• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOKTORI I MREKULLIVE

September 22, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka

Një ditë e zakonshme me një mjek të jashtëzakonshëm.

Le të përmendim dhe të ndriçojmë shembujt më të mirë nga jeta jonë, heronjtë e vërtetë dhe të devotshëm, në vend të kriminelëve që mbushin çdo ditë kronikat e zeza.

   Kur ndjehesh mirë me shëndet është normale që të mos kujtohesh për shërbimin e mjekut, ama është krejtësisht e kundërta që, kur nuk ndihesh mirë, të kujtohesh për të.

   Të tilla raste i hasim shpesh. Kështu më ndodhi edhe mua pak ditë më parë dhe ky rast për të cilin do të shkruaj më poshtë, më nxiti që ta sjell në vëmëndje të lexuesit me anë të këtij shkrimi. Në fakt nuk është hera e parë që shkruaj për mjekët e mrekullueshëm të qytetit të Shkodrës, ashtu siç nuk është hera e parë që shkruhet për Dr.Besnik Mustafaj. 

   Më herët kam shkruar për mjeken e paharruar Zyliha Kraja, por edhe për ata që sot janë në detyrën e tyre humanitare: Dr.Ardian Dajti, Dr. Luan Bajri, Dr.Lindita Dibra, si dhe për një mjek të mrekullueshëm që jeton dhe punon në Amerikë, për Dr. Bari Ceka, i cili është mik i të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje.

   Kësaj here mora përsipër të shkruaj për Dr.Besnik Mustafaj, ortoped në Spitalin Rajonal në Shkodër, me të cilin kam patur njohje shoqërore, por edhe eksperienca personale, vlerësimet e të cilave i kam gjetur edhe në opinionin e bashkëqytetarëve të mi, si një mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.  

   Të gjithëve iu uroj suksese në misionin e tyre humanitar, duke përfshirë në këtë shkrim edhe të mrekullueshmin Dr.Besnik Mustafaj, që nuk ndreq e drejton vetëm kocka, por edhe shpirtra, fjalët e të cilit janë pasqyrë e betimit që ka bërë si mjek.

   Dr.Besnik Mustafaj është ortoped në spitalin rajonal të Shkodrës, me të cilin kam pasur rastin të njihem personalisht, ku vlerësimet e mia personale kanë qenë në unison me opinionin e bashkëqytetarëve të mi dhe po të ishte momenti për t’i dhuruar këtij mjeku një çertefikatë vlerësimi, motivacioni do të ishte: Mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.

   Ishte një ditë e dielë e këtij gushti dhe një ditë e zakonshme pushimi për mjekun tonë të nderuar Besnik Mustafaraj dhe duke qenë një ditë vere, ashtu si gjithë qytetarët edhe ai kishte planifikuar ta kalonte një ditë pushimi diku në bregdet me familjen e tij. Unë pikërisht këtë të diel kisha lënë takim me një mik të afërt, i cili kishte ardhur nga Amerika për të kaluar pushimet në vendlindjen e tij, në Krajë.

   Ishe dita e fundit e pushimeve që kishte planifikuar miku im nga Kraja Mirsad Kovaçi, i cili të nesërmen do të udhëtonte për Amerikë dhe pikërisht këtë të diel në mëngjes më telefonoi, duke më treguar se kishte një problem urgjent shëndetësor, të cilin, sipas miqve të tij mund t’ia zgjidhte një mjek shumë i njohur e shëmë i mirë në Shkodër.

   Bëhej fjalë për mjekun e mrekullueshëm ortoped Dr. Besnik Mustafaj. Me një lloj krenarie të lindur nga respekti ndaj këtij mjeku i them që e njoh shumë mirë dhe i flas për të me një vlerësim të jashtëzakonshëm.

   Unë kontaktova me doktorin dhe pasi ai u njoh me këtë problem shëndetësor të mikut tim Mirsad Kovaçi, më befasoi me fjalët e tij: “Ju pres në spital në orën 12:00”. Unë e dija shumë mirë se ai e kishte ditë pushimi.

   “Rruga vade s’ka” thotë një shprehje popullore shkodrane. Ne nuk arritëm të shkonim në orar në spital, për shkak të trafikut të madh në doganën e Muriqanit, por Dr. Besniku, ashtu siç e ka emrin i kishte qëndruar besnik fjalës së dhënë. Ai na priti me durim, por edhe me mirëkuptim, sepse ishte në dijeni të situatës në kufi.

   Dy fjalë përshëndetje i lanë vendin vizitës mjeksore që Dr. Besniku i bëri mikut tim nga Kraja me aq përkushtim e profesionalizëm, ku pas këshillave që mjeku e ndjen detyrë t’i japë, i dha edhe receten e nevojshme të mjekimit.

   Ky takim mjek-pacient pësoi një “thyerje” të vogël. Miku im Mirsad Kovaçi tentoi disa herë ta paguante këtë vizitë, duke e lidhur me shumë gjëra që kanë të bëjnë me profesionin e mjekut, duke e lidhur atë me pritjen e gjatë, me privimin e një dite pushimi, por duke harruar se Dr. Besniku ishte aty sepse e ndjente për detyrë, jo si përfaqësues i emrit të tij, por si përfaqësues i profesionit të tij. “Sot ju patët nevojë për mua, na u drejtua ai, nesër mund të kem unë nevojë për ju”.

   Unë e kisha provuar këtë situatë dhe gjithmonë isha ndjerë mirë në marrëdhëniet me këtë mik doktor, por u ndjeva shumë më mirë kur pash buzëqeshjen mirënjohëse të Mirsadit, që ishte shprehja më e bukur e falenderimit.

   “Ky doktor mor Zan, të shëron dhe pa ilaçe”, – më tha Mirsadi tek po largoheshim nga spitali dhe vazhdonte të përsëriste fjalët e Dr. Besnikut që sot nuk erdha në spital me krye vizitë mjeksore, por erdha vetëm për ju, pasi mora vesh, se nesër do të udhëtosh për Amerikë.

   Ne u larguam nga spitali me një respekt të veçantë për këtë mjek relativisht të pjekur në moshë, por edhe në profesion, por njëkohësisht të bindur se këta djem e vajza janë bijtë tanë, të cilët si në çdo sferë të jetës do të zevendësojnë brezat e mrekullueshëm që kanë lënë gjurmë dhe emër në këtë mision kaq njerëzor.

   Faleminderit Dr. Besniku, Doktori i mrekullive.

   Ramazan Çeka

   Shtator 2022

Filed Under: Analiza Tagged With: Ramazan Ceka

POPUJT PËRCJELLIN MESAZHIN E PAQES DHE BASHKIMIT

June 10, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

“Aulona Inter Folk Festival” sërish me një spektakël madhështor në qytetin e Vlorës, aty ku flamujt ndërkombëtarë shpalosen nga arti e kultura e kombeve.

   Në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës, për tre ditë e netë rradhazi, ashtu siç bashkohen ujërat e dy detrave tanë të mrekullueshëm, u bashkuan edhe artistë popullorë nga trevat shqiptare, por edhe të Europës për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Inter Folk Festival”, që ishte edhe edicioni i 14-të i këtij spektakli madhështor, i cili hapi e mbylli me sukses siparin e tij me datat 28-29-30  maj 2022.

   Edhe pse ky festival për qytetin e Vlorës është bërë traditë, sërish mund të them me bindje se për të gjithë të pranishmit duket si hera e parë, pasi sjell emocione që nuk përshkruhen me fjalë dhe as që përsëriten shpesh, pikërisht se spektakle të tilla të organizuar në një festival janë tejet të rralla për shtete shumë të zhvilluara e shumë më të mëdha nga ç’është vendi ynë, aq më tepër për një qytet si ç’është Vlora jonë, ku një grup organizatorësh vullnetmirë sakrifikojnë gjithëçka për të dhënë më të mirën e mundshme për realizimin e tij.

   Përgatitjet për organizimin dhe mbarvajtjen e festivalit kishin nisur muaj më parë dhe si gjithmonë nën kujdesin e veçantë të artistit të paarritshëm, punëtor dhe vizionar, me kulturë e pasion e, mbi të gjitha, me shumë dashuri, Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”, që me projekt-planet e tij ka fituar prej vitesh besimin e Bashkisë së qytetit e Ministrisë së Kulturës, që si gjithmonë vazhdon ta mbështesë në këtë angazhim kulturor.

   Kështu institucionet e qeverisjes vendore vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe vlersojnë këtë aktivitet me vlera shumëpalëshe, i cili përkon edhe me hapjen e sezonit të turizmit bregdetar të gërshetuar kaq bukur edhe me turizmin kulturor nëpërmjet të cilit Vlora vazhdon të promovojë vetveten me gjithçka të bukur që gjindet në brendësi të saj. 

   Përgjatë gjithë këtyre ditëve, u zhvilluan aktivitete të shumta e të larmishme deri në mbyllje të këtij edicioni të katërmbëdhjetë të “Aulona Inter Folk Festival” në darkën e gëzimit të mbarvajtjes dhe suksesit të festivalit me të katërmbëdhjetë ansamblet folklorike pjesmarrëse, të cilët për koincidencë rastisën të ishin të njëjtë në numër sa dhe vetë edicionet.

   Si një kolor i ylbertë rrezatuan qytetin bregdetar të Vlorës të shtatë flamujt e ardhur nga shtatë shtete të Ballkanit dhe Europës, të cilët po të ishin pikë për t’u mbledhur sërish do formonin numrin katërmbëdhjetë. Të gjitha grupet ishin më shumë se entuziaste për pjesmarrjen, aq sa improvizonin skena me shfaqje artistike kudo ku gjenin shesh, hapësira të mrekullueshme që, për hirë të së vërtetës Vlorës së bukur nuk i mungojnë.

   E kështu për tri ditë me radhë këto ansamble e kthyen Vlorën dhe rrethinat e saj në një skenë gjigante, natyrale, ku ritmet e valleve e ngjyrat e larmishme potente të kostumeve të mrekullueshëm përndritën jo vetëm skenën zyrtare të festivalit, por edhe rrugët, trotuaret, sheshet e mjediset e tjera të qytetit mikpritës, duke i dhuruar një spektakël madhështor folklorik me këngë e valle tradicionale nga popuj të Ballkanit dhe Europës.

   Sipas organizatorëve edicioni i këtij viti e çoi në 105 numërin e përgjithshëm të ansambleve e grupeve folklorikë të ngjitur në skenën e këtij festivali në këto katërmbëdhjetë vite, duke sjellë në qytetin e Vlorës plot 3850 artistë nga 28 vende të Ballkanit, Europës e Azisë.

   Ky edicion pati një program shumë të larmishëm dhe plot risi, i cili nxiti shpirtin e garës mes pjesëmarrësve, çka vihej re jo vetëm tek tematika e këngëve dhe valleve, por edhe tek interpretimi dhe demonstrimi i koreografisë dhe kostumografisë si pjesë e kulturës popullore të vendeve pjesëmarrëse dhe që peshonte dukshëm në vlerësimin e Komitetin Organizator.

   Në këtë edicion pati një performancë të shkëlqyer gjithëpërfshirëse, pasi si në një paradë të prezantimit të kostumeve ansamblet pjesmarrëse për herë të parë performuan para koncertit, duke e kthyer pedonalen e qytetit të Vlorës në një pasarelë si një ylber shumëngjyrësh deri në Bulevardin “Ismail Qemali” të qytetit. 

   Mes ovacionesh e duartrokitjesh siparin e këtij festivali e hapën të zotët e shtëpisë me një këngë elegjiake si homazh për poetin dhe regjisorin Petrit Ruka, i cili prej nisjes së këtij festivali ka qenë anëtar i bordit të Qendrës Kulturore “Aulona” dhe regjisor i përvitshëm i festivalit. Pikërisht ky festival i dha nderin, vlerësimin dhe respektin e merituar këtij njeriu me kontribut të jashtëzakonshëm për këtë qytet. 

   Festivali gjithashtu nderoi edhe burrin e shquar të kombit Hasan Prishtina, i cili para pak kohësh me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë “erdhi” në Vlorë i derdhur në bronx në një shtatore dinjitoze për figurën dhe veprën e tij për t’u përjetësuar krah Plakut të urtë Ismail Bej Vlora. 

   Në këtë edicion morën pjesë edhe shumë grupe folklorike nga viset shqiptare dhe nga Vlora, për të konkuruar, përshëndetur dhe uruar mirëseardhjen performuan Ansamblet “Krahu i Shqiponjës Taip Madani” e “P & E”, si dhe grupet polifonike “Krojet e Velçës” dhe “Bilbili”.

   Gjirokastra u përfaqësua nga Ansambli “Lunxhëria”, Saranda nga grupi i valleve “Rodhon to Amarandon”, Kosova u përfaqsua nga Ansambli “Isa Boletini” e “Anamorava”, Mali i Zi u përfaqësua me Ansamblin “Trojet Tona”, kurse shqiptarët me banim në Zvicër, të cilët kishin udhëtuar rreth 2000 km u përfaqësuan nga grupi popullor “Hareja”.

   Nga grupet e interfolkut Rumania u përfaqësua me Ansamblin “Crisana”, Bullgaria u përfaqësua me Ansamblin “Zdravets”, kurse Moldavia u përfaqësua më Ansamblin “Izvorasul”.

   Për performancat e të gjitha grupeve pjesëmarrëse gjuha nuk ishte aspak një barrier, pasi popujt i transmetojnë mesazhet përmes një pasurie të pashterrëshme që janë folklori dhe trashëgimia etnokulturore. Performancat e grupit nga Moldavia dukej sikur tingëllonin shqip.

   Një përgatitje e jashtëzakonshme e cila ngjalli edhe mjaft emocione tek të pranishmit ishte performanca e realizuar nga një grup qytetarësh amerikanë të ardhur në Vlorë për pushime, të cilët me ambicjen e tyre në një kohë rekord mësuan të interpretojnë me shumë krenari vallen shqipe. Nën drejtimin e koreografit të AKKVP, Genc Kastrati, ata performuan në skenë duke përshëndetur festivalin, veshur me kostume popullore nga kostumografia “Tradita Popullore – Edlira” e Edlira Sulaj, duke fituar kështu një dashamirsi të jashtëzakonshme nga publiku, çka u reflektua në duartrokitjet e gjata.

   Përgjatë gjithë atyre ditëve pjesëmarrësit e festivalit patën fatin të njihen me qytetin e Vlorës dhe resurset kulturore e historike të tij. Kështu ata vizituan mjaft vende historike e arkeologjike. Organizatorët u mundësuan atyre edhe një udhëtim ekstra për të vizituar Manastirin në Ishullin e Zvërnecit, si dhe të njihen me plazhet e mrekullueshme të Radhimës ku Resorti “Bojo” për një ditë u vendos i tëri në dispozicion të pjesëmarrësve.

   Pasi përformuan për dy netë rradhazi erdhën në natën finale të festivalit dhe u ngjitën në skenë të gjitha grupet pjesëmarrëse, ku me pjesët e tyre më të zgjedhura sollën për qytetarët e Vlorës një spektakël të jashtëzakonshëm folklori, duke mbyllur kështu me shumë sukses edicionin XIV të “Aulona Inter Folk Festival”, 2022.

   Për arritjen e këtij suksesi meritë të veçantë ka edhe moderatorja tashmë e njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë Silvana Braçe, e cila me buzëqeshjen magjike dhe profesionalizmin e saj u bë një urë lidhëse mes gjithë artistëve pjesëmarrës dhe publikut të mrekullueshëm.

   Kupën e edicionit të XIV të festivalit e fitoi Ansambli “Izvorasul” nga qyteti Cahul, Moldavi, të cilën, pas një përshëndetje zyrtare për festivalin si zot shtëpie, ua dorëzoi kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli.

   Gjithashtu një tjetër vlerësim i merituar dhe i gjetur si kohë e si vend u bë nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Vlorës, pikërisht në skenën e “Aulona Folk Festival” për drejtorin e këtij festivali z.Sejmen Gjokoli, i cili u vlerësua me “Mirënjohje” për kontributet në fushën e trashëgimisë shpirtërore tashmë të shtrira në disa dekada, për punën më Folk Grup “Bilbili” që po i mbush 30 vjet, por Aulona Folk Festival është ai eveniment që ka ngjallur dhe ngjall të tjera emocione.

   Sejmen Gjokoli me kontributin e tij, si dhe bashkëpunimin me specialistë e dashamirës të kulturës, i kanë instaluar qytetit një institucion trashëgimie më vete, një portë komunikuese shpirtërore me këngë e valle e vlera etnografike të kombeve të tjera ballkanike, europiane dhe botërore.

   Në fund për të gjitha grupet pjesmarrëse u ndanë diploma dhe dhurata me emblemën e festivalit.

   Një vlerësim përcjelli edhe unë si gazetar për kolegët e Radio Televizionit Shqiptar regjisorin Llesh Nikolla dhe operatorët Shkelzen Sinani e Gjergj Reveli, të cilët bënë një punë të palodhur për të pasqyruar këtë spektakël në ekranin e vogël në çdo shtëpi shqiptare.

   Me një falenderim dhe vlerësim do ta mbyll këtë shkrim me fjalët më të mira për gazetën “Dielli” që gjithmonë me dashamirësi krijon hapsira për të pasqyruar aktivitete të tilla që janë krenari për artin e kulturën shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramazan Ceka

UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË – QARKU SHKODËR NË EDICIONIN E PESTË TË ÇMIMIT TË NDERIT “HAMIT BORIÇI”

May 2, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Vlerësimi i punës së bukur, të vështirë, por edhe të respektuar të gazetarëve në gjithë hapësirën multimediale ka qenë prej vitesh një prioritet i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Qarkun e Shkodrës, jo vetëm për ata që prej shumë vitesh kanë krijuar biografinë dhe karrierën e tyre personale, por veçanërisht për ata që i kanë hyrë me pasion kësaj rruge dhe që rëndom quhen gazetarë të rinj. Pas dy vitesh shkëputjeje, për shkak të pandemisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptar në Qarkun e Shkodrës mblidhet sërish, tashmë në edicionin e pestë të tij, për ceremoninë e ndarjes së çmimit “Hamit Boriçi”, një aktivitet i përvitshëm, i cili, siç thamë më lart, ka si qëllim evidentimin dhe vlerësimin e punës së gazetarëve më të spikatur në fushën e medias së shkruar dhe audiovizive. Organizatorët nën drejtimin e z. Gasper Marku, kryetar i Unionit të kësaj dege, ishin kujdesur që takimi të zhvillohej në nivelin e duhur profesional, ashtu siç i ka hije një shoqate, jo vetëm gazetarësh, por edhe miqsh, pasi e veçanta e aktivitetit ishte se personaliteti, emri i të cilit titullonte çmimin ishte edhe vetë fizikisht në sallë. Këtë e bëri të ditur vetë z. Gaspër Marku, që pak çaste para fillimit deklamoi se këtë takim do ta nderonin me pjesmarrjen e tyre dy personalitete të gazetarisë shqiptare: Hamit Boriçi dhe Aleksandër Çipa me cilësinë e kryetarit të UGSH-së, të cilët të shoqëruar edhe nga pedagogia e Gazetarisë, anëtare e këshillit Drejtues të RTSH, zonja Ardita Reçi formuan kështu edhe panelin e nderit të aktivitetit. Po kaq i nderuar ishte edhe auditori i takimit ku merrnin pjesë gazetarë dhe drejtues të mediave lokale, por edhe më gjërë, intelektualë të njohur, qytetarë dashamirës si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Aktiviteti, i cili u zhvillua në Bibliotekën e Qendrës Rinore “Arka”, u hap nga gazetari i mirënjohur Gazpër Marku, i cili kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje, si homazh në nderim të kolegëve gazetarë që ndërruan jetë gjatë periudhës së pandemisë dhe si shkak i saj. Ata edhe në mungesë gjejnë vend në kujtimet e gjithsecilit të pranishëm dhe do mbeten gjatë në memorien e tyre dhe gjithë qytetit të Shkodrës. Më pas z. Marku ia dha fjalën kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër, zonjës Briselda Kadia e cila i dorëzoi Profesor Hamit Boriçit titullin “Mirënjohja e Qytetit” të akorduar nga Bashkia Shkodër që në vitin 2020, por të pamundur për t’ia dorëzuar në një ceremoni si kjo për arsye të pandemisë. Këtë vlerësim Profesor Hamit Boriçi e pranoi me shumë emocion dhe me një nderim të thellë ndaj Qytetit të Shkodrës, qytetarëve të këtij qyteti, institucionit të Bashkisë e në veçanti për gazetarët, të cilët i quajti kolegë të nderuar. Po me kaq emocione filloi edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve nga Kryetari i UGSH – Qarku Shkodër z. Gaspër Marku. Në këtë edicion u akorduan tetë çmime: Gazeta “Dukagjini” u vlerësua me motivacionin: “Që prej vitit 2003, kur u botua numri i parë dhe deri më sot kur është në proces numri i 222-të, Gazeta “Dukagjini”, është sistematikisht e pranishme për lexuesin shkodran, atë kombëtar dhe mbarëkombëtar, me botim në letër dhe online. 3077 artikuj cilësorë dhe professional të botuar në vite nga 575 autor, janë një kontribut me shumë vlerë, jo vetem për promovimin e vlerave të pasura historike dhe turistike të Dukagjinit dhe rajonit verior, por edhe të të gjithë vendit në përgjithësi”. Gazetarja Alma Mehmetaj me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV Rozafa dhe Radio Motiv. Por, në të njëjtën kohë, edhe drejtuese e këtij institucioni në kohë të ndryshme, duke dhënë kontributin e saj organizativ të këtij institucioni”. Gazetarja Sidola Osja me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e spektakleve televizive me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV1 Channel”. Gazetari Luan Kadia-RTSH Shkodra, me motivacionin: “Gazetar, drejtues i emisioneve dhe prezantues i edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, prej shumë vitesh në Radio Shkodra dhe në vazhdim edhe në RTSH Shkodra. Në të njëjtën kohë me një kontribut të çmuar në kronikat e përgatitura për TVSH-në”. Gazetari Gjon Gjeka-TV A2 CNN me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV A2 CNN për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Gazetari Dori Gjerga-TV Euronews me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV Euronews për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësëishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Faik Sadiku, një pasionant i kahershëm i fushës së sportit, por edhe i gazetarisë sportive, i cili edhe pse asnjëherë nuk punoi si profesionist në media, është një penë shumë e vlerësuar nga lexuesit, brenda dhe jashtë vendit. Ajo që e bën të veçantë Faik Sadikun, është edhe botimi i 5 librave për figura të spikatura të sportit shkodran dhe më gjërë, të cilët pritet të pasohen edhe me botime të tjera, që ai i ka në projekt. Tonin Frroku, gazetar dhe drejtues i emisioneve sportive dhe më gjërë, karriera e të cilit nisi rreth 40 vite më parë në qytetin e Shkodrës ku shërbeu për shumë vite me mjaft profesionalizëm. Më pas, edhe pse zhvendoset familjarisht në qytetin e Korçës, ku ka angazhime shumë të rëndësishme mediatike lokale dhe kombëtare, ai asnjëherë nuk e harroi vendlindjen duke vijuar të kontribuojë mediatikisht për Shkodrën dhe rajonin verior. Emocionet ishtn prezente si asnjëherë tjetër pasi prezenca e Profesor Hamitit në panel e bënte këtë ceremoni edhe më dinjitoze dhe motivuese, një frymëzim që nuk ngurruan ta shprehin as gazetarët e vlerësuar me këtë emër të madh në fushën e medias shqiptare, siç u shpreh edhe z. Gaspër Marku kur tha se: “Jemi me fat që e kemi akoma në mesin tonë këtë ikonë të gazetarisë shqiptare”. Përshëndetja dhe vlersimi i z. Aleksander Çipa ishte mjaft mbresëlënës dhe motivues njëkohsisht për gjeneratat e reja të gazetarisë dhe gjithë këtë komunitetin e medias. “Shkodra dhe komuniteti i gazetarëve të Shkodres janë një referencë e shkëlqyer për gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë shqiptarë ndaj dua t’ju falenderoj për punën dhe vullnetin tuaj dhe besoj se është fjala më e çmuar për gjithë këtë ditë po kaq të çmuar”, tha në fjalën e tij z. Çipa. Në këtë aktivitet u bë edhe promovimi i librit “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar” një përmbledhje me kumtesa e studime që doli në dritë nën kujdesin e studiueses Rita Shkurtaj, njëkohësisht edhe kryetare e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Ky aktivitet iu bashkangjit shumë natyrshëm gjithë takimit jo thjesht për të prezantuar punën e një grupi studiuesish, por për vlerat që mbart ai material shkencor dedikuar xhubletës, kësaj pasurie kombëtare, e cila ishte prezent edhe fizikisht edhe në sallë, pasi gjatë kësaj ceremonie performuan me veshjet e tyre dy djem e dy vajza nga Gjimnazi “Dodë Kaçaj” Bajzë, të veshur me çakçir e xhubleta, të shoqëruar nga mësuesja kujdestare Florina Laçaj. Xhubleta Shqiptare është një pasuri me vlera mbarëkombëtare e cila pritet që së shpejti të hyjë edhe në mbrojtje të UNESCO-os, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore. “Kjo pasuri 4500 vjeçare është pasaporta e identitetit tone kombërar, prandaj meriton të promovohet sa më shumë, sidomos nga mediat, të cilat me forcën e zërit, fjalës dhe pasqyrimit të vlerave të saj zgjon interesin e turizmit kulturor, ndihmon në ruajtjen, kultivimin dhe trashëgimin ndër breza”, tha ndër të tjera znj. Rita Shkurtaj. Për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar”. I gjithë aktiviteti u mbyll me një koktei dhe shtërngim duarsh si një premtim për t’u takuar sërish në aktivitete të tjera po kaq të rëndësishme. Prill 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramazan Ceka

“XHUBLETA PASAPORTË E IDENTITETIT KULTUROR KOMBËTAR”

November 15, 2021 by s p

Mbresa nga simpoziumi shkencor; Shoqata kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” godet përsësi.


Nga Ramazan Çeka/


Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u zhvillua simpoziumi kulturoro – shkencor i shumë munguar me temë: “Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, organizar nga Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, i cili u vlerësua si një organizim sa dinjitoz aq edhe institucional deri në përfeksion, që nga impakti i parë e deri në përshëndetjen e fundit, aq sa me plot gojë mund të thuet se arriti të sfidojë edhe vetë institucionet përkatëse, që nga ato vendore e deri tek ato më të larta shtetërore, të cilat edhe pse ishin të ftuara, ra në sy mungesa e tyre. Në këtë simpozium morën pjesë, studiues, etnolog, përfaqsues institucionesh dhe dashamirës të kësaj pasurie me vlera unike në botë. Të pranishme ishin edhe mediat lokale e jo vetëm, të cilat e transmetuan aktivitetin për opinionin publik si një arritje dhe sukses i përmasave kombëtare. Serioziteti i këtij aktiviteti u reflekta në programin e ngjeshur sa shkencor aq edhe artistik, të përgaditura me një kujdes të veçantë nga kryetarja e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” znj. Rita Shkurtaj në bashkëpunim me Drejtoreshën e Biblotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, znj. Valbona Bërdica, e cila mbajti edhe fjalën përshëndetëse të shoqëruar me një punë kërkimore rreth xhubletës me fakte e referenca sa kulturore aq shkencore, të përshtatura për tematikën kuptimplotë mbi këtë pasuri kombëtare. Në vazhdim për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, i cili përcolli një mesazh mjaft domethënës dhe shumë konkret, si një përgjigje e saktë për të gjitha pikpyetjet pse xhubleta duhet të vlerësohet si pasaportë identiteti kulturor kombëtar. Të pranishmit i përshëndeti Kryetarja e Shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” znj. Rita Shkurtaj, e cila në fjalën e saj tha: “Të nderuar pjesmarrës, të nderuar përfaqsues të institucioneve shtetërore dhe përkatsive vendore, të nderuar studiues, etnologë dhe ju dashamirës të xhubletës, mirë se keni ardhur! Në emër të shoqatës kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” dua të falenderoj secilin prej jush këtu të pranishëm, për nderimin dhe vlerësimin e kësaj pasurie të përbashkët kulturore me vlera tejet të mëdha shpirtërore. Gjej rastin t’i shpreh mirënjohje të plotë Universitetit “Luigj Gurakuqi” për mbështetjen dhe veçanarisht Drejtoreshës së Biblotekës znj. Valbona Bërdica, për bashkëpunimin më shumë se institucional në realizimin e këtij simpoziumi kulturoro – shkencor.
“Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”. Pse kjo temë?
Siç u pasqyrua edhe nga dokumentari xhubleta në vetvete është identitet për ata që e mbartin. Është vlerë për të gjithë ne që e kemi. Është kulturë dhe obligim që secili prej nesh ta vlersojmë. Është dinjiteti i të parëve tanë, ndaj ta nderojmë, dhe ta mbrojmë pasi ajo është një detyrë që na përket të gjithëve”. Qëllimi i këtij simpoziumi ishte jo vetëm vlerësimi fiziko kulturor i xhubletës, por edhe nxitja për një bashkëpunim ndërkrahinor në ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshje tek brezat e rinj, si dhe ndërgjegjsimi institucional si një thirrje emergjente, për të ringjallur tekniken e të punuarit të kësaj veshje, krijimin e grupeve folklorike, si dhe ndërmarrjen e një sërë aktivitetesh artistike me fokus xhubleten, si e vetmja mënyrë për ta mbrojtur këtë veshje nga asimilimi i pa mëshirshëm kulturor, nga ku do të krijohen edhe ura rezistente për nxitjen e turizmit kulturor. Ky simpozium ka edhe një tjetër detyrë sa humane aq edhe institucionale, duke filluar nga vetë shoqata, e cila tashmë është e veshur me petkun juridik, e deri tek institucionet më të larta shtetërore të që ta mbrojmë këtë veshje nga cilido që guxon ta tjetërsojë, të abuzojë apo ta shpërfytyroi për përfitime personale origjinalitetin e saj në opinionin publik. Ne sot jemi të vetëdishëm që disponojmë pasuri shpirtërore që bota na e ka zili; si gjuha, flamuri, historia, kultura, ku secila prej tyre është e skalitur mbi xhubleten, ndaj le t’i tregojmë edhe Botës çfarë përfaqson kjo veshje për ne. Çdo kumtese e shkruar me mëndje dhe e peshuar me zemrat e pjesëmarrësve të paraqitura në këtë simpozium, një pjesë e të cilave u demostrua, janë padyshim një shërbim ndaj etnokulturës shqiptare, ku do të përmblidhen në një libër të shkruar, i cili së shpejti do vijë në dorë të lexuesit, si një manual vlerash për xhubleten dhe dukuritë fiziko shpirtërore të saj. Në vazhdim kryetarja znj. Rita Shkurtaj, në emër të shoqatës falenderoi të pranishmit, si dhe ata të cilët bashkë financuan për realizimin e këtij simpoziumi, që me dëshirën e tyre mbeten anonim, me urimin “paçin të gjithë bekimin që nënlokia me xhubletë jepte për bijt e vet”. Në vijim, në mungesë të përfaqsuesve të Bashkisë Shkodër për të pranishmit iu dha fjala studiuesit Prelë Milani, për të folur për xhubletën pultake që kjo bashki ka në juridiksion. Një kumtesë mjaft e arrirë për nga ana shkencore e qartësuar me detaje e të dhëna krahasuese, nëpërmjet të cilave sipas tij identifikohet kjo tipologji xhublete. Ajo që e bëri akoma më dinjitoz këtë sipozium, ishte gërshetimi i pamjeve filmike në monitor, duke i bërë kumtesat edhe më konkrete nën kujdesin e montazhierit të talentuar Armando Rrustemi, si dhe një program i shkurtër artistik, ku për të pranishmit performoi me lahutë rapsodi malsor Pretash Nilaj këngën: “Lahuta e Malsisë”,e cila mori mjaft duartrokitje. Me shumë interes u mirprit dhe kumtesa e përfaqësuesit të Komunës së Tuzit dhe Malësisë së Madhe nën Malin e Zi, i ardhur enkas nga Amerika e largët Prof. Gjon Frani Ivezaj, i cili atë dashamirsinë dhe krenarinë e tij si bir i xhubletës e shprehte me një vlerësim dhe respekt maksimal. Pastaj kumtesa e rradhës ishte ajo e përfaqësuesit të Bashkisë Pukë z.Alban Doçaj, i cili solli në vëmëndje vlerat dhe veçoritë e tipologjisë së xhubletës së Pukës të zbërthyer deri edhe me detaje. Për të kuptuar peshën dhe karakterin shpirtëror e zakonor të xhubletës, me shumë ndjenjë u recitua nga Fatjona Gjerkaj, poezia e Hilë Mosit “Hotjanja”. Pastaj programi vahdoi me një përshëndetje nga përfaqësuesi i Bashkisë Lezhë z.Renaldo Xhani. Vallja e logut interpretuar nga grupi artistik “Jehona e Kelmemit” ishte edhe përshëndetja që mbushi me entuziazëm dhe kënaqsi të pranishmit, nën interpretimin me çifteli të rapsodit kelmendas z.Pretash Nilaj. Aktiviteti u mbyll me një kokteil tepër bujar, plot art e shije, të përgatitur nga punishtja “Goja Goditëse” Shkodër, ku u dha mundësi të pranishmëve të shkëmbejnë biseda dhe të pozojnë foto me njëri-tjetrin, si kujtime të një dite të paharruar nga ky aktivitet.
Nëntor 2021

Filed Under: Kulture Tagged With: Ramazan Ceka

NDAHET NGA JETA NË MOSHEN 86-VJEÇARE PAULIN PREKA “MJESHTËR I MADH” I HUMORIT SHQIPTAR

September 4, 2021 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Një gur i çmuar në gjerdanin e humorit shkodran. Nëqoftëse do të ekzistonte një galeri, jo me piktura e skulptura, por në mënyrë butaforike, ku figurat përfaqësojnë tipa dhe personazhe që shprehin karaktere të cilët duhet të pasqyrojnë jetën njerëzore me të mirat dhe të metat e saj, do të duhej një specialist. Ta dini mirë se ky specialist ishte Paulin Preka. Ky ishte brigadieri, karpentieri, biçilklisti, doktori, muratori, profesori, dashnori, Cuku e Luku, pasaniku e i munduari, fukaraja e deputeti, malësori e fusharaku, intelektuali e i padisiplinuari e ç’farë mund t’i kishte shkuar mendja çdo skenaristi e regjisori për t’ia besuar një rol atij. E përsëris edhe një herë ky ishte aktori Paulin Preka. E gjen në skeçe, kuplete dhe parodi, me një diksion të pastër që i referohet të folmes tipike shkodrane, me një vesh muzikor të admirushëm, me një plastikë që në fillimet e tia ia favorizonte mosha, si dhe eksperiencën e fituar, duke u radhitur në plejaden e shquar të aktorëve humoristë shkodranë që e pranuan në gjirin e tyre si të barabartë. Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër. Ai kishte edhe një vëlla më të madh dhe dy motra. Puna e lodhshme e të atit, një punëtor shumë i nderuar dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e së ëmës, i rritën dhe i edukuan me dashurinë ndaj Zotit, ndaj mëhallës, ndaj vendlindjes, por edhe ndaj intergrimit të tyre në vlerat qytetare të Shkodrës dhe që ishin rruga ku Paulini hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme. Dy fjalë për fillimet e Paulinit: Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës. Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë. Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore. Rreth viteve 1947-1948 hapet në Shkodër Shtëpia e Pionierit ku u formua krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit, i cili zhvilloi shumë aktivitete që krijuan një traditë edhe për shumë vite me radhë. Kështu në vitet ’50 në këtë qendër kulturore u shfaqën tri drama për fëmijë të autorit rus Arkadi Gaidar, ku Paulini në një moshë fare të re shpalosi talentin e tij të lindur. Janë vitet e para pas Çlirimit të cilët ndikuan edhe në gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare, ku shpesh edhe në moshë të re, rinia do të ishte pjesëmarrëse në çdo ndërmarje ekonomike. Kështu, që në vitin ’52 për këto arsye edhe Paulini në moshën 17 vjeçare filloi punë në një ndërmarje të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1954, kur sapo ishte kriju “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laurat i këtij takimi, duke u vlersuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik. Në fund të vitit 1954 u mobilizua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ku aktivizohet në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë Esradës së Ushtarit në role të ndryshme si, konferencier, recitues e pso jo edhe si aktor deri në fund të shërbimit në vitit 1956. Viti 1957 e në vazhdim ishin mjaft të ngarkuar me aktivitete dhe ai edhe pse punonte marangoz në kooperativën e punim drurit, pasditeve aktivizohei në Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti. Atë vit kjo trupë shfaqi dramën “Rinia e Baballarëve”, një dramë që zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë iu besua një rol me peshë mjaft të madhe, të cilin e interpretoi në mënyrë të shkëlqyer. Trupa teatrore është krijuar që në vitin 1949, por shfaqiet e saja do e gjejnë vehten në kushte komode në kohën kur kjo trupë do të interpretojë në skenën e Teatrit “Migjeni” që deri në ditët tona do të ishte një tempull legjendar i artit dhe i kulturës. Duhet theksuar se trupa amatore e Shtëpisë së Kulturës, në vitin ’57 vë në skenë një komedi brilante që mirëpritet me duartrokitje në një turne në qytetet kryesore të vendit, duke u bërë kështu bërthama e trupës së ardhshme profesioniste të teatrit “Migjeni” dhe premisa e teatrit të estradës që nuk do të vononte të jepte shfaqet e para në këtë teatër. Në vitin 1957 qyteti i Shkodrës ka teatrin e vet, një tempull që do të bënte histori në jetën artistike të qytetit, por edhe në rang republike e më gjërë. Ky tempull do të mblidhte në gjirin e tij djemt dhe vajzat më të talentuar shkodranë, të cilët në atë skenë, në atë sallë dhe para atij publiku artdashës do të bënin shkollën dhe akademinë e tyre. Në këto ambiente, mes gjirit të kësaj trupe u rrit profesionalisht edhe aktori i mirënjohur Paulin Preka, i cili jetën jashtë teatrit e bënte vetëm kur shkonte në shtëpi. Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje. Regjizori i trupës profesioniste, Lec Shllaku e ftoi të interpretonte tek drama “Shtatë Shaljanët” të të madhit Ndrekë Luca në rolin e Abdullahut (birit të vezirit të Shkodrës), dramë që duke u interpretuar nga mjeshtrat aktorë të dramaturgjisë shqipëtare, pati një jetëgjatësi të habitshme. Sipas studiuesit Isa Alibali, në atë kohë u vu në diskutim: ku do të shquhej në të ardhmen Paulini, në teatër apo estradë dhe Paulinin e gjejmë aktor të estradës së sapo krijuar, që me aftësitë e tij rifreskoi këtë gjini, duke u bërë kështu për vite me radhë një ndër interpretuesit më brilant të skenës. Një vit më vonë për arsye të mungesës së materialeve letrare, Paulini provoi për herë të parë t’i vijë në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin e tij të parë “Bacë Byreku” i cili u luajt nga mjeshtrat Tano Banushi, Zyli Miloti dhe Jolanda Shala dhe që do ta radhiste më vonë atë edhe në radhën e autorëve humoristë. Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Wikend 96-76” etj. Që nga viti 1967 e deri më sot janë shkruar nga aktori dhe autori Paulin Preka me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Materialet e tia janë pëlqyer dhe janë kërkuar e luajtur nga trupat profesioniste të rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit të Shkodrës, nga Mirdita, Lezha, Puka etj. Aftësitë e tia si aktor, por dhe si autor libretesh, deri te gjinitë e vogla të humorit: skeçe, parodi, kuplete, pantonima, monologje e dialogje, grimca humoristike etj., kanë një vazhdimsi deri në këto ditë që po flasim, sepse plotësojnë figurën e këtij artisti të kompletuar si interpretues dhe shkrimtar. Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj. Në vitin 1998-1999 një mori poezish që janë të arkivuara nga familja, të cilat u transmetuan fillimisht në Radio Klan e mandej edhe në Radio Shkodra të tilla si “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodër loces”, “Zotni”, “Andërr grash”, “Pensioni” etj. Paulini i përket dy zhanreve skenike: teatrit të dramës dhe atij të humorit, rreth 9 vite në dramë dhe 37 vite në estradë, karrierë plotësisht e mjaftueshme për të krijuar personalitetin e tij. Nuk mund të mos mbahen mend nga publiku shkodran interpretimet brilante të Paulinit përkrah gjigandëve të skenës: Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Prengë Lëkunda etj. në rolin e Murrashit tek drama “Toka jonë” shkruar nga Kol Jakova, si dhe rolet kryesore tek “Një tragjedi amerikane” shkruar nga Teodor Drajzer, “Familja e peshkatarit” shkruar nga Sulejman Pitarka, “Bileta e lotarisë” shkruar nga Gjergj Vlashi, Niqiforin në komedinë “Shoku Niqifor” shkruar nga Pëllumb Kulla, si dhe freskinë që solli gjatë pjesmarrjes në tri operata. Paulin Preka me aftësitë e tij doli jashtë kufizimeve konvencionale, si një talent i lindur ai shkëlqeu edhe si aktor i artit të shtatë. Është nënpunës brilant në zgjidhjen e një situate komike tek filmi “Çifti i lumtur” një ndër perlat e kinemasë shqiptare të komedisë për të kapërcyer vite më vonë përsëri në këtë zhanër me komeditë filmike “Pak fresk sonte”. Paulini nëpërmjet punës së tij intensive, arriti të meritojë nga publiku duartrokitjet dhe simpatinë, ndërsa nga institucionet shtetërore vlerësime të larta. Në vitin 1974 laurohet me urdhërin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”. Në vitin 1996 pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i mirë i Karrierës”, “Krenaria e qytetit” në vitin 2009 dhe “Nderi i Komunës” Bushat në vitin 2012. Në qershor të vitit 2018 dekorhet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Për të ditur diçka më tepër rreth figurës së aktorit të mirënjohur Paulin Preka iu referuam monografisë së “Artistit të Popullit” Tano Banushi ku studiuesi Isa Alibali i kushton një vëmendje të veçantë edhe aktorëve të tjerë pjestarë të trupës profesioniste të qytetit të Shkodrës: “Aktori i mirënjohur Paulin Prenka, e ka filluar punën që në vitin 1958 si aktor i estradës. Në premierën e parë, së bashku me Tanon Banushin, ishin konferencierë të shfaqjes, që luajtën rolin kryesor në suksesin e saj. Paulin Preka shpejt u bë një partner i denjë për Tano Banushin, mësoi prej tij dhe prej aktorëve të tjerë, shpesh herë duke pasur përparësinë dhe u harmonizua bukur me gjithë kolektivin e aktorëve, ndikoi fuqishëm në rritjen cilësore të estradës jo vetëm me interpetimet brilante, por edhe me shkrimet humoristike shumë të bukura që kanë firmën e tij. Aftësitë e tij erdhën gjithnjë duke u rritur dhe ai shkëlqeu me të gjithë elementët si një aktor brilant, shumë i dashur për spektatorët dhe gjithnjë i pëlqyeshëm dhe i freskët”. Do të ishte shumë i mangët shkrimi im sikur të mungonin opinionet dhe vlerësimet e një hirësie të nderuar të dramaturgjisë shqiptare, shkrimtarit dhe dramaturgut prof. Fadil Krajës, i cili tha për Paulinin: “Paulin Preka mbetet një ndër ata aktorët nga më të shquarit që shkruan historinë brilante të Teatrit Profesionist “Migjeni” të Shkodrës. Është një ndër figurat më të spikatura dhe më gjurmëlënëse në historinë e estradës Shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Shkodrës në veçanti. Aktor i kompletuar me dhunti të jashtëzakonshme për t’u shquar në të dy planet, në tragjiken dhe komiken, për të luajtur “të mirin” dhe “të keqin” si në dramë, si në komedi, si në filma artistikë të njohur. Aktor me një plastikë për t’u patur zili, me një zë melodioz baritoni që i bëri popullore e të pashlyer në kujtesë shumë kuplete e parodi. Ashtu si Bik Pepa, ai ishte poet kupletist i shquar, por edhe autor parodishë, skeçesh dhe komedishë me një akt që kujtohen edhe sot. Janë aktuale edhe sot dhe kujtohen skeçi në vargje “Harapi”, apo komedia brilante parodizmi i dramës së njohur “Toka e jonë” të Kol Jakovës, duke i sjellë personazhet në ditët tona të demokracisë. Largimi i tij jashtë vendit ka lënë një boshllëk të dukshëm në Teatrin “Migjeni” dhe do dekada vitesh të zevendësohet. Jam krenar që Paulini interpretoi në shumë pjesë të miat, si “Çështja familjare”, “Dopio gjashta” etj. Mbi të gjitha jam krenar që Paulini është ndër miqët e mij më të mirë”. Zyliha Miloti “Mjeshtre e madhe” në një bisedë për Paulinin u shpreh: “Pualin Preka është një partner shumë i denjë dhe i talentuar, qoftë si aktor, si artist, qoftë si njeri i jashtëzakonshëm dhe një shkrimtar i mrekullueshëm i humorit. Pranë këtij partneri jam ndjerë shumë e sigurtë me një vërtetësi të madhe interpretative dhe me një sukses të garantuar nga shfaqja në shfaqje. Tek Paulini kam parë njeriun e sinqertë pa egoizëm si artist dhe shumë i dashur, i komunikueshëm në shoqëri. Me një aftësi të jashtëzakonshme, i paarritshëm në improvizimin e momenteve të humorit, në shoqëri e tavolinë, që rrallë artistë e kanë. Më vjen keq për këtë partner i cili më mungon jo vetëm mua por edhe kolegëve të mi, jo vetëm si aktor por edhe si shkrimtar, njeri i cili i mungon shumë skenës shkodrane dhe spektatorit shkodran e shqiptar”. Paulin Preka me familjen e tij prej vitesh jetoi në Itali, ishte shumë i lumtur së bashku me bashkëshorten e tij Kristinen dhe fëmijët, të cilët kanë krijuar familjet dhe të ardhmen e tyre dhe si trashëgimtarë të familjes Preka bëjnë përpjekje të mbajnë gjallë atë që mund të quhet “Dosja artistike Paulin Preka”, ama, mendoj se kjo dosje faqen e parë dhe faqen e fundit i ka në Shkodër. Ngushllime familjes, artistëve të Shkoders e gjithë Shqipërisë për humbjen e njeriut më të çmuar të artit. Pushofsh në Paqe i Madhi Paulin Preka! Shtator 2021

Filed Under: Kronike Tagged With: Humori shqiptar, PAULIN PREKA, Ramazan Ceka

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT