirmuar.

   Pasioni për këngën do të ishte pjesë e pandarë e jetës së saj. Ky pasion, siç shprehet ajo, do ta shoqëronte në të gjitha aspektet e jetës, duke ia zbukuruar atë, veçanërisht sot që jeton e punon në emigrim.

   Më vonë biografia e saj artistike pasurohet me aktivitete që tashmë hyjnë në rrugën profesioniste. Ajo bëhet pjesë e grupit “Rozafa” me artistë shkodranë si: Nimet Salabegu “Mjeshtër i Madh”, muzikanti i njohur Ilir Zoga dhe këngëtarja Orjeta Kelaj, ku Gentjana prezantohet si soliste për të performuar kështu në Diasporë, kryesisht në Zvicër, në koncerte dhe mbrëmje të ndryshme. 

   Ajo së bashku me këtë grup do kishte mjaft sukses. Jeta e mëvonshme e saj, si të thuash, u lidh me Zvicrën, pasi ajo atje kreu shkollimet përkatëse, duke u bërë kështu pjesë përbërëse e sistemit shkollor në Zvicër, ku punon si përkthyese për fëmijët dhe prindërit shqiptarë. 

   Gentjana edhe pse larg nuk e ndali asnjëherë pasionin për këngën, sidomos për këngën qytetare shkodrane. Megjithë largësinë, dashnija për Shkodren dhe këngën qytetare shkodrane e kanë shoqëruar atë vazhdimisht. 

   Unë, thotë Gentjana, e kam gjetur lumturinë dhe gëzimin që kam ëndërruar. Që në moshë të re kisha dy ëndrra: Të bëhësha këngëtare dhe të krjoja një familje dhe këto dy ëndrra më janë bërë realitet.

   Diaspora, falë zërit të saj të bukur, i dëgjon me aq kënaqësi këngët qytetare shkodrane, sepse Gentjana është një bijë Shkodre që përcjell në Diasporë vlerat më të mira të kulturës dhe qytetarisë shkodrane, si shumë artistë të mrekullueshëm që me admirim i quajmë ambasadorë të kulturës shqiptare. 

   Ajo gjatë karrjerës së saj do ftohet në Shkodër dhe Diasporë në aktivitete të ndryshme të rëndësishme, duke u dalluar qartë si një nga interpretueset më të mira të këngës qytetare shkodrane, me zërin melodioz, me dritë dhe me një timber të veçantë. 

   Ftesat për performancen e saj nuk mungojnë as nga autoritet zviceriane që e ftojnë në disa aktivitete ndërkulturore me pjesëmarrës zvicerianë dhe kombësi tjera të ndryshme. 

   Së fundmi ajo ishte e ftuar edhe në 50-vjetorin e Themelimit të “Caritasit Aargau” në Zvicër dhe si çdo herë ajo përcjellë këngët dhe meloditë shqiptare.

   Gentjana Tafili këto ditë realzoi një album të titulluar “Ty me t’dasht” në CD si një buqetë këngësh të njohura shkodrane dhe këngë të reja. Një bashkëpunim i frytshëm me orkestrues Ilir Zoga, Shpëtim Saraçi, Enis Mullaj. Kompozitorë prof. Zef Çoba “Mjeshtër i Madh”, Eriona Rushiti Pedagoge, Rafael Lishi, muzikant, poetët Agim Doçi “Mjeshtër i Madh”, Ramazan Çeka “Mjeshtër i Madh” dhe Nesti Gjoni.

   Këngët e repertorit të saj në këtë album, përveç krijimtarive të reja që i përmendëm më sipër, janë: “Margjelo”, “Pranvera filloi me ardhë”, “S’ka ma t’bukur se pranvera”, “Luleborë”, “Tash sa ditë e mot”, “Sot ka çilun o prenvera”.

   Interpretimi dhe realizimi e këngëve të këtij albumi sjellin aromen e artit të mirëfilltë shkodran, ku spikat dueti “Ty me t’dasht” me këngëtarin e mrekullueshëm Leonard Guga që në këtë album është kurora më e bukur, duke u kthyer në një perlë të këngës bashkëkohore shkodrane.

   Për ta pasuruar figurën e kësaj këngëtareje unë mora disa opinione nga personalitete të shquar të muzikës dhe poezisë së këngës.

   Fillimisht iu drejtova kompozitorit të madh prof. Zef Çoba “Mjeshtër i Madh” që Gentjanen e ka pasur nxënëse që në moshë të re. Dhe ai bëri këtë vlerësim për të:

   “Këngëtarja Gentjana Tafili e ka filluar rrugen e artit që në moshë të njomë, duke marrë pjesë në Festivalet Lokale e Kombëtare të Këngës për Fëmijë. Megjithëse jeton prej vitesh jashtë vëndlindjes, nuk është shkëputuar nga pasioni për muzikën dhe artin e interpretimit të këngës, kryesisht asaj shqiptare. Ajo po e pasuron vazhdimisht repertorin, në të cilin bien në sy veçanarisht këngët e zgjedhura e të bukura shkodrane, të qytetit të saj të lindjes.           

   Në larminë e madhe të intrepretëve, ajo vjen me zërin dhe timbrin e saj origjinal dhe interpretimin e sinqertë. Një tjetër dukuri që bie në sy në punën e saj artistike, është ambicja dhe këmbëngulja për ta zgjëruar repertorin e saj me krijime të reja, duke dhënë kështu nje kontribut për nxitjen e mendimit krijues. Për këtë ajo bashkëpunon në mënyrë sistematike me krijues poetë, kompozitorë e producentë të njohur”. 

   Më pas një opinion dha edhe poeti i shquar Agim Doçi “Mjeshtër i Madh”, i cili me shumë simpati tha:

   “Gentianën e njoha në Zvicër. Tepër e përgatitun dhe me vesh absolut. Ishte “Perla” me Grupin muzikor të Mjeshtrit Polivalent Nimet Salobegut, tejet simpatike dhe interpretuese elegante. Zotëronte të gjithë kolazhet muzikore popullore tradicionale dhe për vlerat moderne shkodrane të traditës e ato qytetare të muzikës së lehtë SHQIPETARE. Genta ka timbër tejet të ngrohtë madje shum të ambël. Genta ka cilësi të veçanta interpretative. Suksesi asht i sigurt në Genten artiste e simpatike”.

   Nuk mund të kuptohen dhe të kenë shkëlqim, emocion e bukuri, aktivitetet artistike që zhvillohen ne Zvicër në raste të ndryshme në festa, apo gëzime, pa prezencen e Gentjana Tafilit.

   Gentjana me finesën dhe elegancën që i transmeton artistikisht tek këngët e saj, është gjithnjë e dashur dhe e pëlqyer nga artëdashësit dhe admiruesit e saj të shumtë”. 

   Mjafton të them vetëm një fjalë: Është kaq e dashur me publikun, sa rrallë ndonjë këngëtare tjetër. Ajo ka krijuar dashamirësinë dhe këtë e ka bërë me këngën e saj, me performancen e saj. Gentjana po bëhët ngadalë një yll në gjerdanin e këngës popullore qytetare shkodrane.

   Mosha ka ecur e zëri në këto vite sa është zbukuruar e bërë më i dashur e më melodioz për dëgjuesit. 

Një zë brilant femror, që ka karakteristikat e saj të vokalit, ka dritën që shkëlqen sikur bjen dielli mbi majën e Rozafës, pra që nga kënga e traditës e deri tek këngët e reja.

   Ajo gjithmonë i ka kënduar bukurisë, fisnikrisë, dashurisë, Shkodrës dhe nuk ka lëvizur nga profili i saj artistik, të cilin e ka krijuar me punë, pasion e përkushtim. 

   Ajo nuk ka devijuar nga kënga popullore qytetare shkodrane, nga kënga e popullore shqiptare, sepse Genta i jep një emocion të veçantë këngës dhe kjo është ajo që e bën publikun për vete.

   Publiku shkodran Genten e ka pranuar me dashuri nga që i ka kënduar bukur këngët shkodrane dhe publiku është vlerësimi më i mirë.

   Është pikërisht publiku i mrekullueshëm shkodran që e ka mirëpritur në “Sofren Shkodrane”, në aktivitetet që ka organizuar Agjensia e spektakleve “Buna1”, Ulqini, Kraja etj.

   Genta është si një krua që nuk shterron kurr, por vetëm gurgullon këngë, mirësi e dashuri. Ajo ka dalë në skenë aq thjeshtë e veshur me një freski vajzërie shkodrane, por është përcjell si një mbretëreshë. 

   Ka shumë shokë e shoqe, kolegë të rinj e të vjetër në moshë. Të gjithë e duan, kanë dëshirë të qëndrojnë e bisedojnë, është fjalë ëmbël, e respektueshme, shpesh hërë edhe me humor të hollë shkodran.

   Për interpretim me mjeshtri të lartë të këngës popullore shkodrane brenda dhe jashtë vendit, për pjesëmarrje në koncerte humanitare në Kosovë e gjithë Evropën, si dhe për kontributin e saj në krijimtarinë muzikore, duke e kthyer këngën në simbol të identitetit tonë kombëtar, i është akorduar çmimi i nderit “Mirënjohja nga LAPSH” (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër) në 30-vjetorin e saj të themelimit, ku Gentjana vlerësohet për kontributin e saj artistik në mbështetje të shkollës shqipe. 

   Edhe në librin që u botua për këtë ngjarje, “30 Vjet Shkollë Shqipe”, ajo është pjesë e personaliteteve si artiste shkodrane dhe si veprimtare në kuadër të shkollës, fjalës shqipe dhe identitetit tonë kombëtarë.

   Së fundmi ishte e ftuar edhe në Panairin e dytë të Librit – Diaspora 2022.

   Në dhjetra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në skena, sheshe, studio televizive, në festivale lokale e kombëtare, në koncerte e manifestime të mëdha për përvjetorë e data të shënuara të historisë, Genta është pjesëmarrëse aktive,

   Kur dëgjojnë këngët e saj, timbrin e zërit të saj, mërgimtarët shuajnë mallin për Atdheun, për tokën ku lindën, për njerëzit që i duan, por dhe ne krenohemi për artistët e mrekullueshëm që na dhurojnë gëzim e që na motivojnë kudo që jetojmë dhe punojmë. 

   Tetor 2022

Filed Under: Kulture Tagged With: Ramazan Ceka

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT