• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ramazan Këllezi:  “Vallja shqiptare është shprehje artistike e identitetit tonë” 

September 13, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Koreografi profesionit shqiptar me karrierë prej tri dekadave Ramazan Këllezi e ‘ka gjetur veten’ në Kanada. Pasi emigroi atje në fillim të viteve 2000, ai u kthye në Shqipëri në 2004, por në fund të asaj dekade erdhi përsëri në Ontario ku sot jeton me familjen. Në bisedë me Diellin, nismëtari dhe drejtuesi i grupit Shqiponjat e Vogla flet për emigracionin, balerinat soliste shqiptare, projektin për një qendër komunitare në Ontario, Ministrinë e Diasporës etj. Për një profil të zgjeruar lexoni intervistën.     

Kjo është biseda juaj e parë me Diellin por emri Ramazan Këllezi si edhe krijimtaria juaj si koreograf profesionist janë të njohura për adhuruesit e baletit dhe valles shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë edhe pas emigrimit në Kanada.

E vërtetë, është e para bisedë dhe ndjehem i privilegjuar të bisedoj me Diellin. Ju falenderoj sinqerisht për përzgjedhjen. Si profesionist, kam një karrierë të gjatë në Shqipëri. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera në Akademinë e Arteve të Bukura, në sajë të etikës së punës e disiplinës që më karakterizon u emërova Drejtor i Akademisë së Dancit e njohur si Shkolla e Baletit. Në sajë të këmbënguljes sime në shtator të vitit 1994 arrita të shkëpus Degën e Koreografisë e cila deri atëherë ishte pjesë e Liceut Artistik në Tiranë. Për të parën herë Dega u mëvetësua dhe arriti statusin e shkollës. Unë u emërova dhe isha Drejtori i parë zyrtar i saj deri në 1998, periudhë gjatë të cilës shkolla pati profil veçanërisht aktiv dhe të suksesshëm. Pas emigrimit në Kanada realizova kontaktet e para me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze dhe menjëherë ju përvesha punës për krijimin e grupit “Shqiponjat e Vogla” i cili tashmë shënon 12 vite pune e suksesi. 

Si emigrant në Kanada ju thoni se koreografia është profesion i rrallë aty por gjithashtu pohoni se e “keni gjetur veten”. Shumë profesionistë që largohen nga Shqipëria përjetojnë ‘humbjen’ e zanatit të tyre. Cila është përvoja dhe nisma juaj për grupin Shqiponjat e Vogla, me fëmi të moshave të reja.   

Po, e them pasi kjo është e vërteta. Ka profesione këtu në Kanada që edhe pse janë aq të kërkuara ose të rralla është e vështirë t’i arrish. Në rastin tim, unë vërtet i jam përkushtuar mësimit të valles popullore për komunitetin e Torontos vullnetarisht, por kjo nuk më siguron të ardhura për ta përballuar jetesën, vetëm më ngroh shpirtërisht dhe më mban gjallë artistikisht. “Shqiponjat e Vogla” janë pjesëmarrës në një sërë aktivitetesh në Kanada, SHBA por edhe në Europë. Vitin e kaluar në Festivalin Internacional në Stamboll të Turqisë u vlerësuam me medaljen e Festivalit nga juria. Pjesëmarrja në Festivalet e Komuniteteve shqiptare në Nju York, Florida, Miçigan, si edhe në Toronto, Hamilton, London, Montreal ka edhe vlera të shtuara emocionale.

Si Drejtues i grupit të valleve Shqiponjat e Vogla, ju jeni në vazhdën e përgatitjes së brezave të valltarëve. Shumë studentë shqiptarë të shkollës së atëhershme janë sot balerina dhe balerinë solistë shqiptarë në skenat botërore. Si e shpjegoni ju faktin se ndonëse shkolla në përgjithësi kishte kufizimet e imponuara të sistemit të kaluar dhe më pas vështirësitë e tjera, niveli dhe suksesi i diplomantëve të saj arriti kalibret botërore? 

Realisht gjatë asaj periudhe janë përgatitur shumë breza balerinesh. Disa prej tyre janë sot balerinë të respektuar e të vlerësuar në botë si Kledi Kadiu, Anbeta Toromani, Ilir Shaqiri, Eno Peçi, Danilo Zeka, Helga Sarçi, Enada Hoxha, Gentian Deda etj. Shkolla e Baletit mban statusin e shkollës Kombëtare pasi është e vetme në llojin e saj dhe programi mbi të cilin është ngritur ka qenë modeli i shkollës ruse mbështetur në metodën Vaganova, tepër i suksesshëm edhe në Rusi. Pedagogët tanë Docent Skënder Selimi, Artist i Popullit Panajot Kanaçi, Artist i Merituar Agron Aliaj, Ganimete Vendresha, Petrit Vorbsi, Zoica Haxho, Xhemil Simixhiu, Mukades Erebara, Luan Shtino etj i kryen studimet në Moskë dhe sollën prej andej këtë metodë profesionale. Nga periudha e gjatë e izolimit të gjithë brezat që kontribuan në këtë shkollë ruajtën me fanatizëm atë që u ofrua në vitet ’60. Kjo padyshim dha rezultatet e saj në formimin e balerinëve të talentuar e suksesshëm.

Familja Këllezi është nga familjet më të vjetra dhe të nderuara të Tiranës. Ju mbartni atë emër kudo ku jeni. Cila është dinamika midis vendlindjes dhe vendit të adoptuar?

Ju faleminderit për këtë pyetje për të cilin gjithmon ndihem krenar. Familja Këllezi është vërtet e madhe dhe një nga më autoktonet në Tiranë. Banorët tiranas sapo e dëgjojnë mbiemrin Këllezi nuk pyesin më gjatë. Ne punojmë dhe japim kontributin tonë në të gjitha sferat dhe profesionet kështu që njohja e familjes dhe kontaktet janë të gjithmonë të pranishme. Ajo që na bën të mbajmë kokën lart është qytetaria e trashëguar në breza si emërues i përbashkët për çdo anëtar të familjes sonë pavarësisht ku jeton apo punon. Kjo është dinamika që nuk ndryshon dhe na bën të jemi të suksesshëm kudo.

Nga përvoja juaj ju keni parë periudha të ndryshme të emigracionit shqiptar kanadez, duke qenë se keni shkuar nga Shqipëria në Kanada në fillim të viteve 2000, dhe jeni kthyer në Shqipëri në 2004. Por në fund të asaj dekade erdhët përsëri në Kanada dhe prej atëhere jetoni në Ontario me familjen tuaj, bashkëshorten dhe pesë fëmijët. Çfarë do të thotë kjo për emigrantët? 

Po, është e vërtetë, ne kemi ardhur në Montreal në maj 2000 dhe u kthyem në Shqipëri pas 4 viteve me idenë se gjërat ishin sistemuar, por ishte vetëm një iluzion që na kushtoi 6 vite larg Kanadasë. Kur u kthyem këtu gjetëm të njëjten situatë, të njëjtat kërkesa për çdo profesion ose shkollim për profesionin që përzgjedh që quhet “skills for change”. Natyrisht bashkëshortja ime dhe unë zgjodhëm shkollimin që na sigurojë shumë shpejt punën ku jam i angazhuar tani si Manaxher Pallati.

Ju keni qenë zëdhënës, zëvendëskryetar dhe pastaj kryetar i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptare Kanadaze në Ontario, ku banon komuniteti më i madh i shqiptarëve. Miratimi nga Parlamenti i Ontarios i Nentorit si muaji i Trashegimise shqiptare ishte nisma juaj.

Sapo u riktheva në Kanada në vitin 2010 u bëra pjesë e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze këtu në Toronto – një prej shoqatave më të vjetra që e vazhdon aktivitetin në shërbim të komunitetit shqiptar më të madh në Kanada. Tre vitet e fundit kam qene President i kësaj shoqate me aktivitete të shumta dhe cilësore. Gjatë vitit 2016 kemi këmbëngulur dhe realizuar edhe 5-6 aktivitete në muaj kryesisht në Parlamentin e Ontarios për të bërë të mundur miratimin me ligj të shpalljes së muajit Nëntor – Muaji i Trashëgimisë së Shqipëtarëve në të gjithë Ontarion. Dhe kjo u arrit në sajë të punës së madhe dhe mbështetjes nga bordi i Shoqatës, përkushtimit nga anëtarët, kontributit të pakufishëm të znj. Laura Albanese, ish-Ministre e Emigracionit për Ontarion si edhe efektin e trupës së valleve “Shqiponjat e Vogla” në prezantimin live të kostumeve popullore, në vallet e krahinave të ndryshme përpara deputetëve në Parlamentin e Ontarios. 

Qendra komunitare “Shtëpia e Shqiptarit”. A ka ecuri kjo nismë e shoqatës që nisi kur ju ishit Kryetar i saj?

Ideja e Shtëpisë së Shqiptarit u miratua edhe grupi i punës vendosi ta paraqiste projektin në komunitet. Në tetor 2017 u arrit një sukses i pamenduar në sigurimin e shumave të mëdha financiare nga bizneset shqiptare që u treguan të gatshëm të mbështesin këtë projekt kaq të rëndësishëm për komunitetin tonë. Kishte vështirësi pasi projekti dhe blerja e truallit kushtojnë shumë. Më kujtohet se në vitin 2018 në mos gabohem erdhi për një vizitë ish-Ministri i Diasporës së Shqipërisë Pandeli Majko. Ne shpresuam se shteti do na ndihmonte sadopak në realizimin e këtij projekti por ndodhi e kundërta. Jo ndihmë që nuk patëm por na krijojë një situate mosmarrveshje në shoqatë që kurrë më parë nuk e kishim eksperimentuar dhe mbi të gjitha mori idenë tonë dhe e shpërndau si të “tijën” në gjithë komunitetet shqiptare në Europë a Amerikë. Fatkeqësisht prej asaj kohe ideja për ndërtimin e saj filloi të zbehej dhe tashmë nuk flet asnjë për këtë projekt. 

Në karrierën tuaj shihet se keni aftësi të jeni nismëtar dhe realizues i disa nismave, si gjatë kohës kur ishit drejtues i Shkollës së baletit në Tiranë krijimi i Ansamblit “Të Rinjtë e Bashkësisë së Tiranës” me jetëgjatësi 15-16 vjeçare në Shqipëri, nisma për Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, grupi i valleve Shqiponjat e Vogla në 2011.  A është karakteristikë e trashëguar?

Duket një aftësi e lindur e trashëguar ndoshta nga ime më. Natyrisht fëmijët e mi e ruajnë trashëgiminë. Djali im Dion është tenor i shumë veprimtarive të Sh.B.Sh.K në hapjen me himnin kombëtar dhe vajzat Uarda, Artes dhe Amber, me pasion dhe talent, janë “Shqiponjat e Vogla” që prej vitit 2011. Pra besoj se shprehja “Dardha bie nën dardhë” mbart një të vërtetë.

Në kujtimet tuaja ju keni përmendur ceremoninë e çmimit Oscar për Ramadan Sokolin nga IGF në 2004.

International Group Folk (IGF) është një organizatë profesoniale ku aderojnë shtete nga gjithë bota, të përfaqësuara nga një anëtar me kualifikimet e kërkuara. Unë pata privilegjin ta përfaqësoja Shqipërinë në IGF ku kam patur pozicionin e Sekretarit të saj. Në një nga takimet tona vjetore u vendos të vlerësohej një personalitet i shquar i vendeve anëtare me çmimin Oscar për folklorin dhe kontribute të dalluara studimore. Pati shumë propozime nga vende të ndryshme por komisioni përzgjodhi propozimin tim për Prof. Ramadan Sokolin, i cili ka vlera të veçanta qytetare, studimore dhe ka lënë pas materiale me vlera të jashtëzakonshme. Çmimi ju dorëzua vajzës së tij Artes Sokoli në një ceremoni me plot emocione dhe vlerësime për Shqipërinë.

Si Konsull i Shqipërisë në Romë në vitin 2007 a keni menduar se çfarë kanë të përbashkët koreografia dhe diplomacia? 

Në këndvështrimin tim çdo profesion ka të përbashkëta me profesionet e tjera por ajo që lidh së tepërmi është puna mes njerëzve dhe komunikim me ta.  

Cili apo cila ka qenë modeli juaj në jetë dhe në artin tuaj? Si ju përgjegjeni atyre që thonë se diaspora ka vetëm folklor? 

Modeli i parë padyshim janë prindërit e mi, në profesion kam dy modele te tilla, i pari profesori im i valles në Pallatin e Pionerëve në Tiranë që më mësoi për 8 vite Prof. Abedin Metuli. Më pas pedagogu im i mrekullueshëm Dr. Sh. Skënder Selimi. Si në atdhe, edhe këtu në emigrim kam marrë vlerësime nga Shqipëria si Ambasador i Kombit nga qeveria Shqiptare në vitin 2019 si dhe Medaljen nga Presidenti i Shqipërisë me motivacionin “Për Merita të Veçanta Civile” në 2021 krahas shumë vlerësimeve nga shoqata e organizata këtu në Kanada. Ndihem i motivuar për të mbajtur gjallë artin tonë të mrekullueshëm në emigracion dhe për ta transmetuar atë tek brezat që vijnë. Çdo vend ka trupat e veta profesionsite dhe historikun e tyre por folklori është ai që na bën të dallueshëm prandaj artistët përpiqen ta ruajnë atë pjesë të kulturës sonë që është thellësisht shqiptare aq më tepër në një vend të huaj. Por ruajtja si edhe transmetimi duhet të jenë në nivel të lartë artistik. Kjo bën ndryshimin! 

Çfarë është vallja për ju? Çfarë ka të veçantë një valle e koreografuar nga ju?

Vallja flet vetëm nëpërmjet lëvizjes dhe plastikës. Në realizimin e valles unë kërkoj elementet dhe motivet e trevës përkatëse. Kur arrin t’i përcjellësh ato në formë artistike dhe si pjesë e identitetit shqiptar, atëherë siç thotë shprehja “e ke fituar davanë”. 

Falemnderit për bisedën dhe suksese!  

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti, Ramazan Kellezi

TË NJOHIM ARTISTËT NË DIASPORË

June 16, 2020 by dgreca

-Ramazan Këllezi, Personalitet i Artit dhe Kulturës Shqiptare/

– Që nga vitit 2011 Ramazan Këllezi krijon grupin e valleve “Shqiponjat e Vogla” si edhe bëhet pjesë aktive e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze ne Toronto ku për shtatë vite përmbush me sukses detyrën e zëdhënësit të shoqatës dhe, që nga viti 2016 deri në vitin 2019 ka mbajtur postin e presidentit të asaj shoqate. /

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Artisti Ramazan Këllezi, ose Zani, siç njihet në rrethin miqësor, është lindur dhe rritur në Tiranë, në një nga familjet autoktone dhe të pasur tregtare tiranase. 

Shkollën fillore e perfundoi në shkollën e mirënjohur të muzikës: “Kongresi i Përmetit, në Tiranë.

Në atë shkollë, për katër vite studioi për instrumentin, violinë. 

Në klasën e 5-të të shkollës 8-të vjeçare ndoqi rregullisht kursin e valles pranë Pallatit të Pionierëve në Tiranë.

Për pesë vite spikati  talentin dhe dashurinë për vallen popullore. Gjatë atyre viteve, artisti i ri në moshë por shumë i talentuar, interpretoi rolet solistike të realizuara me shumë nivel; i vlerësuar nga profesori i tij Abedin Metuli. 

Për aktivitetin e tij në ato vite dhe figura të tjera që krijoi gjatë karierës sëtij artistike, në vitin 2017, me rastin e 70-të vjetorit të krijimit të Pallatit të Pionierëve në Tiranë, u vlerësua me: “Trofeun e Mirënjohjes”. 

Shkollën e mesme, artisti Ramazan Zyberi e mbaroi pranë Liceut Artistik në degën e teorisë së muzikës me rezultate të shkëlqyera. 

Pas përfundimit të shkollës së mesme, vazhdoi studimet e larta pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, të cilat i përfundoi në vitin 1987 me rezultate të larta.

Ka qenë student i pedagogut Dr. Skënder Selimi, ikonë e koreografisë dhe pedagogjisë së këtij zhanri.

Diplomohet në katedren e Regji-Koreografisë  me titullin: “Koreograf”. Pas mbarimit të studimeve të larta, emërohet pedagog në katedrën e Koreografisë dhe Kantos pranë Akademisë së Arteve. 

Më pas, në vitin 1989, emërohet mësues në Shkollën Kombëtare të Baletit dhe, një vit më pas, emërohet drejtor i asaj shkolle, detyrë, të cilën e përmbushi me dinjitet dhe profesonializëm deri në vitin 1998. 

Gjatë asaj peridhe ka realizuar disa krijime koreografike në gjini të ndryshme si, koreografinë në spektaklin ” E shtuna gazmore e një qyteti”, koreografinë e filmit shqiptar “Bolero”, koreografinë në spektaklin televiziv “Rreth fatit për 12 javë” si edhe shumë miniaturë koregrafike për Televizionin Shqiptar.

Për herë të parë bashkëpunon me Cirkun e Tiranës dhe realizon me shumë sukses kërcimin “Lambada” me nxëneset e shkollës.

Gjatë viteve në detyrën e drejtorit të shkollës së baletit, krijon dhe drejton për disa vite ansamblin e parë popullor në historinë e shkollës së baletit, të quajtur “Ansambli të rinjtë e Tiranës” me të cilin kanë përfaqësuar Shipërinë në dhjetëra festivale ndërkombetare në: Itali, Francë, Austri, Bullgari, Hungari, Maltë, Turqi, Greqi, Rumani, Poloni, Angli etj. Për nivel të lartë interpretimi, jënë vlerësuar me çmime dhe kupa nderi në ato festivale prestigjoze.  

Më pas, Ramazan Këllezi emërohet drejtori i Pallatit të Kulturës “Studenti” në qytetin studenti.

Në vitin 2000 emigron ne Kanada. 

Pas katër viteve rikthehet ne atdhe ku kandidon për kryetar të mini bashkisë Nr.9 në Tiranë (PD), 

Në vitin 2007 emërohet Konsull pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë, Itali. 

Në vitin 2010 rikthehet në Kanada dhe që nga vitit 2011 krijon grupin e valleve “Shqiponjat e Vogla” si edhe bëhet pjesë aktive e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze ne Toronto ku për shtatë vite përmbush me sukses detyrën e zëdhënësit të shoqatës dhe, që nga viti 2016 deri në vitin 2019 ka mbajtur postin e presidentit të asaj shoqate. 

Prej shumë vitesh punon në një nga kompanitë më të mëdha të menaxhimit në GTA Del Property Management.

Për seriozitetin, përgjegjshmerinë dhe nivelin profesional, këtë vit, u vlerësua me çmimin “Property Manager of the Year”.

Si koreograf dhe drejtues i grupit “Shqiponjat e Vogla” ka përgatitur tre breza valltarësh dhe ka marë pjesë në festivale  mbarëshqiptare  në  New York, Detroit, Florida dhe  në Toronto ku për nivelin dhe interpretimin e tij, ky grup është vlerësuar dhe mirëpritur në të gjitha ato aktivitete. 

RamazanKëllezi  është i martuar dhe ka 5 fëmijë.

GRUPI I VALLEVE “SHQIPONJAT E VOGLA” NË KANADA

Ramazan Këllezi i bashkohet Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze në Shtatorin e vitit 2011 si kandidat per zgjedhjet në bordin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë krijoi grupin e valleve “Shqipopnjat e Vogla” të cilat performojnë në festën e pavarësisë.

Më pas, në zgjedhjet e vitit 2012, anëtarësohet në bordin me detyrën e zëdhënësit të saj për dy vite. 

Rizgjidhet në vitin 2014 dhe ngarkohet me detyrën e nën/presidentit të kësaj shoqate, detyrë, të cilën e mbajti deri në vitin 2015. 

Në vitin 2016 ngarkohet me detyrën e presidentit të shoqatës, detyrë që e mbajti deri në vitin 2019. 

Gjatë gjithë këtyre viteve, përkrah angazhimit vullnetarisht me shoqatën, organizime dhe pjesëmarrje në gjithë aktivitetet, vazhdoi pa ndërprerje punën e tij me grupin e valleve “Shqiponjat e Vogla”

Angazhimi me grupin e valleve ishte vullnetare, pa asnjë pagesë, vetëm në interesat e ruajtjes dhe mbajtjes gjallë të kultures  sonë dhe valleve shqiptare. Grupi i valleve i atashuar tashmë shoqatës i dha një shtrirje më të madhe njohjes ëe saj, pasi pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme të këtij grupi të suksesshëm, e bëri prezent shoqatën në shumë aktivitetet multikulturore por edhe të organizuar nga përfaqesues të Qeverisë së Ontarios.

Shqiponjat e Vogla, të krijuara në vitin 2011, u rritën në vite dhe reportori ë interpretimit të valleve popullore shqiptare e tejkaloi pritshmërinë. 

Me dëshirën dhe pasionin e madh që tregonin valletarët, bënë të mundur të interpretojnë me shumë nivel vallet e krahinave të ndryshme si: atë të Tiranës, Korçare, Tropojës, Rugovës, Vallen e Osman Takes, valle me motive të Jugut, vallen e bukur të Dibrës, e plot të tjera. 

Nga viti në vit, numri  anëtarëve të grupit rritet dhe deri tani ato numëron rreth 40 fëmijë të grupmoshave të ndryshme, të cilët praktikohen çdo të shtunë. 

Në përbërjen e tij janë grupi i të rinjve (vajza-djem), grupi i moshave 13-16 vjeçare si dhe grupi i fëmijëve 9-12 vjeç.

Në gjithë këto vite, mund të numërohen rreth 50 koncerte në Toronto, London, Mississauga, Scarborough; por, jo vetëm, ky grup është ftuar dhe vlerësuar edhe ne aktivitetet jashtë Kanadasë, si, pjesëmarrja në Festivalin e New York-ut për tre  vite rradhazi, pjesëmarrja në festivalin shqiptaro-amerikan çdo vit në  Detroit si edhe në festivalin e pranverës në Clearwater, Tampa, Florida.

Ajo që e ka bërë këtë grup të njohur edhe në Europë ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë, sigurisht edhe në Shqiperi, është pjesëmarrja për të tretin vit rradhazi në Air Canada Center, ku në prani të 20.000 spektatorëve kanë interpretuar vallen e bukur shqiptare ku në njërin prej atyre viteve, “Mbretëresha” e vallëzimit shqiptar, Liliana Çingu interpretoi me atë grup. 

Puna dhe suksesi i grupit të valleve dhe i koreografit Ramazan Këllezi si drejtues i grupit, tregon dashurinë dhe dëshirën e madhe që kanë për vendin dhe kombin tonë.

Maestro Këllezi mundohet të transmetojë me shumë patriotizëm vallen shqiptare tek brezat e vegjël shqiptarë edhe pse një pjesë e mirë e fëmijëve jane lindur në Kanada, ata flasin gjuh[n e bukur shqipe, vallëzojne shqip dhe veshin me shumë krenari kostumet tona të mrekullueshme kombëtare

Vleresimet e anëtarëve të shoqatës, por edhe të qeveritarëve të Ontarios si:  Ministrja e Emigracionit, Znj. Laura Albaneze, Minister, Brad Duguit,  MPP Yvan Baker dhe, kur folën në Parlamentin e Ontarios për të shpallur muajin Nëntor, Muajin e Trashëgminisë së Shqiptarëve në Ontario, i cili u miratua në datën 5 Dhjetor 2016, u mbeshtetën fuqishëm në aktivitetin e “Shqipoponjave të Vogla” dhe rolin e madh që ato luajnë në vendin multikulturor në të cilin jetojmë. 

Në këtë periudhë maestro Këllezi ishte president i asaj shoqate dhe puna e përkushtimi për të realizuar këtë ishin maksimale dhe një pjesë e këtij suksesi i atribuoht atij. Për aktivitetin e palodhur dhe nivelin e interpretimit të valleve tona bordi i shoqatës e ka vlerësur grupin me “Pllakën e Mirënjohjes”.

Po ashtu, shoqata e Londonit dy vite më parë, maestro Këllezit i është akorduar titulli: “Anëtar Nderi i Shoqatës”. 

Vlerësimi më i madh për gjithë këto vite pune të palodhur, zotit Ramazan Këllezi, në Samitin e Dytë të Diasporës, organizuar nga Qeveria Shqiptare në shkurt të vitit 2019 u vleresua me titullin e lartë “Ambasador i Kombit”  Maestro Këllezi vazhdon me pasion dhe dëshirë punën për të mbajtur të gjallë tek brezi i ri dashurinë për Shqipërinë, për kulturën dhe zakonet tona.

Filed Under: Featured Tagged With: Pandeli perr Simsia, personalitet i Artit, Ramazan Kellezi

Artikujt e fundit

  • Mesazh ngushëllimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin
  • KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN MBAN ZI – NDËRROI JETË KANCELARI I KISHËS ORTHODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE, AT ARTHUR LIOLIN
  • SHKOLLA SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
  • SUKSES I MADH I SHAHUT SHQIPTAR
  • Fantazi e çuditshme
  • Kuvendi miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës dënon sulmin terrorist të organizuar nga Serbia në veri të Kosovës
  • Njohja njerëzore, ky proces që fillon nga vetja
  • Për të gjithë të interesuarit…(Reklamë)
  • Evropë apo Europë?
  • SHUHET ATË ARTHUR LIOLIN
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • Lamtumirë At Arthur Liolin
  • Lamtumirë i Përndershmi At’Arthur Liolin
  • FJETI MË ZOTIN ATË ARTUR LIOLINI
  • Shuhet At Arthur Liolin, Vatra telegram ngushëllimi

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT